Connect with Us

“Zinë le t’ja mbaj Nexhmija”/ E arrestuan se u lye me buzëkuq kur vdiq Enveri, historia e rrallë e Nora Prosit

Histori

“Zinë le t’ja mbaj Nexhmija”/ E arrestuan se u lye me buzëkuq kur vdiq Enveri, historia e rrallë e Nora Prosit

Publikuar

-

Memorie.al publikon historinë e panjohur të professor, Fejzi Dikës, poetit dhe përkthyesit të famshëm i cili në periudhën e Monarkisë së Zogut ishte diplomuar për Filozofi në Montpelié, ku jetoi në një dhomë me Enverin, por pas mbarimit të Luftës rrugët e tyre u ndanë përgjithmonë pasi Fejziu kishte bindje antikomuniste dhe si rezultat, në vitin 1983 kur Enveri i dërgoi Sulo Gradecin për t’i kërkuar që të shkruante kujtimet për periudhën e studimeve në Francë, ai refuzoi në mënyrë kategorike. Pas kësaj në shënjë hakmarrje i arrestuan djalin, Nilsin dhe ja dënuan me 8 vjet burg politik, kurse ditën që vdiq Enveri, i arrestuan dhe bashkëshorten, Nora Prosi Dika, pasi ajo u vesh mirë dhe u lye me buzkuq të ndezur duke bërë xhiro në bulevardin kryesor të Tiranës në mënyrë demonstrative….

Nga Dashnor Kaloçi

Ndonëse Fejzi Dika e kishte pasur Enver Hoxhën shok klase që nga Liceu i Korçës dhe gjithashtu edhe gjatë periudhës së studimeve në Francë, ku ata të dy banuan në të njëjtën bujtinë për më shumë se dy vite, Fejziu nuk kishte   konsiderate pozitive për Enverin. Përkundrazi ai fliste  keq për ish- shokun e tij të klasës, duke thënë se gjatë kohës kur ata ishin në Francë, Enveri nuk studjonte fare dhe e kalonte të gjithë kohën duke u marrë me femra. Po kështu Fejziu na tregonte se Enveri jo vetëm që nuk ulej të studionte, por ai mundohej të vinte në lojë shokët e tij student që rrnin gjithë kohën mbi libra, duke u thënë se ata ishin të marrë. Këto gjëra Fejziu na i ka treguar që nga koha kur Enveri erdhi në pushtet në 1945-ën dhe kur binte biseda rreth tij, ai shprehej: ”Unë çuditem se si arriti ky person të dilte në krye të lëvizjes popullore, dhe të qëndrojë në krye të shtetit për disa dekada duke sunduar në mënyrë diktatoriale”. Aty nga fillimi i viteve 1970-të, Enver Hoxha me anë të njerëzve që shërbenin pranë tij, i dërgoi fjalë Fejziut, duke i thënë se e priste në zyrën e tij.

Por Fejziu nuk kishte asnjë dëshirë që të shkonte për t’u takuar me të, dhe u tha atyre se ishte i sëmurë e nuk dilte dot nga shtëpia. Pas kësaj Enveri i dërgoi Fejziut, Sulo Gradecin, i cili i tha atij që po të donte të shkruante kujtimet e tija për periudhën që kishte qënë në Francë me Enver Hoxhën. Por Fejziu refuzoi në mënyrë kategorike të shkruante kujtimet e tij për Enverin, duke thënë se nuk i kujtohej asgjë nga ajo kohë. Në atë kohë që ne e morëm vesh se Enveri e kishte kërkuar Fejziun, shkova menjëherë në shtëpinë e tij dhe i thashë: ”Meqense Enveri ka kërkuar të takohet me të gjithë ish-shokët e tij të vjetër, shko takoje dhe ti”. Pas kësaj Fejziu m’u përgjigj: ”Po rri moj Drita se nuk e njihni ju Enver Hoxhën, atë e njoh unë”.

Njeriu që flet dhe dëshmon për Memorie.al, është Drita Dika (Morava) vajza e xhaxhait e ish- profesorit të frengjishtes Fejzi Dika, e cila rrëfen gjithë historinë e panjohur të kushëririt të saj dhe marëdhëniet e tij me Enver Hoxhën, të cilin e kishte pasur shok klase që nga Liceu i Korçës dhe për dy vite kishin banuar së bashku në një bujtinë në Monpelié të Francës.

Po cila është e kaluara e Fejzi Dikës, si arriti ai të diplomohej në Francë dhe cili ishte qëndrimi i tij, pas kthimit në Shqipëri në periudhën e Monarkisë e gjatë viteve të pushtimit fashist? Cilat ishin arsyet që ai nuk u pajtua me politikën e regjimit komunist që erdhi në fuqi në vitin 1945 dhe përse ai e ndërpreu pasionin e tij të rinisë, poezinë, dhe nuk shkroi më asnjë varg deri sa vdiq në 1983-in. Si u arrestua ai në incidentin e bombës në Ambasadën Sovjetike në 1950-ën, dhe përse ambasadori sovjetik ndërhyri për lirimin e tij?

Cilat ishin mardhëniet e profesorit të frengjishtes me ish-shokun e klasës Enver Hoxhën dhe përse ai refuzoi të shkruante kujtimet për të? Përse bashkëshortja e Fejziut, Nora Prosi, doli me buzë të kuqe ditën që vdiq Enveri, dhe cila ishte përgjigja që u dha ajo njerëzve të Sigurimit të Shtetit, të cilët në shenjë hakmarrje i dënuan djalin me 8 vite burg politik. Lidhur me këto histori të panjohura të Fejzi Dikës e familjes së tij, na njeh me dëshminë e saj kushërira e tij, Drita Dika, si dhe bashkangjitur me këto dëshmi, po publikojmë edhe disa nga shënimet autobiografike që Fejziu ka lënë të shkruara me dorën e tij.

Pasioni e Fejziut për poezinë

Sipas dëshmive të të afërmve të Fejzi Dikës dhe të njohurve të tij të ngushtë, përveçse një zgjuarsie natyrale, ai ishte dhe shumë studjoz, gjë e cila u vu re që në bankat e Liceut të Korçës ku ai doli me rezultate të larta dhe fitoi të drejtën e studimit për në Francë. Periudha e qëndrimit në Francë e ndihmoi atë dhe në formimin e mëtejshëm si intelektual, pasi ai përveç fushës së Filozofisë ku dhe u diplomua, studjoi letërsinë botërore dhe arriti të njihte dhe përvetësonte më së miri kryeveprat e asaj letërsie.

Por një nga pasionet më të mëdha që kishte Fejzi Dika, ishte poezia, pas së cilës ai  shkëlqeu që kur ishte në Liceun e Korçës në fundin e viteve ‘20-të. Lidhur me këtë, Drita Dika (Morava) dëshmon: “Pasionin e tij për poezinë Fejziu e ushtroi  edhe gjatë viteve që studio në Francë, por periudha më e artë e krijimtarisë së tij ka qenë në vitet 30-të, kur ai nisi të botojë poezitë e tij të para në gazetat e revistat letrare të asaj kohe. Që me prezantimet e tij të para në shtyp, ai u bë shumë i njohur si poet lirik dhe kritika e asaj kohe e krahasonte atë me Lasgush Poradecin, të cilin Fejziu e kishte mik të ngushtë.

Ndarja me Enver Hoxhën

Ndonëse Fejzi Dika e kishte  pasur Enver Hoxhën shok klase që në bankat e Liceut dhe gjithashtu edhe në Francë ku jetuan për afro dy vjet në të njëjtin ambient, Fejziu nuk kishte asnjë lloj konsiderate për Enverin dhe rrugët e tyre u ndanë që pas kthimit nga Franca. Si gjatë viteve të Monarkisë ashtu dhe në kohën e pushtimit fashist të Shqipërisë, ndryshe nga shoku i tij Enver Hoxha, Fejziu nuk u përzie fare në politikë, por ai iu përkushtua vetëm poezisë dhe studimeve në fushën e Filozofisë e Pedagogjisë. Ndonëse Fejziu kishte bindje antifashiste, gjë e cila bëhet e ditur edhe nga dëshmitë e të afërmve të tij e nga shënimet autobiografikeqë ai ka lënë të shkruara, ai po ashtu ishte edhe një antikomunist i vendosur. Këtë qëndrim ai e mbajti edhe pas vitit 1944 ku komunistët erdhën në pushtet dhe ish-shoku i tij u bë numri një i shtetit shqiptar.

Lidhur me këtë, vajza e xhaxhait të tij, Drita Dika (Morava) dëshmon: ”Fejziu jo vetëm që nuk ushqente asnjë lloj simpatie për Enver Hoxhën, por përkundrazi ai e urrente atë dhe bënte habi se si ai njeri me karakter e moral të dobët, e me shumë mungesa në formim e kulturë, që nuk kishte hapur asnjë libër në Francë, u bë udhëheqësi kryesor i Shqipërisë. Fejziu kur na tregonte për periudhën e Francës, na thoshte shpesh se Enveri jo vetëm që nuk ulej asnjëherë të studionte, por ai i përbuzte dhe mundohej t’i vinte në lojë shokët e tij, të cilët i quante dhespot. Këtë qëndrim ndaj Enverit, ai e mbajti edhe në atë kohë që Enveri erdhi në pushtet dhe nuk i shkoi asnjëherë për t’u ankuar për padrejtësitë e shumta që i bëheshin.

Duke qenë se Fejziu e urrente shumë regjimin komunist që erdhi në fuqi në vitin 1944, ai (martesën e dytë) e lidhi me familjen Prosi, e cila konsiderohej një familje borgjeze dhe reaksionare. Në vitin 1951, (pasi gruaja e parë pati një sëmundje të pashërueshme dhe ndërroi jetë) Fejziu u martua me një vajzë të re, të quajtur Nora Prosi, ndonëse e dinte mjaft mirë se ajo martesë do t’ia rëndonte akoma dhe më shumë pozitën e tij në sytë e regjimit në fuqi. Nora rridhte nga një familje e njohur aristokrate, Prosi (të cilët e kishin shtëpinë aty ku sot është Muzeu Kombëtar) dhe babai i saj, Athanas Prosi, kishte mbaruar për Stomatologji dhe kishte një klinikë private. Në atë kohë pas martesës, Fejziu së bashku me Norën, u vendosën me banim tek shtëpitë e Prosëve, pasi ai nuk kishte një banesë të tijën në Tiranë”, kujton Drita Dika (Morava) lidhur me martesën e kushëririt të saj me Nora Prosin.

Arrestimi për incidentin e Ambasadës

Pak kohë pas martesës me Fejziun, Nora Prosin e hoqën nga puna si spikere e Radio – Tiranës, duke e cilësuar si pinjolle të një familje borgjeze e reaksionare. Lidhur me peripecitë që e ndoqën Fejzi Dikës në atë kohë, Drita dëshmon: “Aty nga fillimi i vitit 1951 kur ndodhi incidenti i bombës në Ambasadën Sovjetike, në mes shumë të arrestuarve, gjoja si të implikuar në atë ngjarje, ishte dhe Fezi Dika, i cili në atë kohë u jepte mësime private të gjuhës shqipe disa nënpunësve të asaj ambasade.

Atë ditë që mësuam arrestimin e Fejziut, unë dhe motrat e mija u mërzitëm shumë dhe duke ditur problemet e tij me Enver Hoxhën, mëndja na shkonte vetëm për keq. Duke qenë se ne nuk kishim vëlla dhe Fejziun e kishte rritur babai ynë Asimi, ne e konsideronim atë si vëllanë tonë dhe ai na quante motra. Fejziu mundi të lirohej, vetëm një ditë para se 22 personat e arrestuar t’i çonin drejt pushkatimit dhe kjo gjë u bë e mundur vetëm në sajë të ndërhyrjes së vetë ambasadorit sovjetik tek Enver Hoxha, i cili i doli atij garant se Profesor Fejzi Dika, nuk mund të ishte i implikuar në hedhjen e bombës në ambasadën e tyre.

Po të mos kishte qenë ambasadori sovjetik, pushkatimi i Fejziut do të ishte i pashmangshëm, për arsye se në grupin e 22 personave që u pushkatuan gjoja si të implikuar për hedhjen e bombës, një pjesë e tyre kishin studiuar me Enverin në Francë. Atë ditë që u lirua ai, të gjitha ne motrat kishim dalë për ta pritur në qendër të Tiranës, aty ku ka qenë”Kursali” dhe sapo u takuam, ai na tha: ‘Shpëtova dhe këtë herë”, kujton Drita Dika, lidhur me arrestimin e Fejziut për incidentin e Ambasadës Sovjetike në Tiranë në marsin e vitit 1951.

Në shoqërinë e Lasgush Poradecit

Pas ngjarjes së “bombës në ambasadën sovjetike”, me urdhër të qeverisë shqiptare, profesor Fejzi Dikën e larguan nga ajo ambasadë ku ai u jepte mësime private disa nënpunësve të saj. Kjo gjë dëshmohet edhe nga shënimet autobiografike që Fejziu i ka shkruar vetë pak kohë para vdekjes. Në atë kohë edhe gruaja e tij Nora ishte pushuar nga puna dhe gjëndja e tyre ekonomike ishte mjaft e vështirë, pasi u kishte lindur dhe fëmija i parë, Edgari. Lidhur me këtë gjë, Drita Dika dëshmon: ”Pasi ngelën të dy pa punë, Nora u detyrua dhe filloi të qepte me makinë për të përballuar jetesën dhe gjëndjen e vështirë në të cilën ndodheshin.

Në atë punë filloi ta ndihmonte edhe Fejziu, pasi në atë kohë atë nuk e lejuan që të jepte mësime private për gjuhët e huaja. Pas disa kohësh, në varësi të konjukturave politike të kohës, Fejziut i dhanë të drejtën të punonte si profesor i frengjishtes në disa nga gjimnazet e kryeqytetit. Por edhe pse u lejua të punonte në arsim, Fejziu hoqi dorë njëherë e përgjithmonë nga pasioni i për poezinë, sepse ai nuk mund të pajtohej me frymën e realizmit socialist që në atë kohë kishte pllakosur letërsinë dhe të gjitha fushat e artit. Përveç njohjes së Filozofisë dhe Letërsisë botërore, ai kishte njohuri të shumta edhe për pikturën, skulpturën, muzikën, dramaturgjinë etj.

Fejziu nga natyra ishte një tip romantik, me ndjenja të holla dhe shumë sentimental. Në ato vite pjesën më të madhe të kohës ai e kalonte në shtëpi duke studiuar, apo duke biseduar me babanë tim Asimin që kishte qenë mësues. Edhe pse ishte në një gjendje të vështirë ekonomike, Fejziu e mbante shumë veten. Gjatë dimrit ai dilte i veshur shik. Kur dilte nga shtëpia ai shkonte në kafe “Kursal“ ku e prisnin miqtë e tij të vjetër, Lasgush Poradeci, Skënder Luarasi, Petro Marko, Sterio Spase, Mal Osmani etj, me të cilët bënte diskutime të gjatë për Filozofinë dhe Letërsinë. Përveç Lasgush Poradecit me të cilin kishte një miqësi të hershme, Fejziu kishte një shoqëri të ngushtë edhe me Profesor Skënder Luarasin, me të cilin kalonte pjesën më të madhe të kohës”, kujton Drita Dika për kushëririn e tij.

I refuzon Enverit kujtimet

Profesori dhe përkthyesi i famshëm i frengjishtes Fejzi Dika, pasi punoi si mësues i letërsisë dhe frengjishtes në disa nga gjimnazet e kryeqytetit, në vitin 1967 doli në pension. Aty nga viti 1973-‘74, ish-shoku tij i klasës, Enver Hoxha, i cili kishte filluar të shkruante kujtimet, u kujtua se një nga shokët e tij të Francës që jetonte ende dhe mund ta ndihmonte në atë punë, ishte dhe Fejzi Dika. Lidhur me këtë, Drita Dika dëshmon: ”Në atë periudhë me anë të njerëzve që shërbenin pranë tij, Enveri i dërgoi fjalë Fejziut, që të shkonte për ta takuar në zyrën e tij.

LEXO EDHE:  Braçe i përgjigjet Bashës për arrestimin e Dakos

Por Fejziu nuk kishte asnjë dëshirë për ta takuar dhe refuzoi në mënyrë kategorike, duke u thënë atyre se ai ishte i sëmurë dhe nuk dilte dot nga shtëpia. Pas kësaj Enveri dërgoi Sulo Gradecin, në shtëpinë e Fejziut dhe i tha se po të kishte mundësi të shkruante disa kujtime nga Franca, ku ai kishte qenë bashkë me Enverin. Por përsëri Fejziu nuk pranoi të shkruante kujtimet, duke i thënë Sulos se nuk i kujtohej asgjë nga ajo kohë. Në atë kohë që ne e mësuam se atë e kishte kërkuar Enveri, unë shkova menjëherë në shtëpinë e tij dhe i thashë:”Fejzi, meqënse Enveri i ka takuar të gjithë ish-shokët e tij të Francës, shko takoje dhe ti”.

Pas fjalëve të mia, ai m’u përgjigj: ’Po rri moj Drita se nuk e njeh ti Enver Hoxhën, atë e njoh unë…! Fejziu nuk kishte asnjë dëshirë që të shkruante kujtimet për Enver Hoxhën, sepse ai nuk kishte asnjëlloj konsiderate pozitive për të, përkundraziai bënte çudi dhe na thoshte se si ishte e mundur që një njeri që nuk hapi asnjë libër në Francë, të vinte në krye të shtetit shqiptar. Pas refuzimit të Fejziut për të shkruar kujtimet, në shenjë hakmarrje, dy djemve të tij, Edgarit dhe Nilsit, nuk ua dhanë të drejtën për të vazhduar studimet e larta dhe ata punuan si punëtor në ndërmarrje të ndryshme”, kujton Drita lidhur me refuzimin që Fejziu i bëri Enver Hoxhës, për të shkruar kujtimet e Francës dhe hakmarrjen e tij duke ia lënë dy fëmijët pa shkollë.

Burgosja e djalit, Nilsit

Pasi kaloi një jetë plot peripecira dhe incidente, Profesori Fejzi Dika, ndërroi jetë në moshën 76-vjeçare, me 16 janar të vitit 1983. Lidhur me vdekjen e tij, Drita dëshmon: ”Ndonëse Fejziu e familja e tij shiheshin me sy të keq nga rregjimi komunist që i konsideronte ata borgjez dhe reaksionar, në vdekjen e tij, përveç ne të afërmëve të familjes, nuk munguan dhe disa nga shokët e tij që kishin mbetur ende gjallë. Fjalën e fundit mbi trupin e tij e mbajti Petro Marko, i cili foli me superlativa për ish-shokun e tij.

Afro dy vjet e gjysëm më vonë, ditën që u mësua lajmi i vdekjes së Enver Hoxhës, e veja e Fejziut, Nora Prosi, pasi u vesh mirë dhe u lye me buzëkuq të ndezur, doli në shëtitje në Tiranë në mënyrë demonstrative që ta shikonin të gjithë. Në atë kohë Nora njihej mirë nga organet e Sigurimit, sepse familja e babait të saj, me dy vëllezërit Serafinin e Vlashin ishin të internuar në Dumre. Po kështu, i vëllai tjetër i saj Tonini, (muzikant i njohur, njeriu që i mësoi fizarmonikën Agim Krajkës) pasi kishte bërë dhjetë vjet burg, ishte arratisur nga Shqipëria. Nisur nga këto, dalja e Nora Prosit me buzë të kuqe ditën e vdekjes së Enver Hoxhës, ra menjëherë në sy të oficerëve të Sigurimit, të cilët e arrestuan menjëherë atë, në afërsi të Gjykatës së Lartë dhe e izoluan në një nga zyrat e saj.

Aty oficerët e Sigurimit i thanë: ”Pse nuk mban zi për Enver Hoxhën, po je veshur kështu dhe del me buzë të kuqe?! ”Pas kësaj Nora iu përgjigj: ‘Unë jam veshur si i ka hije një intelektuale dhe sa për zinë për Enverin, atij le t’ia mbaj Nexhmija zinë’. Sigurimi i Shtetit e liroi Norën sepse ajo ishte në një moshë të thyer, por atë që bëri nuk do t’ia falte kollaj. Në shënjë hakmarrje, ata i arrestuan djalin e dytë Nilsin, të cilin e dënuan me shtatë vjet burg politik”, kujton Drita lidhur me dënimin e djalit të Fejziut, për arsye se nëna e tij Nora, doli në shëtitje me buzë të lyera, ditën e vdekjes së Enver Hoxhës. Në varrezat publike të Tufinës, ku prehet trupi i Fejzi Dikës, sipas amanetit që ai ka lënë, ndodhet i shkruar një epitapf, ku thuhet:

”Hodha trupin si lëvere

dhe qëndroj si shpirt i lire

në ç’do vënd në hapsirë

në botën pa mister.

I njehsuar krejt me jetën

përshkoj mbarë gjithësinë

bimën, shtazën dhe njerinë

Tani rroj me të vërtetën

mora formën e paprekshme

e gjeta qetësinë”.

Kush ishte Fejzi Dika, shoku i Enverit që s’u pajtua kurrë me të

                                             shënime autobiografike

Linda në Gostivisht të Kolonjës më 15 dhjetor 1907. Im atë Axhemi, i biri i Ajdinit, ishte një besimtar i bindur bektashi, me arsim shtatëvjeçar. Pas ardhjes sime në këtë botë, ai pati edhe dy fëmijë të tjerë, një vajzë dhe një djalë, të cilët vdiqën të vegjël, në ullishtat e Vlorës më 1914. Mëma ime, Zembereja, ishte bijë nga fshati. Ajo shquhej nga pamja, si punëtore dhe grua e urtë. Si gjithë kolonjarët, edhe familja ime e braktisi ç’kishte, për t’u shpëtuar mizorive greke dhe zuri ullishtat e Vlorës. U end andej- këtej në rrethin e Vlorës dhe atë të Beratit. Me t’u tërhequr grekët nga Kolonja dhe me ardhjen e italianëve, u kthye në fshat më 1916. Në atë kohë mamaja ime vuajti shumë: Banonte në një plevicë duke u ushqyer me barishte të kriposura me një dorë miell, të cilave u hidhte disa pika vaj. Gripi spanjoll rrëmbeu dy prindërit e mi dhe unë mbeta vetëm në mes të udhës.

Një fqinj i familjes sime më strehoi, sepse kësisoj bëhej zot i tokave që më takonin mua. Unë kisha dy ungjër: Etemin dhe Asimin. Njëri ndodhej në Amerikë, tjetri në pjesën e Shqipërisë të okupuar nga ushtria austriake. Kështu që asnjeri prej tyre nuk mund të më vinte në ndihmë. Me mbarimin e luftës, Asimi i cili ishte mësues më mori në mbrojtjen e tij. Ai erdhi në Ersekë. Unë banoja më atë dhe nën drejtimin e tij kreva shkollën fillore pesë klasë më 1921. Kërkova bursë për të vazhduar në Liceun e Korçës, i cili kishte një vit që ishte hapur dhe preferohej nga të gjithë, sepsë profesorët ishin francezë dhe tekstet e lëndëve ishin po ato që përdoreshin në Francë. Lutja ime për të plotësuar arsimimin tim, mbeti pa përgjigje. Ndejta një vit pa shkollë. Vitin tjetër, im ungj, duke më parë vazhdimisht të mërzitur, më shpuri në Korçë dhe më la të banoja në “Hanin me dy porta”, në një dhomë bashkë me një shok të fillores, e më caktoi njëzet franga si shpenzime mujore. Kjo shumë, në shtrejtësinë e pasluftës, ishte e mjaftueshme për një jetesë të mjerueshme.

U regjistrova në Lice, në klasën e shtatë. Punoja me zell të madh dhe qëndroja në një nivel të mirë të klasës, sa çdo muaj më jepnin tabelën e nderit. Gjatë kësaj kohe që vazhdoja mësimet në Lice, erdhi dhe më takoi drejtori, zoti Leon Monbayrran dhe duke më pyetur imtësisht, mësoi nga unë  gjendjen time të mjerueshme. Ai përdori të gjithë autoritetine tij pranë Ministrisë së Arsimit që të më jepej bursa, dhe pati rezultat. M’u sigurua jetesa në internat. Vazhdova rregullisht mësimet e mesme deri sa i kreva. Në shtator 1930, shkova në Francë, në Monpelié, si bursist, për të studjuar histori e gjeografi. Ky drejtim studimesh m’u inponua, kurse mua më pëlqente Filozofia. Një vit frekuentova fakultetin në degën e caktuar dhe vitin e dytë u futa në degën e Filozofisë ku pata rezultate përfundimtare të mira. Por inisiativa ime më vuri në rrezik të më pritej bursa. U ktheva në Shqipëri, ku, me ndërhyrjen e dy njerëzve shpirt mirë dhe me një rekomandim të zjarrtë të profesorit tim të Filozofisë, Marcel Foucault, dola nga kjo situatë e vështirë. Ministri i Arsimit, Hil Mosi, ma njohu të drejtën të kryeja studimet në Filozofi, por me kusht, bashkë me ato të Pedagogjisë. Pikërisht ashtu ndodhi.

Në gusht të vitit 1934, kthehem në Shqipëri. Martohem me një mësuese të ve, Bahire Kasimati, një moshatare me mua, i tërhequr nga kultura e saj. Në tetor, emërohem profesor i gjuhës frënge në Elbasan, ku jap mësime mbi sociologjinë, gjithashtu dhe në lëndë pedagogjike. Invadimi i Shqipërisë nga forcat fashiste italiane më tronditi shumë. Bashkë me gruan lamë ç’kishim, me qëllim që të largoheshim nga atdheu sepse na tmerronte zgjedha e huaj. Kur mbrimë në Korçë, kufiri me Greqinë, i cili qëndroi hapur 24 orë, sapo ishte mbyllur. U detyruam të ktheheshim në krye të detyrës. Në dhjetor 1939, u transferova në Liceun e Korçës si profesor i frengjishtes dhe i filozofisë. Atje më gjeti lufta italo-greke. Dy ditë para hyrjes së grekëve në Korçë bashkë me gruan, ika me rrëmbim, sepse i kisha të gjalla mizoritë e tyre të 1914-ës.

Me t’u dëbuar ata nga trualli i Shqipërisë, e zura përsëri vëndin që mbajta në Lice dhe më pas më emëruan si drejtor. Nuk më pëlqeu aspakqë të mbaja ofiqe nën okupatorin. Luftova për t’u shkarkuar nga përgjegjësia dhe ia mbërrita qëllimit duke mbetur si arsimtar i thjeshtë. Në fund të qershorit 1942 m’u sëmur gruaja dhe e shpura në Romë për ta kuruar, ku qëndrova dhe vetë me të. Pas katër muajsh erdhëm në Shqipëri, ku gjetëm transferimin për në Tiranë. Me çlirimin e Shqipërisë, të gjithë arsimtarët u konsideruan të pushuar. Kur dualën riemërimet, unë isha caktuar si profesor i frengjishtes në shkollën Tregtare të Vlorës. Nuk pranova të largohem nga Tirana, sepse gruaja ime vazhdonte të ishte e sëmurë.

Qëndrova tre muaj pa punë, pastaj u dërgova në Vlorë i mobilizuar. Atje shërbeva tre muajtë e fundit të vitit shkollorë 1944-1945. Vitin shkollorë 1945-1946 e bëra në shkollën Pedagogjike të Elbasanit. U riktheva në gjimnazin e Tiranës si profesor i frengjishtes. Me heqjen e frengjishtes nga shkollat, u ngarkova të jepja Letërsi në Politeknikumin “17 Nëntori”. Aty pata rastin t’u mësoja gjuhën shqipe katër profesorëve sovjetik brënda një viti. Suksesi që pata me ta, bëri që të konsiderohesha si një person i aftë për t’u mësuar shqipen të huajve në kohë rekord, gjë që më siguroi një të ardhme të mirë përveç rrogës. Mirpo Shemsi Totozani, zëvëndës ministëri i Arsimit më transferoi në Liceun e Gjirokastrës, në vitin 1949, ku vajta si i mobilizuar.

Në fillim të vitit shkollor 1950-1951 m’u komunikua pushimi. U ktheva në Tiranë, ku kisha gruan e sëmurë. Pasi ajo u nda nga jeta, u martova me Nora Prosin, të cilën e kisha njohur nja pesëmbëdhjet muaj më parë kur ajo ishte koriste në Teatrin e Shtetit. Tani ajo ishtej pa punë sikurse edhe unë. Lumturisht u thirra në Ambasadën Sovjetike për t’u mësuar shqipen disa punonjësve të saj, i paguar me orë. Atje fillova të jap mësime edhe në gjuhën frënge. Këtë punë e bëra dhe me rusë të tjerë, të ardhur me shërbim në Tiranë. Të ardhurat nga kjo punë ishin të trefishta nga ato si profesor.

Por pas tre vjetësh e gjysëm, me ndërrimin e gjithë personelit të Ambasadës, me ndërhyrjen e qeverisë sonë, më larguan, dhe mbeta si peshku pa ujë. Gruaja ime Nora, kishte hapur një rrobaqepsi dhe kishte mjaft klientë, unë u bëra ndihmësi i saj në të qepur, në pastrim shtëpie dhe në të gatuar, për t’i shpëtuar punës së krahut. Në këtë mënyrë jetova një vit e gjysëm. Kishim një djalë pesë vjeç dhe ishim në pritje të ardhjes dhe të një fëmije tjetër të dytë. Pikërisht në këtë kohë, hyra në punë si përkthyes i gjuhës frënge në Kryesinë e Bashkimit të Grave.

Ngarkesa e punës intensive dhe mërzitja më sëmurën: Fillova të vuaja nga hipertensioni dhe zemra. Me kërkesën time, u shqyrtua ç’ështja e punësimit tim si profesor dhe m’u njoh e drejta të kthehesha në Arsim, pas katër vitesh punë në Kryesinë e Bashkimit të Grave. Kësisoj e mbylla veprimtarinë time si profesor, duke dalë në pension në moshën gjashtëdhjet vjeç.

Këtë shënim autobiografik që Fejzi Dika i ka shkruar pak kohë para vitit 1983 kur ai u nda nga kjo jetë dhe ia ka lënë në ruajtje familjes, nuk e pasqyrojnë plotësisht gjithë tabllonë e vërtetë të jetës së tij. Sipas dëshmive të familjarëve dhe të afërmve të tij, ai ka pasur një jetë plot vuajtje dhe peripeci. Profesori rebel i gjuhës frënge Fejzi Dika, duke dashur që të mos u sillte më telashe familjes, në kujtimet e tij nuk flet asnjë fjalë për ish-shokun e tij të klasës, Enver Hoxhën, gjë e cila tregon se ai i qëndroi besnik fjalës që i kishte dhënë vetes, që të mos shkruante asgjë për të. Ai gjithashtu përveç autobiografisë, ka lënë në dorëshkrim edhe 99 poezi, me amanet që ato të ruhen, duke thënë se:”Do të vij koha që të botohen një ditë”

Memorie.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Histori

I panjohuri që mashtroi për 8 muaj Sigurimin e Shtetit

Publikuar

-

Nga

Në vitin 1960, Sigurimi i Shtetit ishte afirmuar në qëllimin e vet. Ai kishte pasur sukses të mënjanonte të gjitha përpjekjet nga jashtë për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës dhe, nga ana tjetër, të vendoste nën kontroll absolut popullin e thjeshtë.

Por pikërisht në kohën kur kjo polici sekrete i kishte futur frikën në palcë një populli të tërë, kur askush nuk guxonte të mendonte se mund ti bënte bisht tutelës që ajo kishte vendosur, një i panjohur, duke u hequr si oficer me gradën major, arriti të depërtojë, me një lehtësi të admirueshme, deri në zemër të këtij shërbimi sekret.

Historia thotë se për 8 muaj me radhë ai u trajtua nga kolegët si oficer dhe si major i Sigurimit të Shtetit në Shkodër, dhe sidomos në Durrës, duke përfituar edhe gjithë atributet e konfortin që ofronte ky post i lartë.

Posedoi armë dhe uniformë me grada majori, mori pjesë dhe dha mendime për arrestime të ndryshme, u akomodua dhe ushqye pa paguar asnjë qindarkë në hotelet dhe restorantet më të mira, madje falë postit të ri të punës, realizoi në kohë rekord edhe një fejesë me vajzën që i pëlqente.

Pas zbulimit, ngjarja do të shokonte strukturat më të larta të Sigurimit të Shtetit. Ajo ishte aq e paimagjinueshme saqë nuk arrinin ta besonin as ata që më pas do të hetoheshin dhe gjykoheshin si viktimat e saj.

LEXO EDHE:  Thellohen hetimet ndaj ish-Kryeprokurorit/ Pritet  arrestimi i Adriatik Llallës

LEXO EDHE:  Braçe i përgjigjet Bashës për arrestimin e Dakos

Policia Politike e Partisë së Komunistëve shqiptarë, syri i mprehtë i saj, ishin vënë në lojë nga një personazh krejt i pakualifikuar. Përsosmëria e organit më të rëndësishëm të sigurisë së diktaturës komuniste ishte vënë në pikëpyetje.

Por kush ishte personazhi që për 8 muaj me radhë, nën një identitet të sajuar, i dha vetes mundësinë të kalonte një pjesëz të jetës ashtu siç mbase e kishte parë vetëm nëpër filma, apo vetëm në ëndërr? Në çfarë rrethanash ja kishte mundësuar vetes këtë aventurë?

LEXO TE PLOTE

Histori

“Dy policët e Spaçit na torturuan barbarisht mua dhe shokun e burgut”/ Letra nga Chicago e të arratisurit

Publikuar

-

Nga

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Kaso Hoxhës me origjinë nga fshati Markat i Sarandës ku dhe kaloi fëmijërinë e tij, i cili u arrestua nga Sigurimi i Shtetit në vitin 1974 për shkak se i gjetën në shtëpi disa poezi me përmbajtje armiqësore kundër regjimit komunist dhe u dënua me 10 vite burg, që i vuajti të gjitha në kampin famëkeq të Spaçit, dhe pasi doli në vitin 1985-së, mundi të arratisej në Greqi ku dhe fitoi azilin politik për në SHBA, ku jeton dhe aktualisht në shtetin e Chicago.

Ç’farë thuhet në letër-këmbimin e Kaso Hoxhës me zonjën Melanie Anderson, sekretare e Amnesty International për degën e Londrës, në korrespodencën e tyre të gjatë në vitin 1985-së, ku ajo organizatë i kërkonte të dhëna lidhur me të burgosurit e Spaçit dhe në mënyrë të veçantë për Dilaver Hasën me origjinë nga fshatrat e Peshkopisë, i cili ishte arratisur nga Shqipëria dhe pasi kishte qëndruar për disa kohë si azilant politik në Stockholm, kishte pranuar të kthehej në Shqipëri, ku dhe u arrestua e u dënua me 20 vite burg.

Si e përshkruan Kaso Hoxha në ditarin e tij që kishte mundur ta nxirrte nga burgu në fshehtësi të plotë dhe ia dërgoi Amnesty International, historinë e dhimbëshme të bashkëvuajtësit të tij, Dilaver Hasa, që vetë Dilaveri ia tregoi kur ata të dy vuanin dënimin në qelinë nr. 4 të Spaçit, ku i kishin futur për dënim pasi i kishin torturuar dy policët…?!

Letra e amigrantit politik, Kaso Hoxha, në 1985-ën nga Chicago për Melanie Anderson, sekretare e Amnesty International për degën e Londrës

Letër drejtuar Amnesty International

Sekretares zonjës Melanie Anderson

Për jetën e Dilaver Hasës, me origjinë Dibran

Dilaver Hasa, shoku i Qelisë nr. 4

Ka diçka jo të zakontë se si u njoha me këtë njeri në errësirat e përjetëshme të galerive në Minierën e Bakrit Spaç. Kishte kohë që kishte ardhur në Burgun 303 në Spaç, punonte në zonën e III-të, në këtë zonë që punoja dhe unë, por që isha tjetër turn. Sepse këtu punohej me tre turne pa pushim, duke i ndërruar turnet çdo javë, turni i parë kthehej i III-të, i II-ti kthehej i I-rë dhe i III-ti kthehej i II-të. Unë isha turni i parë kur u njoha me Dilaverin dhe Dilaveri ishte turni i III-të. Ai e linte punën në orën 6 e 30 të mëngjezit dhe unë në këtë orë kthehesha në galeri për të filluar.

Ishte ditë maji e vitit 1979, pranvera kishte kohë që kishte ardhur mbi tokë, por ne ishim të dënuar, as të mos shihnim gjelbërimin, as të mos ngroheshim në rrezet e diellit dhe as të mos thithnim ajrin e pastër të atmosferës, se ishim të dënuar të gjithë me vdekje, tortura e urisë dhe puna e rëndë na e merrnin shpirtin pak dhe nga pak.

Ne që ishim turni i parë po hynim në galeri, kurse turni i tretë që sapo kishte mbaruar punë, priste në rresht që polici t’i fuste në kamp. Me sa dukej nga të bërtiturat e të sharat e polic Ndue Dedës, një i burgosur akoma nuk e kishte mbaruar normën që i ishte caktuar.

Po ecja në errësirën e zezë të galerisë për të vajtur në vëndin e punës që ishte 2000 metra thellë, kur në një kryqëzim më del përpara Dilaveri. Këtij i ishte rrëzuar vagoni nga pjatina ku do të kthehej. Mundohej që ta kthente me një levë, por ishte e kotë se ai peshonte 1 ton. I lodhur i raskapitur nga puna dhe pagjumësia, nga uria dhe nga torturat, ai shante dhe mallkonte veten e tij. Fytyra e tij ishte e nxirë nga pluhuri i zi i bakrit, djersët i kullonin rrëke nga fytyra, sepse vete miniera me temperaturën e saj të lartë shkakton djersë, pa punuar, e jo më të punosh në kushte kaq të rënda të kësaj miniere primitive.

Kur e pashë në atë gjëndje aq të lodhur dhe të mjeruar këtë njeri, që ishte i panjohur për mua, më erdhi keq dhe e ndihmova të ngrinte vagonin që ta vendoste mbi shina. Ai më falenderoi, më pyeti se kush isha sepse si fytyrë më njihte, më shihte çdo ditë kur shkëmbeheshim në rrugë, por nuk na ishte dhënë rasti që të bisedonim e të njiheshim më nga afër. Që nga kjo kohë kishin kaluar më tepër se 6 muaj kur unë me Dilaverin pata mundësinë të njihem.

Ishte dhjetori i vitit 1979, data shtatë. Unë isha turni i dytë, po e merrja punën në orën 2 e 30 pasdite, kurse Dilaveri ishte i pari dhe po e linte punën. Që nga ajo ditë që u njohëm brenda në galeri, përshëndesnim njeri tjetrin, por sot Dilaveri nuk pati dot mundësi të më përshendeste, sepse polici Ndue Doda i kishte lidhur duart me tel dhe ja kishte përdredhur aq shumë sa teli ishte futur në mish, duart ishin enjtur dhe nxirë sepse ishte bllokuar qarkullimi i gjakut.

LEXO EDHE:  Trafikimi i qënieve njerëzore/ Arrestohen pesë persona, mes tyre një polic

LEXO EDHE:  Berisha publikon çastet e arrestimit të "Eskobarit"

Binte një llohë bore dhe dukej se koha do të përkeqësohej. Të burgosurit që lanë punën prisnin në rresht që polici t’ju jepte urdhër që të futeshin në kamp. Ata ishin të lodhur, të uritur, në sytë e tyre ishin formuar rrathë të zinj, rrobat e tyre të lagura gjithë baltë, po qulleshin më tepër nga shiu i ftohtë që vazhdonte të binte.

E pashë Dilaverin tek po e torturonte polici. Ai mezi po e duronte dhimbjen duke shtërnguar nofullat e po vështronte me urrjejtje policin, atë egërsirë të pashpirt. Fatin e Dilaver Hasës e patën gjithë ata emigrantë shqiptarë që u kthyen në Shqipëri. Qeveria e Enver Hoxhës i mashtroi duke u premtuar se do t’i linte të lirë, por që këta njerëz sa shkelën në tokën shqiptare, u arrestuan, u morrën pasurinë dhe lekët duke ua konfiskuar dhe i dënoi me burgime të rënda që shkon deri 25 vjet. I tillë ishte fati i Zenel Spahiut me gjithë vëlla që u kthyen nga Franca, i Kipe Avdiut që u kthye nga Amerika, i Sabri Kodrës që u kthye nga Gjermania, e shumë të tjerë.

Këtë ditë pata edhe unë fatin e Dilaverit. Unë nuk pranova të punoja në një galeri të pa siguruar ku të kërcënohej jeta. Polici i turnit tim, Mark Marku më çoi në zyrën e tij, më lidhi me tela duar dhe këmbë, duke më mbërthyer pas shtyllës trupin (vënd torturash). Mbeta për orë të tëra i lidhur duke duruar dhimbjen e hekurave, shiun dhe të ftohtin, edhe gjuha më ishte lagur, trupi më ishte ngrirë i gjithi, shihja ëndrra sikur të isha narkoman. S’mbaj mënd se sa orë e durova këtë torturë mizore, por kur u përmënda, e pashë veten në biruca të izolimit, pranë më rrinte Dilaveri që u bënte masazh muskujve të mi që më kishin ngrirë..

Po ti, i them, çdo këtu?

Jam i dënuar edhe unë me izolim, sepse dje nuk kisha realizuar normën që më kishin caktuar, ma ktheu.
Dilaveri ishte rreth 45 vjeç kur akoma nuk ishte dobësuar, fytyra e tij dukej akoma më e freskët e shëndetëshme, shprehje shumë e mirë se si kishte jetuar në Suedi.

Në këtë birucë 1 metër e 40 cm. e gjër dhe 2 m. e gjatë, u dergja një muaj me Dilaverin.

Ja se çfarë me rrëfeu Dilaveri gjatë këtyre ditëve që torturoheshim bashkë në këtë birucë të betontë dhe të errët:

Kaso, unë kam qenë në parajs dhe me dashjen time dola andej duke hapur me duart e mija portën e ferrit, unë isha në qiell dhe tani rashë në fund të errësirës.
Dy lotë ju shkëputën nga sytë, u rrokullisën mbi faqe duke lënë një vijë të lagur mbi faqe.

Mos u mërzit Dilaver, kurajo, nuk je vetëm, u mundova ta ngushëlloj.
S’ke ç’të bësh, jeta është alternativë vuajtjesh ose fitoresh, rrota e fatit vërtitet si t’i teket, por ti mos ji pesimist, vazhdova unë!

Ah, jo Kaso, tani për mua morri fund gjithçka, pshehrëtiu Dilaveri.
“Isha 22 vjeç kur u arratisa nga Shqipëria dhe dola në Greqi. Isha nxënës i Fiskulturës, më pëlqente sporti, kur dola në Greqi isha plot shëndet. Kërkova të emigrohesha në Suedi dhe brenda tre muajve shkova në Suedi, (Stockholm), vazhdova një shkollë për Elektronik dhe më pas zura punë në një uzinë ku prodhohehsin aparate telefoni. U martova me një suedeze, isha i lumtur, por fëmijë nuk pata me këtë grua. Jetoja në një vilë në periferi të Stockholm. Herë mbas here shkoja turist në Greqi, Portugali, Spanjë, e gjetkë. Po papritur më vdiq gruaja dhe vetëm po mërzitesha sa s’thuhet. Shkova në ambasadën shqiptare në Stockholm dhe u kërkova që të më garantonin të kthehem në Shqipëri. Ata më premtuan duke më siguruar se do më lejnë të lirë. Erdha në Shqipëri duke marrë me vetë një pjesë të pasurisë sime të tundëshme me lëkët që arrijnë një vlerë me lekët shqiptare, rreth 30 miljon. Por këta hajdutë më rropën për së gjalli, duke më marrë edhe orën që kisha në dorë dhe rrobat e trupit. Tani unë jam këtu me ty i dashur Kaso, duke rënë me dashjen time, duke qenë i vetëdijshëm, që bëra vetëvrasje.
Ky ishte rrëfimi i Dilaverit në vija të përgjithëshme, por unë kuptova se në personin e Dilaverit fshihej një enigmë e madhe për jetën e tij dhe të familjes tij”.

Dilaveri u dënua me gjyq me dyer të mbyllura me 20 vjet burgim./Memorie.al

LEXO TE PLOTE

Histori

Dëshmia e rrallë e nipit dhe fotot e panjohura/ E vërteta e atentatit ndaj xhaxhait tim, ‘Lefter Lefteri’

Publikuar

-

Nga

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Lefter Ruços me origjinë nga fshati Shalës i Kolonjës, i cili gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, bashkë me katër vellezër të tjerë shëbrbyen si ushtarakë të saj në qytete të ndryshme të vëndit dhe gjatë pushtimit fashist, ai ishte oficer i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, pasi kishte dezertuar nga fronti i Luftës italo-greke me Batalionin “Taraboshi” ku bënte pjesë.

Dëshmia e nipit të tij, Armando Ruços, për xhaxhain e tij i njohur më shumë si ‘Lefter Lefteri’, personazhi i filmit “I teti në bronz”, dhe nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të rrethit të Korçës, i cili me anë të një deklarate tregon se si e ka njohur Lefter Ruçon, që nga koha që e kishte komandant në Batalionin “Taraboshi”, dhe më pas kur komunistët e akuzonin si “spiun e tradhëtar”, dhe se si u vra ai me atentat nga guerilet komuniste te dyqani i Qirinxhijve të qytetit të Korçës dhe emrin e njeriut që qëlloi mbi të…?!

Edhe pas tentativës së parë të komunistëve për ta vrarë me atentat, xhaxhai im Lefteri nuk u mbyll në shtëpi, por vazhdoi bashkëpunimin e tij me krerët nacionalistë, me të cilët takohej rregullisht në kafen e Qirinxhijve në qytetin e Korçës. Një ditë të bukur nëntori të vitit 1943, teksa ndodhej në atë kafe duke biseduar me miqtë e tij, dikush hyri brenda për ta lajmëruar se e kërkonin disa njerëz të ardhur nga Tirana. Lefteri e njihte njeriun që e lajmëroi dhe ndërsa doli bashkë me të nga kafeneja, guerilet komuniste që i kishin zënë pritë e qëlluan pas shpine, duke e lënë të vdekur në vend.

Vrasja e Lefterit bëri bujë të madhe në të gjithë qytetin e Korçës dhe në varrimin e tij morën pjesë me qindra vetë”. Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për Memorie.al, është Armando Ruço, nipi i personazhit të njohur të filmit “I teti në Bronz”, Lefter “Lefteri”, i cili rrëfen të gjithë historinë e familjes së tij dhe versionin e vrasjes së xhaxhait, Lefter Ruço, i cili u ekzekutua nga guerilet komuniste të Korçës në vitin 1944. Po kush ishte Lefter Ruço dhe cila ishte e kaluara e tij? Përse komunistët korçarë vendosën ekzekutimin e tij dhe si e priti populli i Korçës vrasjen e Lefter Ruços? Si u persekutua familja e Lefterit pas vitit 1944, dhe fati i dy vëllezërve të tij në burgjet komuniste dhe tre të tjerëve në ushtritë italiane e amerikane…

Zoti Armando, cila është origjina e familjes së babait e njëkohësisht xhaxhait tuaj Lefter Ruço, i njohur ndryshe si Lefter Lefteri, prej filmit “I teti në bronz”?

Origjina e familjes sonë është nga Shalësi i rrethit të Kolonjës dhe në atë fshat të njohur, jo shumë larg qytetit të Ersekës, kanë jetuar prej kur s’mbahet mend të parët e familjes sonë. Deri në vitin 1944, aty në atë fshat, në një vilë të bukur dykatëshe, ka banuar familja e gjyshit tonë Refail Ruço, i cili ka qenë i njohur si tregtar. Përveçse si tregtar, gjyshi ynë Refaili ka shërbyer për shumë kohë edhe si kryeplak i fshatit Shalës dhe në atë periudhë kohe ai ka bërë shumë bamirësira, duke ndihmuar shumë nga familjet e varfra për të shkolluar fëmijët e tyre. Një nga ata persona, për të cilin gjyshi ynë ka ndërhyrë për t’i dhënë një bursë, ka qenë gjenerali i njohur Spiro Shalësi.

Përveç Lefterit, edhe sa vëllezër e motra ka pasur babai juaj dhe ku janë shkolluar ata?

Gjyshi im, Refail Ruço, ka pasur shtatë djem dhe dy vajza. I pari i fëmijëve ka qenë babai im, Taqo, i cili u lind në vitin 1903 dhe pas tij vinin me radhë: Spiro, Teodori, Jorgji, Lefteri, Llazari, Koço dhe dy vajzat, Evanthia e Urania. Nga shtatë djem që kishte Refaili, pesë prej tyre u bënë ushtarakë, duke studiuar në shkolla të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, ndërsa vetëm njëri prej tyre, më i vogli, Koço, u diplomua si inxhinier gjeometër. Babai im, Taqo Ruço, me vëllanë që vinte pas tij në moshë, Spiron, u shkolluan fillimisht në një prej gjimnazeve të Selanikut, në Greqi, të cilin ata nuk arritën ta përfundonin dot, pasi në vitin 1919 u përjashtuan nga shkolla, duke u akuzuar si shqiptarë nacionalistë, që punonin e vepronin në dëm të Greqisë.

Ç’ndodhi më pas me ta?

Pasi i përjashtuan nga gjimnazi i Selanikut, autoritetet greke kërkuan t’i arrestonin dhe ata u larguan që andej për t’u arratisur në drejtim të Shqipërisë. Vetëm babai im, Taqo, mundi të kthehej i gjallë në shtëpinë e tij në fshatin Shalës të Kolonjës, pasi Spiro u kap nga grekët, të cilët më pas i prenë dhe kokën. Trupi i tij mbeti në Greqi dhe nuk u gjet më kurrë. Ndërsa pesë vëllezërit e tjerë të babait, Teodori, Jorgji, Lefteri, Llazari dhe Koço u diplomuan në Shkollën Normale të Elbasanit.

Pas mbarimit të Normales së Elbasanit, ku u shkollua babai juaj me Lefterin dhe vëllezërit e tjerë?

Po e filloj nga babai im, Taqo Ruço. Nisur nga fakti se ai kishte studiuar për katër vite në Selanik, qeveria e Sulejman Delvinës, e dalë nga Kongresi i Lushnjës, e dërgoi atë në shkollën e plotësimit të oficerëve, po në Tiranë, ku babai mori gradën e nëntogerit. Pas kësaj ai u emërua në Garnizonin e Tiranës si oficer i Ushtrisë Kombëtare dhe aty ai shërbeu deri në qershorin e vitit 1924, kur forcat fanoliste rrëzuan qeverinë e ligjshme të asaj kohe. Pas kësaj, së bashku me disa nga ushtarakët e tjerë që kishin shërbyer pranë ministrit të Brendshëm, Ahmet Zogu, babai u arratis nga Shqipëria dhe u vendos në Greqi. Aty ai qëndroi ilegalisht deri në fundin e dhjetorit të vitit 1924, kur u kthye përsëri në Shqipëri me forcat zogiste që komandoheshin nga Koço Kota e Osman Gazepi.

Po me ardhjen e Zogut në pushtet, pra me Triumfin e Legalitetit, çndodhi me të, a mori ndonjë detyrë?

Me triumfin e Legalitetit në 25 dhjetorin e vitit 1924-ës, babai u caktua përsëri në Tiranë dhe, që nga ajo kohë e deri në prillin e vitit 1939, ai shërbeu si oficer i Mbretërisë me detyra të larta në degën e financës në Tiranë, si dhe në Elbasan e Shkodër. Pas kundërshtimit që i bëri pushtimit fashist të Shqipërisë në prillin e 1939-s, babai u kthye përsëri në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare, duke shërbyer si ushtarak i Financës në Tiranë.

Po gjatë periudhës së pushtimit të vëndit…?

Gjatë periudhës së pushtimit, në vitin 1943, Taqo Ruço u bashkua me forcat nacionaliste të Ballit e Legalitetit dhe me to qëndroi deri në fundin e Luftës në nëntorin e 1944-s.

Po xhaxhallarët e tjerë, ku kishin studjuar dhe ku shërbyen gjatë kohës së Monarkisë?

Edhe katër xhaxhallarët e tjerë, Teodori, Jorgji, Lefteri dhe Llazi pasi mbaruan Normalen e Elbasanit, u shkolluan fillimisht në shkollat e plotësimit të oficerëve në Shqipëri, duke u specializuar më pas edhe në kurse të ndryshme në Itali. Ashtu si babai im, edhe katër vëllezërit e tjerë të tij, gjatë kohës së Monarkisë së Zogut shërbyen si ushtarakë të Mbretërisë.

Te kthehemi tek Lefteri, konkretisht ku shërbeu ai si ushtarak, gjatë kohës së Monarkisë dhe më pas në periudhën e pushtimit të vendit?

Pas mbarimit të shkollave dhe kurseve të ndryshme, Lefteri shërbeu si ushtarak i Mbretërisë së Zogut në Pogradec e më pas në qarkun e Dibrës, ku dhe e zuri pushtimi i vendit në prillin e 1939-s. Pas kësaj ai u largua nga Shqipëria, duke qëndruar për disa kohë në arrati në Jugosllavi. Me riorganizimin e Ushtrisë Kombëtare, në mesin e vitit 1939 Lefteri iu përgjigj thirrjes së qeverisë të asaj kohe dhe, pas amnistisë së dhënë për të gjithë ish-ushtarakët që kishin kundërshtuar pushtimin e vendit, ai u kthye në Shqipëri. Pasi qëndroi rreth dy-tre muaj në Tiranë, pranë vëllait të tij, Taqo, Lefteri pranoi të shërbente përsëri si ushtarak në Ushtrinë Kombëtare, duke u dërguar në frontin e luftës italo-greke. Pas dezertimit që i bënë ushtarakët shqiptarë frontit të luftës me Greqinë, për t’i shpëtuar dënimit, Lefteri doli në mal, duke u bashkuar me çetat antifashiste që vepronin në krahinat e Korçës dhe Pogradecit. Me ato çeta partizane Lefteri qëndroi si luftëtar nacionalist deri në qershorin e vitit 1943 dhe në atë kohë ai u largua që andej pas një konflikti të ashpër që pati me krerët komunistë të tyre.

Ç’ndodhi më pas me Lefterin, pas konfliktit që ai pati me komunistët?
Pas konfliktit që pati me komunistët, Lefteri u kthye në qytetin e Pogradecit, ku kishte lënë bashkëshorten e tij Ollga (Thomaidha) dhe djalin Koço. Me Ollgën ai ishte martuar që në vitin 1931, kur shërbente si ushtarak i Mbretërisë së Zogut dhe nga ajo martesë ata patën vetëm atë djalë.

Pasi u kthye pranë familjes në qytetin e Pogradecit, çafrë qëndrimi mbajti ai, a u përzie më Lefteri me punët e Luftës?

LEXO EDHE:  A u kërkua arrestimi i Sali Berishës?!/ Reagon zyra e BE-së në Tiranë

LEXO EDHE:  A u kërkua arrestimi i Sali Berishës?!/ Reagon zyra e BE-së në Tiranë

Nisur edhe nga udhëzimet që Lefteri merrte në atë kohë nga i vëllai i tij, Taqo (babai im), që banonte në Tiranë, ai u bashkua me disa nga krerët kryesorë nacionalistë të Ballit dhe Legalitetit, duke bashkëpunuar ngushtë me ta.

Nisur nga konfliktet që kishte pasur me krerët komunistë, kur kishte qenë në mal, a pati më probleme me ta Lefteri,pasi zbriti në qytetet Pogradec dhe Korçë?

Që nga qershori i vitit 1943, kur u largua nga radhët e çetave antifashiste dhe u bashkua me krerët nacionalistë të Ballit dhe Legalitetit që vepronin në qarkun e Korçës, komunistët e dënuan me vdekje Lefterin, pasi ata shikonin tek ai një armik potencial të tyre. Nisur nga ky fakt, njësitet guerile të komunistëve të Korçës e ndiqnin atë për ta vrarë. Gjashtë muaj përpara atentatit, në të cilin ai mbeti i vdekur, ata i bënë një grackë.

Çfarë konkretisht…?

Krerët komunistë i bënë një ftesë, gjoja për bisedime, dhe Lefteri pranoi të takohej e të bisedonte me ta për problemet e mosmarrëveshjet që kishin. Por kur Lefteri shkoi në vendin e takimit, diku në një fshat në periferi të qytetit të Korçës, guerilet komuniste tentuan ta pushkatonin, dhe ai mezi mundi të shpëtonte i gjallë prej tyre.

Si shpëtoi Lefteri nga gracka e komunistëve…?!

Me sa di unë, ai shpëtoi prej shoqëruesve të tij fshatarë, që kishte marrë me vete, të cilët ndërhynë në çastin e fundit kur ai do të ekzekutohej prej guerileve komuniste të Korçës, që e kishin marrë peng.

Pas kësaj, si ndodhi vrasja e tij?

Edhe pas asaj ngjarjeje, ku mezi shpëtoi nga ekzekutimi, Lefteri nuk u mbyll në shtëpi, por vazhdoi bashkëpunimin e tij me krerët nacionalistë, me të cilët takohej rregullisht në kafen e Qirinxhijve në qytetin e Korçës. Në një ditë të bukur nëntori të vitit 1943, teksa ai ndodhej në atë kafe duke biseduar me miqtë e tij nacionalistë, dikush hyri brenda për ta lajmëruar se e kërkonin disa njerëz të ardhur nga Tirana. Lefteri e njihte njeriun që e lajmëroi dhe, ndërsa doli me ta nga kafeneja, guerilet komuniste që i kishin zënë pritë e qëlluan pas shpine, duke e lënë të vdekur në vend. Vrasja e Lefterit bëri bujë të madhe në të gjithë qytetin e Korçës dhe në varrimin e tij morën pjesë me qindra vetë.

Në filmin shqiptar “I teti në bronz” xhaxhai juaj, Lefteri, paraqitet si ushtarak i gjermanëve dhe spiun i tyre?

Nuk është aspak e vërtetë dhe gjithçka jepet në atë film për Lefterin është një trillim i propagandës dhe historiografisë së regjimit komunist të asaj kohe. Pas dezertimit nga fronti i luftës italo-greke në vitin 1940-të, Lefteri nuk ka qenë kurrë ushtarak as i italianëve dhe as i gjermanëve dhe as spiuni i tyre. Përkundrazi, ai ishte një patriot nacionalist dhe këtë e di mirë e gjithë Korça e asaj kohe, që e varrosi me nderime të mëdha.

Po pse e ekzekutuan komunistët Lefetrin…?

Komunistët e ekzekutuan Lefterin vetëm për faktin se ai ishte një antikomunist dhe armik potencial i tyre. Nuk kishin asnjë arsye tjetër për ta vrarë me atentat. Si mund të ishte Lefteri spiun i gjermanëve, kur në vitin 1944 gjermanët na dogjën shtëpinë dykatëshe në fshatin Shalës të Kolonjës dhe dy xhaxhallarët e tjerë, Jorgji me Teodorin, të cilët kishin qenë me misionet anglo-amerikane, ishin internuar prej tyre në Kretë të Greqisë?!

Pas ardhjes së komunistëve në pushtet, në fundin e vitit 1944, ç’ndodhi me familjen e Lefterit dhe vëllezërit e tij?

Që nga fundi i vitit 1944 e deri në fillimin e vitit 1990-të, që komunistët qëndruan në pushtet, familja dhe të afërmit e Lefter Ruços, kanë ndjerë peshën e rëndë të persekucionit.

Konkretisht, çfarë…?

Bashkëshortja e Lefterit, Ollga, (vdiq më 1960) me djalin, Koço, gjithë jetën e kaluan në burgje dhe internime. Po kështu babai im, Taqo Ruço, vuajti rreth 23 vite në burg, ku dhe vdiq në vitin 1979 në burgun e Tiranës. Xhaxhai tjetër, Koço, (më i vogli i vëllezërve), u zhduk në rrethana të panjohura në vitin 1956 në Drashovicë të Vlorës, kur ai punonte si gjeometër në ndërtimin e urave.

Po ju të tjerët, keni qenë në Tiranë…?!

Po në Tiranë kemi qenë, por hija e persekucionit na ndoqi edhe ne nipat e Lefter Ruços, duke na përjashtuar disa herë nga vëndet e punës dhe sportet.

Po xhaxhallarët e tjerë dhe familjet e tyre…?

Tre xhaxhallërt e tjerë: Jorgji, Teodori dhe Llazari, patën fatin të shpëtonin nga persekucioni i egër komunist siç ndodhi me familjet tona, pasi që nga viti 1944 ata u arratisën nga Shqipëria dhe jetuan në Itali e SHBA, ku shërbyen si ushtarakë deri sa dolën në pension.

A keni pasur ju si familje lidhje me ta, pra korrespodencë me letra?

Fillimisht në vitet e para të luftës na lejonin korrespodencën por më pas kjo nuk na u lejua më dhe ne nuk kishim asnjë dijeni se ku nodheshin ata. Edhe ata nuk kishin dijeni për fatin tonë, por herë pas here merrnin lajme nga shqiptarë që arratiseshin nga Shqipëria komuniste. Vetëm pas viteve ’90-të u bë e qartë gjithçka, për ne dhe për ata.

Po pas viteve ’90-të, si konsiderohet xhaxhai juaj. Lefter Ruço, a është rehabilituar ai?

Pas viteve ’90-të, komunistët vazhdojnë ta quajnë përsëri tradhëtar, ashtu siç bëjnë me të gjithë figurat dhe personazhet e tjera të Luftës që regjimi komunist i ka pas anatemuar si “armiq, spiunë dhe tradhëtarë”.

Po shumë prej tyre dhe janë rehabilituar…?

Me xhaxhanë tonë kjo ende nuk ka ndodhur, por unë kam kontaktuar me disa nga ata veteranët e Luftës ku e kanë hedhur poshtë versionin e regjimit komunist, pra që ai të ketë qenë tradhëtar. Njëri prej tyre, është dhe Servet Mahmut Lari, (i datlindjes 5 janar 1918), i lindur në katundin Pojan të Korçës, dhe banues në Korçë, i cili më ka dhënë dhe një deklaratë për Lefter Ruçon, të cilën po ua vë në dispozicion dhe mund ta botoni.

Lefter Ruço nuk ishte tradhtar

Deklarata e nënkryetarit të Veteranëve të Luftës Antifashiste-Nacional-Çlirimtare të Korçës

Unë i qojturi Servet Mahmut Lari, i datlindjes 5 janar 1918, lindur në katundin Pojan të Korçës, dhe banues në Korçë, lagja 14-të, rruga “Viktor Eftimiu”, rajoni nr.3, banesa 37, hyrja nr.2, apartamenti 10, veteran i Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe n/kryetar i saj, deklaroj nën përgjegjësinë time personmale dhe penale si më poshtë vijon:

Zotin Lefter Ruço nga katundi Shalës i Kolonjës e njihja shumë mirë qysh nga viti 1939, kur ka qenë oficer në batalionin “Tarabosh”, kurse unë kam qenë ushtar (rekrut) në batalionin “Korata”, d.m.th. në ushtrinë italiane, kur e okupoj Italia fashiste Shqipërinë më ‘39-tën. Që e njoha mirë, ishte viti 1940-të, kur do fillonte lufta italo-greke.

Këtë kohë në ushtrinë italiane bënin pjesë 6 batalione shqiptare, batalioni “Korata” ku bënja pjesë unë, me komandant batalioni Fuat Dibrën, batalioni “Tarabosh” ku bënte pjesë i ndjeri Lefter Ruço, me komandant Rexhep Gilani (kosovar), batalioni “Tomor” që komandohej nga i ndjeri Major Spiro Moisiu, batalioni “Gramoz”, batalioni “Dajti” dhe batalioni “Kaptina”, emrat e komandantëve nuk i mbaj mend, dhe disa bateri artileri shqiptare.

Që u njohëm shumë mirë, ishte fillimi i luftës italo-greke, më 20 tetor të vitit 1940, ku muarën pjesë 3 batalione shqiptare, batalioni “Tomor” me qendër në katundin Bitinckë, batalioni “Tarabosh” me qendër nën Ivan (Gollobordë) dhe batalioni ku bënja pjesë unë (“Korata”) me qendër në katundin Zemblak. Lefteri për të tre batalionet drejtonte zbulimin e forcave armike, unë në atë kohë kam qenë “Kapural maxhore” i një skuadre të Zbulimit dhe kisha lidhje direkte me oficerin Lefter dhe komandohesha nga ai, mbasi lumi Devoll na i ndante të dy batalionet.

Nga puna dhe bisedat, unë kuptova se ai nuk pajtohesh me fashistët, por ishte një patriot dhe nacionalist i ndershëm. Kjo u vërtetua kur batalioni “Tomor” i komanduar nga patrioti trim dhe i vendosur Spiro Moisiu, u ktheu pushkën dhe nuk desh të luftonte kundra grekëve, fashistët e arrestuan, dhe batalionin e internuan. Të njëjtën gjë bëri edhe oficer Lefter Ruço, si në batalionin e tij dhe tonin, të gjithë ikëm nga fronti, për këtë Lefteri arrestohet dhe dënohet me disa vjet burg.

Dhe më vonë Lefteri lufton si oficer nacionalist dhe patriot për të mirën e Atdheut. Nuk u pajtua asnjëherë me programin e Partisë Komuniste, dhe për këtë ashtu siç e kish zakon Partia, nuk lanë epitet pa i vënë, fashist, ballist, nazist, tradhëtar etj. Për këtë i kurdisën në pabesi një atentat, dhe vritet nga atentatori Selman Vishocica, bashkë me rojen e tij në dyqanin e Qirinxhinjve Korçë. Nuk ishte tradhëtar, as fashist, as nazist, por ashtu siç vrau Enveri gjithë patriotët, nacionalistët e ndershëm, vrau dhe Lefterin si të tjerët./Memorie.al

LEXO TE PLOTE