Connect with Us

Kush ishte Salvatore Rina, kryebosi i frikshëm i mafias siçiliane “Cosa Nostra”

Blog

Kush ishte Salvatore Rina, kryebosi i frikshëm i mafias siçiliane “Cosa Nostra”

Publikuar

-

Mafia italiane “Cosa Nostra”, është e më famshmja sot në botë, për shkak të ndikimit të gjerë dhe egërsisë që e karakterizonte. Sot ajo nuk është aq e dhunshme sa deri 3 dekada me parë, kur e mbërriti kulmin në kohën e Salvatore “Toto” Rinës.

Mafiozët e tjerët e thërrisnin me nofkën “Belva” (Bisha), për shkak të natyrës së tij të dhunshme, ose “Shkurtabiqi”, për shkak se ishte shtatvogël. Gjatë gjithë karrierës së tij të gjatë kriminale, Rina besohet se ka vrarë personalisht rreth 40 persona, ndërsa urdhëroi vrasjen e qindra të tjerëve.

Salvatore Rina lindi më 16 nëntor 1930 në qytezën malore të Korleones. Ai iu bashkua mafias së zonës që në moshën 19-vjeçare, kur kreu një vrasje në emër të saj. Një vit më pas, kreu një vrasje tjetër gjatë një debati banal, për të cilën u burgos për 6 vite.

Deri në vitin 1958, bosi i mafias në Korleone ishte mjeku Mikele Navarra. Ai u vra me urdhër të Luçiano Lexhos, një mafioz i pamëshirshëm, që më pas u bë vetë bosi. Bashkë me Toto Rinën dhe Bernardo Provencanon, Lexho nisi të forcojë shumë klanin e korleonezëve.

Për shkak se ishte një qytezë e vogël, korleonezët nuk kishin shumë peshë në mafian siçiliane të viteve 1950, krahasuar me familjet kryesore në kryeqendrën e rajonit, Palermo. Bosët e Palermos, i cilësonin shpesh me përbuzje korleonezët si “viddani” (fshatarë).

Në fillim të viteve 1960, Lexhos, Rina dhe Provencano, qëndronin të fshehur pasi kishin vrarë dhjetëra mbështetës të mbijetuar të Navarras, dhe për shkak të urdhër-arresteve nga policia. Rina dhe Lexho u arrestuan dhe u gjykuan në vitin 1969. Por në fund u liruan për shkak të shantazheve ndaj jurisë dhe dëshmitarëve.

Pas lirimit Rina u fsheh, dhe do të qëndronte në arrati për 24 vitet e ardhshme. Luçiano Lexho u arrestua dhe u dënua në vitin 1974 për vrasjen e Mikele Navarrës. Edhe pse ruajti njëfarë ndikimi nga qelia, Rina ishte tashmë bosi fuqiplotë i Korleonezëve. Ai mbante marrëdhënie të ngushta me Ndrangetën, mafias e frikshme kalabreze.

Gjatë viteve 1970, Siçilia u shndërrua në një pikë të rëndësishme në trafikun ndërkombëtar të heroinës. Rina dëshironte ta vendoste këtë trafik nën kontrollin e tij. Ndaj nisi një luftë të përgjakshme kundër familjeve të tjera mafioze siçiliane.

Në fund të viteve 1970, ai urdhëroi vrasjen e një numri të lartë zyrtarësh publikë, si gjyqtarë, prokurorë dhe oficerë policie. Rivalët kryesorë të korleonezëeve ishin mafiozët Stefano Bontade, Salvatore Inserilo dhe Gaetano Badalamenti. Ata u vranë gjtë viteve 1981- 983, bashkë me shumë bashkëpunëtorë të tyre.

Lufta brenda mafias siçiliane, llogaritet të ketë shkaktuar në atë periudhë mbi 1 mijë të vrarë. Pas vitit 1983, korleonezët u bënë zotër të vetëm të mafias në ishull. Por gjërat për Rinën dhe njerëzit e tij, nisën të shkonin keq kur Tomazo Busheta u bë mafiozi i parë siçilian, që bashkëpunoi me drejtësinë.

Gjatë luftës brenda mafias, Busheta kishte humbur të gjithë familjen, disa të afërm dhe shumë miq. Shndërrimi në një ‘pentito’ (të penduar), ishte mënyra e vetme për të shpëtuar veten, dhe për të marrë hak ndaj Toto Rinës. Bushetta i dha gjykatësit të njohur Xhovani Falkone, informacione me shumë rëndësi mbi strukturën dhe mënyrën e funksionimit të ‘Cosa Nostra”.

LEXO EDHE:  Rrëfimi i artistit tropojan: Mos i bini në qafë Grida Dumës, GD i Salianjit jam unë

Ai dëshmoi në Gjyqin e Madh të mesit të viteve 1980, ku u dënuan mbi 500 pjesëtarë të mafias. Rina u dënua në mungesë me burgim të përjetshëm për dhjetëra vrasje. Në vitin 1989 Rina udhëroi vrasjen e një numri bashkëpunëtorësh si Vincenzo Pucio. Ky kishte planifikuar  me sa duket rrëzimin e Rinës nga drejtimi i mafias, por Toto e kishte zbuluar me herët komplotin.

Gjatë arratisë, Rina mbajti marrëdhënie të ngushta me zyrtarë të lartë vendorë dhe qëndrorë si kryebashkiakun e Palermos, Vito Çiançimino dhe senatorin Salvatore Lima. Çiançimino, po nga Korleone, e lejoi mafian në këmbim të rryshfeteve të pastronte paratë e saj në sektorin e ndërtimit.

Lima kishte miqësi me disa herë krieministrin e vendit Xhulio Andreoti, një nga figurat më me ndikim në politikën kombëtare, në gjysmën e dytë të shekullit XX. Në vitin 2004, Gjykata e Lartë në Itali, deklaroi se Andreotti kishte pasur “lidhje miqësore madje të drejtpërdrejta” me Stefano Bontaden dhe Gaetano Badalamentin, bosët e të ashtuquajturit “krah të moderuar” të “Cosa Nostra”.

Këto lidhje, shkaktuan dyshime se Rina kishte psur një raport të ngjashëm me Andreotin më vonë. Por gjykatat e liruan Androtin nga kjo akuzë, duke e hedhur poshtë si të pabazuar në fakte dëshminë e mafiozit Baldasare Di Maxho, sipas të cilit Rina ishte takuar me ish-kryeministrin Andreoti në praninën e Limës.

Më majin dhe korrikun 1992, Rina urdhëroi ekzekutimin e gjykatësve anti-mafia Xhovani Falkone dhe Paolo Borselino. Këto vrasje, e indinjuan tej mase mbarë opinionin publik në Itali, dhe e detyruan edhe politikën deri diku të kompromentuar që të reagonte.

Kështu Gjykata e Lartë, la në fuqi në janarin e vitit 1992, dënimin e Rinës. I tërbuar nga inati, ai urdhëroi vrasjen e ish-mikut të tij, senatorit Lima në 12 mars të po atij viti. Mediat në Itali folën për negociata të fshehta mes autoriteteve në Romë dhe krahut të djathtë të Rinës, Bernardo Provencano, për dorëzimin e shefit të mafias, që e kishte kaluar cakun.

Zyrtarisht, dihet që Rina u tradhëtua nga Di Maxho, i cili tregoi vendndodhjen sekrete “bosit të bosëve”. Rina u arrestua më 15 lanar 1993 në Palermo. Në kunërpërgjigje, njerëzit e tij ndërmorrën një seri aktesh terroriste në vende publike, duke vrarë 10 qytetarë të pafajshëm dhe plagosur 33 të tjerë.

Shitjen e Rinës nga Provencano, e konfirmoi në vitin 1996 Xhovani Bruska, një nga killerat kryesorë të bosit famëkeq, që pasi u arrestua pranoi të bashkëpunojë më drejtësinë. Të njëjtin variant mbështeti në vitin 2009 edhe Masimo Çiançimino, djali i Vito Çiançiminos. Toto Rina vdiq në burg në 17 nëntor 2017, pas një sëmundje të rëndë./Mafia.wikia.org-Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

A na nxisin kartat e kreditit të shpenzojmë më shumë, se sa kur blejmë me para kesh?

Publikuar

-

Nga

Paraja është një koncept abstrakt. Dhe sot ne e marrim atë si të mirëqenë, duke harruar shpesh sesi një copë letër apo një copë metali, janë në vetvete sende me vlerë. Por paraja është një shpikje relativisht e kohëve të fundit, dhe që ka sjellë një ndryshim thelbësor në shoqërinë njerëzore, thotë Natasha Vinej, historiane e parave dhe financave në Shkollën Ekonomike të Londrës.

Përdorimi i parë i regjistruar i parave, ishte në Irakun dhe Sirinë e Lashtë, në civilizimin e Babilonisë, rreth vitit 3000 Para Krishttit. Në kohën e Babilonisë, njerëzit përdorën copa argjendi, të cilat llogariteshin sipas një peshe të standardizuar të njohur si sikël.
“Në çdo kohë, që paratë të kenë vlerë, duhet besim”- thotë Vinej. Por rruga e parasë ka pasur shumë zhvillime. Rreth vitit 1000 Para Krishtit, edhe civilizimet e tjera po përdornin metalin të çmuar, dhe në Greqinë e Lashtë, dhe Mbretërinë e Lidisë, u prodhuan monedhat e para.

Ndërkohë kartëmonedhat e para në letër u përdorën në Kinën Perandorake gjatë dinastisë Tang (618-907 Pas Krishtit), ndërsa në Evropë ajo nuk do të shfaqej para shekullit XVII. Sot, paratë nuk janë të lidhura me objektet fizike që janë në vetvete mallra me vlerë, siç janë monedhat e arit ose argjendit, por ne i përdorim në formën e kartave të kreditit.
Koncepti i kredisë (dhe borxhit), ekzistonte shumë kohë përpara se të shpikeshin kartat e kreditit. Karta e kreditit u shpikën nga Xhon Bigins nga Banka Kombëtare në Bruklin, Nju York, në vitin 1946.

Në Mbretërinë e Bashkuar, banka Barclays lëshoi kartën e parë të kredisë më 29 qershor 1966.
Nga vitit 2015, pagesave elektronike janë bërë shumë të përhapura. Vendet me nivelet më të larta të shpenzimeve online përfshijnë Kanadanë, ku pasja e më shumë se 2 kartave të kreditit për person është një normë. Në Evropë, Suedia është shoqëria më pa para kesh në botë, me vetëm 13 për qind të suedezëve që raportojnë se kanë përdorur para kesh për blerjen e tyre të fundit, sipas një studimi mbarëkombëtar të kryer vitin e kaluar, nga rreth 40 për qind që ishte kjo normë në vitin 2010.
Sa për krahasim, rreth 70 për qind e amerikanëve përdorin ende paratë kesh çdo javë, sipas një studimi të fundit të Qendrës Kërkimore Pju. Por a shpenzojnë më shumë njerëzit që përdorin zakonisht vetëm karta krediti? Është treguar se në aspektin psikologjik, njerëzit ndiejnë më shumë dhimbje kur humbasin 100 paund, sesa ndiejnë gëzim kur fitojnë 100 paund.

LEXO EDHE:  Ja pse përgjumemi, kur konsumojmë një vakt të rëndë ushqimor

LEXO EDHE:  Pse Trump nuk do ndryshojë dot politikën e jashtme të SHBA-së

Me fjalë të tjera, dhimbja e humbjes është më e madhe, edhe pse të dyja shumat janë saktësisht të njëjta. Kjo lloj qasje psikologjike, ka nxitur një ndryshim të madh në fushën e ekonomisë. Kjo çoi në disiplinimin e ekonomisë së sjelljes dhe degëve të tilla, si psikologjia e konsumatorit. Një nga studiuesit e shkëlqyer në këtë disiplinë relativisht të re është Drazen Prelec.
Profesori i Universitetit të Masaçusetsit në SHBA, kreu dikur një studim që përfshinte një ankand të veçantë. Ankandi u mbajt me studentët e shkollën prestigjioze të biznesit Sloan, për biletat e ndeshjeve të basketbollit amerikan NBA. Studiuesit i thanë gjysmës së ofertuesve, se mund të paguanin vetëm me para kesh, ndërsa gjysmës tjetër iu tha që mund të paguanin vetëm me një kartë krediti.
Rezultatet i habitën studiuesit. Mesatarisht, u zbulua se blerësit me karta të kreditit, po bënin 2 herë më shumë oferta, sesa blerësit që kishin para kesh me vete. Ajo çfarë do të thotë kjo, sipas Prelec, është se kostoja psikologjike e shpenzimit të një dollari në një kartë krediti është vetëm 50 cent.

Shpenzimi i një karte krediti, ka qartazi efekte tek mënyrën se si njerëzit shpenzojnë, dhe kjo vërtetohet nga studime të shumta. Gjithsesi, është treguar gjithashtu se kur mbërrijnë faturat e kartave të kreditit, ato shkaktojnë dhimbje të mëdha për zotëruesin e kartës.
Në fakt, ekonomistët e sjelljes së konsumatorit besojnë se kjo shpjegon popullaritetin e vazhdueshëm të kartave të debitit. Pra me kartat e kreditit, vonohet dhimbja e pagesës (derisa të mbërijë ajo faturë mujore). Aftësia e madhe e kartave të kreditit, është se ato ushtrojnë fuqinë psikologjike, për të ndarë kënaqësinë e blerjes nga dhimbja e pagimit./Burimi: BBC-Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Çfarë fshihet pas krizës së demokracisë?

Publikuar

-

Nga

Nga Harold James “Project Syndicate”

Askush nuk po e mohon, se demokracia është kudo e rrezikuar. Shumë njerëz dyshojnë nëse demokracia po punon për ta, apo nëse po funksionon si duhet. Zgjedhjet nuk duket se ofrojnë rezultate të prekshme, përveçse thellojnë përçarjet politike dhe shoqërore ekzistuese.
Kriza e demokracisë, është kryesisht një krizë përfaqësimi, ose për të qenë më të saktë një mungesë përfaqësimi. Për shembull, zgjedhjet e fundit në Spanjë dhe Izrael, ishin shumë zhgënjyese. Dhe Shtetet e Bashkuara, bastioni më i vjetër i demokracisë në botë, gjendet në mesin e një krize kushtetuese mbi një president që u zgjodh nga një pakicë votuesish, dhe që prej asaj kohe është tallur hapur me normat demokratike, dhe ato të sundimit të ligjit.
Ndërkohë në Britani, ku më 12 dhjetor do të mbahen zgjedhjet parlamentare, dy partitë kryesore dhe liderët e tyre përkatës, janë bërë gjithnjë e më antipatikë. Por edhe alternativa e vetme e mbetur, Liberaldemokratët, e kanë të vështirë të mbushin boshllëkun.
Vetëm partitë rajonale, Partia Kombëtare Skoceze, Plaid Cymru e Uellsit dhe Unionistët Demokratë në Irlandën Veriore, mbeten ende të besueshëm për mbështetësit e tyre lokalë. Ndërkohë në Gjermani, një “koalicion i madh” në dukje i rraskapitur, është shndërruar në
një burim zhgënjimi në rritje.
Për shumë analistë, lodhja aktuale me demokracinë është jashtëzakonisht e ngjashme, me atë
të viteve midis dy luftërave boërore. Por ka një dallim të dukshëm:që kriza e atëhershme e demokracisë, ishte e lidhur në mënyrë të pandashme me mjerimin ekonomik që solli Depresioni
i Madh.
Ndërsa kriza e sotme, ka ardhur në kohën e niveleve të larta historike të punësimit. Ndonëse shumë njerëz sot kanë një ndjenjë të pasigurisë ekonomike, reagimi ndaj krizës aktuale, nuk mund të jetë thjesht një përsëritje e asaj që ka ndodhur më parë.
Gjatë viteve midis 2 luftërave botërore, qeverisja demokratike citohej shpesh për të përfshirë forma të ndryshme të përfaqësimit. Më tërheqësja në atë kohë ishte korporatizmi, ku grupet e interesit negocionin zyrtarisht me qeverinë, në emër të një profesioni apo sektori ekonomik të veçantë.
Pritshmëria ishte që punëtorët e fabrikave, fermerët, madje edhe punëdhënësit të ishin më të
aftë të merrnin vendime, sesa asambletë përfaqësuese, që ishin dobësuar shpesh nga ndarjet politike. Modeli korporativist duket sot i neveritshëm, dhe jo vetëm sepse lidhet me diktatorin fashist italian Benito Musolini.
Gjithsesi, për një farë kohe, qasja e Musolinit ishte tërheqëse për politikanët diku tjetër, përfshirë
edhe ata që nuk mendonin se ishin poziconuar në ndonjë nga ekstremet politike. Për shembull, vizioni origjinal i presidentit amerikan Frenklin Ruzvelt mbi Neë Deal (Marrëveshjen e Re), përbëhej nga shumë elementë korporativistë, përfshirë kontrollin e çmimeve, të cilat do të negocioheshin nga sindikatat dhe organizatat industriale.
Por zgjedhjet dhe pseudo-zgjedhjet e asaj periudhe, filluan të prodhonin edhe diktatura, dhe jo vetëm në Evropë, por edhe në Azi dhe Amerikën e Jugut. Dhe për shkak të këtyre dështimeve katastrofike, demokracia u rrethua në epokën e pasluftës, si nga kufijtë e rinj kushtetues dhe juridikë, ashtu edhe nga angazhime të reja ndërkombëtare.
Në rastin e Evropës kontinentale dhe Japonisë, demokracia u imponua kryesisht si pasojë e disfatës ushtarake. Kjo do të thoshte që rregullat e saj ishin vendosur nga jashtë, dhe nuk i nënshtroheshin ndonjë sfide zyrtare. Pas kësaj, integrimi evropian – në formën e Komunitetit Ekonomik Evropian, dhe më pas Bashkimit Evropian – u shfaq si një sistem gjykimi dhe zbatimi në shërbim të normave të përcaktuara.
Ndërkaq, marrëveshjet ndërkombëtare u bënë një mënyrë për të thënë se disa rregulla ishin të pathyeshme ose thjesht të pashmangshme. Ato nuk mund të kundërshtoheshin më, qoftë në një mënyrë demokratike apo ndryshe. Natyrisht, këtyre kufizimeve të reja ligjore, iu shtuan edhe konsideratat ushtarake.
Aleancat ndërkombëtare, u prezantuan si mjetet për ruajtjen e sigurisë së brendshme. NATO, sipas deklaratës së famshme të Sekretarit të saj të parë të Përgjithshëm, Lordit Ismej, synonte “të mbante rusët jashtë, amerikanët brenda, dhe gjermanët në gjunjë”.
Ajo marrëveshje unike dhe e suksesshme, për të garantuar stabilitetin e pasluftës, ishte duke u shpërbërë edhe para rënies së papritur të legjitimitetit të SHBA-së pas Luftës në Irak në
vitin 2003, dhe krizës financiare globale të viteve 2007-2008.
Kur presidenti francez Emanuel Makron, përdori kohët e fundit një gjuhë ekstreme për të thënë se BE “ndodhet buzë humnerës” dhe NATO “gjendet në një vdekje klinike”, ai ishte tërësisht i saktë. Nën presidentin Donald Trump, Amerika – dhe për pasojë NATO – nuk është më e aftë të mendojë në një mënyrë strategjike, dhe as e gatshme të mbrojë interesat transatlantike.
Rendi i pas luftës, është kritikuar shpesh se nuk ka lejuar ndonjë zgjedhje të mirëfilltë demokratike. Ndaj, politologët perëndimorë nisën të flasin për një çmobilizim në shkallë të gjerë. Dhe shumë kohë përpara se të shfaqej një e djathtë e re ekstreme në Gjermani, intelektualët e shquar gjermanë kishin vërejtur se votimi ishte tashmë një gjë e parëndësishme, dhe se moderniteti ka të bëjë me sundimin nga të moderuarit e vetë-kufizuar, në emër të të palëvizshmëve, në atë që njihet si “letargokraci”.
Pra sfida moderne, është të arrihet një gjithëpërfshirje sa më e madhe demokratike. Përgjigja e duhur mund të mos jetë korporatizmi i stilit të vjetër, pasi shumica e njerëzve nuk e përcaktojnë më vetveten nga një profesion. Ngjashëm, mbrojtja e një teknokracie ndërkombëtare të bazuar në rregulla, duket tani e dalë mode, edhe pse institucionet ndërkombëtare (përfshirë BE-në dhe madje edhe NATO-n), janë ende të nevojshme për të siguruar të mirat publike.
Sot identiteti personal, përcaktohet nga një grupim faktorësh komplekse. Shumica e njerëzve, e mendojnë veten e tyre si konsumatorë, prodhues, partnerë, prindër, qytetarë dhe frymëmarrës të të njëjtit ajër, në varësi të kontekstit. Lipsen zgjedhje më të shpeshta dhe të përcaktuara qartë, për t’i përkthyer kompleksitetet e vetvetes në shprehje politike.
Fatmirësisht në këtë aspekt, mund të na ndihmojnë teknologjitë aktuale. Qytetaria dixhitale – e ushtruar përmes votimit elektronik, apo peticioneve – është një zgjidhje e mirë për problemin e rënies së pjesëmarrjes në zgjedhje. Por mekanizma të tillë, nuk duhet të përdoren për zgjedhje të mëdha përcaktuese, që janë në thelb të diskutueshme dhe përçarëse.
Por ato mund të ndihmojnë në zgjidhjen e çështjeve më të përditshme praktike, siç është vendndodhja e një sistemi hekurudhor ose rrugor, apo çështja e çmimit të energjisë elektrike. Ky vizion i ripërtëritjes demokratike, do të funksiononte në një mënyrë më efektive në vendet më të vogla si Estonia, që është një vend pionier në qytetarinë dixhitale.
Shumë qytetet mund të bënin të njëjtën gjë, duke ofruar kësisoj leksione me vlerë për politikat më të mëdha. Të menduarit lokalisht për problemin e përfaqësimit, mund të jetë hapi i parë drejt tejkalimit të krizës së demokracisë në nivel global./Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

A ka apo jo jetë në planetin Mars?

Publikuar

-

Nga

Kërkimi për jetën e gjallë në Mars, ka qenë që në fillim synimi kryesor i misioneve eksploruese. Për më shumë se 50 vjet, shkencëtarët nuk kanë arritur t’i përgjigjen ende pyetjes themelore:a ka ekzistuar jeta në Mars? Misionet e ardhshme në planetin e kuq, do të synojnë t’i japin përgjigje kësaj pyetje.

Në vitet 1950-1960, shkencëtarët Stenli Miller, Xhoan Oro, dhe të tjerë dëshmuan se në këtë planet shumë pranë Tokës, mund të formoheshin blloqet e jetës, përmes reaksioneve kimike që ndodhin natyrshëm në kushte specifike mjedisore. Këto kushte, mund të kenë ekzistuar edhe dikur në Tokë.

Kur sistemi diellor ishte i ri në moshë, Marsi dhe Toka do të pësonin një evolucion të ngjashëm. Ajo që ndodhi në Tokë, mund të ketë ndodhur edhe në Mars. Në vitet 1990, studiues të tjerë identifikuan mikroorganizmat e quajtur ekstremofile, që janë të afta të ekzistojnë në kushte ekstreme të temperaturës, presionit, kripës, etj.

Këto forma jete elastike, e rrisin ndjeshëm larminë e mjediseve, të cilat ne i menduam si të afta për të pritur jetën, dhe për këtë arsye edhe shanset për të gjetur jetë diku tjetër në sistemin tonë diellor. Misionet “Viking”, synuan të zbulojnë gjurmët e jetës në planetin Mars në vitin 1976. Rezultatet e tyre të pafrytshme, patën një ndikim negativ në rënien e entuziazmit por edhe të financimit të misioneve të ardhshme në këtë planet.

Njëzet vjet më vonë, nisi një fazë e re e eksplorimit të Marsit me sondën “Mars Global Surveyor”, që mbërriti në orbitën e tij në vitin 1997. Që atëherë, është rritur shumë interesi i komunitetit shkencor. Sondra “Rosalind Franklin”, është në përgatitjet përfundimtare për t’u nisur në korrikun e vitit të ardhshëm, dhe zbarkuar në marsin e vitit 2021 në Oxia Planum, aty
ku dikur rridhnin lumenjtë Marsianë.

Synimi i saj është të kërkojë shenja e dikurshme të jetës. Përveç kamerave dhe spektrometrave, “Rosalind Franklin” ka një pajisje që mund të depërtojë deri në 2 metra nën sipërfaqe për të marrë mostrat, dhe i dërgojë ato në instrumentet analitike laboratorike. Që nga viti 1997, ne kemi një rekord të vazhdueshëm të kushteve të motit atje.

Tashmë e njohim shumë mirë atmosferën e Marsit – përbërjen, presionin, temperaturën dhe si ndryshojnë ato sipas stinëve. Ne dimë gjithashtu lëvizjen e erërave në Mars, dhe mënyrën se si rrjedha e tyre përputhet me topografinë e planetit. Madje sapo kemi filluar të kuptojmë se si Marsi e humbi me kalimin e kohës atmosferën e tij.

LEXO EDHE:  Rrëfimi i artistit tropojan: Mos i bini në qafë Grida Dumës, GD i Salianjit jam unë

LEXO EDHE:  Nuk rrezikohen vetëm ata me sëmundje mendore/ Ja pesë mitet e gabuara mbi vetëvrasjen

Ekzistojnë ende shumë pikëpyetje të hapura, që nga mënyra sesi formohen stuhitë e pluhurit, dhe deri tek ajo sesi evoluoi atmosfera në gjendjen e saj aktuale. Gjithsesi ne kemi bërë përparime të mëdha në njohjen e klimës në Mars. Ndërkohë ne kemi hartuar vullkanet, krateret, kanalet e thellë, deltat depozituese dhe rrafshnaltat e mëdha, dhe ne e kuptojmë në analogji me Tokën se
si janë formuar ato.
Të njëjtën gjë kemi bërë edhe me shpërndarjen e elementeve kimike dhe mineraleve si argjilat, sulfatet dhe karbonatet. Gjithsesi, ne njohim ende vetëm sipërfaqen e planetit. Për të kuptuar evolucionin e Tokës, gjeologët eksplorojnë brendinë e saj. Ne kërkojmë vendet ku shtresat e saj të brendshme, janë të ekspozuara nga lëvizjet tektonike.

E njëjta gjë synohet edhe në Mars. Në disa vende, erozioni ka ekspozuar shtresa të brendshme, por shumë të tjera janë të fshehura. Ndërsa uji i lëngshëm, mund të mos ketë qenë i ekspozuar në sipërfaqen e Marsit për pjesën më të madhe të historisë së tij 4.5 miliardë vjeçare, provat e marra nga sondat sugjerojnë se uji ka qenë nën tokë për shumë më gjatë.

Ne nuk kemi përparuar shumë në përcaktimin, nëse jeta ka lulëzuar ndonjëherë në Mars, por ndërkohë kemi zbuluar se dikur aty kanë ekzistuar kushtet e nevojshme për jetën. Këto kushte përfshijnë ujin e lëngshëm, disa elementë kryesorë (karboni, azoti, fosfori dhe squfuri), përbërësit kimikë që sigurojnë energji për metabolizmin, dhe ambientin e duhur për sa i përket rrezatimit, temperaturës, kushteve kimike etj.
Gjithsesi, nuk kemi zbuluar gjurmë të mirrfillta jete. Kemi zbuluar disa molekula karboni që përmbajnë gjurmë të tilla, por ato të gjitha mund të kenë një origjinë jo-biologjike. Molekulat komplekse, të pasura me karbon janë shumë të prirura të degradojnë nga rrezatimi. Prandaj,
ato mund të gjenden vetëm nën sipërfaqe.

Ngjashëm, të gjitha provat sugjerojnë që nëse Marsi ka ujë të qëndrueshëm të lëngshëm, ai ndodhet nën sipërfaqe. Konsensusi i komunitetit të shkencëtarëve, është që ne duhet të
kërkojmë nën sipërfaqe, në mënyrë që të përparojmë në kërkimin e jetës.
Në verën e vitit 2020, drejt Marsit do të nisen disa misione. Dy prej tyre do të çojnë përpara kërkimin për jetën, duke eksploruar nën sipërfaqe. Shumë agjensi përveç NASA-s dhe ESA (agjencisë evropiane të hapësirës), po planifikojnë nisjen e misioneve të ardhshme në Mars në vitin 2020, 2022 dhe 2024./Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE