LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Meta do të dekretojë si gjyqtare partneren e Alibeajt/ Kush është Xhaferllari dhe lidhja me ish deputetin demokrat

9 Nëntor 2019, 17:33, Politikë CNA
Meta do të dekretojë si gjyqtare partneren e Alibeajt/ Kush

Presidenti Ilir Meta ka pezulluar përkohësisht procesin për zgjedhjen e anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese. Në arsyetimin e tij, në një letër drejtuar Kuvendit dhe KED, kreu i shtetit nënvizonte se ?kishte hasur parregullsi?, por SHQIP mëson se fshihet diçka tjetër në vendimin e tij, që është komentuar gjerësisht si tentativë për të futur sërish në ngërç drejtësinë.

Burimet i thanë SHQIP së Ilir Meta ka projektuar Marsida Xhaferllarin për anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Zonja Xhaferllari njihet si partnerja e ish-ministrit të PD, Enekelejd Alibeaj. Pra ndryshe nga sa pretendon presidenti, për parregullsi në proces, dyshohet se kemi të bëjmë me preferenca caktuara të kreut të shtetit, cili ka përzgjedhur ish-vartësen e tij. Xhaferllari ka qenë kryeisnpektore e KLD-së në kohën që ky institucion drejtohej pikërisht nga Ilir Meta, por edhe nga Bujar Nishani.

Nga ana tjetër, pavarësisht vendimit të Ilir Metës, maxhoranca deklaroi sot përmes Taulant Ballës se të hënën do të votohen dy emrat e rinj të Kushtetueses, megjithëse mbetet e paqartë procedura.

Kush është Marsida Xhaferllari, lidhja me Alibeajn dhe refuzimi që mori nga Presidenti Moisiu?

Përveç se kemi të bëjmë me një preferencë politike, Xhaferllari dyshohet se nuk plotëson kriteret, pasi në të shkuarën i janë konstatuar shumë shkelje. Edhe në aspektin e njohjes së profesionit, ajo është më pak e pikëzuara nga KED, për vendin vakant të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. (Shih dokumentin)

Alfred Moisiu, duke mos i treguar publikisht motivet që ishin informacion i klasifikuar, ka refuzuar të dekretojë Marsida Xhaferllarin si gjyqtare e Krimeve të Rënda, gjatë kohës që ishte president, edhe pse KLD e kishte emëruar.  Por gjërat ndryshuan pozitivisht për Xhaferllarin në kohën kur pushtetin e mori PD-ja, ku edhe u hap rruga e rritjes në karrierë.

Në mars të këtij viti shumica e trupës gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit arsyetoi se ish-kryeinspektorja e KLD, Marsida Xhaferllari kishte humbur statusin e magjistratit dhe se për këtë KPK nuk mund të vendoste konfirmimin ose jo të saj në detyrë në kuadër të vettingut. Në një rast krejt të rrallë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi se nuk mund të merrte një vendim, duke e mbyllur pa vendim vettingun për të.  Por pavarësisht kësaj, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi të pranojë kandidaturën e saj për një vend në Kushtetuese por edhe për drejtimin e ILD-së (Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë)

Xhaferllari e ka filluar karrierën si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier, ku ka shërbyer nga viti 1999 deri në vitin 2007. Në periudhën dhjetor 2007 deri në shtator 2008, ajo ka punuar si këshilltare e Ministrit të Drejtësisë (kohë kur ministër ishte Alibeaj) dhe nga shtatori 2008 e deri në janar 2013, si drejtore në Drejtorinë e Kodifikimit si dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Çështjeve të Drejtësisë në Ministrinë e Drejtësisë. Në vitin 2013, Xhaferllari u emërua Kryeinspektore në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, një post që ajo e ka mbajtur deri zëvendësimin e KLD-së me Këshillin e Lartë Gjyqësor./ Gazeta Shqip

Lajmet e fundit nga