Connect with Us

Çështja katalanase është e “drejta për të vendosur”/ Shembulli kanadez dhe ai britanik

Blog

Çështja katalanase është e “drejta për të vendosur”/ Shembulli kanadez dhe ai britanik

Publikuar

-

Vendimi që ka dënuar të “burgosurit politikë” katalanas me afate që shkojnë nga 9 deri në 13 vite burg ka gjeneruar një emocion të thellë në Katalonjë dhe ka shkaktuar manifestime të mëdha që kanë përshkuar vendin gjatë ditëve të fundit. Është një vendim jashtëzakonisht i gjatë nëqoftëse matet mbi bazën e parimeve e të vlerave themelore të demokracisë liberale e të vetëvendosjes apo edhe thjesht të konsideratave të mirëkuptimit politik.

Në fakt nuk është një vendim që habit nëqoftëse instrumenti i vetëm matës është ai i konformitetit të thjeshtë ndaj ligjit pozitiv dhe detyrimeve e kufizimeve në ushtrimin e demokracisë që ajo imponon. Mbi bazën e ligjshmërisë spanjolle, nuk pritej asgjë ndryshe dhe jo vetëm prej mosbesimit tek gjykatësit spanjollë, por edhe pse vendimi sigurisht që ka koherencën e tij me kuadrin ligjor brenda të cilit ka ndodhur shpallja e pavarësisë katalanase.

Në këtë kuptim, është e qartë se skandali spanjoll nuk qëndron në faktin se kush ka shkelur ligjin është arrestuar; kjo ndodh kudo dhe është e vështirë të mendohet – apo edhe të dëshirohet – se mund të ndodhë ndryshe. Skandali spanjoll qëndron në faktin se është detyruar të arrihet në një akt mosbindjeje për faktin se qenë mohuar sistematikisht në kohë të gjitha hapësirat e mundshme për një rrugëtim të pranuar e të dakordësuar që të mundësonte të verifikohej vullneti mazhoritar i popullit katalanas.

Kështu, çështja është krejtësisht e lidhur me kuptimin që u atribuojmë kushtetutave. Nëqoftëse konsiderojmë se një kushtetutë duhet të jetë në thelb një “statut pushteti” që mund të japë një model të caktuar demokracie formale apo nëqoftëse konsiderojmë se duhet të përfaqësojë një instrument të azhurnueshëm dhe të përsosshëm që duhet të garantojë parime themelore lirie politike. Çështja e raportit midis rendit pozitiv dhe vendosmërisë demokratike mund të gjente rrugëdalje shumë të ndryshme nga ajo që kanë çuar në konfliktin midis Barcelonës dhe Madridit.

Nga ky këndvështrim, është jashtëzakonisht interesant skenari kanadez. Pas thirrjes dhe mbajtjes të një referendumi në vitin 1955 për pavarësinë nga ana e qeverisë së Québec, janë ndërmarrë nisma të ndryshme ligjore për ta vënë në diskutim ligjshmërinë e një shkëputjeje eventuale. Gjykata Supreme kanadeze e sqaroi çështjen me një vendim të vitit 1998 që përfaqëson një precedent domethënës për ekuilibrin e saj dhe për respektimin që tregon kundrejt vullneteve politike që vijnë nga poshtë. Sipas gjykatësve të Kanadasë, kushtetuta e një vendi është tërësia e parimeve të shkruara dhe jo të shkruara që në rastin kanadez artikulohen rreth katër shtyllave kryesore: federalizmit, demokracisë, shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së pakicave. Për pasojë, një vendim kushtetues lidhur me temën e shkëputjes duhet që të frymëzohet në shpirt dhe në thelb nga parime të tilla.

Në këtë kuptim, për Gjykatën e Ottawa një pavarësi unilaterale nuk mund të konsiderohet e njëanshme – dhe kjo është diferenca e madhe me rastin spanjoll – përballë suksesit të një referendumi indipendentist, një respektim i plotë i shpirtit kushtetues imponon se duhet të negociohen rrugë ligjore dhe të pranuara që mundësojnë t’i jepet zbatim vullnetit të shprehur mazhoritar.

“Parimi i federalizmit, bashkuar me parimin demokratik, dikton se shprehja e qartë e dëshirës për të ndjekur shkëputjen nga ana e popullsisë së një province i jep jetë detyrimit për të gjitha palët të Konfederatës që të negociojnë ndryshime kushtetuese që i përgjigjen dëshirës së shprehur. (…) Refuzimi i qartë i rendit kushtetues nga ana e Québec do t’i jepte legjitimitet kërkesës për shkëputje dhe do të përcaktonte një detyrim për provincat e tjera dhe për qeverinë federale që ta njohë e ta respektojë shprehjen e një vullneti demokratik, nëpërmjet negociatash të kryera në përputhje me parimet kushtetuese”.

Për më tepër, në refuzimin e perspektivës së një shkëputjeje unilaterale, Gjykata saktëson se i referohet vetëm implementimit efektiv të shkëputjes, jo fillimit të një procesi dhe mbajtjes të një referendumi që futet në disponimin e plotë të një province dhe që bile rezulton i sanksionuar vetë nga ky vendim si instrumenti kryesor për sqarimin e vullnetit praktik popullor. Është një vendim që ka kënaqur indipendentistët e Québec. Nga këndvështrimi i tyre fakti që një shpallje unilaterale pavarësie është e paligjshme nuk përbën problem në momentin ku vihen në dispozicion instrumente demokratikë të njohur për arritjen e të njëjtit objektiv. Me fjalë të tjera, në një kuadër si ai kanadez, unilateraliteti është thjesht jo i nevojshëm.

Jo shumë ndryshe është mësimi që vjen nga menaxhimi britanik i çështjes skoceze. Rrugët institucionale për menaxhimin e një kërkese për shkëputje, në rast se nuk ekzistojnë, krijohen. Në harkun e pak viteve rivendikimet skoceze në termat e vetëqeverisjes janë menaxhuar me risi të konsiderueshme kushtetuese, duke krijuar një sistem të avancuar të devolution. Dhe më pas, kur qeveria skoceze e ka formuluar kërkesën për mbajtjen e një referendumi për pavarësinë, në afate relativisht të shpejta, Londra dhe Edimburgu kanë gjetur termat e një marrëveshjeje për një konsultim të pranuar. Mekanizmat për një referendum indipendentist nuk qenë “parashikuar”. Nuk qenë “skalitur”, por janë “gjetur” dhe inkuadruar në terma të ligjshmërisë, falë një sistemi politik mjaftueshëm të pjekur sa për të pranuar se “bipolarizmi territorial” përfaqëson tashmë një dimension thelbësor dhe të parevokueshëm të demokracisë politike.

Kurse vizioni spanjoll përfaqëson në fakt një përdhosje të konstitucionalizmit që bëhet jo instrument për të afirmuar, por për të mohuar kushte themelore demokracie dhe, në analizë të fundit, për të mbrojtur statuskuonë dhe “pushtetin” nga vullneti i qytetarëve. Për këtë arsye, për sa vendimi përfaqëson sot një moment “dramaciteti simbolik”, ai është vetë një simptomë finale e një sëmundjeje shumë të thellë, e përfaqësuar nga konceptimi vertikal dhe hierarkik i marrëdhënieve politike dhe nga koncepti i kufijve si entitet i përjetshëm dhe i pandryshueshëm.

Në këtë kuptim, është e qartë se konsideratat e humanizmit kundrejt liderëve indipendentistë në burg – dhe të mundësisë së uljes të tensionit – duhet të bëjnë të shpresosh në ndonjë akt indulgjence nga ana e qeverisë spanjolle. Por njëherazi është e qartë se lirimi i të burgosurve mund të përfaqësojë “kundrashpërblimin” e një dorëheqjeje të lëvizjeve e të partive katalanase nga ndjekja e pavarësisë, sepse pikërisht çështja e madhe nuk përfaqësohet nga vendimi i këtyre ditëve, por nga mungesa e kushteve të veprueshmërisë kushtetuese dhe demokratike që në vite do të duhej të mundësonin të kanalizohej debati mbi pavarësinë në brendësi të një hullie ligjërisht të njohur. Liderët e arrestuar katalanas e dinin atë me të cilën ndesheshin dhe në gjykatë kanë marrë mbi vete përgjegjësitë për veprimet e tyre.

Siç ka deklaruar në proces Jordi Cuixart, President i shoqatës kulturore më të madhe dhe historike katalanase dhe i burgosur bile përpara referendumit indipendentist, “kur më akuzojnë për një gjë që kam bërë se çfarë mund të them përveçse po, është e vërtetë, e kam bërë – dhe se do të kisha detyrimin moral ta ribëja këtu dhe sot. Gjithçka që kam bërë do ta ribëja, pasi jam i bindur se duhet ta bëj – i pranoj aktet dhe e pranoj pasojën. Vendimet e kësaj gjykate nuk do t’i ndryshojnë prioritetet e mia që nuk janë dalja nga burgu, por të luftoj paqësisht që të mund të vendosim të ardhmen tonë”.

Nga Katalonja në Brexit, “e drejta për të vendosur” – e drejta e vetëidentifikimit kombëtar dhe e aderimit komunitar – përfaqëson çështjen e madhe demokratike të këtyre viteve dhe barrierat që i vendosen asaj përfaqësojnë Murin e Berlinit të sotëm. Më këtë kuptim, meriton që të njihet sakrifica e atyre, që në një Europë gjithnjë e më shumë të zënë me administrimin e përditshmërisë, kanë vënë lirinë e tyre në shërbim të një kauze, që përtej skemave ideologjike tradicionale, që zgjeron hapësirat e shprehjes dhe të respektimit të vullnetit të të “qeverisurve”./ Bota.al

KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Sistemi zgjedhor, mund t’i garantojë fitoren konservatorëve në Britani

Publikuar

-

Nga

Nga Peter Kellner “Carnegie Europe”

*Analistët bëjnë shpesh krahasime midis kryeministrit të Britanisë së Madhe, Boris Xhonson, dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Që të dy janë populistë, bjondë, dhe e kanë të vështirë të thonë gjithmonë të vërteta. Por ka një ngjashmëriedhe më të madhe me të dyve, që mund të jetë më e rëndësishmja nga të gjitha.

Para tre vjetësh, Trump u bë president, edhe pse 3 milionë amerikanë votuan më shumë për kandidaten demokrate Hilari Klinton. Në zgjedhjet e parakohshme të 12 dhjetorit, Xhonson mund të sigurojë shumicën parlamentare që i nevojitet për të përfunduar Brexit, edhe pse shumica e britanikëve mund të votojnë për partite, që janë shprehur paraprakisht të vendosura për ta ndalur atë.

Në të dyja vendet, kjo mund të ndodhë pikërisht për shkak të sistemeve zgjedhore që janë të tipit ”fituesi i merr të gjitha”. Klinton mori shumicën e votave në shtetet bastione të demokratëve si Nju Jorku dhe Kalifornia, ndërsa Trumpi siguroi një fitore të ngushtë në shtetet e ndryshueshme si Florida, Pensilvania dhe Miçigani.

Ndërsa fituesi në secilin prej atyre shteteve, mori të gjitha votat e Kolegjit Zgjedhor, sistemi e favorizoi Trumpin. Sistemi politik në Britani funksionon ndryshe, por rezultati përfundimtar mund të jetë i ngjashëm. Tri partitë dëshirojnë ndodhjen e Brexit brenda ose para afatit të ri të 31 janarit 2020 janë Konservatorët, Partia Brexit dhe Partia e Pavarësisë së Mbretërisë së Bashkuar (UKIP).

Sondazhet e fundit, i japin një mbështetje të përbashkët prej 47 për qind të votave. Pesë parti e kundërshtojnë Brexit, dhe duan të që vendi të mbetet në Bashkimin Evropian:Laburistët, Liberal Demokratët, Partia Kombëtare Skoceze, Partia e Gjelbër dhe Plaid Cymru e Uellsit. Mbështetja e tyre e kombinuar është mesatarisht 52 për qind. Pra shumica e votave, shkon për partitë anti-Brexit.

Por konservatorët mund ta kapërcejnë këtë distavantazh, dhe të fitojnë një shumicë të qartë parlamentare në parlamentin e ri. Kjo pasi Konservatorët, të udhëhequr nga Xhonson, kanë të ngjarë të fitojnë deri në 90 përqind të votuesve pro-Brexit, ndërsa Laburistët, partia kryesore e opozitës, gëzojnë aktualisht mbështetjen e pak më shumë se gjysmës së votuesve, që janë kundër Brexit.

Ja një shembull nga zgjedhjet e fundit parlamentare, se si mund të ndodhë kjo në praktikë:Një nga zonat elektorale ku fituan Konservatorët  vjet më parë ishte Sauthport, në Anglinë Veriperëndimore. Por në referendumin e Brexit të 23 qershorit 2016, 54 për qind e tyre kishin votuar pro qëndrimit në në BE, dhe vetëm 46 për qind kishin votuar për largimin ng unioni.

Në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, 59 për qind  e tyre votuan për Laburistët ose Liberal Demokratët, ndërsa 41 për qind për Konservatorët ose për UKIP. Pra, si përfundoi Sauthport me një deputet pro-Brexit?

Kjo ndodhi sepse votat për partitë pro-Brexit, u ndanë midis Konservatorëve me 39 përqind dhe UKIP me 2 përqind, ndërsa votat për partitë anti-Brexit u ndanë midis Laburistëve me 33 përqind dhe Liberal Demokratëve me 26 për qind. Blloku më i madh i votuesve ishte ai Konservator.

LEXO EDHE:  Skocia, Exit për shkak të Brexit?

Dhe sipas sistemit kandidati konservator Damien Mur, rezultoi fitues.

Kjo, ose diçka e përafërt, mund të ndodhte edhe në dhjetëra zona elektorale në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 12 dhjetorit. Nga të dyja palët, do të bëhen përpjekje modeste për të parandaluar rezultatet surprizë. Kështu Partia Brexit, ka vendosur të mos garojë me kandidatët kundër deputetëve aktualë Konservatorë.

Në majin e këtij viti, kjo parti mori 31 për qind të votave në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, edhe pse sondazhet e fundit, tregojnë se mbështetja për të ka rënë nën 10 për qind. Po lëvizja e saj e fundit për t’i lënë Konservatorëve zona të lira, ka pak të ngjarë të bëjë ndonjë diferencë. Gjithsesi, mbështetja më e madhe për Partinë Brexit, ka prirje të vijë nga zonat që aktualisht kontrollohen nga Laburistët që votuan pro largimit nga BE në vitin 2016, dhe që po shënjestrohen këtë herë nga Konservatorët.

Në këto pozita, Partia Brexit do të neutralizojë efektin e disa vota pro-Brexit, kryesisht nga Konservatorët. Nëse Partia Brexit fiton vetëm 5 ose 10 përqind në këto zona, kjo mund të ndihmojë Laburistët të ruajnë pozitat e tyre, që përndryshe do t’i humbnin, dhe ato do të shkonin për Konservatorët.

Ndërkohë në kampi anti-Brexit, Liberal Demokratët kanë bërë një pakt me të Gjelbrit dhe partinë Plaid Cymru në mbi 63 zona (nga 650 vende që në total Dhoma e Komunëve), ku vetëm njëra nga tre partitë do të garojë me 1 kandidat. Por ashtu si në rastin e Partisë Brexit, edhe ky pakt ka pak gjasa të ndikojë shumë në rezultatin përfundimtar.

Kjo do të thotë që gati çdo zonë elektorale, do të ketë të paktën 2 parti anti-Brexit:Laburistët dhe Liberal Demokratët, Të Gjelbrit ose Plaid Cymru. Në Skoci, Partia Kombëtare Skoceze, një tjetër focë anti-Brexit, do të garojë më vete, duke detyruar votuesit anti-Brexit të zgjedhin midis 3 kandidatëve.

Përfundimi është se vota anti-Brexit, do të ndahet më shumë, sesa ajo pro-Brexit. Vetëm një factor, mund të parandalojë një shumicë të qartë konservatore në parlamentin e ri:votimi taktik . Nëse të gjithë votuesit anti-Brexit, mbështesin partinë e tyre të preferuar, Xhonson mund të presë një fitore komode muajin tjetër.

Sidoqoftë, këtë mund ta parandalojnë edhe fushatat jo-partiake, që po përpiqen të bindin miliona votues anti-Brexit, të mos votojnë për partinë e tyre të preferuar, por për kandidatin e zonës, duke rritur gjasat e mposhtjes së konservatorëve. Nëse këto fushata kanë sukses, ato mund të privojnë konservatorët nga 20-40 deputetë.

Por kjo është një “nëse” e madhe, dhe që flet për një të vërtetë edhe më të madhe:Britania e Madhe, po përjeton jo vetëm zgjedhjet e saj më të rëndësishme në historinë e kohëve të fundit, por edhe ato më të paparashikueshmet. Këto mund të jenë zgjedhjet, në të cilat një pakicë votuesish mund do të arrijnë të dominojnë mbi dëshirat e shumicës në lidhje me çështjen më të rëndësishme të kohëve të fundit./ Carnegie Europe-Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

A është plakja një sëmundje e parandalueshme?

Publikuar

-

Nga

Ne jetojmë sot më gjatë, por jo shumë më mirë. Jetëgjatësia mesatare e njeriut është rritur, por jo kufiri maksimal. 95 për qind e njerëzve, kanë vdekur para moshës 100-vjeçare, dhe thuajse askush nuk i arrin 115-vjeç. Vitet e fundit të jetës, janë plot vuajtje dhe sëmundje.

Nga përvoja, të gjithë e dimë se ndërsa plakemi do pësojmë një rënie të madhe fizike, dhe në fund do të vdesim. Benxhanim Frenklin, një nga “etërit” e pavarësisë së SHBA, tha dikur se asgjë nuk është e sigurtë, përveç vdekjes dhe taksave.

Po sikur vdekja të mos jetë e sigurtë? Po sikur të kemi mundësi të qëndrojmë të shëndetshëm, dhe të jetojmë përgjithmonë? Shkenca po heton disa të dhëna intriguese, të cilat sugjerojnë se plakja dhe vdekja mund të mos jenë dhe aq të pashmangshme, sa kemi menduar deri më sot.

Dejvid Sinkler beson se plakja është një sëmundje, një sëmundje mëse e zakonshme, që ai beson se duhet të trajtohet në një mënyrë agresive.

Libri i tij “Jetëgjatësia: Pse plakemi, dhe si mund ta shmangim këtë” ka dalë në treg në shtator të këtij viti. Profesor dhe studiues në Shkollën Mjekësore të Harvardit, dhe bashkëpunëtor i revistës “Aging”, Sinkler thotë se përparimet e fundit shkencore, kanë ndryshuar efektet e plakjes tek kafshët.

Ai ka zbatuar deri tani shumë nga gjetjet shkencore. Ai thotë se “nuk ka ligje biologjike, kimike ose fizike, që thonë se jeta duhet të marrë fund”. Ka organizma që nuk plaken. Qelizat e pishave, nuk pësojnë asnjë plakje me kalimin e kohës. Tek polipi i ujërave të ëmbël ‘Hydra Vulgaris, nuk vërehet ndonjë dallim domethënës midis shumë të rinjve dhe shumë të moshuarve.

Disa kandila deti të njohur si “të pavdekshëm”, janë dukshëm të aftë të jetojnë përgjithmonë. Peshkaqeni i Grenlandës, vlerësohet se jeton mbi 500 vjet, dhe nuk e arrin pjekurinë seksuale para moshës 150-vjeçare. E imagjinoni dot një njeri 150-vjeçar, para moshës së pubertetit! Një adoleshent të përhershëm?

LEXO EDHE:  Lideri Katalonas nuk jep sqarime për pavarësinë/ Shtyhet afati

Nuk ekziston asnjë gjen i vetëm përgjegjës për plakjen. Por shkenca ka identifikuar më shumë se 2 duzina gjenesh të “jetëgjatësisë”, që janë dëshmuar të afta të zgjasin mesataren dhe maksimumin e jetës tek shumë organizma. Këto gjene, gjenden në çdo organizëm: pemë, krimba, balena dhe njerëz.

Sirtuinat janë rregullatorë epigjenetikë. Tek gjitarët ndodhen 6 të tilla. Ata kurojnë inflamacionin kronik, që shkakton shumë sëmundje kronike si ateroskleroza, artriti dhe astma. Studimet tek minjtë, kanë treguar se ato përmirësojnë riparimin e ADN-së, forcojnë kujtesën, rrisin qëndrueshmërinë e ushtrimeve dhe i ndihmojnë minjtë të qëndrojnë elegantë.

Sinkler beson se arsyeja e veçantë pse plakemi, është humbja e informacionit epigjenetik. Ai e cilëson gjenomin njerëzor si një kompjuter dhe epigjenin si softuer. Informacioni gjenetik është i njëjtë në çdo qelizë. Epigjenoma, është ajo që e udhëzon një qelizë të zhvillohet në një qelizë të veshkave, dhe jo në një qelizë të zemrës.

Shkencëtari parashikon që një ditë mund të jetë e mundur vaksina kundër plakjes. Eksperimentet me qelizat burimore dhe klonimin, janë tepër intriguese. Terapia e gjeneve premton shumë, edhe pse ka disa shqetësime etike. Derisa të mbërrijë dita kur plakja të ndalet plotësisht, shkencëtari rekomandon disa këshilla për të pasur një jetë sa më të gjatë.

Pini çdo ditë vitaminë D, vitaminë K2 dhe aspirinë. Kufizoni konsumimin e sheqerit, bukës dhe makaronave. Mos hani ëmbëlsira, dhe shmangni konsumin e mishit të kafshëve. Mos hani fare një vakt në ditë. Bini në peshë dhe merruni me palestër, dhe mos pini duhan. Shmangni plastikën në furrën me mikrovalë, si dhe ekspozimin e tepërt ndaj rrezeve ultravjollcë, dhe rrezeve X./ Science Based Medicine-Përshtatur nga CNA.al

 

LEXO TE PLOTE

Blog

Deliri turk i Erdoganit/ Sundimi i rrezikshëm i presidentit të korruptuar të Ankarasë

Publikuar

-

Nga

Nga Daniel Pipe “National Interest”

* Sundimi i Rexhep Taip Erdoganit në Turqi nisi në marsin e vitit 2003, dhe ndahet saktësisht në 2 periudha. Në të parën që zgjati 8 vjet e 4 muaj, ai ishte një qeveritar i shkëlqyer. Nën qeverisjen e tij vendi përjetoi një rritje ekonomike të paparë, dhe pati një ndikim rajonal në rritje.

Erdogan trajtoi me sukses probleme të vështira si çështja kurde, ndërsa menaxhoi me dinakëri kastën problematike të ushtarakëve. Sukseset e tij, arritën kulmin në korrikun e vitit 2011, me vënien nën kontroll të plotë të ushtrisë, një arritje ku kishin dështuar më herët të gjithë paraardhësit e tij.

Tetë vjet e katër muaj nga ajo pikë kthese, shkëlqimi i tij i mëparshëm u zbeh. Ai është zëvendësuar nga mungesa e koherencës, vetë-kënaqësia  dhe paparashikueshmëria. Së pari legjitimiteti demokratik, degradoi në një diktaturë. Erdogan u prezantua në skenën kombëtare si një lider i sinqertë, konservator, i devotshëm, tipare këto që i përshtateshin mirë gjendjes shpirtërore të Turqisë.

Me paraqitjen e saj fillestare në zgjedhjet e vitit 2002, Partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim fitoi  34 për qind të votave, dhe 66 për qind të vendeve në parlament. Një rritje ekonomik rekord, e zgjeroi mbështetjen për AKP-në në 46 për qind në vitin 2007, dhe 50 për qind në vitin 2011. Pas atij viti, kur popullariteti i Erdoganit ra ndjeshëm. Ndaj, ai nisi të manipulojë zgjedhjet, të censurojë mediat, dhe kërcënojë opozitën.

Udhëheqja efektive e Erdoganit, tërhoqi në fillim rreth tij një grup udhëheqësish mjaft të larmishëm, si kleriku Fethullah Gylen dhe politikani kryesor i mbështetur prej tij, Abdullah Gyl. Ai tërhoqi rreth vetes edhe teknicienë të spikatur si ekonomisti Ali Babaçan, dhe “truri” i politikës së jashtme Ahmet Davutoglu.

Sot, që të katërt janë armiqtë e Erdoganit, duke kundërshtuar me të drejtë teprimet e tij. Epoka e parë e Erdoganit, pati një rritje mbresëlënëse ekonomike, me shumë investime të huaja. Si simbolikë e kësaj arritje, qeveria e shndërroi kompaninë “Turkish Airlines” nga një sipërmarrje kombëtare joefiçente, në një kompani të madhe botërore, që konkurron me çmimet, dhe mburret me destinacionet më të shumta se çdo linjë tjetër ajrore.

Por ato vite të lavdishshme, janë sot vetëm një kujtim, kryesisht për shkak të vetë Erdoganit: mënyrave të tij kleptokratike, nepotizmit (dhëndri i tij është Ministër i Financave), dhe pikëpamjeve të tij të diskutueshme. Ai këmbëngul përkundër të gjitha provave, që të mbajë të larta normat e interesit, edhe pse ato po shkaktojnë një inflacion të lartë.

Si pasojë e këtyre gabimeve, lira turke e ka humbur gati treçerekun e vlerës së saj, në krahasim me korrikun e vitit 2011. Mania për vepra të mëdha publike, ndërtoi një aeroport gjigant të padobishëm në Stamboll, xhaminë më të madhe të vendit etj. Flitet madje për ndërtimin e një kanali përgjatë Bosforit.

Deliri i Erdoganit, merr gjithashtu formën e një luksi të shfrenuar personal, siç është avioni Boeing 747-8 me vlerë 500 milionë dollarë, dhe pallati më i madh në botë, me plot 1.150 dhoma, i ndërtuar në mënyrë të paligjshme në një masiv pyjor të mbrojtur me ligj.

LEXO EDHE:  Kaosi i Brexit-it vazhdon

Ka gjasa që ai ta shpallë veten Kalif të të gjithë myslimanëve, ndoshta në 100-vjetorin e fundit të Kalifatit me qendër në Stamboll, më 10 mars 2021 (sipas kalendarit islamik), apo më 4 mars 2024 (sipas kalendarit kristian). Në politikën e jashtme, qasja dikur mbresëlënëse rajonale e “zero problemeve me fqinjët”, ka degraduar në një realitet të turpshëm të “asgjë tjetër, veç problemeve me fqinjët”. Siria ofron shembullin më dramatik:para korrikut të vitit 2011, marrëdhëniet midis Ankarasë dhe Damaskut arritën nivele të papara, me vizita dhe një volum tregtar të shtuar, diplomaci të koordinuar dhe ndoshta diçka unike:të dy udhëheqësit dhe gratë e tyre, kaluan bashkë pushimet.

Në gjysmën e gjysmë të mandatit të Erdoganit, raportet u përkeqësuan, dhe kjo çoi në sponsorizimin e ISIS-it nga Turqia, dhe më së fundmi një pushtim të verilindjes së Sirisë. Përtej Damaskut, marrëdhëniet janë toksike me Bagdadin, Abu Dhabin, Riadin, Jeruzalemin dhe Kajron. Katari është aleati i vetëm i Ankarasë.

Duke parë përtej rajonit, Erdogani i pas vitit 2011, ndërmori hapa të tjerë që armiqësuan fuqitë e mëdha. Truprojat e tij rrahën disa protestues në rrugët e Uashingtonit, ndërsa forcat e tij ajrore rrëzuan një avion luftarak rus. Ai e akuzoi Angela Merkelin për “masa naziste”, dhe dënoi në mënyrë provokuese trajtimin që Kina po i bën popullsisë së saj myslimane turko-ujgure.

Ai ndërmori hapa për të demonizuar secilën nga këto qeveri, duke i përmirësuar marrëdhëniet më vonë, pa zhbërë dëmet e mëparshme. Ku gjendet sot Turqia? Rreth saj sillen disa “stuhi”, me dy rreziqe kryesore:ekonomia dhe politika e jashtme.

Ligjet ekonomike nuk i përulen askujt, madje as Sulltanit Erdogan. Nëse ai vazhdon në këtë rrugë, do ta çojë Turqinë drejt katastrofës, ose drejt varësisë nga Kina. Politika e jashtme, përbën një rrezik tjetër të madh. Rrëmbimi i qytetarëve disidentë turq, shpimet për naftë në zonën ekskluzive ekonomike të Qipros, dhe pushtimi i një pjese të Sirisë, flet për një arrogancë që duke pasur parasysh pozitën e izoluar të Erdoganit, e lë atë shumë të ekspozuar.

Ndonjë aventurë e huaj – ndoshta ajo siriane – mund të çonin në rënien e tij politike si dhe atë të AKP-së. Udhëheqësit amerikanë, kanë qenë tolerantë me Rexhep Tajip Erdoganin. Xhorxh W. Bush e lehtësoi zgjedhjen e tij kryeministër. Barak Obama e quajti me krenari një mik. Dhe Donald Trumpi inkurajoi pushtimin e Sirisë.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes, gënjen veten nëse mendon se aleatja e vjetër e NATO-s, do të rikthehet një ditë si dikur. Departamenti i Shtetit, mbështetet tek instinkti i tij tradicional për të ruajtur qetësinë. Ka ardhur koha që Erdogani të perceptohet jo vetëm si një armik, por duhet t’i paraprihet kërcënimit që ai paraqet për vendin e tij, rajonin dhe më gjerë.

Kjo nënkupton tërheqjen e Turqisë nga kategoria e vjetëruar “aleat i NATO-s”, dhe shikimi i saj në të njëjtin pozicion si Irani:si partnere e armiqve të Amerikës, agresore ideologjike, sponsore e dhunës xhihadiste, dhe një vend aspirant për t’u pajisur me armë bërthamore. Vetëm kështu mund të jemi të përgatitur për problemet që na presin në të ardhmen./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE