Connect with Us

Zhdukja e mjekut hebre/ Dëshmia shokuese e bashkëshortes: Si u gjet trupi pa kokë

Histori

Zhdukja e mjekut hebre/ Dëshmia shokuese e bashkëshortes: Si u gjet trupi pa kokë

Publikuar

-

Publikohet historia e panjohur e Natan Schachner, mjekut me origjinë hebraike i cili gjatë periudhës së pushtimit ishte në rradhët partizane të Brigadës së Mehmet Shehut dhe pas Luftës shërbeu si mjek në disa rrethe të vëndit si: Kukës, Burrel, Shkodër, Krujë Durrës, etj. Rrëfimi i bashkëshortes së tij Mila Çorati Schachner rreth misterit të zhdukjes së tij në qelitë e Degës së Brendëshme të Durrësit në vitin 1973 pas dy letrave që sapo i kishin ardhur nga Londra, ku i njoftohej gjetja e pasurisë së tij në Bankën e Tel-Avivit dhe alibia e Sigurimit të Shtetit.

Më datën 11 janar të vitit 1973, që përkonte dhe me festën e Republikës, në shtëpinë tonë në qytetin e Durrësit, erdhën rreth 12 civilë të Sigurimit me në krye Kryetarin e Degës së Brendëshme të asaj kohe K.E. Në atë moment që ata hynë në mënyrë demostrative në shtëpi, Natani që po luante tavëll me dy shokë të tij, ngriu në vënd dhe nuk foli asnjë fjalë, kur ata i komunikuan se “në emër të popullit ishte i arrestuar”. Unë u tremba dhe menjëherë zura të bërtisja duke u thënë se ai nuk kishte bërë asgjë, por njëri nga ata, një djal i ri i quajtur Vladimir Çuçi, me shumë dashamirësi gjeti momenetin dhe më tha në italisht se unë nuk duhej të flisja. Pas arrestimit të Natanit, ata i bënë një kontroll të imët të gjithë shtëpisë dhe morën me vete të gjitha dokumentat e tij, si dhe dy libra të vëllait tim Agron Çoratit, të cilat i kishte shkruar gjatë kohës që ishte në internim në Zvërnec. Që në fillim të kontrollit të banesës, ata u drejtuan për tek komedina dhe morën dy letra me zarfe të cilat i kishin ardhur Natanit ato ditë nga Londra, ku njoftohej gjetja e pasurisë së nënës së tij Bertës, në Bankën e Tel-Avivit.

Më bëri përshtypje se kur bënë proçes-verbalin e sekuestrimit të dokumentave, ato dy letra nuk i shënuan fare”. Njeriu që flet është Mila Schachner (Çorati), ish-komuniste e orëve të para dhe Përgjegjëse e Rinisë në Brigadën e Dytë të Beqir Ballukut, e cila tregon gjithë historinë e bashkëshortit të saj me origjinë izraelite, Natan Schachner, që u zhduk në mënyrë misterioze nga Sigurimi i Shtetit në vitin 1973 në qelitë e Degës së Brendëshme të Durrësit. Po kush është Mila Çorati dhe cila është e kaluara e saj? Si u njoh dhe u martua ajo me mjekun e famshëm me origjinë hebraike Natan Schancner dhe si kishte përfunduar ai në Shqipëri, pasi i kishte shpëtuar pushkatimit të gjermanëve në kampin e internimit në Jugosllavi? Përse Natani u largua si i padëshirueshëm nga rradhët e Ushtrisë, ku ai kishte shërbyer si mjek që në Brigadën e Parë të Mehmet Shehut në vitin 1943?

Cili ishte qëndrimi i tij lidhur me konfliktin arabo-izraelit në vitin 1966 dhe çfarë tha ai publikisht në dasmën ku ishte thirrur tek komshijtë e tij në qytetin e Durrësit?! Përse pas asaj dite ai u vu nën survejimin e rreptë të Sigurimit të Shtetit dhe çfarë thuhej në dy letrat e fundit që atij i erdhën nga Londra? Përse në momentin e arrestimit, oficerët e Sigurimit u drejtuan përnjëherë tek ato dy letra dhe përse nuk i shënuan ato në proçes-verbalin e sekuestrimit të dokumenteve që iu gjetën atij?! Cila është e vërteta e misterit të zhdukjes së tij nga qelitë e Degës së Brendëshme të Durrësit ku ai u mbajt për gjashtë muaj nën tortura dhe kush është njeriu që ka dëshmuar se trupin e Natanit me kokë të prerë, e ka parë deri në fundin e viteve 1980-të në morgun e Tiranës ku mësonin studentët e Mjeksisë?

Rrëfimi i Mila Çoratit
Mila Schancher (Çorati), bashkëshortja e mjekut të famshëm me origjinë hebraike, deri para pak vitesh ka jetuar krejt e vetme me të motrën e saj Vandën (dy-tre vjet më e vogël se ajo) në një shtëpi të vjetër tiranase që ndodhet diku në të djathtë të rrugës ku zbret për tek Pazari i Ri. Ndonëse tashmë në moshë të thyer dhe me një shëndet të drobitur nga peripecitë e një jete plot vuajtje dhe brenga, me një kujtesë brilante për t’ia pasur zili, ajo na ka rrëfyer gjithë historinë tragjike të jetës së saj. Erugina, apo siç njihet ndryshe me emrin Mila, u lind në qytetin e Tiranës në vitin 1925, kur babai i saj Ferit Çorati që punonte në PTT e Vlorës, u transferua që andej për në Kryeqytet.

Gjatë viteve të Luftës, nëna e saj Feruzja, dy vëllezërit, Muharremi me Agronin, si dhe motra Vanda, u lidhën të gjithë me lëvizjen antifashiste dhe shtëpia e tyre në Tiranë, u bë një nga bazat më të rëndësishme të komunistëve, ku streoheshin krerët e PKSH-së. Pasi qëndroi disa kohë si ilegale, Mila Çorati doli në mal si partizane, duke arritur deri përgjegjëse e Rinisë në Brigadën e Dytë të komanduar nga Beqir Balluku. Pas mbarimit të Luftës ajo punoi disa kohë në Drejtorinë e Propagandës në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në atë kohë ajo u njoh me mjekun Natan Schachner, i cili do të bëhej dhe bashkëshorti i ardhëshm i saj.

Martesa e Milës me Natanin
Lidhur me njohjen dhe martesën me mjekun Natan Schachner, Mila Çorati tregonte: “Aty nga vitet 1953-‘54, gjatë periudhës që unë punoja në Drejtorinë e Propagandës së Ministrisë Shëndetësisë, u njoha për herë të parë me Natanin, i cili në atë kohë punonte si mjek në qytezën e Fushë-Krujës. Natani ishte një njeri shumë i mirë, tepër inteligjent dhe mjaftë human, gjë të cilat e dallonin atë nga të gjithë mjekët e tjerë që vinin në Ministri për probleme të ndryshme.

Pas njohjes ne vendosëm të martoheshim, por Natanit i vunë kusht se në rast se nuk ndërronte shtetësinë e tij, atë nuk do ta lejonin që të lidhte kurorë me mua. Ai u mërzit jashtë mase nga kjo gjë, jo vetëm pse kishte një krenari për Moldavinë ku kishte lindur dhe origjinën e tij hebraike, por dhe për faktin tjetër që nuk kishte asnjë lloj simpatie për komunistët e regjimin që ishte vendosur në Shqipëri. Po kështu ndonëse atë e lidhin mjaft gjëra me Gjermaninë dhe Austrinë, ku familja e tij kishte banuar për disa kohë, ai kishte alergji për nazizmin që i kishte pushkatuar babanë. Duke mos pasur rrugdalje tjetër, Natani e ndërroi shtetësinë e tij dhe pas kësaj ne na lejuan që të vendosnim kurorë e të martoheshim. Në atë kohë unë e lashë Tiranën e Ministrinë e Shëndetësisë ku punoja prej disa vitesh dhe shkova të jetoja së bashku me Natanin në Fushë-Krujë, tek banesa e tij pranë Teqes së Bektashianëve, ku atë e kishin strehuar në një hapësirë të madhe.

Pasi u martuam bashkë, shteti na dha një banesë private në fshatin Arrameras të Fush-Krujës, dhe aty filluam të ndërtonim jetën tonë. Në atë kohë, ndonëse Natani shihej me sy të keq dhe nuk trajtohej mirë nga regjimi komunist, ai kurrë nuk e kishte zakon që të fliste me njeri, qoftë për padrejtësitë që i bëheshin atij personalisht, ashtu dhe për regjimin komunist që nuk e donte fare. Natani e nuhaste qëndrimin që mbahej ndaj tij dhe vetëm në raste shumë të rralla më hapej dhe fliste me mua kundër regjimit komunist. Ndonëse ai kishte alergji për regjimin ku jetonim, kurrë nuk e konfondonte atë gjë me njerzit e thjeshtë dhe banorët e atyre zonave ku punonte si mjek, të cilëve u shërbente me korrektesën më të madhe duke u shkuar nëpër shtëpira për t’i vizituar dhe mjekuar”, shprehej mes të tjerash Mila Çorati, për njohjen e saj të parë me bashkëshortin e ardhshëm, mjekun me origjinë hebraike, Natan Schachner.

Nëna e Natanit vdes në Fushë-Krujë

Gjatë viteve të qëndrimit në Shqipëri, pasi Natani kishte mësuar për fatin tragjik të babait të tij që ishte pushkatuar nga nazistët gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai vazhdonte të interesohej dhe të kërkonte të dhëna apo ndonjë lajm për fatin e nënës së tij, Bertës, për të cilën kishte mësuar se ishte internuar nga gjermanët në një kamp përqëndrimi në Siberi.

Lidhur me këtë, Mila Çorati kujtonte: “Në vitin 1956, pasi kishin kaluar plot 20-vjet që kur Natani ishte larguar nga familja për të studjuar në Bolonja të Italisë, ku dhe u diplomua si mjek, atij i erdhi një lajm i mirë që e bëri të qante nga gëzimi. Në atë kohë, Kryqi i Kuq Shqiptar, me anë të një telegrami e njoftoi Natanin që të dilte në Durrës, për të pritur nënën e tij Bertën, e cila ishte nisur me një vaporr nga Bashkimi Sovjetik. Ajo gjë ishte bërë e mundur pasi Berta i ishte drejtuar me anë të një letre, vetë udhëheqësit numër një të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushovit, dhe ai i kishte dhënë lejen që ajo të vinte përgjithmonë në Shqipëri. Nuk mund ta përshkruaj dot atë takim në Portin e Durrësit, kur Natani pas 20-vjetësh u përqafua me nënën e tij, Bertën. Nga ai takim prekës e mallëngjyes, të gjithë ne që kishim dalë për ta pritur, u shkrehëm të ngashëryer në vaj.

Nëna e Natanit erdhi dhe qëndroi me ne për katër-pesë muaj në fshatin Arramerras të Fush-Krujës, dhe pastaj u nis për në Rumani ku kishin banuar familjarisht vite më parë me të shoqin, Leonin, dhe djalin e tyre, Natanin. Para se Berta të nisej për në atë vënd ku kishte kujtimet e të shoqit, unë i thoshja shpesh Natanit që të shkonte dhe ai bashkë me nënën e të rrinin përgjithmonë atje. Natani më përgjigjej se atje në Rumani nuk njihte njeri, kurse këtu në Shqipëri, të paktën shteti i kishte dhënë një punë dhe e njihnin si mjek. Pasi nëna e Natanit qëndroi pak kohë në Rumani, ajo vendosi dhe u kthye përsëri në Shqipëri, pasi atje nuk e priti asnjeri. Aty në qytezën e vogël të Fush-Krujës ku Berta banonte bashkë me ne, për të mos u mërzitur, Natani paguante rregullisht me 3000 lekë në muaj një person që dinte gjuhën ruse, i cili vinte në shtëpi dhe bënte muhabet me nënën e tij.

Pas afro dy vjetësh qëndrimi me ne, në fundin e vitit 1957, nëna e Natanit ndërroi jetë në Fush-Krujë dhe varrimin e saj e bëmë në Tiranë. Në ceremoninë mortore të varrimit të saj erdhën pothuaj të gjithë hebrejtë që jetonin asokohe në Shqipëri. Atë e vumë në varrezat e Sharrës në një parcelë që shteti shqiptar e kishte lënë apostafat për hebrejtë që kishin vdekur në Tiranë”, kujtonte Mila Çorati lidhur me ardhjen nga Moska dhe vdekjen në Shqipëri të vjehrrës së saj, Berta Schachner.

Natani, në mbrojtje të Izraelit
Deri aty nga viti 1960, mjeku me origjinë hebraike, Natan Shakner së bashku me bashkëshorten e tij, Mila Çoratin, jetuan e punuan në fshatin Arramerras të Fush-Krujës. Në atë vit, atyre iu dha e drejta e trasferimit. Lidhur me këtë, Mila Corati kujtonte: “Pasi kishim qëndruar për afro shtatë vjet me rradhë në qytezën e vogël të Fush-Krujës dhe pas shumë kërkesash, ne na u dha e drejta e trasferimit për t’u larguar që andej. Pas kësaj ne na dërguan në qytetin e Durrësit, ku na dhanë edhe strehim duke na sistemuar me shtëpi në një pallat. Për ca kohë Natanin e dërguan të punonte në spitalin e qytetit dhe më pas e hoqën që andej dhe e çuan në Poliklinikë. Ndonëse ai vazhdonte të ishte mjaft i rregullt dhe tepër korrekt në punën e tij, duke bërë emër të mirë si mjek në atë qytet,(i ndiqte pacientët e tij deri në Tiranë), ai përsëri shihej me sy të keq nga regjimi i asaj kohe.

Pozita dhe figura e Natanit në sytë e regjimit komunist, u ndërlikua së tepërmi dhe u vështirësua pas vitit 1966 kur ndodhi konflikti i armatosur Arabo-Izrealit dhe filloi lufta ndërmjet tyre. Në atë kohë unë me Natanin ishim thirrur në një dasëm tek një komshiu ynë dhe gjatë bisedës ra fjala edhe për luftën ndërmjet Izraelit dhe Egjiptit, që në atë kohë ishte pikë kryesore për gjithë propagandën shtetërore. Gjatë asaj bisede, Natani mbrojti vëndin e tij Izraelin duke kundërshtuar bashkëbiseduesit, të cilëve iu tha se Izraeli nuk kishte sulmuar Egjiptin, por ai kishte bërë luftë vetëmbrojtëse. Duke parë situatën që u krijua, unë ndërhyra përnjëherë për ta zbutur bisedën dhe iu drejtova Natanit duke i thënse ai nuk kishte folur asnjëherë ashtu. Atë gjë e bërë që t’i jepja të kuptonte se nuk duhej të fliste më në atë mënyrë, pasi ishte krejt në kundërshtim me qëndrimin zyrtar të shtetit lidhur me konfliktin Arabo-Izrealit. Pas asaj bisede, Natanin e raportuan në Degën e Brendëshme dhe që nga ajo ditë ndaj tij filloi një survejim i përhershëm nga Sigurimi i Shtetit. Në një rast kur ai ishte shtruar i sëmurë në Tiranë, ndërhyri Sigurimi duke e nxjerrë nga spitali me pretekstin se ai nuk kishte gjë dhe simulonte vetë”, kujtonte Mila Çorati duke shtuar se në atë kohë Natanin dhe atë i ndiqnin kudo.

Arrestimi i Natanit në janar të vitit 1973
Gjatë kohës që nëna e Natanit ishte në Shqipëri, ajo i kishte treguar atij se pasurinë e familjes së saj, e cila përmblidhej në një sasi të madhe bizhuterish të floroinjta, i kishte lënë në ruajtje tek një i afërmi i saj, para se të nisej nga Moska. Natani mundi të lidhej me kushëririn e tij që në atë kohë punonte në Konsullatën e Izraelit në Londër dhe ai i solli dy letra ku i shpjegonte se pasurinë e nënës së tij ai e kishte depozituar në Bankën e Tel-Avivit dhe si fillim do dërgonte një televizor. Pak ditë pas ardhjes së atyre letrave, më 11 janar të vitit 1973, Natani u arrestua nga Sigurimi i Shtetit.

Lidhur me këtë Mila Çorati tregonte: “Atë ditë që ishte dhe festa e Republikës, në shtëpinë tonë aty në qytetin e Durrësit, erdhën 12 oficerë të Sigurimit së bashku me Kryetarin e Degës K. E. Në atë moment që ata hynë brenda në mënyrë demostrative, Natani që po luante tavëll me dy shokë të tij, ngriu në vënd dhe nuk foli asnjë fjalë, kur ata i komunikun se në emër të popullit ishte i arrestuar. Unë u tremba dhe zura të bërtisja duke thënë se ai nuk kishte bërë gjë.

LEXO EDHE:  Caktohet grupi me 4 mjeko-ligjor/ Asnjë grek në ekspertizën për  Kaçifas

Por njëri nga ata, një djalë i ri i quajtur Vladimir Çuçi, që dallonte nga harbutllëku i kolegëve të tij, gjeti momentin dhe me shumë dashamirësi më tha në italisht që të mos flisja më. Pasi u vunë hekurat Natani, ata i bënë një kontroll të imët gjithë shtëpisë dhe gjëja e parë që morën, ishin dy letrat që sapo kishin ardhur ato ditë nga Londra, nga kushëriri i Natanit. Më bëri përshtypje se gjatë proçes-verbalit që ata bënë për sekuestrimin e dokumenteve, (ku shënuan dhe librat në dorshkrim të vëllait tim Agronit që i kishte shkruar në internim në Zvërnec) ato dy letra nuk i shënuan fare. Gjatë atyre gjashtë muajve që Natani qëndroi në hetuesi, mua më thërritën disa herë dhe më pyesnin për gjithshka rreth tij. Njëherë më thanë të firmosja për ato që kishin shkruar pasi mi dhanë për t’i lexuar. Unë firmosa në mirbesim njërën nga fletët, pasi shkrimi nuk lexohej fare dhe unë nuk shihja mirë nga sytë. Kur vajta në shtëpi i tregova vëllait Agronit, i cili më tha se kisha bërë gabim që kisha firmosur, pasi ata kastile e kishin bërë shkrimin në atë mënyrë që unë të mos e lexoja dot.

Të nesërmen e asaj dite ata më erdhën në shtëpi dhe më thanë se ishin nxituar një ditë më parë dhe unë duhej të firmosja dhe fletët e tjera. Unë iu thashë që të lexonin çfarë kishin shkruar dhe kur e pashë se ata kishin shkruar ndryshe nga sa kisha folur, fillova të bërtisja dhe ata më çaun tek Kryetari i Degës K.E. Unë i thashë atij se nuk doja të firmosja, sepse ato makinacione nuk m’i kishin bërë as fashistët kur më kishin arrestuar në 1943-in. Ai më goditi me duar dhe unë u rrëzova përdhe”, kujtonte Mila Çorati atë kohë kur iu arrestua bashkëshorti i saj Natani, duke shtuar se nga që nuk kishte asnjë lloj fakti dhe argumenti për ta dënuar atë, Sigurimi i bënte presion asaj që të dëshmonte kundër tij.

Zhdukja misterioze e Natanit
Por çfarë ndodhi gjatë hetuesisë me mjekun Natan Schachner dhe si u trajtua ai nga Sigurimi i Shtetit? Lidhur me këtë Mila dëshmonte: “Nga disa njerëz, ne mundëm të mësonim se Natanin e torturonin vazhdimisht gjatë hetuesisë. Unë javë për javë i dërgoja ushqime dhe ndërresa, por isha e sigurt se jo vetëm ushqimet, por as ndërresat nuk ia jepnin atij. Njëherë në ndërresat e tij gjeta një copë letër ku shkruhej: ‘Mila, unë nuk kam treguar asgjë, prandaj as ti mos trego’. Duke qenë e sigurtë se ai nuk ishte shkrimi i tij dhe se ajo gjë ishte një truk i Sigurimit, shkova vetë në Degë dhe i thashë kryehetuesit se ajo letër nuk ishte e tim shoqi. Ata ngrinë dhe nuk folën asnjë fjalë. Mbas gjashtë muajsh një i afërmi ynë na tha se Natani kishte vdekur në hetuesi dhe ishte në morg. Unë vajta menjëherë në hetuesi dhe kryehetuesi më tha: ‘Natani ka varur veten në qeli. Ai ishte agjent sionist ndërkombëtar dhe ishte i vendosur deri në fund’. Unë i pyeta se sa lekë iu detyrohesha për shpenzimet e varrimit, por ai më tha se për atë gjë kishte menduar vetë shteti. Më pas ata më sollën në shtëpi rrobat e tij ku mungonte qemeri dhe njëra këmbë e pantallonave.

Me atë gjë ata donin të tregonin se Natani kishte varur veten. Pas kësaj mua më hoqën nga puna dhe më dërguan mësuese në fshat, duke më lënë të banoja vetëm në një dhomë. Aty nga viti 1991, një person që kishte punuar si fotograf në Ministrinë e Brendshme, erdhi dhe më tregoi se në korrikun e vitit 1973 atë e kishin thirrur urgjent në Durrës, për të fotografur një të burgosur që kishte vdekur në qeli. Ai kishte mësuar se i burgosuri quhej Natan Schachner dhe se ai kishte vdekur gjatë torturave. Më pas ata e kishin varur duke thënë se kishte bërë vetëvarje”, tregonte në rrëfimin e saj Mila Çorati, duke shtuar se në atë kohë një ndihmës-mjek, shkoi në shtëpinë e saj dhe i tregoi se trupi i Natanit, me kokë të prerë, deri në vitin 1991 kishte qëndrua në morgun e Tiranës, ku mësonin studentët e Mjeksisë. Bashëkëshorti i saj, mjeku me origjinë izraelite që punoi për 33 vjet në Shqipëri, u kishte shërbyer shqiptarëve edhe përsëvdekuri.

Natan Schachner, mjeku me origjinë hebraike që punoi 33 vjet në Shqipëri
Natan Schachner u lind më 6 prill të vitit 1913 në Sadagura të Rumanisë, (krahinë e Moldavisë që më pas kaloi nën Bashkimin Sovjetik) në një familje me origjinë ebraike nga Izraeli dhe i jati i tij quhej Leon, kurse nëna Berta. Që nga fillimi i shekullit të kaluar, familja e Leon Schachner ka banuar në krahinën e Moldavisë, e cila në atë kohë ishte nën administrimin e Rumanisë dhe më pas, gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, ata u shpërngulën prej andej dhe jetuan disa kohë në Austri. Nuk dihet me saktësi dhe nuk ka asnjë të dhënë qoftë dhe të përafërt se në ç’periudhë kohe ajo familje është larguar nga atdheu i tyre Izraeli, për t’u vendosur në krahinën e Moldavisë, ku asokohe jetonte një komunitet i madh me origjinë ebraike. E jëma e Natanit, Berta kishte lindur në Poloni në një familje të pasur latifondiste (me origjinë ebraike) dhe familja e saj kishte banuar për disa kohë edhe në Gjermani.

Natani i cili ishte djal i vetëm i Leon dhe Berta Schachner, pasi u shkollua në Sadagura të Rumanisë ku mbaroi dhe gjimnazin klasik, në vitin 1933 u dërgua për të ndjekur studimet e larta për Mjeksi, në Universitetin e Bolonjas në Itali. Në atë Universitet, Natan Schachner studjoi për gjashtë vjet në degën e Kirurgjisë patollogjike dhe në vitin 1939, ai u diplomua me rezultate të larta duke marrë Medalje Ari. Pas marrjes së diplomës, Natani së bashku me shumë shokë të tij studentë me origjinë ebraike, u nis për t’u kthyer në Rumani, ku asokohe vazhdonte të banonte familja e tij. Por gjatë atij udhëtimi, ai së bashku me të gjithë shokët e tij studentë të sapodiplomuar, u ndaluan nga forcat gjermane në kufirin Jugosllav dhe përfunduan në një kamp përqëndrimi. Siç ka dëshmuar dhe vetë Natani, ndalimi i tyre u bë për arsye se gjermanët nuk kishin dëshirë që vëndet e Lindjes komuniste të cilat ishin nën influencën sovjetike, (siç ishte në atë kohë Moldavia) të furnizoheshin me kuadro të diplomuar në Perëndim. Pas disa muajsh qëndrimi në atë kamp përqëndrimi që kishin hapur gjermanët në Jugosllavi, (ku Natani nuk e tregoi kombësinë e tij ebraike) ai mundi që të shpëtonte nga pushkatimi duke u arratisur që andej, vetëm në sajë të gjuhës gjermanishte që e zotëronte në mënyrën më të përkryer.

Pas arratisjes nga kampi i përqëndrimit gjerman, Natani kishte si synim për t’u vendosur në Prishtinë, ku asokohe jetonin dhe një numër i madh ebrejsh, të cilët kishin gjetur aty një strehë të sigurtë duke u marrë nën mbrojtje nga autoritetet vendore të Kosovës. Pasi udhëtoi disa ditë nëpër male, Natani mbërriti në Prishtinë diku aty nga pranvera e vitit 1940 dhe menjëherë filloi punë si kamarier në një nga lokalet e atij qyteti me pronar shqiptar. Në atë kohë që mbërriti në Prishtinë, Natani mësoi se babanë e tij Leonin e kishin pushkatuar gjermanët në Austri, kurse nënën e tij Bertën, e kishin internuar në një kamp përqëndrimi në Siberi. Nisur nga këto rrethana dhe duke mos pasur më asnjëeri të afërt të familjes në Sadagura të Moldavisë, Natani vendosi që të vinte në Shqipëri ku asokohe kishin ardhur dhe një numër jo i vogël ebrejsh, të cilët kishin gjetur mbrojtjen e popullsisë vendase. Pasi qëndroi për afro një vit e gjysëm në Prishtinë, aty nga janari i vitit 1942, Natan Schachner plotësoi disa dokumente fallse (ku e fshehu kombësinë e tij ebraike) dhe u nis për në Shqipëri, duke udhëtuar me një nga kamionët e linjës Prishtinë-Tiranë. Duke mos pasur asnjë lloj mbështetje dhe nga që nuk e dinte mirë gjuhën shqipe, Natani u vendos tek Pazari i Vjetër (aty ku sot është Pallati i madh i Kulturës) ku punoi si hamall, duke ngarkuar dhe zhgarkuar mallrat e tregtarëve të ndryshëm tiranas. Nga që nuk kishte asnjë lloj banese për të futur kokën, Natani flinte në dyqanet e tregtarëve të ndryshëm tiranas, të cilëve iu ruante dhe mallrat e dyqanet e tyre, duke u paguar dhe si roje nate.

Pasi punoi disa kohë si hamall pranë atij pazari dhe duke mos i treguar asnjë njeriu për kombësinë e tij ebraike, aty nga vera e vitit 1942, Natani filloi punë si hamall në magazinat e dy tregtarëve të njohur, të quajtur Gaqo Papadhopulli dhe Petro Roçi. Këta dy tregtarë të cilët asokohe bënin tregti të madhe me mallra farmaceutike, e morën Natanin në punë si hamall në magazinat e tyre, vetëm pasi e vunë në provë dhe panë që ai ishte njohës i shkëlqyer i medikamenteve mjeksore që ata tregtonin. Pasi punoi për afro dy vjet pranë atyre magazinave (ku në njërën prej tyre kishte adaptuar dhe një vënd për banesë) aty nga shtatori i vitit 1943, kur kapitulloi Italia dhe gjermanët po i afroheshin Tiranës, për t’i shpëtuar ndjekjes së tyre, Natani u largua që andej dhe u fsheh në periferi të Tiranës afër fshatit Zall-Herr.

Po në atë kohë me ndihmën e dy tregtarëve Gaqo Papadhopulli dhe Petro Roçi, Natani u bashkua me çetën e forcave të Legalitetit që vepronte në atë zonë, e cila komandohej nga kapiten Xhemal Herri. Pasi qëndroi disa kohë pranë asaj çete duke shërbyer si mjek, Natani me mirkuptim u largua që andej dhe në gushtin e vitit 1944 u bashkua me partizanët e Brigadës së Parë të porsaformuar në Vidhkuq të Korçës të komanduar nga Mehmet Shehu. Edhe në këtë formacion të madh partizan, Natan Schachner u caktua me detyrën e mjekut të Brigadës, ashtu siç kishte shërbyer edhe pranë forcave të Xhemal Herrit. Aty nga vera e vitit 1944, Natani u transferua nga ajo brigadë dhe kaloi po me detyrën e mjekut pranë Brigadës së XXIII, e cila asokohe vepronte në periferitë e Krujës dhe Tiranës. Edhe pas mbarimit të Luftës, Natani shërbeu si mjek pranë asaj Brigade deri në janarin e vitit 1946 dhe në atë kohë u transferua si mjek pranë një regjimenti të Divizionit të Korçës, ku punoi deri në 1 shtator të vitit 1949.

Në të gjitha ato njësi ushtarake ku punoi, ndonëse e ushtronte me mjaft korrektesë e humanizëm detyrën e mjekut, Natani shihej me sy të keq nga organet e Sigurimit të Ushtrisë, me që ishte shtetas i huaj. Si rezulat i kësaj, pas transferimit nga Korça, ai u transferua përsëri edhe disa herë të tjera në shumë reparte si në Kukës e Shkodër, deri sa e nxorrën në lirim në 30 dhjetor të vitit 1951, me motivacionin: “I padëshirueshëm në Ushtri”. Pas lirimit nga ushtria, Natanin e emëruan si mjek civil në qytetin e Burrelit ku punoi nga viti 1951 deri në 1954-ën, kur e transferuan dhe e sollën në Fush-Krujë. Në atë kohë ai u njoh me një vajzë tiranase të quajtur Erugina (Mila) Çorati e cila kishte qenë partizane dhe punonte në sektorin e Propagandës të Ministrisë së Shëndetësisë. Pas martesës atyre iu dhanë një banesë në fshatin Arrameras, pasi deri në atë kohë Natani banonte në Teqen Bektashiane të Fush-Krujës. Në vitin 1956, me ndihmën e Kryqit të Kuq të Shqipërisë, Natanit i erdhi në Shqipëri nëna e tij Berta, e cila banonte në Moskë, ku ishte vendosur pasi ishte liruar nga kampi i përqëndrimit i Siberisë. Me ardhjen në Shqipëri, nëna e Natanit, Berta, jetoi me djalin e saj dhe gruan e tij Milën, për afro dy vjet në shtëpinë e tyre në fshatin Arrameras të Fush-Krujës, deri sa vdiq në vitin 1957. Pas shumë kërkesash, në vitin 1960, Natani së bashku me gruan e tij Milën, u transferuan nga Fush-Kruja për në Durrës.

Në atë qytet, Natani punoi si mjek në spital dhe Poliklinikë, (bashkëshortja e tij Mila punoi si mësuese) duke u vlersuar si një nga mjekët më të mirë dhe tepër humanë që i ndiqte pacientët e tij duke u kujdesur për ta deri në Tiranë. Edhe pse Natani, gëzonte një emër të mirë si mjek në qytetin e Durrësit, nga viti 1967 ai u survejua rregullisht nga Sigurimi i Shtetit, pasi në atë kohë ai ishte shprehur hapur në mbrojtje të izraelitëve në konfliktin e tyre me vëndet Arabe. Në qytetin e Durrësit, Natani punoi për afro 14-vjet, deri në 11 janar të vitit 1973, kur u arrestua nga Sigurimi i Shtetit, me akuzën: “Agjent ndërkombëtar i vendosur i sionizmit”. Pas gjashtë muaj hetuesie, në korrikun e atij viti, bashkëshortja e tij Mila Çorati u njoftua nga Dega e Brendëshme e Durrësit se i shoqi i saj Natan Schachner, kishte varur veten në qelinë ku mbahej i izoluar. Që nga ajo kohë e deri në sot, Mila Çorati nuk ka asnjë të dhënë se ku prehen eshtrat e bashëshortit të saj, ndonëse disa të afërm i kanë treguar se trupi i tij me kokë të prerë, deri nga fundi i viteve 80-të, ka qëndruar në morgun e Tiranës ku mësonin studentët e Mjeksisë./Memorie.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Histori

Tentoi vetëvrasjen, por e varrosën të gjallë/ Historia tragjike e kolonelit të diplomuar në Torino

Publikuar

-

Nga

Publikohet për herë të parë historia e panjohur e Sulejman Vuçiternës nga fisi që e ka prejardhjen nga Verbovsi i Drenicës së Veriut. Memorie.al shkruan se ai në moshën 18-vjeçare, kishte nën komandën e tij mbi 400 burra të armatosur dhe me cilësinë e komandantit të komitës, Sulejmani së bashku me Bajram Currin e Hasan Prishtinën, nënshkruan peticionin për rishikimin e kufijve që ishin vendosur në 1913-ën dhe ribashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, gjë e cila solli dhe dënimin e tij me vdekje qeveria serbe e Pashiqit.

Ardhja e Sulejmanit në Shqipëri pas një burse të dhënë nga Hasan Prishtina për nxënësit kosovarë dhe shkollimi në Normalen e Elbasanit dhe më pas në Akademinë Ushtarake të Torinos në Itali, nga ku u kthye në atdhe duke shërbyer në qytetet e Kavajës, Korçës Shkodrës e Beratit, fillimisht në sektorin e Prapavijës së Ushtrisë Mbretërore, e më pas si Komandant i Shkollës së Plotësimit të Oficerëve të Monarkisë Shqiptare.

Dorëheqja e Sulejman Vuçiternës pas agresionit fashist të 7 prillit të ’39-ës dhe kthimi në Kosovë ku ai bashkohet me Komitetin e Mbrojtjes së Kosovës dhe emërimi i tij si Komandant i Komandës së Mbrojtjes së Kufijvë Veri-lindorë të Shqipërisë, ku zhvilloi disa luftime të ashpra kundra forcave çetnike të Drazha Mihajlloviçit, në Kolashin, Novi-Pazar, Mal të Zi etj. Kthimi i Sulejmanit në Shqipëri në vjeshtën e ’44-ës dhe arrestimi i tij nga komunistët më 14 nëntor të atij viti, ku të lidhur me zinxhir, disa partizanë e dërguan në fshatin Shupal, rrëzë malit të Dajtit ku mbaheshin të izoluar shumë nga ish-funksionarët e lartë të qeverive shqiptare që nga koha e Ismail Qemalit.

Dënimi i Sulejmanit në Gjyqin Special me 30 vjet burg, ku edhe pse aty erdhi si dëshmitare dhe e mbrojti e ëma e Heroit të Popullit, Xhezmi Delli, duke deklaruar se ai ishte patriot dhe i kishte shpëtuar disa herë jetën të birit, vendimi i gjyqit u la në fuqi dhe ai u dërgua për të vuajtur dënimin në Kampin e Vloçishit, ku nga tmerret tentoi vetëvrasjen, duke prerë gishtat e këmbës me bel dhe komandanti i Kampit, Tasi Marko, nuk e lejoi ta dërgonin në spital, por e la të vdiste dhe atë e varrosnin ende pa i dalë shpirti…?!

Ka qenë mesi i muajit nëntor të vitit 1944, kur forcat partizane që ishin dislokuar në periferi të kryeqytetit, rrëzë malit të Dajtit dhe kontrollonin pothuaj gjithë pjesën lindore të qytetit të Tiranës, prisnin nga ora në orë largimin e forcave gjermane që tërhiqeshin nga Rruga e Elbasanit për në drejtim të Shkodrës, për të hyrë si triumfatorë në kryeqytetin e çliruar. Ndonëse lufta akoma nuk kishte mbaruar, komunistët kishin filluar larjen e hesapeve dhe skuadra speciale partizanësh sipas listave që kishin marrë nga shtabi qendror i tyre që ishte akoma në zonën e Priskës, shkonin lagje më lagje e shtëpi për shtëpi për të bërë arrestimet apo eliminimet e atyre që ata i konsideronin si “armiq e kriminelë të popullit”. Në mesnatën e 14 nëntorit, skuadrat speciale të partizanëve arritën të arrestonin dhe kolonel Sulejman Vuçiternën që ndodhej në shtëpinë e tij (sot ambasada greke), diku afër lagjes periferike të kryeqytetit te “Zogu i Zi”. Po kush ishte Kolonel Vuçiterna, cila ishte e kaluara e tij dhe përse ishte futur ai në “listat e zeza” të komunistëve për t’u arrestuar prej tyre?

Kush ishte Sulejman Vuçiterna?

Ai lindi më 11 shtator të vitit 1898 në qytetin e Vuçiternës në Kosovë. Sulejmani rrjedh nga dera e Kastratëve të Verbovsit të Drenicës së Veriut, ku i pari i atij fisi, Mulla Ali Kastrati (Shkoza) ishte shpërngulur nga Bushati i Shkodrës nga ku është dhe origjina e herëshme e familjes tij, e u vendos fillimisht në Malësinë e Gjakovës, aty rreth vitit 1609. Familja Vuçiterna që mbajti për mbiemër emrin e vendlindjes së të parëve të sajë, njihet në të gjithë atë krahinë, si një nga familjet më patriote që ka marrë pjesë në të gjitha luftrat kundër pushtueseve të huaj që kanë shkelur Kosovën. Babai i Sulejmanit, Mulla Bajram Kastrati, ishte klerik mysliman dhe së bashku me dy djemtë e tij, Isufin e Rexhepin, ishin tepër të njohur si prijës të Drenicës dhe për veprimtarinë e tyre në dobi të çështjes kombëtare, gjithmonë ndiqeshin për tu arrestuar nga pushtuesit turq. Sulejmani, pasi u shkollua në vendlindjen e tij Vuçiternë, i ndërpreu mësimet e në moshën 16 vjeçare mori armët e u bashkua me komitët në atë që njihet si “Lëvizja kaçake kosovare”. Për aftësitë e tija të jashtëzakonshme si organizator e drejtues, në vitin 1916 kur nuk ishte më shumë se 18 vjeç u caktua si komandant i çetës së Verbovcës dhe kishte nën komandën e tij mbi 400 burra të armatosur. Pasi ishte formuar mbretëria serbo-kroato-sllovene, aty nga viti 1919, forcat e xhandarmërisë serbe shkuan në fshatin Verbovcë dhe rrethuan shtëpinë e tij për ta arrestuar. Por ato nuk ia arritën dot qëllimit, sepse Sulejmani duke luftuar brenda në kullë, arriti që ta çante rrethimin dhe u largua. Në shenjë hakmarrje, forcat e xhandarmërisë serbe ia dogjën kullën dhe groposën të gjallë vëllanë e tij, Isufin, që ishte klerik mysliman. Pas kësaj ngjarje, Sulejmani u bë tepër i njohur në krye të çetës së Verbovcës nga që ishte shumë i ri në moshë dhe aty rreth vitit 1922, me cilësinë e komandantit të komitës, së bashku me dy deputetët e parlamentit shqiptar, Bajram Currin e Hasan Prishtinën, nënshkruan peticionin për rishikimin e kufijve që ishin vendosur në 1913-ën dhe ribashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, gjë e cila solli dhe dënimin e tij me vdekje nga qeveria serbe e Pashiqit.

Diplomohet në Akademinë e Torinos

Pas dënimit me vdekje që ju dha nga serbët, i shtyrë dhe nga familja, duke mos pasur rrugëzgjidhje tjetër, Sulejmani vendos që të vijë në Shqipëri. Pasi la të gjithë njerzit e afërt dhe familjen në Kosovë, aty nga fundi i vitit 1922 së bashku me disa pjestarë të çetës tij, niset për në drejtim të kufirit malazezo-shqiptar, pasi kaloi me not nga liqeni i Shkodrës. Menjëherë pasi erdhi në Shqipëri, ai vazhdoi shkollën që e kishte ndërprerë në vendlindjen e tij, kur ishte 16 vjeç. Pas kësaj, duke përfituar nga një bursë shtetërore prej kontigjentit të nxënësve kosovarë që paguheshin nga fondet e mbledhura prej Hasan Prishtinës, ai u regjistrua në Normalen e Elbasanit të cilën e mbaroi aty nga viti 1929. Mbas mbarimit të shkollës Normale të Elbasanit, Sulejmani u vendos në Tiranë përkohësisht ku dhe krijoj familje duke u martuar me Faika Spatharën (me të cilën pati katër djem e një vajzë), që ishte vajza e ushtarakut të njohur të karrierës (nga Skrapari) kolonel Mustafa Spathara. Në atë kohë Sulejmani përfitoi një bursë shtetërore dhe shkoi në Itali në Akademinë Ushtarake të Torinos të cilën e mbaroi me rezultate të lartë në vitin 1933, duke u diplomuar në armën e Këmbësorisë. Mbas diplomimit ai u kthye në Shqipëri dhe emërohet në Komandën e Përgjithshme të Ushtrisë Kombëtare, në sektorin e Prapavijës. Në këtë sektor, Sulejmani punoi për më pak se një vit dhe më pas fitoi të drejtën e një specializimi një vjeçar për në Gratz të Austrisë, po për degën e Prapavijës, të cilin e mbaroi në qershorin i vitit 1935. Mbas kthimit nga specializimi ai emërohet në repartet e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, në qytetet e Kavajës, Korçës Shkodrës e Beratit. Punon për disa kohë në këto qytete, nga ana e Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë, ai u propozua për të shkuar si pedagog në Shkollën Mbretërore të Plotësimit të Oficerëve në Tiranë ku punoi për disa kohë si pedagog në këtë shkollë, ai propozohet nga Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Shqiptare, gjeneral Xhemal Araniti, për t’u emëruar si komandant i Shkollës së Oficerëve, gjë të cilën Mbreti Zog e dekretoi menjëherë. Në këtë detyrë ai shërbeu deri në prillin e vitit 1939, kur Italia kreu agresionin fashist ndaj Shqipërisë.

Pas 7 prillit 1939, largohet në Kosovë

LEXO EDHE:  Caktohet grupi me 4 mjeko-ligjor/ Asnjë grek në ekspertizën për  Kaçifas

LEXO EDHE:  Kërcënoi me thikë mjekun/ Në pranga 43-vjeçari

Mbas 7 prillit të vitit 1939, Sulejman Vuçiterna nuk pranoi të shërbente më në Ushtrinë Kombëtare dhe pasi dha dorëheqjen nga detyra, u kthye në jetën civile. Duke mos pasur asnjë mjet jetese për të mbajtur familjen, pasi ajo jetonte vetëm me rrogën që ai merrte si oficer, u largua për në vendlindjen e tij në Kosovë, të cilën e kishte lënë që nga viti 1922, ku dhe kishte të gjithë të afërmit e familjen. Në vitin 1941, duke parë situatën e krijuar dhe pas kërkesës së vazhdueshme të parisë nacionaliste të Kosovës, Sulejmani mobilizohet përsëri në radhët e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare. Krahas detyrës ushtarake, ai bashkohet dhe me Komitetin e Mbrojtjes së Kosovës. Po në atë vit, Sulejmani u emërua si Komandant i Komandës së Mbrojtjes së Kufijvë Veri-lindorë të Shqipërisë, që fillonin nga Mali i Zi me Serbinë, e deri në Llap, afër kufirit me Bullgarinë. Këtë detyrë të rëndësishme e mjaft të vështirë Sulejmani e kreu nga vjeshta e vitit 1941 e deri në vjeshtën e vitit 1944, kur u kthye në Tiranë. Gjatë atyre tre viteve të qëndrimit në Kosovë në krye të forcave që komandonte, së bashku dhe me vullnetarët që i kishte rekrutuar vetë, zhvilloi disa luftime të ashpra kundra forcave çetnike të Drazha Mihajlloviçit, përpjekje të cilat u bënë kryesisht në Kolashin, Novi-Pazar, Mal të Zi etj. Po kështu aty nga fillimi i muajit mars të vitit 1943, në krye të forcave ushtarake e vullnetare që komandonte, nënkolonel Vuçiterna zhvilloi përsëri luftime të rrepta kundra forcave serbo-malazeze-çetniko-komuniste, të cilat u shtrinë në zonën e Tushiqit, Çukovskit, Previjes, Rezallës, Okllacit, e deri në zonën e Rashkut. Në këto luftime të ashpra që zgjatën nga data 4 deri më 26 mars, forcave që komandoheshin nga Sulejmani u erdhi në ndihmë dhe një batalion artilerie i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, i cili në përbërje të tij kishte dhe dy oficerë italianë me gradat e kapitenit, që quheshin Rudi e Sada. Nga këto luftime forcat e komanduara nga Sulejmani dolën me humbje të vogla, kurse ato serbo-malazeze patën humbje të konsiderueshme. Për këtë rezultate që arriti në fushën e Luftës, nënkolonel Vuçiternës ju akordua grada e kolonelit nga Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Kombëtare.

Me parinë nacionaliste të Kosovës

Gjatë viteve të qëndrimit në Kosovë, Sulejmani mori pjesë aktive dhe u bë një nga mbështetësit kryesorë i Lëvizjes Nacional-Demokrate Shqiptare, ose siç njihet ndryshe “Balli Kombëtar i Kosovës”, që udhëhiqej nga profesorët Ymer Berisha dhe Luan Gashi, si dhe Bedri Pejani, Bedri Gjinaj, Rexhep Mitrovica, Mehmet Gradica etj. Sulejmani së bashku me Mehdi Elezin e Hajredin Spahiun, mbanin lidhje të vazhdueshme me Shërbimin Informativ Anglez (Intelixhent Servis), për realizimin e marrëveshjes së bërë nga Lëvizja Nacional-Demokrate Shqiptare me atë shërbim informative, për ndihmën që qeveria britanike do t` ju jepte forcave nacionaliste të Kosovës, në luftën kundra pushtueseve italianë. Sulejmani, përveçse një ushtarak i talentuar i karrierës, ishte dhe një intelektual i formuar me prirje perëndimore, i cili zotëronte mjaft mirë dhe disa gjuhë të huaja, si: turqisht, serbo-kroatisht, italisht, gjermanisht dhe anglisht. Ai së bashku me një grup intelektualësh kosovarë që kishin mbaruar universitetet e Perëndimit, bënin një propagandë aktive shumë të madhe në popull, për lidhjet e bashkëpunimin që kishin me aleatët anglo-amerikanë, e ndihmën që ata po jepnin për të fituar luftën kundra boshtit fashist: Romë-Berlin-Tokio. Nga fillimi i vjeshtës së vitit 1944, Vuçiterna si ushtarak profesionist i karrierës, ju përgjigj urdhrave të eprorëve të tij, për ta lënë Kosovën dhe u rikthye përsëri në Tiranë, ku kishte lënë dhe familjen që nga viti 1939.

Rikthehet në Tiranë e arrestohet

Pasi la Kosovën, Sulejmani erdhi e u vendos në Tiranë pranë familjes tij në shtëpinë që e kishte ndërtuar vetë (aty ku sot është ambasada greke) që nga fillimi i viteve ‘30-të. Ai as që e kishte menduar kurrë atë çka do i ndodhte më vonë pas ardhjes në shtëpinë e tij (arrestimin), sepse gjatë gjithë karrierës së tij ushtarake, kishte punuar dhe luftuar vetëm për Shqipërinë dhe për atë gjë, ishte dënuar me vdekje nga forcat çetnike – komuniste (serbo- malazeze), gjatë kohës që kishte luftuar kundër Drazha Mihajlloviçit në Kosovë. Kështu ai duke e ndjerë vetën krejt të pastër për atë që kishte bërë gjatë gjithë jetës tij, u kthye në shtëpinë e tij në Tiranë tepër i vetëdijshëm. Por llogaritë e kolonel Vuçiternës duket se nuk “kuadronin” aspak me ato të komunistëve që kishin ardhur në pushtet dhe mezi prisnin për të larë hesapet me ata që i konsideronin si “kundërshtarë politik apo armiq të popullit”. Kështu pak ditë pas ardhjes tij në Tiranë, akoma pa u çmallur mirë me familjen, aty nga mesnata e 14 nëntorit të 1944-ës, kur gjermanët ende nuk ishin larguar nga kryeqyteti, në shtëpinë e tij u paraqit një skuadër speciale partizanësh e cila e arrestoi duke i`u thënë familjes: “Sa për një sqarim në komandë.” Pas kësaj skuadra speciale e partizanëve e bashkoi me disa “kolegë” të tjerë, dhe ashtu të lidhur me zinxhirë tre nga tre, në këmbë i nisi për në Shupal, rrëzë malit të Dajtit, ku disa baraka të vjetra tip kazeramsh ushtrie që ruheshin nga partizanë të armatosur, shërbenin si burg. Në ato kazerma ku mbaheshin të arrestuar edhe dhjetra persona të tjerë (shumica ish funksionarë të lartë të qeverive shqiptare që nga koha e Ismail Qemalit), si ministra, deputetë, prefektë, ushtarakë madhorë etj, Sulejmani qëndroi deri në datën 21 nëntor, kur po ashtu të lidhur tre nga tre i nisën përsëri në këmbë për në Tiranë, duke i “sistemuar” tek burgu i vjetër (sot “Mine Peza”).

Në gjyqin Special, 30 vjet burg

Në Burgun e Vjetër të Tiranës, për katër muaj, kolonel Sulejman Vuçiterna iu nënshtrua torturave ç’njerzore deri sa doli në Gjygjin Special, i cili u hap në fillimin e muajit mars 1945. Senacës gjygjësore për Sulejmanin u zhvillua në datën 29 mars, ku pati disa replika të ndërsjellta në mes tij dhe Prokurorit Bedri Spahiu. Në atë gjygjë avokat i Sulejmanit u caktua Spiro Stringa, i cili me profesionalizëm të lartë bëri të pamundurën për ta lehtësuar klientin e tij, duke gjetur si dëshmitarë për ta mbrojtur atë, disa persona, si: Hajri Jegenin, Gjon Llambushin e Fehmi Poshin. Po kështu një mbrojtje të madhe i bëri Sulejmanit, Habibe Delli, (nëna e Xhezmi Dellit, komunist “Hero i Popullit”), e cila ishte fqinje me familjen Vuçiterna. Ajo shkoi vetë dhe deklaroi në sallën e gjygjit (pa e thërritur njeri), duke u shprehur: “Sulejmanin e njoh si njeri të ndershëm dhe shumë korrekt, pasi e kam komshi. Duke qenë oficer i lartë, në një rast e di që ai i ka shërbyer Lëvizjes. Kur Xhezmiut i ishte përgatitur pusia, ai i shpëtoi rrethimit, falë informacionit të zotit Sulejman, si dhe dërgimit të atij municioni qoftë dhe të vogël që ai kishte me vete. Ai ishte simpatizant i Lëvizjes Nacionalçlirimtare, por vetë nuk doli në mal të luftonte, se ishte me një veshkë. Përse ky njeri duhet të jetë në bankën e të akuzuarëve si kriminelë?” Pas kësaj, Gjygji Special, e dënoi Sulejmanin me 30 vite burg e punë të detyruar së bashku me Sokrat Dodbibën, Et`hem Carën, Anton Kozmaçin, Sami Kokën, Mihal Zallarin, Ndoc Naraçin e Lazër Radin. Sulejmani nuk “pati fatin” t`a plotësonte dot dënimin e dhënë, sepse vdiq më 15 tetor të vitit 1945 në kampin e Vloçishtit, në kënetën e Maliqit ku vuante dënimin, duke prerë vetë gishtat e këmbës me bel. Sipas disa dëshmive nga bashkëvuajtës të tij në atë burg, Komandanti i Kampit, Tasi Marko, nuk pranoi kërkesën e mjekut Hysenbegasi, për ta dërguar Sulejmanin në spitalin e Korçës, por e varrosën ashtu gjysëm të gjallë, pa i dalë akoma shpirti në një gropë buzë kallamishteve të kënetës së Maliqit, për të mos u gjetur kurrë eshtrat e tija./Memorie.al

LEXO TE PLOTE

Histori

Dokumentet e panjohura/ 500 nazistët që luftuan në Shqipëri përkrah partizanëve të Enver Hoxhës

Publikuar

-

Nga

Publikohet historia e panjohur të njësisë ushtarake naziste hitleriane me emrin “Divizioni 999”, të njohur ndryshe si “Njerzit me shënjën blu”, apo “Llumi i Gjermanisë”, pasi ajo njësi përbëhej nga një konglomerat njerzish të shtresave shoqërore nga më të ndryshmet, si: vjedhës ordinerë, komunistë, antifashistë, pacifist, anarkistë, sindikalistë, social-demokratë etj., të cilët pasi ishin mbajtur për vite me rradhë në një kamp përqëndrimi në Heiberg të Gjermanisë (afër Alpeve të Shvabesë), me fillimin e Luftës, më 3 shtator 1939, pak ditë para sulmit ndaj Polonisë, me sugjerimin e Shefit të Shërbimeve Sekrete të Policisë gjermane, Heydrich, Hitleri i mobilizoi ata në armatat naziste, duke i dërguar në frontet e luftës në disa shtete të Europës, si në Francë, Itali, Poloni, Bashkimin Sovjetik, Rumani, Bullgari, Greqi, Shqipëri, e deri në Afrikën e Veriut.

Dezertimi i tyre nga frontet e luftës në të gjitha shtetet ku shkuan, duke u bashkuar me partizanët vëndas dhe duke luftuar kundra ish-bashkatdhetarëve të tyre nazistë hitlerianë, siç bënë edhe në Shqipëri që në fillimin e vjeshtës së vitit 1944, duke ardhur nga Greqia ku ata kishin luftuar përkrah forcave partizane të ELAS-it që në korrikun e vitit 1943.  Ndër oficerët kryesorë që kaluan me partizanët shqiptarë, ishte komandanti i baterisë artiliere, Sepp Moritz nga Graci i Austrisë, Herman Heurich, komandant i baterisë së 8-të, Walter Brehdow e Paul Ludvik, (komandant e zv / komandant të Baterisë së 9-të) Otto Koch dhe Cuke Will. Shembullin e tyre e ndoqën më pas edhe Ernest Oschmann, Willi Perletberg, Hans Ressmann, Mikael Schifer etj.

Si hynë ata në lidhje me krerët kryesorë të formacioneve partizane që vepronin në jug të Shqipërisë, si: nënkolonelët Hulusi Spahiu e Irfan Peshtani, kapiten Abdurrahman Guri, nëntoger Aleks Duro, etj., duke u bërë efektiva të atyre njësive partizane që vepronin në zonën e Konispolit, Sarandës, Delvinës, etj., ku luftuan kundër ish-bashkëatdhetarëve të tyre, nazistëve hitlerianë, duke dhënë një kontribut të madh në çlirimin e Delvinës, Sarandës, Elbasanit, Tiranës, Shkodrës, etj., e deri në krahinat e Veriut të Shqipërisë ku ata ishin në përbërje të Divizionit të Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të komanduar nga Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu!

Në verën e vitit 1944, ata dezertuan nga rradhët e forcave të ushtrisë gjermane të Adolf Hitlerit dhe kaluan në anën e partizanëve shqiptarë, duke u bërë efektiva të brigadave të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Enver Hoxhës, të cilat ishin përqëndruara në zonën e Delvinës, Sarandës e Gjirokastrës, etj. Pjesa më e madhe e atij kontigjenti të inkuadruar në “Divizionin 999”, ose siç njiheshin ndryshe në Gjermani me nofkën “Njerzit me shenjën blu”, mori pjesë aktive në disa beteja, duke luftuar me armë në dorë kundër bashkëatdhetarëve të tyre nazistë.

Madje duke dhënë një kontribut shumë të çmuar në rradhët e brigadave partizane, siç ishin betejat për çlirimin e Delvinës, Sarandës, Elbasanit, Tiranës apo dhe Shqipërisë së Veriut. Po cila ishte e kaluara e atyre efektivave të ushtrisë naziste hitleriane të cilët në gjysmën e dytë të vitit 1944 pranuan të luftonin përkrah partizanëve shqiptarë kundër ish-shokëve të tyre dhe nga erdhën ata në Shqipëri? Cili ishte kontributi që ata dhanë për partizanët dhe përse historiografia e regjimit komunist nuk e njohu kurrë rolin e tyre ashtu siç bëri me ushtarët italianë që u rreshtuan në rradhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Enver Hoxhës?

Lidhur me këto ngjarje, bën fjalë libri i autorit gjerman, Artur Musil, i cili është botuar në Gjermani në vitin 1988 dhe që na e ka dhuruar me bujari, prof. Rexhep Hida, një nga njohësit më të spikatur të gjuhës gjermane në Shqipëri dhe gjithashtu drejtuesi i Shtëpisë Botuese, “Fan Noli”. Musil, është një nga ata dhjetra gjermanë të “Divizionit 999”, që në vitet 1943-‘44 luftuan në Shqipëri përkrah partizanëve të Enver Hoxhës dhe disa vjet para se ai të shkruante librin e tij, historia e “Divizionit 999”, apo siç njiheshin ndryshe “Njerzit me shenjën blu”, kishte grishur fantazinë e regjizorit të njohur, Harold Pihllip, që të realizonte një film artistik (me metrazh të gjatë), i cili në atë kohë bëri bujë të madhe në Gjermaninë Perendimore, për shkak të historisë që ai trajtonte, atë të disidencës naziste.

Si u krijua Divizioni 999?

Që me ardhjen e tij në fuqi në vitin 1932, Hitleri krijoi një kamp përqëndrimi në Heiberg të Gjermanisë, i cili ishte një vënd i largët në Alpet e Shvabesë si shkretëtirë e vërtetë, ku nuk kishte as dhe një fshat rreth e rrotull. Në atë kamp bënin pjesë kontigjente shtresash shoqërore nga më të ndryshmet, si: vjedhës ordinerë, pacifistë, anarkistë, antifashistë, humanistë, sindikalistë, social-demokratë, komunistë etj., të cilët aty i nënshtroheshin një dhune fizike e psiqike të pashembullt.

Në kazermat e atij kampi në fillim u futën rreth 9000 vetë dhe krijimi i tij u konsiderua si një vendim ideal për realizimin e synimeve naziste, pasi kundërshtarët e mundshëm të regjimit në fuqi, pas kësaj “do të pësonin një asgjesim fizik të ngadalëshëm”! Nga fundi i vitit 1941, numri i të izoluarëve në atë kamp si kundërshtarë të regjimit nazist, arriti në rreth 300 mijë vetë, gjë e cila e shtyu Hitlerin që një pjesë të tyre t’i dërgonte nëpër burgje. Më 3 shtator 1939, dy ditë para se Gjermania naziste të sulmonte Poloninë, Hitleri dhe Himleri thirrën shefin e Shërbimeve Sekrete të Policisë së Shtetit, Heydrich, të cilit i thanë të gjente një zgjidhje për atë kontigjent të madh njerzish të atij kampi. Heydrich, me miratimin e Vermahtit i ndau në dy grupe, ku më të rrezikshmit i mbylli nëpër kampe përqëndrimi, dhe pjesën tjetër i mobilizoi në një Divizion të koduar me numrin 999, apo siç u njoh ndryshe: “Njerzit me shenjën blu”.

Duke i mbajtur nën një mbikqyrje të rreptë, më pas atë njësi Hitleri e dërgoi në front, si në Afrikën e Veriut, Francë, Itali, Poloni, Bashkimin Sovjetik, Rumani, Bullgari, Greqi dhe Shqipëri. Edhe pse në rradhët e “Divizionit 999” vepronte policia e fshehtë e Hitlerit, të cilët kishin si detyrë të asgjesonin fizikisht çdo person që nuk u bindej urdhërave të eprorëve, pjesa me e madhe e atij kontigjenti dezertuan nga rradhët e ushtrisë naziste dhe u bashkuan me partizanët vendas kudo që ata shkuan. Për herë të parë efektivat e “Divizionit 999” u vunë nën urdhërat e gjeneralit të famshëm Romel, që vepronte në Afrikë dhe pas thyerjes së tij, ato njësi erdhën në Itali, Francë, Belgjikë e Ballkan, duke vepruar fillimisht në Greqi. Pas hyrjes së trupave naziste në Ballkan, (Greqi e Shqipëri) “Divizioni 999” kontaktet e para i mori me Ushtrinë Çlirimtare Popullore greke të ELAS-it. Kjo ndodhi më 14 korrik 1943, rreth pesë javë pasi ato kishin hyrë në Greqi. Në luftën për çlirimin e territoreve greke, përkrah ELAS-it dhanë jetën 170 efektiva të “Divizionit 999”. Vlen për t’u përmënduar heroizimi që ata treguan në luftimet e ashpra që u zhvilluan në Amalas. Pas kësaj më korrik 1944, në Peleponez u krijua “Lidhja e antifashistëve gjermanë” të cilët u inkuadruan në Divizionin e III të Ushtrisë Greke të ELAS-it.

Gjermanët që çliruan Delvinën nga nazistët

Për herë të parë forcat e “Divizionit 999” hynë në Shqipëri në grupe të vogla në verën e vjeshtën e 1944-ës, pas pushtimit të Greqisë nga trupat britanike. Pas futjes në territorin shqiptar, antifashistët gjermanë u vendosën në zonën e Delvinës e Gjirokastrës, duke bashkëpunuar ngushtë me forcat partizane që operonin në atë zonë. Pjesa më e madhe e tyre, (rreth 500 vetë) luftuan me armë në dorë kundra bashkëatdhetarëve të tyre nazistë, duke marrë pjesë jo vetëm në çlirimin e Delvinës e Sarandës, por edhe në Shqipërinë e Veriut, ku u vendosën më pas brigadat partizane ku ata u inkuadruan.

Në rradhët e partizanëve shqiptarë nuk luftuan vetëm ata gjermanë që kishin bashkëpunuar më parë me ELAS-in në Greqi, por edhe efektivat e ushtrisë naziste që ndodheshin në Delvinë e Sarandë, pasi të gjithë ata ishin nga “Divizioni 999”. Në këtë zonë ata gjetën rastin dhe kaluan menjëherë në anën e partizanëve shqiptarë. Vlen për t’u theksuar mikëpritja që u ofroi atyre popullsia vëndase, e cila i trajtoi shumë mirë ato efektiva, edhe pse e dinte se ishin forca kundërshtare që luftonin kundër bijve të tyre partizanë. Vetë gjermanët u habitën nga mikpritja e popullsisë vëndase në Jugun e Shqipërisë, pasi propaganda zyrtare e Berlinit, i kishte paraqitur ata, sikur i prisnin me pushkë dhe pushkatonin menjëherë çdo gjerman që gjenin. Pas kësaj, frika u thye dhe dezertimi i efektivave të “Divizionit 999” u bë në masë.

Dhe megjithë përpjekjet e kujdesin e Komandës së Përgjithshme Gjermane në Berlin, dezertoi edhe Bateria e 8-të e njësisë së tretë të Regjimentit të Artilerisë të “Divizionit 999”. Kështu mjaft efektiva të këtij Divizioni që drejtonin automjete me ushqime dhe municione, devijuan nga destinacioni i tyre dhe i dërguan ato tek forcat partizane që vepronin nga Janina në Delvinë. Ndër oficerët kryesorë që kaluan me partizanët, ishte komandanti i baterisë artiliere, Sepp Moritz nga Graci i Austrisë, Herman Heurich, komandant i baterisë së 8-të, Ëalter Brehdoë e Paul Ludvik, (komandant e zv/komandant të Baterisë së 9-të) Otto Koch dhe Cuke Ëill. Shembullin e tyre e ndoqën më pas edhe Ernest Oschmann, Ëilli Perletberg, Hans Ressmann, Mikael Schifer etj., të cilët braktisën njësitë naziste ku ishin inkuadruar dhe u bashkuan me partizanët shqiptarë, duke luftuar përkrah tyre në çlirimin e Sarandës e Delvinës.

Gjermani Musil: Si e shpëtuam Delvinën

Lidhur me këto ngjarje të ndodhura në 1944-ën në Jugun e Shqipërisë, gjermani Artur Musil, efektiv i “Divizionit 999”, në librin e tij mes të tjerash ka shkruar: “Sipas planit të komandaturës sonë (naziste gjermane), deri në mbrëmjen e 10 tetorit, Delvina duhej të sulmohej dhe të rrënohej plotësisht. Unë si komandant i njësisë së tretë, së bashku me një mikun tim, majorin Haring, u dhamë urdhër ushtarëve tanë që të kalonin menjëherë përpara fillimit të sulmit te partizanët shqiptarë. Kurse unë me majorin gjetëm një palë rrobe fshatari shqiptar, të cilat ata na i dhanë me bujari. Pas kësaj hipëm mbi gomarë dhe duke kaluar mbi një qafë mali, dolëm për te zona që kontrollohej nga partizanët. Mikut tim majorit, i qëlloi që të ecte më shumë në këmbë dhe njësitë gjermane që e pikasën veprimin tonë, filluan të na qëllonin me mortaja duke plagosur një nga kafshët që kishim hipur ne. Kjo gjë bëri që të ngadalsohej lëvizja jonë dhe mezi arritëm në buzëmbrëmje për aty ku ishim nisur. Ndërsa ecnim, qielli ndërkohë filloi të mbushej me re të zeza dhe të gjëmonte. Miku im më mbante përkrahu dhe më qetësonte: Më mirë në shi se në plumbat e gjermanëve. Duke ecur, mendonim që të ktheheshim në ndonjë shtëpi fshatari. Ndërkohë kur hodha sytë nga Delvina, pashë se njësia ime ishte larguar plotësisht. Aty m’u kujtua se si nga nxitimi kisha harruar në kazermë një çantë me disa sende të mija personale. Të nesërmen mundëm të hynim në kontakt me shtabin partizan që vepronte në atë zonë ku dolëm ne. Ne ju dhamë atyre detajet e planit që mendohej të sulmohej Delvina (plani i shtabit nazist) dhe atëhere brenda një kohe shumë të shkurtër, njësitë shqiptare bashkë me ne, bëmë një riorganizim dhe sulmuam të parët. Kjo bëri që njësitë gjermane të shpartalloheshin krejtësisht dhe sulmi mbi Delvinë të shmangej. Më pas vijuan ditë të tëra miqësie dhe lufte me partizanët shqiptarë në zona të tjera kundër të njëjtit armik e për të njëjtin qëllim”.

LEXO EDHE:  Pamjet e rralla/ Misteret e Shqipërisë komuniste që tërhiqnin turistët  

LEXO EDHE:  Vrasja që tregoi lidhjen e fortë mes politikës dhe krimit të organizuar/ Fillon procesi gjyqësor

Alfred Kluëe: Korçari më shpëtoi jetën nga oficeri SS

Një tjetër gjerman efektiv i “Divizionit 999” që ka qenë në Shqipëri dhe që dezertoi më pas e u bashkua me partizanët në luftë kundër bashkatdhetarëve të tij nazistë, ka qenë edhe komandanti i Batalionit të Alfred Kluëe. Lidhur me ngjarjet e asaj kohe, në kujtimet e tij të botuara në librin e Artur Musil, mes të tjerash ai ka shkruar: “Kur njësia jonë po ecte në drejtim të Korçës, ne gjetëm rastin dhe dezertuam. Ndërkohë që isha me mikun tim nga Berlini, Paul Baleëski, përshëndetëm një fshatar i cili na u përgjigj me përzemërsi. Me anë të përkthyesit tonë i shpjeguam fshatarit qëllimin tonë që ai të mos trembej. Atij i kërkuam të na tregonte se ku ishin çetat partizane. Ai pasi na besoi plotësisht, na tha gjithashtu se aty pranë ishte një depo me ushqime dhe municione për të cilat kishte aq shumë nevojë populli dhe çlirimtarët shqiptarë. Dhashë urdhër që të gjithë ushtarët tanë të qëndronin dhe bashkë me fshatarët të shkonin te vëndi ku ndodhej depua. Kur arritëm përpara saj, vura re se ajo ruhej nga dy ushtarë SS. Pasi u përshendeta me ta, i thashë njerit prej tyre se njësia ime kishte nevojë për ushqime. Ai më besoi dhe unë bashkë me fshatarin hymë brenda për të parë e marrë diçka. Por befas njëri nga oficerët SS (i dyti tashmë i vetëm) dyshoi dhe nxorri revolverin të më qëllonte. Në atë moment fshatari që ishte me mua, menjëherë nxorri një thikë që e kishte pasur me vete, dhe e eliminoi fizikisht oficerin, duke më shpëtuar për mrekulli jetën mua. Kur dolëm nga depua, oficerin e dytë SS, e arrestuam menjëherë pa ndonjë problem, e pastaj u kthyem te njësia jonë. Pas kësaj shkuam përsëri tek depoja bashkë me njësinë dhe morëm sasi të konsiderueshme ushqimesh, veshmbathjesh e municioni, duke ndihmuar kështu popullsinë e asaj zone dhe partizanët. Që prej asaj dite, ne, së bashku me njësitë partizane të asaj zone, kemi marrë pjesë në mjaft luftime si në zonën e Shpatit të Elbasanit, ashtu dhe në atë Elbasan-Tiranë”

Po kështu pjestarë të tjerë të “Divizionit 999”, kanë shërbyer pranë partizanëve shqiptarë si specialistë në fusha të ndryshme, si radio-ndërlidhje, shoferë, apo dhe gazetarë. Kështu, është për t’u përmëndur rasti i Oskar Fuselbach (anëtar i PSD Gjermane) i cili ka ndihmuar në Prefekturën e Vlorës, pranë gazetës së asaj prefekture. Ai në atë kohë banonte pranë një familje shqiptare dhe u ka dhënë një ndihmë të madhe kolegëve shqiptarë, të cilët ishin të rinj dhe pa përvojë në fushën e gazetarisë. Numri i ushtarëve gjermanë efektiva të “Divizionit 999” që dezertoi nga armata e Fyherit dhe u bashkua me çlirimtarët shqiptarë, ka qenë mbi 500 veta. Kontributi i tyre në këtë luftë ka qenë tepër i ndjeshëm dhe ata kanë luftuar deri në çlirimin e Shqipërisë në qytetin e fundit të saj, Shkodrës, duke ardhur deri aty me luftime nga rruga Durrës-Tiranë-Shkodër.

Dokumentet partizane: Gjermanët luftuan krah nesh

Ndonëse gjatë 45 vjetëve të regjimit komunist të Enver Hoxhës në librin e Historisë së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare (1939-1944) nuk është shkruar kurrë mbi kontributin e këtyre ushtarëve gjermanë, duke e injoruar tërsisht atë fakt, shumë nga ata ish-ushtarë dhe oficerë gjermanë kanë ruajtur e disponojnë mjaft dokumente që e vërtetojnë më së mirë pjesmarrjen e tyre në luftë përkrah partizanëve shqiptarë. Ata kanë rujatur deri në ditët e sotme mjaft nga dëshmitë, deklaratat dhe vërtetimet që ish-komandanët dhe komisarët e njësive të ndryshme të ushtrisë partizane, ua patën lëshuar atyre në atë kohë.

Kështu në disa prej atyre dëshmive thuhet:

 “Ushtria Nacional-Çlirimtare

Komanda e Përgjithshme e Artilerisë

 Vdekje e Fashizmit Liri Popullit                                                                     Tiranë më 13.2.1945

                                                                         Deklaratë

 Vërtetohet se i quajturi Max Zaspel, ka qenë në rreshtat e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare dhe prej datës 25.1.1945 efektiv i kësaj komande si artilier.

Komandanti i Artilerisë

 Nënkolonel Hulusi Spahiu (firma)

 Po kështu në një tjetër dokument të lëshuar nga Hulusi Spahiu, (pas lufte gjeneral-major dhe Drejtor i Artilerisë në Ministrinë e Mbrojtjes) shkruhet:

                                                                    Letër-udhëtimi

 Autorizohen partizanët e poshtëshënuar me nënshtetësi gjermane, me udhëtuar deri në Elbasan, të cilët vazhdojnë udhëtimin për në frontin e Lindjes, duke mos pasur asnjë pengim prej kësaj komande.

  1.  Partizan Max Zaspel.
  2.  Paul Ludwig.
  3.  Albin Tomaschek.
  4.  Hans Bauer
  5.  Max Wolf
  6. Walter Bredoë
  7.  Robert Kraus
  8. Joseff Gennoch
  9. Alex Kauffman

Krahas këtyre dokumenteve të firmosura nga ish-komandanti partizan i Artilerisë, nënkolonel Spahiu, (në vitet ’50-të u burgos nga Enver Hoxha), në librin e autorit gjerman, Artur Musil, janë dhënë me faksimile edhe mjaft dokumente të tjera të firmosura nga komandantë e komisarë të tjerë partizanë mjaft të njohur si në atë kohë e më pas, si: Irfan Peshtani, Abdurrahman Guri, Aleks Spiro etj. Por edhe pse këto dokumente hedhin dritë dhe flasin qartë mbi pjesmarrjen e 500 gjermanëve në rradhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare partizane të Enver Hoxhës, kjo gjë nuk u shkrua kurrë në librat e historisë apo kujtimet e veteranëve të Luftës si para viteve ’90-të, ashtu dhe në këto tre dekada pas shëmbjes së regjimit komunist…?!

Në vitin 1960-të, regjizori Harold Phillipe, realizoi një film për “Divizionin 999”, që bëri bujë në Gjermaninë Perendimore

Gjatë dhe në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, shumë nga ish-efektivët e “Divizionit 999” apo siç njiheshin ndryshe në periudhën e Gjermanisë naziste, si “Njerzit me shenjën blu”, nuk u kthyen më në atdheun e tyre, por preferuan që të qëndronin në mërgim, ku krijuan dhe bërthamën e parë të Partisë Komuniste Gjermane, e cila disa vjet më pas do të vinte në fuqi në Gjermaninë Lindore. Shumë të tjerë prej “Divizionit 999”, menjëherë pas Luftës zunë vënde dhe funksione të rëndësishme në qeverinë komuniste gjermano-lindore dhe hierarkinë e udhëheqjes partiake që drejtonte atë. Madje një pjesë e ish-ushtarakëve nazistë të “Divizionit 999” që kishin luftuar dikur në Shqipëri përkrah partizanëve të Enver Hoxhës, në vitet ’50-’60-të u rikthyen këtu si turistë, studentë, apo dhe me delegacionet e ndryshme qeveritare. Historia e divizionit nazist e përbërë nga “Njerzit me shenjën blu”, apo siç njiheshin ndryshe me përçmim nga nazistët hitlerianë, si “Llumi i Gjermanisë”, në vitin 1960 grishi fantazinë e regjizorit të njohur gjerman, Harald Phillipe, i cili realizoi filmin artistik me metrazh të gjatë, të titulluar “Straftbattalion 999”. Ky film ku dy rolet kryesore interpretoheshin nga aktorët Werner Peters dhe Sonja Ziemman, bëri bujë të madhe asokohe në Gjermaninë Perendimore, për shkak se trajtonte një temë dhe histori të panjohur deri në atë kohë, atë të disedencës naziste./Memorie.al

LEXO TE PLOTE

Histori

U diplomua në Kembrixh, por u burgos nga komunistët/ Historia e panjohur e kryebashkiakut të Tiranës, që vdiq në mjerim

Publikuar

-

Nga

Publikohet historia e panjohur të Rexhep Jellës, pinjoll i një prej familjeve autoktone më të njohura tiranase, i cili pasi u shkollua në Robert Kolezh të Stambollit dhe më pas në Kembrixh të Anglisë, u kthye në atdhe dhe pasi përfaqësoi Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Paris, shërbeu në disa funksione dhe poste të larta, si:  senator i Parlamentit, deputet i Prefekturës së Durrësit, prefekt në Gjirokastër e Korçë, Kryetar i Bashkisë së Tiranës, etj.

Tërheqja e tij nga skena politike që në vitin 1939 edhe pse Mbreti Zog e kishte një nga të preferuarit e tij duke e dekoruar me me urdhërin e madh të “Kordonit të Skënderbegut”, për t’u marrë me studime dhe administrimin e pronave të tij në qytetin e Tiranës dhe fermën që kishte në fshatin Kashar dhe Kus.

Refuzimi i tij për të pranuar postin e Kryeministrit të Shqipërisë në periudhën e pushtimit gjerman të vëndit dhe arrestimi nga regjimi komunist që në vitin 1945 së bashku me të birin dhe vëllanë e tij, i cili fillimisht u dënua me vdekje, por iu fal jeta më ndërhyrjen e mikut të tij të ngushtë, Shefqet Bejës.

Kalvari i gjatë i vuajtjeve të Rexhep Jellës në burgje dhe internime deri në vitin 1974, kur ai ndërroi jetë në një barakë të vjetër në periferi të Kavajës, ku banorë të atij qyteti teksa ndiqnin me sy ata pak njerëz që po merrnin pjesë në funeralin e tij, nuk mund ta mendonin kurrë, se për në varreza po përcillej një nga njerzit më të shkolluar të Shqipërisë dhe që kishte përfaqësuar atë në Konferencën e Paqes në Paris.

Askush nga ata banorë të qytetit të vogël të Kavajës, që atë ditë të vërenjtur dhjetori të vitit 1974, shikonin një grup të vogël njerzish që kishin dalë nga një shtëpi buzë moçalishteve dhe ecnin në drejtim të varrezave publike me një arkivol në supe, nuk e dinin se atë ditë po dërgohej për tu prehur në banesën e fundit, një nga njerzit më të shkolluar që kishte Shqipëria e asaj kohe. Ai 80-të vjeçar, që ishte shuar aty në një barake të vjetër në periferi të Kavajës, quhej Rexhep Jella dhe ishte diplomuar në “Robert Kolexh” të Stambollit e Kembrixh të Londrës. Kush ishte ky njeri dhe cila ishte e kaluara e tij që i detyronte ata njerëz të vobegtë që ta përcillnin për në banesën e fundit vetëm me rrethin e ngushtë familjar?

Kush ishte Rexhep Jella?

Familja Jella, ku u lind Rexhepi në vitin 1895, është prej familjeve autoktone tiranase dhe që nga themelimi i qytetit, të parët e sajë janë vendosur me shtëpi diku afër urës së Tabakëve. Si shumë nga njerzit e familjes Jella, që ishin shkolluar në Turqi, u dërgua dhe Rexhepi, i cili studjoi në “Robert Kolexh”, të Stambollit së bashku me moshatarin e tij, Ahmet Zogun nga Burgajeti i Matit. Pasi mbaroi me rezultate të larta, studimet e mesme në atë gjimnaz, Rexhepi u kthye në vendlindjen e tij Tiranë, në vitin 1914-të. Këtu ai nuk qëndroi shumë gjatë, pasi shkolla angleze ku ai u diplomua, i akordoi një të drejtë studimi, për të vazhduar studimet e larta në Shkencat Politike, pranë Univetsitetit të Kembrixhit në Londër. Në këtë universitet, Rexhepi u regjistrua në degën e Jurisprudencës të cilën e mbaroi me rezultate të larta në vitin 1915-të. Në vitin 1916-të, nisur nga arsimimi i plotë i tij, Rexhep Jella u caktua si jurist, në administrtën austro-hungareze që qeveriste Shqipërinë, e cila asokohe ishte vendosur në qytetin e Shkodrës.

Internohet nga austro-hungarezët

Po në vitin 1916-të, nga ana e autoriteteve të larta austro-hungareze, Rexhepi u internua në Mamola të Austrisë. Ndonëse nuk dihen ende dhe janë krejt të paqarta arsyet e vërteta të këtij internimi, lidhur me këtë ekzistojnë disa versione. Më i pranueshmi prej tyre, është ai, që asokohe austro-hungarezët, me preteksin e internimeve, tërhoqën disa shqiptarë që spikasnin në jetën politiko-ushtarake të Shqipërisë, duke i dërguar në Vjenë, për t’i përgatitur nëpër kolegje e universitete, të cilët një ditë do t’ju duheshin atyre, për t’i emëruar në funksione të larta në Shqipërinë e asaj kohe, ku ata mendonin të qëndronin gjatë. Në këtë kontekst, u muar nga qeveria austriake dhe Ahmet Zogu. Bashkë me Rexhep Jellën u dërguan në Austri dhe disa nga personalitetet e parisë së Shkodrës së asaj kohe, siç ishin Alush Lohja, Rexhep Suma, Himë Loku etj. Kjo dëshmohet dhe sipas disa dokumentave arkivore që hedhin dritë mbi këtë periudhë, ku Rexhep Jella përmendet në një letër-këmbim ndërmjet konsullit austro-hungarez në Shkodër, (Krol) dhe ministrit të tij të jashtëm. Po kështu në një telegram që dërgohej nga Vjena më 21 mars 1916-të, në adresë të konsullit Krol në Shkodër, bëhej e ditur që pas kthimit të Rexhep Jellës nga internimi, të merreshin masa që t’i caktohej si vendbanim i detyrueshëm Tirana, ku banonte dhe e ëma e tij. Po kështu, bëhet e ditur se dhe gjatë periudhës së internimit në Austri, ai vazhdoi aktivitetin e tij politik, duke pasur mardhënie me përfaqsuesit e fuqive të mëdha të Antantës.

Në Konferencën e Paqes në Paris

Në vitin 1918-të, duke qenë se Rexhepi kishte marrë pjesë aktive në jetën politike shqiptare, që pas diplomimit në 1915-ën, ai u caktua në përbërje të një prej dërgatave shqiptare që shkuan në Konferencën e Paqes në Paris. Lidhur me këtë, ndonëse ekziston një dokumentacion i pasur arkivor në arkivat vjeneze, veprimtaria e Rexhep Jellës në fushën politike, që nga Konferenca e Paqes e deri në vitin 1920-të, është akoma e pandriçuar mirë. Nga burime të ndryshme bëhet e ditur se; që pas kthimit nga Konferenca e Paqes, ku ai ishte përfaqësuesi me moshën më te re nga të gjithë dërgatat shqiptare, Rexhepi u inkuadrua në mënyrë aktive në jetën politike shqiptare, së bashku me shumë patriotë të tjerë tiranas, në mbrojtje të interesave kombëtare nga rreziku i coptimit të fqinjëve të sajë. Pas Konferencës së Parisit, ai u kthye në Tiranë në vitin 1920-të dhe më pas vendoset me punë në Shijak. Gjatë kësaj kohe, Rexhepi së bashku me disa patriotë të tjerë nga qyteti i Durrësit, bëhen iniciatorët e mbajtjes së Kongresit të Lushnjes, ku ai mori pjesë në atë kongres, si delegat i Shijakut. Në vitin 1921, kur u mbajtën zgjedhjet e përgjithëshme parlamentare, ai u caktua me detyrën e Inspektorit të Përgjithshëm të atyre zgjedhjeve, për prefekturën e Elbasanit. Pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 1921, Rexhep Jella u emërua me detyrën e prefektit në Elbasan dhe më pas në Durrës. Pasi kreu për disa kohë këto detyra, ai u thirr në Ministrinë e Punëve të Jashtëme dhe u ngarkua me detyrën e Drejtorit të përfaqsive konsullore, e atë të shefit të protokollit të asaj ministrie. Pasi punoi për disa kohë pranë Ministrisë së Punëve të Jashtëme, në zgjedhjet e vitit 1923, Rexhep Jella u zgjodh deputet i Prefekturës së Durrësit e Asamblist (senator) në Parlamentin shqiptar.

 Kryetar i Bashkisë Tiranës

Pasi kreu për afro gjashtë vite funksionet e deputetit të Durrësit dhe Asamblist të Parlamentit, po kështu dhe atë të Prefektit në Korçë e Gjirokastër, nga fillimi i vitit 1930-të, Rexhep Jellës iu ngarkua një nga funksionet më të vështira dhe teper delikate, ajo e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Në ato vite para kryeqytetit shqiptar ishin shtruar për zgjidhje, një mori e madhe problemesh, ku më kryesorja ishte rregullimi urbanistik i tij dhe ndërtimi i disa rrugëve e godinave kryesore të administratës qëndrore, të cilat asokohe ishin marrë përsipër nga shoqëritë italiane. Kështu pjesa më e madhe e rrugëve, bulevardeve, godinave të administratës shtetërore dhe atyre publike që u ndërtuan në vitet 1930-35, pa dyshim kanë dhe kontributin Kryetarit të Bashkisë, Rexhep Jellës. Një nga këto ndërtime, që u bënë asokohe është dhe ndërtimi i kompleksit të godinave të Ambasadës Amerikane, ku në përurimin e saj mori pjesë dhe Rexhep Jella.

LEXO EDHE:  Caktohet grupi me 4 mjeko-ligjor/ Asnjë grek në ekspertizën për  Kaçifas

LEXO EDHE:  Kërcënoi me thikë mjekun/ Në pranga 43-vjeçari

Fjala në Legatën Amerikane

Në përurimin e atij kompleksi, ku morën pjesë autoritetet më të larta të Mbretërisë Shqiptare, pas fjalës së Kryeministrit Pandeli Evangjeli, e mori fjalën dhe Kryetari i Bashkisë, Rexhep Jella, i cili në mes të tjerash tha: “Çdo popull për të fituar pavarsinë e lirinë e vet, i duhet të bëjë sakrifica, ku më të mëdhaja e ku më të vogla, e duke pasur ndihmën e dikujt. Ne shqiptarët, kemi fituar lirinë e pavarsinë me gjakun tonë, pa i dhënë kujt ndonjë tagër, apo koncension për fitimin e lirisë. Shtetit tonë, ky popull i dha trajtën e Monarkisë, duke vënë në krye një gjeni me vullnet të fortë dhe me dorë të hekurt, me një urti të jashtëzakonëshme e më trimëri të pashembullt. Ai ka vënë vëndin në rrugën e qytetërimit dhe flamuri kombëtar valëvitet mbi të gjitha viset e Shqipërisë. Së dyti, me rastin e përurimit të kësaj ndërtese të Legatës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila formon një nga pjesët më të bukura të kryeqytetit dhe është e para legatë e ngritur deri më sot, po përmend sot këtu me simpati e dashuri, popullin amerikan, që e ka parë me preçedencë fitimin e pavarsisë sonë politike, mjafton të përmendim punën e Kryqit të Kuq Amerikan në kohët e para të zhvillimit tonë. Amerikanët deshën të linin ndër ne një kujtim të përhershëm, e kështu me ndihmën e Kryqit të Kuq, të rinjtë ngritën ndërtesën e Shkollës Teknike, për të shëruar plagët e sëmundjet morale e për të luftuar paditurinë. Ne kryeqytetasit, nuk kemi për ta harruar kurrë se ishte Amerikani, ai që ngriti i pari spitalin, ku gjetën shërim mijra njerëz, e që është baza e të gjithë spitaleve që janë ngritur e do të ngrihen në këtë qytet”.

 S’pranon postin e kryeministrit

Në vitin 1937, kur Mbreti Zog dekoroi disa nga personalitetet e jetës politike e shoqërore nga të gjitha Prefekturat e Shqipërisë, u dekorua dhe Rexhep Jella me urdhërin e madh të “Kordonit të Skënderbegut”, për të cilën e kishte propozuar Prefektura e Tiranës. Pas vitit 1935, kur Rexhepi u largua nga posti i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ai u emërua si Prefekt i Durrësit, ku ishte njëkohsisht dhe deputet i atij qyteti. Në këtë detyrë, ai qëndroi deri në vitin 1937, ku mori titullin Prefekt i Klasit të Parë. Pas kësaj ai u largua përfundimisht nga funksionet drejtuese të pushtetit lokal, duke qëndruar vetëm si deputet. Në qytetin e Durrësit ai qëndroi deri nga viti 1939, e më pas u kthye përsëri në Tiranë, ku vazhdoi të banonte tek vila e tij pranë Urës së Tabakëve, së bashku me bashkëshorten, Fetie Beshiri dhe tre fëmijët e tyre. Mbas pushtimit të Shqipërisë, Rexhepi u tërhoq krejtësisht nga jeta politike dhe u mbyll brenda vetes në shtëpinë e tij, duke u marrë vetëm me studime. Nisur nga kjo, në vitin 1943 me ardhjen e gjermanëv, Rexhepi refuzoi ftesën që ju bë, për të marrë postin e Kryeministrit të qeverisë shqiptare. Gjatë gjithë atyre viteve që ai u shkëput nga jeta politike, Rexhepi u kujdes për pronat e tija që i kishte afër fshatit Kashar (në Kus) në periferi të Tiranës. Në nëntorin e vitit 1944, Rexhepi duke e ndjerë veten krejt të pastër për atë çka kishte bërë gjatë gjithë jetës së tij, në dobi të shtetit shqiptar, nuk tentoi fare të largohej nga Shqipëria.

Burgoset nga komunistët, me vëllanë e djalin

Kur nuk kishin kaluar veçse dy muaj nga ardhja e komunistëve në pushtet, më 1 shkurt të vitit 1945, Rexhep u arrestua dhe u dërgua në hetuesinë e Tiranës. Mbas tre muajsh, më 26 maj u arrestua dhe djali i tij Isufi, i cili kryente shërbimin ushtarak në një repart të Korçës. Me tentativën e arratisjes, që në fakt ishte një akuzë e montuar, pasi Isufi nuk kishte tentuar kurrë të arratisej, gjygji ushtarak e dënoi atë me vdekje së bashku me shokun e tij, Muharrem Dashin. Me ndërhyrjen e Shefqet Bejës, mikut të afërt të familjes Jella, Isufit ju fal jeta dhe dënimi ju kthye në 25 vjet burg. Pas dënimit të Isufit, u dënua dhe Rexhepi me dy vjet burg, me akuzën se kishte marrë pjesë në qeveritë e Monarkisë. Sipas dokumenteve arkivore të Gjykatës së Lartë Ushtarake, në akuzën e tij thuhet: “Rexhep Jella, ka pasur lidhje me sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Ekonomisë, “Rocco”, ku me ndërmjetësinë e tij ka bërë tregti me grosh duke i shitur ato në Korfuz. Ka pasur lidhje me kriminelët e luftës të popullit shqiptar, Irfan Ohri e Abaz Kupi dhe ka pasur edhe xhandar roje. Ka marrë pjesë me grupin e deputetëve tradhtarë”. Afro dy vite më vonë, në vitin 1947, komunistët arrestuan dhe vëllanë e Rexhepit, Ramazan Jellën, i cili nuk ishte marrë kurrë me politikë. Ramazani nuk arriti të dilte në gjygj, sepse ai vdiq pasi e hodhën nga shkallët e hetuesisë dhe pas asaj ju sekuestrua e gjithë pasuria, e familja u persekutua për vite me rrdhë. Pas burgosjes së Rexhepit, vila e tij pranë Urës së Tabakëve, u sekuestrua me të gjitha plaçkat, pasi i pëlqeu një koloneli sovjetik, i cili ja kërkoi atë personalisht Enver Hoxhës. Pas kësaj gruaja e Rexhepit së bashku me dy vajzat, u detyrua të shkonte në qytetin e Durrësit dhe më pas në atë të Kavajës, pranë të afërmëve të tyre.

Burgoset përsëri, e vdes në mjerim

Pasi vuajti për dy vjet dënimin, në vitin 1947, Rexhepi u arrestua përsëri dhe u dënua me pesë vjet burg, i akuzuar sikur kishte pasur lidhje me “Grupin e Deputetëve”, të kryesuar nga miku i ngushtë i tij Shefqet Beja. Një nga arsyet që Rexhepi u dënua vetëm me pesë vjet burg, ishte dhe një peticion që e firmosën një pjesë e madhe e banorëve të lagjes ku jetonte ai pranë Urës së Tabakëve, të cilët dëshmonin se ai nuk ishte marrë asnjëherë me veprimtari që binin ndesh me ligjet e shtetit komunist në fuqi. Rexhepi mundi të dalë nga burgu i Burrelit ku vuajti dënimin, në vitin 1952 dhe u vendos pranë familjes në një barake të rrënuar në periferi të qytetit të Kavajës. Në vitin 1957, doli nga burgu dhe djali Isufi, i cili deri sa vdiq në vitin 1986, punoi në punët më të vështira për të siguruar jetesën. Gjatë gjithë atyre viteve që Rexhepi jetoi në Kavajë, ai nuk dilte fare nga shtëpia, por ju kushtua leximeve. Rexhepi kishte një kulturë të gjerë dhe njihte shumë mirë disa gjuhë të huaja, si arabishten, anglishten, italishten, frengjishten, e turqishten. Ai ishte tepër i pasionuar pas letërsisë, e kryesisht asaj gjermane, ku njihte thellësisht Gëten, për të cilin kishte dobësi të madhe. Rexhep Jella vdiq në mjerim të thellë, në vitin 1974 aty në një shtëpi gjysëm të rrënuar në periferi të qytetit të Kavajës, edhe pse në kryeqytetin e vëndit Tiranë, ku për ndërtimin e tij kishte dhënë kontributin personal, kishte një vilë që ja kishin sekuestruar komunistët./Memorie.al

LEXO TE PLOTE