LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Sekti i Xhonstaunit/ Si ndodhi masakra që i mori jetën 918 amerikanëve

19 Nëntor 2019, 07:36, Blog CNA
Sekti i Xhonstaunit/ Si ndodhi masakra që i mori jetën 918

Më 18 nëntor 1978, udhëheqësi i Tempullit të Popullit, Xhim Xhons i urdhëroi të gjithë anëtarët e sektit që jetonte në Xhonstaun, kompleksin e ndërtuar në Guajana, të kryenin një akt të ?vetëvrasjes revolucionare?, duke pirë nga një gotë me lëng të helmuar. 918 njerëz vdiqën atë ditë, ku gati një e treta e tyre ishin fëmijë.

Masakra e Xhonstaunit, ishte katastrofa më e rëndë jo-natyrore në historinë e SHBA-së deri në sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001. E themeluar në vitin 1956 nga Xhim Xhonsi, Tempulli i Popullit ishte një kishë e fokusuar në ndihmën ndaj njerëzve në nevojë.

Xhons e themeloi fillimisht kishën në Indianapolis të Indianas, por e transferoi në vitin 1966 në Redud Vallej të Kalifornisë. Xhons kishte vizionin e një shoqërie utopike komuniste, kur të gjithë jetonin bashkë në harmoni, dhe punonin për të mirën e përbashkët. Ai nisi ta vërë në zbatim në Kaliforni, por ëndërronte të ngrinte një kompleks jashtë territorit të Shteteve të Bashkuara.

Ky kompleks, do të ishte tërësisht nën kontrollin e tij, dhe anëtarët e Tempullit të Popullit do ishin larg nga çdo ndikim i qeverisë amerikane. Xhons gjeti një vend të përshtatshëm në Guajana, një vend në Amerikën e Jugut. Në vitin 1973, ai mori me qira një sipërfaqe toke nga qeveria e këtij vendi.

Pjesëtarët e rritur të sektit, u detyruan të punojnë shumë për të shpyllëzuar vendin nga xhungla. Ndërtimi i qytezës, eci me hapa të ngadaltë. Në fillim të vitit 1977, aty jetonin vetëm 50 njerëz. Por disa javë më vonë, Xhim Xhons dhe qindra anëtarë të Tempullit të Popullit, fluturuan me avion në Guajana, dhe u vendosën në kompleksin Xhonstaun.

Qyteza mendohej të ishte një vend utopik. Por kur mbërritën atje, anëtarët e sektit, panë se gjërat nuk ishin ashtu si mendonin. Meqë nuk ishin ndërtuar ende kabina të mjaftueshme për të gjithë, çdonjëra prej tyre u mbipopullua. Vapa dhe lagështia e madhe, shkaktoi sëmurjen e shumë anëtarëve.

Atyre u kërkohej të punonin gjatë në pikun e të nxehtit, shpesh deri në 11 orë në ditë. Gjatë gjithë perimetrit të kompleksit, anëtarët dëgjonin zërin e Xhonsit që transmetohej përmes një altoparlanti. Ai fliste shumë gjatë, shpesh edhe gjatë natës. Të rraskapitur nga puna e një dite të gjatë, anëtarët e sektit e kishin thuajse të pamundur të flinin në ato kushte.

Disa prej tyre deshën të largohen. Por kompleksi ishte i rrethuar për qindra kilometra nga xhungla, dhe i ruajtur nga roje të armatosura. Anëtarët mund të largoheshin vetëm me lejen e Xhons, dhe ky nuk donte largimin e askujt, pasi kjo do të shkaktonte një efekt zinxhir. Kongresmeni amerikan Leo Rajan, mori raporte për shumta mbi gjëra shumë të rënda që ndodhnin në Xhonstaun. Ndaj ai vendosi të shkojë vetë aty, për të zbuluar vetë se çfarë po ndodhte. Ai mori me vete këshilltarin e tij, një ekip xhirimi nga televizioni amerikan NBC, dhe një grup të afërmish të shqetësuar të anëtarëve të sektit.

Në fillim, gjithçka u duk në rregull. Por atë mbrëmje, gjatë një banketi të shtruar për nder të miqve, dikush i dorëzoi fshehurazi njërit prej gazetarëve një shënim, me emrat e disa personave që dëshironin të largoheshin nga kompleksi. Më pas, u bë e qartë se disa njerëz po mbaheshin atje kundër vullnetit të tyre.

Të nesërmen, më 18 nëntor 1978, Rajan u tha se ishte gati të merrte me vete cilindo që dëshironte të kthehej në SHBA. Të shqetësuar nga reagimi i Xhons, vetëm disa njerëz e pranuan ofertën e kongresmenit. Kur Rajan po largohej, ai u sulmua me thikë nga një anëtar i sektit. Incidenti i bëri të qartë Rajanit, se dhe të tjerët ishin në rrezik. Ai hipi në kamion me të tjerët, dhe u largua nga kompleksi.

Ata mbërritën shpejt në aeroport, por avionët nuk ishin ende gati për t?u nisur. Teksa po prisnin, një kamion me një trajler mbërriti aty pranë. Prej tij dolën disa anëtarët të Tempullit të Popullit, që nisën të qëllojnë me armë mbi grupin ku ndodhej Rajan. Pesë persona u vranë, përfshirë vetë kongresmenin. Shumë të tjerë u plagosën rëndë.

Ndërkohë në Xhonstaun, Xhons i urdhëroi që të gjithë të mblidhen në sallën kryesore. Ai foli para të gjithëve, ishte në panik dhe i acaruar. Ai ishte i mërzitur që disa prej anëtarëve të tij ishin larguar. Xhons tha se sulmi ndaj Rajan ishte i nevojshëm. Por pas këtij sulmi sekti nuk ishte i sigurtë. Xhons e dinte shumë mirë se qeveria amerikane do të reagonte ashpër.

Sipas tij rrugëdalja e vetme, ishte ?akti revolucionar? i vetëvrasjes. Një grua e kundërshtoi, por pasi Xhons theksoi se nuk kishte shpresë në ndonjë opsion tjetër, turma foli kundër saj.

Xhons u tha të gjithëve që të nxitojnë. Secilit prej anëtarëve, iu dha një gotë me lëng frutash, të përzier me cianid dhe valium.

Foshnjat dhe fëmijët, u helmuan të parët. Më pas ishte radha e nënave, dhe më vonë të tjerëve. Ata që refuzonin, detyroheshin ta pinin helmin nga rojet me armë. U deshën gati 5 minuta që secili të vdiste. Atë ditë, më 18 nëntor 1978, 912 njerëz vdiqën nga pirja e helmit, 276 prej të cilëve ishin fëmijë.

Xhons vdiq nga plaga e një arme zjarri në kokën e tij. Por nuk dihet nëse u vra, apo kreu vetëvrasje. Vetëm pak anëtarë të sektit mbijetuan, ose duke u arratisur në xhungël, ose duke u fshehur diku në kompleks./ Thought.co-Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga