Connect with Us

Korrupsioni dhe taksat, pengesë për investimet e huaja në Shqipëri

Ekonomi

Korrupsioni dhe taksat, pengesë për investimet e huaja në Shqipëri

Publikuar

-

Investimet e huaja në Shqipëri shumë shpejt pritet të hyjnë në një fazë vështirësie. Dy projektet e mëdha me ndikim afro 60% në totalin prej mbi 1 miliard euro të shifrës së investimeve të huaja direkte, janë drejt përfundimit dhe qeverisë do të duhet t’i zëvendësojë me projekte ambicioze. Komuniteti i investitorëve dhe përfaqësues të opozitës raportojnë disa probleme, që përbëjnë pengesë në terheqjen e kapitalit të huaj, si korrupsioni, taksat e larta, siguria ligjore, ndryshimet e shpeshta të ligjit fiskal, problemet me pronën etj, ndërsa qeveria angazhohet për përimirësimin e klimës së biznesit përmes forcimit të institucioneve dhe kuadrit ligjor.

Investimet janë një burim i rëndësishëm i fluksit të parasë dhe të kapitalit në ekonomi . Por megjithë përpjeket e qeverive të ndryshme për tërheqjen e kapialit të huaj Shqipëria mbetet e fundit në rajon. Përfaqësues të investitorëeve të huaj raportojnë barriera të shumta, në ushtrimin e aktivitetit të tyre. Zyrtarët thonë se investimet e huaja direkte kanë një trend në rritje, dhe kapën një shifër mbi 1 miliard euro në vitin 2018, që sipas opozitës nuk tregon realitetin.

“Nga viti 2013 deri në vitin 2018 për investimet e huaja kanë patur një ndikim të drejtpërdrejtë Tap dhe Devolli, por 60% e kësaj vlere janë këto dy investime. Tap-i ka përfunduar 90% të investimit të tij këtë vit, dhe nga viti tjetër ai stopon. E njëjtja gjë ndodh dhe me Devollin. Ky është një problem shumë serioz për ekonominë shqiptare, sepse nuk e dimë akoma me çfarë do të zëvendësohen”- thotë Jorida Tabaku, anëtare e kryesisë së PD.

“Trendi i invesitmeve të huaja në Shqipëri këto vite ka qenë në rritje, por shumë shpejt do duhet të zëvendësojmë këto investime të mëdha me investime të tjera. Ajo që po mundohemi të bëjmë është të ndryshojmë qasje. Nga qasja në pritje në prtitje të investimeve të huaja, ne duam të bëjmë një qasje proaktive”- pohon Eduard Shalsi, Ministër shteti për mbrojtjen e sipërmarrjes.

“ Qeveria shqiptare nuk ka treguar se cilat janë prioritetet e saj, nuk ka ftuar investitorët e huaj dhe nuk ka absolutisht asnjë plan të ngjashëm, për të zëvendësuar Tap-in dhe Devoll-in me një investim të përmasave të tilla”- shprehet Jorida Tabaku, anëtare e kryesisë së PD.

“Janë disa projekte në fakt që po analizohen për t’ua paraqitur investitorëve të huaj. Kemi hidrocentralin e Skavicës, një investim rreth 350 milion euro. Nga ana tjetër kemi projektin Adriatik Pipeline që kërkon të lidhë Shqipërinë më Kroacinë. Në këtë funksion edhe Tec-in e Vlorës, kërkojmë të lidhim me Tap-in. Gjithashtu në zonën e Dumresë po studiohet për ndërtimin e një depozite të madhe gazi. Ndërkohë ka projekte siç është ai i një rafinerie shumë të madhe të përpunimit të naftës në Durrës”- shpjegon ​Eduard Shalsi, Ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes .

Investitorët shohin në Shqipëri një treg të vogël, dhe investimet e tyre i planifikojnë në një kontekst rajonal, ku Shqipërisë i duhet të konkurojë me vendet e Ballkanit perëndimor.

“Në lidhje me konkurimin Shqipëria performon shumë dobët. Amerika ka qenë partneri i 8-të i Shqipërisë në vitin 2017 dhe është tani në këtë moment partneri i 10-të, pra kemi një rënie. Ditët e fundit është diksutuar shumë raporti i Bankës Botërore i 2020-ës, Doing Business. Një nga diskutimet kryesore ka qenë diskutimi global dhe rënia që Shqipëria ka patur në lidhje me renditjen globale”- pohon Enio Jaço, President i Dhomës Amerikane të Tregëtisë.

“Ka 11 kritere raporti Doing Business dhe pjesa më e madhe e kritereve tregojnë që nuk ka përmirësim të klimës së biznesit. Janë dy elementë që meritojnë të analizohen. Një lidhur me mosfunksionimin e bursës në Shqipëri dhe një tjetër me kontratat dhe rolin e përmbaruesve”- thotë Eduard Shalsi, Ministër shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes .

“Një nga gjërat e tjera të rëndësishme që është anashkaluar në diksutime, është renditja rajonale e Shqipërisë. Shqipëria konkuron në vendin e fundit ose të parafundit” – thotë Enio Jaço, President i Dhomës Amerikane të Tregëtisë.

“Kudo ku kemi shkuar dhe kemi konkuruar më vendet e tjera të rajonit, fatkeqësisht kemi humbur. Unë dua të kujtoj vetëm Samitin e Poznanit. Investimet e Maqedonisë së Veriut, të Bosnjë-Hercegovinës të Serbisë kanë qenë investime konkrete në energji dhe në infrastrukturë. Por çfarë ndodhi me Shqipërinë. Nuk kishte absolutisht asnjë investim sepse Shqipëria nuk dorëzoi asnjë paketë investimesh”- shprehet Jorida Tabaku, anëtare e kryesisë së PD.

“Ajo që është në dorën tonë ka të bëjë me përmirësimin e klimës së biznesit, me ofrimin e shërbimeve moderne për investitorët, me rregullimin e kuadrit ligjor me forcimin e kuadrit institucional. Kemi nevojë për institucione të forta profesionale dhe dinjitoze”- shprehet Eduard Shalsi, Ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes

Megjithë përpjekjet e qeverisë investitorët e huaj kanë disa probleme ende të pazgjidhura. Më e forta renditet ajo e korrupsionit e nënvizuar dhe në raportin e departamentit amerikan të shtetit.

“Korrupsioni në Shqipëri, në lidhje me klimën e biznesit dhe vendosjen e investimeve ka qenë i përhapur. Në fakt kemi raste investitoresh që kanë ardhur, janë munduar, kanë patur orientimin pozitiv për të investuar në Shqipëri, por janë ndeshur ose me korrupsionin ose me pegnesa të ndryshme ligjore dhe proçeduriale, të cilat herë kanë qënë të lidhura me korrupsionin e herë jo, por në fund kanë shkaktuar largimin e investitorëve”- shprehet Enio Jaço, President i Dhomës Amerikane të Tregëtisë.

“Do të ishte e padrejtë të mos binim dakort me një pjesë të konstatimeve, por ilaçi më i mirë është reagimi ndaj fenomeneve që vihen re, dhe këto fenomene luftohen përmes dy komponentëve, rritjen e transparencës dhe rritjen e konkurueshmërisë”-pohon Eduard Shalsi, Ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.

“Një element tjetër që e citon raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit janë lidhjet politike. Sepse sot tenderat dhe konçensionet sipas DASH-it i marrin kompani të lidhura me shtetin. Por edhe nëse ke marrë një tender dhe një konçension, përsëri duhet që nënkontraktor të marrësh po kompani të lidhura me shtetin”- thotë Jorida Tabaku, anëtare e kryesisë së PD.

“Kemi patur kërkesa tek investitorët tanë për të marrë nënkontraktorë të deleguar nga zyrtarë të ndryshëm, gjë që kanë raste tipike korrupsioni. Pra ky është një nga problemet themelore masive që ne kemi”- thotë Enio Jaço, President i Dhomës Amerikane të Tregëtisë.

“Ajo që mund të them është vendosmëria e qeverisë për të luftuar fenomenet duke përmirësuar kuadrin ligjor dhe kuadrin institucional”- thotë Eduard Shalsi, Ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes

Përfaqësaues të investitorëve të huaj në Shqipëri mendojnë se ka dhe disa problemtika të tjera pengesë në rrugën e tyre të investimeve.

“Fusha të tjera të përmendura në raportin e Bankës Botërore që perceptohet e vështirë dhe e komplikuar për vendin, është regjistrimi i pronës. Regjistrat kadastralë kanë mangësi dhe nevojë për përmirësim dhe për këtë arsye vendi ka një rrugë të gjatë për të bërë në këtë fushë me synimin për ta zgjidhur atë”- thotë Tom Kristian Larsen, kryetar i bordit të Shoqatës së Investitorëve të Huaj

“Jemi në fazën e diskutimit të një ligji për investimet, por një ligji të unifikuar. Do të prezantojmë dhe disa përmirësime nisur dhe nga çfarë nuk ka shkuar mirë gjatë këtyre viteve në Shqipëri”- thotë Eduard Shalsi, Ministër shteti për mbrojtjen e sipërmarrjes.

“ Për të qenë të sinqertë problemet vijnë kur kemi të bëjmë me institucionet publike, me gatishmërinë për të dhënë dokumentat, kohën e pakët për të vlerësuar tenderat, si dhe ndryshimin e shpeshtë të ligjit fiskal”- thotë Silvio Pedrazzi, Këshilltar i “Confindustria Albania”.

“Një nga shqetësimet e vazhdueshme të bizneseve të huaja apo vëndase ka qenë dhe ndryshimi shpeshtë i kuadrit fiskal. Kemi marrë një vendim që nuk do ketë paketë fiskale çdo fundviti, por çdo 4-5 vjet dhe kjo do të krijojë një kohë të mjaftueshme për të analizuar me detaje por dhe për të kalkuluar më me pjekuri pasojën e vendimeve apo ndryshimeve fiskale”- argumenton Eduard Shalsi, Ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes

“Struktura e taksave, që ka Shqipëria sot për momentin, është një progresive. Qeveria e lançoi si sukses, por fatkeqësisht ka rezultuar se 97% e bizneseve dhe e qytetarëve paguajnë taksa më të rritura”- thotë Jorida Tabaku, anëtare e kryesisë së PD.

“Sondazhet e fundit në Shqipëri tregojnë se pjesa më e madhe e biznesit nuk ka problem me nivelin e taksave, përkundrazi janë të kënaqur, por ka problem me proçedurat burokratike me sorollatjet me shpeshherë administratën publike jo në nivelin që ne kërkojmë”- pohon Eduard Shalsi, Ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.

“Ndërkohë duhet të them edhe një problematikë me të cilën investitorët italianë përballen në përditshmëri, kur kërkojnë përgjigje apo edhe sqarime të thjeshta nga institucionet. Jepet përshtypja se institucionet janë si të përhumbura në burokracira, gjë që edhe e karakterizon këtë vend”- thotë Silvio Pedrazzi, Këshilltar i “Confindustria Albania”.

“Nëse ka diçka ku jemi fokusuar, është përmirësimi i shërbimeve ndaj biznesit i cili vazhdimisht e thekson dhe këtu kemi shumë gjëra për të cilat ndjehemi krenar që i kemi bërë, por ka dhe gjëra të tjera që meritojnë t’i korigjojmë, rregullojmë apo përmirësojmë”- shprehet Eduard Shalsi, Ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.

Disa probleme të tjera të evidentuara nga investitorët e huaj lidhen respektimin e kontratave dhe gjyqet në arbitrazh. KLSH llogarit një borxh të qeverisë ndaj bizneseve në një vlerë prej 150 milion euro.

“Ajo që ne po përpiqemi me shumë mund të bëjmë është pikërisht forcimi i institucioneve, i kapaciteteve, burimeve njerëzore të administratës për të shmangur në të ardhmen konflikte të tilla”- thotë Eduard Shalsi, Ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.

Megjithë vështirësitë investitorët thonë se Shqipëria ka potenciale më të mëdha për investime.

“Shqipëria mund të renditet në vendin e parë ose të dytë në Ballkanin perëndimor dhe mund të tërheqë shumë të mëdha investimesh. Pra ka një potencial të lartë. Dhoma Amerikane e Tregëtisë ka filluar një inisiativë shumë të rëndësishme, e cila do lançohet vitin që vjen që synon përmirësimin e klimës së investimeve në Shqipëri”- shprehet Enio Jaço, President i Dhomës Amerikane të Tregëtisë.

“Besoj se qeveria në shumë raste është e hapur që të tilla ndërveprime të ndodhin, të dëgjojnë qëndrimet e bizneseve dhe shqetësimet e tyre në lidhje me ndryshimet që po ndodhin”- thotë Tom Kristian Larsen, kryetar i bordit të Shoqatës së Investitorëve të Huaj

“ Shqipëria duhet që të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur reformën në drejtësi, sepse mungesa e një sistemi gjyqësor penalizon ekonominë në të gjitha nivelet, krizat politike ndikojnë gjithmonë mbi ekonominë. Kriza aktuale po zgjat ca si tepër dhe duhet me domosdo të zgjidhet shpejt. Kështu që të gjithe ne, sipërmarrës dhe politikanë duhet të impenjohemi që ky moment të mbetet pas shpine përndryshe ekonomia do ta paguajë shtrenjtë”- thotë Silvio Pedrazzi, Këshilltar i “Confindustria Albania”.

Komuniteti i investitorëve të huaj në Shqipëri është krejt i qartë në konstatime dhe kërkesa. Situata nuk është ajo që do donin të ishte, por sërish ata mbeten optimistë se Shqipëria do ja dalë të jetë konkuruese mes vendeve të Ballkanit Perëndimor./VOA

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekonomi

Amnistia fiskale dhe penale për punë të “ndershme”!

Publikuar

-

Nga

Qëllimi i amnistisë fiskale nuk duhet të jetë formalizimi apo ligjërimi i asaj çfarë është bërë gabim në të kaluarën, por paraqitja e një vizioni të ri të Qeverisë në përmirësimin e besueshmërisë në vendosjen e marrëdhënieve midis publikes dhe privates në të ardhmen.

Nga Elivar Golemi

Qeveria shqiptare ka kaluar në konsultim publik projektligjin për amnistinë fiskale dhe penale për subjektet që bëjnë deklarim vullnetar të pasurive [1], duke i hapur rrugën miratimit të procedurës në Kuvend, pavarësisht qëndrimit të përsëritur kundër nga ana e ekspertëve të FMN-së.

Por cili është qëllimi i këtij projektligji? Referuar relacionit përcjellës, ligji synon “formalizimin e aktiviteteve të krijuara gjatë 30 viteve të fundit, ligjërimin e pasurive të padeklaruara dhe/ose të paregjistruara, rivlerësimin e pasqyrave financiare, si dhe aplikimin e një tatimi favorizues për pasuritë e deklaruara vullnetarisht.”

Kjo procedurë synohet të kryhet nëpërmjet garantimit me ligj të ruajtjes së sekretit dhe të informacioneve që lidhen me këto pasuri dhe mosfillimit të procedurave administrative dhe procedimeve penale ndaj subjekteve që nuk kanë bërë deklarimin e të ardhurave në kohë.

Pra, pavarësisht se Shqipëria ka pasur një procedurë të mëparshme të amnistisë fiskale dhe faljes së detyrimeve tatimore në vitin 2011, duket se projektligji aktual nuk i merr në konsideratë rezultatet e procedurës së mëparshme, por përfshin si objekt të amnistisë të gjithë periudhën 30-vjeçare të tranzicionit, duke e bërë edhe më të vështirë dhe kompleks monitorimin e procedurës së deklarimit vullnetar për moslejimin e parave të organizatave kriminale të qarkullojnë në mënyrë ligjore në ekonomi.

Kush përfiton nga ky projektligj? “Të gjithë individët shtetas të Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nëse janë rezidentë tatimorë ose jo në Republikën e Shqipërisë, personat fizikë dhe juridikë tatimpagues rezidentë në Republikën e Shqipërisë, si dhe individët rezidentë tatimorë në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht shtetësisë së tyre.”

Pra, qeveria synon të ofrojë amnisti fiskale të plotë, pa një target grup të caktuar, ku mund të përfshihen të gjithë shtetasit shqiptarë, qofshin rezidentë apo emigrantë, si dhe të gjithë rezidentët e huaj të vendosur në Shqipëri. Përjashtim nga amnistia bëjnë vetëm kategoria e personave politikisht të ekspozuar, identifikuar sipas legjislacionit shqiptar, në kushtet kur kryejnë detyra shtetërore në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit për amnistinë, si dhe personat e inkriminuar apo të përfshirë në financimin e terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Nga projektligji nuk del qartë nëse përjashtohen nga amnistia fiskale personat e ekspozuar politikisht, të cilëve u ka mbaruar mandati përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji (nëse po sa është ky afat), duke krijuar në këtë mënyrë një hapësirë ligjore për pastrim parash të krijuara nga individët gjatë kryerjes së detyrave të lidhura me pushtetin.

Në deklaratën e datës 1 Korrik 2020, në përfundim të takimeve të zhvilluara me përfaqësuesit e qeverisë, FMN ka publikuar gjetjet paraprake të misionit, ku ndër të tjera adreson kritika ndaj masave fiskale të propozuara rishtazi nga qeveria, në mungesë të një programi të besueshëm buxhetor afatmesëm, duke ritheksuar gjithashtu qëndrimin e saj kundër projektligjit për amnistinë fiskale, pasi miratimi i tij do të cenonte përmbushjen e detyrimeve tatimore. Si gjetje e misionit evidentohet fakti se Qeveria Shqiptare aktualisht nuk ka sisteme efektive për të zbuluar evazionin fiskal dhe për të parandaluar pastrimin e parave dhe korrupsionin në vend.

Problemet me krimin e organizuar dhe pastrimin e parave në vend janë reflektuar edhe në vlerësimet ndërkombëtare të “Moneyval”, duke e renditur Shqipërinë në shkurt të këtij viti në listën e vendeve “gri”, të cilët kanë mangësi strategjike në parandalimin e pastrimit të parave dhe krimit të organizuar, përkrah vendeve të tjera si Barbadosi, Xhamajka, Mauritius, Mianmar, Nikaragua, Uganda.

Por siç duket, gjetjet dhe rekomandimet e vazhdueshme të FMN-së dhe autoriteteve të tjera ndërkombëtare nuk kanë marrë vëmendjen e duhur nga ana e qeverisë, e cila e gjendur me arkën bosh dhe borxhin në rritje, e sheh përshpejtimin e procedurave të amnistisë fiskale si një varkë shpëtimi afatshkurtër për të mbledhur ca të ardhura nga ekonomia informale.

Ky fakt konstatohet edhe nga relacioni përcjellës i projektligjit, ku grupi i punës referon se ligji për amnistinë fiskale nuk është parashikuar në programin e akteve që do të paraqiten për shqyrtim në Këshillin e Ministrave gjatë vitit 2020, dhe nuk synon përafrimin me ndonjë dispozitë të veçantë ligjore të Komisionit Europian.

Procedurat e amnistisë fiskale, të njohura ndryshe si procedura të deklarimit vullnetar të pasurisë janë praktika të njohura dhe të zbatuara në shumë vende të botës. Sipas një raporti të OECD-së, nëse këto procedura hartohen me kujdes dhe bazuar në strategji afatgjata, mund të sjellin dobi në ekonomi. Sipas studimeve të FMN-së, në shumicën e rasteve, vendet nuk heqin dorë nga mbledhja e taksave dhe interesave në hartimin e procedurave të deklarimit vullnetar të pasurisë, pasi “programet e amnistisë tatimore nuk kanë gjasa të japin përfitime afatgjata që tejkalojnë kostot e ekonomisë informale”, duke ndikuar negativisht në pajtueshmërinë afatgjatë me politikat fiskale.

Eshtë shumë e rëndësishme që të krijohet një balancë midis ofrimit të stimujve për vetëdeklarim të pasurisë informale, nga ana e subjekteve që kanë shmangur zbatimin e ligjit ndër vite, por pa e inkurajuar një sjellje të tillë.

Në njoftimin e Ministrisë së Financave komunikohet se ky projektligj i jep mundësinë të gjithë individëve dhe subjekteve (pra pa një grup fokus të caktuar) që të legalizojnë të ardhurat dhe pasuritë e padeklaruara ndër vite. Nëse qeveria ka vendosur t’i japë mundësinë sot, të gjithë subjekteve që kanë shkelur ligjin ndër 30 vite, duke e komunikuar si një procedurë që i lejon shkelësit e ligjit të gëzojnë të lirë pasuritë e krijuara nga “puna e ndershme” pa paguar taksat, interesat dhe penalitetet që burojnë nga legjislacioni shqiptar, atëherë cili do të jetë stimuli për të gjithë subjektet e tjera që i kanë paguar taksat dhe detyrimet ligjore në kohë?

A është kjo qasja e duhur për të komunikuar një masë të tillë ekstreme, që bart rrezikun e nxitjes së subjekteve të tjera të shmangin detyrimet fiskale në pritje të amnistisë fiskale të ardhshme? Strategjia e komunikimit të amnistisë fiskale ka një rëndësi të veçantë për të arritur efektivitetin e aplikimit të një procedure të tillë komplekse dhe sfiduese për ekonominë e vendit.

Si konkluzion mund të themi se amnistia fiskale u propozua nga Qeveria si një masë emergjente, pas pasojave të tërmetit ose gjatë krizës pandemike, por pa një vizion të qartë për ecurinë dhe rezultatet e pritshme. Dukshëm kjo masë e propozuar nuk bazohet në një studim apo analizë të thelluar të tregut informal. Nga ana e Qeverisë nuk janë hartuar objektiva të qarta strategjike apo një program mbështetës afatmesëm për menaxhimin e politikave fiskale pas procedurës së amnistisë fiskale. Amnistia nuk mund dhe nuk duhet të përdoret nga qeveritë si një instrument afatshkurtër për të mbushur arkën në ditë të vështira.

Qeveria duhet të plotësojë fillimisht kushtet për disiplinimin e politikave buxhetore dhe fiskale, përpara ndërmarrjes së nismave të tilla shumë komplekse, me efekte negative për sa i përket besimit në të ardhmen të taksapaguesve të rregullt në ekonominë shqiptare. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të ofrohet garancia e nevojshme përpara qytetarëve, investitorëve dhe institucioneve vlerësuese ndërkombëtare, që pas ndërmarrjes së një procedure të tillë aspak të zakonshme, Qeveria do të jetë plotësisht e angazhuar dhe e aftë të adresojë problematikat e informalitetit, pastrimit të parave dhe kriminalitetit në vend.

Qëllimi i amnistisë fiskale nuk duhet të jetë formalizimi apo ligjërimi i asaj çfarë është bërë gabim në të kaluarën, por paraqitja e një vizioni të ri të Qeverisë në përmirësimin e besueshmërisë në vendosjen e marrëdhënieve midis publikes dhe privates në të ardhmen./ Monitor

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

FMN/ Tre grafikë që tregojnë se si ka ndikuar izolimi në ekonominë globale

Publikuar

-

Nga

FMN/ Tre grafikë që tregojnë se si ka ndikuar izolimi në ekonominë globale

Në të gjithë botën, vendet kanë filluar të dalin nga bllokimi i COVID-19. Megjithëse masat izoluese kanë shpëtuar mijëra jetë, ato kanë rezultuar në një krizë ekonomike që pritet të jetë ndryshe nga gjithçka që ka parë bota më parë. Gita Gopinath e FMN-së shpjegon ndikimin e Bllokimit të Madh.

Bllokimi i Madh pritet të zhvillohet në tre faza, së pari pasi vendet hyjnë në bllokim, më pas kur dalin, dhe më në fund, pasi shpëtojnë nga bllokimi, kur gjendet një zgjidhje mjekësore për pandeminë, shkruan Forumi Ekonomik Global.

Shumë vende janë tani në fazën e dytë, atë të rihapjes, me shenja të hershme të rimëkëmbjes, por me rreziqe të një vale të dytë infeksioni dhe rivendosjen e masave izoluese. Në aspektin ekonomik, shkalla e dëmit të izolimit global, është mjaft e rëndë. Më tragjikisht, kjo pandemi tashmë ka marrë me qindra mijë jetë në të gjithë botën. Kriza ekonomike që rezulton është e ndryshme nga çdo gjë që ka parë bota më parë.

Kjo është një krizë me të vërtetë globale. Krizat e kaluara, sado të thella dhe të rënda që ishin, mbetën të kufizuara në segmente më të vogla të botës, nga Amerika Latine gjatë viteve 1980, në Azi në vitet 1990. Edhe kriza globale financiare 10 vjet më parë, pati efekte më modeste në prodhimin global.

Për herë të parë që nga Depresioni i Madh, si ekonomitë e përparuara dhe ato në zhvillim, do të jenë në recesion në vitin 2020. Azhurnimi i ardhshëm i perspektivave të ekonomisë botërore në muajin qershor, ka të ngjarë të tregojë norma negative të rritjes, edhe më të këqija sesa vlerësohej më parë. Kjo krizë do të sjellë pasoja shkatërruese për të varfrit e botës.

Përveç shkallës së papërsëritshme, izolimi global po shpaloset në mënyra që janë shumë të ndryshme nga krizat e kaluara. Këto karakteristika të pazakonta po shfaqen në të gjithë botën, pavarësisht nga madhësia, rajoni gjeografik ose struktura e prodhimit të ekonomive.

Së pari, kjo krizë ka shkaktuar një goditje të madhe në sektorin e shërbimeve. Në krizat e zakonshme, barra mbartet nga sektori i prodhimit, duke reflektuar një rënie të investimeve, ndërsa efekti në shërbime është përgjithësisht i heshtur, pasi kërkesa për konsum ndikohet më pak. Kësaj radhe është ndryshe. Në muajt e pikut të izolimit, tkurrja në sektorin e shërbimeve ka qenë edhe më e madhe sesa në prodhim, dhe ajo shihet në ekonomitë e përparuara dhe ato në zhvillim. Ekzistojnë përjashtime – si Suedia dhe Tajvani, që ndoqën një qasje të ndryshme për krizën shëndetësore, duke kufizuar masat e kontrollit të qeverisë dhe si pasojë shërbimet pësuan një goditje më të lehtë në krahasim me prodhimin.

Eshtë e mundur që me kufizimin e kërkesës së konsumatorit do të ketë një rimëkëmbje më të shpejtë, ndryshe nga krizat e mëparshme. Sidoqoftë, kjo nuk është e garantuar në një krizë shëndetësore, pasi konsumatorët mund të ndryshojnë sjelljen e shpenzimeve për të minimizuar bashkëveprimin shoqëror, dhe pasiguria mund të bëjë që familjet të kursejnë më shumë.

Në rastin e Kinës, një nga vendet që e hoqi më shpejt karantinën, rimëkëmbja e sektorit të shërbimeve është më e ngadaltë se ajo e prodhimit, sepse shërbime si hoteleria dhe udhëtimi nuk po arrijnë të rifitojnë kërkesën. Një shqetësim i veçantë është ndikimi afatgjatë në ekonomitë që mbështeten në mënyrë të konsiderueshme nga shërbime të tilla – për shembull, ekonomitë që varen nga turizmi.

Së dyti, pavarësisht tronditjeve të mëdha në furnizim që janë unike për këtë krizë, përveç inflacionit ushqimor, deri tani kemi parë një rënie të inflacionit dhe pritjeve të inflacionit në përgjithësi, si në ekonomitë e përparuara dhe ato në zhvillim. Pavarësisht mbështetjes së konsiderueshme monetare dhe fiskale, konvencionale dhe jo konvencionale në të gjithë globin, kërkesa agregate mbetet e ndrydhur dhe po rëndon inflacionin, krahas çmimeve të ulëta të mallrave. Me papunësinë e lartë që parashikohet të vazhdojë për njëfarë kohe, vendet me besueshmëri të lartë në politikën monetare ka të ngjarë të kenë rreziqe të vogla në inflacion.

Së treti, shohim një divergjencë të habitshme të tregjeve financiare nga ekonomia reale, me tregues financiarë që tregojnë perspektiva të forta të një rimëkëmbjeje, ndryshe nga çfarë sugjeron aktiviteti real. Pavarësisht korrigjimit të fundit, S&P 500 ka rifituar pjesën më të madhe të humbjeve që nga fillimi i krizës; indeksi i tregut në zhvillim FTSE dhe indeksi i Afrikës janë përmirësuar ndjeshëm; Bovespa u ngrit në mënyrë të konsiderueshme pavarësisht rritjes së fundit të shkallës së infeksionit në Brazil; dhe flukset monetare në ekonomitë në zhvillim janë stabilizuar.

M

e pak përjashtime, rritja e shpërndarjes së garancisë sovrane dhe zhvlerësimi i monedhave të tregjeve në zhvillim, janë më të vogla se ato gjatë krizës financiare globale. Kjo është e dukshme po të marrim parasysh shkallën më të madhe të tronditjes në tregjet në zhvillim gjatë Bllokimit të Madh.

Kjo divergjencë mund të sjellë paqëndrueshmëri më të mëdha në tregjet financiare. Lajmet më të këqija shëndetësore dhe ekonomike mund të çojnë në korrigjime të mprehta. Do të kemi më shumë për të thënë në lidhje me këtë divergjencë në Raportin e Stabilitetit Global Financiar.

Një faktor i mundshëm që qëndron pas kësaj divergjence, është reagimi më i fortë i politikës monetare gjatë kësaj krize. Politika monetare është bërë mjaft akomoduese, me mbështetje të jashtëzakonshme nga bankat qendrore, dhe lehtësime monetare në tregjet në zhvillim, përfshirë përdorimin për herë të parë të politikave jokonvencionale.

Politikat fiskale diskrecionale kanë qenë të mëdha në ekonomitë e përparuara. Tregjet në zhvillim kanë vendosur ndihma më të vogla fiskale, të kufizuara në njëfarë mase edhe nga hapësira e kufizuar fiskale. Për më tepër, një sfidë unike me të cilën duhet të përballen tregjet në zhvillim këtë herë, është se sektori informal, zakonisht një ekuilibrues i shokut, nuk ka qenë në gjendje të luajë këtë rol nën politikat e kontrollit dhe, në fakt, ka kërkuar mbështetje. Tani jemi në fillimet e fazës së dytë, pasi shumë vende kanë nisur të lehtësojnë politikat e kontrollit dhe gradualisht po lejojnë rifillimin e aktivitetit ekonomik. Por mbetet një paqartësi e thellë në lidhje me rrugën e rimëkëmbjes.

Një sfidë kryesore për të shpëtuar nga Bllokimi i Madh, do të jetë sigurimi i prodhimit të mjaftueshëm dhe shpërndarjes së duhur të vaksinave dhe trajtimeve kur të bëhen të disponueshme – dhe kjo do të kërkojë një përpjekje globale. Për vende të veçanta, minimizimi i pasigurisë shëndetësore duke përdorur mënyra më pak shkatërruese ekonomikisht si testimi, gjurmimi dhe izolimi, të përshtatura sipas rrethanave specifike të vendit dhe me një komunikim të qartë për rrugën e politikave, duhet të mbetet një përparësi në forcimin e besimit në rimëkëmbjen ekonomike. Teksa rimëkëmbja përparon, politikat duhet të kujdesen për rialokimin e punëtorëve nga sektorët në tkurrje, në sektorë me perspektivë më të fortë.

FMN-ja, në koordinim me organizatat e tjera ndërkombëtare, do të vazhdojë të bëjë gjithçka që mundet për të siguruar një likuiditet të mjaftueshëm ndërkombëtar, për të siguruar financim urgjent, për të mbështetur nismën e G20-s për pezullimin e shërbimit të borxhit dhe për të ndihmuar vendet të menaxhojnë një barrë të tolerueshme borxhi. FMN-ja gjithashtu do të mundësojë këshilla dhe mbështetje, përmes mbikëqyrjes dhe zhvillimit të kapaciteteve, për të ndihmuar në përhapjen e praktikave më të mira, pasi shtetet mund të mësojnë nga njëri-tjetri gjatë kësaj krize të pashembullt./Monitor

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

Eurostat: Shqipëria dhe Bullgaria, vendet me rënien më të madhe në përqindje të popullsisë në Europë

Publikuar

-

Nga

Eurostat: Shqipëria dhe Bullgaria, dy shtetet më rënien më të madhe në përqindje të popullsisë në Europë

Sot është Dita Botërore e Popullsisë. Eurostat ka publikuar të dhënat e ndryshimit të popullsisë për vendet e Bashkimit Europian dhe shteteve të tjera të Europës.

Bullgaria dhe Shqipëria rezultojnë dy shtetet që kanë shënuar rënien më të fortë në përqindje të popullsisë, në 1 janar 2020, krahasuar me 1 janar 2019, përkatësisht me -7% dhe -5.8%.

Më pas renditet Serbia (-5.3%) dhe Rumania (-5%).

Të dhëna të mëparshme të Eurostat dhe INSTAT (për Shqipërinë) tregojnë se në Shqipëri arsyeja e rënies së popullsisë lidhet me reduktimin e shtesës natyrore, që gjithsesi ende mbetet pozitive dhe sidomos migracionit të lartë neto negativ.

Sipas Eurostat, shtesa natyrore e popullsisë ishte 2.3% në janar 2020 kundrejt 1 janar 2019, ose 6.6 mijë lindje më shumë sesa vdekje, që është më e ulëta të paktën që nga vitet ’90, sipas të dhënave të tjera të INSTAT.

Ndërsa për Serbinë, tendenca negative e popullsisë është e lidhur me shtesën natyrore negative (vendi ka më shumë vdekje dhe lindje), ndërsa migracioni neto është pothuajse zero. Sipas Eurostat Serbia kishte një rënie të shtesës natyrore me 5.3% për periudhën në fjalë.

Totali i popullsisë së BE (me 27 anëtarë, pa britaninë) është 447.7 milionë banorë në 1 janar 2020, ose 9.9 milionë banorë më shumë nga 1 janari 2019. Rritja ka ardhur për shkak të migracionit neto pozitiv, ndërsa shtesa natyrore është negative me -1.1%. Shtetet me rënien më të lartë natyrore të popullsisë janë Bullgaria, Greqia, Italia, Kroacia etj.

4.7 milion vdekje janë regjistruar në BE në vitin 2019, 0.9% më pak se një vit më parë. Norma më e ulët e vdekjeve është regjistruar në Irlandë (6.3 për 1 000 banorë). Norma të ulëta janë regjistruar edhe në Qipro (6.8), Luksemburgu (6.9 ‰), Maltë (7.3.), Dhe Suedia (8.6.). Në të kundërt, niveli më i lartë i vdekjeve është regjistruar në Bullgari (15.5.), e ndjekur nga Letonia (14.5.), Lituania (13.7), Rumania (13.4 ‰) dhe Hungaria (13.3.).

Shqipëria, sipas përllogaritjeve, kishte një vdekshmëri prej 7.7 personash për 1,000 banorë, më e ulët se mesatarja e BE-së, prej 10.4 për 1,000 banorë./Monitor

LEXO TE PLOTE