Connect with Us

“Një komb në skamje, në Rinas një avion në javë, te hotel “Dajti” vetëm raki”/ Reportazhi i panjohur i gazetarit suedez

Histori

“Një komb në skamje, në Rinas një avion në javë, te hotel “Dajti” vetëm raki”/ Reportazhi i panjohur i gazetarit suedez

Publikuar

-

Memorie.al publikon një reportazh të gazetarit të njohur suedez, Sven Aurén, të botuar në gazetën “Svenska Dagbladet” të Stockholmit lidhur me katër vizitat e tij në Shqipëri, duke filluar nga viti 1938 kur ai erdhi për dasmën e Mbretit Zog dhe për të përfunduar në shtatorin e vitit 1968 ku ai vizitoi për herë të fundit Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës, pas një odiseje të gjatë disa vjeçare për të marrë vizën në ambasadën shqiptare në Paris, ku ai iu bashkangjit një grupi turistësh duke fshehur identitetin e tij. Nga aeroporti i Rinasit ku ulej vetëm një avion në javë, banaku i lokalit te Hotel “Dajti” ku shërbehej vetëm raki dhe lëng limoni, shqiptarët të veshur njëlloj që janë i vetmi vënd në botë që mbajnë mbi komedinë një libërth të kuq të Mao Ce Dunit / Shënimet dhe mbresat e gazetarit suedez…

Përktheu Adil Bicaku, Stockholm

DREJT SHQIPËRISË

Motorrët ushtojnë, rrezet e diellit vallëzojnë mbi fletët e avionit, dhe poshtë në Adriatik shkëlqejnë patat e bardha. Pas nesh është zhdukur bregdeti Italian. Por në lindje, lart mbi horizont ngrihen vargmalet blu. Kjo që kemi përpara është Shqipëria: sateliti i Kinës në Europë, republika popullore staliniste e fundit në pjesën e botës sonë. Cilën ditë jave? Qartë një të martë, sepse vetëm të martat mundesh të udhëtosh për në Shqipëri. Ende në vitin 1968, ka një shtet në Europë – sa Belgjika me sipërfaqe – që është shumë larg posedimit të një agjencie të veten fluturimi dhe që nuk disponon as edhe një avion pasagjerësh. Janë italianët, që vendosin mbi frekuencën e trafikut. Një herë në javë fluturon një firmë italiane në linjën Romë-Tiranë dhe gjithmonë me një avion gjysmë të mbushur. Çdo të martë ndodh e njëjta gjë në aeroportin e Tiranës, sapo ulet prej fluturimit, me njëherë duhet të shpejtoj për tu kthyer sërish, kështu që qëndrimi në aeroport nuk shkon as gjysmë ore. Ky avion, pra një herë në shtatë ditë drejtohet për rrugë drejt Shqipërisë sikur të ishte në shërbim transporti për furnizim me ushqim të ndonjë ekspedite të izoluar në polin e veriut, përbën të vetmen lidhje me Europën Perëndimore. Por që është edhe shumë e largët. Edhe pse distanca midis bregdetit italian dhe atij shqiptar përbën veç disa milje, ta matësh me nje matëse tjetër është pa mbarim. Qartë Shqipëria e sotme është një nga shtetet më të largëta të rruzullit.

Jam në avionin e Tiranës, kur shkruaj, si parathënie, këto shënime udhëtimi. Stjuardesat, të kënaqura se e dinë se së shpejti do të kthehen sërish në Romë, janë bujare si me buzëqeshjen ashtu dhe pijen. Ndërkaq ato nuk kanë nevojë të stërmundohen. Pasagjerët janë pak: një palë diplomatë italian, njëri nga të cilët shtrëngon një thes poste në gjoks sikurse një prind përqafon fëmijën e vet, një zotëri mjekrosh nga Sorbona, për të cilin thuhet se ka shkruar një artikull të veçantë entuziast mbi heroin kombëtar Skënderbeun dhe për këtë arsye është ftuar zyrtarisht nga shteti shqiptar si dhe disa shqiptarë që është vështirë të përcaktosh statusin e tyre. Së fundi lista e pasagjerëve përmban një udhëtim kolektiv në të cilin bëj pjesë edhe unë si turist midis tjerësh.

Po ç’ka të bëj një gazetar me një grup udhëtimi? Nuk është kollaj të hysh në kufijtë shqiptar. Ata janë më të mbyllurit në Europë, ndoshta në të gjithë botën. Ka shumë vite që shefa dashamirës të ambasadës janë përpjekur të më nxjerrin një vizë individuale. Aplikime, telefonata dhe në biseda private, pa përjashtim, të gjitha kanë rezultuar në përgjigjen e zakonshme të Shqipërisë, kur bëhet fjalë për viza për gazetarë të uritur perëndimor:- kërkesa është nën shqyrtim. Muaj dhe vite kalojnë, dhe nuk ndodh asgjë, dhe me kalimin e kohës dhe kjo mungesë reagimi merr një karakter pothuaj normal. Vetëm në Ambasadën e Parisit tashmë janë stivë kërkesat pa përgjigje të qindra gazetarëve. Por kur të kujtohen këto ngjarje, s’është zor të kuptosh që unë u habita, kur, rastësisht, pashë në një vitrinë të një agjencie të thjeshtë udhëtimesh, në Bulevardin Opera (Avenue de L’Opera), që ishte për shtetet e Lindjes. Në një qosh të fshehtë, sikur nuk ishte qëllimi që të shihej, ndodhej një afishe, që lajmëronte mbi një udhëtim për në Shqipëri. Udhëtimi ishte dy javë me autobus, vizitë në të gjithë qytetet dhe komunitet e mëdha…Një pyetje me vend, me të vërtetë veçse të regjistrohesh, por nuk bëhej fjalë për nisje para se lista e pjesëmarrësve të miratohej nga ambasada shqiptare. Që ky institucion, që tashmë ishte bërë objekt i aq përpjekjeve pa rezultat, do të pranonte emrin tim në këtë rastin e ri duket natyrisht e pamundur. Por ndoshta një pasaportë të re me të dhëna të një profesioni tjetër, se sa këtë xhyben e kuqe të theksuar “gazetar”, p.sh. “shkrimtar”, nuk do të binte aq në sy?

Kjo ndodhi. Dhe, megjithatë, ky është shpjegimi që unë jam në rrugë për në një shtet komunist, i cili aq gjatë ka refuzuar të më pranoje. Unë shkoj me etiketën si grup turistik dhe kjo tingëllon ca vulgare. Por bashkudhëtuesit e mi nuk mund të konsiderohen si turistë të rëndomtë. Njerëz, që kërkojnë atë normalen, pothuajse nuk shkojnë në Shqipëri. Përveç kësaj grupi është i jashtëzakonshëm edhe në një tjetër këndvështrim. Shqiptarët janë i vetmi popull në Europë, që kanë mbi komodinë libërthin e kuq të Maos. Do të kishte qenë më e arsyeshme që studentët revolucionar të Sorbonës të shfrytëzonin këtë shans dhe të merrnin kontakt me një komb të inspiruar nga Kina. Mjaft e çuditshme që nuk ka asnjë të ri të atij tipi në grupin tonë. Mos vallë kanë frikë se mos u shuhen iluzionet? Nuk ka as komunistë dhe as nga ata me prirje simpatizuese komuniste, që apriori kanë vendosur të gjejnë atë më të mrekullueshmen. Këta janë mësues dhe mësuese shkollash, një çift i ri jurist që është specializuar për kërkesë patentash në shtetet e Lindjes, një 78 vjeçar inxhinier më bashkëshorten, që bëjnë udhëtime të çuditshme gjatë jetës që u ka mbetur dhe një ish gjykatës nga Orleans i cili, është krejt i verbër dhe udhëhiqet nga bashkëshortja e kujdesshme e tij, e cila sheh për të dy dhe i tregon për çdo gjë. Është gjithashtu një burrë në moshën mesatare, postier me interesa të përgjithshme nga lagja e trembëdhjetë e Parisit, i cili ka një kohë të gjatë që është i inatosur sepse kurrë nuk gjente diçka për të lexuar për Shqipërinë në buletinin e mëngjesit. Ai vendosi ta marrë çështjen vetë në dorë. Kryesisht është një grup simpatik francez kur janë për së mbari. Por edhe pse ende edhe në të ardhmen dukej e pamundur që një gazetar të kryente një vizitë individuale, dhe një grup udhëtarësh, ofron shansin e vetëm të hedhësh një sy përbrenda kufijve, natyrisht mund të këmbëngulësh se gazetari dhe udhëtim kolektiv s’kanë gjë të përbashkët. Në një diktaturë komuniste të këtij modeli ekstrem duket që një rrugëtim i tillë do të thotë se autoritetet dëftejnë atë që duan të dëftejnë dhe fshehin të tjerat. Që të shfrytëzoj plotësisht të paktën atë që lejohet të shoh, ndërkaq, kam ndërmarrë një numër masash përgatitore. Ka diplomatë të shteteve të ndryshëm, që kohët e fundit kanë qenë të stacionuar në Tiranë po ashtu edhe specialistë, të cilët kanë pasur shërbime të ndryshme në Shqipëri. Falë informatorëve të këtij tipi që jam armatosur me dijeni paraprake mbi situatën aktuale. Me këtë mes ka disa mundësi të krahasohet midis të tanishmes dhe të dikurshmes.

Ky është udhëtimi im i katërt në Shqipëri. … On revienz toujours (*Edhe një udhëtim tjetër, frëngjisht)

Në moshën e rinisë u njoha me një student shqiptar në Paris dhe më pas kalova një javë në shtëpinë e tij në Tiranë. Vizita më la aq përshtypje të forta, saqë unë disa vjet më vonë shkova prapë për të shkruar një libër mbi vendin. Vizitën e tretë e bëra pak para luftës kur unë udhëtova me veturë prej Stokholmi për të marrë pjesë në dasmën piktoreske të mbretit Zog me princeshën Hungareze Apony (Apponyi). Kjo qe në prill 1938. Menjëherë pas një viti u zhduk shteti shqiptar prej valëve të luftës, u shkretua, u copëtua dhe më në fund u kthye në formën e tanishme.

Kësaj Shqipërisë së djeshme që unë i kushtova aq shumë interes, qe një komb ballkanik i panjohur dhe primitiv me një milion banorë, që gjithnjë e quan veten Shqiptar: bijtë e shqiponjave. Me mbi dy të tretat male jo pjellorë dhe gati një të tretën pjesë kultivuese në lugina dhe rripa bregdetare, që gjithashtu një vend shumë i varfër. Gjatë gjithë historisë së tij ndodhej në rrugën e konflikteve të mëdha të interesave të fuqive të mëdha. Që shqiptarët, të cilët janë pasardhësit e ilirëve, mundën të ruajnë si gjuhën e vet ashtu edhe veçoritë kombëtare-p.sh. zakonet e jetesës bile edhe fizionominë-është një mrekulli! Direkt apo indirekt ata kanë qenë gjithnjë të kolonizuar. Ata janë sunduar nga grekët, romakët dhe Bizanti. Në pesë shekuj me radhë deri më 1912 vendi ishte pronësi turke. Gjatë luftës së parë botërore shërbeu si fushë beteje e ushtrive të superfuqive. Në vitet 1920 për të parën herë fitoi, të paktën dukej, një si formë pavarësie politike. Struktura sociale ishte feudale me një numër prijësish të pasur malësore si figura dominuese. Më 1928 prijësi malësor Ahmed Zogu mundi t’i bindë prijësit tjerë të fortë të pranonin formimin e një monarkie ku ai shpallet mbret me emrin Zogu I.

Tragjedia e përhershme e vendit është se kurrë nuk ka mundur të mbijetojë pa një financier të huaj. Zogu qeveriste por Mussolini paguante, që e shndërroi mbretin e parë të vendit në vasal Italian. Më 1939 vasali nuk u tregua aq i bindur prandaj e dëbuan, dhe vendi u kthye në një koloni italiane. Por gjatë vizitë sime në vitet tridhjetë pati ende fronin të pa prekur të vendosur në një sallon në pallatin mbretëror në Tiranë, që dukej si një vilë mesatare e Djurs’holmit (Djursholm)* Lagje me vila në periferi të Stokholmit. Banon klasa e pasur. (shën. përkth.)

Kur je ulur kështu në një kolltuk të avionit në rrugë drejt një Shqipërie të re që njohuritë për te janë veç të karakterit teorik, është e natyrshme, që të kaluarat të dalin parasysh si shfaqje. A ka mbetur më diçka nga shteti magjepsës Ballkanik? Por peizazhi madhështor i vendit duhet të ketë mbetur po ashtu:

Malet aventuriere, rrugët me serpentina, ata liqenet blu të thellë në Shkodër dhe Pogradec, urat e gurit të përkulura si mace zemërake në rrëpirën e grykave, shqiponjat, që fluturojnë rreth kreshtave të maleve masive, ato luginat e gjelbëruara me fushat e tyre me lule dielli, duhan dhe misër….. Por njerëzit, atmosfera? Para lufte, udhëtarët që shkonin në Shqipëri përbënin një numër mjaft të vogël dhe në vendet e tyre ata konsideroheshin si ekstravagantë, romantikë ose aventurier. Në Shqipëri ata ishin mbretër. Ata priteshin si miq të nderuar. Të pasur dhe të varfër konkurronin për t´u hapur dyert, shkëlqenin nga kënaqësia, gatishmëria ishte totale. Bujaria qe ngritur në dogmë fetare. Nga njëherë, bile, ndodhte që edhe gjakmarrja lihej me një anë, e cila ishte e dhimbshme, dhe që e shkretonte vendin si kolere dhe çonte në zhdukje si familje ashtu edhe fise. Nëse viktima, që duhej të vritej, arrinte të hynte brenda në shtëpinë e hasmit para se ai të arrinte ta qëllonte, përfitonte nga zakoni i mikpritjes sa kohë që të qëndronte aty.

Shqiptarëve u pëlqente t´i fotografosh dhe dëshironin të jepnin dhurata. Na jepnin peshqeshe kudo që shkonim. Njerëz fukarenj – shumica ishin pothuaj aq fukarenj sa s´ta merrte mendja-silleshin me një krenari të denjë madhështore. Zhelamanët shëtisnin në rrugën e katundit si princa. Përsa i përket ngjyrave të dukej se tabloja ishte sublime. Mua më kujtohet tregu i Shkodrës një mëngjes të prillit: Malësorët me tesha të bardha leshi deleje, xhamadanë të zi pa mëngë dhe qeleshe vezake në kokë, gra me balluke të drejta katran të zeza dhe rrobe të mundimshme, që të çonte mendjen tek eskimezët e Greonlandës. Gra nga Malësia me flokët të lyer me vaj dhe me thekë në ballë dhe një brez të çuditshëm me pafte, çapraze, nizamçe serme dhe thumba kallaji ….Ky karnavali shqiptar, që s´ishte ndonjë karnaval përveç se një ditë e zakonshme shumëngjyrëshe, do të magjepste një historian të veshjeve. Kësi pamjesh sheh edhe në vende tjera në Ballkan por në asnjë vend ishin aq intensive dhe fantastike si në Shkodër. Kjo varej nga izolimi i një shteti të vogël, që Evropa e kishte harruar fare.

LEXO EDHE:  "Presidenca e Gjermanisë thikë me dy presa"/ Eksperti i integrimit: Duhet angazhim konkret nga Shqipëria

Edhe Mbreti Zog, i cili kurrë nuk deshi të quhej “Mbreti i Shqipërisë”, insistonte të quhej “Mbreti i Shqiptarëve” duke menduar për minoritetet shqiptare në Greqi dhe Jugosllavi. Unë e shoh atë, natën e dasmës në pallat në Tiranë: një Buster Keaton* Artist amerikan 1895-1966. (shën. përk.) shqiptar me një fytyrë të ngurtë pa emocione, dhe i mbuluar me dekorata sa që ylli shkëlqyes varet deri poshtë cepit të kapotës së uniformës. Pranë këtij kalorësi me pamje serioze një vajzë e gjatë, bukuroshe shtathedhur që duket jashtëzakonisht e ngazëlluar se është bërë mbretëreshë edhe pse në një Monarki operete. Mbrapa çiftit një italian i fryrë me uniformë fashiste me gjoks përpara dhe me një buzëqeshje vetëkënaqësie në fytyrën e tij të shëndoshë: dhëndëri i Mussolinit, Konti Ciano. Konti ishte kumbarë i martesës. Asnjë nuk mund t´a imagjinonte ç´farë fati i priste. Ky kumbara do të rikthehej së bashku me një ushtri pushtuese dhe do t´a detyronte çiftin mbretëror në mërgim, dhe ai vetë pas disa vitesh do të ulej në karrige në një vend ekzekutimi në Italinë e Veriut dhe të pushkatohej pas shpine si tradhtar. Atmosfera qe madhështore, edhe pse pati ndonjë kukuvajkë si p.sh. ministri francez, i cili nuk mundi t´a përmbante veten dhe u gajas me zë të lartë kur pa dhuratat e dasmës: gjashtë kuaj shale nga shteti Hungarez, një anije më motor nga Duçja (Il Duçe) dhe një Mercedez nga Hitleri. “Dhuruesit duket se kanë pasur të njëjtin mendim në kokë: Më mirë t´u japim diçka, që t´u shërbej në rast se detyrohen të lënë vendin”. Vallëzimi filloi me tonet e orkestrës së Oborrit Mbretëror dhe një orkestre arixhinjsh, të cilët i kishte sjellë nusja nga Budapesti. Përfaqësuesit diplomatik nga njëzet kombe, kërcenin vals me zonjat e aristokracisë shqiptare, ndërsa muret rrethoheshin nga prijës malësorë të veshur me kostume kombëtare të qëndisura më flori dhe me pistoleta brez. Disa nga ata kompletonin pistoletat me një stilograf floriri që në atë kohë do të thoshte se personi në fjalë dinte të shkruante. Maja e minareve ishin dekoruar me prozhektorë dhe vargje zbukurues. Balona të mëdha me portretin e çiftit mbretëror silleshin mbi çatitë e shtëpive dhe në aeroportin e Tiranës hodhën fishekëzjarre të shkëlqyer të markës më të mirë italiane.

Aeroporti i Tiranës… Ne jemi tashmë aty. Lidhni rripin e sigurisë, fikni cigaret, signores et signorinas. Kryeqyteti i Shqipërisë shtrihet brenda një kazan malesh. Avioni zhytet poshtë deri në fund dhe prek tokën. Ka qenë në mbrëmjen e dasmës së Zogut kur unë pashë këtë aeroport herën e kaluar. Atëherë ishin një mori njerëzish të gëzuar që admironin raketa e fishekzjarre në qiell. Atëherë nuk shihej ndonjë aeroport përveç se vetëm njerëz. Po tani? Unë shikoj përreth nga dera e hapur. Tani është i shkretë si një shesh i braktisur për zbritje emergjente. Asnjë aeroplan tjetër përveç tonit. Asnjë njeri përveç se një ushtar melankolik, që është mbështetur në pushkën e tij. Asnjë ndërtesë me përjashtim të një shtëpie si kioskë të kurorëzuar me një yll të kuq.

Shqipëria në shtator 1968
JETA NË TIRANË

Hoteli më i mirë i Tiranës dhe Shqipërisë quhet “Dajti” sipas emrit të njërit mal më të lartë nga ata që rrethojnë kryeqytetin. Ndërtesa nga jashtë është diçka madhështore, që ndahet prej bulevardit të gjere nga një perde pishash. Por nuk qenë shqiptarët, që e ndërtuan, por italianët. Këta të fundit bënë çuditërisht shumë, gjatë kohës së shkurtër si zotërinj të vendit. Salla e hyrjes është shumë e madhe, veshur me mermer dhe shumë formale, dhoma të këndshme, higjiena le për të dëshiruar. Ashensori – hoteli i vetëm i Shqipërisë me ashensor- është jashtë përdorimi, por pastruese me fustane të zeza, përparëse të bardha dhe flokët topuz, bajnë valixhet e mysafirëve nëpër shkallët ndërsa meshkujt e personelit bëjnë sehir. Okupacioni turk që vazhdoi 500 vjet, ka lënë gjurma ende deri më sot. Hotel “Dajti” është i rezervuar për të huaj, ndërsa banorët e vendit e kanë të ndaluar. Shqiptarët, që janë ulur në sallë ose që mbështeten në barin e trishtuar, janë policë me veshje civile dhe në fytyrat e tyre nuk mund të lexosh diçka. Atmosfera përgjithësisht është e rëndë dhe karakterizon Republikën Popullore tërësisht. Portieri përshëndet mysafirët e ri pa asnjë orvatje për një buzëqeshje, nuk dallon as shkëlqim në sytë e shërbyesit. Kamerieri i barit, një burrë në moshën mesatare duket sikur ka varrosur dikë të afërt sot paradite, dhe në raft një rradhë shishesh si urna në një kolumbarium *Raft ku ruhen urnat me hirin e të vdekurve. shën. Përkth). Ato shërbejnë vetëm si dekor. Nuk mund të porosisësh pije përkatësisht (ëisky, konjak, sherry etj.), veç se klientët detyrohen të zgjedhin raki ose lëng limoni. Dhe me një gotë raki përpara- rakia më e mirë shqiptare, që thuhet kalimthi, bërë prej manaferre –nëse shfleton në ca broshura, që shoqërojnë me çelësin e dhomës. Reklamë për hotelin? Propagandë turistike për Shqipërinë? Asgjë. Njëra flet mbi “tradhtinë e Rusisë ndaj komunizmit” dhe tjetra i bën thirrje, për vigjilencë, botës socialiste: “Kuçedra kapitaliste ngrenë kryet në Çekosllovaki”.

I kthej shpinën këtij barit të gëzuar…dhe nisem për në qytetin me emrin e bukur. Se çfarë konstaton një rrugëtar në Tiranë, i cili para lufte, kur dilte nga hoteli, ishte zhurma e rrugës. Taksitë dhe veturat private i binin burisë pa ndalur, por kishte edhe tjetër lloj zhurme trafiku: një shumicë e madhe karroca kuajsh, shkatarraqe, që i kishin pajisur me buri veturash dhe karrocierët u binin më zellshëm sikurse automobilistët, një mori gomerësh që përdoreshin për transporte dhe kontribonin në ulërimën e madhe të koncertit, qerre dhe karro, të ndryshme, katër rrotëshe, tregtarë ambulantë, që u binin zileve, muzikantë rrugësh…Përveç asaj rrugët e këqija automobilistike bënin të veten që kakofonia të arrinte maksimumin. Zhurma ndoshta bënte një përshtypje irrituese, por njëkohësisht pasqyronte një jetë të gëzuar në një kryeqytet, që ishte një katund Ballkanik shumë i madh.

Çfarë ndesh njeriu tashti, heshtjen. Është e çuditshme dhe e pa imagjinueshme. Hotel “Dajti” ndodhet në rrugën kryesore, i cili gjatë okupacionit italian u ri-pagëzua nga Bulevardi Zog në Bulevardi Mussolini dhe tani quhet Bulevardi “Stalin”. Ai është i gjerë si Chams-Elysées*Bulevard i madh në qendër të Parisit. (shën. përk). dhe mjaft i mirëmbajtur: asnjë mbeturinë, asfalti shkëlqen si një pasqyrë. Në njërën anë qëndron një monument që paraqet Stalinin, në anën e kundër duket Lenini, ndryshe bulevardi rrethohet nga shtëpi të reja dhe mjaft pompoze, të kombinuara me parqe. Atje larg një hapësirë e madhe, shesh i rrumbullakët ku heroi kombëtar i Shqipërisë Skënderbeu me përkrenaren e tij të famshme kontrollon situatën prej një kali bronzi me këmbët e para në ajër. Nuk mund ta mohosh që Tirana është zbukuruar. Por nëse në barin e Hotel “Dajti”-t sundon një atmosferë si në një dhomë varri, në Bulevardin “Stalin” mbizotëron qetësia e vërtetë e varrezave. Unë nuk e ekzagjeroj. Heshtja lidhet me situatën e trafikut ose drejt me thënë mungesen e trafikut. Bulevardi është bosh: as automobila, karroca kuajsh, qerre apo gomar dhe pothuaj se as dhe njerëz. Qe një ditë jave nga ora katër pas dite që unë e konstatova për herë të parë. Një grua shtynte një karrocë fëmije në midis të xhadesë ku disa fëmijë loznin pafkash, dhe një burrë i vetëm qëndronte pa lëvizur dhe lexonte “Zëri i Popullit” e cila është “Pravda” e Shqipërisë. Si një turist në Sahara, prita gjatë që të dukej ndonjë automobil, dhe më në fund munda të shoh një kamion dhe një “Mercedez” elegant me perde të bardha të mbyllura, pas tyre fshihej ndonjë funksionar i lartë komunist. Asnjë motoçikletë, nja dy- tri biçikleta.

Në sheshin “Skënderbej” pret një tjetër përjetim. Në shesh shërbente një polic me një shkop të bardhë gome. Ai është i vetmi polic trafiku në Shqipëri, dhe ky i shkreti s´ka asgjë për të dirigjuar. E ndjej nevojën për t´a ndihmuar ashtu sikurse Çestertoni * (Chesterton) Gilbert K. Chesterton 1874-1936 shkrimtar dhe poet britanik. (shën. përk).tregon se si një turist anglez ndihmoi një faturino hekurudhe gjermane, që dukej se ishte shumë melankolik. Duke blerë një biletë për në lagjen më të afërt dhe t´ia japë që ta presë, e bëri nëpunësin e dëshpëruar të gëzohet.

Një shpallje në hotel thotë se ka biçikleta me qira. Nëse unë do t´a kisha zbatuar lajmin e shpalljes, dhe të kisha kaluar përmes sheshit “Skënderbej” me biçikletë, edhe unë do të kisha kryer një vepër të mirë njerëzore. Është kollaj të ironizosh, por mungesa e trafikut ka vetvetiu një shpjegim të natyrshëm. Shqipëria e kuqe është një komb në skamje, që i mungon pothuaj çdo gjë dhe veçanërisht valutat e huaja. Automobila, motoçikleta dhe biçikleta nuk prodhohen në vend dhe duhet të blihen nga jashtë dhe të paguhen më para të tjera dhe jo lekë, që është monedha shqiptare. Në këtë situatë kënaqen, të blejnë makineri të domosdoshme, d.m.th. autobusë dhe kamionë (plus një pjesë vetura për zotërinjtë e vendit) dhe kufizimin e importimit të biçikletave deri në minimum. Ndërkaq, karrocat, qerret dhe gomerët, konsiderohen se bëjnë një përshtypje prapambetjeje dhe janë të ndaluara në qendër të kryeqytetit për arsye prestigji. Rezultati: bosh dhe heshtje.

Fshesa komuniste ka fshirë shumë gjëra të tjera. Janë bërë mjaft ndërtime në Tiranë gjatë këtyre 20 viteve të fundit, dhe janë ngritur zona të reja moderne banimi. Rrëmuja e rrugicave dhe shtigjeve në periferi të sheshit “Skënderbej” është pothuaj njësoj si përpara. Por çdo gjë që i jepte qytetit ato ngjyra dhe atë joshje është zhdukur: dyqanet e vegjël të panumërta dhe të zotët që rrinin përjashta tyre dhe pinin duhan me çibuk të gjatë të punuar bukur, gratë e mbuluara, që rrinin galiç prane mureve, katundarët, me veshjet e tyre të rralla, që vinin nga malet e larta, rreckamanët e shkretë, dhe bajraktarët krenar me kuajt e bukur, mizëri fëmijësh lypës, aroma e ëmbël e kafes turke, që përhapej prej qindra kafenesh të vogla….. Gjithë Tirana mbante aromë kafeje në atë kohë. Tashti qyteti nuk ka asnjë aromë. Të gjithë njerëzit duket njëlloj: burrat janë veshur me pantallona të errët dhe këmisha të bardha dhe gratë mbajnë fustane pambuku, por duhet thënë se sipas rrobave nuk të duket se ka varfëri të theksuar. Njeriu nuk ndiqet më as nga turma fëmijësh lypës. Jo pse mungojnë fëmijë. Përkundrazi. Në Shqipërinë e sotme nxitet lindshmëria në të gjitha mënyrat, dhe falë kësaj politike është shtuar popullsia nga një milion në një e gjysmë që pas lufte. Kryeqyteti ka 135 000 banorë në krahasim me 35 000 në vitin 1945. Sheh fëmijë kudo po ashtu edhe gra shtatzëna. Me shami të kuqe për qafe, dhe me flamur të kuq përpara rreshtit në formë repartesh ushtarake marshojnë të rinjtë, duke kënduar këngë antiimperialiste, dhe quhen “Pionierët e Kuq”./Memorie.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Histori

Kur Enveri i kërkonte Titos bashkimin me Jugosllavinë

Publikuar

-

Nga

Kur Enveri i kërkonte Titos bashkimin me Jugosllavinë

Një letër Enver Hoxhës, e cila i drejtohet diktatorit të Ish-Jugosllavisë, Josip Broz Tito tregon se Hoxha ka tentuar të afrohet me të për një bashkim me Jugosllavinë.

Letra e cila është botuar më pas edhe në librat me kujtime të Hoxhës, mban datën 17 mars 1948. Asokohe, Shqipëria kishte dalë nga lufta dhe në një gjendje të vështirë ekonomike, Hoxha synonte të gjente përkrahjen ngë lideri Jugsllav.

“Populli ynë është aq i lidhur shpirtërisht dhe ekonomikisht me popujt e Jugosllavisë sa asnjë popull tjetër dhe ky bashkim s’ka asgjë formale, por ndihet thellë në zemrat e popullit tonë.

Ne duhet të punojmë për Federatën Jugosllave dhe për këtë gjë në vendin tonë punohet me të gjitha forcat , por çështja është që ne duhet të marrim iniciativën e parë për të kërkuar këtë gjë.

LEXO EDHE:  “Presidenca e Gjermanisë thikë me dy presa”/ Eksperti i integrimit: Duhet angazhim konkret nga Shqipëria

LEXO EDHE:  Konferneca e kryeparlamentarëve të BE/ Ruçi: Besoj në një raport pozitiv për Shqipërinë

Ne kemi nevojë të na thuhet nga ju nëse ka ardhur momenti kur ne duhet të marrim në shqyrtim çështjen e bashkimit e të mbërrijmë në konkluzione dhe, nga ana  tjetër, do të dëshironim të na jepeshin edhe sqarime më plotësuese që ju i shihni të arsyeshme në lidhje me faktorë të tjerë të këtij problemi. Pranoni të falat e mia më të nxehta shoqërore”, i shkruante Hoxha Titos.



Megjithatë, të falat e Enverit nisën të ftoheshin gradualisht, pasi në muajin korrik të po atij viti, marrëdhëniet me Jugosllavinë u prishën, dhe Enver Hoxha largoi nga Shqipëria brenda 48 orëve të gjithë njerëzit e Titos. /CNA.al

Letra e Enver Hoxhës, drejtuar Josip Broz Titos

 

 

 

LEXO TE PLOTE

Histori

Dëshmi të rralla/ Femrat që vuajtën në burgjet e regjimit komunist dhe abuzimet që bëheshin ndaj tyre

Publikuar

-

Nga

Dëshmi të rralla/ Femrat që vuajtën në burgjet e regjimit komunist dhe abuzimet që bëheshin ndaj tyre

Faqja që i dedikohet historive të trishta të periudhës së Komunizmit, ka nxjerrë sot dëshmitë e rralla të Tanush Kasos, kryetarit të Shoqatës së Burgosurve Politikë të Shqipërisë, të publikuara në librin e tij “Kalvari i burgjeve komuniste”, ku nga rrëfenjat e bashkëvuajtëseve të tij dhe nga ato që ai vetë ka parë e dëgjuar për torturat që u bëheshin femrave të burgosura në qelitë e Hetuesisë dhe burgjet e atij regjimi nga oficerët e Sigurimit të Shtetit, të cilët abuzonin mbi gratë dhe vajzat e dënuara me dhunë fizike e përdhunime. Cilët ishin disa nga ata ushtarakë të lartë të Ministrisë së Brendëshme që abuzonin ndaj femrave të dënuara dhe disa nga vetëvrasjet që erdhën si pasojë e kësaj dhunë të egër shtazore që u krye ndaj tyre?

Kalvari i gjatë i Musine Kokalarit

Dikur thuhej se “burgu për burrat është”. Dhe me të vërtetë, që nga krijimi i shtetit shqiptar e deri sa u shfaq komunizmi, historia e vendit tonë nuk ka njohur asnjë grua të burgosur për motive politike. Fill pas vendosjes së pushtetit komunist, në burgjet shqiptare u dukën të dënuarat e para politike. Ndër ato, më e hershmja duhet të ketë qenë intelektualja e trimëresha gjirokastrite Musine Kokalari, e cila më 12 nëntor 1944, ende pa marrë fund lufta e pa u vendosur qeveria në Tiranë, u arrestua nga larot e Enver Hoxhës, vetëm për idealet kombëtare e demokratike që ajo ushqente, të cilat binin ndesh me doktrinën marksiste. U mbajt në fshehtësi dy javë, diku në zonat që i kishin nën kontroll Brigadat e Kuqe dhe mbasi i’a vranë pa gjyq të dy vëllezërit e saj, Vesimin dhe Muntazin, gjithashtu intelektualë dhe atdhetarë të shquar, e liruan, për ta burgosur përsëri në janar të vitit 1946, mbas një aktiviteti të shkurtër që ajo ndërmori kundër regjimit gjakatar të sapo instaluar në Shqipëri.

Musine Kokalari

Musineja do të kalonte krenare dhe e papërkulur për afër 40 vjet nëpër kalvarin e burgjeve dhe të internimit, duke u bërë simbol i qëndresës dhe i virtytit të femrës shqiptare. Kjo vajzë e talentuar, që ishte diplomuar në Universitetin e Romës, autore e tre librave dhe e shumë shkrimeve publicistike, të cilat synonin emancipimin e femrës dhe përparimin e kombit, që ishte një nga themelueset e Partisë Social-Demokrate Shqiptare, do t’i mbyllte sytë përgjithmonë e harruar dhe e vetmuar në vendinternimin e saj në Rrëshen të Mirditës, më 14 gusht 1983, pa mundur të shihte përmbysjen e tiranisë komuniste dhe agimin e lirisë e të demokracisë, për të cilat e shkriu jetën.

Gratë që u burgosën e internuan

Me qindra gra e vajza prej familjesh fisnike, me një edukatë e kulturë të shkëlqyer, por edhe plaka të moçme e fshatare të thjeshta, regjimi komunist i përplasi pa mëshirë nëpër burgje, ku vuanin e keqtrajtoheshin njëlloj si burrat, por edhe qëndronin njëlloj si burrat, si amazona të vërteta, prandaj i quanin edhe “burrnesha”. Faji i vetëm i tyre ishte se nuk i përkitnin komunizmit, sepse donin një Shqipëri të lirë e demokratike. I akuzuan për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit”, për “pjesëmarrje në kryengritje të armatosur”, për “strehim të arratisurish”, për “mosdenoncim”, për “mbajtje armësh pa leje”, për “sabotim ekonomik”, për “tentativë arratisjeje”, për “tradhti të lartë” etj., etj.

Disa gra e vajza të guximshme i kishin konsumuar tërësisht ose pjesërisht këto nene për të cilat akuzoheshin. Ato kishin qenë kurdoherë pranë burrave në luftën e shenjtë për liri, për rrëzimin e diktaturës komuniste. Të tjera vetëm dyshoheshin si të tilla, por ishin arrestuar e dënuar pa kurrfarë provash. Shumë prej tyre ishin viktima të hakmarrjes politike të regjimit të Hoxhës, i cili nuk kishte ç’t’u bënte burrave, vëllezërve e baballarëve të tyre që luftonin maleve për liri ose që kishin shkuar jashtë shtetit, ku përpiqeshin e punonin për çështjen kombëtare. Nga torturat dhe vuajtjet pa fund, ato gra e vajza aq të brishta e të bukura u thinjën e u plakën para kohe. Shumë nga ato nuk patën fatin të gëzoheshin me fëmijë. Ato u privuan nga e drejta natyrore për të qenë nëna.

Burgjet e diktaturës komuniste

Puna e rëndë e krahut, varfëria dhe “biografia” nuk i’u ndanë as mbas daljes nga burgu, gjer në vdekje. Kështu kaluan nëpër kalvarin e burgjeve komuniste më shumë se 7367 gra e vajza, ndër të cilat kujtojmë: Musine Kokalari, Neva Frashëri, Olimbi Gavoçi, Frida Sadedini, Lavdie Petrela, Marie Ranxi, Marta Doda, Dylbere Pazari, Hazize Ferhati, Qefsere Bega, Liri Prifti, Shega Këlcyra, Semiramis Vërlaci, Erifili Bezhani, Rita Koka, Merushe Topulli, Elza Koh, Fatime Hoxha, Luçie Kola, Elsa Çika, Asamble Hatibi, Sanie Kosova, Gabriela Radiba, Fatbardha Qorri, Ana Daja, Terezina Pali, Adile Boletini, Vera Dema, Nexhibe Taraku, Agime Pipa, Drita Kosturi, Dhora Leka, Lefteri Dvorani, Ganimet Toptani, Ganimet Cuka, Mereme Gjuta, Pranvera Keqi, Qerime Bone, Viola Beqiri, Bianka Balliçi, Sanie Kollçinaku, Xhovana Qatja, Nurie Koculi, Hanza Borshi, Mih Riko, Samo Doko, Dodona Dako, Marika Dhima, Ana Dhamo, Zhaneta Ogranaja, Simona Koldai, Dragica Mosko, Alije Sula, Fiqiret Prishtina, Gjylso Kalo, Elena Preza, Delfiniz Prenushi, Merita Sokoli, Derka Panizeniç, Mine Shima, Afërdita Hajrullai, Fatime Demçe, Nadire Shima, Hilmie Lakasi, Lumturi Bakiri, Liri Mitrovica, Lindita Beka, Marie Levendi, Suzana Topçiu, Pranvera Lamaj, Behije Kalaja etj.

Burgjet ku vuajtën gratë

Gratë e burgosura në vitet e para mbaheshin në burgjet e burrave, në qytete të ndryshme, si Korçë, Tiranë, Shkodër etj., por në dhoma të veçanta. Më 1957-n gratë u grumbulluan në Burgun e Artizanatit, në Tiranë, ku bënin punë të ndryshme si rrobaqepësi, hekurosje, kopshtari, pastrime të ndryshme etj. Burrat e këtij burgu ishin të ndarë e nuk komunikonin me to. Më 1961-shin u krijua një kamp i punës së detyruar për gratë afër qytetit të Kuçovës, ku shfrytëzoheshin në punë të rënda bujqësore. Më 1970-n u vendosën në fshatin Kosovë të Dumresë, 50 km larg Elbasanit.



Kushtet e diferencuara higjienike, që janë të nevojshme për to, nuk merreshin aspak parasysh nga komanda e burgut. Papastërtia, era e rëndë dhe parazitët e kokës e të trupit përbënin një torturë me vete për ato fatzeza. Ligji nuk përfillte as gratë shtatzëna. Ato dënoheshin e mbaheshin njëlloj si të tjerat. Për t’u përmendur është rasti i Liri Gegës, e cila, duke qenë me barrë, u arrestua dhe u pushkatua bashkë me të shoqin, Dali Ndreun, që të dy militantë të Luftës Nacionalçlirimtare. Kjo u bë e njohur botërisht nga një fjalim i Nikita Hrushovit. Por nuk është i vetmi rasti i pushkatimit të grave shtatzëna. Të tilla kanë vdekur nga keqtrajtimi në hetuesi. Nuk lejohej asnjë mjek i familjes të bënte autopsinë e tyre.

LEXO EDHE:  Analiza e gjermanëve/Shqipëria e lufta me mullinjtë e erës, pse s’hapen negociatat

LEXO EDHE:  Konferneca e kryeparlamentarëve të BE/ Ruçi: Besoj në një raport pozitiv për Shqipërinë

Liri Gega

Njihen disa raste lindjesh në burg të grave të arrestuara në gjendjen e shtatzënisë, të cilat nuk paraqisnin kurrfarë rrezikshmërie shoqërore. Në burg, por sidomos në birucat e izolimit, disa hetues të autorizuar përpiqeshin t’i nënshtronin gratë duke i përdhunuar. Në Burgun e Burrelit, siç tregonin të burgosurit e vjetër, gratë qëndronin të bashkuara si një trup i vetëm. Musineja me shoqe nuk lejonin që policët t’i shkëpusnin vajzat e reja prej tyre, gjoja për të fshirë e pastruar korridoret dhe oborrin. Ato dërgonin ndonjë plakë për të bërë pastrimin. Kështu e ruanin nderin dhe krenarinë e tyre. Por, gjatë paraburgimit, në qelitë e hetuesisë ka pasur raste kur ndonjëra është çnderuar me forcë nga ndonjë kryepolic ose hetues si: Nevzat Haznedari, Xhavit Struga, Skënder Kosova dhe ndonjë tjetër i pajisur me “carta bianca”.

Disa gra janë vetëvrarë gjatë hetuesisë dhe të tjera janë çmendur. Drejtësia komuniste nuk shqetësohej fare kur arrestonte nënat me fëmijë, duke shkatërruar kështu familjen. Ndoshta ky ishte dhe qëllimi i fshehtë i saj. Për Sigurimin e Shtetit, çdo grua e huaj e martuar me një shqiptar ishte një “agjente e huaj” që duhej survejuar gjithmonë dhe në rastin më të parë të arrestohej, të dënohej dhe të asgjësohej, ose të largohej nga Shqipëria. Është një listë e tërë e këtyre grave fatkeqe, të cilat dashuria njerëzore i solli në këtë vend “romantik” të Ballkanit dhe që pastaj kaluan nëpër kalvarin e burgjeve komuniste.

Po përmendim disa prej tyre: Xhovana Simoneti, italiane, martuar me Haki Qatën, nga Tirana. Që të dy u burgosën dy herë: Bianka Balliçi, austriake, e martuar me Nedin Balliçin, nga Elbasani. Bëri dhjetë vjet burg në gjendje çmendurie. Mbas lirimit vdiq në spitalin psikiatrik. Barbara Orgocka, polake, burgosur si edhe i shoqi, inxhinier, Vasil Orgocka, nga Korça. Vanda Tiko, polake, martuar me mjekun Lefter Tiko nga Korça, burgosur të dy. Elena Cami, ruse, martuar me ing. Minella Cami nga Korça. Burgosur të dy. Dina Thaçi, ruse, e martuar me Ahmet Thaçin nga Shijaku. Arrestuar që të dy. Barbara Haxhihasani, hungareze. I shoqi, Fatos Haxhihasani, vari veten në hetuesi. Ajo u çmend në burg. Viola Beqiri, çifute ruse, me arsim të lartë. Akuzohej për spiunazh. Sigurimi e detyroi burrin dhe fëmijët që ta braktisnin.

Si pasojë e burgosjes ose e pushkatimit të njerëzve të familjes së tyre dhe e luftës psikike që bëhej mbi to, mjaft nëna, motra, gra e vajza me ndjenja të brishta kanë humbur aftësinë mendore. Disa prej tyre kanë kaluar deri në vetëvrasje. Kështu përfundoi e shoqja e Teme Sejkos, që i vranë burrin dhe një djalë, ndërsa tjetrin ia burgosën. Bujana, vajza e urtë dhe e zgjuar e Tuk Jakovës, edhe sot endet e çmendur nëpër Tiranë. Nuk mund të mos çmendej edhe Mereme Gjuta, së cilës ia hodhën te pragu i derës fëmijët e saj të bërë shoshë nga plumbat e komunistëve teksa u orvatën të shpëtonin nga thonjtë e diktaturës dhe të dilnin në botën e lirë. Sikur të mos mjaftonte kjo, kriminelët e Sigurimit e burgosën atë nënë fatkeqe.

 “Çnderimi” një torturë më vete

Vetëm pas shembjes së diktaturës u arrit të konstatoheshin pasojat ende të freskëta të gjëmës antinjerëzore. Në vitin 1991, një komision i Helsinkit, mbasi u njoh me “dosjet e gjalla”, arriti në përfundimin se këto vende kishin qenë një ferr i vërtetë. Deri vonë ekzistonin pranë hetuesve të burgjeve e të Degëve të Brendshme dhoma të posaçme torturash. Mjaft njerëz që kanë pasur fatin e keq të hyjnë në to nuk kanë mundur t’i tregojnë askujt ato që provuan mbi trupin dhe shpirtin e tyre mbasi kanë dalë të vdekur që andej.
Por, përveç vdekjes, si të fundit të torturave, ekspertët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të asaj kohe e dinin se ndjenja e çnderimit është poshtëruese për një femër. Ajo e mposht krenarinë e saj dhe e bën të nënshtrohet. Prandaj edhe vepron pa hezitim në këtë drejtim. Nga disa të burgosur shkodranë tregohen rrëfenja të vërteta mbi përdorimin e kësaj metode torturimi që punonjësit e Sigurimit ushtronin mbi disa gra e vajza të të pushkatuarve, të arratisurve e të burgosurve. Shumë herë atyre u kishte hasur sharra në gozhdë, kishin ndeshur rezistencën e vendosur të këtyre femrave, që përpara nderit kishin pranuar vdekjen duke u hedhur nga dritaret e shtëpive ose që pas përdhunimit ishin vetëvrarë.

Vetë ish-kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, Hilmi Seiti (i cili më pas do të vdiste mizorisht nga dora e Sigurimit të Shtetit), këtë lloj torture, që i falte kënaqësi, e kishte metodë të vazhdueshme pune. Tregojnë se ai ngjitej me shkallë natën dhe futej nga dritarja në shtëpinë e ndonjë gruaje të vetmuar dhe mbasi kryente punë, nën kërcënimin e revolverit, e detyronte të nënshkruante deklaratën e bashkëpunimit me Sigurimin. Ai kishte arritur të shtinte në dorë një artiste të re e të bukur, shumë të njohur në qytetin e Shkodrës, që i përkiste një familjeje me të arratisur, të pushkatuar e të burgosur. E mbante si mantenutë dhe si agjente personale, aq sa kishte rënë shumë në sy dhe ishte bërë objekt bisedash.
Po ashtu, Llambi Peçini, kur ishte kryetar i Degës së PB në Fier, me këtë mënyrë torture kërkonte t’i nënshtronte disa femra prej familjesh “të prekura” politikisht, si dhe disa të internuara.

Rastet e ‘gjalla’

Rreth viteve ’60, në një fshat të Dibrës, punëtori i Sigurimit i vuri syrin një vajze të fshatit që ishte ndërkaq e fejuar me një fshatar. Operativi i krijoi një akuzë false të fejuarit të vajzës, të cilin shumë shpejt e arrestuan. Ndërkohë që ai vuante burgun në kampin e Rubikut, vajza ra në duar të punonjësit të shtetit. Kur i shoqi mësoi të vërtetën, për habinë e të gjithëve, e humbi kontrollin, mbuloi kokën me një batanije dhe i nxori të dy sytë. E shtruan në spital, por asgjë nuk mund t’ia kthente shikimin, e me gjithë këtë, e rikthyen në burg.
Një rast tjetër është ai i Lezhës e Mirditës. Punonjësi i Sigurimit njihej nga fshatarët e zonës me nofkën “Toger Baba”. Përdorte dhunë të tmerrshme. I fuste vajzat në një thes, lakuriq, e brenda fuste edhe një mace. E qëllonin më pas macen dhunshëm në mënyrë që t’i çirrte gratë e shkreta. Ky rast ekstrem pati ankesa nga gjithë banorët e fshati dhe qeveria, për të larë duart, e ekzekutoi dhunuesin. Tanush Kaso/Memorie.al

LEXO TE PLOTE

Histori

Dokumenti i vitit 1987/ Si Enver Hoxha persekutonte popullin, qytetet me më shumë kontigjentë

Publikuar

-

Nga

Regjimi diktatorial i Enver Hoxhës sundoi duke përdorur përgjime masive dhe duke mbajtur nën terror qytetarët, nëpërmjet të ashtuquajturve agjentë.

Sigurimi i Shtetit, ishte një ndër institucionet ndoshta më famëkeqet e regjimit komunist.

I themeluar më 10 dhjetor 1944, në një popullsi të dalë nga Lufta e Dytë Botërore me 800 mijë banorë, Sigurimi i Shtetit arriti që në rreth 48 vite të hapte 120 mijë dosje, në të cilat të kishte agjentë, bashkëpunëtorë, rezidentë, strehues dhe të gjithë rrjetin e tyre informativ brenda Shqipërisë dhe jashtë saj.

Nga aktiviteti i tij rezulton të kenë vuajtur rreth 100 mijë shqiptarë që nisin nga më e rënda pushkatimi e burgosja e deri te përndjekja.



Të ashtuquajturit “agjentë”, ishin vegla që diktatura përdorte për të mbrojtur veten dhe për të persekutuar popullin.

LEXO EDHE:  Shqipëria, nivelin më të ulët në rajon të subvencioneve për fermerët

LEXO EDHE:  Analiza e gjermanëve/Shqipëria e lufta me mullinjtë e erës, pse s'hapen negociatat

Në një dokument të siguruar nga CNA.al, i cili i përket vitit 1987, shikohet se numrin më të lartë të kontigjenteve, e mbante Tirana, si kryeqyteti i Shqipërisë.

Sipas dokumentit në fjalë, vetëm në Tiranë, regjimi komunist kishte 185 agjentë dhe 6435 kontigjentë, më pas vjen Shkodra, me 140 agjentë dhe 7495 kontigjentë, Korça me 90 agjentë dhe 3850 kontigjentë, Vlora 70 agjentë dhe 3561 kontigjentë dhe Gjirokastra me 64 agjentë dhe 3722 kontigjentë.

Kështu diktatura mbante nën kontroll, qytetete kufitare, dhe Tiranën si kryeqyteti i vendit. Mbronte veten, duke persekutuar popullin./ CNA.al

LEXO TE PLOTE
Lajme të Rekomanduara: