Connect with Us

Çfarë është “Deep State”, dhe kush e përfaqëson atë në SHBA?

Blog

Çfarë është “Deep State”, dhe kush e përfaqëson atë në SHBA?

Publikuar

-

Termi “Deep State”, është huazuar nga vende të ndryshme nga termi turk “darin devlet” që në fillim të viteve 1990, dhe shqipërimi më i saktë i tij është “shtet brenda shtetit”. Në SHBA,

ky term u popullarizua nga Majk Lofgren, kongresmeni veteran republikan, që pasi u tërhoq nga policia aktive në vitin 2011, shkroi një libër me të njëtin titull në vitin 2016, në kulmin e fushatës presidenciale.

Në intervistën e dhënë në atë kohë për portalin “Salon”, Lofgren sqaron se me këtë term abuzohet shpesh nga politika. Ai vetë me “Deep State” ka parasysh korporatat e mëdha financiare, ushtarake, dhe ato të teknologjisë së lartë, të cilat lobojnë përherë dhe diktojnë interesat e tyre në politikëbërjen amerikane.

Çfarë është “Deep State”? A është ai një komplot elitar? Apo një rrjet institucionesh specifike?

Së pari, nuk është një komplot. Është diçka që funksionon në dritën e diellit. Nuk janë një tufë komplotistësh. Janë thjesht njerëz, që kanë evoluar në një lloj pozicioni. Dhe është në interesin e tyre më të mirë të veprojnë në këtë mënyrë. Duke meqë njerëzit e zakonshëm, janë më të interesuar mbi Kim Kardashian, sesa si ndahet buxheti kombëtar, apo se çfarë po bën qeveria jonë në Mali, Sudan dhe vende të tjera të panjohura, ky është rezultati:një burokraci e shkëputur dhe vetë-shërbuese, që ka evoluar të bëjë atë që është duke bërë tani. Pra të ruajë dhe forcojë pushtetin e vet.

Kur mendoni se filloi “Deep State” në SHBA?

Ndoshta gjatë Luftën e Dytë Botërore, kur ne kishim “Projektin Manhattan”, që ishte një projekt i fshehtë i madh, që u kërkoi dhjetëra mijëra njerëzve të punonin në fshehtësi të plotë. Dhe ne në fakt ndërtuam qytete të mëdha për këta punëtorë, dhe që askush tjetër nuk e dinte se ekzistonin.

Patëm ndërkohë të ashtuquajturat operacionet sekrete “Ultra” dhe “Magic”, deshifrimin e kodeve naziste dhe japoneze, që kërkonin nga një numër të madh njerëzish të bënin punë absolutisht sekrete, të cilat ata nuk ia treguan askujt për dekada. Pra, Lufta e Dytë Botërore krijoi këtë lloj infrastrukture të “Deep State”, që u rrit dhe u konsolidua gjatë Luftës së Ftohtë.

Cilët janë institucionet dhe lojtarët kryesorë brenda “Deep State”?

Institucionet kryesore, janë pikërisht ato që njerëzit mendojnë se janë. Kompleksi ushtarako-industrial; Pentagoni dhe të gjithë kontraktorët e tyre; Departamenti i Thesarit; Departamenti i Drejtësisë; gjykata të caktuara, si ajo e Distriktit Jugor në Manhatan etj.

Dhe kemi pastaj Kongresin, që përbëhet nga njerëz të caktuar në komitetet e lidershipit, mbrojtjes dhe inteligjencës, të cilët e dinë se çfarë po ndodh. Pjesa tjetër e Kongresit, nuk e di ose nuk i intereson realisht, pasi janë shumë të zënë me zgjedhjet e radhës.

Ky është aspekti qeveritar. Po në sektorin privat?

Uoll Striti. Shumë nga zyrtarët e lartë, Dejvid Petraus, Bill Dalej, që është ish-shefi i shtabit

të presidentit Obama, apo Henk Paulson, që erdhi nga banka ‘Goldman Sachs’ për t’u bërë Sekretar i Thesarit, dhe e shpëtoi Uoll Stritin në vitin 2008. Apo njeriun që Obama e zgjodhi të ishte Sekretar i Thesarit, Tim Geitner. Të gjithë kanë atë lidhje me Uoll Stritin. Dhe gjëja e tretë është tani Silikon Vallej.

LEXO EDHE:  Kolegia e Doktorit

Pse Silikon Vallej, ka tani një rol kaq qendror?

Pasi kompanitë aty, gjenerojnë aq shumë para, sa janë rivale dhe ndonjëherë ia kalojnë Uoll Stritit. Drejtuesit e Google ose Apple, fitojnë më shumë para se sa “djemtë” që drejtojnë Uoll Stritin. Pra, ky është burimi i ri i parave për të drejtuar “Deep State”.

Silikon Vallej, fiton shumë para. Por ai ka gjithashtu qasje, në një sasi të pamatshme informacioni. Cili mendoni se është më i vlefshëm për “Deep State”, paratë apo informacionet?

Mendoj se është e vështirë të bësh dallimin. Silikon Vallej, investon një shumë të madhe parash në lobim, për të arritur atë që do për sa i përket pronësisë intelektuale etj. Njëkohësisht, njerëz brenda NSA, më kanë thënë që ata as nuk mundet të veprojnë pa bashkëpunimin e Silikon Vallej. Pasi shtyllat kryesore të komunikimit, që janë ngritur dhe vënë në funksion nga Silikon Vallej, sigurojnë pjesën më të madhe të informacionit që shfrytëzojnë NSA dhe agjencitë e tjera të inteligjencës. Këto të fundit, nuk mund ta sigurojnë vetë atë. Ato kanë nevojë për një bashkëpunim të vullnetshëm ose të detyruar të Silikon Vallej.

A ka rëndësi vija ndarëse, midis sektorit publik dhe sektorit privat, të paktën kur bëhet fjalë për “Deep State?”

Është e vështirë t’i dallosh më nga njëra-tjetra. Një përqindje e mirë e njerëzve që punojnë sot në Pentagon, janë kontraktues të sektorit privat. Pra ata janë pjesë e Pentagonit, NSA, dhe të gjitha organizatave që merren me garantimin e sigurisë.

A kanë njerëzit që punojnë në “Deep State” një ideologji apo narracion të përbashkët, që ia thonë vetes dhe njëri-tjetrit, pra diçka që e justifikon sjelljen e tyre, apo shpjegon arsyen pse ndërhyrjet e tyre në procesin demokratik janë “të domosdoshme”?

Unë mendoj se është një ideologji, që nuk guxon të flasë në emrin e vet. Ata pretendojnë se nuk është një ideologji. Thjesht ekspertiza e tyre teknokratike, u jep përfitimin e njohurive të tyre. Sidoqoftë, njohuritë e tyre bazohen gjithmonë në një këndvështrim neokonservator mbi politikën së jashtme, dhe atë të brendshme, dhe që tenton të forcojë neoliberalizmin.

A ka ndonjë skenar, në të cilin ndikimi dhe fuqia e shtetit të thellë, mund të kufizohet ose eliminohet?

“Deep State”, ka krijuar kaq shumë kontradikta në këtë vend. Kemi një pabarazi të jashtëzakonshme mes të pasurve dhe të varfërve; dhe kemi këtë luftë të përhershme, edhe pse thuhet se jemi duke u përpjekur për lirinë. Kemi një shtet të mbikëqyrjes masive, dhe flasim për lirinë. Kemi kontradikta të brendshme. Kush e di se çfarë mund të ndodhë? Ai mund të shembet si Bashkimi Sovjetik; ose mund të degradojë në fashizëm përmes një kamuflimi populist./Mikelofgren.net-Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Blog

Cila është e ardhmja e terrorizmit global?

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Nga Julio Rivera “News Max”

Presidenti Xho Bajden duket se po përjeton nga një krizë të madhe të përmuajshme, ndërkohë që ende nuk kanë kaluar as 8 muaj që nga marrja e detyrës. Shumë nga këto vështirësi janë shkaktuar nga veprimet e vetë shefit të Shtëpisë së Bardhë.

Të gjithë mund ta mbani mend se si që në ditën e tij të parë në detyrë, ai firmosi një mori urdhrash ekzekutivë, të cilat e goditën pavarësisë energjitike të vendit, integritetin e kufirit tonë jugor me Meksikën,dhe rindërtuan pa arsye marrëdhëniet e prishura midis Shteteve të Bashkuara dhe Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH).

Këtu mund të përmendim edhe dështimet në ekonomi, që lidhen me të ashtuquajturin planin “Back Better” të administratës Bajden,apo sulmet e shumta kibernetike të kryera kundër kompanive të mëdha dhe që kanë një rëndësi strategjike, përfshirë atë mbi “Colonial Pipeline”, dhe një nga furnitorët kryesore të ushqim në SHBA, JBS.

Por, të gjitha këto dyshime të turpshme, të cilat normalisht do të mjaftonin për të fundosur çdo administratë, janë vërtet asgjë në krahasim me krizën humanitare të paparë që po ndodh në Afganistan, pasojë e qasjes miop edhe dëshpëruese të presidentit aktual, për të kërkuar atë që ai e konsideroi paraprakisht një fitore në prag të 20 vjetorit të sulmeve të 11 Shtatorit, të cilat ndryshuan përgjithmonë SHBA-në dhe botën.

Ndonëse shumë nga analistët liberalë të establishmentit janë përpjekur ta shtrembërojnë realitetin, siç ndodhi për shembull me Daniel Smith, që tentoi ta kthejë këtë katastrofë të pafajshme në një skandal të Trump, shumica e amerikanëve nuk mashtrohen dhe e pranojnë se ky është një dështim i madh,dhe ku përgjegjësi ekskluzive ka administrata Bajden.

Kulmi i skandalit ditët e fundit ishte mesazhi kontradiktor në lidhje me statusin e amerikanëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre afganë.

Sidomos paaftësia e zëdhënësit të Departamentit të Mbrojtjes Xhon Kirbi për t’iu përgjigjur një pyetjeje të thjeshtë që iu bë disa javë më parë, që lidhet me numrin e amerikanëve ende të bllokuar pas linjave të armikut, krijoi një situatë që e portretizonte Amerikën si jo të gatshme për të qëndruar në krah të aleatëve të saj, apo edhe të siguronte transferimin e sigurt të qytetarëve të saj.

Këto zhvillime u kanë dhënë një mundësi armiqve të Amerikës, që të promovojnë idenë e rënies sonë si superfuqia më e madhe në botë. Për shembull, Kina, që është padyshim rivalja kryesore e Amerikës, shfrytëzoi menjëherë mundësinë që i dha ky moment i jashtëzakonshëm dobësie, për të përdorur median e saj të kontrolluar nga shteti dhe ndërmarrë një sulm të koordinuar kundër Shteteve të Bashkuara, teksa njëkohësisht po përpiqej që të frikësonte Tajvanin.

Ndërsa po bëhej më e qartë fotografia e vërtetë e asaj që po ndodhte në Afganistan, gazeta “Global Times” e kontrolluar nga Partia Komuniste Kineze, e quajti tërheqjen nga Afganistani “një goditje të rëndë për besueshmërinë e SHBA-së në botë”.

Për më tepër, javën e kaluar, Tajvani raportoi mbi një incident ku 19 avionë ushtarakë kinezë, midis tyre avionë të pajisur me bomba bërthamore, fluturuan në hapësirën e tij ajrore. Ndërsa Amerika duket më shumë e dobët në skenën botërore, sesa ka qenë në çdo moment tjetër që prej janarit të vitit 2017, këto ngjarje të fundit kanë sjellë forcimin e forcave shumë dashakeqe, për të cilat ne hymë 20 vjet më parë në luftë në përpjekje për t’i shkatërruar ato.

LEXO EDHE:  Dr. Fauci optimist për vaksinën kundër COVID/ Provat po japin rezultate pozitive

LEXO EDHE:  Kolegia e Doktorit



Pavarësisht nëse na intereson ta pranojmë apo jo, administrata Bajden është përgjegjëse për dorëzimin tek talebanët të një sasie të madhe armësh me vlerë mbi 90 miliardë dollarë. Kjo gjë ka ndodhur kur SHBA e dinte se në Afganistan kishte një prani në rritje të Al-Kaidës.

Një raporti të de-klasifikuar të Kombeve të Bashkuara, i bërë publik vetëm disa javë përpara tërheqjes kaotike të SHBA-së nga Afganistani, pretendon se atje ekzistojnë celula terroriste të Al-Kaidës, të cilat veprojnë në të paktën 15 provinca.

Bashkëpunëtorët dhe financuesit e sulmeve të11 Shtatorit, zotërojnë tani armë shumë moderne,të cilat mund t’i përdorin për të forcuar dhe mbrojtur zinxhirët e furnizimit me opioide dhe metamfetaminë, që ishin burimi i tyre kryesor i të ardhurave para rivënies nën kontroll të Afganistanit.

Kjo do të shkaktojë humbje të tjera të jetëve njerëzore në të gjithë botën .Por aspekti ndoshta më pak i përfolur i kësaj situate, është fakti se fuqia globale e terrorizmit, Irani,ka tani një aleat të fuqishëm me një ushtri të pajisur mirë me armë, falë tërheqjes kaotike të Amerikës.

Që kur Xho Bajden ka marrë detyrën e presidenti, Irani është duke shkelur kufijtë e pasurimit të uraniumit, të vendosura në vitin 2015 nga bashkësia ndërkombëtare. Një raport i pranverës së këtij viti, tregonte se centrifugat në stacionin bërthamor të Iranit në Natanz po pasuronin uranium në masën 63 për qind, që është më shumë se sa 60 për qindëshi që dihej deri në momentin kur bisedimet për të ringjallur marrëveshjen e saj bërthamore me fuqitë botërore, kishin ngecur në fillim të këtij viti.

Për më tepër, një Iran sfidues pretendoi në korrik se ka mundësi që ta pasuronte uraniumin në shkallën e ndërtimit të një arme bërthamore, ose në një nivel pastërtie prej 90 për qind.

Ky paralajmërim paraqet rrezik të menjëhershëm jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, por edhe për Izraelin dhe Evropën.

Pasi mundësia e bashkëpunimit të vazhdueshëm midis dy vendeve diktatoriale, mund të sjellë në fund një ringjallje tjetër të madhe të sulmeve terroriste në nivel global, ndoshta edhe duke përfshirë përdorimin e një arme bërthamore gjatë viteve të ardhshme.

Dhe kjo është shumë larg nga pozicioni ku ndodhej Irani pak më shumë se një dekadë më parë, Stuxnet i vitit 2010,kur një sulm kibernetik që u konsiderua si goditja e parë në luftën e vazhdueshme globale kibernetike, arriti të sabotojë programin bërthamor iranian.

Kjo situatë e vendos SHBA-në në qendër të vëmendjes të një sulmi tjetër shkatërrues, si ai apo ndoshta më të keq se sa sulmet e 11 Shtatorit 2001. Në kushtet kur kanë mbetur më shumë se 3 vite të presidencës Bajden, ne mund të supozojmë se ndoshta më e keqja duhet ende të vijë. Bazuar në krizat tashmë periodike, në të ardhmen Amerikën mund ta presë një periudhë vështirësish të jashtëzakonshme./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Zgjedhjet ruse “alla Putin”: Persekutim, represion dhe blerje votash

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Nga Max Seddon “Financial Times”

E vendosur buzë një liqeni në kufirin veriperëndimor të Rusisë me Evropën, statuja 20 metra e lartë dhe me peshë 50 ton, e përuruar nga Vladimir Putin të dielën e shkuar, përshkruan disa kalorës që mbajnë në duar shpatat, teksa përgatiten të zmbrapsin pushtuesit nga Perëndimi.

Mesazhi që jepet vështirë se mund të jetë më i qartë sesa kaq.

I rrethuar nga patriarku ortodoks, dhe një peshkop që thuhet se është këshilltari i tij shpirtëror, Putini u tregoi të pranishmëve sesi princi mesjetar Aleksandër Nevski kishte hedhur themelet për një “shtet rus të fortë dhe të centralizuar”, pasi arritur të zmbrapste kalorësit teutonë në një betejë të zhvilluar mbi akull.

“Asgjë nuk mund të prishë vazhdimësinë e shenjtë të kohërave dhe brezave!”- theksoi

Putin një javë para zgjedhjeve parlamentare. Rezultati në parim mund të ishte i pashmangshëm:partia e Putinit, Rusia e Bashkuar, pritet të ruajë shumicën e saj kushtetuese në Duma, dhomën e ulët të parlamentit prej 450 deputetësh, ndërsa vendet e tjera i takojnë një grupi partish që njihen si “opozita e kontrolluar”.

Por çmimet e larta të ushqimeve, dhe rënia e të ardhurave reale të rusëve, kanë bërë që popullariteti i partisë Rusia e Bashkuar të prekë nivelet më të ulëta historike, ndaj zgjedhjet e së dielës janë bërë një test për regjimin gjithnjë e më shumë autoritar të Rusisë, përpara se të përfundojë mandati aktual i Putinit në vitin 2024.

Reagimi i presidentit ndaj mbështetjes së vakët për Rusinë e Bashkuar, ka qenë shumë i fortë. Ai premtoi një fond shtesë prej 7 miliardë dollarësh për partinë e tij.

Ndërkaq kundërshtarët janë përballur me një persekutim të paparë, dhe me një retorikë të zjarrtë në lidhje me rrezikun e ndërhyrjes së të huajve në punët e brendshme.

Qeveria ka akuzuar kompanitë amerikane të teknologjisë për “ndërhyrje”, kur ato refuzuan të fshijnë një aplikacion të “votimit të zgjuar”, të drejtuar nga interneti nga mbështetësit e kritikut të burgosur të Putinit, Aleksei Navalni. Goditja e paparë e zërave kundër, tregon se Kremlini i cilëson kërcënimet e huaja si pengesën kryesore për mbijetesën e vazhdueshme të regjimit aktual.

“Jo të gjithë ata që janë kundër Putinit, janë njerëz të këqij. Por shërbimet e sigurisë mendojnë kështu”- më thotë një person që ka qenë dikur këshilltar i Putinit. Disa muaj para zgjedhjeve, zyrtarët e Putinit e kanë ndaluar organizatën e Navalnit, kanë penguar dhjetëra kandidatë që të garojnë në zgjedhje me akuzat për lidhje të dyshuara me Navalnin, si dhe kanë marrë në pyetje qindra mbështetës të zakonshëm, në një përpjekje të dukshme për t’i trembur ata, në mënyrë që të mos zhvillojnë më pas protesta kundër rezultatit.

Analistët thonë se synimi kryesor i presidentit, është të demonstrojë se nuk mund të ketë asnjë alternativë ndaj udhëheqje së tij. Vitin e kaluar, Putin ndryshoi kushtetutën për të zgjatur sundimin e tij potencialisht deri në vitin 2036, edhe pse ai nuk ka thënë nëse planifikon të kandidojë përsëri.

“Putini ka nevojë për një konfirmim personal të mandatit të tij dhe mungesës së alternativave ndaj tij. Zgjedhjet e të dielës janë një shans tjetër për të, që ai të bindë veten se njerëzit e mbështesin ende”-thotë Tatiana Stanovaja, themeluese e kompanisë së konsulencës politike “R.Politik”.

Pasi kandidatët e mbështetur nga Navalni fituan zgjedhjet për këshillin e një qyteti në Siberi vitin e kaluar, mbështetësit e opozitës planifikuan t’i shndërronin zgjedhjet parlamentare në objektivin e tyre kryesor.

Navalni u arrestua në janar të këtij viti, kur u kthye nga Gjermania, pasi u kurua nga një helmim nga një agjent nervor, për të cilin ai akuzon direkt Putinin.

Por që atëherë, mbështetësit e opozitës që synojnë të shkaktojnë ndryshime përmes zgjedhjeve, kanë parë shuarjen e shpresave të tyre. Disa u ndaluan të mbanin lidhje me Navalnin, kur një gjykatë vendosi në qershor që Fondacioni i tij Anti-Korrupsion, të shpallej një organizatë “ekstremiste”.



Shumë nga aleatët kryesorë të Navalnit janë larguar nga Rusia. Ivan Pavllov, një avokat që e mbrojti në gjyq organizatën e Navalnit, u akuzua për dekonspirimin e informacionit nga një gjyq i mbyllur në lidhje me akuzën për tradhti kundër ish-gazetarit Ivan Safronov.

Edhe ekipi i tij i juristëve u shpërbë në korrik, kur Rusia e mbylli faqen e tyre të internetit, me pretekstin se kishin publikuar informacione nga një organizatë çeke “e padëshirueshme”. “Në Rusi po ndodh aktualisht një spastrim.

LEXO EDHE:  Gratë dhe fëmijët e ISIS janë harruar nëpër kampe/ Bota të reagojë sa nuk është vonë

LEXO EDHE:  Çernobil: Si ndodhi katastrofa më e rëndë bërthamore pas Luftës së Dytë Botërore

Ky proces ka të bëjë me zgjedhjet, apo me transferimin e pushtetit. Ata po përpiqen të heqin qafe këdo që mund të ketë ndikim tek opinioni publik”- deklaroi Pavllov gjatë një interviste

Goditja është shtrirë edhe tek mediat e pavarura, shpesh të financuara nga grante të dhëna nga organizatat perëndimore. Dhjetëra media dhe stafi i tyre, janë etiketuar si “agjentë të huaj”.

Presioni i regjimit ka prekur edhe zgjedhjet lokale mijëra kilometra larg Moskës.

Kur aktivistja Violeta Grudina u tha miqve të saj në qytetin Murmansk, se donte të kandidonte për këshillin e qytetit, disa njerëz të panjohur shpërndanë fletushka në shkallët e pallatit të saj, duke e akuzuar atë për “çoroditje të fëmijëve”. Më pas plaçkitën dhe shkatërruan zyrën e degës lokale të fondacionit të Navalnit, të cilën Grudina e drejtonte deri pak kohë më parë.

Kur tentoi të regjistrohej si kandidate muajin e kaluar, një gjykatë e urdhëroi Grudinën të izolohej për shkak të koronavirusit, edhe pse ajo tha se ishte shëruar nga një formë e butë e Covid-19, dhe kishte rezultuar negativ në testin e bërë. Grudina nisi një grevë urie, dhe doli nga spitali disa ditë më vonë, ende në kohë për t’u regjistruar në zgjedhje.

Megjithatë ajo u hoq nga lista e kandidatëve, për shkak të lidhjeve të saj të shkuara me Navalnin. “Nëse ata do të donin të më përjashtonin, do ta bënin këtë. Por kjo që ndodhi ishte një shfaqje për njerëzit e tjerë, për t’i treguar banorëve vendas, se si është represioni politik”- thotë Grudina.

Ndërsa Putin si president, është në gjendje të qëndrojë disi mbi grindjet e zyrtarëve, zhgënjimi me standardet e dobëta të jetesës, infrastruktura e shkatërruar dhe korrupsioni i përhapur, ka bërë që rusët e zakonshëm ta drejtojnë zemërimin e tyre ndaj vasalëve të tij. Kremlini i ka detyruar zyrtarët lokalë të marrin përsipër kostot për bllokimet jopopullore dhe fushatat e vaksinimit të detyrueshëm.

“Putini është një pragmatist. Ai e di që disa njerëzve nuk u pëlqejnë mbylljet dhe mbajtja e maskave. Ndaj ai thotë gjërat që pëlqehen”- thotë njeriu që është pranë Putinit. Kandidatët kryesorë të partisë së tij janë ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes Sergei Lavrov dhe Sergei Shoigu.

“Putin po përdor Shoigu dhe Lavrov, pasi ata janë ministrat më të njohur. Ata po e mbrojnë atdheun tonë, si në arenën diplomatike ashtu në fushën e betejës nga sulmet hibride”- thotë Andrei Kolesnikov, kreu i programit të politikës së brendshme në Qendrën Karnexhi në Moskë.

Por problemi për Rusinë e Bashkuar, është nëse ndjenja patriotike mund të dalë apo jo mbi problemet e jetës së përditshme. Të ardhurat reale kanë rënë me 11 për qind që kur Rusia aneksoi Krimesë në vitin 2014, ndërsa 20 milionë njerëz – një e shtata e popullsisë – jetojnë nën kufirin e varfërisë.

Përfituesit më të mundshëm të pakënaqësisë së rusëve janë komunistët, partia e dytë më e madhe në parlament. Ata kundërshtuan rritjen e moshës së pensionit në vitin 2018, dhe ndryshimet kushtetuese të Putinit vitin e kaluar.

Disa nga aktivistët më të rinj të komunistëve po kërkojnë ta sfidojnë Kremlinin në mënyrë direkte, madje duke kopjuar retorikën e Navalnit.

Gjithsesi pakënaqësia sociale në rritje, nuk ka gjasa të përkthehet në humbje për partinë e Putinit. Anketuesi shtetëror “Vtsiom” pret një pjesëmarrje prej rreth 48 për qind, 12 për qind më pak se në vitin vitit 2011. Vëzhguesit e zgjedhjeve janë ankuar se rregullat e reja, do ta bëjnë më të vështirë gjurmimin e shkeljeve të mundshme.

Moska dhe 6 rajone të tjera kanë miratuar votimin në internet, për të cilin kritikët thonë se është në thelb e pamundur të verifikohet. Në pamundësi për të regjistruar kandidatët e tyre, ekipi i Navalnit, po e fokuson strategjinë e tij në një aplikacion të “votimit të zgjuar”, që i nxit mbështetësit të përkrahin kandidatin me shansin më të mirë për të mposhtur partinë Rusia e Bashkuar./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Pesë mite mbi luftërat e zhvilluara përmes dronëve

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Nga Lily Hamourtziadou “The Conversation”

Dronët janë shndërruar në simbolin e “luftës kundër terrorizmi” gjatë shekullit XXI-të, veçanërisht nga ushtria amerikane. Arsyetimi bazë që justifikon përdorimin e e dronëve, mbështetet në “saktësinë e tyre kirurgjikale”, e cila supozohet se shpëton shumë jetë në radhët e civilëve.

Por të dhënat na tregojnë se kjo nuk është e vërtetë. Një sulm i fundit me dron nga amerikanët në Kabul të Afganistan, vrau gabimisht punonjësin e ndihmës humanitare, 43-vjeçarin Zemari Ahmadi, bashku me 9 anëtarë të familjes së tij, mes tyre 7 fëmijë.

Teknologjia ushtarake, synon që t’i shkaktojë armiku dëme maksimale, duke minimizuar ndërkohë humbjet tona në njerëz në bazë materiale. Dronët kanë shumë avantazhe në krahasim me avionët e pilotuar, kryesisht për shkak se mbrojnë jetën e atyre që kryejnë sulmet.

Kjo ka krijuar një ndjenjë të rreme sigurie mbi natyrën e luftës, duke sugjeruar se të gjitha konfliktet mund të fitohen nga distanca, me një dëm minimal për civilët, se luftëra të tilla janë “etike” dhe e respektojnë ligjin ndërkombëtar. Por ç’montimi i këtyre miteve, mund të zvogëlojë dëmet ndaj popullsinë e paarmatosur, dhe të zerojë numrin e viktimave nga radhët e civilëve.

Miti nr.1:Bombardon në një mënyrë shumë të saktë

Pilotët e dronëve – pra njerëzit që i përdorin armët nga distancë – presin të shfaqet një objektiv dhe pastaj lëshojnë një raketë drejt tij. Procesi i identifikimit të një objektivi dhe i kryerjes së një sulmi është minimizuar, ndaj pilotët i marrin ndonjëherë vendime serioze aty për aty, pa pasur shumë konfirmime.

Në Irak janë vrarë më shumë se 13.000 civilë nga sulmet me dronë të koalicionit të drejtuar nga SHBA, qëkur ato rifilluan në vitin 2014, në kohën kur Shteti Islamik pushtoi disa zona të Irakut. Deri më 1 gusht 2019, pra për 1.773 ditë në total, nga 14.570 sulme me dron të koalicionit në Irak dhe nga 19.785 sulme në Siri, ishin vrarë deri në 13.000 civilë, nga të cilët 2.300 ishin fëmijë.

Të dhënat nga Misioni i Asistencës së OKB -së në Afganistan, tregojnë se numri i viktimave civile nga sulmet me dronët amerikanë u rrit nga 158 në gjysmën e parë të vitit 2018, në 430 në të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Miti nr.2:Lufta me dronë është etike

Në sulmet me dronë, qëllimi është të vrasësh dhe jo të kapësh armikun. Qenieve njerëzore u mohohet e drejta për t’u dorëzuar. Ata ekzekutohen sepse janë anëtarë të një grupi të përcaktuar si të këqij.

LEXO EDHE:  U shpall non- grata nga SHBA/ The Washington Times: Berisha sfidon administratën e Biden

LEXO EDHE:  “Basha duhet të zëvëndësohet”/ Analisti i njohur: Për SHBA nuk është më një aleat



Mendohet se dronët aktivizohen gjatë një situatë delikate, për të shpërblyer shpejt të drejtët, dhe për të ndëshkuar të padrejtët.  Të ekzekutuarit supozohen “fajtorë”, pa arrestim, marrje në pyetje apo ndëshkimin pasues. Vrasja e synuar normalizohet, duke çuar në rritjen e abuzimeve me të drejtat e njeriut.

Miti nr.3:Nëse lufta është e ligjshme, atëherë po e tillë është edhe arma që përdoret

Sipas ligjit ndërkombëtar dhe konventave të Gjenevës, të gjitha palët në konflikt duhet të bëjnë dallimin midis luftëtarëve dhe civilëve. Presidenti amerikan Barak Obama nënshkroi një urdhër ekzekutiv në vitin 2016, për të minimizuar viktimat civile gjatë të gjitha përdorimeve të forcës.

Sipas atij urdhri, përdorimi i dronëve duhej të respektonte ligjin, dhe të mbronte personat e cenueshëm. E megjithatë në Irak, metodat që vranë më shumë civilë, ishin pikërisht sulmet me dronë. Për të mbrojtur civilët nga dëmtimet pa dallim, siç kërkohet nga ligji humanitar ndërkombëtar, politikat ushtarake dhe civile duhet të ndalojnë bombardimet ajrore në zonat civile, përveç nëse mund të vërtetohet se civilët janë të mbrojtur.

Miti nr.4:Dronët janë një triumf i teknologjisë

Sipas një logjike, nëse do të përdoreshin vetëm dronët, luftërat mund të zhvillohen në

vende të largëta, por pa pasur nevojë të dërgohen atje dhjetëra mijëra trupa. Pavarësisht përdorimit në rritje të tyre, dronët nuk u kanë dhënë mundësi ushtrive që të shmangin tërësisht metodat e zakonshme të zhvillimi të luftërave.

Iraku dhe Afganistani nisën si luftëra të teknologjisë së lartë, por evoluan me shpejtësi në kryengritje me një përhapje të gjerë. Në kundërpërgjigje, SHBA dhe aleatët e saj dërguan qindra mijëra trupa në terren, duke shkaktuar shumë viktima, si për vendet e pushtuara  ashtu edhe ato të Perëndimit.

Miti nr.5:Dronët janë efektivë

Ndërsa asnjë sulm në shkallë të gjerë nuk ka ndodhur në territorin e SHBA-së që nga 11 shtatori, qindra mijëra civilë irakianë janë vrarë që nga pushtimi i vitit 2003, si rezultat i sulmeve me dronë dhe i veprimeve të tjera ushtarake. Bombardimet ajrore nuk kanë krijuar shtete paqësore, as nuk e kanë mposhtur ISIS-in, dhe as nuk i kanë parandaluar vdekjet e dhunshme të të pafajshmëve, nuk ka reduktuar konfliktet sektare, dhe as nuk kanë lehtësuar vuajtjet.

Përkundrazi këto luftëra kanë çuar në anarki endemike, eksod masiv të civilëve, vdekje, varfëri dhe breza që jetojnë me traumat e luftës. Ato kanë kontribuar në rritjen e teokracisë dhe xhihadizmit, teksa miliona njerëz janë radikalizuar, zhgënjyer dhe dëshpëruar./CNA.al

LEXO TE PLOTE