LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kosovë/ Procesi i rinumërimit drejt fundit, pritet koalicioni qeverisës

24 Nëntor 2019, 08:56, Kosova & Bota CNA
Kosovë/ Procesi i rinumërimit drejt fundit, pritet koalicioni

Këtë të dielë pritet të përfundojë rinumërimi i të gjithë vendvotimeve të kontestuara, ndërsa, nga mesi i javës kryhet çertifikimi i zgjedhjeve. Edhe koalicioni mes Vetëvendosjes e LDK gjendet afër zyrtarizimit.

Në Qendrën e Numërimit të Rezultateve të zgjedhjeve akoma po vazhdon rinumërimi i vendvotimeve në të cilat u konstatuan parregullsi, ndonëse procesi duket se po i afrohet fundit. Zyrtarët thanë se rinumërimi i mbi 1400 vendvotimeve pritet të përfundojë këtë të dielë për t’i lënë më pas vend çertifikimit të rezultateve që do të mundësonte edhe “formalizimin e koalicionit qeverisës ndërmjet lëvizjes Vetëvendosja dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK)?.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, thotë se pas përfundimit të rinumërimit, KQZ-ja është e gatshme të çertifikojë menjëherë rezultatin e zgjedhjeve. “Pasi të përfundojë rinumërimi që tashmë është nga fundi, sipas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, (PZAP) më nuk ka afat të ankesave. Pra, afati i fundit është në ditën e fundit të rinumërimit të vendvotimeve dhe pas kësaj, nëse nuk ka ndonjë ankesë tjetër, ne jemi të gatshëm që t’i certifikojmë rezultatet?, thotë Valdete Daka.

Marrëveshja e koalicionit menjëherë pas çertifikimit të rezultateve

Dy subjektet politike që dolën të parat në zgjedhje Lëvizja Vetëvendosja si parti fituese dhe LDK, që e pason atë me një diferencë të vogël, që nga përfundimi i zgjedhjeve me 6 tetor po diskutojnë në kuadër të grupeve punuese për harmonizimin e programeve për krijimin e qeverisë së re. Të dy grupet thonë se tashmë mbi 80% e kanë harmonizuar programin qeverisës, ndërsa, zyrtarizimi i koalicionit dhe ndarja e posteve qeverisëse besohet se do të ndodhë pas takimit të dy liderëve të dy subjekteve politike, Albin Kurtit dhe Isa Mustafës. E ky takim u zhvillua të premten në mbrëmje, por, asnjëri nga politikanët nuk treguan detaje, nëse janë dakorduar për ndarjen e posteve qeveritare.

“Patëm takim konstruktiv me kryetarin e LDK-së, me ç’rast në të njëjtën kohë kishim edhe takimet e grupeve tona punuese që të harmonizojnë programin e ardhshëm qeverisës. Në këtë takim diskutuam për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe u morëm vesh që një orë pas çertifikimit të rezultateve shpresojmë e besojmë të ndodhë gjatë javës së ardhshme, do të takohemi dhe do ta bëjmë marrëveshjen brenda tri katër ditëve pas kësaj. Pra, jemi marrë vesh që të merremi vesh menjëherë pas çertifikimit të rezultateve, me ç’rast ftesa ime dhe përgjigja e Mustafës është dhënë?, tha lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, i cili pritet të jetë edhe kryeministër i Kosovës.

Edhe lideri i LDK-së Isa Mustafa, tha se pas çertifikimit të rezultatit, do të ulen në një takim me Kurtin dhe të merren për mundësinë e koalicionit, por në asnjë moment çështjen e koalicionit me Vetëvendosjen nuk e tha si një punë të kryer. “Ne kishim një takim me zotëri Kurtin, para çertifikimit të rezultateve. Vlerësuam procesin e harmonizimit të programeve qeverisës që është bërë këtë periudhë mes dy subjekteve politike LDK-së dhe LVV-së, dhe erdhëm në përfundim se është arritur mjaft shumë në këtë aspekt, sepse janë harmonizuar shumë çështje. Ne u morëm vesh që pasi të bëhet çertifikimi i rezultateve të ulemi bashkërisht me ekipet të merrem vesh për mundësinë e koalicionit qeverisës, themelimit të përbashkët të qeverisë mes dy subjekteve tona polike?, tha Isa Mustafa.

Pritet ulje e numrit të ministrive

Grupet punuese të Vetëvendosjes dhe LDK-së në harmonizimin e programit qeverisës janë dakorduar që ta ulin numrin e ministrive nga 21 sa ishte deri tash në 12 ministri. Në bazë të kushtetutës së Kosovës, së paku një ministri duhet t’i takojë pjesëtarëve të pakicave, në këtë rast serbëve të Kosovës. Nga serbët e Kosovës është e vetmja lista Srpska që ka fituar 10 vendet e rezervuara për serbë në parlament dhe që do ta drejtojë një ministri. Sidoqoftë, qeveria e re e Kosovës sfidën e parë do ta ketë dialogun me Serbinë i ndërprerë tash e një vit më parë. Rifillimin e dialogut po e kërkojnë SHBA-së dhe Bashkimi Evropian.

Ambasadori amerikan në Kosovë Philip Kosnet, për mediet lokale thotë se qeveria e re duhet të ketë një qasje më proaktive në raport me dialogun me Serbinë për arritjen e një marrëveshje finale. “Pauza në dialog nuk i ka ndihmuar Kosovës në aspektin ekonomik apo pozicionin e saj ndërkombëtar. Kur ajo të formohet, qeveria e re duhet t’i japë një infuzion të ri negociatave me Serbinë. Shtetet e Bashkuara gjithmonë do të qëndrojnë prapa sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës, por, siç tha edhe Përfaqësuesi Special Matt Palmer së fundmi në Prishtinë, ne nuk mund të shohim një shteg për integrimin e plotë të Kosovës në sistemin ndërkombëtar pa përfshirjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë në të? ka thënë Philip Kosnett, për gazetën online Telegrafi.

Edhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, thotë se është shumë i rëndësishëm rifillimi i dialogut me Serbinë. “Formimi i Qeverisë të ndodh së shpejti, institucionet e reja të përqëndrohen në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Për BE-në, është kruciale që Qeveria e re me shpejtësi ta fillojë punën që e pret. BE-ja do ta ndihmojë Qeverinë e Kosovës si gjithherë. Shumë i rëndësishëm është edhe rifillimi i dialogut me Beogradin?, thotë Natalya Apostolova. Dialogu Kosovë-Serbi u ndërpre një vit më parë pasi qeveria e Kosovës vendosi taksë 100% ndaj produkteve serbe si shenjë pakënaqësie ndaj fushatës agresive diplomatike të Serbisë kundër njohjeve të Kosovës./DW

Lajmet e fundit nga