LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Dua të kthehem në burg (?!)

19 Nëntor 2019, 12:00, Satire Politike CNA
Dua të kthehem në burg (?!)

Nga Mitro Çela

* Xhuma Shëpi. Nga Bilishti. Ditëlindja 1958.

Ka marrë penën. Letër për ?Fiks Fare?. Më befasoi stili. Në mjerim fukaraja u bëka i penës. Po i bëj letrës krasitje.
Nisa punë në vitin 1977. Në gjeologji. Pastaj në minierën e Rehovës. Së fundi kaldaist në ndërmarrjen e përpunimdrurit, Bilisht.

Në vitin 1991 ulërita me miletin ?Liri, demokraci!? Përfitimi? Në vitin 1992 mbeta pa punë, pa katandi. Fukara për vete. Mjerim për shtëpinë. Mora malet. Lashë gruan si kallogre. Përfundova në Greqi. Ishim dy, tre shqiptarë. Punonim bashkë. Na mbyti zilia. Në fillim sharje. Pastaj grushte. Në fund krisi pushka.

U plagosëm. U dënuam. Unë tre vjet. Ai katër. Në vitin 1996 dola nga burgu.
Me njollë në biografi greku nuk më dha punë. U ktheva në Bilisht. Gruan ma kishin marrë. Ndoshta me dëshirë. I bënë konak. I dhanë bukë. Hapi shalët. E fala gruan. Por jarani më binte në qafë. U ankova në polici. Më merrnin për të marrë…

Në mars 1997 ra qeveria Meksi. U sul mileti në repartin ushtarak. Merr të marrim armë. Mora një kallash. Një natë jarani me shokë erdhi në avlli. Hapën zjarr. Plumbat kërcenin nëpër shtëpi. E zbraza edhe unë kallashin. E vrava jaranin. Jo si kriminel. Për vetëmbrojtje.
Pas një viti u bë gjyq. Më thane të paguaj 15 milionë lekë për të bërë 4, 5 vite burg. Drejtësi e bukur, por pak e shtrenjtë…

Më dënuan 15 vjet. Në dhjetor të vitit 2013 dola nga burgu. Kallkan nga dimri. Akull nga varfëria. Më morën vëllezërit dhe të afërmit.. Nuk shtyhej. Mes të varfërve, i mjeri rëndon më shumë. U largova. Gjeta me qera një kolibe. Mbeta rrugëve. Nuk gjej as punë të zezë e as punë të bardhë. Ndihma ekonomike: 25 mijë lekë. I hanë dritat, uji, qeraja.

Me barkun bosh sikteriset gjumi… Ndjell kujtime. Më del burgu. Pa liri, por me barkun plot dhe gjumë… Vras mendjen, si të kthehem në burg? Nuk dua të vras. Nuk jam kriminel. Nuk dua të vjedh. Nuk jam hajdut. O njerëz të mirë! Mendoni për mua. Gjeni një rrugë paqësor! Burgu me pranga është parajsë në krahasim me burgun jashtë qelisë, rrugëve të Bilishtit?

Lajmet e fundit nga