Blog
Puçi i Birrarisë së Mynihut, kur Hitleri dështoi të ngjitej në pushtet me dhunë

Dhjetë vjet para se Adolf Hitleri të ngjitej në pushtet në Gjermani, ai u përpoq ta merrte pushtetin me dhunë, gjatë të ashtuquajturit Puçi i Birrarisë së Mynihut. Natën e 8 nëntorit 1923, Hitleri dhe mbështetësit e tij sulmuan një birrari në qytetin e Mynihut, dhe u përpoqën të detyrojnë 3 udheheqësit lokalë të Bavarisë, që t’i bashkoheshin atyre në një revolucion mbarëkombëtar.
Nën presionin e armëve, ata u detyruan të bien dakord. Por sapo patën mundësi të largoheshin prej andej, e denoncuan grushtin e shtetit. Hitleri u arrestua pak ditë më vonë, dhe pas një gjyqi të shkurtër, u dënua me 5 vjet burg, ku shkroi librin e tij famëkeq ”Mein Kampf” (Lufta ime).
Po si u mbërrit deri në atë pikë? Në vjeshtën e vitit 1922, gjermanët i kërkuan Aleatëve ndalimin e pagesës së dëmshpërblimeve financiare të luftës, që u kërkohej të paguanin në bazë të Traktatit të Versajës, që i dha fund Luftës së Parë Botërore.
Qeveria franceze e refuzoi këtë kërkesë, dhe pushtoi Ruhrin, zonën kryesore industriale të Gjermanisë. Pushtimi francez, e bashkoi popullin gjerman. Punëtorët gjermanë në Ruhr, organizuan një grevë të përgjithshme. Qeveria gjermane e mbështeti grevën, duke mbështetur financiarisht punonjësit.
Gjatë kësaj kohe, inflacioni ishte rritur shumë, dhe kjo krijoi një shqetësim në rritje mbi aftësinë e Republikës së Vajmarit për të qeverisur vendin. Në gushtin e vitit 1923, kancelar i Gjermanisë u bë Gustav Streseman. Një muaj më vonë, ai urdhëroi dhënien fund të grevës së përgjithshme në Ruhr, dhe vendosi të rifillojë pagimin e dëmshpërblimit financiar ndaj Francës.
Duke besuar se ky akt do të sillte zemërim dhe rebelime brenda Gjermanisë, Streseman i kërkoi presidentit Ebert të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme. Qeveria lokale në Bavari, ishte e pakënaqur me kapitullimin e Streseman. Ajo shpalli gjendjen e saj të jashtëzakonshme në të njëjtën ditë me njoftimin e Streseman.
Bavaria qeverisej nga një treshe e përbërë nga gjeneralët Gustav von Kahr, Oto von Losov dhe koloneli Hans Riter von Saiser. Edhe pse triumvirati kishte injoruar dhe kundërshtuar disa nga urdhrat e Berlinit, nga fundi i tetorit 1923, ai dukej se po dorëzohej. Lideri nazist, Adolf Hitler, besonte se ishte koha për t’u hedhur në veprim.
Ka ende debate, se kush propozoi i pari rrëmbimin e 3 drejtuesve. Plani fillestar, ishte arrestimi i treshes në Ditën e Përkujtimit Gjerman më 4 nëntor 1923. Kahr, Losov dhe Saiser, do të rrëmbeshesin gjatë paradës ushtarake në qytet. Plani u anulua, kur u zbulua se rruga ku do të mbahej parade, ishte shumë e mbrojtur nga policia.
Sipas planit të ri, nazistët do të marshonin në Mynih, dhe do të pushtonin pikat strategjike të qytetit më 11 nëntor 1923, përvjetorin e armëpushimit që i dha fund Luftës së Parë Botërore. Por edhe ky plan ndryshoi, kur Hitleri mori vesh mbi takimin e Kahr.
Ky i fundit, kishte njoftuar zhvillimin e një takimi më 8 nëntor, me afro 3 mijë zyrtarë të qeverisë në “Buergerbräukeller”, një birrari e madhe në Mynih. Rreth orës 20.00 të mbrëmjes, Hitleri shkoi në “Buergerbräukeller” me një Mercedes të kuq i shoqëruar nga Rozenberg, Ulrih Graf (truproja i tij) dhe Anton Dreksler.
Takimi tashmë kishte filluar, dhe Kahr po fliste në tribunë. Diku midis orës 20:30-20:45, Hitleri dëgjoi zhurmën e kamionëve jashtë godinës. Kur ai hyri në birrarinë e mbyllur plot me njerëz, trupat e tij të armatosura e rrethuan sallën dhe vendosën një mitraloz në hyrje.
Për të tërheqeur vëmendjen e të gjithëve, Hitleri hipi mbi një tavolinë dhe gjuajti një ose dy herë me pistoletë në tavan. “Revolucioni kombëtar sapo ka filluar!”- bërtiti ai. Hitleri e vazhdoi fjalimin e tij me disa trillime. Ai tha se 600 burra të armatosur e kishin rrethuar birrarinë, se qeveria lokale në Bavari por edhe ajo kombëtare në Berlin, ishin vënë nën kontrollin e nazistëve.
Po kështu kishte ndodhur me kazermat e ushtrisë dhe policisë. Hitleri urdhëroi Kahr, Losov dhe Saiser që ta shoqëronin në një dhomë aty pranë. Besohet se nën kërcënimin e armës, lideri nazist u tregoi secilit prej tyre, se cili do të ishte pozicioni që do të mbanin në qeverinë e tij të re.
Ata nuk folën. Hitleri madje kërcënoi se do t’i vriste, dhe më pas do të qëllonte edhe veten. Për të vërtetuar se nuk po tallej, Hitleri e vuri pistoletën në kokën e tij. Gjatë kësaj kohe, njerëzit e tij kishin shkuar për të marrë në shtëpinë e tij gjeneralin Erik Ludendorf ,që nuk ishte në dijeni të planit.
Hitleri doli nga dhoma, dhe u ringjit në podium. Në fjalën e tij, ai u tha të pranishmëve se Kahr, Losov dhe Saiser, kishin rënë dakord t’i bashkoheshin grushtit të shtetit. Turma nisi të brohoriste. Ndërkohë kishte mbërritur Ludendorfi. Edhe pse ishte i mërzitur që nuk ishte informuar paraprakisht, dhe që nuk do të ishte ai drejtuesi i qeverisë së re, shkoi të bisedojë me triumviratin.
Ky i fundit, pranoi me zor t’i bashkohej grushtit të shtetit, për shkak të vlerësimit të madh që kishin për Ludendorfin. Më pas, secili prej tyre u ngjit në podium, dhe mbajti nga një fjalim të shkurtër. Gjithçka dukej se po shkonte mirë. Prandaj Hitleri u largua për pak momente nga birraria, për të zgjidhur një konflikt që ishte duke ndodhur jashtë mes njerëzve të tij të armatosur.
Por kur u rrikthye në sallë, ai zbuloi se treshja ishte larguar. Pa mbështetjen e triumviratit, plani i Hitlerit ishte i dështuar. Ai e dinte që nuk kishte mjaftueshëm njerëz të armatosur, për t’u përballur me një ushtri të tërë. Ludendorfit i lindi një ide. Ai dhe Hitleri do të drejtonin një njësi paramilitarësh në qendër të Mynihut, dhe kësisoj do të merrnin nën kontroll qytetin.
Ludendorfi ishte i sigurt se asnjë ushtar nuk do të hapte zjarr ndaj gjeneralit legjendar. I dëshpëruar, Hitleri ra dakord me atë plan. Rreth orës 11 të mëngjesit të 9 nëntorit, afro 3.000 mbështetësh ndoqën Hitlerit dhe Ludendorfin në marshimin drejt qendrës së Mynihut.
Ata u përballën një grup të vogël policësh, të cilët i lejuan të kalonin pas kërcënimeve nga nazisti Herman Gëring. Pak më tej, nazistët ndeshën një grup të madh forcash policore. Shumë shpejt u dëgjua një e shtënë. Askush nuk është i sigurt, se cila palë hapi zjarr e para. Të shtënat zgjatën afro 1 minutë.
Thuajse të gjithë u shtrinë përtokë, për t’u mbrojtur nga plumbat. Vetëm Ludendorfi marshoi i patrembur përpara. Ai ishte tërbuar, që askush nuk po e ndiqte. Gjenerali u arrestua më vonë nga policia. Gëringu ishte plagosur në ijë. Pas ndihmës së parë, ai u arratis në Austri. Edhe Rudolf Hes gjithashtu. Edhe Hitleri, që kishte mbetur i lënduar lehtë, ishte nga të parët që u largua.
Ai u zvarrit, dhe pastaj rendi me vrap drejt një makine që po e priste. Ai u largua duke i lënë shokët e tij të plagosur dhe vrarë në rrugë. Dy ditë më vonë, Hitleri u arrestua. Sipas raporteve të ndryshme, atë ditë vdiqën 14-16 nazistë dhe 3 policë./ Theought.CO-Përshtatur nga CNA.al
Lajme të Rekomanduara:

Çfarë janë kontinentet e humbura, dhe pse po zbulojmë kaq shumë prej tyre?
Nga Maria Seton, Joanne Whittaker & Simon Williams “The Conversation” * Për shumicën e njerëzve, kontinentet e botës janë vetëm 7. Por gjeoshkencëtarët kanë një...

Gropa e Marianeve/ Nga tingujt misteriozë, tek “bisha” e tmerrshme, çfarë ndodh në pikën më të thellë oqeanike në botë
Hapësira mund të jetë “kufiri i fundit”, por jo i vetmi. Oqeanet e botës, janë ende plot mistere dhe forma të çuditshme të jetës. Por...