LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Mishi i infektuar po mbush tryezat e shqiptarëve/ AKU jep alarmin

16 Nëntor 2019, 17:28, Sociale CNA
Mishi i infektuar po mbush tryezat e shqiptarëve/ AKU jep alarmin

Gazeta- Ora dhe portal Rehatfare.al vijojnë të hedhin dritë në lidhje me skandalin e madh që ka ndodhur në vendin tonë për 25 ton mish të bllokuar në portin e Durrësit, mish i cili rezultoi i infektuar me salmonelë dhe E.Coli.

Dje, Gazeta-Ora publikoi emrin e subjektit privat që ka futur këtë sasi të madhe mishi në vendin tonë, mish i importuar nga Qipro.

Gazeta-Ora, ka siguruar nga burimet e saj, raportin e plotë ku thuhet se 25 ton mish i infektuar me salmonelë dhe E.Coli, është bllokuar në Durrës dhe i përket pikërisht subjektit EHW.

Ky skandal, është munduar të sheshohet deri sa të harrohet dhe mishi i infektuar të hidhet në treg.

Prej 70 ditësh, kjo sasi e madhe e mishit është e bllokuar në portin e Durrësit dhe ende kompania EHW nuk e ka asgjësuar, por si duket pret momentin e duhur për ta nxjerrë nga bllokimi dhe ta hedhë në treg.

Sipas ligjit, AKU-ja bllokoi 25 ton mish të infektuar, pasi bëri analizat pranë ISUV. Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy muaj, ky mish qëndron i bllokuar në kushte frigoriferike dhe nuk është asgjësuar.

Sipas kuadrit ligjor, AKU ka kërkuar që 25 ton mish të asgjësohen ose të rikthehen në vendin e origjinës.

Fotot që shikoni më poshtë, janë shkëputur nga raporti zyrtar i AKU-së ku duket qartë emri i subjektit EHW dhe përgjigjia e analizave të ISUV ku theksohet qartë se ka infeksion të salmonelës dhe të E.Coli-t.

Në lidhje me këtë skandal asnjë nga instancat shtetërore nuk ka reaguar dhe nuk ka gjobitur kompaninë private. As ministria e Bujqësisë, organi më i lartë që ka për detyrë që të mbrojë shëndetin e konsumatorëve dhe është përgjegjëse për sigurinë ushqimore nuk ka reaguar për këtë mega-skandal.

Shqetësuese mbetet fakti që mishi nuk është asgjësuar, por mbetet ende i bllokuar dhe në momentin që ai futet në treg, pasojat do të jetë shumë të mëdha.

Ata që do ti vuajnë pasojat, janë padyshim konsumatorët shqiptarë të cilët në padijeninë e tyre mund të blejnë nga ky mish dhe rrezikojnë deri jetën e tyre./JOQ

Lajmet e fundit nga