Politikë
Negociatat/ Ministri gjerman: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i përkasin BE-së

Ministri i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme Federale, Michael Roth është shprehur mbi kursin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Ai tha për gazetën “Die Welt”, se “Fakti që hapja e negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dështoi së fundmi për shkak të kundërshtisë së vendeve të veçanta, është një disfatë e hidhur. Por do të ishte e gabuar që tani të fshihnim kokën në rërë.”.
Sipas ministrit gjerman, “Në pranverën e vitit 2020 kjo temë do të zë vend përsëri në agjendën e kryetarëve të qeverive dhe shteteve të BE-së. Atëherë ne do të duhet të bëjmë përfundimisht të qartë se i qëndrojmë fort perspektivës së anëtarësimit. Të tjera vonesa do të ishin të papërgjegjshme.
Ndërkohë Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të duhet të vazhdojnë të angazhuara përpjekjet e tyre për reforma. Ky është sinjali më i mirë për të gjithë skeptikët. Njëkohësisht edhe ne brenda BE-së duhet të bëjmë detyrat tona dhe të sqarojmë se si do të mund të tejkalojmë rezervat e shteteve të veçanta anëtare.”