Connect with Us

Troja e lashtë, një qytet real apo thjesht një legjendë?

Blog

Troja e lashtë, një qytet real apo thjesht një legjendë?

Publikuar

-

* Emri Troja, i referohet një vendi legjendar, por edhe një siti arkeologjik real. Në legjendë, Troja prezantohet si qyteti që u rrethua për 10 vjet, dhe në fund u pushtua nga një ushtri greke e udhëhequr nga Mbreti Agamemnon. Arsyeja e luftës ishte sipas “Iliadës” së Homerit, rrëmbimi i Helenës, mbretëreshës së Spartës.

Rrëmbimi u krye nga Parisi, djali i mbretit të Trojës, Priamit. Tek “Iliada”, Zotat ndërhyjnë vazhdimisht në mbështetje të personazheve, në të dyja anët e konfliktit. Ndërkohë, Troja është një qytet i vërtetë antik, që ndodhet në bregdetin veriperëndimor të Turqisë, dhe që nga antikiteti, është identifikuar nga shumë njerëz si Troja për të cilën flitet në legjendë.

Nëse Lufta e Trojës ka ndodhur apo jo vërtet, dhe nëse siti arkeologjik në veri-perëndim të Turqisë është Troja në fjalë, kjo është ende objekt debatesh. Emri turk për sitin arkeologjik është Hisarlik. Ideja që ky qytet është në fakt Troja legjendare, qarkullon prej të paktën 2.700 vjetësh, kur grekët e lashtë po kolonizonin bregun perëndimor të Turqisë.

Në shekullin XIX-të, ideja u bë sërish shumë popullore, kur biznesmeni dhe arkeologu gjerman, Hajnrih Shliman, kreu disa gërmime në Hisarlik, duke zbuluar thesare që ai pretendoi se i përkisnin mbretit trojan Priam. Lufta e Trojës, mendohet të ketë ndodhur afër fundit të Epokës së Bronzit, ose rreth vitit 1200 Para Krishtit.

Ajo ndodhi rreth kohës së lulëzimit të një civilizimi, që ne e njohin si Mikena në Greqi. Mikenasit ndërtuan pallate të shkëlqyera, dhe zhvilluan një sistem shkrimi. Rrëfimet më të hershme mbi këtë luftë vijnë nga Homeri, që jetoi rreth shekullit VIII Para Krishtit, pra disa shekuj pasi ndodhën ngjarjet.

Lufta hyri shpejt në një ngërç, me grekët që ishin të paaftë të pushtonin qytetin, dhe trojanët po aq të paaftë për t’i hedhur ata në det. Në poemë, përshkruhen disa nga ngjarjet kryesore, përfshirë një duel midis Menelaut, mbretit të Spartës, burrit zyrtar të Helenës dhe Parisit që e rrëmbeu.

Fituesi të merrte Helenën si çmim, duke i dhënë fund luftës. Sidoqoftë, Zotat ndërhynë për të prishur duelin para se ai të përfundonte, dhe për pasojë vazhdoi lufta. Përkundër besimit popullor, “Iliada” nuk përfundon me shkatërrimin e Trojës, por me një armëpushim të përkohshëm, pas së cilit supozohet se vazhdojnë luftimet.

Një tjetër vepër homerike, “Odisea” përshkruan ngjarjet pas shkatërrimit të qytetit, dhe ku protagonisti kryesor Odiseu, tenton të kthehet në shtëpi. Siti i Hisarlikut, në veri-perëndim të Turqisë, është identifikuar si Troja që nga kohërat e lashta. Hulumtimet arkeologjike, tregojnë se ai ishte i banuar për gati 4.000 vjet, duke filluar rreth vitit 3000 Para Krishtit.

“Nuk ka një Trojë të vetme. Ka të paktën 10 të tilla, të shtrira mbi njëra-tjetrën”- shkruan studiuesi i Universitetit të Amsterdamit, Gert Jan van Vijngarden në një kapitull të librit të tij “Troja:Qyteti, Homeri and Turqia. Ai pretendon se arkeologët duhet të gërmojnë më thellë, për të gjetur mbetjet e vendbanimit të parë.

Sipas tij, Troja u ngrit pas vitit 2550 Para Krishtit. Qyteti “u zgjerua dhe u pajis me një mur të madh mbrojtës, të përbërë nga blloqe guri drejtkëndëshe”, shkruan van Vijngarden. Kur Shliman gërmoi në këtë nivel të Trojës në vitin 1873, ai zbuloi një arkë thesari, të cilin ai besonte se i përkiste mbretit Priam.

LEXO EDHE:  Si mund të shmanget recesioni ekonomik global

Por më vonë, disa studiues kanë spekuluar se këto thesare nuk u gjetën të gjitha në një depo, por ishin objekte mjaft të çmuara, të nxjerra nga i gjithë siti. Në dekadat që pasuan, u bë e qartë se këto objekte i përkasin një mijëvjeçari më herët sesa koha kur jetoi Priami. Edhe madhësia e saktë e qytetit, është objekti diskutimesh.

Arkeologu Manfred Korfman, që ka drejtur gërmimet në këtë sit, shkruan në një libër të vitit 2007, se ka pasur një “qytet më të ulët” përtej kështjellës, duke e llogaritur madhësinë e tij totale në rreth 30 hektarë. Një nga problemet kryesore, në identifikimin e këtij qyteti si Troja e Homerit, është mënyra se si u shkatërrua ai.

Të çarat në mure, sugjerojnë se u godit nga një tërmet rreth vitit 1300 Para Krishtit, i pasuar ndoshta nga një kryengritje ose sulm armik. Të dhënat tregojnë se qyteti ishte braktisur rreth vitit 1000 Para Krishtit, dhe u ripërdor në shekullin VIII Para Krishtit, pikërisht rreth kohës kur jetoi Homeri.

Grekët e quajtën “Ilion” qytetin e ripushtuar. Ndërsa shumë studiues besojnë se njerëzit që u rivendosën në Trojë pas vitit 1000 Para Krishtit ishin kolonët grekë, kjo ide së fundmi është sfiduar nga gjetje të reja. Në vitin 2014, studimi i publikuar i një ekipi studiuesish në “Oxford Journal of Arkeology”, zbuloi se amfora e gjetur në Trojë, dhe që mendohej se ishte importuar nga Greqia, ishte prodhuar në fakt në Trojë.

Kjo bëri që ekipi të sugjeronte që shumica e njerëzve që e ringritën Trojën, ishin njerëz që jetonin tashmë përreth zonës. Kserksi, mbreti i Persisë që shkoi të pushtonte Greqinë, u ndal për të bërë homazhe ndaj Trojës.

Të njëjtën gjë do të bënte Aleksandri i Madh në shekullin IV Para Krishtit, duke i dhënë asaj një status të veçantë brenda perandorisë së tij të madhe. Por pyetja kryesore me të cilin përballen studiuesit është:A ka pasur ndonjëherë një Luftë të Trojës? Nëse po, a është Hisarlik, Troja  vërtetë? Studiuesit kanë vërejtur se topografia e Trojës, përputhet në përgjithësi me atë të qytetit real. Por mbeten ende shumë dilema./Livescience.com/ Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Çfarë do që të arrijë Erdogani duke shpikur krizë pas krize?

Publikuar

-

Nga

Çfarë do që të arrijë Erdogani duke shpikur krizë pas krize?

Nga Yavuz Baydar “Ahval News”

Ndërsa reagimet ndërkombëtare ndaj krizës në përshkallëzim e sipër midis Turqisë dhe Greqisë, janë të para edhe në të shkuarën, çështja është nëse një qëndrim i shkëputur nga Bashkimi Evropian, do të vazhdojë ta trimërojë presidentin turk Rexhep Taip Erdogan dhe grupin e ish-oficerëve që e nxisin administratën e tij drejt një përplasje ushtarake me
Athinën.

Po çfarë dëshiron të tregojë udhëheqësi turk i dorës së fortë, teksa po shfaq një qasje “liro-shtërngo” ndaj shpimeve në një zonë detare, për të cilën Greqia thotë se është pjesë e ujërave e saj territoriale?

Cila është fund-loja e tij?

Tabloja e përgjithshme mbetet e ndërlikuar, duke krijuar një kontekst të “ekuilibrit të terrorit” që i mban përballë njëra-tjetrës flotat turke dhe greke, duke e shtuar shqetësimin se mosmarrëveshja mund të dalë lehtësisht jashtë kontrollit.
Megjithatë, serioziteti i kësaj situate duket se përforcohet nga një apati e pazakontë nga ana e Bashkimit Evropian, me përjashtim ndoshta të Francës. Greqia, e mbështetur nga Qipro, bëri thirrje për një takim urgjent të liderëve të BE, propozim që u pranua. Takimi i Këshillit për Punë të Jashtme, do të mbahet të premten.

Ndërkohë dimë që Ministri i Jashtëm Grek, Nikos Dendias, do të takohet po të premten në Vjenë me Sekretarin amerikan të Shtetit Amerikan, Majk Pompeo. Vlen të përmendet se ambasadori amerikan në Vjenë, Xhefri Pjat, është shndërruar në një figurat kryesore në menaxhimin e kësaj krize, përmes lëvizjeve të tij të forta diplomatike.
Kohët e fundit, edhe Izraeli e ka thyer heshtjen e tij, dhe ka ofruar “solidaritet të plotë” ndaj Greqisë. Për momentin nuk ka asnjë shenjë, se aktivitetet e anijes kërkimore turke do të ndalen. Aktiviteti i anijes “Oruç Reis”, i ndihmuar nga 9 anije luftarake turke, po i mban lart tensionet midis 2 vendeve fqinje. Muajin e kaluar, Erdogani i ndaloi shpimet në këtë zonë, me kërkesë personale të kancelares gjermane Angela Merkel. Por ai i rifilloi ato javën e kaluar, i zemëruar nga lajmi se Greqia nënshkroi një marrëveshje mbi Zonën Ekonomike Ekskluzive me Egjiptin, pakt për të cilin Ankaraja thotë se i mbivendoset në pjesë të mëdha marrëveshjes që ajo vetë ka nënshkruar më herët me Qeverinë e Akordit Kombëtar në Tripoli të Libisë.

Duke pasur parasysh qëndrimet e dykuptimta të BE-së në lidhje me Mesdheun Lindor, Erdogan dhe ekipi i tij mendojnë se u është dhënë hapësira e konsiderueshme për të vazhduar lojën e “maces me miun” me anëtarët e përçarë të unionit.
Presidenti turk është tërësisht i vetëdijshëm mbi mungesën e udhëheqjes së BE-së në këtë situatë, dhe ai e di shumë mirë se anëtarët e saj nuk mund të kenë kurrë një qëndrim të unifikuar në mbrojtje të integritetit territorial të bashkimit të tyre.
Ky fakt po shihet me kujdes edhe nga Moska, që nuk është pajtuar me tërheqjen e ndikimit të saj nga shtetet e Baltikut. Brukseli mund të mos jetë plotësisht i vetëdijshëm për konjukturën aktuale, por cilado qofshin zgjedhjet e veta, ato do të kenë pasoja shumë të mëdha, ndoshta duke e inkurajuar më tej aventurizmin ndërkombëtar.

Tani që e dimë se reagimet rreth krizës në Mesdheut Lindor janë futur në një rreth vicioz, lind sërish pyetja që ngrita në fillim:Cilat janë synimet e vërteta të Erdoganit? Për këtë çështje, ai pritet të ketë një bisedë telefonike me Merkelin. Dhe ajo telefonatë mund të përcaktojë shumëçka.



Thuhet se Erdogan, dëshiron të shpallë propozimin e tij për një “formulë” të pranuar midis shteteve të Mesdheut lindor. Të martën, ai foli për një “formulë që është e pranueshme për të gjithë, dhe që mbron të drejtat e të gjithëve”. Megjithatë, ekzistojnë 3 arsye që mund ta shndërrojnë bisedën telefonike në një dështim. Së pari, Turqia nuk e njeh Republikën e Qipros, dhe pozicioni i BE-së përballë statusit të Qipros Veriore të aneksuar nga Turqia është shumë problematik.

LEXO EDHE:  Politika parashikuese/ Kur algoritmet do të udhëheqin demokracitë tona

LEXO EDHE:  Çfarë fshihet pas vendimit të Erdoganit për Kishën e "Shën Sofisë"

Së dyti, siç e dimë që nga fillimi i konfliktit, Turqia nuk e ka nënshkruar Konventën e Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit (UNCLOS) të vitit 1982, mbi të cilën bazohet edhe marrëveshja e fundit Greqi-Egjipt. Së treti, ka dyshime nëse Gjermania është realisht e duhura për këtë mision delikat. “Unë dyshoj nëse Gjermania do të kishte një peshë të mjaftueshme diplomatike për të pasur rezultate në rajon”- tha pak ditë më parë Stefan Roll, kreu i departamentit të kërkimit mbi Lindjen e Mesme dhe Afrikën në Institutin Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë, në një intervistë për “Deutsche Welle”.

“Merrni ‘Procesin e Berlinit’, të cilin Gjermania e ndërmori për të zgjidhur konfliktin civil në Libi. Nuk ka pasur asnjë progres. Gjermania nuk ishte në gjendje të ndikonte tek palët që të arrihej në fund një marrëveshje. Pra Gjermania nuk është shumë e fuqishme. Për momentin, ajo mund të ndihmojë vetëm për një periudhë afat të shkurtër në një situatë urgjente, siç është biseda telefonike e kancelares Angela Merkel me presidentin turk Erdogan, disa javë më parë”-tha ai.

Pra, përfundimi i arsyeshëm mund të jetë që kjo lojë shumë e rrezikshme do të vazhdojë dhe për ca kohë. Për Erdoganin, ajo është e dobishme në 2 nivele. Në Turqi, ai dëshiron të duket se është udhëheqësi dhe komandanti i përgjithshëm që ka çdo gjë nën kontroll, duke mbrojtur interesat rajonale të Turqisë, për të cilat ai thotë se gjenden nën një kërcënim të madh.
Ai arriti të përçajë më tej disa segmente të bllokut opozitar, duke fituar mbështetjen e të paktën një partie të së ashtuquajturës “Aleanca Kombëtare”, me Partinë İyi (Partia e Mirë) të linjës së fortë nacionaliste, që deklaroi mbështetjen e saj të plotë për aktet e fundit të Ankarasë në Mesdheun Lindor.

Me ndarje të tilla brenda opozitës, Erdogan ka shpresa të mëdha të vazhdojë sundimin e tij, një strategji që mund të jetë e suksesshme. Në nivelin ndërkombëtar, vendimtare do të jenë marrëdhëniet Ankara-Uashington. Erdogan i ka varur shpresat tek Donald Trump, prandaj zgjedhjet e ardhshme në SHBA kanë fituar dimensione ekzistenciale për të dhe strukturën e tij administrative, aktualisht një kartel pushtetarësh i përbërë nga oficerë nacionalistë, “Ujqër të Murrmë” të së djathtës ekstremiste, dhe ekstremistë.

Erdogan shpreson që Trump të fitojë një mandat të dytë, por mund të ketë llogaritur që Trump edhe mund të humbasë. Gjithsesi për çdo rast, ajo që ai duket se synon – dhe shpreson – është zgjatja e pranisë së tij ushtarake në Mesdheun Lindor, në Egje dhe Libi, në mënyrë që të jetë në gjendje të negociojë – nga një pozitë më superiore – legjitimitetin e tij të mëtejshëm me presidentin e ri amerikan dhe NATO-n.
Duke u treguar deri tani e butë me të, BE nuk e ka sfiduar Erdoganin, dhe nëse kjo do të ndodhte tani, nuk do të kishte asnjë efekt. Erdogan do të vazhdojë të jetë padyshim maksimalist në pretendimet e tij, dhe kundërshtues i kërkesave të BE-së, pasi ai nuk ka luksin të shihet nga turqit si një lider i dobët që bën lëshime.

Ai ka nevojë të riprodhojë çdo ditë imazhin e një lideri të fortë nacionalist. Taktikat e tij djallëzore në Mesdheun Lindor, do të vazhdojnë të jenë të formës “liro-shtërngo”, për sa kohë që Erdogani mendon se duhet të jetë kështu, të paktën deri në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së më 3 nëntor 2020. Dhe ky është realiteti me të cilin po përballet BE-ja./Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Çfarë janë “superpërhapësit” dhe si mund të ndalen?

Publikuar

-

Nga

Një udhëtim për ski, një dasmë, një praktikë kori: ajo që kanë të përbashkët këto ngjarje është se ato kanë të gjitha raste të superpërhapjes së koronavirusit. Kjo ndodh kur dikush e transmeton virusin te një numër i lartë njerëzish. Ndërsa nuk ka një përcaktim të dakordësuar gjerësisht për një ngjarje superpërhapëse, nganjëherë kjo merret si një incident në të cilin dikush i kalon virusin, gjashtë ose më shumë personave të tjerë. Të kuptuarit pse ndodhin këto grupime mund të jetë thelbësore për të marrë kontrollin e pandemisë së covid-19, si dhe ndalimin e një valë të dytë të rasteve.

Për muaj të tërë, kemi dëgjuar se numri R, ose numri i riprodhimit, është ajo më i nevojshmi për të matur përhapjen e covid-19. Ky është numri mesatar i njerëzve që çdo person i infektuar u transmeton virusin. Para izolimit në Mbretërinë e Bashkuar, numri R për koronavirusin vlerësohej diku midis 2 dhe 3.

Tani vlerësohet se ekziston një ndryshueshmëri e madhe në numrin e rasteve të reja, që krijon çdo person i infektuar. Kjo mund të përshkruhet nga “numri K” i epidemisë – parametri i shpërndarjes – ku një vlerë më e ulët e K, tregon më shumë ndryshueshmëri. Duhet të dish të dyja, R dhe K, për të patur një pamje të mirë se si virusi po përhapet përmes një komuniteti.

Sipas një analize mbi mënyrën se si covid-19 ishte përhapur në vendet e tjera nga Kina, deri në fund të shkurtit, numri K ishte 0.1, një vlerë jashtëzakonisht e ulët. Studiuesit vlerësuan se 80 përqind e rasteve ishin shkaktuar nga rreth 10 përqind e personave të infektuar. Këto 10 përqind mund të shkaktojnë një vatër infeksionesh, ndërsa shumica e të tjerëve nuk do t’ia kalonin koronavirus askujt tjetër, dhe disa do t’ia transmetonin vetëm një personi tjetër.

Me fjalë të tjera, superpërhapja është integrale për pandeminë, thotë Quentin Leclerc në Shkollën e Higjienës në Londër Në një shembull të studiuar mirë, në një praktikë kori me 61 të pranishëm në mars, në Qarkun Skagit, në shtetin Uashington, një person infektoi rreth 52 të tjerët. Mjekët ndoqën kontaktet e ngushta të çdo rasti sekondar, rreth tre ose katër secili dhe mundën të gjenin vetëm 10 infeksione të mëtejshme, thotë Lea Hamner, një zyrtare e shëndetit publik në Qarkun Skagit.

Eshtë sikur diçka cilësisht e ndryshme po ndodhte atë natë. Vatrat e transmetimit janë parë në sëmundje të tjera, përfshirë HIV, TB dhe tifon, ku një superpërhapës I famshëm ishte një kuzhiniere nga Nju Jorku, në fillim të shekullit të 20-të e cila u bë e famshme si Meri Tifoja. Në këto raste, dukej se kishte diçka biologjike që e bënte personin më të predispozuar të transmetonte një infeksion, ndoshta për shkak se kishte një numër të lartë patogjenësh.

Me koronavirusin, barra e virusit mund të luajë gjithashtu një rol, por kjo nuk është hetuar dhe ne nuk kemi një mënyrë të thjeshtë për ta bërë, thotë Benjamin Couling në Universitetin e Hong Kongut në Kinë. “Nëse matim ngarkesën virale në pështymë, kjo nuk është e njëjtë me sasinë e virus që nxjerrin jashtë me frymënxjerrjen. Do të duhej të bëhej një lloj marrje e mostrave të ajrit”.

LEXO EDHE:  Klan konfirmon CNA.al/ Fevziu nuk iku

LEXO EDHE:  Politika parashikuese/ Kur algoritmet do të udhëheqin demokracitë tona

Rrethanat e ngjarjes së përhapjes gjithashtu duket të jenë të rëndësishme, dhe disa raste të zakonshme janë shfaqur. Grupi i Couling realizoi gjurmimin e kontakteve të 1037 rasteve të para të koronavirusit në Hong Kong. Ekipi gjeti një vlerë disi më të madhe të K sesa vlerësimi i mëparshëm, prej 0.45, por kjo do të thotë që vetëm 20 përqind e individëve të infektuar kanë shkaktuar 80 përqind të rasteve në vend.



Transmetimet në masë

Ngjarjet superpërhapëse kanë tendencë të ndodhin në ambiente të mbyllura, me njerëz që rrijnë afër. Aktivitetet sociale shkaktuan më shumë vatra sesa ekspozimi në vendin e punës ose në shtëpi – transmetimet masive ndodhën në dasma, tempuj, bare dhe festa karaoke, për shembull.

Rreziku duket të jetë më i lartë nëse njerëzit ngrejnë zërin në një farë mënyre, si përshembull kur këndojnë apo bërtasin. “Ka të bëjë me vëllimin e ajrit që del nga mushkëritë tuaja”, thotë Couling. Të kuptuarit e superpërhapjes po bëhet edhe më e rëndësishme tani që rastet e koronavirusit janë në rënie në shumë vende, thotë Adam Kleczkovski në Universitetin e Strathclyde, në Mbretërinë e Bashkuar. Kur numrat e rasteve rriten në mënyrë eksponenciale, superpërhapja është ndoshta më pak e rëndësishme, thotë ai, pasi shumë vatra përhapen dhe bashkohen.

Por shmangia e grupimeve është thelbësore në fillim të një epidemie para se të rriten shumë numrat e rasteve, ose kur bien numrat e rasteve dhe duhet të shmanget një valë e dytë. “Kur keni shumë pak raste, janë këto aktivitete [superpërhapëse] për të cilat duhet të bëhet kujdes,” thotë Leclerc.

Si mund të zvogëlojmë shanset për ngjarje të mëtejshme superpërhapëse? “Parimet tona drejtuese tani janë: jashtë është më e sigurt se brenda, më pak njerëz është më e sigurt se shumë njerëz,” thotë Hamner. Ajo i sheh lokalet e mbyllura si një rrezik të veçantë.

“Dihet se një i dehur flet me ze më të lartë, sa më shumë që dehet”.

Vetëdijësimi I njerëzve për aktivitetet superpërhapëse mund të forcojë nevojën për shmangien e situatave të rrezikshme. Mund të ndihmojë gjithashtu për të kuptuar si të lehtësohen masat kufizuese, thotë Leclerc, ekipi i të cilës ka krijuar tashmë një bazë të dhënash për aktivitete superpërhapëse. Vetëm tetë nga 201 vatrat që identifikoi ekipi ndodhën në shkolla, të cilat në fillimet e pandemisë shiheshin si një burim infeksionesh.

Gjithashtu, pikasja e vatrave në kohë reale është kyçe për funksionimin e gjurmimit të kontakteve, thotë ajo. / NS – Bota.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Ja kush janë 10 plazhet më të rrezikshme sot në botë

Publikuar

-

Nga

Plazhet janë zakonisht vendet, ku shumë njerëz pushojnë dhe argëtohen, kryesisht gjatë sezonit të verës. Por nëpër botë ekzistojnë disa plazhe, që janë shpesh janë shumë të rrezikshëm për jetën e njeriut.
Sigurisht, rreziku kryesor është ai i mbytjes për shkak të dallgëve të fuqishme. Por jeta mund të jetë në fije të perit edhe nga krijesat e rrezikshme të detit, sikurse janë peshkaqenët. Ja cilët janë 10 plazhet më të rrezikshëm sot në botë:

10. Praia do Norte në Nazare, Portugali

Nazare është një nga resortet më të vjetër dhe më të preferuar turistike në brigjet e Atlantikut, sidomos nga vendasit. Çdo verë, plazhet dhe peshkimi janë aktivitetet e preferuara të familjeve portugeze. Por aty formohen edhe dallgët më të larta oqeanike, të cilat nganjëherë arrijnë lartësinë mbi 30 metra. Dallgë të tilla janë potencialisht vdekjeprurëse, edhe për serfistët më me përvojë, dhe jo më për pushuesit e zakonshëm.

9. Bikini Etoll, Ishujt Marshall

Në vitet 1950, në këtë ishull u kryen një seri testimesh bërthamore nga Shtetet e Bashkuara. Mes tyre ishte edhe “Castel Bravo”. Testi më i madh bërthamor që kanë krye ndonjëherë amerikanët. Ai ishte gati 3 herë më i fuqishëm se sa prisnin shkencëtarët, 15 megaton, ose 1000 herë më i fortë se bomba që ra mbi Hiroshima.
Për këtë arsye, zona është shumë e ndotur nga mbetjet radioaktive. Mbi 18 mijë km2 në këtë ishull the rreth Oqeanit Paqësor. Prandaj Bikini Etoll, është në fakt i pabanueshëm. Sot ishulli vizitohet vetëm nga zhytës profesionistë, të cilët këshillohen paraprakisht të mos konsumojnë apo marrin me vete asgjë nga ishulli.

8. Arnhem Lend, Australi

Këtu rreziqet kryesore vijnë nga krokodilët gjigantë, dhe nga një lloj kandili deti, i cili ka një helm vdekjeprurës. Në këtë territor, gjendet një numër i madh krokodilësh të ujërave të kripur dhe të ëmbël. Edhe pse peizazhi është përrallor, pushuesit duhet të kenë shumë kujdes.
Kandili i detit i llojit Shironeks, me tentakulat e tij 2 metra të gjatë, është i pajisur me mijëra qime helmuese. Helmi është i fortë, dhe për shkak të distancës nga zonat e banuara, ka rrezik t’i marrë jetën pushuesit që bie viktimë e tij.

7. Shirnes, Britani

I ndodhur në grykëderdhjen e lumit Tamiz, Shirnes është shembulli tipik i një qyteti bregdetar, të lënë disi pas dore. Në pamje të parë, duket sikur plazhi nuk bart asnjë rrezik. Në fakt, qyteti ndodhet mbi një minë me sahat. Në gushtin e vitit 1944, pak para fundit të Luftës së Dytë Botërore, anija amerikane “SS Richard Montgomery” u mbyt rreth 1 milje larg bregut.
Ajo kishte në bord rreth 1.500 ton eksploziv, në formën e llojeve të ndryshme të predhave. Një pjesë e municioneve u gjetën, por pjesa dërrmuese mbeten nën ujë. Ndaj është shumë e rrezikshme të shëtitësh vetëm në këtë plazh. Nëse ngarkesa do të shpërthejë, kjo do të ishte një nga shpërthimet më të mëdha jo-bërthamore të të gjitha kohërave.

6. Gjiri Bajron, Australi

Australi ka numrin më të lartë në botë të sulmeve vdekjeprurëse nga peshkaqenët. Një ndër zonat më të rrezikshme është pikërisht plazhi Bajron në rajonin e Uellsit të Ri Jugor. Të paktën 2 pushues kanë gjetur vdekjen 20 vitet e fundit, si pasojë e sulmit nga peshkaqenët. Në këtë plazh ka në përgjithësi 3 herë më shumë sulme, sesa në zonat e tjera në kontinentin australian.



LEXO EDHE:  Si mund të shmanget recesioni ekonomik global

5. Akapulko, Meksikë

Dikur ishte një nga destinacionet kryesore të pushimeve për meksikanët, por jo vetëm. Dhe nuk është më i tillë, për shkak se në këtë qytet ndodhin shumë vrasje, kryesisht për shkak të luftës së egër midis karteleve rivale të drogës. Vetëm vitin e kaluar në Akapulko ndodhën 2316 vrasje, duke lënë pas në këtë aspekt vetëm kryeqytetin e Venezueles, Karakas. Departamenti Amerikan i Shtetit, e vlerëson Akapulkon po aq të rrezikshëm sa Afganistani dhe Siria.

LEXO EDHE:  Klan konfirmon CNA.al/ Fevziu nuk iku

4. Praia da Boa Viagem, Recife, Brazil

Në këtë plazh do të gjeni një peizazh mahnitës, me rërë ngjyrë ari dhe ujin si kristal. Por asnjë nga pushuesit nuk guxon të hyjë më thellë se sa deri tek gjunjët. Përgjatë plazhit janë vendosur mbi 100 tabela, që i paralajmërojnë notarët dhe serfistët të mos hyjnë në ujë. Boa Viagem, mban rekord për numrin e lartë të sulmeve fatale nga peshkaqenët. Që nga viti 1992, ka pasur mbi 60 sulme, 24 prej të cilave me vdekje.

3. Ishulli Riunion

Ky ishull tropikal i ndodhur në Oqeanin Indian, kontrollohet nga Franca. Me një sërë majash vullkanike në brendësi të ishullit, pyjet e shiut, dhe një vijë bregdetare me shkëmbinj nënujorë koralesh dhe plazhe me rërë të bardhë, ai duhej të ishte në listën e dëshirave të çdo turisti. Por edhe këtu rreziku kryesor vjen nga peshkaqenët. Që nga viti 2011, ka pasur mbi 20 sulme, nga të cilat 8 me pasojë vdekjen. Në vitin 2017, në këtë ishull ndodhën më shumë se gjysma e të gjitha sulmeve fatale në botë nga peshkaqenët.

2. Ishulli i Sentinelit Verior

Është një territoret e pakta që nuk e ka përqafuar ende modernizmin. Aty banon fisi sentinelez, ndoshta fisi më i izoluar dhe më i rrezikshëm në tokë. Mbi të dihet shumë pak, por mendohet se ka një popullatë prej 100-500 personash. Mënyra e tyre e jetës, duket se ka ndryshuar pak që nga Epoka e Gurit.
Atyre nuk u pëlqejnë aspak vizitorët e huaj. Tentativat e ndryshme për kontakte me këtë fis, janë pritur me një seri sulmesh me shigjeta ndaj turistëve. Vizitorët e fundit në këtë ishull, ishin dy peshkatarë në vitin 2006. Mendohet se ata i zuri gjumi të dehur, barka u zhvendos vetë drejt bregut, aty ku u sulmuan dhe u vranë nga vendasit.

1. Hanakapi, Hauai

Është një ndër ishujt më të bukur të Hauait, por njëherazi edhe më vdekjeprurësi. Deri tani atje kanë gjetur vdekjen mbi 80 persona, për një sërë arsyesh. Së pari aty nuk ka roje bregdetare. Por askush nuk jep ndonjë shpjegim për numrin e madh të viktimave si pasojë e mbytjes. Por mendohet se shkaku kryesor, janë rrymat e padukshme detare./Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE