Connect with Us

Dëshmia tronditëse/ Çfarë i kërkoi Sigurimi vëllait tim dhe pse e hodhi nga kati i tetë në 17 nëntor të ’86-ës

Histori

Dëshmia tronditëse/ Çfarë i kërkoi Sigurimi vëllait tim dhe pse e hodhi nga kati i tetë në 17 nëntor të ’86-ës

Publikuar

-

Publikohet dëshmia e rrallë të Hysen Bajramit me origjinë nga rrethinat e Gjakovës dhe me banim në qytezën e Mamurrasit që nga viti 1954 kur ata u detyruan të vendoseshin aty për shkak të përndjekjeve të regjimit titist të Beogradit. Cilët ishin oficerët e Sigurimit të Shtetit që lajmëruan në shtëpi për Sali Bajramin që duhej të paraqitej në Tiranë, si e morri vesh familja lajmin e vdekjes së tij në mënyrë tragjike dhe përse Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi iu bënte presion familjarëve të Sali Bajramit duke u thënë që ata të mos e kërkonin më …

Më 17 nëntor të vitit 1986 në shtëpinë e vëllait tim, Sali Bajramit, erdhi një punëtor operativ i Sigurimit të Shtetit, dhe i tha atij që të nesërmen duhej të paraqitje tek 15- katëshi në Tiranë. Po atë ditë, për këtë punë Saliun e kishte thërritur edhe punëtori tjetër operativ i Sigurimit, Kujtim Kuci, që ishte me shërbim këtu në Mamurras. Këto m’i tha vetë Saliu në darkë kur më thirri në shtëpinë e tij për të më treguar rreth asaj ç’ka i kishin thënë dy oficerët e sigurimit. Të nesërmen e asaj dite, Saliu bashkë me dy punonjësit e Sigurimit kanë udhëtuar për në Tiranë, gjë të cilën më pas na i konfirmuan shumë miq e dashamirës tanët që i kishin parë ata në tren.

Atë natë Saliu nuk u kthye në shtëpi dhe nga që u bëmë shumë merak se cfarë do t’i kishte ndodhur, djali i tij, Flamuri, shkoi në në Degën e Punëve të Brendëshme të Krujës, ku Pëllumb Kapo i tha: ”Nuk ka ndonjë gjë për t’u shqetësuar, Saliu është i sëmurë, do vizitohet dhe do të vij përsëri në shtëpi”. Nipi im, Flamuri shkoi edhe të nesërmen në Krujë për të pyetur për babanë e tij, por nuk mori asnjë përgjigje. Ditën e tretë në darkë disa punonjës të Sigurimit na njoftuan se Saliu kishte vdekur pasi ishte rrëzuar nga 15- katëshi dhe trupi i tij ndodhej në morgun e Tiranës”.

Njeriu që dëshmon për Memorie.al, është Hysen Bajrami nga Mamurrasi, i cili rrëfen atë ngjarje të largët të vitit 1986, kur në rrethana misterioze, humbi jetën vëllai i tij, Saliu. Po kush ishte Sali Bajrami, cila ishte e kaluara e tij dhe në ç’rrethana kishte ardhur ai në Shqipëri në vitin 1954 bashkë me vëllanë, Hysenin? Përse i kishin internuar ata fillimisht në fshatin Llakatund të Vlorës dhe për çfarë arsyesh ata nuk kishin pranuar të ktheheshin përsëri në Kosovë, kur nga Tirana i kishin njoftuar se Shqipëria i kishte rregulluar marrëdhëniet me Jugosllavinë? Ku kishin punuar dhe jetuar dy vëllezërit emigrantë kosovarë deri në vitin 1986 kur Saliu mbeti i vdekur në rrethana krejt misterioze duke rënë nga 15- katëshi në Tiranë, ku ishte thirrur nga Sigurimi i Shtetit?

Çfarë iu kërkua Saliut nga oficerët e Sigurimit dhe a u hodh vetë ai nga kati i tetë i Hotel “Tiranës” apo e hodhën ata që e kërkuan aty? Përse trupi i Saliut u vonua në morgun e Tiranës dhe iu dha familjes vetëm në momentet e fundit para ceremonisë mortore?! Përse Sigurimi i Shtetit hapi fjalë se Saliun e kishte hedhur nga 15- katëshi, hasmi i tij që kishte ardhur nga jashtë shteti dhe cilat ishin përgjigjet zyrtare që iu dhanë vëllait të Saliut, Hysen Bajramit, nga Dega e Brendëshme e Krujës, Prokuroria e Përgjithshme, Rajoni i Policisë Nr.3, Ministri i Brendshëm Hekuran Isai, Kuvendi Popullor dhe sekretari i Ramiz Alisë? Cfarë i tha Hysenit në vitin 1992 prokurori Arben Qeleshi për vdekjen misterioze të Sali Bajramit dhe pse u thërrit për dëshmitar Hysen Bajrami në gjyqin ndaj Hekuran Isait e Zylyftar Ramizit, e cila ishte përgjigja e ish-Ministrit të Brendëshëm kur Hyseni e pyeti se përse ia kishin vrarë vëllanë? Lidhur me këto e fakte të tjera nga ajo ngjarje e largët e vitit 1986, na njeh intervista e Hysen Bajramit ekskluzive për Memorie.al.

Zoti Hysen, ku keni lindur ju dhe cila është origjina e familjes tuaj?

Kam lindur në vitin 1931, në fshatin Greçinë i cili ndodhet në rrethinat e Gjakovës në Kosovë, prej nga është edhe origjina e familjes sonë.

A ka qenë e njohur familja juaj në atë krahinë dhe me çfarë është marrë ajo gjatë kohës që ju keni qenë në Kosovë?
Familja jonë ka qenë jo pak e njohur në rrethinat e Gjakovës, ku kemi jetuar dhe ajo njihej me emrin e gjyshit tonë: familja e Ram Sahitit. Gjatë kohës që ne kemi qenë në katundin Greçinë të Kosovës, familja jonë është marrë me punët e bujqësisë me të cilat siguronte jetesën e saj.

Gjatë viteve të pushtimit të Shqipërisë, në 1939-1944, cili ka qenë qëndrimi politik i familjes tuaj?
Gjatë atyre viteve, por edhe më parë, familja e Ram Salihit ka qenë e njohur si një familje nacionaliste. Në vitet e Luftës familja jonë u lidh me Lëvizjen Antifashiste dhe në periudhën kur brigadat partizane shqiptare erdhën në Kosovë, në shtëpinë tone është strehuar për disa kohë Shefqet Peçi me shtabin e tij.

Pas mbarimit të Luftës cilat ishin raportet politike të famlijes suaj me regjimin e Titos?
Nisur nga fakti se familja jonë ishte një familje nacionaliste, menjëherë pas mbarimit të Luftës në pranverën e vitit 1945-ës, ne na filluan peripecitë me regjimin titist. Në fillim ne na akuzuan për armëmbajtje pa leje dhe se kishim strehuar shqiptarë që ishin aratisur nga Shqipëria.

Patët koncekuenca nga akuzat që ju bëheshin?
Pas këtyre akuzave, ne na arrestuan dhe futën në burg axhën tone Mehmet Ramën, i cili ishte nënkryetari Këshillit Nacional- Çlirimtar. Mehmetin e nxorrën në gjyq dhe fillimisht e dënuan me vdekje, por më pas atij ja falën jetën. Por kjo ishte vetëm për demagogji, pasi axhën tonë e ekzekutuan brenda në burg me preteksin se gjoja kishte dashur të arratisej. Pushkatimi i axhës, Mehmet e shtoi akoma edhe më shumë persekucionin ndaj familjes sonë. Në vitin 1951, u arrestua dhe vëllai im, Sali Bajrami, i cili në atë kohë kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Saliun e nxorrën në gjyq dhe e dënuan me një vit e gjysëm burg. Edhe pasi Saliu u lirua nga burgu aty nga fillimi i vitit1953, ndaj familjes sonë nuk pushoi persekucioni, përkundrazi në atë kohë u shtua edhe më shumë, nga raprezaljet që kishin filluar Rankoviçi ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë. Nisur nga kjo gjëndje tepër e vështirë në të cilën u ndodhej familja jonë në atë kohë, unë me vëllanë, Saliun, vendosëm të iknim nga Kosova dhe të dilnim prej andej e të vinim këtu në Shqipëri.

Si e kujton largimin tuaj nga Kosova dhe ardhjen në Shqipëri?
Pasi vendosëm të largoheshim, më 18 dhjetor të vitit 1954 ne morëm rrugën për të ardhur në Shqipëri. Ne ishim tre vetë nga familja jonë, pasi vëllai Saliu, mori edhe bashkëshorten e tij, Zelfien. Kufirin ne e kaluam në fshatin Dobrunë të Hasit dhe aty na mbajtën një natë në postën kufitare. Të nesërmen ne na sollën në qytetin e Kukësit, ku na mbajtën për tre katër ditë në Degën e Brendëshme. Pas kësaj ne na sistemuam në hotel dhe pas disa ditësh na nisën për në fshatin Llakatund të Vlorës ku ishte ngritur kampi për shtetasit jugosllavë që kishin ardhur ilegalisht në Shqipëri.

Si ju trajtuan në Llakatund dhe sa kohë qëndruat aty?
Në Llakatund ne na trajtuan ashtu siç trajtoheshin të gjithë të ardhurit në kampet e Shqipërisë. Qëndruam aty për nëntë muaj.

Po më pas ku ju çuan?
Diku aty nga viti 1955-1956, njëri nga të dërguarit e Komitetit Qëndror të PPSH-së që merrej me emigracionin nga ish Jugosllavia, na tha se shteti shqiptar i kishte rregulluar marëdhëniet me Jugosllavinë dhe kush të donte mund të bënte një kërkesë për t’u kthyer në Kosovë. Unë me vëllanë Saliun e me gruan e tij, nuk pranuam që të bënim një kërkesë të tillë për t’u kthyer në Kosovë, pasi e dinim se çfarë kishte ndodhur atje me familjen tonë pas arratisjes tonë për në Shqipëri. Pas kësaj situate ne bëmë nënshtetësinë shqiptare dhe qëndruam këtu.

LEXO EDHE:  Kallëzimi i Metës ndaj Dvoranit/ Vitore Tusha dëshmon në prokurori

Çfarë kishte ndodhur me familjen e Ram Salihit në Kosovë pas ardhjes suaj në Shqipëri?
Regjimi titist kishte arrestuar babën tonë, Bajramin, të cilin e dënoi me 12 vjet burg politik. Baba vuajti për tetë vite me rradhë në burgun e tmershëm të Goli-Otokut dhe atë e liruan vetëm kur ishte në prag të vdekjes. Pasi bëri bëri tetë vjet burg, baba u lirua dhe ai nuk jetoi më shumë se tre muaj në shtëpi, pasi vdiq nga torturat e shumta që i kishin bërë në atë burg.

Perveç babës, kush jetonte tjetër në atë kohë në Gjakovë nga familja juaj?
Kishim dy motra e tre vëllezër të tjerë, si dhe shumë të afërm.

Pasi morët nënshtetësinë shqiptare ku u vendosët?
Ikëm nga Llakatundi të tre dhe u vendosëm në fshatin Bushnesh afër Mamurrasit, të rrethit të Krujës. Kërkuam të vinim këtu, pasi dihej që në Mamurras ndodheshin shumë kosovarë të cilët ishin vendosur aty që nga viti 1913, nuk qëndruam shumë aty, se në këtë fshat u krijua kooperativa  dhe u vendosëm në qytezën e Mamurrasit.

Ku punuat në Mamurras?
Në këtë qytezë të vogël ne kemi punuar për shumë vite në ndërrmarrjen e Bonifikimt dhe më pas Saliu kaloi në ndërmarrjen e Ujrave ku dhe doli në pension.

Para viteve ’90-të, kishit mundësi komunikimi me pjesën tjetër të familjes që ndodhej në Kosovë?
Që nga viti 1954 kur ne u larguam e deri në vitin 1980 nuk kemi pasur asnjë lloj letër këmbimi me familjen tonë në Kosovë. Në vitin 1972, vajza e vëllait tonë që jetonte në Kosovë, së bashku me bashkëshortin e saj erdhi si vizitore dhe qëndroi për dy muaj në shtëpinë tonë në Mamurras. Ajo mundi të vinte këtu pasi ne i bëmë një garanci.

Si e kujton ngjarjen e humbjes së vëllait tuaj, Saliut?
Ishte data 17 nëntor 1986-ës kur në shtëpinë e vëllait tim, Saliut erdhi një punëtor operativ i Sigurimit të Shtetit dhe i tha që të nesërmën duhej të praqitej te 15-katëshi në Tiranë. Po atë ditë Saliu e kishte lajmëruar edhe një tjetër operativ i Sigurimit të Shtetit, Kujtim Kuçi dhe i kishte dhënë të njëjtën porosi, për t’u paraqitur te 15-katëshi të nesërmen.

A biseduat ju me vëllanë para se të shkonte në destinacionin e caktuar, çfarë mendonte ai ?
Posi, atë natë bisedova me Saliun dhe e pyeta përse po të kërkojnë në këtë takim te 15-katëshi? Ai më tha se nuk dinte asgjë pse po e kërkonin, nuk kam dhe nuk kam pasur lidhje me asnjë punë, as me Sigurimin dhe me as njënjeri tjetër.

U bëtë merak për mos kthimin e Saliut në shtëpi atë natë?
U bëmë shumë merak që Saliu nuk u kthye, të nesërmen në mëngjes, djalit i tij Flamuri, shkoi në Degën e Punëve të Brendëshme të Krujës për t’u interesuar.

Kë takoi Flamuri, dhe çfarë ju tha?
Nipi im Flamuri takoi takoi në Degën e Punëve të Brendëshme Pëllumb Kapon, i cili i tha:”nuk ka ndonjë gjë për t’u shqetësuar, Saliu është i sëmurë e do të vizitohet dhe më pas do të kthehet në shtëpi” por kjo nuk ndodhi. Flamur vajti përsëri të nesërmen në Degën e Punëve të Brendëshme në Krujë, por nuk morri asnjë përgjigje.

Kur e mësuat lajmin për vdekjen e Saliut, kush ua komunikoi dhe çfarë iu thanë?
Lajmin për vdekjen e vëllait e mora nga disa punonjës të Sigurimit, në mos gaboj në datën 19 ose 20 nëntor 1986. Ata na thanë se Saliu kishte vdekur pasi kishte rrënë nga kati i tetë i 15-katëshit (Hotel “Tirana”) dhe trupi i tij ndodhej në morgun e Tiranës.

Cili ishte shkuaku i kësaj tragjedie, çfarë ju thanë?
Ne na thanë se Saliun e kishte hedhur nga 15-katëshi,” hasmi që kishte ardhur nga Kosova”. Asnjë nuk na jepte ndonjë informacion tjetër.

Kush shkoi për të marrë trupin e Saliu në morg?
Trupin e Saliut shkoi për t’a marrë, djali i tij Flamuri, me tre miqtë tanë: Feriz Gashin, Hasan Mulliqin e Feim Kryeziu. Si fillim u nxorrën shumë pengesa dhe nuk i lejuan që ta shihnin trupin e Saliut, aty u sollën pengesa dhe u vonuan shtatë orë për të marrë trupin e Saliut, të cilin e sollën në banesë pak minuta para se të bëhej cerremonia mortore.

Sa kohë pas vdekjes së Saliut filluat të interesoheshit përsëri dhe çfarë informacioni morët?
Pasi kishin kaluar 40 ditë nga vdekja e Saliut, unë me djalin e tij Flamurin, shkuam në Tiranë dhe takuam Zylyftar Ramizin, zv/Ministrin e Brendëshëm dhe Drejtorin e Sigurimit. Ai na tha: ”Shkoni në Degën e Brendëshme në Krujë, ata ju sqarojnë”. Pasi shkuam atje, kryetari i Degës na tha: ”Ne nuk kemi dijeni se ku ka vdekur Saliu, aty ku ka vdekur aty pyesni”. Pas kësaj përgjigjie, shkuam në Ministri dhe aty na thanë të shkonim në Rajonin Nr.3 të Policisë, pasi atje ndodheshin dokumentate tij. Pasi shkuam katër herë në Rajonin Nr.3 të Policisë, edhe ata nuk dinin gjë dhe vetëm na thanë se Saliu kishte qenë i sëmurë”.

Po më pas çfarë bëtë?
Pasi shkuam disa herë, në Degën e Brendëshmë, Rajon, Ministri, nuk morrëm asnjë përgjigje. Pas sorollatjeve të shumta i shkruam disa letra dhe telegrame Ministrit të Brendëshëm dhe Kryetarit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alisë, por përsëri asnjë përgjigje nuk morrëm.

Patët ju ndonjë presion për të mos vazhduar më të “shqetësonit shtetin me letra dhe telegrame”?
Vetë Zylyftar Ramizi, na bënte presione për të mos u marrë me këtë problem të mbetur enigmë. Në vitin 1992 unë kam shkuar tre herë tek SHIK-u dhe kam bërë dy takime me Ministrin e Brendëshëm të asaj kohe. Në Ministri na thanë të shkonim në Prokurorinë e Përgjithshme, shkuam dhe takuam aty Z. Arben Qeleshin duke i paraqitur dokumentat që dispononim. Z.Arben Qelishi më tha: ”Kjo çështje ka shumë probleme, kjo është një vrasje e pastër shtetërore ashtu siç ka ndodhur me shumë të tjerë. Kur të dali në gjyq udhëheqja e lartë komuniste, do të vish edhe ti”.

A shkuat ju në gjyqin e ish-udhëheqësve komunist?
Kur doli në gjyq Hekuran Isai me Zylyftar Ramizin, na thëritën nga Prokuroria e Pergjithshme dhe unë shkova atje bashkë me Flamurin. Edhe pse tentuam të pyesnim të akuzuarit e sistemit komunist, nuk morrëm përgjigje dhe kjo çështje u mbyll pa përgjigje dhe përgjegjësi.

Ju personalisht, si mendoni?
Unë them se ka dy versione. E para është që Saliut i kanë kërkuar që të bëhej vegël e Sigurimit dhe pasi ai nuk ka pranuar, e kanë hedhur nga 15-katëshi për ta eleminuar fizikisht dhe e dyta Saliu mund të jëtë hedhur vetë pasi nuk ka pranuar të bëhej vegël e Sigurimit, mund të jenë bërë presione apo tortura të ndryshme që ai nuk i ka përballuar dot. Gjithësesi kjo ngjarje nuk ka marrë dhe besoj se nuk do të marrë përgjigje./Memorie.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Histori

Kur Enveri i kërkonte Titos bashkimin me Jugosllavinë

Publikuar

-

Nga

Kur Enveri i kërkonte Titos bashkimin me Jugosllavinë

Një letër Enver Hoxhës, e cila i drejtohet diktatorit të Ish-Jugosllavisë, Josip Broz Tito tregon se Hoxha ka tentuar të afrohet me të për një bashkim me Jugosllavinë.

Letra e cila është botuar më pas edhe në librat me kujtime të Hoxhës, mban datën 17 mars 1948. Asokohe, Shqipëria kishte dalë nga lufta dhe në një gjendje të vështirë ekonomike, Hoxha synonte të gjente përkrahjen ngë lideri Jugsllav.

“Populli ynë është aq i lidhur shpirtërisht dhe ekonomikisht me popujt e Jugosllavisë sa asnjë popull tjetër dhe ky bashkim s’ka asgjë formale, por ndihet thellë në zemrat e popullit tonë.

Ne duhet të punojmë për Federatën Jugosllave dhe për këtë gjë në vendin tonë punohet me të gjitha forcat , por çështja është që ne duhet të marrim iniciativën e parë për të kërkuar këtë gjë.

LEXO EDHE:  “Më mbyllën gojën e më lidhën”/ Zbardhet dëshmia tronditëse e 13-vjeçares

LEXO EDHE:  Ekzekutimi i dyfishtë në Vlorë/ Zbardhet dëshmia e Çipurit

Ne kemi nevojë të na thuhet nga ju nëse ka ardhur momenti kur ne duhet të marrim në shqyrtim çështjen e bashkimit e të mbërrijmë në konkluzione dhe, nga ana  tjetër, do të dëshironim të na jepeshin edhe sqarime më plotësuese që ju i shihni të arsyeshme në lidhje me faktorë të tjerë të këtij problemi. Pranoni të falat e mia më të nxehta shoqërore”, i shkruante Hoxha Titos.



Megjithatë, të falat e Enverit nisën të ftoheshin gradualisht, pasi në muajin korrik të po atij viti, marrëdhëniet me Jugosllavinë u prishën, dhe Enver Hoxha largoi nga Shqipëria brenda 48 orëve të gjithë njerëzit e Titos. /CNA.al

Letra e Enver Hoxhës, drejtuar Josip Broz Titos

 

 

 

LEXO TE PLOTE

Histori

Dëshmi të rralla/ Femrat që vuajtën në burgjet e regjimit komunist dhe abuzimet që bëheshin ndaj tyre

Publikuar

-

Nga

Dëshmi të rralla/ Femrat që vuajtën në burgjet e regjimit komunist dhe abuzimet që bëheshin ndaj tyre

Faqja që i dedikohet historive të trishta të periudhës së Komunizmit, ka nxjerrë sot dëshmitë e rralla të Tanush Kasos, kryetarit të Shoqatës së Burgosurve Politikë të Shqipërisë, të publikuara në librin e tij “Kalvari i burgjeve komuniste”, ku nga rrëfenjat e bashkëvuajtëseve të tij dhe nga ato që ai vetë ka parë e dëgjuar për torturat që u bëheshin femrave të burgosura në qelitë e Hetuesisë dhe burgjet e atij regjimi nga oficerët e Sigurimit të Shtetit, të cilët abuzonin mbi gratë dhe vajzat e dënuara me dhunë fizike e përdhunime. Cilët ishin disa nga ata ushtarakë të lartë të Ministrisë së Brendëshme që abuzonin ndaj femrave të dënuara dhe disa nga vetëvrasjet që erdhën si pasojë e kësaj dhunë të egër shtazore që u krye ndaj tyre?

Kalvari i gjatë i Musine Kokalarit

Dikur thuhej se “burgu për burrat është”. Dhe me të vërtetë, që nga krijimi i shtetit shqiptar e deri sa u shfaq komunizmi, historia e vendit tonë nuk ka njohur asnjë grua të burgosur për motive politike. Fill pas vendosjes së pushtetit komunist, në burgjet shqiptare u dukën të dënuarat e para politike. Ndër ato, më e hershmja duhet të ketë qenë intelektualja e trimëresha gjirokastrite Musine Kokalari, e cila më 12 nëntor 1944, ende pa marrë fund lufta e pa u vendosur qeveria në Tiranë, u arrestua nga larot e Enver Hoxhës, vetëm për idealet kombëtare e demokratike që ajo ushqente, të cilat binin ndesh me doktrinën marksiste. U mbajt në fshehtësi dy javë, diku në zonat që i kishin nën kontroll Brigadat e Kuqe dhe mbasi i’a vranë pa gjyq të dy vëllezërit e saj, Vesimin dhe Muntazin, gjithashtu intelektualë dhe atdhetarë të shquar, e liruan, për ta burgosur përsëri në janar të vitit 1946, mbas një aktiviteti të shkurtër që ajo ndërmori kundër regjimit gjakatar të sapo instaluar në Shqipëri.

Musine Kokalari

Musineja do të kalonte krenare dhe e papërkulur për afër 40 vjet nëpër kalvarin e burgjeve dhe të internimit, duke u bërë simbol i qëndresës dhe i virtytit të femrës shqiptare. Kjo vajzë e talentuar, që ishte diplomuar në Universitetin e Romës, autore e tre librave dhe e shumë shkrimeve publicistike, të cilat synonin emancipimin e femrës dhe përparimin e kombit, që ishte një nga themelueset e Partisë Social-Demokrate Shqiptare, do t’i mbyllte sytë përgjithmonë e harruar dhe e vetmuar në vendinternimin e saj në Rrëshen të Mirditës, më 14 gusht 1983, pa mundur të shihte përmbysjen e tiranisë komuniste dhe agimin e lirisë e të demokracisë, për të cilat e shkriu jetën.

Gratë që u burgosën e internuan

Me qindra gra e vajza prej familjesh fisnike, me një edukatë e kulturë të shkëlqyer, por edhe plaka të moçme e fshatare të thjeshta, regjimi komunist i përplasi pa mëshirë nëpër burgje, ku vuanin e keqtrajtoheshin njëlloj si burrat, por edhe qëndronin njëlloj si burrat, si amazona të vërteta, prandaj i quanin edhe “burrnesha”. Faji i vetëm i tyre ishte se nuk i përkitnin komunizmit, sepse donin një Shqipëri të lirë e demokratike. I akuzuan për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit”, për “pjesëmarrje në kryengritje të armatosur”, për “strehim të arratisurish”, për “mosdenoncim”, për “mbajtje armësh pa leje”, për “sabotim ekonomik”, për “tentativë arratisjeje”, për “tradhti të lartë” etj., etj.

Disa gra e vajza të guximshme i kishin konsumuar tërësisht ose pjesërisht këto nene për të cilat akuzoheshin. Ato kishin qenë kurdoherë pranë burrave në luftën e shenjtë për liri, për rrëzimin e diktaturës komuniste. Të tjera vetëm dyshoheshin si të tilla, por ishin arrestuar e dënuar pa kurrfarë provash. Shumë prej tyre ishin viktima të hakmarrjes politike të regjimit të Hoxhës, i cili nuk kishte ç’t’u bënte burrave, vëllezërve e baballarëve të tyre që luftonin maleve për liri ose që kishin shkuar jashtë shtetit, ku përpiqeshin e punonin për çështjen kombëtare. Nga torturat dhe vuajtjet pa fund, ato gra e vajza aq të brishta e të bukura u thinjën e u plakën para kohe. Shumë nga ato nuk patën fatin të gëzoheshin me fëmijë. Ato u privuan nga e drejta natyrore për të qenë nëna.

Burgjet e diktaturës komuniste

Puna e rëndë e krahut, varfëria dhe “biografia” nuk i’u ndanë as mbas daljes nga burgu, gjer në vdekje. Kështu kaluan nëpër kalvarin e burgjeve komuniste më shumë se 7367 gra e vajza, ndër të cilat kujtojmë: Musine Kokalari, Neva Frashëri, Olimbi Gavoçi, Frida Sadedini, Lavdie Petrela, Marie Ranxi, Marta Doda, Dylbere Pazari, Hazize Ferhati, Qefsere Bega, Liri Prifti, Shega Këlcyra, Semiramis Vërlaci, Erifili Bezhani, Rita Koka, Merushe Topulli, Elza Koh, Fatime Hoxha, Luçie Kola, Elsa Çika, Asamble Hatibi, Sanie Kosova, Gabriela Radiba, Fatbardha Qorri, Ana Daja, Terezina Pali, Adile Boletini, Vera Dema, Nexhibe Taraku, Agime Pipa, Drita Kosturi, Dhora Leka, Lefteri Dvorani, Ganimet Toptani, Ganimet Cuka, Mereme Gjuta, Pranvera Keqi, Qerime Bone, Viola Beqiri, Bianka Balliçi, Sanie Kollçinaku, Xhovana Qatja, Nurie Koculi, Hanza Borshi, Mih Riko, Samo Doko, Dodona Dako, Marika Dhima, Ana Dhamo, Zhaneta Ogranaja, Simona Koldai, Dragica Mosko, Alije Sula, Fiqiret Prishtina, Gjylso Kalo, Elena Preza, Delfiniz Prenushi, Merita Sokoli, Derka Panizeniç, Mine Shima, Afërdita Hajrullai, Fatime Demçe, Nadire Shima, Hilmie Lakasi, Lumturi Bakiri, Liri Mitrovica, Lindita Beka, Marie Levendi, Suzana Topçiu, Pranvera Lamaj, Behije Kalaja etj.

Burgjet ku vuajtën gratë

Gratë e burgosura në vitet e para mbaheshin në burgjet e burrave, në qytete të ndryshme, si Korçë, Tiranë, Shkodër etj., por në dhoma të veçanta. Më 1957-n gratë u grumbulluan në Burgun e Artizanatit, në Tiranë, ku bënin punë të ndryshme si rrobaqepësi, hekurosje, kopshtari, pastrime të ndryshme etj. Burrat e këtij burgu ishin të ndarë e nuk komunikonin me to. Më 1961-shin u krijua një kamp i punës së detyruar për gratë afër qytetit të Kuçovës, ku shfrytëzoheshin në punë të rënda bujqësore. Më 1970-n u vendosën në fshatin Kosovë të Dumresë, 50 km larg Elbasanit.



Kushtet e diferencuara higjienike, që janë të nevojshme për to, nuk merreshin aspak parasysh nga komanda e burgut. Papastërtia, era e rëndë dhe parazitët e kokës e të trupit përbënin një torturë me vete për ato fatzeza. Ligji nuk përfillte as gratë shtatzëna. Ato dënoheshin e mbaheshin njëlloj si të tjerat. Për t’u përmendur është rasti i Liri Gegës, e cila, duke qenë me barrë, u arrestua dhe u pushkatua bashkë me të shoqin, Dali Ndreun, që të dy militantë të Luftës Nacionalçlirimtare. Kjo u bë e njohur botërisht nga një fjalim i Nikita Hrushovit. Por nuk është i vetmi rasti i pushkatimit të grave shtatzëna. Të tilla kanë vdekur nga keqtrajtimi në hetuesi. Nuk lejohej asnjë mjek i familjes të bënte autopsinë e tyre.

LEXO EDHE:  Video skandali/ Dëshmia e plotë e vajzës dhe akuza e prokurorisë

LEXO EDHE:  “Më mbyllën gojën e më lidhën”/ Zbardhet dëshmia tronditëse e 13-vjeçares

Liri Gega

Njihen disa raste lindjesh në burg të grave të arrestuara në gjendjen e shtatzënisë, të cilat nuk paraqisnin kurrfarë rrezikshmërie shoqërore. Në burg, por sidomos në birucat e izolimit, disa hetues të autorizuar përpiqeshin t’i nënshtronin gratë duke i përdhunuar. Në Burgun e Burrelit, siç tregonin të burgosurit e vjetër, gratë qëndronin të bashkuara si një trup i vetëm. Musineja me shoqe nuk lejonin që policët t’i shkëpusnin vajzat e reja prej tyre, gjoja për të fshirë e pastruar korridoret dhe oborrin. Ato dërgonin ndonjë plakë për të bërë pastrimin. Kështu e ruanin nderin dhe krenarinë e tyre. Por, gjatë paraburgimit, në qelitë e hetuesisë ka pasur raste kur ndonjëra është çnderuar me forcë nga ndonjë kryepolic ose hetues si: Nevzat Haznedari, Xhavit Struga, Skënder Kosova dhe ndonjë tjetër i pajisur me “carta bianca”.

Disa gra janë vetëvrarë gjatë hetuesisë dhe të tjera janë çmendur. Drejtësia komuniste nuk shqetësohej fare kur arrestonte nënat me fëmijë, duke shkatërruar kështu familjen. Ndoshta ky ishte dhe qëllimi i fshehtë i saj. Për Sigurimin e Shtetit, çdo grua e huaj e martuar me një shqiptar ishte një “agjente e huaj” që duhej survejuar gjithmonë dhe në rastin më të parë të arrestohej, të dënohej dhe të asgjësohej, ose të largohej nga Shqipëria. Është një listë e tërë e këtyre grave fatkeqe, të cilat dashuria njerëzore i solli në këtë vend “romantik” të Ballkanit dhe që pastaj kaluan nëpër kalvarin e burgjeve komuniste.

Po përmendim disa prej tyre: Xhovana Simoneti, italiane, martuar me Haki Qatën, nga Tirana. Që të dy u burgosën dy herë: Bianka Balliçi, austriake, e martuar me Nedin Balliçin, nga Elbasani. Bëri dhjetë vjet burg në gjendje çmendurie. Mbas lirimit vdiq në spitalin psikiatrik. Barbara Orgocka, polake, burgosur si edhe i shoqi, inxhinier, Vasil Orgocka, nga Korça. Vanda Tiko, polake, martuar me mjekun Lefter Tiko nga Korça, burgosur të dy. Elena Cami, ruse, martuar me ing. Minella Cami nga Korça. Burgosur të dy. Dina Thaçi, ruse, e martuar me Ahmet Thaçin nga Shijaku. Arrestuar që të dy. Barbara Haxhihasani, hungareze. I shoqi, Fatos Haxhihasani, vari veten në hetuesi. Ajo u çmend në burg. Viola Beqiri, çifute ruse, me arsim të lartë. Akuzohej për spiunazh. Sigurimi e detyroi burrin dhe fëmijët që ta braktisnin.

Si pasojë e burgosjes ose e pushkatimit të njerëzve të familjes së tyre dhe e luftës psikike që bëhej mbi to, mjaft nëna, motra, gra e vajza me ndjenja të brishta kanë humbur aftësinë mendore. Disa prej tyre kanë kaluar deri në vetëvrasje. Kështu përfundoi e shoqja e Teme Sejkos, që i vranë burrin dhe një djalë, ndërsa tjetrin ia burgosën. Bujana, vajza e urtë dhe e zgjuar e Tuk Jakovës, edhe sot endet e çmendur nëpër Tiranë. Nuk mund të mos çmendej edhe Mereme Gjuta, së cilës ia hodhën te pragu i derës fëmijët e saj të bërë shoshë nga plumbat e komunistëve teksa u orvatën të shpëtonin nga thonjtë e diktaturës dhe të dilnin në botën e lirë. Sikur të mos mjaftonte kjo, kriminelët e Sigurimit e burgosën atë nënë fatkeqe.

 “Çnderimi” një torturë më vete

Vetëm pas shembjes së diktaturës u arrit të konstatoheshin pasojat ende të freskëta të gjëmës antinjerëzore. Në vitin 1991, një komision i Helsinkit, mbasi u njoh me “dosjet e gjalla”, arriti në përfundimin se këto vende kishin qenë një ferr i vërtetë. Deri vonë ekzistonin pranë hetuesve të burgjeve e të Degëve të Brendshme dhoma të posaçme torturash. Mjaft njerëz që kanë pasur fatin e keq të hyjnë në to nuk kanë mundur t’i tregojnë askujt ato që provuan mbi trupin dhe shpirtin e tyre mbasi kanë dalë të vdekur që andej.
Por, përveç vdekjes, si të fundit të torturave, ekspertët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të asaj kohe e dinin se ndjenja e çnderimit është poshtëruese për një femër. Ajo e mposht krenarinë e saj dhe e bën të nënshtrohet. Prandaj edhe vepron pa hezitim në këtë drejtim. Nga disa të burgosur shkodranë tregohen rrëfenja të vërteta mbi përdorimin e kësaj metode torturimi që punonjësit e Sigurimit ushtronin mbi disa gra e vajza të të pushkatuarve, të arratisurve e të burgosurve. Shumë herë atyre u kishte hasur sharra në gozhdë, kishin ndeshur rezistencën e vendosur të këtyre femrave, që përpara nderit kishin pranuar vdekjen duke u hedhur nga dritaret e shtëpive ose që pas përdhunimit ishin vetëvrarë.

Vetë ish-kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, Hilmi Seiti (i cili më pas do të vdiste mizorisht nga dora e Sigurimit të Shtetit), këtë lloj torture, që i falte kënaqësi, e kishte metodë të vazhdueshme pune. Tregojnë se ai ngjitej me shkallë natën dhe futej nga dritarja në shtëpinë e ndonjë gruaje të vetmuar dhe mbasi kryente punë, nën kërcënimin e revolverit, e detyronte të nënshkruante deklaratën e bashkëpunimit me Sigurimin. Ai kishte arritur të shtinte në dorë një artiste të re e të bukur, shumë të njohur në qytetin e Shkodrës, që i përkiste një familjeje me të arratisur, të pushkatuar e të burgosur. E mbante si mantenutë dhe si agjente personale, aq sa kishte rënë shumë në sy dhe ishte bërë objekt bisedash.
Po ashtu, Llambi Peçini, kur ishte kryetar i Degës së PB në Fier, me këtë mënyrë torture kërkonte t’i nënshtronte disa femra prej familjesh “të prekura” politikisht, si dhe disa të internuara.

Rastet e ‘gjalla’

Rreth viteve ’60, në një fshat të Dibrës, punëtori i Sigurimit i vuri syrin një vajze të fshatit që ishte ndërkaq e fejuar me një fshatar. Operativi i krijoi një akuzë false të fejuarit të vajzës, të cilin shumë shpejt e arrestuan. Ndërkohë që ai vuante burgun në kampin e Rubikut, vajza ra në duar të punonjësit të shtetit. Kur i shoqi mësoi të vërtetën, për habinë e të gjithëve, e humbi kontrollin, mbuloi kokën me një batanije dhe i nxori të dy sytë. E shtruan në spital, por asgjë nuk mund t’ia kthente shikimin, e me gjithë këtë, e rikthyen në burg.
Një rast tjetër është ai i Lezhës e Mirditës. Punonjësi i Sigurimit njihej nga fshatarët e zonës me nofkën “Toger Baba”. Përdorte dhunë të tmerrshme. I fuste vajzat në një thes, lakuriq, e brenda fuste edhe një mace. E qëllonin më pas macen dhunshëm në mënyrë që t’i çirrte gratë e shkreta. Ky rast ekstrem pati ankesa nga gjithë banorët e fshati dhe qeveria, për të larë duart, e ekzekutoi dhunuesin. Tanush Kaso/Memorie.al

LEXO TE PLOTE

Histori

Dokumenti i vitit 1987/ Si Enver Hoxha persekutonte popullin, qytetet me më shumë kontigjentë

Publikuar

-

Nga

Regjimi diktatorial i Enver Hoxhës sundoi duke përdorur përgjime masive dhe duke mbajtur nën terror qytetarët, nëpërmjet të ashtuquajturve agjentë.

Sigurimi i Shtetit, ishte një ndër institucionet ndoshta më famëkeqet e regjimit komunist.

I themeluar më 10 dhjetor 1944, në një popullsi të dalë nga Lufta e Dytë Botërore me 800 mijë banorë, Sigurimi i Shtetit arriti që në rreth 48 vite të hapte 120 mijë dosje, në të cilat të kishte agjentë, bashkëpunëtorë, rezidentë, strehues dhe të gjithë rrjetin e tyre informativ brenda Shqipërisë dhe jashtë saj.

Nga aktiviteti i tij rezulton të kenë vuajtur rreth 100 mijë shqiptarë që nisin nga më e rënda pushkatimi e burgosja e deri te përndjekja.



Të ashtuquajturit “agjentë”, ishin vegla që diktatura përdorte për të mbrojtur veten dhe për të persekutuar popullin.

LEXO EDHE:  Dëshmia e fortë/ Zbulohet lidhja e Ramës me diplomaten greke

LEXO EDHE:  Ekzekutimi i dyfishtë në Vlorë/ Zbardhet dëshmia e Çipurit

Në një dokument të siguruar nga CNA.al, i cili i përket vitit 1987, shikohet se numrin më të lartë të kontigjenteve, e mbante Tirana, si kryeqyteti i Shqipërisë.

Sipas dokumentit në fjalë, vetëm në Tiranë, regjimi komunist kishte 185 agjentë dhe 6435 kontigjentë, më pas vjen Shkodra, me 140 agjentë dhe 7495 kontigjentë, Korça me 90 agjentë dhe 3850 kontigjentë, Vlora 70 agjentë dhe 3561 kontigjentë dhe Gjirokastra me 64 agjentë dhe 3722 kontigjentë.

Kështu diktatura mbante nën kontroll, qytetete kufitare, dhe Tiranën si kryeqyteti i vendit. Mbronte veten, duke persekutuar popullin./ CNA.al

LEXO TE PLOTE
Lajme të Rekomanduara: