Connect with Us

Rritet niveli i borxhit publik/ Zbulohen shifrat, ja detyrimet e çdo shqiptari

Ekonomi

Rritet niveli i borxhit publik/ Zbulohen shifrat, ja detyrimet e çdo shqiptari

Publikuar

-

Shqiptarët kanë 9.15 miliardë euro borxh, rriten pagesat për shërbimin e borxhit. Qeveria zgjat afatin e borxhit për t’ia kaluar pagesat qeverisë tjetër. Ulen interesat, por rriten shpenzimet për shërbimin e borxhit, për shkak të obligacionit 500 milionë euro.

Kuvendi është në diskutim të buxhetit faktik për vitin 2018. Të dhënat e konsoliduara të publikuara nga Kuvendi, tregojnë se në fund të vitit 2018, Borxhi Publik u vlerësua në nivelin 1,107.3 miliardë lekë, ose rreth 9.15 miliardë euro dhe e shprehur në vlerë relative, sa 67.2% e PBB, ose 3210 euro për çdo banor.

Qeveritë kanë rritur gjithmonë afatet e shlyerjes së borxheve për t’ua pasuar pasardhësve kostot e huamarrjes publike për të mbuluar diferencën mes shpenzimeve dhe të ardhurave. Sipas relacionit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë “në portofolin e borxhit të brendshëm është ulur pesha e borxhit që maturohet brenda një viti dhe pesha e titujve me norma interesi të ndryshueshme, duke mundësuar reduktimin e ekspozimit ndaj riskut të rifinancimit dhe atij të normave të interesit”.

Për sa i përket borxhit të brendshëm shtetëror, gjatë vitit 2018, ashtu si edhe gjatë vitit paraardhës, në përputhje me politikat menaxhuese për uljen e ekspozimit ndaj risqeve, ka vazhduar tendenca e rritjes së peshës së titujve afatgjatë (kryesisht titujt me afat maturimi mbi 5 vite). Gjithashtu, pesha e titujve me norma interesi të ndryshueshme është reduktuar, pasi edhe gjatë vitit 2018 nuk ka pasur asnjë emetim të këtyre titujve.
Kostot e borxhit për njësi janë ulur, kryesisht si rezultat i normave të interesit në nivele ende të ulëta, si dhe zëvendësimit të një pjese të borxhit që maturohet me borxh më pak të kushtueshëm. Megjithatë, krahasuar me një vit më parë, shërbimi i borxhit në vlerë absolute është rritur, si rrjedhojë e rritjes së stokut të borxhit, si dhe për shkak të parapagimit të interesave dhe primit që burojnë nga procesi i parablerjes së pjesshme (buyback) të Eurobond-it ekzistues.

Niveli i borxhit publik në raport me PBB ka shënuar rënie prej 2.9 pikë përqindje, duke vazhduar të qëndrojë në trajektoren rënëse, e cila ka nisur që prej vitit 2016. Faktorët kryesorë që kanë ndikuar në uljen e nivelit të borxhit në raport me PBB kanë qenë konsolidimi fiskal dhe mbiçmimi i monedhës vendase në raport me monedhat e tjera të portofolit të borxhit.

Niveli i borxhit të brendshëm dhe atij të jashtëm, në raport me totalin e borxhit publik, janë përkatësisht rreth 52% dhe 48%, duke ruajtur pothuajse të njëjtat raporte me fundin e vitit të kaluar, si dhe duke qenë në linjë me objektivat e vendosura në Strategjinë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit në kuadër të menaxhimit të riskut të kursit të këmbimit.

Për sa i përket kompozimit të portofolit të borxhit publik, sipas instrumenteve, më shumë se gjysmën e peshës e mbajnë instrumentet e tregtueshme (bono thesari, obligacione, eurobond), ndjekur nga huatë e huaja me destinacion financimin e projekteve dhe huatë në formën e mbështetjes buxhetore.

Qeverisja vendore merr vetëm 0.1% të borxhit

Borxhi i pushtetit lokal vazhdon të qëndrojë në nivele të ulëta (rreth 715.7 milionë lekë ose 0.1% e totalit të borxhit publik), kryesisht për shkak të kapaciteteve të ulëta që kanë njësitë e qeverisjes vendore për të akumuluar borxh. Gjatë vitit 2018 nuk ka pasur asnjë kërkesë të re për huamarrje vendore.

Portofoli i borxhit shtetëror, pavarësisht diversifikimit të viteve të fundit drejt instrumenteve të tregtuara në tregjet e huaja, gjatë vitit 2018 vazhdon të dominohet mbi 50% nga titujt shtetërorë të tregtuar në tregun vendas. Diversifikimi i portofolit drejt instrumenteve të huaja reflekton politikat e huamarrjes gjatë viteve të fundit, të cilat nisur edhe nga kufizimet e tregut të brendshëm, kanë pasur si qëllim uljen e presionit të huamarrjes së brendshme për të lehtësuar procesin e ristrukturimit të portofolit të borxhit të brendshëm.

Eurobondi 500 milionë euro

 Gjatë vitit 2018, vlen të theksohet rritja e peshës në kategorinë e titujve ndërkombëtarë, si rezultat i emetimit të Eurobond-it të ri. Në tetor 2018, Ministria e Financave dhe Ekonomisë emetoi në tregjet ndërkombëtare Eurobond-in me vlerë 500 milionë euro, afat maturimi 7-vjeçar dhe normë interesi prej 3.5%. Gjithashtu, transaksioni i emetimit të Eurobond-it u shoqërua me procesin e parablerjes së pjesshme (buyback) të një pjese të Eurobond-it ekzistues (200 milionë euro) që maturohet në vitin 2020. Transaksioni i Eurobond-it shërbeu: a) për të menaxhuar nevojat për likuiditet të vitit 2018, si dhe të viteve pasardhëse; b) për të reduktuar riskun e rifinancimit; c) për të mbajtur nën kontroll kostot që mund të materializohen në periudhën afatmesme, si rezultat i rritjes së normave të interesit në tregjet ndërkombëtare përtej pritshmërive; si dhe d) për të ulur presionin për hua në tregun e brendshëm.

Borxhi 52% në lekë dhe 32% në euro

Përbërja e borxhit shtetëror sipas monedhave në fund të vitit 2018 paraqitet pothuajse e njëjtë me atë të vitit të kaluar. Pjesën më të madhe të portofolit të borxhit shtetëror e zë monedha vendase me 52.3% të totalit, ndjekur nga monedha EUR me 32.0% dhe USD me 10.5%. Portofoli i borxhit të brendshëm vazhdon të dominohet nga monedha vendase dhe vetëm 1.7% e tij përbëhet nga monedha EUR. Ndërkohë, portofoli i borxhit të jashtëm kompozohet tërësisht nga monedha të huaja dhe mbizotëron me 66.3% monedha EUR, e ndjekur nga USD me 22.4%.

Bankat dominojnë borxhin, rritet lehtë pjesa e individëve

Qeveria po synon diversifikimin e mbajtësve të borxhit publik, por sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë “në tregun primar, kërkesa për tituj shtetërorë, megjithëse mbetet ende jo shumë e diversifikuar dhe e bazuar kryesisht te sektori bankar, gjatë vitit 2018 ka qenë e kënaqshme dhe ka pasur tendenca për t’u diversifikuar në drejtim të individëve”.

Gjatë vitit 2018, është testuar projekti pilot për emetimin e obligacioneve 5-vjeçare referencë në formën e sistemit Primary Dealer, i cili ka si objektiv stimulimin e aktivitetit të tregut sekondar. Ky projekt monitorohet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, si dhe realizohet në bashkëpunim me 5 zhvillues tregu (Market Makers). Në ankandet e obligacioneve referencë në tregun primar lejohet të marrin pjesë vetëm zhvilluesit e tregut (5 banka të nivelit të dytë), të cilët marrin përsipër të tregtojnë këtë titull në tregun sekondar. Pritshmëritë janë që ky projekt të nxisë tregtimin e titujve në tregun sekondar dhe të risë zbulueshmërinë e çmimit të titujve, duke reduktuar në këtë mënyrë kostot e huamarrjes në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.

Rezultatet paraprake të këtij projekti kanë treguar se ka pasur rritje të volumit të tregtimit të këtij titulli në tregun sekondar dhe për më tepër, edhe rritje të volumit të titujve me maturitet të mbetur 5 vite. Në vijim, Ministria e Financave dhe Ekonomisë po planifikon shtrirjen graduale të këtij projekti edhe në titujt me maturitete të tjera.

Rritje e moderuar e interesave

Gjatë vitit 2018, normat mesatare të ponderuara të titujve shtetërorë pothuajse qëndrojnë në nivele të ngjashme me vitin 2017, duke shfaqur një tendencë të moderuar rritëse në drejtim të obligacioneve me afat të gjatë maturimi. Megjithatë, që prej fillimit të vitit 2018, tendenca e normave të interesit ka qenë rënëse, duke reflektuar politikën monetare të Bankës së Shqipërisë dhe nivelin e kënaqshëm të kërkesës shoqëruar me presionin e ulët për hua nga qeveria./ Monitor

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekonomi

Rrjeti i përbashkët energjetik Kosovë-Shqipëri/ Tërbohet Serbia, ja si reagon zyrtari i lartë

Publikuar

-

Nga

Sikurse dhe pritej, nënshkrimi i marrëveshjes midis shqipërisë dhe Kosovës për një rrjet të përbashkët energjetik, që e shkëput këtë të fundit nga vartësia e Serbisë, ka sjellë reagimin e menjëhershëm dhe të ashpër të Beogradit zyrtar.

Nëpërmet një deklarate publike drejtori serb i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, e cilësoi nënshkrimin një “marrëveshje energjetike të Shqipërisë së Madhe”, ndërsa kërcënoi se “Serbia nuk do ta lejojë zbatimin e marrëveshjes energjetike Kosovë-Shqipëri”.

“Shqipëria e madhe energjetike” ekziston vetëm në ëndrrat shoviniste të disa politikanëve në Prishtinë. Serbia është pronare dhe ndërtuese e elektrorrjetit në Kosovë dhe për këtë kemi dëshmi të panumërta”, ka artikuluar Gjuriq në komunikatën e shpërndarë për mediat serbe nga zyra e tij.

Më tej po në të njejtën komunikatë zyrtare thuhet:

“Në sajë të angazhimit të Rrjetit Energjetik të Serbisë (EMS), dhe Elektroekonomisë së Serbisë si dhe të institucioneve përkatëse gjatë viteve të shkuara është penguar dhe ndaluar anëtarësimi i operatorit të Prishtinës, i cili ilegalisht shfrytëzon një pjesë të rrjetit tonë në Kosovë në (ENTSOE), ndërsa paralajmërimi për krijimin e Shqipërisë së madhe energjetike zbulon fytyrën e vërtetë shoviniste të politikës së Prishtinës”.

Sipas Marko Gjuriqit: “Blloku energjetik Kosovë-Shqipëri, që po synohet të krijohet, është i pazbatueshëm në terren ndaj dhe duhet të ndalet nga ana e bashkësisë ndërkombëtare para se ai të prodhojë pasoja për energjetikën rajonale, madje edhe për stabilitetin politik. Vijimësia e tij vulos perspektivën e dialogut”.

Marrëveshja energjetike Kosovë-Serbi që hyn në fuqi pranverën e ardhëshme, është pjesë e dialogut disa vjeçar ndërmjet dy vendeve, por, ajo asnjëherë nuk arriti të zbatohej. Kjo për faktin që Serbia pretendon pronësi mbi sistemin e transmisionit energjetik të Kosovës.

Në deklarimet e tyre zyrtarë të qeverisë së Kosovës, kanë konfirmuar se që nga shpallja e pavarësisë Kosova ka humbur mbi 170 milionë euro nga bllokada që Serbia i ka bërë rrjetit të transmisionit të Kosovës.

“Janë nga 10 deri në 15 milionë euro në vit, pa përfshirë edhe transmisionin me Shqipërinë, që nuk është venë në funksion pikërisht për këtë arsye. Pra, në përgjithësi janë mbi 170 milionë euro, që Serbia i arkëton në emër të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”, ka deklaruar Valdrin Lluka, drejtuesi në funksion i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, sipas të cilit: Kosova do të kërkojë kompensimin e këtyre humbjeve gjatë negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë dialogut Kosovë-Serbi, në vitin 2013 është nënshkruar dhe marrëveshja energjetike midis dy vëndeve. Në të është rënë dakord të krijohet një kompani e re, sipas kornizës ligjore të Kosovës, që do të furnizojë me energji elektrike konsumatorët në katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe. Por, kjo kompani nuk u regjistrua kurrë, sikundër që dhe jo pak marrëveshje të tjera.

Po ashtu, pjesa dërmuese e qytetarëve serb të Veriut të Kosovës, për vite të tëra nuk e paguajnë energjinë elektrike duke sjellë si pasojë humbjen që shkon deri në 8 milionë euro, shumë kjo që deri vitin e shkuar u është faturuar banorëve të pjesëve tjera të Kosovës…

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

Shkëputet nga Serbia/ Kosova, rrjet të përbashkët energjetik me Shqipërinë

Publikuar

-

Nga

Kosova do të bashkohet në rrjetin energjetik të Shqipërisë nga muaji prill i vitit të ardhshëm, sipas një marrëveshje të nënshkruar të hënën, duke i dhënë fund varësisë nga rrjeti i Serbisë, autoritetet e së cilës reaguan me zemërim.

Sikurse raporton media amerikane VOA, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë (OST), nënshkruan në Tiranë Marrëveshjen për themelimin e Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri.

Në një njoftim të KOSTT-it thuhet se “operimi si Bllok Rregullues i përbërë prej dy zonave rregulluese, ka për qëllim operimin më të lehtë të dy sistemeve elektro-energjetike si nga aspekti teknik ashtu dhe ai ekonomik. Kjo do të mundësojë operimin dhe balancimin më të lehtë të të dy sistemeve, zvogëlimin e kostove dhe shkëmbimin e rezervave të sistemeve”.

Njoftimi citon kryeshefin ekzekutiv të KOSTT-it Ilir Shala , të ketë thënë se: “kjo është marrëveshje historike për Kosovën meqë deri më tani ne si KOSTT kemi qenë brenda Zonës Rregulluese serbe (EMS), gjegjësisht brenda bllokut rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut)”.

Ndërsa administratori i përgjithshëm i OST-ut, Skerdi Drenova, tha se kjo “garanton sigurinë e operimit për të dy Sistemet Elektroenergjetike dhe krijon kushte të favorshme për shfrytëzimin optimal të burimeve gjeneruese brenda Bllokut”.

Në Beograd, shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriç, tha se “Shqipëria e madhe energjetike ekziston vetëm në ëndrrat shoviniste të disa politikanëve në Prishtinë”, ndërsa bëri thirrje që bashkësia ndërkombëtare të mos lejojë zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar në Tiranë.

Ai tha se Serbia është pronare dhe ndërtuese e rrjetit elektrik në Kosovë, ndërsa “blloku është i pazbatueshëm në terren dhe ai duhet të ndalet nga ana e bashkësisë ndërkombëtare para se të prodhojë pasoja për energjetikën rajonale, madje edhe për qëndrueshmërinë politike dhe të vulosë ardhmërinë e dialogut”.

 Kosova dhe Serbia kishin nënshkruar marrëveshje në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian sipas së cilës KOSTT-i dhe Operatori i Sistemit të Serbisë ( EMS), duhej të fillonin funksionimin si dy zona rregulluese të pavarura në përputhje me kërkesat e Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike (ENTSO). Por, ajo ende nuk është zbatuar sikundër edhe një pjesë e madhe e marrëveshjeve të arritura në bisedimet që synojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
LEXO TE PLOTE

Ekonomi

Rikuperimi i pasojave të tërmetit/ FMN i akordon 87 milionë euro Shqipërisë

Publikuar

-

Nga

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vendosur ti akordoj vendit tonë një kontribut financiar që shkon deri në 87 milionë euro. Lajmin e ka konfirmuar guvernatori Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një lidhje të drejtëpërdrejtë me studion e emisionit “Top Talk”, ku ka folur rreth situatës në të cilën ndodhet vendi ynë, pas goditjes tragjike të tërmetit të datës 26 nëntor.

“Kemi një facilitet të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që shkon në dispozicion të Shqipërisë, deri në 87 milionë euro, për t’u përdorur në këtë situatë. Është konvertimi i pjesës së SDR, i kontributit tonë, rreth 87 milionë euro, është teknike . Është një mundësi plus përveç ndihmave të donatorëve. Ne duhet të bëjmë maksimumin si Shqipëri që të tërheqim në mënyrë sa më të organizuar të gjitha ndihmat dhe donacionet që jepen nga donatorët ndërkombëtar dhe ata kombëtar.

Paralelisht me vlerësimin e gjendjes së dëmeve të tërmetit ne duhet të bëjmë një grumbullim sa më eficent të këtyre ndihmave dhe më pas të kalojmë në planin e rimëkëmbjes. Shqetësimi I Bankës Qendrore është si do të ndikojë kjo në parametrat makro ekonomikë, si do të ndikojë në rritjen ekonomike, në nivelin e inflacionit, në kursin e këmbimit, në stabilitetin financiar të vendit. NE kemi filluar të analizojmë, patjetër që ndikimet janë negative, sepse kjo është një faktor rreziku dhe në funksion të këtij faktori duhet të bëjmë analizat tona. Nëse niveli do të jetë plus-minus ne duhet të jemi në gjendje të ruajmë stabilitetin financiar”, ka artikuluar guvernatori Sejko, duke paralajmëruar mbajtjen e një takimi me bankat e nivelit të dytë, ditën e nesërme. /CNA.al

LEXO TE PLOTE