Connect with Us

Nga Lorenc Vangjeli/ Si është opozita sot, është atdheu nesër

Opinione

Nga Lorenc Vangjeli/ Si është opozita sot, është atdheu nesër

Publikuar

-

Kush përdor vetëm veshët e sytë për të kuptuar se çfarë ndodh përreth nëpër Shqipëri, do të ketë zënë sytë me duar dhe do të jetë shurdhuar me frikë nga të shtënat e armëve mbi makinën e prokurorit të Durrësit dhe mikut të tij me skedinë penale. Më pas kureshtja e publikut orientohet nga magjia e të panjohurës në këtë histori që ka gjitha elementët e një skenari filmi: shumë para, prona pafund dhe pushtet okult. Për një koinçidencë të rastit, në të njëjtën kohë me këtë histori plot zhurmë e bujë, një tjetër prolog historie u shfaq papritur në Tiranë. Por kur flet kallashnikovi të gjithë të tjerët zakonisht heshtin dhe nuk dëgjojnë atë që mund të qëllojë apo të shpëtojë të gjithë.

Pothuaj askush nuk e dëgjoi krismën tjetër. Pothuaj askush nuk e pa. Pothuaj askush nuk komentoi mbi një nga ngjarjet absolutisht më të rëndësishme të kësaj stine politike. Me lehtësinë e padurueshme që Tirana politike dhe mediatike meret me formën dhe harron thelbin, pakkush mori shënim për një akt jo të rastësishëm politik. Damian Gjiknuri, bashkëkryetar i komisionit për reformën zgjedhore lëshoi një paralajmërim nga ata që mund të trondisin tërësisht gjithë skenën dhe skemën aktuale të klasës politike shqiptare. Duke folur për debatet mbi ndryshimin e mundshëm të sistemit zgjedhor dhe për idenë e PD-së për listat e hapura, deputeti socialist tha se nëse miratohet një propozim i tillë, partia e tij do të kërkonte edhe shkrirjen e koalicioneve. Domethënë, do të kërkonte të sanksionohej që çdo parti të hynte e vetme në zgjedhje, si një mënyrë që të pengonte përfitimin e një partie nga partitë e tjera. Revolucioni i vërtetë në këtë “hile” socialiste – PS pretendon se është siç ka qenë pothuaj historikisht, partia më e madhe në vend – i jep asaj sërish një parafitore në tavolinë. Në mos vetë fitoren, avantazhin në garë sa pa nisur fare gara.

Eshtë vështirë të mendohet që Gjiknuri të ketë hedhur një tezë muhabeti, në një kohë kur të gjithë flasin dhe askush nuk dëgjon tjetrin. Eshtë shumë interesante të vihet re që Rama ka mbajtur frymën sa herë që flitet për një çështje të tillë, por me akt force e vetëbesimi ka thënë të njëjtën gjë që thoshte dikur për reformën në drejtësi: voton gjithçka që ka të bëjë me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe që do të që opozita.

Koha provoi se deklarimi i tij i parë është ndoshta deklarata më e rëndësishme e tij politike si kryeministër. Për shumë pak kohë, do të verifikohet dhe vlera e deklarimit të tij të dytë për ligjin zgjedhor.

Në anën tjetër ka heshtje. Lulzim Basha, njeriu më i interesuar për kodin e ri zgjedhor, është duke u marë jo me politikë, por me Real Estate. Jo me thelbin, por me formën e pishinës dhe krahasimin e metrave katror të apartamentit që kishte dhe vilës ku jeton.

LEXO EDHE:  OSBE kërkon pa vonesë reformën zgjedhore

Kaq i shpërqëndruar është ai vetë dhe partia e tij antikomuniste, sa turin e ri nëpër Shqipëri, e kanë nisur nën sloganin e famshëm komunist në epilog të regjimit. Në fund të viteve 80-të, pasardhësi i Enver Hoxhës, Ramiz Alia deklaronte: si është rinia sot, është atdheu nesër! Në mënyrë identike të njëjtën gjë thotë dhe pasardhësi i Sali Berishës në PD. Duke mos u përqëndruar tek reforma zgjedhore, duke refuzuar të hyjë në derën që po i hapin edhe pse doli vetë në rrugë, Basha po konsumon pak nga pak një gabim që do t’i kushtojë shumë shtrenjtë nesër. Mungesa e tij në tryezën ku diskutohen rregullat e zgjedhjeve, është padyshim një nga budallallëqet më të mëdha që po konsumon PD-ja, që e lusin të rifaktorizohet dhe refuzon me marrëzi.

Monika Kryemadhi gjithashtu ka heshur për këtë pikë. Instikti i saj i mprehur që herët në lojërat plot hile të politikës shqiptare, shtuar dhe me këshillën e hershme të ish-kryetarit të partisë së saj, se Bashës nuk i duhet besuar as kur e pyet për orën, e bën atë të jetë plot dyshime. Një mungesë koalicioni e sanksionuar në kodin zgjedhor, do të penalizonte më së shumti partinë e saj, njëlloj siç ndodhi në 2017-ën. Dhe do të bëjë gjithmonë e më të vështirë luftën e saj për të mbajtur si faktor përcaktues partinë e saj edhe integruese mes të majtës e të djathtës, edhe pragmatiste për vlerë dhe interes.

Po kështu ka heshtur edhe lista e gjatë e partive të tjera të vogla që janë mbledhur në opozitë jo për shkak të besimit që ju jep Basha, por për shkak të përzënies kohë pas kohe që ju ka bërë arroganca e Ramës. Kurse lista e deputetëve të tjerë të opozitës plotësuese në parlament që e ka votën me vlerën e prezervativit në këtë legjislaturë – një përdorimësh – bën zhurmë sharre edhe kur i duket se kompozon muzikë klasike.

Paralajmërimi i parë se mund të priten surpriza është dhënë, por pothuaj askush nuk e ka kuptuar se çfarë letrash pritet të luajë dueti Rama-Gjiknuri. Po ndodh si në stuhitë që ngarkojnë tani në vjeshtë Tiranën. Vetëtimën e shohin vetëm pak, shumë pak njerëz. Zhurma vjen më pas. Por ajo është si këmbanat që bien vetëm për ata që kanë veshë të dëgjojnë. Se atdheu nesër mund të jetë siç është opozita sot: kaotik dhe gjysëm i dehur! Dhe me Edi Ramën që do të vazhdojë t’u qeshë të gjithëve nga lart poshtë, me arrogancën e vjetër dhe triumfin e ri të tretë./CNA.al

KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Opinione

Protesta në Astir/ Pse të gjithë shqiptarët duhet të mbështesin sot policinë dhe IKMT-në

Publikuar

-

Nga

Nga Bashkim Kopliku*

A duhet t’i lëmë të na grabisin rrugën, hapësirën tonë të pëbashkët, e pastaj shtytësit e tyre t’u marrin votën, që të bëhen prapë pushtetarë?!

Dy palë në bashkëpunim kriminal!

Pala “politikane” që i shtyn grabitësit në këtë krim — se veç banorë nuk janë ata! — është fajtorja kryesore: grabitësja e pushtetit.

Ne shqiptarët normalë duhet të jemi sot të gjithë me policinë dhe IKMT-në, së paku t’i përkrahim moralisht kundër këtyre grabitësve të rrugës dhe të pushtetit, të hapsirave tona të përbashkëta.

LEXO EDHE:  OSBE publikon raportin e zgjedhjeve/ Ja komenti i Ramës

LEXO EDHE:  Monopolet dhe oligopolet gjunjëzuan Qeverinë

Në se rrimë si sehirxhitë, vendi ynë do vazhdojë jetë ai ku tash 30 vjet, qytetarët normalë ikin, për faj tonin, të normalëve, sepse, me indiferecën tonë u kemi lënë fushë të lirë anormalëve, grabitësve, që nuk janë të zotët t’ia dalin me punë sipas rregullave të një shoqërie njerëzish, dhe jo ujqësh.

*Ish-zv.kryeministër

LEXO TE PLOTE

Opinione

Nga Andi Bushati/ Vrasja e dytë e reformës “amerikane” në drejtësi

Publikuar

-

Nga

Pas emërimit të Arta Markut si kryeprokurore e përkohshme (që po qëndron në detyrë prej dy vjetësh), sot Rilindja ka kryer aktin e dytë të madh të shkatërimt të Reformës në Drejtësi, zgjedhjen në mënyrë të paligjshme të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Në vijim të atij që prej ditësh është përshkruar si një konflikt proceduarash mes Kuvendit të Shqipërisë dhe presidencës, fshihet në fakt një lojë e qartë ekulibrash politike. Shumica parlamentare kërkonte të shpinte atje dy emrat e saj, të dala nga lista e hartuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili vepron nën influencën e ndjeshme të një drejtuesi si Ardian Dvorani dhe kryeprokurores së përkohshme, Marku.

Pavarësisht nga piruetat që janë bërë në KED, ku njëra nga kandidatet (tashmë e shpallur fituese nga kuvendi) nuk plotësonte prametrat as për gjyqtare e shkallës së parë (lexo këtu), aty gjithësesi u hartua një listë. Por në këtë listë gjendej edhe një “armike e partisë”, juristja Marsida Xhaferllari.

Pikërisht në emër të saj u zhvillua beteja.

Kjo zonjë, që bashkjeton me sa duket me ish deputetin Enkeled Alibeaj, që ka punuar si kryeinspektore e këshillit të Lartë të drejtësisë nën presidencën Nishani dhe Meta, i plotësonte të gjitha parametrat për tu trajtuar si e pa dëshëruar. Jo vetëm Dvorani dhe Marku ia ulën asaj pikët në maksimum, jo vetëm që vettingu e hetoi për dy vite dhe në fund nuk mori vendim për të, por u shkua dhe më tej, u prish gjithë arkitektura e procedurës së përzgjedhjes së një gjykatësi kushtetues, vetëm e vetëm për të shkuar tek emrat që i duheshin Rilindjes.

Ashtu siç kuptohet lehtësisht nga qëndrimet e mbajtura nga socialistët në kuvend, ky puç institucional u organizua vetëm që të përjashtohej Meta nga mundësia hipotetike e përzgjedhjes së Xhaferrllarit.

Në këtë procedurë fillimisht u shkel kushtetuta, sepse  neni 179 (2) i saj e përcakton qartë se zgjedhja e anëtarëve duhet bërë me radhë për të ruajtur parimin e ekuilbrit të pushteteve.

Sipas këtij rendi të përcaktuar në mënyrë taksative, as Ilir Meta nuk mund të përzgjidhte dy kandidatë në të njëjtën kohë, dhe as parlamenti dy të tjerë ashtu sikurse bëri sot.

LEXO EDHE:  OSBE publikon raportin e zgjedhjeve/ Ja komenti i Ramës

LEXO EDHE:  20000 familje përjashtohen nga ndihma ekonomike/ Deputetja demokrate “kryqëzon” Qeverinë

Organizata e Rilindjes zgjodhi të veprojë pikërisht kështu, pra edhe për ti hequr kreut të shtetit të drejtën e dekretimit të një anëtari të ri edhe për ti dhënë vetes një kompetencë që nuk i takon.

Por, për të mbërritur deri këtu skema e manipulimit qe më e gjatë. Ajo ishte e rakorduar plotësisht me kryetarin e “pavarur” të KED, Ardian Dvorani, i cili i mbajti listat e hartuara nga institucioni i tij, të fshehura në sirtar, pikërisht për të krijuar këtë anomali që i mohonte presidentit të drejtën për të zgjedhur lirsht.

Nga gjithë kjo histori banale kapsish të shtetit rrjedhin disa përfundime të thjeshta.

Në fakt e keqja më e vogël është dërgimi i njerëzve të rilindjes në majat më të larta të drejtësisë.

Pasojat afatgjata janë shumë më të rënda.

Ato kanë të bëjnë me përdhosjen në mënyrë selektive të Kushtetutës apo procedurave në varësi të emrave të veçantë.

Ato kanë të bëjnë me shndërrimin në karagjozllëk të një procesi kaq të rëndësishëm, i cili degradon në një lojë kukamshefti fshehjesh të postës në sirtarë.

Ato dëshmojnë një mospërfillje cinike ndaj presionit ndërkombëtar, për ta ngritur shpejt kushtetuesen, sepse po e mbajnë atë peng përmes sherreve artificiale me Metën.

Ato tregojnë se Rilindasit jo vetëm nuk i besojnë procesit të cilin e kanë votuar vetë, por nuk ia dalin dot atij mbanë pa e manipuluar.

Natyrisht, për të siguruar pandëshkueshmërinë për krimemet e makabre që kanë bërë, ata nuk kanë rrugë tjetër vetçse ta kapin krejtësisht drejtësinë.

Dhe këtu po bëjnë krimin më të madh.

Jo se po përpiqen të shpëtojnë veten, por sepse me njerëzit që po emërojnë dhe prcedurat që po shkallmojnë, po rilindin mostrën e një drejtësie politike. Të një mashtrimi, që, ndonëse e duartrokasim si reformë amerikane, nesër do ta përdorin po njësoj edhe ata që do të vijnë pas tyre në pushtet./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Opinione

Ndjesia e ligë që pata dikur

Publikuar

-

Nga

Nga Ilir Levonja

* Kur në shkurt të 1999-ës shqiptarët kurorëzonin shtetin e tyre të dytë Kosovën, asgjë nuk më ka cëmbitur më shumë se një ndjesi e ligë për një përçarje të mundshme, një e tillë që do na vinte në provë përpara Amerikës dhe aleancës së NATO-s. Kryesisht edhe para opinionit mbarë botëror si në një lloj testi se janë apo nuk janë të aftë shqiptarët të ndërtojnë shtetet e tyre, të konsolidohen organikisht në territorin e një Shqipërie natyrale dhe jo të tezës Shqipëri e madhe.

Kjo kishte pengun e vet për arsye se memoria ruante ca indicje se si kryeministri në ekzil i Kosovës Bujar Bukoshi anashkalonte një gazetar duke i thënë se këto insinuata i shkojnë Tiranës dhe jo Prishtinës. Bëhej fjalë për ca atentate mes shqiptarëve ndërkohë që Kosova qe përfshirë në luftën për liri. Nga ana tjetër presidenti historik Rrugova e kish kthyer Tiranën në një tranzit aeroportal, jo si vendin amë ku të kishte rezidencën e tij. Thuhej se Rugova dhe Berisha nuk flasin me gojë.

Të vinte keq ta besoje pasi historia jonë fillonte keqas që me qasjen internacionale kur Enver Hoxha këshillohej nga jugosllavët. Ku diku tërthorazi dhe diku drejtpërdrejtë asgjësoi çdo grimë të pluralizmit për hatër të jugosllavëve. Shembujt i keni me shumicë nga Kokolarët, deri tek Mithad Frashëri etj. Ishin këto arsyet që Sejfulla malëshova do i pohonte Petro Markos se jemi parti e terrorit dhe jo e pikëpamjeve.

”Kujdes kur të flasësh Petro se këta të q…. nënën”. Tirana e shikonte Prishtinën me një mbushje mendje aq sa një akademik i Kosovës me të drejtë shkruante se e keqja nuk na ka ardhur asnjëherë nga i huaji, por nga esnafi ynë politikë. Nuk e kishin njohjen e kulturën e mjaftueshme këta emra, të mos e dinin këtë? Sigurisht që e kishin, por faktori në shtetin amë kurrë nuk e ka pranuar të jetë prirja e frymës kombëtare pasi ka dashur të identifiokoj veten si krijues të saj. Dhe kjo është theqafja më klasike që vazhdon akoma edhe në këto kohë moderne të globalizmit.

Në një farë mënyre të gjitha kishin një origjinë, zhvokjen e çështjes kombëtare me karriken, pushtetin personal a bythën e vet. Shqipëria vinte nga një përvojë e shkëlqyer e kësaj kulture vrasëse, kësaj kulture otomane ndaj kishin kohë që vrisnin njëri-tjetrin ku shembulli më i gjallë është Hasan Prishtina. Më ka cëmbitur kjo ndjesi për faktin se Shqipëria jonë me studiot arkaike e trajton Kosovën si truall të huaj sa është e turpshme të dëgjosh nga kryeministri i Kosovës të të thotë që do ishte mirë që Shqipëria të ishte konsultuar me ne për taksën në rrugën e Kombit, mund të gjenim një gjuhë të përbashkët për krijimin e një fondi të mirëmbajtjes.

Është e turpshme sepse karshi atyre fasadave të takimeve të të dy qeverive, e kupton menjëherë se sa i thellë është hendeku mes dy shteteve të shqiptarëve. Në fund të fundit, dy shtete që nuk arrijnë të mirëmbajnë një arterie kombëtare, qoftë si simbol të unifikimit, për çfarë mbrojtje territoriale mund të flasin? Sot bota mbarë i njeh të gjitha versionet në mirëmbajtjen e rrugëve, si ato me konçesione, si ato me ndërmarrjet shtetërore.

LEXO EDHE:  Opozita thyen bojkotin/ Balla: Të votojmë Reformën Zgjedhore

LEXO EDHE:  Opozita thyen bojkotin/ Balla: Të votojmë Reformën Zgjedhore

Shqipëria megjithëse sipas Sali Berishës do e bënte rrugën e kombit edhe duke shitur bizhuteritë e grave, qeveria Rama pikërisht nga aty nisi me forcë konçesionin rrugor. Vinte nga përvoja e një dhune denoncimi mbi shpërdorimin e fondeve, aq sa ia shpifi shqiptarëve të Kosovës dëshirën për të parë vendin amë. Nga ana tjetër askush nuk hyri në burg, askush nuk u dënua, veç shqiptarët e Kosovës me një taksë që nuk e zëvendëson asnjë vlerë monetare sa kohë që prek të vetmen vizë nga projekti për riunifikimin e shqiptarëve në Shqipërinë natyrale.

Pra nga koha e shpalljes së pavarësisë, cëmbitjes së ligë për një përçarje të mundshme, të pashmangshme mes vedit i erdhi dita. Sot bota virtuale shqiptare sidomos ajo në Kosovë ka një indinjatë karshi Edi Ramës në lidhje me deklaratat e tija rreth vetizolimit të shqiptarëve në Kosovë, Kosovës etj.

Deklarata e Edi Ramës në lidhje me vetëizolimin e Kosovës, ka hapur një debat të panevojshëm mes shqiptarëve. Ose më saktë mes dy qeverive a liderëve këtej dhe andej kufijve.

Një debat që nuk i shërben askujt veç ideatorëve të linjës përça e sundo në kalendat e ballkanit perëndimor dhe më tej.

Nuk është asgjë tjetër, por vazhda e tezës së mësipërme se për by… e vet lidershipi i Tiranës ja lëron nënën me qejfin më të madh edhe vet çështjes kombëtare. Nëse lidershipi në Kosovë nuk e ka kuptuar këtë do të thotë se është infektuar nga Tirana. Skupet janë të modës në Tiranë. Bëhet zhurmë denoncimesh dhe aty rrinë. Nga ana tjetër prirja qytetare është e lidhur shumë pas njëshave ndaj e kanë të pamundur rrotacionin. Në Kosovë nuk ndodh kështu, kësisoj rrijini larg Tiranës zyrtare dhe sidomos kësaj të Edi Ramës dhe Lulzim Bashës.

Ndryshe keni në rënë në grackën e zgjatjes së pushtetit të tyre, sidomos Edi Ramës. Shoh shumë indinjatë në faqet personale tuajat por më dhimbet, më vjen t’ju kujtoj se po bëheni të pa aftë si shqiptarët në dheun amë. Na mëshironi dhe kaq se neve na ka plasur cipa me kohë, jemi me shumicë teknokratë, unionista të Perandorisë Otomane, ish Jugosllavisë, Bashkimit të Republikave Sovjetike, Kinës së Maos, nuk ka atdhe për ne.

Atdheu tek ne fillon dhe mbaron tek shallvaret e Ramës, xheli i Lulit që pret radhën, mban ca leksione me nga 10 veta dhe pret radhën. Shqipëria për momentin donte një opozitë që të thyente brinjët, por nuk e ka. Ashtu sikundër nuk ka edhe një votues që të hante nofullat. Ka një votues që voton një person për 16 familjarët e tij, mjafton t’i japësh 100 mijë lekë të vjetra dhe aq. Shqipëria amë feston më 29 nëntor ditën e Çlirimit për arsye se më 29 nëntor u themelua ish Federata Jugosllave, kurse ju i indinjoheni shtetit amë. Shteti amë është për tu qarë, jo për t’ju indinjuar.Këto janë fjalë zemre vëllezër, ndaj bëjeni Kosovën siç dini ju se mbase kështu na ndihmoni edhe ne./ CNA.al

LEXO TE PLOTE