Connect with Us

“Atë mbrëmje përqafova Anastasin e Sadikun për të fundit herë”/ Si i eliminoi Enveri të gjithë themeluesit e PK

Histori

“Atë mbrëmje përqafova Anastasin e Sadikun për të fundit herë”/ Si i eliminoi Enveri të gjithë themeluesit e PK

Publikuar

-

Kjo është historia e panjohur e pjestarëve të mbledhjes themeluese të Partisë Komuniste të Shqipërisë, të cilët Enver Hoxha i eliminoi të gjithë duke filluar që nga periudha e Luftës me Anastas Lulën dhe Sadik Premten, për të vazhduar më pas me Koci Xoxen, Kristo Themelkon, Tuk Jakovën, Sotir Vullkanin, Ramadan Çitakun e Koço Tashkon. Të vetmit që i shpëtuan ndëshkimit, ishin Pilo Peristeri që u la në postin e Drejtorit të Kombinatit të Autotraktorëve dhe Sinan Hasani, i cili që gjatë Luftës u dërgua me mision në Kosovë prej nga nuk u kthye më, dhe pas vdekjes së Titos ai arriti postin e Presidentit të Republikës Federative të Jugosllavisë…

Plot 78-vjet më parë, në 8 nëntor të vitit 1941, disa anëtarë të grupeve komuniste të Shkodrës, Korçës dhe Tiranës, të cilat ushtronin aktivitetin e tyre ilegal që nga mesi i viteve ’30, u mblodhën në një shtëpi tiranase dhe shpallën krijimin e Partisë Komuniste Shqiptare. Pak muaj më vonë, në krye të asaj partie doli Enver Hoxha, i cili për afro 45-vjet me rradhë drejtoi me dorë të hekurt Shqipërinë, duke instaluar këtu një nga diktaturat më të egra të modelit stalinist. Dorës së hekurt të Enverit, i cili gjatë gjithë periudhës së sundimit të tij despotik e mbushi Shqipërinë me kampe dhe burgje për kundërshtarët politikë, nuk i shpëtuan as vetë ata që kishin themeluar Partinë Komuniste dhe kishin sjellë atë në krye të saj. Po kush ishte njeriu që bëri përpjekjet e para për krijimin e Partisë Komuniste në Shqipëri, kush ishin ata që morën pjesë në mbledhjen themeluese të 8 nëntorit 1941 dhe si i eleminoi Enver Hoxha të gjithë ata, duke i ekzekutuar, burgosur apo internuar?

Koço Tashko: Enverin e mora se na duhej një mysliman
Një nga njerzit që tentoi i pari të krijonte në Shqipëri një Parti Komuniste, ka qenë Zef Mala, i cili që në mesin e viteve ’30, drejtonte Grupin Komunist të Shkodrës. Aty nga muaji korrik i vitit 1939, ai mblodhi një grup komunistësh dhe shpalli krijimin e një partie komuniste. Mbas internimit të Zef Malës në Ventotene të Italisë, shokët e tij i humbën lidhjet me të, për shkak të pamundësisë së komunikimit. Kjo gjë bëri që edhe partia e tij të shpërbëhej plotësisht. Lidhur me ekzistencën e kësaj partie, Koço Tashko ka dëshmuar: “Kur vajta në Itali për t’ju kërkuar ndihmë shokëve italianë për ndërmjetësimin e themelimit të partisë, ata nuk më pritën fare. Ndoshta ata njihnin Partinë Komuniste të Zef Malës, të themeluar në korrikun e vitit 1939”. Pasi Koço Tashko nuk mori dot ndihmën e komunistëve italianë, ai vajti në Jugosllavi dhe u kërkoi atyre të njëjtën gjë. Jugosllavët i sugjeruan atij se atë punë mund t’jua bënte shumë mirë, anëtari i Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, Miladin Popoviç, i cili ishte i internuar nga italianët në kampin e Peqinit. Koço Tashko e pranoi sugjerimin e tyre dhe aksioni për lirimin e Miladinit iu ngarkua Mustafa Gjinishit dhe Guri Dhorit, shok i Tashkos.

Pas lirimit, Miladini u vendos në Tiranë në shtëpinë e Shyqëri Këllezit, e cila ishte bazë e Grupit Komunisit të Rinjve. Pas shumë bisedimesh që Tashko bëri me krerët e tre grupeve, u ra dakort që ata të bënin një mbledhje në shtëpinë e Bojka Lazërit, të cilën asokohe e kishte me qera Xhemal Cani me të shoqen Zylfien. Që përpara mbledhjes, Tashko kishte rënë dakord në parim me krerët e dy grupeve që kur të diskutonin për krijimin e Partisë, asnjë prej krerëve kryesorë nuk do zgjidhej në postin e sekretarit politik. Për këtë Tashko ka dëshmuar: “Ato ditë që vendosëm për mbledhjen e grupeve, më vajti mendja që të merrja në grupin tonë edhe Enver Hoxhën, të cilin e kisha rregulluar që të punonte në Tiranë, tek kinkaleria e mikut tim, Esat Dishnica. Duhej bërë kjo pasi shokët e tjerë të grupit tonë si: Mihal Lako, Koçi Xoxe, Pilo Peristeri, e ndonjë tjetër, ishin në Korçë me përgatitjen e demonstratës së 7 nëntorit. Enveri njihej si intelektual, kishte qenë profesor në Liceun e Korçës dhe kishte studiuar ca kohë në Francë. Po kështu ai ishte i gojës dhe i penës, e kishte një paraqitje për t’u admiruar. Ndër më kryesoret që unë mendova të merrja Enverin me vete në atë mbledhje, ishte se ai ishte i besimit myslyman, sepse ne të tjerët ishim të gjithë ortodoksë. Kjo gjë duhej bërë patjetër sepse duhej një myslyman të përfaqësonte aty gjithë atë popullsi myslymane që kishte Shqipëria”, ka dëshmuar Koço Tashko lidhur me pjesëmarrjen e Enverit në atë mbledhje.

Mbledhja themeluese e PKSH-së
Mbledhja për formimin e PKSH filloi në mbrëmjen e 8 nëntorit 1941 dhe aty erdhën përfaqësuesit e tre grupeve. Nga Grupi i Korçës ishte Koço Tashko, Pilo Peristeri, Koçi Xoxe, Sotir Vullkani dhe Enver Hoxha. Nga Grupi i Shkodrës ishin Qemal Stafa, Vasil Shanto, Kristo Themelko dhe Tuk Jakova. Kurse nga Grupi i të Rinjve ishin Sadik Premtja, Anastas Lula, Ramadan Çitaku dhe Sinan Hasani. Po kështu aty ishin prezent dhe Miladin Popoviç e Dushan Mugosha, për të cilët të tre grupet kishin rënë dakord që të ishin si ndërmjetës dhe t’i ndihmonin për punët proceduriale. Përveç delegatëve me mandat, aty ishin preznet dhe persona të tjerë pa të drejtë vote si Skënder Çaçi etj. Po kështu rreth shtëpisë bënin roje dhe shumë persona të besuar që i komandonte Ali Demi. Që me fillimin e mbledhjes filluan debatet, pasi Lula dhe Premtja nuk ishin dakort me propozimin e Grupit të Korçës që të shpallej njëherë formimi i Partisë dhe pastaj të diskutoheshin problemet që grupet kishin në mes tyre. Sipas dëshmive të Premtes, thuhet se Grupi i të Rinjve nuk kishte fare njoftim se në atë mbledhje do procedohej për krijimin e Partisë, por ata kishin shkuar aty duke menduar se do të vazhdonte mbledhja që kishin lënë përgjysëm disa ditë më parë në shtëpinë e Bije Vokshit. Pas ndërhyrjes së Miladinit, u hodh në votë dhe fitoi propozimi që të formohej Partia, pastaj të bënin diskutimet.

Me votim të plotë në mbrëmjen e 8 nëntorit u shpall themelimi i PKSH-së dhe u hartua rezoluta përkatëse. Për këtë Enveri në kujtimet e tij ka shkruar: “Ishte një çast solemn dhe unë i përqafova të gjithë. Atë mbrëmje përqafova dhe Anastasin e Sadikun për të fundit herë”. Mbledhja vazhdoi edhe shtatë ditë të tjera dhe Tashko ishte ai që dëgjohej më shumë nga të gjithë, për arsye se ishte komunisti më i vjetër dhe me mandat nga Kominterni. Ditën e fundit të mbledhjes u zgjodh Komiteti Qëndror, ku fituan Qemal Stafa, Ramadan Çitaku, Koçi Xoxe, Tuk Jakova, Enver Hoxha, Gjin Marku dhe Kristo Themelko. Kjo gjë erdhi pasi Enveri me dinakëri propozoi që Tashko, Premtja dhe Lula të ishin tre pjestarët e komisionit që do zgjidhnin Komitetin Qëndror dhe kjo gjë u miratua duke i lënë ata jashtë Komitetit Qendror.

Enveri zgjidhet sekretar i PKSH, në mars ’43
Mbas mbledhjes themeluese, Komiteti Qendror provizor caktoi dhe detyrat për të gjithë anëtarët. Për këtë Enveri ka shkruar: “Për të ruajtur unitetin, nuk pati zgjedhje për kryetar apo sekretar dhe ne bëmë ndarjen e punëve, ku Qemali do merrej me rininë, Baca (Çitaku) me financat, kurse unë me shtypin e me organizimin e Partisë”. Kjo thënie e Enverit (te libri “Kur lindi Partia”) nuk i qëndron së vërtetës, pasi sipas shumë dëshmive, Enveri u ngarkua vetëm me financat e Partisë. Kështu Isuf Keçi ka dëshmuar se i dorëzonte Enverit rregullisht shuma të mëdha parash që ua merrnin tregtarëve tiranas për Lëvizjen. Sipas Tashkos, ai insistoi që në postin e sekretarit organizativ të Komitetit Qëndror të mos zgjidhej njeri, pasi ajo gjë i takonte Grupit të Korçës dhe kështu ata thirrën Dr. Ymer Dishicën në atë post. Pas mbledhjes themeluese anëtarët e Komitetit Qendror u shpërndanë nëpër rrethe të ndryshme.

Gjin Marku në Berat, Themelko në Gjirokastër, Tuku në Shkodër, kurse Enveri qëndroi në Tiranë, ku do të merrej me mbledhjen e financave të Partisë. Pas 8 nëntorit 1941, Enveri rrinte më shumë me Miladinin në shtëpinë e Shyqëri Këllezit. Lidhur me këtë në dëshmitë e tij për “Gazeta Shqiptare”, midis të tjerash Shyqëriu është shprehur: “Aty në shtëpinë time Miladini i thërriste një nga një të gjithë anëtarët e Komitetit Qendror dhe në mes të tjerash i pyeste edhe për problemin e Kosovës. Kur ai pyeti Anastasin e Sadikun ata i thanë: ‘Ai problem është zgjidhur në bazë të Kartës së Atlantikut që më 14 gusht 1941 dhe në bazë të kësaj karte, të gjithë popujt me plebishit do të vendosin se me kë dëshirojnë të bashkohen. Popullsia e Kosovës duke qenë 80% shqiptare natyrisht që do të bashkohet me Shqipërinë’. Pas kësaj ndërmjet Miladinit dhe Anastasit e Sadikut filluan kontradikta të mëdha për të cilat, Hamit Keçi na ka dëshmuar publikisht për “Gazeta Shqiptare”, duke thënë: “E kam dëgjuar me veshët e mi nga goja e Sadik Premtes kur ai thoshte: ‘Miladini me Dushanin janë shovinistë serb”.

Sipas dëshmive të Këllezit dhe Keçit, pas kontradiktave që Miladini pati me Sadikun dhe Anastasin, ai afroi akoma e më shumë Enverin i cili e përkrahte në ato debate. Kjo gjë konçidon edhe me zgjedhjen e Enverit në krye të Qarkorit të Tiranës, gjë e cila u realizua me propozimin e Miladinit. Në krye të Partisë Enveri erdhi në marsin e vitit 1943 kur u mbajt Konferenca e PKSH në Labinot. Në atë mbledhje, Dr. Ymer Dishica që kishte funksionin më të madh në parti, si sekretar organizativ, propozoi Enverin si Sekretar i Përgjithshëm i PKSH-së, gjë e cila u miratua me votim të hapur nga të gjithë.

Si u zhdukën themeluesit e PKSH-së
Që pas mbledhjes së 8 nëntorit 1941, Enveri filloi goditjen ndaj anëtarëve të Komitetit Qendror që ai i shihte si rivalë në luftën e tij për të kapur kreun e partisë. Nga nëntori i ’41-it e deri në marsin e ’43-it, kur Enveri u zgjodh në krye të PKSH-së, u vranë Qemal Stafa, Vasil Shanto dhe Sadik Stavaleci, të cilët ishin kandidatë kryesorë për kreun e PKSH. Për këta të tre, sipas shumë dëshmive, janë hedhur dyshime duke akuzuar Enverin të implikuar direkt në vrasjet e tyre. Po kështu në mbledhjen e marsit ’43 ku Enveri u zgjodh në krye të PKSH-së, u mor vendimi i përjashtimit të Premtes e Lulës nga Komiteti Qendror i PKSH. Për këtë Enveri ngarkoi dhe personat për eleminimin e tyre. Për vrasjen e Anastasit, Ferik Demir Çorej nga Uznova e Beratit, na ka dëshmuar publikisht për “Gazeta Shqiptare”: “Më dt.12 mars 1943 erdhën në shtëpinë time një grup partizanësh të çetës së Ramiz Aranitasit që komandoheshin nga Orhan Frashëri dhe një kolonjar që quhej Dhori. Ata na thanë se atë natë kishin pushkatuar në Qafë të Gllavës një partizan që quhej Anastas Lula, i cili kishte dezertuar nga rradhët e udhëheqjes dhe bashkëpunonte me okupatorin. Atë e kishin pushkatuar të lidhur me cigare në gojë pasi kishte thirrur: ‘Rroftë Shqipëria”.

Pas pushkatimit të Lulës, Enveri urdhëroi të njëjtën gjë dhe për Sadik Premten. Por pasi Sadiku mundi që t’u shpëtonte pritave që i bënë partizanët e Hysni Kapos në Tragjas, Enveri shkoi vetë në Vlorë. Pas kësaj Sadiku u fsheh dhe më pas u arratis nga Shqipëria dhe jetoi në Francë. Pas këtyre i erdhi rradha Zef Malës. Kur u kthye nga internimi ai shkoi në Pezë, ku Babë Myslymi i tha: “Ik or babë e mçifu në Tiranë, se dun me t’vra”. Për këtë Myslymi kishte parë telegramin që Enveri i dërgonte Nako Spiros ku thuhej: “I dashur Nako, Zef Mala jo vetëm që nuk duhet të shkojë në Kosovë, por ai duhet të dekorohet me një plumb kresë. Ai s’është i mirë prandaj duhet të zhduket. Gjeni mënyrën që të mos kuptohet, por në asnjë mënyrë të mos lihet kjo gjë pas dore, sikur ka bërë Hyseni (Gogo Nushi) me të tjera këshilla që i kemi dhënë, për të cilat do përgjigjet. Të fala shoqërore Tarasi (A.Q.SH. fq 14, Dos 76. P 26.08.1944). Pas kësaj Zef Mala u fsheh në Tiranë deri në mbarim të luftës dhe më pas përfundoi burgjeve dhe internimeve deri kur vdiq në vitin 1976 në mjerim të plotë. Që gjatë Luftës me urdhër të Enverit u pushkatua pa gjyq edhe Lazri, i zoti i shtëpisë ku u mbajt mbledhja themeluese më 8 nëntor.

Eleminimet e themeluesëve të PKSH-së pas mbarimit të Luftës
Pas mbarimit të Luftës, në fillim Enveri eleminoi Koci Xoxen duke e akuzuar si agjent të jugosllavëve. Koçi kishte funksionet më të larta pas Enverit, si nënkryeministër, sekretar organizativ i PKSH-së etj., dhe u pushkatua më 10 korrik 1949. Më pas rradha i erdhi Kristo Themelkos dhe Sotir Vullkanit që Enveri i goditi duke i konsideruar si njerëz të Xoxes. Kristo kishte lindur më 1916 në fshatin Vërnik të Bilishtit (shule) dhe kishte bërë vetëm 5 klasë shkollë. Pasi kishte qenë kapterr në ushtrinë e Zogut në Milot, ai ishte lidhur me Grupin Komunist të Shkodrës. Mbas lufte ai u emërua Komisar i Korpusit të Tretë në Berat me gradën gjeneral-major, deri në 1947-ën kur u emërua Drejtor Politik i Ushtrisë. Pas goditjes së Xoxes, Enveri e goditi si njeri të jugosllavëve (ishte me origjinë maqedonase) dhe e caktoi Kryetar të Arizanatit në Tiranë, brigadier për këpucarët, berberët dhe rrobaqepësit. Kurse Vullkanin i cili kishte qenë ndër komunistët më të vjetër të Grupit të Korçës (pas Koçi Xoxes) pasi punoi disa kohë oficer në prapavijë, Enveri e degradoi pse ai mbrojti Koçin.

Vullkani vdiq në Tiranë në vitin 1964, një vit pasi i biri i tij, Roberti, ishte denuar me 15 vjet burg politik për tentativë arratisje. Më pas Enveri eleminoi dhe Çitakun i cili kishte qenë me Grupin e të Rinjve. Pasi Baca qëndroi disa kohë ambasador në Beogradc, Enveri e hoqi dhe dërgoi zv/ministër për Financat dhe më pas në Bankën e Kursimeve. Çitaku vdiq në 9 prill 1990 dhe në atë kohë të gjithë u habitën, pasi nuk e mendonin se ai njeri ishte gjallë, pasi nga frika e burgosjes Baca nuk kishte dalë kurrë nga shtëpia për vite me rradhë. Në vitin 1956 Enveri eleminoi dhe Tuk Jakovën (zv/kryeministër dhe sekretar organizativ i PKSH-së) pasi në një mbledhje Pleniumi, ai kundërshtoi manipulimin që i ishte bërë në shtëpinë muze të themelimit të Partisë me figurat e udhëheqjes. (Jakova vdiq në burg dhe dyshohet se e kanë helmuar).

Në vitin 1960 Enveri eleminoi dhe Koço Tashkon duke e akuzuar si njeri të sovjetikëve. Tashko qëndroi në burg deri në moshën 80 vjeçare dhe vdiq në internim në kampin e fshatit Adriatik afër Mamurrasit. Të vetmit anëtarë të mbledhjes së PKSH-së që mbetën pa u goditur nga Enveri, ishin Pilo Peristeri dhe Sinan Hasani. Nga Peristeri nuk i vinte asnjë e keqe Enverit, dhe ai e la atë formalisht në funksionin e kandidatit të Byrosë Politike dhe Drejtor të Uzinës Autotraktorëve në Tiranë, pasi puna kryesore e Pilos ishte që të fliste në përvjetorët e Partisë për “gjenialitetin” e Enver Hoxhës. Ndërsa Sinan Hasani shpëtoi nga goditja e Enverit pasi që në kohën e Luftës, u caktua të punonte në Kosovë dhe nuk u kthye më në Shqipëri. Ai qëndroi atje dhe pas vdekjes së Titos u bë President i Republikës Federative të Jugosllavisë.

Në 1946-ën, Pilo Peristeri s’ia dha Enverit deklaratën, duke thënë se ai s’kishte qenë me Grupin e Korçës
Nga të gjithë pjesëmarrësit e mbledhjes themeluese të 8 nëntorit të vitit 1941, vetëm Pilo Peristeri mundi që t’i shpëtonte goditjes së Enver Hoxhës, duke rezistuar deri në shëmbjen e regjimit komunist. Por edhe ai nuk kishte mundur që të shpëtonte “pa u lagur”, pasi e kishte paguar haraçin që në vitet e para të pasluftës. Diku aty nga viti 1946, kur Enver Hoxha nuk e kishte konsoliduar akoma pushtetin e tij të hekurt në Parti ashtu siç ndodhi më vonë, ai i dërgoi njerëz Pilo Peristerit, për t’i kërkuar një deklaratë ku Pilo të dëshmonte, se Enveri kishte qenë pjesmarrës i Grupit Komunist të Korçës që në fundin e viteve ’30-të. Por Pilo Peristeri u tha njerëzve që shkuan për t’ia kërkuar deklaratën, se nuk mund t’ua jepte dot atë, pasi Enveri nuk kishte qenë me Grupin Komunist të Korçës.

Pas kësaj Enveri i dërgoi Pilos një nga njerzit e tij më të afërt, por edhe atij Pilo iu përgjigj negativisht duke i thënë: “Jo bre, s’i të gënjej unë, Enveri nuk ka qenë me Grupin e Korçës”. Pasi Enverit i dështoi edhe tentative e dytë me Pilon, ai dërgoi njerëz për ta marrë deklaratën pranë Sotir Vullkanit, por edhe Sotiri nuk pranoi që ta jepte atë deklaratë, duke dhënë të njëjtën përgjigjie si Peristeri. Pas kësaj, Enveri u hakmorr ndaj Peristerit e Vullkanit duke i shkarkuar ata nga funksionet që mbanin. Sotir Vullkanin e arrestuan gjoja për armëmbajtje pa leje dhe në vitet që pasuan atij i arrestuan dhe i burgosën për vite me rradhë edhe djalin e tij. Por inatin më të madh Enveri e kishte me Pilon, të cilin si fillim e dërgoi në Kuçovë, gjë e cila i shkaktoi atij edhe një problem të madh familjar. Pilo qëndroi në Kuçovë deri në atë kohë që pranoi të jepte deklaratën për Enverin dhe pas asaj ai u rehabilitua dhe u soll përsëri në Tiranë./Memorie.al

KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Histori

U mbajtën sekret për 45 vjet në arkivat e PPSH/ Publikohen imazhet e rralla të Ballit Kombëtar gjatë luftës

Publikuar

-

Nga

Zbulohen disa prej fotove të rralla të organizatës nacionaliste të Ballit Kombëtar të bëra gjatë periudhës së Luftës në vitet 1943-1944, të cilat për vite me radhë u mbajtën sekret në arkivin e ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe nuk u publikuan kurrë nga historiografia e regjimit komunist dhe propaganda e asaj kohe, me qëllim që veprimtaria dhe roli i kësaj organizate nacionaliste të fshihej fare nga historia dhe memorja e shqiptarëve.

Në këto foto të panjohura me imazhe të rralla kanë dalë disa nga eksponentët kryesor të Rinisë së Ballit Kombëtar të inkuadruar në batalionin “Qeramudin Sulo dhe Besnik Çano” gjatë inkursionit që ata bënë në disa qytete të Kosovës, si Prizren, Pejë, Gjakovë etj., ku ata shkuan për të luftuar kundra forcave çetnike në verën e vitit 1944, si dhe në ceremoninë mortore të Azis Çamit, një nga udhëheqësit e Ballit që u vra me atentat nga gueriljet komuniste të Tiranës.

Në disa nga këto foto është batalioni i Rinisë së Ballit, “Besnik Çano dhe Qeramudin Sulo” duke hyrë në qytetin e Pejës e Gjakovës, ku i është bërë një pritje madhështore nga mijra e mijra banorë që kanë dalë në të dy anët e rrugës me lule në duar. Në krye të kollonës së forcave të rinisë nacionaliste, duket Seid Kazazi (komandanti i batalionit) dhe pas tij Arif Peza dhe Xhemal Alimehmeti, ndërsa në mes tyre me flamur në dorë, është Ridvan Banka, të tre nga qyteti i Tiranës dhe shokë klase me Ramiz Alinë në gjimnazin e kryeqytetit deri në vitin 1943 kur braktisën mësimet dhe dolën në mal për të organizuar rezistencën antifashiste.

Seid Kazazi, i diplomuar për Drejtësi në Vienë, u vra nga forcat komuniste në Kryengritjen e Postribës në vitin 1946, ku ishte në krah të vëllait të tij, Jup Kazazit, udhëheqësit kryesor të kësaj lëvizje antikomuniste që vrau veten për të mos rrënë i gjallë në duart e forcave komuniste. Kurse Arif Peza, po komandanti i një çete të Ballit që ishte dhe tmerri i komunistëve, në nëntorin e vitit 1944 u largua nga Shqipëria së bashku me eksponentët kryesorë të Ballit dhe Legalitetit si Mit’hat Frashëri, Hasan Dosti, Abaz Kupi, etj., kurse një vëlla i tij, gjithashtu komandant çete i Ballit, u pushkatua nga komunistë, ndërsa tjetri, Qazim Peza vuajti vite të tëra në burgjet politike të regjimit komunist.

LEXO EDHE:  Megaskandal/ Avokati zbulon turpin e radhës të Bashës

Arif Peza pasi qëndroi për disa kohë në kampet e Italisë, më pas emigroi në SHBA dhe Kanada, për t’u rikthyer në Shqipëri në vitin 1993 dhe ndërroi jetë në vitin 2008. Ndërsa Xhemal Alimehmeti, u arrestua menjëherë që në dhjetorin e vitit 1944 dhe pasi vuajti disa kohë në burgjet politike, për shumë vite punoi në ndërtim dhe ndërroi jetë në vitin 2005.

Krahas tyre në këto foto (në kamionin e hapur) duken dhe Rruzhdi Daca, Tom Leci, Lec Gjeçi dhe Pal Mirashi, eksponentë kryesorë të Rinisë së Ballit të qytetit të Shkodrës, të cilët iu bashkuan batalionit “Qeraudin Sulo dhe Besnik Çano” gjatë inkursionit që ata bënë në Kosovë ku luftuan kundra forcave çetnike të Drazha Mihajlloviçit.

Në një foto tjetër, është ceremonia e varrimit e Hamit Troplinit, djaloshit tiranas që u vra gjatë luftimeve të forcave të këtij batalioni në afërsi të lumit, Lim, dhe në plan të parë, (i dyti pa kapele) është Ramazan Turdiu nga Tirana, i cili po në nëntorin e vitit 1944 u largua nga Shqipëria me krerët kryesorë të Ballit dhe legalitetit duke u vendosur fillimisht në Itali ku përfundoi studimet e larta dhe u diplomua në Farmaci me gradën doktor dhe më pas emigroi në SHBA, ku studioi “Farmaci” në Columbia University dhe punoi për pesë dekada në kërkime farmaceutike për CIBA dhe “Warner Lambert”. Ramazani ndërroi jetë në SHBA më 25 nëndor 2012.

Në një foto tjetër janë pjestarë të batalionit të Rinisë Nacionaliste të Ballit Kombëtar në qershorin e vitit 1944 në qytetin e Prizrenit, duke dëgjuar dhe duartrokitur fjalimin e mirseardhjes së Bedri Pejanit, një nga krerët kryesorë të forcave nacionaliste të Kosovës dhe kryetar i Lidhjes së Tretë të Prizrenit.

Një foto tjetër e cila i përket datës 17 dhjetor 1943, duken disa eksponentë të tjerë të Rinisë së Ballit Kombëtar, si Ramazan Jarani, Luan Dosti, Ziçe Hatibi, Hamit Shehi, Luan Dosti, etj, në Rrugën e Kavajës duke mbajtur në supe arkivolin e Haziz Çamit, një nga eksponentët e Ballit Kombëtar i cili u vra pabesisht me atentat nga guerilejt komuniste të Tiranës. Për ironi të fatit edhe atentatori i tij një i ri komunist, për shumë vite vuajti në burgjet e  regjimit komunist të Enver Hoxhës I akuzuar si “armik i popullit”./Memorie.al

LEXO TE PLOTE

Histori

Shtatë vite më parë, kthimi i eshtrave të Mbretit Zog

Publikuar

-

Nga Ekrem Spahiu*

Forcat komuniste në mëngjesin e 17 nëntorit 1944 shkatërruan mauzoleumin ku preheshin eshtrat e Nënës Mbretëreshë Sadije dhe hynë triumfalisht në Tiranë si çlirimtarë, “a thua se ai varr ishte gjermani i fundit”.

68 vjet më vonë, pikërisht më 17 nëntor 2012 me nismën e Partisë “Lëvizja e Legalitetit” dhe mbështetjen e gjithanshme të Kryeministrit z. Sali Berisha, u kthyen në atdheeshtrat e Mbretit Zog Idhe u vendosën të prehenpërjetësisht nëmauzoleumin e rindërtuar nga qeveria, si një replikë e modernizuar e mauzoleumit origjinal, që ishte ndërtuar në dhjetor 1935. Kjo datë simbolike e ringritjes së tij dëshmon vullnetin e kombit shqiptar për ndreqjen e padrejtësive historike.

Ky moment shumë i rëndësishëm për autoritetin e shtetit shqiptar në demokraci u përzgjodhme rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisëpër shkakse shumë vite tëhistorisë së shtetit shqiptar lidhen me figurën e Ahmet Zogut.

Me VKM të posaçme, qeveria ngriti një komision ndërministror për kthimin e eshtrave të Mbretit Zog Idhe organizoi një ceremoni madhështore.Për zbatimin e VKM ishin përfshirë drejtuesit më të lartë të: Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Kulturës, Bashkisë së Tiranës dhe Istitutittë Monomenteve të Kulturës.

Mbreti Zog ndërroi jetë në Paris më 9 prill 1961 dhe eshtrat e tij preheshin te varreza “Thiais Parisien”. Më 14 nëntor 2012 në Paris,nëpërmjet një ceremonie zyrtare dhe nderime ushtarake organizuar ngaProtokolli i Presidentit të Republikës franceze, në prani tëFamiljes Mbretërore Shqiptare, autoriteteve të larta të qeverisë franceze,delegacionit të qeverisë shqiptare, drejtuesve të PLL dhe shumë mbretërorëve të ardhur nga Shqipëria, Franca, Belgjika, Anglia, etj, u bë zhvarrimi dhe përgatitja e eshtrave të Mbretit Zog për t’i nisur në atdheun e vet.

Mëngjesi i 16 tetorit 2012 ishte shumë i veçantë në Rinas.Nërespekt të figurës madhore tëMbretit Zog kishindalëpër të pritur eshtrat e Mbretit të Shqiptarëve, mjaft personalitete të larta të shtetit si dhe mijëra qytetarë. Gjithçka ishte organizuarme përpikëri nga Protokolli i Shtetit. Arkivoli,i vendosur nëmakinën mortore dhe i mbuluar me flamurin shqiptar, nën marshet funebre të bandës frymore, kalon në mesin e simpatizantëve të Mbretërisë që ishin vendosur në dy anët e rrugësdhe niset në drejtim të Tiranës.

Më 17 nëntor, në Pallatin Mbretëror u zhvilluan homazhet në nderim të Mbretit Zog I. Princi Leka II, e fejuara e tij zj.Elia Zaharia dhe anëtarë të tjerë të Familjes Mbretërore, pritën autoritetet më të larta të shtetit shqiptar dhe Kosovës, përfaqësues të familjeve mbretërore,Zëvendëskryeministrin e Hungarisë, gjithë drejtuesit e partive politike në Shqipëri, ambasadorë, përfaqësues të klerit, drejtuesit politik shqiptarë nga Maqedonia, Mali Zi, Lugina e Preshevës dhe mijëra vizitorë nga të gjitha trevat shqiptare,të ardhur për të nderuar figurën e Mbretit Zog.

Pas homazheve,arkivoli me eshtrat e Mbretit Zog u vendosën në shtratin e topit, për t’u përcjellë drejt mauzoleumit të Familjes Mbretërore.

Personalitetet më të lartapolitike të kombit, në të dy krahët  kufirit, shprehën vlerësimet maksimale për figurën e Mbretit Zog. Në fjalën e saj, Presidentja e Kosovës znj. Atifete Jahjaga, evidentoi kontributin e jashtëzakonshëm të Mbretit Zog në ndërtimin dhe në konsolidimin e shtetit modern shqiptar:“Kthimi i eshtrave të ministrit, kryeministrit, presidentit dhe të naltmadhnisë së tij, mbretit të shqiptarëve Zog I, simbolizon drejtësinë hyjnore, paqen politike dhe pajtimin kombëtar. Shqipëria, nën udhëheqjen e Mbretit Zog, nga një vend i varfër dhe i pazhvilluar, fisnor dhe i përçarë, me kontradikta të shumta, u bë një vend modern i kohës, i unifikuar, me shtrirje të pushtetit dhe të administratës në çdo cep, me liri qytetare dhe me tolerancë fetare që ishte shembull për vendet e tjera”.

LEXO EDHE:  Provokimi i Mustafa Nanos: Duhet të jemi më racionalë me Enver Hoxhën

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani, ndër të tjera tha:“Sot, në prag të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, është një gjest shumë fisnik, një detyrim historik, moral dhe patriotik, që eshtrat e Mbretit Zog të prehen në vendin, të cilit ai i kushtoi vitet më të mira të jetës. Ky akt nuk është thjesht një detyrë qytetare dhe njerëzore, por edhe mundësi për të shlyer një detyrim, jo vetëm ndaj një Njeriu, por ndaj një epoke të tërë. Epokës së shtetformimit të Shqipërisë që e deshi dhe nisi ta vinte në jetë Mbreti Zog.Rivarrimi i tij sot, pikërisht aty ku shteti-parti i Diktatorit hodhi në erë varrin e nënës së tij, Nanës Mbretneshë, është simbolika e Shqipërisë që nukurren, por nderon, që nuk harron, por i jep secilit atë që meriton”.

Kryeministri z. Sali Berisha, theksoi se sot të gjithë shqiptarët përulen përpara veprës dhe kontributit të Mbretit Zog. “Sot mbarë kombi shqiptar, nderojnë e përulen para veprës dhe kontributit të njërit prej burrave më të shquar të historisë së tyre kombëtare, Mbretit Zog I, që rikthehet në Atdheun e tij pas mërgimit prej së gjalli dhe së vdekuri në dhera të tjera. Shqiptarët përulen me nderim të madh para burrit që jetësoi pavarësinë e Shqipërisë”.(…) “Ahmet Zogu nderohet sot për ndërtimin e shtetit shqiptar, kontributin historik që dha. Ahmet Zogu do të nderohet gjithnjë nga shqiptarët për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, për vokacionin e tij perëndimor. Në këtë kontekst nëse do bënim një vlerësim në raport me rrethanat ku jetoi, përpjekjet e tij për zhvillimin e shqiptarëve janë mbinjerëzore”.

Princ Leka, në emër të Familjes Mbretërore falenderoi kryeministrin Berisha për kthimin e eshtrave të Mbretit Zog në atdhe dhe shprehu mirënjohje për personalitetet më të larta që vlerësuan  veprën dhe kontributin e madh të Mbretit, dhënë për Shqipërinë. Dukefalenderuar pjesëmarrësit, Ai u shpreh:“Rishikimi i historisë së popullit tonë nuk fillon dhe mbaron sot. Eshtë një proces ende i gjatë dhe i vështirë për të zbuluar me objektivitet të vërtetat historike. Rindërtimi i mauzoleumit ka një rëndësi jo vetëm për Familjen Mbretërore, por për të gjithë kombin shqiptar”.

Pas fjalimeve të rastit, dy ushtarë të ceremonialit palosin flamurin kombëtar dhe ia dorëzojnë  në mënyrë ceremoniale Princ Lekës. Nën tre breshëri me armë dhe të shtëna me top, arkivoli vendoset nga ushtarët e ceremonialit në banesën e fundit dhe me këtë gjest mbyllet ceremonia e rivarrimit të eshtrave të Mbretit Zog I në mauzoleumin e Familjes Mbreterore.

Presidenti i Republikës z. Bujar Nishani shtroi një darkë në Pallatin Mbretëror, ku edhe i akordoi Naltmadhnisë së Tij Zogut I, Mbretit të Shqiptarëve “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”(pas vdekjes), me motivacionin: “Figurë madhore e qendrore e historisë së Shqipërisë, që hodhi themelet e ndërtimit dhe funksionimit të shtetit modern shqiptar, me orientim të qartë perëndimor europian.Ideator dhe realizues i administratës së parë të shtetit shqiptar, si dhe i një legjislacioni bashkëkohor të niveleve të larta, që do t’i hapte rrugë emancipimit shoqëror dhe zhvillimit të vendit.Personalitet që gjithë jetën e tij e lidhi me fatet e kombit, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve”.

*ish-deputet & kryetar i PLL

LEXO TE PLOTE

Histori

Dëshmia tronditëse/ Çfarë i kërkoi Sigurimi vëllait tim dhe pse e hodhi nga kati i tetë në 17 nëntor të ’86-ës

Publikuar

-

Nga

Publikohet dëshmia e rrallë të Hysen Bajramit me origjinë nga rrethinat e Gjakovës dhe me banim në qytezën e Mamurrasit që nga viti 1954 kur ata u detyruan të vendoseshin aty për shkak të përndjekjeve të regjimit titist të Beogradit. Cilët ishin oficerët e Sigurimit të Shtetit që lajmëruan në shtëpi për Sali Bajramin që duhej të paraqitej në Tiranë, si e morri vesh familja lajmin e vdekjes së tij në mënyrë tragjike dhe përse Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi iu bënte presion familjarëve të Sali Bajramit duke u thënë që ata të mos e kërkonin më …

Më 17 nëntor të vitit 1986 në shtëpinë e vëllait tim, Sali Bajramit, erdhi një punëtor operativ i Sigurimit të Shtetit, dhe i tha atij që të nesërmen duhej të paraqitje tek 15- katëshi në Tiranë. Po atë ditë, për këtë punë Saliun e kishte thërritur edhe punëtori tjetër operativ i Sigurimit, Kujtim Kuci, që ishte me shërbim këtu në Mamurras. Këto m’i tha vetë Saliu në darkë kur më thirri në shtëpinë e tij për të më treguar rreth asaj ç’ka i kishin thënë dy oficerët e sigurimit. Të nesërmen e asaj dite, Saliu bashkë me dy punonjësit e Sigurimit kanë udhëtuar për në Tiranë, gjë të cilën më pas na i konfirmuan shumë miq e dashamirës tanët që i kishin parë ata në tren.

Atë natë Saliu nuk u kthye në shtëpi dhe nga që u bëmë shumë merak se cfarë do t’i kishte ndodhur, djali i tij, Flamuri, shkoi në në Degën e Punëve të Brendëshme të Krujës, ku Pëllumb Kapo i tha: ”Nuk ka ndonjë gjë për t’u shqetësuar, Saliu është i sëmurë, do vizitohet dhe do të vij përsëri në shtëpi”. Nipi im, Flamuri shkoi edhe të nesërmen në Krujë për të pyetur për babanë e tij, por nuk mori asnjë përgjigje. Ditën e tretë në darkë disa punonjës të Sigurimit na njoftuan se Saliu kishte vdekur pasi ishte rrëzuar nga 15- katëshi dhe trupi i tij ndodhej në morgun e Tiranës”.

Njeriu që dëshmon për Memorie.al, është Hysen Bajrami nga Mamurrasi, i cili rrëfen atë ngjarje të largët të vitit 1986, kur në rrethana misterioze, humbi jetën vëllai i tij, Saliu. Po kush ishte Sali Bajrami, cila ishte e kaluara e tij dhe në ç’rrethana kishte ardhur ai në Shqipëri në vitin 1954 bashkë me vëllanë, Hysenin? Përse i kishin internuar ata fillimisht në fshatin Llakatund të Vlorës dhe për çfarë arsyesh ata nuk kishin pranuar të ktheheshin përsëri në Kosovë, kur nga Tirana i kishin njoftuar se Shqipëria i kishte rregulluar marrëdhëniet me Jugosllavinë? Ku kishin punuar dhe jetuar dy vëllezërit emigrantë kosovarë deri në vitin 1986 kur Saliu mbeti i vdekur në rrethana krejt misterioze duke rënë nga 15- katëshi në Tiranë, ku ishte thirrur nga Sigurimi i Shtetit?

Çfarë iu kërkua Saliut nga oficerët e Sigurimit dhe a u hodh vetë ai nga kati i tetë i Hotel “Tiranës” apo e hodhën ata që e kërkuan aty? Përse trupi i Saliut u vonua në morgun e Tiranës dhe iu dha familjes vetëm në momentet e fundit para ceremonisë mortore?! Përse Sigurimi i Shtetit hapi fjalë se Saliun e kishte hedhur nga 15- katëshi, hasmi i tij që kishte ardhur nga jashtë shteti dhe cilat ishin përgjigjet zyrtare që iu dhanë vëllait të Saliut, Hysen Bajramit, nga Dega e Brendëshme e Krujës, Prokuroria e Përgjithshme, Rajoni i Policisë Nr.3, Ministri i Brendshëm Hekuran Isai, Kuvendi Popullor dhe sekretari i Ramiz Alisë? Cfarë i tha Hysenit në vitin 1992 prokurori Arben Qeleshi për vdekjen misterioze të Sali Bajramit dhe pse u thërrit për dëshmitar Hysen Bajrami në gjyqin ndaj Hekuran Isait e Zylyftar Ramizit, e cila ishte përgjigja e ish-Ministrit të Brendëshëm kur Hyseni e pyeti se përse ia kishin vrarë vëllanë? Lidhur me këto e fakte të tjera nga ajo ngjarje e largët e vitit 1986, na njeh intervista e Hysen Bajramit ekskluzive për Memorie.al.

Zoti Hysen, ku keni lindur ju dhe cila është origjina e familjes tuaj?

Kam lindur në vitin 1931, në fshatin Greçinë i cili ndodhet në rrethinat e Gjakovës në Kosovë, prej nga është edhe origjina e familjes sonë.

A ka qenë e njohur familja juaj në atë krahinë dhe me çfarë është marrë ajo gjatë kohës që ju keni qenë në Kosovë?
Familja jonë ka qenë jo pak e njohur në rrethinat e Gjakovës, ku kemi jetuar dhe ajo njihej me emrin e gjyshit tonë: familja e Ram Sahitit. Gjatë kohës që ne kemi qenë në katundin Greçinë të Kosovës, familja jonë është marrë me punët e bujqësisë me të cilat siguronte jetesën e saj.

Gjatë viteve të pushtimit të Shqipërisë, në 1939-1944, cili ka qenë qëndrimi politik i familjes tuaj?
Gjatë atyre viteve, por edhe më parë, familja e Ram Salihit ka qenë e njohur si një familje nacionaliste. Në vitet e Luftës familja jonë u lidh me Lëvizjen Antifashiste dhe në periudhën kur brigadat partizane shqiptare erdhën në Kosovë, në shtëpinë tone është strehuar për disa kohë Shefqet Peçi me shtabin e tij.

Pas mbarimit të Luftës cilat ishin raportet politike të famlijes suaj me regjimin e Titos?
Nisur nga fakti se familja jonë ishte një familje nacionaliste, menjëherë pas mbarimit të Luftës në pranverën e vitit 1945-ës, ne na filluan peripecitë me regjimin titist. Në fillim ne na akuzuan për armëmbajtje pa leje dhe se kishim strehuar shqiptarë që ishin aratisur nga Shqipëria.

Patët koncekuenca nga akuzat që ju bëheshin?
Pas këtyre akuzave, ne na arrestuan dhe futën në burg axhën tone Mehmet Ramën, i cili ishte nënkryetari Këshillit Nacional- Çlirimtar. Mehmetin e nxorrën në gjyq dhe fillimisht e dënuan me vdekje, por më pas atij ja falën jetën. Por kjo ishte vetëm për demagogji, pasi axhën tonë e ekzekutuan brenda në burg me preteksin se gjoja kishte dashur të arratisej. Pushkatimi i axhës, Mehmet e shtoi akoma edhe më shumë persekucionin ndaj familjes sonë. Në vitin 1951, u arrestua dhe vëllai im, Sali Bajrami, i cili në atë kohë kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Saliun e nxorrën në gjyq dhe e dënuan me një vit e gjysëm burg. Edhe pasi Saliu u lirua nga burgu aty nga fillimi i vitit1953, ndaj familjes sonë nuk pushoi persekucioni, përkundrazi në atë kohë u shtua edhe më shumë, nga raprezaljet që kishin filluar Rankoviçi ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë. Nisur nga kjo gjëndje tepër e vështirë në të cilën u ndodhej familja jonë në atë kohë, unë me vëllanë, Saliun, vendosëm të iknim nga Kosova dhe të dilnim prej andej e të vinim këtu në Shqipëri.

Si e kujton largimin tuaj nga Kosova dhe ardhjen në Shqipëri?
Pasi vendosëm të largoheshim, më 18 dhjetor të vitit 1954 ne morëm rrugën për të ardhur në Shqipëri. Ne ishim tre vetë nga familja jonë, pasi vëllai Saliu, mori edhe bashkëshorten e tij, Zelfien. Kufirin ne e kaluam në fshatin Dobrunë të Hasit dhe aty na mbajtën një natë në postën kufitare. Të nesërmen ne na sollën në qytetin e Kukësit, ku na mbajtën për tre katër ditë në Degën e Brendëshme. Pas kësaj ne na sistemuam në hotel dhe pas disa ditësh na nisën për në fshatin Llakatund të Vlorës ku ishte ngritur kampi për shtetasit jugosllavë që kishin ardhur ilegalisht në Shqipëri.

Si ju trajtuan në Llakatund dhe sa kohë qëndruat aty?
Në Llakatund ne na trajtuan ashtu siç trajtoheshin të gjithë të ardhurit në kampet e Shqipërisë. Qëndruam aty për nëntë muaj.

Po më pas ku ju çuan?
Diku aty nga viti 1955-1956, njëri nga të dërguarit e Komitetit Qëndror të PPSH-së që merrej me emigracionin nga ish Jugosllavia, na tha se shteti shqiptar i kishte rregulluar marëdhëniet me Jugosllavinë dhe kush të donte mund të bënte një kërkesë për t’u kthyer në Kosovë. Unë me vëllanë Saliun e me gruan e tij, nuk pranuam që të bënim një kërkesë të tillë për t’u kthyer në Kosovë, pasi e dinim se çfarë kishte ndodhur atje me familjen tonë pas arratisjes tonë për në Shqipëri. Pas kësaj situate ne bëmë nënshtetësinë shqiptare dhe qëndruam këtu.

LEXO EDHE:  Provokimi i Mustafa Nanos: Duhet të jemi më racionalë me Enver Hoxhën

Çfarë kishte ndodhur me familjen e Ram Salihit në Kosovë pas ardhjes suaj në Shqipëri?
Regjimi titist kishte arrestuar babën tonë, Bajramin, të cilin e dënoi me 12 vjet burg politik. Baba vuajti për tetë vite me rradhë në burgun e tmershëm të Goli-Otokut dhe atë e liruan vetëm kur ishte në prag të vdekjes. Pasi bëri bëri tetë vjet burg, baba u lirua dhe ai nuk jetoi më shumë se tre muaj në shtëpi, pasi vdiq nga torturat e shumta që i kishin bërë në atë burg.

Perveç babës, kush jetonte tjetër në atë kohë në Gjakovë nga familja juaj?
Kishim dy motra e tre vëllezër të tjerë, si dhe shumë të afërm.

Pasi morët nënshtetësinë shqiptare ku u vendosët?
Ikëm nga Llakatundi të tre dhe u vendosëm në fshatin Bushnesh afër Mamurrasit, të rrethit të Krujës. Kërkuam të vinim këtu, pasi dihej që në Mamurras ndodheshin shumë kosovarë të cilët ishin vendosur aty që nga viti 1913, nuk qëndruam shumë aty, se në këtë fshat u krijua kooperativa  dhe u vendosëm në qytezën e Mamurrasit.

Ku punuat në Mamurras?
Në këtë qytezë të vogël ne kemi punuar për shumë vite në ndërrmarrjen e Bonifikimt dhe më pas Saliu kaloi në ndërmarrjen e Ujrave ku dhe doli në pension.

Para viteve ’90-të, kishit mundësi komunikimi me pjesën tjetër të familjes që ndodhej në Kosovë?
Që nga viti 1954 kur ne u larguam e deri në vitin 1980 nuk kemi pasur asnjë lloj letër këmbimi me familjen tonë në Kosovë. Në vitin 1972, vajza e vëllait tonë që jetonte në Kosovë, së bashku me bashkëshortin e saj erdhi si vizitore dhe qëndroi për dy muaj në shtëpinë tonë në Mamurras. Ajo mundi të vinte këtu pasi ne i bëmë një garanci.

Si e kujton ngjarjen e humbjes së vëllait tuaj, Saliut?
Ishte data 17 nëntor 1986-ës kur në shtëpinë e vëllait tim, Saliut erdhi një punëtor operativ i Sigurimit të Shtetit dhe i tha që të nesërmën duhej të praqitej te 15-katëshi në Tiranë. Po atë ditë Saliu e kishte lajmëruar edhe një tjetër operativ i Sigurimit të Shtetit, Kujtim Kuçi dhe i kishte dhënë të njëjtën porosi, për t’u paraqitur te 15-katëshi të nesërmen.

A biseduat ju me vëllanë para se të shkonte në destinacionin e caktuar, çfarë mendonte ai ?
Posi, atë natë bisedova me Saliun dhe e pyeta përse po të kërkojnë në këtë takim te 15-katëshi? Ai më tha se nuk dinte asgjë pse po e kërkonin, nuk kam dhe nuk kam pasur lidhje me asnjë punë, as me Sigurimin dhe me as njënjeri tjetër.

U bëtë merak për mos kthimin e Saliut në shtëpi atë natë?
U bëmë shumë merak që Saliu nuk u kthye, të nesërmen në mëngjes, djalit i tij Flamuri, shkoi në Degën e Punëve të Brendëshme të Krujës për t’u interesuar.

Kë takoi Flamuri, dhe çfarë ju tha?
Nipi im Flamuri takoi takoi në Degën e Punëve të Brendëshme Pëllumb Kapon, i cili i tha:”nuk ka ndonjë gjë për t’u shqetësuar, Saliu është i sëmurë e do të vizitohet dhe më pas do të kthehet në shtëpi” por kjo nuk ndodhi. Flamur vajti përsëri të nesërmen në Degën e Punëve të Brendëshme në Krujë, por nuk morri asnjë përgjigje.

Kur e mësuat lajmin për vdekjen e Saliut, kush ua komunikoi dhe çfarë iu thanë?
Lajmin për vdekjen e vëllait e mora nga disa punonjës të Sigurimit, në mos gaboj në datën 19 ose 20 nëntor 1986. Ata na thanë se Saliu kishte vdekur pasi kishte rrënë nga kati i tetë i 15-katëshit (Hotel “Tirana”) dhe trupi i tij ndodhej në morgun e Tiranës.

Cili ishte shkuaku i kësaj tragjedie, çfarë ju thanë?
Ne na thanë se Saliun e kishte hedhur nga 15-katëshi,” hasmi që kishte ardhur nga Kosova”. Asnjë nuk na jepte ndonjë informacion tjetër.

Kush shkoi për të marrë trupin e Saliu në morg?
Trupin e Saliut shkoi për t’a marrë, djali i tij Flamuri, me tre miqtë tanë: Feriz Gashin, Hasan Mulliqin e Feim Kryeziu. Si fillim u nxorrën shumë pengesa dhe nuk i lejuan që ta shihnin trupin e Saliut, aty u sollën pengesa dhe u vonuan shtatë orë për të marrë trupin e Saliut, të cilin e sollën në banesë pak minuta para se të bëhej cerremonia mortore.

Sa kohë pas vdekjes së Saliut filluat të interesoheshit përsëri dhe çfarë informacioni morët?
Pasi kishin kaluar 40 ditë nga vdekja e Saliut, unë me djalin e tij Flamurin, shkuam në Tiranë dhe takuam Zylyftar Ramizin, zv/Ministrin e Brendëshëm dhe Drejtorin e Sigurimit. Ai na tha: ”Shkoni në Degën e Brendëshme në Krujë, ata ju sqarojnë”. Pasi shkuam atje, kryetari i Degës na tha: ”Ne nuk kemi dijeni se ku ka vdekur Saliu, aty ku ka vdekur aty pyesni”. Pas kësaj përgjigjie, shkuam në Ministri dhe aty na thanë të shkonim në Rajonin Nr.3 të Policisë, pasi atje ndodheshin dokumentate tij. Pasi shkuam katër herë në Rajonin Nr.3 të Policisë, edhe ata nuk dinin gjë dhe vetëm na thanë se Saliu kishte qenë i sëmurë”.

Po më pas çfarë bëtë?
Pasi shkuam disa herë, në Degën e Brendëshmë, Rajon, Ministri, nuk morrëm asnjë përgjigje. Pas sorollatjeve të shumta i shkruam disa letra dhe telegrame Ministrit të Brendëshëm dhe Kryetarit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alisë, por përsëri asnjë përgjigje nuk morrëm.

Patët ju ndonjë presion për të mos vazhduar më të “shqetësonit shtetin me letra dhe telegrame”?
Vetë Zylyftar Ramizi, na bënte presione për të mos u marrë me këtë problem të mbetur enigmë. Në vitin 1992 unë kam shkuar tre herë tek SHIK-u dhe kam bërë dy takime me Ministrin e Brendëshëm të asaj kohe. Në Ministri na thanë të shkonim në Prokurorinë e Përgjithshme, shkuam dhe takuam aty Z. Arben Qeleshin duke i paraqitur dokumentat që dispononim. Z.Arben Qelishi më tha: ”Kjo çështje ka shumë probleme, kjo është një vrasje e pastër shtetërore ashtu siç ka ndodhur me shumë të tjerë. Kur të dali në gjyq udhëheqja e lartë komuniste, do të vish edhe ti”.

A shkuat ju në gjyqin e ish-udhëheqësve komunist?
Kur doli në gjyq Hekuran Isai me Zylyftar Ramizin, na thëritën nga Prokuroria e Pergjithshme dhe unë shkova atje bashkë me Flamurin. Edhe pse tentuam të pyesnim të akuzuarit e sistemit komunist, nuk morrëm përgjigje dhe kjo çështje u mbyll pa përgjigje dhe përgjegjësi.

Ju personalisht, si mendoni?
Unë them se ka dy versione. E para është që Saliut i kanë kërkuar që të bëhej vegël e Sigurimit dhe pasi ai nuk ka pranuar, e kanë hedhur nga 15-katëshi për ta eleminuar fizikisht dhe e dyta Saliu mund të jëtë hedhur vetë pasi nuk ka pranuar të bëhej vegël e Sigurimit, mund të jenë bërë presione apo tortura të ndryshme që ai nuk i ka përballuar dot. Gjithësesi kjo ngjarje nuk ka marrë dhe besoj se nuk do të marrë përgjigje. /Memorie.al

LEXO TE PLOTE
Lajme të Rekomanduara: