Connect with Us

Intervista/ Junker: Brexit ishte i pritshëm, britanikët nuk janë ndjerë asnjëherë pjesë e Evropës

Blog

Intervista/ Junker: Brexit ishte i pritshëm, britanikët nuk janë ndjerë asnjëherë pjesë e Evropës

Publikuar

-

Në një intervistë për gjermanen “Der Spiegel”, presidenti në largim i Komisionit Evropian, Zhan Klod-Junker, thotë se ndihet i keqardhur për Brexit-in, por thekson se kjo që po ndodh ishte e pritshme, pasi britanikët nuk janë ndjerë asnjëherë pjesë e BE-së. Ai tregon edhe “sekretin” e raportit special, që pati me presidentin amerikan Donald Trump.

Fjalimi i lamtumirës që mbajtët në Parlamentin Evropian disa ditë më parë, përfundoi me thirrjen:”Rroftë Evropa!”. S’ka dyshime mbi entuziazmin tuaj mbi Evropën. Por njëherazi, në disa shtete anëtare po rritet një kundërvënie ndaj BE-së, si për shembull në Poloni dhe Hungari, për të mos përmendur Britaninë e Madhes. Pse nuk ia dolët, ta përhapni entuziazmin tuaj në këto vende?

Pyetja e vërtetë është:Pse nuk arritën të tjerët të ndajnë entuziazmin tim? Gjithsesi unë nuk jam i trishtuar, pasi mbështetja për Evropën po rritet, siç e pamë edhe në zgjedhjet e fundit evropiane. Brexit, ka bërë që njerëzit të kthejnë më shumë kokën nga Evropa. Shumë qytetarë, mendojnë që nëse nga unioni do të largoheshin vende të tjera dhe Evropa do të copëtohej, ky do të ishte një ogur i keq për të ardhmen.

Britanikët e morën vendimin për t’u larguar nga BE gjatë mandatit tuaj, dhe unioni po humbet sot një anëtare të rëndësishme. A janë ndjerë realisht britanikët pjesë e BE-së?

Unë jam përfshirë në politikën evropiane që nga dhjetori i vitit 1982, dhe kam parë herë pas here që britanikët kanë vepruar mbi premisën:Ne jemi në BE, vetëm për arsye ekonomike. Kur bëhet fjalë për një bashkim politik, për t’u afruar më pranë njëri-tjetrit, ata nuk e donin këtë.

Gjithsesi, para referendumit të qershorit 2016, shumica e analistëve prisnin që britanikët të votonin në favor të qëndrimit në BE. Po ju?

Jo, unë isha një nga ata që isha i bindur, që ky referendum do të shkonte keq. Kur kryeministri i atëhershëm Kameron më tha në samitin e G-20 në Brisbejn në vitin 2014, se donte të mbante një referendum mbi Brexit, unë i thashë:”Do ta humbni atë!’.

“Nacionalizmi idiot”, që paralajmëruat në fjalimin tuaj të lamtumirës, duket se është përhapur shumë në Britaninë e Madhe. A druheni që e njëjta gjë mund të ndodhë në vendet e tjera?

Në fakt kam dashur të them “nacionalizëm i vërbër” dhe jo “budalla”. Populistët, nuk e menaxhuan si duhet epërsinë që patën para zgjedhjeve evropiane. Edhe pse kjo më gëzon, sfida e tyre nuk ka mbaruar ende. Vërej me shqetësim, se shumë parti politike tradicionale, po ecin në gjurmët e populistëve. Dhe ata që rendin pas populistëve, në fund do të bëhen vetë populistë. Por njerëzit do të votojnë për “origjinalin”.

Nacionalistët po përpiqen të krijojnë imazhin e një BE-së si një “përbindësh” burokratik, që po e shkatërron identitetin kombëtar. A mendoni se i keni dhënë shkas akuzave të tilla?

Unë nuk kam folur kurrë për themelimin e Shteteve të Bashkuara të Evropës. Por kjo nuk i ka penguar mbështetësit e Brexit që të më sulmojnë. Ne nuk duhet t’u japim evropianëve përshtypjen e rreme, se Bashkimi Evropian është duke u bërë një shtet i vetëm.

SHBA-të janë tërhequr nga marrëveshja mbi klimën, dhe nga marrëveshjet e tjera ndërkombëtare. Sidoqoftë, ju arritët të krijonit një raport special me presidentin amerikan Donald Trump, dhe të parandaloni një përshkallëzim të luftës së afërt tregtare midis Uashingtonit dhe Brukselit. Si ia dolët?

Një nga truket e mia të vogla, ishte se përdorja vetëm statistikat e SHBA-së, kur bisedoja me presidentin Trump. Dhe kur Trump më thoshte “Nuk iu besoj shifrave tuaja”, unë i përgjigjesha:”Janë të dhënat tuaja…”.

Marrëdhëniet trans-atlantike do të ishin shumë më të mira, nëse gjërat do të ishin kaq të thjeshta…

Në politikë, duhet ta prezantosh veten në një mënyrë të caktuar. Në Uashington, Trump më foli për të gjithë evropianët që kishin qenë në Zyrën Ovale para meje – kancelaren Merkel, presidentët, kryeministrat. Dhe unë i thashë:Ata janë të gjithë të rëndësishëm, por ju biseduat me njerëzit e gabuar.

Përgjegjës për politikën tregtare është Komisioni Evropian, dhe jo vendet anëtare. Kjo i bëri përshtypje. Trump më pas më tha:Unë nuk dua marrëveshje me Bashkimin Evropian, dua të arrij një marrëveshje me ju. Dhe unë iu përgjigja:Komisioni Evropian, ka përgjegjësi vetëm për çështjet e tregtisë. Një marrëveshje me mua, është një marrëveshje me BE-në.

Si një politikan aktiv, keni bashkëpunuar me 3 kancelarë gjermanë:Helmut Kol, Gerhard Shrëder dhe Angela Merkel. Kush ishte më europiani prej tyre?

Kol, pasi ishte historian. Ai mendonte në kontekste historike, dhe u shpjegonte të tjerëve domethënien e ngjarjeve. Përveç kësaj, ai ishte i vëmendshëm edhe në marrëdhëniet që mbante me shtetet anëtare më të vogla. Për shembull, mund të recitonte përmendësh emrat e luftëtarëve të rezistencës në Luksemburg, që u vranë në kampe naziste të përqendrimit gjatë ditëve të fundit të luftës./ “Der Spiegel”-Përshtatur nga CNA.al

KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Pse ndjehemi të trishtuar dhe të lodhur gjatë stinës së dimrit?

Publikuar

-

Nga

Ndiheni të lodhur, me humor të keq, të irrituar apo në depresion gjatë stinës së dimrit? Nuk jeni të vetëm. Sa më larg veriut të jetoni nga Ekuatori, aq më më rënda do të jenë këto simptoma. Ka shumë faktorë që i bëjnë njerëzit të ndjehen të trishtuar, të fitojnë shumë në peshën trupore, dhe të kenë ndjesinë e vazhdueshme të lodhjes në stinën e dimrit.

Përgjegjësi kryesor për këtë është serotonina. Kimikatet e trurit, kanë metoda të shumta të aktivizmit. Çdo gjë që parandalon veprimin e tyre, e zgjat veprimin e tyre në tru. Që serotonina të de-aktivizohet, duhet që ajo të riciklohet sërish përmes një proteine ​​të quajtur transportuesi i serotoninës.

Sa më të shumtë të jenë këta transportues, dhe sa më mirë që të lidhet me ta serotonina, aq më shpejt metabolizohet ajo. Serotonina ndikon në sjelljet tona të të ngrënit, gjendjes shpirtërore, raportet intime, gjumin dhe energjinë fizike. Kështu, çrregullimet që karakterizohen nga disponimi dhe energjia e ulët, trajtohen nga medikamente që rrisin nivelin e serotoninës në tru.

Për shembull, barnat kundër depresionit si frenuesit selektivë të rimarrjes së serotoninës (SSRI), frenuesit e rikuperimit të serotoninës norepinefrinë (SNRIs), dhe frenuesit e monoaminës oksidazë (MAOI), rritin që të gjitha rrisin nivelet e serotoninës.

Mekanizmi kryesor i veprimit për këta antidepresantë, është ngadalësimi i mosveprimit të serotoninës, ose duke e penguar enzimën që e çliron atë, ose duke bllokuar transportuesit dhe rimarrjen e tij. Metabolizmi i serotoninës, luhatet sipas ndryshimeve sezonale.

LEXO EDHE:  Shkelen rregullat e qëndrimit në BE/ Riatdhesohen 114 shtetas shqiptarë

Dhe kjo nuk është për t’u habitur, pasi serotonina, triptofanina dhe melatonina i përkasin të njëjtit grupim kimikatesh, indolaminës. Në shumë specie, këto kimikate reagojnë ndaj ndryshimeve të dritës. Për shembull, një studim tregoi se rrezet e diellit, e ndryshojnë qarkullimin e serotoninës në trurin e njeriut.

Duke përdorur një teknikë tepër selektive të neuroimazherisë, studiuesit ishin në gjendje të masnin për 4 vjet efikasitetin e transportuesit të serotoninës tek njerëzit e shëndetshëm. Skanimet e trurit, u grupuan sipas sezonit të skanimit, me një ndërprerje midis sezonit të vjeshtës dhe dimrit, dhe sezonit të pranverës dhe verës.

Ata zbuluan se potenciali lidhës i bartësit të serotoninës, ndryshon gjatë gjithë sezoneve. Transportuesit e serotonins, ishin më të ndjeshëm gjatë vjeshtës dhe dimrit, në krahasim me pranverën dhe verën në shumë zona të trurit.

Gjetjet e studimit, treguan se dendësia e transportuesit të serotoninës, është më e ulët me rritjen e kohëzgjatjes së diellit. Me fjalë të tjera, në vjeshtë dhe dimër, serotonina de-aktivizohet më shpejt, dhe ka një efekt më të shkurtër. Ndërsa në pranverë ose verë, transportuesit janë më pak të ndjeshëm, çka sjell riciklimin e ngadaltë të serotoninës, dhe veprimin më të gjatë në tru. Në rreth 1-6 për qind të popullsisë, këto efekte përbëjnë një çrregullim afektiv sezonal (SAD).

Ky çrregullim, është më i përhapur në vendet me dimra të ashpër, dhe me lartësi të mëdha mbi nivelin e detit./Psychologytoday-Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Një vit më vonë/ Si e ka ndryshuar jetën e francezëve lëvizja e “Jelekverdhëve”

Publikuar

-

Nga

Nga Elise Lobbedez “The Conversation”

* Shpesh e perceptuar si e ç’organizuar, e hapërdarë dhe madje e dhunshme, lëvizja e “Jelek-verdhëve” në Francë, ka befasuar shumë njerëz me rezitencën e saj të gjatë. Kur ka kaluar saktësisht një vit nga nisja e kësaj lëvizje, e nisur më 17 nëntor 2018, shumë aktivistë takohen rregullisht me njëri-tjetrin, duke u organizuar dhe protestuar, pavarësisht sfidave me të cilat janë përballur gjatë 12 muajve të fundit.

Në fakt, për shumë qytetarë francezë, jeleku i verdhë është shndërruar në një simbol të angazhimit qytetar. Nëse nuk shkoni në rrethrrotullime, nëse nuk merrni pjesë në protesta, dhe nëse nuk takoni njerëz, nuk dini gjë për gjëje. Dhe nëse mendoni se “Jelekverdhët” kanë marrë fund, se ata nuk kanë më kërkesa për të shtruar, apo se e kanë humbur qëllimin e tyre, e keni gabim.

“Ne po protestojme ende. Kërkesat tona nuk kanë ndryshuar”- thotë Stefani, një nga drejtueset e lëvizjes. Edhe pse në protestat e lëvizjes, marrin pjesë më pak njerëz, ajo është ende e fortë. Në studimin lëvizjen në zonën e Lionit, unë munda të vërej se përkushtimi ndaj lëvizjes shkon shpesh përtej protestës.

Në fakt, pjesëmarrësit thonë shpesh se gjatë një viti nuk kanë pasur kohë për asgjë tjetër. Me kalimin e kohës, tubimet u shndërruan në një rutinë. Pjesëmarrja në protesta, shpërndarja e fletushkave, ndihma ndaj të pastrehëve. Janë këto aktivitetet, që përbëjnë rutinën e përditshme të “aktivizmit të verdhë”.

Gjatë një takimi në fillim të këtij viti shkollor, Etien më shpjegoi sesi të shtunat e tij janë bërë më pak intensive:”Unë dua që ne të rikthehemi në rutinën e dikurshme, që nis nga ora 9 e mëngjesit dhe mbaron në orën 9 të mbremjes. Një ditë pune 12-orëshe, apo jo? Ne duhet të tregojmë që jemi ende këtu!”.

Përveç operacioneve në terren, jeta e përditshme e “jelekverdhëve’ sillen rreth diskutimeve dhe eksperimenteve me demokracinë e drejtpërdrejtë, me takime, konferenca dhe debate javore. Midis këshillave mbi atë që duhet lexuar, zbulimin e botës së aktivizmit dhe leksioneve për prodhimin e sloganeve, shumë anëtarë të kësaj lëvizje theksojnë se nuk kanë mësuar kurrë aq shumë, sa nga momenti që i janë bashkuar lëvizjes.

Gjatë një vitit betejë, lëvizja ka pasur edhe momente të vështira. Rënia e pjesëmarrjes, e dëmtoi kohezionin e saj, dhe shkaktoi tensione të brendshme. Disa argumente, ishin ato që shkaktuan më shumë debate. A duhet që protestuesit të kërkojnë leje për të protestuar?

A do të ndihmonte bashkimi me lëvizjet e tjera, në forcimin e veprimeve në terren? Çfarë do të thoshte kjo në praktikë? Me mediat që e kanë vënë shumë theksin tek dhuna e protestuesve,”Jelekverdhët” percetohen ndryshe nga njerëzit jashtë lëvizjes. Në disa raste, ky mbulim mediatik përbën një pengesë për bashkëpunimin midis lëvizjeve të ngjashme, siç ndodhi me protestat kundër ndryshimeve klimatike, në fillim të janarit të këtij viti.

LEXO EDHE:  Pse ndjehemi të trishtuar dhe të lodhur gjatë stinës së dimrit?

Disa protestues “Jelekverdhë”, ndiheshin jo të mirëpritur, dhe kishin përshtypjen se ata thjesht ishin aty për të shtuar numrin e pjesëmarrësve, dhe jo si pasojë e solidaritetit me kërkesat e tyre.

Shumë të tjerë ndihen të stigmatizuar, dhe duhet të përballen me paragjykimet e të afërmve të tyre apo publikut në tërësi.

Por distancimi nga lëvizja, nuk do të thotë heqje dorë prej saj. Praktikat politike të zhvilluara gjatë këtij viti të aktivizmit qytetar, mbeten të përhapura në jetën e tyre të përditshme. Jeleku i Verdhë, është mbi të gjitha një gjendje shpirtërore. Shumë shpesh, aktivitetet e përditshme në dukje të zakonshme, marrin një kthesë politike.

Për Anaisin, kjo do të thotë të shkojë të psonisë në treg dhe jo në një supermarket, për Frederikun të heqë dorë nga blerja online përmes “Amazon”. Kur flitet për mediat, që të gjithë ata kritikojnë qasjen e tyre të diskutueshme, ndaj përpiqen të informohen nga mediat alternative.

Për shembull, Fransina është distancuar nga lëvizja, por ajo mbetet në korrent të ngjarjeve, përmes portaleve të pavarura të lajmeve. Për shumë pjesëtarë të lëvizjes, jeta ka ndryshuar në një mënyrë të pakthyeshme. “Unë nuk do të ndalem kurrë së qeni një aktivist. Angazhimi im mund të jetë në forma të ndryshme. Ndoshta përmes politikës, apo nëpërmjet organizatave lokale. Kur përpiqesh për 1 vit rresht të ndryshosh gjërat, nuk mund të kthehesh më në jetën e dikurshme, duke ndjekur lajmet në kanalin shtetëror francez TF1, dhe duke menduar:Koha do të tregojë”- thotë Florensi.

Shumë të tjerë, mendojnë se kjo lëvizje e ka ndryshuar jetën e tyre. Disa si Maksim Nikol, vendosën të kërkojnë një punë tjetër nga ajo që kishin, dhe që të jetë më në përputhje me vlerat e tyre. Maria, që punonte dikur në sektorin e turizmit, e la punën e saj për të kërkuar një punë që i përshtatet më mirë idealeve të saj.

Për Florensën, lëvizja ishte si një zile zgjimi. Përfshirja e saj në lëvizje, e shtyu atë të vendosë të ndahet nga partneri i saj. Ajo është ende shumë aktive në lëvizje, por tani po pyet veten se si do të jetë angazhimi i saj në të ardhmen. Jeta pa ndonjë formë aktivizmi, është bërë e për të e pakonceptueshme.

Sigurisht, këto ndryshime në jetët dhe zakonet e disa njerëzve, nuk mund të përshkruajnë të gjithë lëvizjen, sidomos duke pasur parasysh natyrën e tij të shumëanshme. Gjithsesi, ato janë një dëshmi mbi efektin e madh që pati lëvizja e “Jelekverdhëve” tek shumë individë.

Ndërsa është e vështirë të parashikohet e ardhmja e lëvizjes, është e qartë se ajo do të vazhdojë të ndikojë në aktivizimin e ardhshëm të shumë prej pjesëmarrësve të saj. Ajo do të jetë aty, gati për t’u ringjallur kur të vijë koha./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Tërheqje litari para samitit për Ukrainën në Paris

Publikuar

-

Nga

Para samitit për Ukrainën Lindore që zhvillohet në Paris, ka disa lëvizje politike: Kushtet e Rusisë janë plotësuar, data është caktuar. Por në një pikë qendrore për Moskën po rritet presioni ndaj Kievit.

Rusia i lë kohë vetes. Konfirmimi nga Moska erdhi tre ditë pas caktimit të datës 9 dhjetor si datë e samitit të të ashtuquajturit, Formati i Normandisë në Paris nga tre pjesëmarrësit, Gjermani, Francë dhe Ukraina. “Po, vërtet, përgatitjet janë në fazën përfundimtare”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov të hënën.

Sukses në përgatitjen e samitit të Normandisë

Në të njëjtën kohë Rusia i dorëzoi Ukrainës tre anijet në Detin e Zi, që në nëntor 2018 u ndaluan me dhunë armësh dhe u konfiskuan në Ngushticën e Kertshit para Krimesë së aneksuar nga Rusia. Anëtarët e ekuipazhit u kthyen në shtëpitë e tyre që në shtator në kuadër të këmbimit të të burgosurve mes dy vendeve. Edhe dorëzimi i anijeve shihet si një hap drejt samitit të Normandisë, megjithëse Moska faktikisht zbatoi vetëm një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare Detare.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas udhëtoi të hënën (18.11) në Kiev për të diskutuar për samitin e Parisit, Në Kiev është paralajmëruar edhe një vizitë e presidentit francez, Emmanuel Macron, por pa datë. Të hënën Macron zhvilloi një telefonatë me presidentin rus, Vladimir Putin për samitin e ardhshëm.

Kuarteti i Normandisë – Takimi në tetor 2015 mes Merkel, Francois Hollande (presidenti i atëhershëm francez), Vladimir Putin e presidenti i atëhershëm i Ukrainës, Petro Poroshenki

Pse është i rëndësishëm samiti i Parisit?

Formati i Normandisë e mori emrin të tillë në qershor 2014, kur presidenti i atëhershëm i Ukrainës, Petro Poroshenko në kuadër të përkujtimeve të D-Day (6. qershor 1944, fillimi i zbarkimit të forcave aleate në Normandi gjatë Luftës së Dytë Botërore shën. red.) për herë të parë takoi presidentin rus, Putin pas aneksimit të Krimesë. Ndërmjetësues ishin presidenti francez, Macron dhe kancelarja gjermane, Merkel.

Takimi i fundit i një niveli të tillë të lartë ka qenë zhvilluar para tre vitesh. Arsye ka qenë refuzimi i Moskës për të folur më tej me Poroshenkon. Pasardhësi, Volodymyr Selenskyj ka sinjalizuar ndryshime në marrëdhënien me Rusinë dhe se kërkon paqen në Ukrainën Lindore. Selenskyj bëri të qartë, se do ta takojë shpejt personalisht Putinin, dhe se është i gatshëm për lëshime.

Moska vë kushte, Kievi lëshon pe

Nga takimi i shpejtë nuk është bërë asgjë deri më tani, sepse Rusia vuri dy kushte. E para lidhej me një deklarim me shkrim për atë që Moska e përshkruan si “Formula Steinmeier” e që parashikon zgjidhjen e konfliktit. Me të kihet parasysh zbatimi i ujdive të paqes të arritur në Minsk në vitin 2015; të ofruara si zgjidhje nga ministri i atëhershëm i Jashtëm gjerman, Steinmeier.

LEXO EDHE:  BE: 7 vendet që përcaktohen si “të sigurta”

Qeveria e Ukrainës fillimisht hezitoi, por në fillim të tetorit veproi – duke shkaktuar një valë protestash në vend. “Formula e Steinmeierit” parashikon, që ligji për autonominë faktike në rajonet separatiste të Donjeckut dhe Luhanskit përkohësisht hyn në fuqi në mbrëmjen pas zgjedhjeve lokale. Nëse vëzhguesit e OSBE do t’i njohin zgjedhjet, atëherë ky ligj hyn në fuqi përfundimisht. Por ende nuk dihet, se kur do të zhvillohen zgjedhjet lokale.

Presidenti ukrainas, Selenskyj kërkon arritjen e paqes në Ukrainën Lindore

Kushti i dytë i Moskës lidhej me tërheqjen e trupave të ushtrisë ukrainase dhe separatistëve nga tre pika të përcaktuara më parë. Kjo tërheqje filloi në qershor në Stanitja-Luhanska por ngeci më vonë, pasi pala ukrainase kërkoi një armëpushim të gjerë, por nuk pati sukses. Në fund Kievi vendosi për tërheqjen e trupave pa armëpushim të plotë, në fund të tetorit në Solote dhe në fillim të nëntorit në Petrivske.

Pse është rritur presioni ndaj Ukrainës?

Megjithëse Ukraina i ka plotësuar kushtet për samitin e Normandisë, ky vend ndodhet gjithnjë e më shumë nën presion. Ligjit të parashikuar nga “formula e Steinmeierit” i përfundon afati në fund të vitit. Presidenti Selenskyj ka premtuar një ligj pasues, por ende nuk e ka ofruar në tryezë atë. Mund të pritet që votimi i tij në parlament të shoqërohet me protesta të tjera.


Takimi mes Selenskyjt dhe presidentit gjerman, Steinmeier

Për Moskën ky ligj është çelësi për zgjidhjen e të gjithë situatës, thotë zëdhënësi i Putinit, Peskov. Sipas zhvillimeve të fundit duket se për këtë ligj po luftohet. Moska duket se ka kartën e duhur në dorë. Kështu për shembull një këmbim i ri i të burgosurve i njoftuar nga Kievi disa herë, këtë herë mes Kievit dhe separatistëve nuk është kryer akoma.

Para samitit ka pasur spekulime, sipas të cilave në Paris do të flitet edhe për të ardhmen e tranzitit të gazit rus përmes Ukrainës në BE. Marrëveshja aktuale përfundon në fund të vitit, bisedimet për një marrëveshje të re nuk kanë dhënë rezultat, megjithë ndërhyrjen e BE. Rusia kërkon, që Ukraina të tërheqë padinë e saj miliardëshe për Gazpromin para gjykatave ndërkombëtare. Me këtë rritet edhe probabiliteti, që tranziti i gazit përmes Ukrainës në Natën e Vitit të Ri, njësoj si në vitin 2006 e 2009 të ndërpritet ose të bllokohet plotësisht./ DW

LEXO TE PLOTE