Connect with Us

Ekspertët/ Pirja e duhanit, rrezikon të shkaktojë depresion dhe skizofreni

Blog

Ekspertët/ Pirja e duhanit, rrezikon të shkaktojë depresion dhe skizofreni

Publikuar

-

Sipas një studimi më të fundit, nëse pini duhan, jeni më të rrezikuar të prekeni nga sëmundje serioze të shëndetit mendor, si depresioni dhe skizofrenia. Shumë njerëz me probleme të shëndetit mendor, janë konsumatorë të duhanit. Ndaj studiuesit nga Universiteti i Bristolit në Britaninë e Madhe, tentuan të zbulojnë nëse është duhani ai që e shkakton atë problem, apo ai është thjesht një mekanizëm për përballimin e gjendjes, apo është një formë vetë-mjekimi.

Perfundimi? Janë që të dyja. “Kishte dëshmi të efekteve shkakësore në të dyja situatat”- thotë dr.Robin Uton, autorja kryesore e studimit.

Ajo theksoi gjithashtu se studimi, do t’i shtohet listës tashmë të gjatë të arsyeve, se përse njerëzit nuk duhet të pinë duhan, pasi kjo do të përkeqësojë problemet e tyre ekzistuese të shëndetit mendor. Hulumtimi i publikuar në revistën “Mjekësia Psikologjike”, monitoroi 462.690 njerëz me prejardhje evropiane, duke përdorur qasjen e rastësisë mendeliane.

Studiuesit arritën në përfundimin se njerëzit që pinë duhan, mund të preken nga depresioni më vonë gjatë jetës së tyre. Po kështu, njerëzit që vuajnë nga depresioni kanë më shumë të ngjarë

të pinë duhan. E njëjta gjë vlen dhe për skizofreninë, megjithëse lidhja është shumë më e dobët. Gjithsesi, studimi ka një dobësi të madhe:ai është përqëndruar vetëm tek qytetarët evropianë.

Megjithatë, ata rekomanduan që në spitalet psikiatrike pacientët të mos lejohen të pijnë duhan. Uton pohoi se ende nuk dihet se si pirja e duhanit e rrit rrezikun për prekjen nga kjo sëmundje, por ajo dyshon se përgjegjëse mund të jetë nikotina, pasi ajo ndikon në aktivitetet e trurit.

“Rreziqet që vijnë nga pirja e duhanit, përfshirë edhe ato të zbuluara së fundmi, duhet të bëhen gjerësisht të ditura, veçanërisht për të rinjtë, që tundohen shpesh të provojnë pirjen e duhanit” – shprehet dr.Jan Hamiltom, ekspert mbi varësinë dhe shëndetin mendor në Universitetin e Jorkut në Britaninë e Madhe.

Edhe kanabisi shton gjithashtu rreziqet

Uton theksoi se si studimi mbi efektet e kanabisit, mund të shpjegojë më së miri lidhjen midis pirjes së duhanit, dhe rrezikut për zhvillimin e depresionit dhe skizofrenisë. Sipas një studimi të botuar në revistën “Lancet Psychiatry”, teksa ekziston një përfitim i dukshëm nga përdorimi i kanabisit për të kuruar depresionin, ankthin dhe problemet e tjera të shëndetit mendor, rreziqet e tejkalojnë atë përfitim.

LEXO EDHE:  Si do jetë Gjermania post-Merkel?

Për shembull, THC, një derivat i kanabisit, përdoret si ilaç për ankthin dhe sklerozën e shumëfishtë. Studimi pretendon se provat që mbështesin përdorimin e tij janë të “dobëta”, dhe në fakt e përkeqësojnë më tej psikozën. Për më tepër, autorët rishqyrtuan 83 studime që përfshinin në total 3.000 njerëz.

Këto studime, kanë të bëjnë me efektet e kanabinoidit mjekësor tek çrregullime të ndryshme të shëndetit mendor si sindromi Tourette, ose çrregullimi i hiperaktivitetit të defiçitit të vëmendjes (ADHD), depresioni dhe psikoza. Ajo që zbuluan ata, vërteton se provat e efekteve të saj të dobishme, janë në rastin të mirë të papërshtatshme.

Pasi shqyrtoi një numër të madh studimesh, studimi arriti në përfundimin se kanabisi e përkeqëson në fakt depresionin, ankthin dhe simptomat psikotike. Ata përmendën ndërkaq edhe disa studime të mëhershme. Një studim i mirë-konceptuar, thotë që simptomat e psikozës akute mund të ndodhin më shpesh, pikërisht për shkak të përdorimit të kanabisit.

Një tjetër studim, flet për rrezikun më të lartë nga varësia e kanabisit tek të rinjtë, grupmosha ku depresioni dhe ankthi janë mëse të zakonshme. Autorja kryesore e studimit, dr.Luiza Degenhard nga Qendra Kombëtare e Kërkimit mbi Drogën dhe Alkoolit në Sidnej të Australisë, pretendoi se studimi i tyre është realizuar në kohën e duhur, për shkak të kërkesës në rritje për kanabisin mjekësor.

Në ato vende ku kanabinoidet mjekësore janë të ligjshme, mjekët dhe pacientët duhet të peshojnë si dëshmitë e kufizuara të përfitimeve ashtu edhe rreziqet, para se të vendosin t’i përdorin ato si ilaçe, thotë Degenhard. Ajo shtoi gjithashtu se njerëzit që vazhdojnë të kurohen me këto ilaçe, duhet të monitorohen nga afër si për ndikimin pozitiv, ashtu edhe atë negativ./Natureworldnews.com- Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

A do të rrëzohet qeveria në Iran?

Publikuar

-

Nga

Nga James Jay Carafano, ”Fox News”

* Është diçka shumë pozitive që bastexhinjtë bëjnë parashikime, por nuk ka asnjë siguri absolute për atë që na rezervon e ardhmja. Dhe kjo është e vërtetë edhe për sa i përket çështjeve të sigurisë kombëtare. Dhe këtu rreziqet janë vërtet të larta.

Merrni Iranin. Nuk ka punë më të rrezikshme sesa të parashikosh se kur do të shembet nën peshën e vet një regjim autoritar. Natan Sharanski, jep një shpjegim të shkëlqyer të kësaj dukurie në librin e tij “Kauza e demokracinë” të vitit 2004. Ai vëren se këto regjime janë në natyrën e tyre të errëta. Liderët e tyre u fshehin të vërtetat e botës së jashtme qytetarëve të tyre madje edhe njëri-tjetrit.

Njëkohësisht, ata kontrollojnë çdo element të qeverisjes, shoqërisë civile, ekonomisë, ushtrisë dhe medias. Kjo e bën vërtet të vështirë të shohësh të çarat, që përfundimisht çojnë në falimentim dhe kolaps. Për më tepër, nuk ka asnjë mekanizëm lehtësus që të lejojë mendimin ndryshme dhe ndryshimin.

Kur gjenden nën sulm nga brenda dhe jashtë, këto regjime mund të reagojnë me ashpërsi derisa të shpërthejë “tenxherja me presion”, një dështim katastrofik që kap shumë njerëz në befasi.

Sesa pranë rënies është regjimi i Teheranit, kjo është hamendja e shumëkujt sot.

Teherani përballet sot me makthin më të keq të autoritarizmit: presion i madh nga jashtë dhe nga brenda. Regjimet diktratoriale shkëlqejnë në trajtimin e njërës apo tjetrës palë. Kur ngacmohen nga jashtë, ata i tubojnë njerëzit rreth tyre, madje e përdorin kërcënimin e jashtëm si një pretekst për të shtypur edhe më shumë çdo lloj kundërshtimi në vend.

Kur kërcënohen nga brenda, rregjimet shtypin pamëshirë zërat opozitarë. Por kur këto regjime goditen njëkohësisht në të dyja drejtimet, ato vuajnë. Sot, Teherani po merr shumë goditje, dhe jo vetëm nga administrata Trump. Ministriat e Jashtëm të Gjermanisë, Britanisë dhe Francës, e kanë kritikuar deklaratën e regjimit për mosrespektimin e marrëveshjes bërthamore, duke i denoncuar si të papranueshme veprimet e regjimit.

Irani po shkon drejt nënshtrimit ndaj më shumë sanksioneve ndëshkuese. Ndërkohë, brenda Iranit, iranianët janë më shumë se sa të shqetësuar. Elementi ndoshta më mbresëlënës, se si kanë ndryshuar kohët që nga revolucioni i vitit 1979, është video mahnitëse e studentëve iranianë që protestuan në rrugë, duke refuzuar qëllimisht të shkelnin mbi flamujt amerikanë dhe izraelitë të hedhur në trotuar.

E kush do të mendonte se do të shihnim diçka të tillë? Por protestuesit nuk janë sfida e vetme, me të cilat përballet regjimi. Ekonomia e Iranit po rrënohet. Forcat e saj ushtarake, që kanë shkaktuar të vdekur dhe destabilitet nga Siria në Jemen dhe Irak, ndodhen tashmë vetë nën sulm në mbarë Lindjen e Mesme.

LEXO EDHE:  Kush është një lider autokrat?/ Cilat janë 10 tiparet që duhet të ketë

LEXO EDHE:  "Jemi pasardhës të majmunëve"/ Po pse nuk u bënë të gjithë majmunët si ne?

Dhe Udhëheqësi Suprem, Ali Khamenei, nuk është një djalë i ri. Askush nuk pret që Ajatollahu do të vazhdojë të sundojë dhe për shumë kohë. Shumë burime, flasin për një betejë për pasardhësin e tij, që pritet të nisë së shpejti. Por kjo s’do të thotë se liria në Iran është shumë pranë.

Vendi qeveriset nga një bandë mullahësh radikalë. Ata e kanë ruajtur revolucionin për gati gjysmë shekulli, dhe nuk po tregojnë shenja të tolerimit apo humbjes së kontrollit. Ata janë aq të vendosur në shtypjen e çdo lloj kundërshtimi të brendshëm, po aq sa janë të vendosur në rezistencën e tyre kundër Trump.

Gjasat janë që qeveria nuk do të bjerë, dhe që Irani nuk do të shndërrohet brenda natës në një vend “normal” si Norvegjia, siç prendon Sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo. Skenari më i mundshëm, është që regjimi të jetë më pak i rrezikshëm, duke kufizuar aventurizmin e tij në vendet e tjera, në mënyrë që të mund të përqendrohen në stabilizimin e sigurisë së tij të brendshme.

Kjo është ajo që ka bërë regjimi në të kaluarën, kur revolucioni nisi të kishte kontestimet e para serioze. Nuk ka ende asnjë shenjë se çfarë hapash apo gabimesh mund të ndërmarrë Irani. Dhe SHBA-ja nuk duhet që të përpiqet ta marrë me mend. Pasojat e një hamendësimi të gabuar, mund të jenë realisht të këqija.

Kursi më i mirë tanimë, është që Trump t’i përmbahet strategjisë së tij aktuale, për arsyen e thjeshtë se ajo mbron më së miri interesat e SHBA-së. Shtetet e Bashkuara, nuk duhet të ushtrojnë presion për ndryshimin e regjimit. Së pari, nuk është e qartë nëse ky është një qëllim i arritshëm. Dhe së dyti, nuk është e qartë se çfarë do të vinte më pas. Ka të ngjarë të kishte një seri sfidash të reja.

Nëse populli iranian vendos vetë për ndryshimin e regjimit (e kush mund t’i fajësojë ata?), kjo është punë e tij. Populli i Iranit ka plotësisht të drejtë të kërkojë të jetë i lirë. Nëse iranianët rrëzojnë nga pushteti mullahët, ne dhe pjesa tjetër e botës do të duhet të përballemi me pasojat. Nëse regjimi mbetet më këmbë, mullahët do të detyrohen të mësojnë të jetojnë në një shtet që shihet nga të tjerët si një “dele e zezë”. Ose duhet të bëjnë zgjedhjen e guximshme, duke dëgjuar këshillat e Majk Pompeos, duke iu bashkuar familjes së kombeve të përgjegjshme të botës./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Çfarë ishin “vrapuesit” e llogoreve gjatë Luftës së Parë Botërore/ Më i famshmi mes tyre Adof Hitleri

Publikuar

-

Nga

Filmi “1917”, i regjizorit të njohur Sem Mendez premton një eksperiencë unike kinematografike. Ai përshkruan historinë e 2 lajmëtarëve të ushtrisë britanike, që kalojnë linjat e armikut, për të shpërndarë një mesazh jetik nga shtabi, që mund t’iu shpëtojë jetën 1600 shokëve të tyre. Aksioni është vendosur në të ashtuquajturën Linja Hindenburg në fillim të vitit 1917. Ajo kohë kaosi dhe paparashikueshmërie, i jep skenaristit shumë hapësirë ​​për të shtrirë imagjinatën e tij. Por si ishte vërtet jeta për lajmëtarët në Luftën e Parë Botërore?

Së pari, ata nuk ecnin domosdoshmërisht vetëm më këmbë. Ata janë fotografuar zakonisht mbi kalë apo motorrë. Duke vepruar në pjesën e pasme të vijës së frontit, jeta e tyre ishte sërish e rrezikuar. Terreni ishte i vështirë, ashtu si edhe mirëmbajtja e automjeteve.

                 George Fletcher

Lajmëtari 27-vjeçar Xhorxh Fleçer, u neverit shpejt nga motoçikleta e tij. Ai nuk kishte asnjë përvojë me të para luftës. Dhe nga fundi i 1914-ës, kaloi më shumë kohë duke e shtyrë me duar sesa duke e ngarë, duke e goditur me grushte dhe shkelma gati në çdo rast, dhe duke dëshiruar që në vend të saj të kishte një kalë.

Në atë kaos, ishte e lehtë të përfundoje tek ushtria e gabuar. Një natë gjatë tërheqjes së vitit 1914, Fleçer u gjend përballë një patrulle ushtarësh gjermanë. Për fatin e tij të mirë, ai kishte mësuar frëngjisht dhe gjermanisht në Kolegjin britanik Eton, dhe u shtirr sikur ishte një nga oficerët e tyre, ai hipi me shpjetësi në motoçikletë dhe u arratis, para se gjermanët të kuptonin se çfarë po ndodhte.

Motoçiklistët ishin një shembull i mirë i përçimit të informacionit, por nderkohë teknologjitë dhe inovacionet e reja, po ndryshonin komunikimet në prapavijë. Por, megjithë inovacionet e mëdha gjatë Luftës së Madhe, sidomos për sa i përket artilerisë, kjo nuk e forcoi sigurinë e lajmërtarit, që kishte operuar në fushën e betejës për mijëra vjet me kokën në torbë.

Komunikimet në radio ishin ende primitive. Njësitë ushtarake mbështeteshin në kontaktin e siguruar nga linjat me tela bakri, të cilat shkatërroheshin shpesh nga bombardimet armike. Në atë moment, oficerët do të thërrsnin në shërbim “vrapuesit” e tyre, pasi mënyra më e mirë për të siguruar që urdhërat të mbërrinin me siguri në vendin e duhur, ishte akoma dërgimi i një njeriu më këmbë.

Nëse një njeri kishte përvojë të mëhershme si vrapues, ai do të rekrutohej vazhdimisht nga oficerët e rinj gjatë gjithë luftës. Kur komandantët vriteshin, vrapuesit ndryshonin njësi. Të tjerët qëndronin me pjesën tjetër të ushtarëve, derisa thirreshin sërish në shtab, për t’iu dhënë një zarf të mbyllur apo një letër me një mesazh tepër sekret.

Lajmëtari do ta fuste me siguri në xhep, dhe do të nisej për udhë, e cila mund të zgjaste për ditë të tëra, pasi artileria gjermane sulmonte vazhdimisht linjat telefonike. Mesazhet shkonin nga një kompani në një kompani nëpër llogore, ktheheshin me përgjigje në shtabin e batalionit, apo madje edhe më tej, në brigadë ose shtabin e divizionit.

Nëse vrapuesit ishin të rinj për një njësi ose zonë, ata nuk do ta dinin domosdoshmërisht se ku po shkonin. Ata pritej të ishin të zotët të vetes, dhe shpesh liheshin të gjenin vetë një shteg pa asnjë udhëzim nga larg. Një burrë e pranoi se gati po mbërrinte në linjat gjermane duke kërkuar një oficer, para se marrësi ta ndalonte, ta merrte letyrë dhe ta udhëzonte si të rikthehej në mënyrë të sigurtë.

LEXO EDHE:  Denoncimi në CNA.al/ Administrata sjellje skandaloze, nënës me dy fëmijë nuk i jepet asistenca

LEXO EDHE:  "Jemi pasardhës të majmunëve"/ Po pse nuk u bënë të gjithë majmunët si ne?

Një tjetër kujtoi vërdallosjet përrreth qytetit belg të Monsit në kulmin e një beteje, pa asnjë të dhënë ku ndodhej shtabi. Edhe pse nuk përplaseshin direkt me armikun, kjo punë nuk ishte aspak e sigurt. Në fillim të luftës, një lajmëtar kujtonte se për të shpërndarë një mesazh, ai duhet të priste të binte nata, të zvarritej nga llogorja në llogore, duke shpresuar të shmangte çdo lloj snajperi gjerman.

Po kush ishte vrapuesi më i famshëm i Luftës së Madhe? Adolf Hitleri. Ka ende debate se sa në rrezik ishte gjatë kryerjes së kësaj pune, dhe është e vështirë ndarja e fakteve historik nga propaganda e mëvonshme. Si një lajmërtar i regjimentit, diktatori i ardhshëm nuk pati ndonjë rol shumë të rrezikshme.

Të punoje për një batalion ose një kompani, do të kishte qenë shumë më e rrezikshme. Hitlerit iu dha dy herë Kryqi i Hekurt për trimëri. Ushtria britanike provoi çdo lloj mënyrë për të ruajtur kontaktet me trupat që shkonin në betejë. Ata përdorën çarçafët e bardhë, që i shtrinin përtokë duke shënuar numra të ndryshëm.

Avionët ende primitivë rekomandoheshin të hidhnin poshtë disqet reflektuese, dhe copa rrobash shumëngjyrëshe në shpinën e ushtarëve për të parë përparimin e tyre, duke i orientuar ku duhej të bombardonin. Ndërkohë përdornin flakë dhe llamba Mors.

U përdorën edhe pëllumbat, për të përditësuar informacionet se ku ndodheshin trupat në hartë, dhe si po përparonin ato. Edhe tanket nisën të luanin një rol me rëndësi ne ruatjen e linjave të komunikimit. Por sërish vrapuesit, ishin një pjesë thelbësore e kontakteve mes shtabit të njësive në terren.

Bartja e mesazheve më këmbë në mesin e një beteje, mund të ishte një përvojë e tmerrshme. Ndërsa të tjerët u fshiheshin sulmeve të tmerrshme të artilerisë armike, pritej që lajmëtarët të vazhdonin të ecnin përpara, pavarësisht nga rreziku./ Historyextra-Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Projekti neo-otoman i Erdoganit, mund të nisë dështimin e tij që nga Libia

Publikuar

-

Nga

Nga Simon Schofield “Euobserver”

* Turqia ka nisur zbatimin e një strategjie neo-otomane, duke synuar të rivendosë veten si një fuqi e madhe rajonale. Kjo strategji, përfshin njëkohësisht edhe përfitimet nga anëtarësimi në NATO, teksa ndjek një politikë të jashtme ekspansioniste, që përfshin edhe një partneritet të debatueshëm me Rusinë në Siri.

Sidoqoftë, me holandezët që kanë pezulluar privilegjet që i garantonte Turqisë Neni 5, dhe me konfliktin e përshkallëzuar në Libi, që po e vendos Ankaranë në një kurs përplasjeje me Moskën, presidenti Rexhep Taip Erdogan, mund ta gjejë veten shumë shpejt mes 2 zjarresh.

“Turqia është një nga anëtaret më të forta të NATO-s. Unë nuk mendoj se NATO mund të bëjë pa Turqinë, si në rrafshin gjeopolitik ashtu edhe në atë strategjik”- deklaroi kohët e fundit kryeministri i Holandës Mark Rute.

Gjithsesi, kjo nuk e ndaloi Unionin Kristian dhe Partinë Socialiste, partnerët e tij në koalicionin qeverisës, të votonin kundër partisë së tij VVD dhe në favor të 2 mocioneve: i pari që kërkon mbështetje shtesë për Forcat Demokratike Siriane (SDF) në perëndim dhe veri të Sirisë, dhe tjetri që bën thirrje për një refuzim automatik të çdo evokimi të Nenit 5 të aleancës nga ana e Turqisë, për sa kohë që Ankaraja vazhdon operacionet kundër kurdëve të SDF.

Në përgjigje të sulmit turk në Rojava, dy anëtare të NATO-s, Norvegjia dhe Holanda, pezulluan eksportet e armëve drejt Ankarasë. Këto janë vetëm 2 shembuj të rritjes së distancës midis Turqisë, dhe pjesës tjetër të aleancës. Në vend se të veprojë në koordinim të ngushtë me NATO-n, Turqia po zgjedh të maksimizojë lirinë e saj të manovrimit, duke u inkuadruar në një numër partneritetesh të leverdishme për momentin:me Rusinë, Katarin, Iranin dhe Venezuelën.

Njëherazi, ajo po e zgjeron sferën e saj të ndikimit duke shfrytëzuar Vëllazërinë Myslimane dhe milicitë xhihadiste nga Siria në Libi, si mbështetës politikë dhe ushtarakë. Këto grupe nuk kanë asnjë interes tek rrikthimi i stabilitetit dhe prosperitetit në këto shtete të shkatërruara nga lufta, për shkak se ato po lulëzojnë mbi kaosin dhe shkatërrimin që kanë shkaktuar vetë.

Shërbimi ndaj aleatëve dhe marrëdhënia me kombet e tjera mbi baza tregtare dhe transaksionale, mund të duket tërheqëse. Por kjo qasje mund të përfundojë në një mënyrë katastrofike për Turqinë në Libi. Me Vëllazërinë Myslimane që përfaqëson një fraksion jetik brenda qeverisë libiane të Akordit Kombëtar (GNA), Turqia ka një nxitje ideologjike të fortë për ta mbështetur atë.

LEXO EDHE:  Kush është një lider autokrat?/ Cilat janë 10 tiparet që duhet të ketë

LEXO EDHE:  Pse vendet ish-komuniste, nuk kanë ende një gjyqësor të besueshëm dhe të pavarur

Por Ankaraja po sheh gjithashtu mundësinë për përfitime ekonomike në Libi. Për këtë arsye, ajo nënshkroi një marrëveshje me GNA, që zgjeroi Zonën Ekskluzive Ekonomike Detare të Turqisë (EEZ) në Libi, një akt ky i diskutueshëm, sidomos për Greqinë anëtare të NATO-s, duke pasur parasysh që ishulli grek i Kretës, gjendet midis EEZ turke dhe asaj libiane.

Për të mbështetur qeverinë e GNA kundër Ushtrisë Kombëtare Libiane (LNA) të gjeneralit Khalifa Haftar, Turqia shpalli në fillim të këtij muaji planet për të vendosur trupa në Tripoli, duke përfshirë edhe militantët sirianë dhe ushtarët turq. LNA, që mbështetet nga mercenarët rusë, pushtoi javës që shkoi Sirten, një qytet me rëndësi të madhe strategjike, dhe kjo e ka lënë qytetin e Misratës shumë të ekspozuar ndaj sulmeve.

Misrata është bastioni i fundit i qeverisë së Tripolit. Ka shumë të ngjarë që ajo të jetë objektivi i radhës i LNA. Dhe kjo gjë i vendos trupat turke dhe mercenarët rusë, në anët e kundërta të një lufte të ashpër. Presidentët Erdogan dhe ai rus Putin, u takuan javën e kaluar për të diskutuar më tej mbi Libinë.

Nëse takimi përfundoi me një marrëveshje xhentëllmenësh për të ndarë plaçkën e luftës, apo nëse Turqisë  i është lënë në dorë lëvizja e fundit dhe kësisoj është e dënuar të dështojë, kjo mbetet për tu parë. Tani për tani, që të dyja palët kanë ndërmjetësuar një armëpushim të brishtë midis GNA dhe LNA.

Por vetëm koha do të tregojë se sa i frytshëm do jetë ai. Nëse partneritetiTurqi-Rusi është pragmatik dhe i momentit, dhe nëse mund të prishet ky bashkëpunim, kur të kenë ndryshuar interesat e tyre, kjo do të vërtetohet në një periudhë më afatgjatë.

Kjo do ta detyronte Ankaranë të niste një kërkim të dëshpëruar për aleatë, në kushtet kur NATO po e cilëson atë si një anëtare gjithnjë e më të pabesueshme. Marrëdhëniet me Iranin do tendosen për shkak të Sirisë; Rusia do t’i kundërvihet në Libi; Arabia Saudite dhe vendet e tjera të Gjirit Persik, do të bëjne sehir për shkak të aleancës së pamatur të Turqisë me Katarin, në një kohë që Egjipti do të vazhdojë të jetë i shqetësuar për mbështetjen e turqve ndaj Vëllazërisë Myslimane. Ankaraja mund të zbulojë se tani e tutje rruga do të jetë vetëm e përpjetë./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE