Connect with Us

U mbajtën sekret për 45 vjet në arkivat e PPSH/ Publikohen imazhet e rralla të Ballit Kombëtar gjatë luftës

Histori

U mbajtën sekret për 45 vjet në arkivat e PPSH/ Publikohen imazhet e rralla të Ballit Kombëtar gjatë luftës

Publikuar

-

Zbulohen disa prej fotove të rralla të organizatës nacionaliste të Ballit Kombëtar të bëra gjatë periudhës së Luftës në vitet 1943-1944, të cilat për vite me radhë u mbajtën sekret në arkivin e ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe nuk u publikuan kurrë nga historiografia e regjimit komunist dhe propaganda e asaj kohe, me qëllim që veprimtaria dhe roli i kësaj organizate nacionaliste të fshihej fare nga historia dhe memorja e shqiptarëve.

Në këto foto të panjohura me imazhe të rralla kanë dalë disa nga eksponentët kryesor të Rinisë së Ballit Kombëtar të inkuadruar në batalionin “Qeramudin Sulo dhe Besnik Çano” gjatë inkursionit që ata bënë në disa qytete të Kosovës, si Prizren, Pejë, Gjakovë etj., ku ata shkuan për të luftuar kundra forcave çetnike në verën e vitit 1944, si dhe në ceremoninë mortore të Azis Çamit, një nga udhëheqësit e Ballit që u vra me atentat nga gueriljet komuniste të Tiranës.

Në disa nga këto foto është batalioni i Rinisë së Ballit, “Besnik Çano dhe Qeramudin Sulo” duke hyrë në qytetin e Pejës e Gjakovës, ku i është bërë një pritje madhështore nga mijra e mijra banorë që kanë dalë në të dy anët e rrugës me lule në duar. Në krye të kollonës së forcave të rinisë nacionaliste, duket Seid Kazazi (komandanti i batalionit) dhe pas tij Arif Peza dhe Xhemal Alimehmeti, ndërsa në mes tyre me flamur në dorë, është Ridvan Banka, të tre nga qyteti i Tiranës dhe shokë klase me Ramiz Alinë në gjimnazin e kryeqytetit deri në vitin 1943 kur braktisën mësimet dhe dolën në mal për të organizuar rezistencën antifashiste.

Seid Kazazi, i diplomuar për Drejtësi në Vienë, u vra nga forcat komuniste në Kryengritjen e Postribës në vitin 1946, ku ishte në krah të vëllait të tij, Jup Kazazit, udhëheqësit kryesor të kësaj lëvizje antikomuniste që vrau veten për të mos rrënë i gjallë në duart e forcave komuniste. Kurse Arif Peza, po komandanti i një çete të Ballit që ishte dhe tmerri i komunistëve, në nëntorin e vitit 1944 u largua nga Shqipëria së bashku me eksponentët kryesorë të Ballit dhe Legalitetit si Mit’hat Frashëri, Hasan Dosti, Abaz Kupi, etj., kurse një vëlla i tij, gjithashtu komandant çete i Ballit, u pushkatua nga komunistë, ndërsa tjetri, Qazim Peza vuajti vite të tëra në burgjet politike të regjimit komunist.

LEXO EDHE:  Rama kapet me Ralf Gjonin/ Je shëmbëlltyra e një dashurie të kthyer në urrjetje, merr mësime nga Balli

Arif Peza pasi qëndroi për disa kohë në kampet e Italisë, më pas emigroi në SHBA dhe Kanada, për t’u rikthyer në Shqipëri në vitin 1993 dhe ndërroi jetë në vitin 2008. Ndërsa Xhemal Alimehmeti, u arrestua menjëherë që në dhjetorin e vitit 1944 dhe pasi vuajti disa kohë në burgjet politike, për shumë vite punoi në ndërtim dhe ndërroi jetë në vitin 2005.

Krahas tyre në këto foto (në kamionin e hapur) duken dhe Rruzhdi Daca, Tom Leci, Lec Gjeçi dhe Pal Mirashi, eksponentë kryesorë të Rinisë së Ballit të qytetit të Shkodrës, të cilët iu bashkuan batalionit “Qeraudin Sulo dhe Besnik Çano” gjatë inkursionit që ata bënë në Kosovë ku luftuan kundra forcave çetnike të Drazha Mihajlloviçit.

Në një foto tjetër, është ceremonia e varrimit e Hamit Troplinit, djaloshit tiranas që u vra gjatë luftimeve të forcave të këtij batalioni në afërsi të lumit, Lim, dhe në plan të parë, (i dyti pa kapele) është Ramazan Turdiu nga Tirana, i cili po në nëntorin e vitit 1944 u largua nga Shqipëria me krerët kryesorë të Ballit dhe legalitetit duke u vendosur fillimisht në Itali ku përfundoi studimet e larta dhe u diplomua në Farmaci me gradën doktor dhe më pas emigroi në SHBA, ku studioi “Farmaci” në Columbia University dhe punoi për pesë dekada në kërkime farmaceutike për CIBA dhe “Warner Lambert”. Ramazani ndërroi jetë në SHBA më 25 nëndor 2012.

Në një foto tjetër janë pjestarë të batalionit të Rinisë Nacionaliste të Ballit Kombëtar në qershorin e vitit 1944 në qytetin e Prizrenit, duke dëgjuar dhe duartrokitur fjalimin e mirseardhjes së Bedri Pejanit, një nga krerët kryesorë të forcave nacionaliste të Kosovës dhe kryetar i Lidhjes së Tretë të Prizrenit.

Një foto tjetër e cila i përket datës 17 dhjetor 1943, duken disa eksponentë të tjerë të Rinisë së Ballit Kombëtar, si Ramazan Jarani, Luan Dosti, Ziçe Hatibi, Hamit Shehi, Luan Dosti, etj, në Rrugën e Kavajës duke mbajtur në supe arkivolin e Haziz Çamit, një nga eksponentët e Ballit Kombëtar i cili u vra pabesisht me atentat nga guerilejt komuniste të Tiranës. Për ironi të fatit edhe atentatori i tij një i ri komunist, për shumë vite vuajti në burgjet e  regjimit komunist të Enver Hoxhës I akuzuar si “armik i popullit”./Memorie.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Histori

Dëshmia e rrallë e ish-ballistit/ E vërteta e vrasjes së Ali Demit në tavanin e shtëpisë në fshatin Kaninë

Publikuar

-

Nga

Publikohet historia e panjohur e familjes Roshi nga fshati Golem i Gjirokastrës,  ku disa nga burrat më në zë të saj, pasi kishin luftuar kundra forcave osmane dhe çetave të andartëve grekë, në 1912-ën, u rreshtuan me Ismail Qemalin, duke shërbyer si oficerë të Ushtrisë Kombëtare të porsakrijuar. Memorie.al sjell dëshminë e rrallë e Avdyl Hakan Banushit, lidhur me familjen nacionaliste Roshi, të cilët gjatë periudhës së pushtimit të vëndit, u rreshtuan me forcat nacionalsite të Ballit Kombëtar, duke luftuar kundër forcave partizane, pas luftës vëllavrasëse që kishte filluar pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes. Historia e përplasjes së forcave partizane të komanduara nga Ali Demi në fshatin Kaninë të Vlorës në dhjetorin e vitit 1943, me forcat balliste të komanduara nga profesor Tare Kalo, ku mbeti mbeti i vrarë dhe Ali Demi. Ngjarje e cila solli persekutimin e fisit Roshi nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, duke filluar nga Alem Reiz Roshi, që u dënua me pushkatim që në ditët e para të mbarimit të Luftës në vitin 1943, Osman Roshi, që u pushktua në vitin 1950, si dhe të tjerë pjestarë të kësaj familje, si Mehmet Reiz Roshi, që u detyruan të arratisej nga Shqipëria, apo si Bajram Roshi, që kaloi 23 vite në qelitë errta të burgjeve të diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, etj.

Historia tragjike për familjen Roshi do të vazhdonte gjatë, zanafilla e saj nisi në dhjetorin e vitit 1943, kur në fshatit Kaninë në përpjekje me forcat komuniste, të kryesuara nga Ali Demi, mbeti i vrarë Refik Osman Roshi. Akoma pa u shuar mirë hidhërimi në këtë familje, në nëntor të 1944-ës, në qytetin e Shkodrës, arrestohet një tjetër djalë i kësaj familjeje, i quajtur Alem Reiz Roshi. Gjyqi kundër tyre u zhvillua në Gjykatën Ushtarake të Qarkut të Gjirokastrës, ku ai u dënua me vdekje së bashku me dy nacionalistë Zenel Gjoleka, dhe Selam Karma. Që nga ajo kohë familja Roshi nga Golemi i Gjirokastrës, do të vuante persekutim e egër dhe barbar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Ky persekucion do të mbaronte vetëm në vitin 1991”. Kështu e kujtonte historinë e kësaj familjeje, Abdyl Hakan Banushi, me origjinë nga fshati Golem i Gjirokastrës, ish-pjestar i forcave nacionaliste të Rinisë së Ballit Kombëtar gjatë periudhës së Luftës, i cili e kaloi gjithë jetën e tij në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës deri në vitin 1990.

Cila ishte e kaluara e fisi të njohur Roshi dhe cilët ishin disa nga përfaqësuesit më në zë të tij që bënë emër të madh në luftrat dhe kryengritjet shqiptare në vitet e para të shekullit të kaluar, si dhe gjatë periudhës së pushtimit nazi-fashist! Cili ishte qëndrimi politik që mbajtën pjestarët e atij fisi dhe roli i tyre gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare? Përse ata u perfshinë me organizatën nacionaliste të Ballit Kombëtar dhe cilat ishin rrethanat e vrasjes së Refik Osman Roshit?! Përse forcat balliste u konfrontuan me armë me forcat partizane të komanduara nga Ali Demi. Cilët ishin burrat më të njohur të atij fisi dhe përse u persekutuan ata nga regjimi komunist i Enver Hoxhës?!

Roshajt në Shpalljen e Pavarësisë

Origjina e fisit Roshi është nga Golemi i Gjirokastrës, i cili ndodhet në veri-lindje të qytetit të gurtë. Ai është i njohur për historinë e tij që nga kohërat e lashta. Mendohet që të parët e asaj familje janë vendosur në fshat përpara periudhës së Skëndërbeut, por të dhëna të sakta rreth arrdhjes së tyre në fshat, janë fare të pakta. Ndonëse kjo familje ka qenë tepër e njohur, gjatë periudhës së pushtimit osman, një nga më të njohurit e atij fisi ka qënë Osman Roshi. Lidhur me këtë Abdyl Banushi tregonte: “Bëmat dhe historitë e atij burri të famshëm të quajtur Osman Roshi, kujtohen edhe sot e kësaj dite nga bisedat me banorët e ndryshëm të fshatit tonë. Shumë prej tyre mburren me të kaluarën e tij. Ashtu si dhe të parët e fisit dhe familjes së tij, që kishin luftuar kundër pushtuesit turk, dhe Osman Roshi, në vitet 1911 – 1912 mori pjesë aktive në kryengritjet që çuan në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Bashkë me Osmanin, në ato luftra morën pjesë dhe disa nga të afërmit e tij, të cilët ashtu si ai, jo vetëm e nderuan emrin e asaj familjeje, por edhe historinë e fshatit tonë të njohur për traditat atdhetare. Vetëm pak ditë pas ngjarjes së madhe të 28 nëntorit 1912, Ismail Qemali, me cilësinë e Kryetarit të Qeverisë së Përkohshme, e dekretoi Osman Roshin si oficer të Ushtrisë Shqiptare, të krijuar më 4 dhjetor. Pas kësaj ai u emërua si oficer në një regjiment ushtarak që u caktua për mbrojtjen e kufijve juglindorë të vëndit nga kërcënimet e trupave greke. Gjatë asaj periudhe Osmani, drejtoi me qetësi dhe maturi atë regjiment, i cili u bëri ballë sulmeve dhe incidenteve artificiale të krijuara nga çetat e andartëve grekë. Osmani shërbeu në forcat e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare edhe pas rënies së qeverisë së Ismail Qemalit. Pas ikjes së Princ Ëidit nga Shqipëria, Osman Roshi, u largua nga rradhët e ushtrisë dhe u kthye në vëndlindjen e tij”, kujtonte Abdyl Banushi, lidhur me të kaluarën e fisit Roshi, dhe historinë e Osmanit.

Po kështu ajo familje, është e njohur edhe për përkrahjen që i dha qeverisë së sapodalë nga Kongresi i Lushnjes në 1920-ën dhe për pjesëmarrjen si vullnetarë në Luftën e Vlorës. Gjatë asaj lufte, kundër forcave të ushtrisë italiane të udhëhequr nga burrat më në zë të Vlorës, si Osman Haxhiu, Qazim Kokoshi, Qazim Koculi, etj,. përveç Osmanit, luftuan dhe dy vëllezërit e tij, Mustafai dhe Reizi. Ky kontribut i’u njoh edhe gjatë periudhës së Monarkisë së Mbretit Zog.

Incidentet në Libihovë dhe Glinë



Gjatë viteve të Monarkisë së Mbretit Zog, pjestarët e fisit Roshi nuk u përzien me politikë por shikuan punët e tyre. Ndryshe nga ajo periudhë, gjatë kohës së pushtimit italian dhe gjerman të vëndit, pothuajse i gjithë fisi, mbajti anën e Ballit Kombëtar, të drejtuar nga Mit’hat Frashëri. Lidhur me ketë, Abdyli Banushi në mes të tjerash tregonte: “Historia tragjike për familjen Roshi, e ka zanafillën në vjeshtën e vitit 1943, kur Partia Komuniste Shqiptare në mënyrë të njëanshme, prishi Marrëveshjen e Mukjes. Prishja e asaj marrëveshjeje dha menjëherë frytet e hidhura në të gjitha krahinat e vëndit, duke filluar vëlla-vrasjen! Kjo gjë ndodhi dhe në rrethin tonë të Gjirokastrës, ku shtatë ditë pas mbledhjes, në shtatorin e vitit 1943, forcat partizane hynë në Komunën e Libohovës dhe vranë shumë nacionalistë dhe antarë të Ballit Kombëtar që ndodheshin aty. Kjo masakër e madhe shkaktoi një indinjatë të thellë tek banorët dhe për këtë arsye, forcat balliste të komanduara nga Qazim Rustemi, morën si detyrë që të rrethonte forcat partizane që ishin pozicionuar në Glinë, afër Gjirokastrës. Pas këtij rrethimi, ai i sulmoi duke i asgjësuar plotësisht ata. Por pas këtij akti, edhe pse e dinte që trupat komuniste kishin filluar të parët luftimet, Komanda e Ballit Kombëtar të Gjirokastrës, e dënoi këtë sulm të forcave të Qazim Rustemit. Ky konflikt do të shënonte dhe fillimin e armiqësisë midis forcave komuniste dhe atyre nacionaliste, dhe për këtë arsye fisi Roshi do ta pësonte mjaft rëndë”.

LEXO EDHE:  Nga letrat e Mit’hat Frashërit/ Legaliteti dhe Balli, vëllezërit siamezë të kombëtarizmit dhe antikomunizmit

LEXO EDHE:  Nga letrat e Mit'hat Frashërit/ Legaliteti dhe Balli, vëllezërit siamezë të kombëtarizmit dhe antikomunizmit

Vrasja e Ali Demit nga Refiku

Pas fillimit të luftës vëllavrasëse midis forcave komuniste dhe atyre nacionaliste, ndodhi dhe një nga ngjarjet më tragjike për familjen Roshi të fshatit Golem të Gjirokastrës. Lidhur me këtë, Abdyl Banushi tregonte: “Në dhjetorin e vitit 1943, një batalion partizanësh i komanduar nga komunisti Ali Demi, i njohur si atentatori profesionist, hyri në fshatin Kaninë të Vlorës, ku dhe vendosi shtabin e tij. Në atë kohë kjo zonë kontrollohej nga forcat nacionaliste të Ballit Kombëtar dhe komandanti i forcave të Vlorës, major Enver Risilia, i cili dha urdhër që batalioni komunist i Ali Demit, të largohej menjëherë nga ai fshat. Pasi Ali Demi e refuzoi urdhërin e dhënë, major Enver Risilia njoftoi Komandantin e Xhandarmërisë së zonës Gjirokastër – Vlorë, Ismail Golemin, i cili urdhëroi komandantin e batalionit, Profesor Tare Kalon, që të shkonte në ndihmë të forcave të Ballit Kombëtar që ishin nisur për në Kaninë. Pas këtij urdhëri, Profesor Tare Kalo së bashku me Ali Shefqet Mustafarajn, u nisën për në drejtim të fshatit Kaninë, ku ishte instaluar batalioni partizan i komanduar nga Ali Demi. Ata kishin marrë urdhër që në rast kundërshtimi nga ana e forcave partizane të Ali Demit, kundër tyre të përdorej forca. Dhe ashtu siç ishte parashikuar, Ali Demi, me forcat që komandonte e kundërshtuan urdhërin për t’u larguar nga ai fshat, dhe pas kësaj, ndërmjet dy palëve u nis një luftë e ashpër. Pas disa orë luftimesh, batalioni partizan filloi të tërhiqej, por komandanti i tyre, Ali Demi, bashkë me dy partizan që ishin shoqërues të tij, mbetën të rrethuar brenda në fshat dhe u fshehën në një shtëpi njëkatëshe, e cila njihej si mbështetëse e partizanëve. Pas kësaj, komandanti i batalionit të Ballit Kombëtar dhe urdhër që të kontrolloheshin të gjitha shtëpitë që dyshoheshin se ishin të lidhur me partizanët. Gjatë atij kontrolli, mori pjesë dhe kapterri 23 vjeçar i forcave balliste, Refik Osman Rroshi, i cili e zbuloi Ali Demin e dy rojet e tij që ishin fshehur në tavanin e një shtëpie ku ata bënë kontroll. Pas kësaj, Refiku i urdhëroi ata që të dorëzohen, por Ali Demi me dy partizanët e tjerë shpërthyen çatinë e shtëpisë dhe tentuan të dilnin nga rrethimi. Në atë moment, Refiku u gjend ballë për ballë me Ali Demin dhe qëlloi me automatik, duke e vrarë atë dhe dy rojet e tij. Pas asaj vrasje, forcat partizane u kthyen përsëri në fshat dhe gjatë betejës së ashpër që u ndez midis tyre, mbeti i vrarë edhe Refik Osman Rroshi”, tregon Avdul Banushi, për incidentin në fshatin Kaninë, ku mbeti i vrarë Ali Demi, (“Hero i Popullit”).

Ekzekutimi i Alem Rroshit

Pas vrasjes së Refik Rroshit, në rradhët e forcave nacionaliste të Ballit Kombëtar, mbeti një nga djemtë e tjerë të asaj familje, 18 vjeçari Alem Reiz Rroshi, i cili në atë kohë shërbente si truprojë e Zenel Gjolekës, njërit prej eksponentëve kryesor të Ballit Kombëtar për rrethin e Vlorës. Pasi kishte marrë pjesë në disa luftime kundra forcave partizane, Alemi u arrestua prej tyre në nëntorin e vitit 1944, në qytetin e Shkodrës. Pas arrestimit ai u soll në qytetin e Gjirokastrës, për t’u gjykuar nga Gjykata Ushtarake e atij Qarku, ku bashkë me të, në bankën e të akuzuarve ishin dhe Zenel Gjoleka, Selam Karma dhe Rexhep Guga. Në seancën që u dha pretenca, prokurori Bexhet Mema, kërkoi dënimin me vdekje, për Zenelin, Selamin dhe Rexhepin, ndërsa për Alemin, vetëm 15 vjet burg. Pas dhënies së dënimit, Kryetari i Gjyqit, i tha Alemit: “I pandehur Alem Rroshi, megjithëse ke qenë roje besnike i Zenel Gjolekës, megjithëse keni kryer krime, Partia jonë dhe shoku Enver të falin jetën”. Pas kësaj ai i kërkoi fjalën e fundit Alemit, i cili i’u përgjigj: ”Zotërinj të trupit gjykues, unë kam qenë truproje i këtij patrioti, i cili është nipi i Zeneli Gjolekës së madh, që u vra në Mal të Zi, duke luftuar për trojet shqiptare, që populli edhe sot i këndon për trimërin e tij. Ja, këta janë Gjoleka-jt zoti kryetar. Nëse ju do t’i falni jetën komandanti tim Zenel Gjoleka, ju do të kryeni një vepër patriotike për një patriot të madh. Përndryshe, unë dua dhe e kam për nder që të pushkatohem lidhur dorë për dore me komandantin tim, patriot dhe trim, se edhe atje në gropën e përbashkët ku do të na hidhni, edhe atje do t’i bëjë roje”! Pas kësaj, trupi gjykues u tërhoq për të dhënë vendimin dhe pas disa minutash, e komunikoi atë duke thënë: “Zenel Gjoleka, Selman Karma dhe Alem Roshi dënohen me vdekje, me pushkatim, ndërsa Rexhep Gega, me 25 vite heqje lirie”.

Pushkatimi i Syrja Roshit

Gjatë viteve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, familja Roshi nga fshati Golem i Gjirokastrës, i’u nënshtrua një persekucioni të egër, të cilit mundi t’i shpëtonte vetëm Mehmet Reiz Roshi, vëllai i Alemit, i cili u detyrua dhe u arratis nga Shqipëria. Ndërsa për të tjerët që mbetën në Shqipëri, Avdyl Banushi tregonte: “Një nga djemtë e familjes Roshi, që nuk u përkul asnjëherë para dhunës së regjimit komunist, ishte dhe Syrja Osman Roshi, i cili në fillimin e viteve ’50-të, u arrestua gjoja se i implikuar në një grup fallsifikatorësh. Pas kësaj ai u dënua me vdekje, me pushkatim, dhe ekzekutimi i tij u krye në qytetin e Vlorës. Ekzekutimi i Syrjait shënoi dhe viktimën e tretë nga ajo familje, e cila do të vazhdonte të ishte nën dhunën e egër të komunistëve. Pas kësaj, babai i Alem Roshit, Reizi, e kaloi gjithë jetën në internim dhe vdiq në mjerim të thellë në fshatin Shtepës të Gjirokastrës, bashkë me djalin e tij të vogël, Bajramin, i cili vuajti 23 vite në burgjet e regjimit të Enver Hoxhës”. /Memorie.al

LEXO TE PLOTE

Histori

Video-Enver Hoxha, “demoni” që ia merrte këngës “Për ty atdhe”, pasi vriste shokët e afërt

Publikuar

-

Nga

Gjatë periudhës së komunizmit shqiptarëve, përmes propagandës, ju dha për konsum një udhëheqës madhështor, babaxhan, i dashur me popullin e të tjera.

Por kush ishte Enver Hoxha përtej kësaj fasade?

Ndërtuar përmes rrëfimeve apo shënimeve të disa personazheve që e njohën nga afër, seria e re e emisionit Abc/Story, që do të shfaqet premierë të shtunën në orën 22:15, ndërton një profil krejt të panjohur për Enver Hoxhën.

Zemërak, katil, deri në shtatë breza me të gjithë ata që i konsideronte armiq, i paduruar, mosbesues, dhe tmerrësisht i lodhshëm për sekretarët dhe stafin e tij në Komitetin Qendror të Partisë, Enver Hoxha ishte konvertuar në një personazh të frikshëm.



Të frikshëm e kishin bërë lufta e egër me të gjithë ata që i kishte konsideruar kundërshtarë të regjimit të tij, pushkatimet, burgosjet dhe internimet masive, porse lufta periodike brenda Partisë, eleminimet një pas një të bashkëpunëtorëve dhe kolegëve të afërt të kohës së luftës, e kishin shndërruar në një demon.

LEXO EDHE:  Rama kapet me Ralf Gjonin/ Je shëmbëlltyra e një dashurie të kthyer në urrjetje, merr mësime nga Balli

LEXO EDHE:  Rama kapet me Ralf Gjonin/ Je shëmbëlltyra e një dashurie të kthyer në urrjetje, merr mësime nga Balli

Një demon, që sipas njerëzve që e njohën nga afër, niste të këndonte këngën e Mentor Xhemalit “Për ty atdhe”, sa herë dëgjonte gjykatësin të shqiptonte dënimin me vdekje të ish-miqve e ish-kolegëve të tij.

Pikërisht një profil sa më të përafërt të Enver Hoxhës që nuk kemi njohur mëton të ndërtojë edhe kjo seri, që vendoset në fund të këtij cikli dokumentarësh./ Abc news

LEXO TE PLOTE

Histori

Histori/ Si lindën vaksinat e para?

Publikuar

-

Nga

Si lindën vaksinat e para?

Atë vit gripi dukej se ishte shumë më agresiv dhe virulent se sa zakonisht. Moris Hilman, shefi i departamentit të sëmundjeve të frymëmarrjes në Qendrën Mjekësore Amerikane të Mbrojtjes, vendosi që të zgjidhte problemin.

Ai dhe ekipi i tij, ia dolën të izolojnë virusin duke e analizuar atë. Bëhej fjalë një lloj të ri virusi potencialisht katastrofik:ishte viti 1957, viti në të cilin virusi A/Singapor /1/57 H2N2 shkaktoi epideminë e gripit aziatik, që vrau rreth 2 milionë njerëz në të gjithë botën.

Moris Hilman

Në SHBA, viktimat mund të ishin miliona, por ato nuk i kaluan 69 mijë vetët. Hilman kishte arritur të krijonte një vaksinë dhe ta shpërndante 40 milion doza të saj në mbarë vendin. Ishte vetëm një nga zbulimet e mikrobiologut amerikan, babait të vaksinave kundër mbi 40 agjentëve infektivë, 7 prej të cilëve (fruthi, shytat, rubeola, hepatiti B, lija e dhenve, meningjiti dhe bakteri hemofil i gripit B), i gjejmë në kalendarin e vaksinave të detyrueshme që duhet të bëjmë.

Eduard Xhener

Edhe pse më pjellori, Hilman nuk ishte i pari që eci në rrugën e vështirë të parandalimit të sëmundjeve (dhe trajtimit) përmes vaksinimit. Babai i imunizimit ishte Eduard Xhener  (1749-1823), një mjek fshati që zbuloi se si të mposhtte epideminë e lisë, që në Anglinë e shekullit XVIII shkaktonte 40.000 të vdekur çdo vit.

Në atë kohë, i vetmi trajtim i njohur ishte variolacioni:një praktikë e vjetër, gjatë së cilës mjekët u transmetonin njerëzve të shëndetshëm një formë më të butë të lisë. Intuita ishte e saktë, por gjithsesi mjeti ishte i rrezikshëm.

Ndërkohë Xhener dhe shumë nga kolegët e tij kishin vënë re se mjelësit e bagëtive ishin imunë ndaj lisë nëse kishin puçrra nëpër duar, të ngjashme me ato të shkaktuara nga lija, dhe të njëjta me ato që shfaqeshin ndonjëherë në sisët e lopëve.

Po sikur zgjidhja të ishin puçrrat e lopës, më pak agresive se sa ato të lisë tek njeriu? Në 1796, Xhener kreu një provë. Ai mori Xhejms Fipsin, djalin 8-vjeçar të kopshtarit të tij, dhe e infektoi atë me qelbin e nxjerrë nga puçrrat në duart e Sara Nelmes, një mjelëse që ishte infektuar nga lopët.

Djali pati në fillim pak ethe, por për 2 ditë u shërua. Dy muaj më vonë, kur mjeku e ekspozoi ndaj virusit, Xhejmsi nuk zhvilloi asnjë simptomë. Pas 2vitesh dhe 23 eksperimenteve të tjera, Xhener ishte i pari që demonstroi shkencërisht efektivitetin anti-lijës të asaj që ai quajti vaksinë, duke i hapur kështu rrugën eksperimenteve të ngjashme nga Lui Pastër (1822-1895).

Lui Pastër

Ishte viti 1885 kur Zhozef Meister, një djalë 9-vjeçar i shoqëruar nga nëna e tij, hyri në laboratorin parisien të kimistit dhe mikrobiologut francez Lui Pastër. Ata vinin nga një fshat i rajonit të Alsasës. Pesë ditë më parë, fëmija ishte kafshuar disa herë nga një qen i tërbuar.

Për ilaçet e kohës Zhozefi nuk kishte shpëtim, ndaj mjeku i tij, një fans i studimeve të Pastërit mbi tërbimin, e kishte rekomanduar tek ai. Dhe shkencëtari i dha fëmijës ilaçin e tij kundër tërbimit. Ishte hera e parë që ai e provonte tek një qenie njerëzore. Pas 12 injeksionesh dhe 2 javë regjimi në shtrat, Zhozefi u ngrit në këmbë i shëruar.

Dhe të mendosh që ajo shpikje e mrekullueshme lindi nga një gabim:6 vjet më parë, ndërsa studionte sëmundjen e kolerës tek pulat, Pastër u kishte futur aksidentalisht disa baktere të dobësuara disa shpendëve. Zogjtë zhvilluan vetëm simptoma shumë të lehta të sëmundjes, dhe kur Pastër u injektoi baktere të gjalla, ata nuk ishin më të sëmura.



Ky rast i kishte sugjeruar atij mekanizmin që qëndron pas vaksinave moderne:me një bakter ose virus të dobësuar në laborator, mund të shkaktohet një sëmundje më e lehtë që nuk dëmton e pacientin, dhe e bën atë imun ndaj versionit më agresiv të sëmundjes.

LEXO EDHE:  Rama kapet me Ralf Gjonin/ Je shëmbëlltyra e një dashurie të kthyer në urrjetje, merr mësime nga Balli

LEXO EDHE:  Rama kapet me Ralf Gjonin/ Je shëmbëlltyra e një dashurie të kthyer në urrjetje, merr mësime nga Balli

Por si arriti Pastër ta bënte më pak vdekjeprurës virusin e tërbimit? Provë pas prove, Pastër zbuloi se ndërsa lënda trunore e infektuar e kavieve të tij thahej, virusi në të e humbte forcën, duke u bërë i padëmshëm brenda 2 javësh.

Kështu pjesët e trurit dhe virusi i dobësuar, ishin kthyer në një shpikje shpëtimtare që iu injektua Zhozefit. Pastër e quajti atë ‘vaksinë’, për nder të pararendësit të tij anglez Eduard Xhener, që gati një shekull më parë kishte shpëtuar në mënyrë të ngjashme pacientët e tij nga sëmundja e lisë.

Rua dhe Von Behring

Gara për ilaçin e parë kundër një sëmundje tjetër të rëndë infektive, difterisë, ishte shumë e ashpër. Në vitin 1888, krahu i djathtë i Pastër, Emile Rua, zbuloi se bakteri i difterisë prodhonte një toksinë, një helm që sulmonte fytin e të sëmurit, e frynte atë, duke e asfiksuar për vdekje të sëmurin.

Këtu nisi kërkimi i mikrobiologut Emil von Behring. Të dy, në mënyra të ndryshme, arritën të krijojnë një kurë, duke përdorur plazmën e gjakut të një kali imun ndaj difterisë dhe e pasur me cilësi anti-toksike. Gjithsesi në fund ishte Von Behring, me ndihmën e imunologut Paul Erlih dhe teoritë e tij mbi antitrupat, ai që dha studimit të tij një themel të fortë, dhe më vonë edhe Çmimin Nobel për Mjekësi.

Megjithëse efekti mbrojtës i plazmës mbaronte pas rreth 20 ditësh, kjo kurë u përdor në rastet me urgjente për sëmundjet e tjera, nga tetanozi tek Gripi Spanjoll (1918-1920), dhe sot, me të njëjtat kritere urgjence, po përdoret po plazma e gjakut tek pacientët me simptoma të rënda të Covid-19.

Salk dhe Sabin

Pas Luftës së Dytë Botërore, u përhap një epidemi veçanërisht e egër e poliomelitit. Poliovirusi i identifikuar në vitin 1949, që ndikon mbi sistemin nervor qendror, dhe motorët neuralë të shtyllës kurrizore. Midis viteve 1951-1955, ai vriste ose paralizonte rreth 28.500 njerëz në vit.

Gara u zhvillua në SHBA, dhe fituesi i saj ishte një vaksinë. Në fakt dy të tilla:e para, e zhvilluar nga shkencëtari amerikan Xhonas Salk, përmbante viruse të ç’aktivuara dhe në vend se të shkaktonte sëmundje, ato stimulonin antitrupat që e mbronin organizmin në rastin e prekjes nga kjo sëmundje.

I përdorur me entuziazëm në vitin 1955, ai u zëvendësua disa vjet më vonë me vaksinën me një virus aktiv por të zbutur, të zbuluar nga virologu polak Albert Sabin. Më e lirë në çmim dhe më e lehtë për t’u injektuar, me pika nga goja, vaksina e Sabin nisi të përdorej në vitin 1962.

Pak më shumë se një dekadë më parë, nisi revolucioni i vërtetë në zhvillimin e vaksinave, me ardhjen e biologjisë molekulare, teknikave të manipulimit të ADN-së, dhe studimin e çdo lloj informacioni sado të vogël që përmban ADN-ja e qelizave të mikroorganizmave.

Të ndërtuara në laborator, dhe jo më me të njëjtat viruse dhe baktere që duhet të luftojnë, por vetëm me një pjesë të molekulave të tyre apo me antigjene specifike, sot vaksinat e vjetra janë përmirësuar, ndërsa ato të gjeneratës më të fundit, janë në gjendje të luftojnë dhe të mposhtin sëmundjet e reja dhe vdekjeprurëse si Ebola. Dhe tani bota po pret të mësojë, se kur shkenca do të prodhojë vaksinën kundër Covid-19./ focus.it–Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE
Lajme të Rekomanduara: