Connect with Us

Drafti i ri i fiskalizimit/ Ndryshon limiti i arkës, si do të jenë faturat nga 1 prilli

Ekonomi

Drafti i ri i fiskalizimit/ Ndryshon limiti i arkës, si do të jenë faturat nga 1 prilli

Publikuar

-

Ministria e Financave ka përfunduar draftin e ri të fiskalizimit “Për faturën dhe sistemin e ri të monitorimit të qarkullimit”, i cili u rishikua pas konsultimeve të shumta që u bënë me bizneset në periudhën gusht-tetor. Ky ligj sjell një revolucion në sistemin e faturimit, i cili do të jetë shumë i avancuar dhe çdo transaksion do të transmetohet online në momentin që ndodh dhe jo një herë në ditë siç ndodh aktualisht, përmes sistemit ekzistues të kasave fiskale.

Ky ligj, sipas objektit të tij, përcakton dhe rregullon detyrimin për lëshimin e faturave për furnizimin e mallrave dhe shërbimeve, tatimpaguesit që lëshojnë fatura, përmbajtjen e faturës, procedurat për lëshimin e faturës, detyrimin për lëshimin e faturës elektronike në transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve dhe ndërmjet tatimpaguesve dhe organeve publike, zbatimin e procedurës së fiskalizimit, detyrimin për t’u regjistruar të prodhuesve dhe mirëmbajtësve të zgjidhjeve softuerike, procedurën e marrjes së informacionit të pagesave pa para në dorë për faturat elektronike të lëshuara, si dhe mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji.

Në krahasim me draftin fillestar janë dy ndryshimet kryesore.

Së pari është afati i zbatimit të përdorimit të detyrueshëm të faturave elektronike, që nuk është më i janari, por shtyhet me tre muaj. “Drafti i ri fillon të zbatohet nga data 01.04.2020, me përjashtim të dispozitave për përdorimin e detyrueshëm të faturave elektronike në transaksionet me organet publike të përcaktuar në që fillojnë të zbatohen nga data 01.01.2021, të dispozitave për përdorimin e detyrueshëm të faturave elektronike për pagesat pa para në dorë të përcaktuar në nenin 24 të këtij ligji të dispozitave për faturat shoqëruese të përcaktuara në Kreun XII të këtij ligji dhe të regjistrimeve të pagesave pa para në dorë të përcaktuar në nenin 39 të këtij ligji, që fillojnë të zbatohen nga data 01.07.2021”.

Së dyti, ndryshojnë përcaktimet për limitin e arkës, që nuk është më fiks për bizneset e mëdha, por do të jetë në varësi të xhiros. Konkretisht:

Tatimpaguesi që lëshon fatura, përveç në rastet e përcaktuara në nenin 37, pika 2 të këtij ligji, mund të mbajë para cash (kartëmonedha dhe monedha) në arkën e vet në fillim të çdo dite pune, deri në shumën maksimale të arkës. Shuma e parave cash është shuma fillestare e parave (kartëmonedha dhe monedha) që tatimpaguesi mund të ketë në arkën e tij në fillim të ditës së punës ose të ndërrimit të çdo operatori. Shumën maksimale të parave cash e përcakton tatimpaguesi që lëshon fatura, në mënyrë të pavarur, duke nxjerrë një akt të brendshëm, në përputhje me nevojat dhe kushtet e sigurisë, por kjo nuk mund të jetë më shumë se maksimumi i përcaktuar në pikën 2 të këtij neni.

Kriteri për përcaktimin e shumës maksimale të arkës së tatimpaguesit që lëshon fatura, është madhësia e tatimpaguesit që lëshon fatura, në përputhje me legjislacionin tatimor. Bazuar në këtë kriter, tatimpaguesi që lëshon fatura, mund të caktojë shumën maksimale të parave cash në arkë, në mënyrën e mëposhtme:
a) tatimpaguesit me qarkullim vjetor gjatë vitit të kaluar deri në 2 milionë lekë, deri në 55,000 lekë;
b) tatimpaguesit me qarkullim vjetor gjatë vitit të kaluar mbi 2 milion lekë dhe deri në 8 milion lekë, deri në 250,000 lekë;
c) tatimpaguesit me qarkullim vjetor gjatë vitit të kaluar mbi 8 milion lekë, deri në 500,000 lekë ose 2 % të qarkullimit vjetor të vitit të kaluar, cilado qoftë vlera më e lartë.
Në rastet kur një tatimpagues fillon veprimtarinë gjatë vitit kalendarik, limiti i arkës është shuma në përputhje me shkronjat “a”, “b” dhe “c” të kësaj pike, referuar shumës së qarkullimit të parashikuar deri në fund të vitit.

Shuma maksimale e arkës përcaktohet për tatimpaguesin që lëshon fatura në tërësi, dhe brenda kësaj shume, tatimpaguesi që lëshon fatura, mund të përcaktojë maksimumin e parave kesh në arkë, për çdo njësi të organizimit ose vendi të ushtrimit të aktivitetit të biznesit.
Shuma maksimale cash e arkës sipas pikës 2 të këtij neni nuk zbatohet për bankat dhe institucionet e tjera financiare jo-bankare.
Tatimpaguesi që lëshon fatura, që kryen transaksione këmbimi monedhe, pavarësisht nga dispozitat e pikave 2 dhe 3 të këtij neni, mund të përcaktojë maksimumin e arkës deri në shumën prej 1,700,000 lekë.
Tatimpaguesi që lëshon fatura, detyrohet në fillim të çdo dite pune, dhe para lëshimit të faturës së parë, nëpërmjet lidhjes elektronike (internet) të vendosur me Administratën Tatimore Qendrore që e përdor për zbatimin e procedurës së fiskalizimit, të paraqesë informacionin mbi shumën fillestare të parave kesh në arkë për çdo pajisje elektronike të faturimit. Tatimpaguesi duhet të paraqesë në të njëjtën mënyrë edhe çdo ndryshim të shumës së parave cash në arkë gjatë ditës së punës.

A do të ndryshohen kasat

Ligji i ri parashikon pajisjen fiskale, e cila do të duhet të bëjë raportimin në çast të çdo transaksioni. Operatorët e kasave kanë pohuar se një pjesë e kasave ekzistuese mund të përshtaten, por një pjesë e madhe e tyre do të dalin jashtë funksionit.

Sipas përcaktimeve të ligjit, pajisja fiskale përbëhet nga:

a) pajisja elektronike e faturimit, që përdoret për lëshimin e faturave për shitjen e mallrave dhe ofrimin e shërbimeve, me memorie për regjistrimin e të dhënave fiskale në faturat e lëshuara për pagesa që kryhen me para në dorë; dhe/ose
b) pajisja elektronike për lëshimin e faturës shoqëruese, me memorie për regjistrimin e të dhënave fiskale në faturat shoqëruese të lëshuara; dhe/ose
c) printeri për lëshimin e faturave nëpërmjet pajisjes elektronike të faturimit ose për lëshimin e faturës shoqëruese, në rast se printeri nuk është pjesë e pajisjes elektronike të faturimit ose pajisjes elektronike; dhe/ose
ç) çdo pajisje elektronike që përdoret për të përpiluar dhe lëshuar fatura për shitjen e mallrave apo ofrimin e shërbimeve për pagesa që kryhen pa para në dorë; dhe/ose

d) çdo pajisje elektronike e përdorur për të regjistruar pagesa pa para në dorë të faturave elektronike;
Krahas pajisjet fiskale do të duhet dhe aplikacioni, ose zgjidhja sorftuerike në formën e një aplikacioni individual, ose një sistemi të integruar kompjuterik, ose një aplikacioni Cloud, që mundëson:

a) përpilimin e faturës ose faturës shoqëruese, futjen e të gjithë elementeve të domosdoshëm të faturës ose faturës shoqëruese;
b) identifikimin e operatorit që lëshon faturën ose faturën shoqëruese;
c) nënshkrimin elektronik;
ç) lëshimin dhe pranimin e faturave elektronike;

d) transferimin automatik të të dhënave në Administratën Tatimore Qendrore dhe pranimin e informacionit konfirmues nga Administrata Tatimore Qendrore, pas verifikimit automatik të çdo fature ose fature shoqëruese;
dh) ruajtjen e të dhënavenë memorie;
e) masa të tjera për procedurën e fiskalizimit;
Një tjetër element është nënshkrimi elektronike, ose zgjidhja softuerike, në formën e një aplikacioni individual, ose një sistemi të integruar kompjuterik ose një aplikacioni Cloud, që mundëson nënshkrimin elektronik, transferimin automatik të të dhënave në Administratën Tatimore Qendrore dhe pranimin e mesazhit konfirmues nga Administrata Tatimore Qendrore, pas verifikimit automatik të mesazhit të pagesës së një fature elektronike;

Binzeset duhet gjithashtu që të kenë internet. Ligji parashikon ngritjen e sistemit të komunikimit ndërmjet tatimpaguesit që lëshon fatura ose fatura shoqëruese dhe Administratës Tatimore Qendrore, ose ndërmjet bankave, institucioneve financiare dhe ndërmjetësve të tjerë që ofrojnë shërbime pagese të faturave elektronike dhe Administratës Tatimore Qendrore, nëpërmjet rrjetit të sigurtë për transferimin elektronik të të dhënave përmes internetit.

Tatimpaguesit që duhet të lëshojnë faturë

Tatimpaguesit që duhet të lëshojnë faturë, pavarësisht nga qarkullimi vjetor i realizuar në vitin paraardhës ose në atë aktual janë:

a) personat juridikë dhe fizikë, të cilët janë tatimpagues të tatimit mbi fitimin, në përputhje me ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”;
b) personat juridikë dhe fizikë të cilët janë tatimpagues të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, në përputhje me ligjin “Për sistemin e taksave vendore”;
c) personat juridikë dhe fizikë, pavarësisht nga forma e organizimit, përfshirë organizatat jofitimprurëse, njësitë e zbatimit të projekteve, organet publike qendrore e vendore, organizatat politike dhe institucione të tjera të ngjashme, të cilat ushtrojnë veprimtari ekonomike në përputhje me ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”;
ç) çdo person juridik ose fizik, rezident ose jorezident, pavarësisht nga forma e organizimit, kur furnizon mallra ose shërbime për organet publike. Përjashtimisht, në situatën e parashikuar në nenin 7, pika 2 e këtij ligji, ata nuk janë të detyruar të lëshojnë fatura kur një organ publik i nënshtrohet TVSH-së dhe ka detyrimin të lëshojë një faturë si marrës i mallrave ose shërbimeve;

d) personat juridikë dhe fizikë jorezidentë për furnizimin e mallrave ose ofrimin e shërbimeve në Republikën e Shqipërisë, kur, në përputhje me legjislacionin tatimor të përmendur në pikat “a”, “b” dhe “c” të këtij neni, i nënshtrohen detyrimeve tatimore në Republikën e Shqipërisë, vetë ose përmes një përfaqësuesi tatimor.

Tatimpaguesit që përjashtohen nga detyrimi për të lëshuar faturë

Si përjashtim nga neni 4, i këtij ligji, fatura nuk lëshohet nga tatimpaguesi për llojet e veprimtarive dhe për furnizimin e mallrave dhe shërbimeve, si më poshtë:
a) prodhuesit bujqësorë, që janë subjekte të skemës së kompensimit në përputhje me ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”;
b) shitjen e biletave ose kuponave nga shoferi i një mjeti transporti pasagjerësh në linjat e transportit publik urban, në përputhje me vendimet e njësive të vetëqeverisjes vendore;
c) furnizimin e mallrave dhe shërbimeve nga persona fizikë të regjistruar në administratën tatimore si “ambulantë”.
Krahas përjashtimeve të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, zbatohet edhe përjashtimi nga detyrimi për të lëshuar faturë përcaktuar në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”.

Të dhënat e përgjithshme të faturës

Fatura e lëshuar përpilohet në formën e caktuar në udhëzim nga Ministri përgjegjës për financat dhe përmban, të paktën, informacionin e mëposhtëm:
a) titullin “Faturë tatimore”;
b) datën dhe kohën e lëshimit të faturës (orën, minutat dhe sekondat);
c) numrin e faturës;
ç) numrin unik të identifikimit të shitësit;

d) emrin e tatimpaguesit/emrin dhe mbiemrin e shitësit;
dh) adresën e shitësit;
e) numrin unik të identifikimit të blerësit, emrin e tatimpaguesit/emrin, mbiemrin dhe adresën e blerësit. Këto të dhëna janë të detyrueshme vetëm në rast se blerësi është:
tatimpagues, subjekt i tatimit mbi fitimin, tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, ose subjekt i TVSH-së, në përputhje me ligjet përkatëse; ose
person juridik; ose
person që blen pronë personale me vlerë individuale mbi 500 000 lekë; ose
në raste të tjera, kur blerësi kërkon shënimin e këtyre të dhënave në faturë.
ë) kodin e operatorit sipas nenit 3, pika “g”, e këtij ligji, të përcaktuar në përputhje me nenin 15 të këtij ligji;

f) kodin e vendit të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit sipas nenit 3, pika “ll”, e këtij ligji, të përcaktuar në përputhje me nenin 14 të këtij ligji;
g) datën ose periudhën, në të cilën furnizimi i mallrave ose shërbimeve është kryer, ose datën në të cilën është kryer pagesa në llogarinë e referuar në pikën 1 të nenit 7 të këtij ligji, për sa kohë kjo datë mund të përcaktohet dhe në qoftë se kjo datë është e ndryshme nga data e lëshimit të faturës;
gj) sasinë dhe përshkrimin e mallrave ose shërbimeve të furnizuara dhe çmimin për njësi;
h) vlerën e plotë;
i) rritjet ose zbritjet e tjera të zbatuara (informacion mbi kompensimin ose pagesën, nëse është rasti);
j) vlerën totale për t’u paguar;
k) të dhënat e pagesës, përfshirë mënyrën e pagesës (kartëmonedha dhe monedha, kartë, çek, transaksion bankar, urdhër pagesë, para elektronike, mënyra të tjera të pagesës pa para në dorë), monedhën dhe kursin e këmbimit nëse fatura nuk është e shprehur në monedhën kombëtare shqiptare (LEK), dhe afatin e pagesës, në rast se pagesa nuk kryhet në çastin e lëshimit të faturës;
l) numrin identifikues të veçantë të faturës (NIVF), të shprehur si shenjë alfanumerike;
ll) numrin e sigurisë së lëshuesit të faturës (NSLF), të shprehur si shenjë alfa numerike; dhe
m) kodin QR që përmban të dhënat e përcaktuara me udhëzim të Ministrit përgjegjës për financat.

Regjistrimi i faturave në librin e shitjes dhe librin e blerjes

Duke u mbështetur në të dhënat e paraqitura në Administratën Tatimore Qendrore për të gjitha faturat e shitjeve dhe blerjeve, nëpërmjet procedurës së fiskalizimit të faturave, për çdo tatimpagues që lëshon faturë në pajtim me këtë ligj, sistemi informatik i Administratës Tatimore Qendrore gjeneron një libër të shitjeve dhe një libër të blerjeve, që janë në dispozicion në platformën qendrore të faturave, në llogarinë e tatimpaguesve që lëshojnë faturë.
Çdo tatimpagues që lëshon faturë duhet të shqyrtojë të dhënat në librin e shitjeve dhe librin e blerjeve të përmendur në pikën 1 të këtij neni, deri në ditën e 10-të të muajit, për faturat e lëshuara dhe pranuara, që i përkasin muajit paraardhës, dhe nëse është e nevojshme t’i plotësojë ato me informacion shtesë, dhe pas përfundimit të kësaj procedure, të konfirmojë saktësinë e të dhënave.
Libri i shitjeve dhe libri i blerjeve në platformën qendrore të faturave, duhet të jenë në dispozicion të tatimpaguesit që lëshon fatura gjatë gjithë afatit kohor të përcaktuar për ruajtjen e faturave, sipas dispozitave të parashikuara në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”.
Ministri përgjegjës për financat përcakton me udhëzim procedurat për ndryshimin dhe plotësimin e të dhënave në librin e shitjeve dhe librin e blerjeve dhe procedurat e tjera të përcaktuara nga ky nen.

Pajisjet fiskale dhe zgjidhja softuerike për zbatimin e procedurës së fiskalizimit

Të gjithë tatimpaguesit që lëshojnë fatura, të cilët shesin mallra në aktivitetin e shitjes me pakicë, ose ofrojnë shërbime në vende apo njësi të hapura për publikun, ose kryejnë çfarëdo veprimtarie tjetër ekonomike, dhe për furnizimin e këtyre mallrave ose shërbimeve lëshojnë fatura të paguara me para në dorë, duhet të instalojnë pajisjet elektronike të faturimit apo të sigurojnë pajisje të lëvizshme elektronike të faturimit, printer (nëse ky nuk është pjesë integrale e pajisjes elektronike të faturimit), dhe të përdorin një zgjidhje të certifikuar softuerike sipas nenit 3, pika “k”, e këtij ligji, përveç nëse ata kryejnë ekskluzivisht veprimtari ekonomike dhe furnizojnë mallra dhe shërbime të cilat janë të përjashtuara nga detyrimi i lëshimit të faturës, në përputhje me nenin 5 të këtij ligji.
Tatimpaguesi që lëshon faturë në përputhje me pikën 1 të këtij neni, për qëllim të zbatimit të procedurës së fiskalizimit të faturave të lëshuara, detyrohet që për çdo transaksion të lëshojë një faturë përmes përdorimit të sistemit fiskal.

Sistemi fiskal i referuar në pikën 1 të këtij neni duhet të mundësojë nënshkrimin elektronik të çdo fature duke përdorur certifikatën elektronike sipas nenit 19 të këtij ligji dhe lidhjen me internet për shkëmbimin elektronik të të dhënave me Administratën Tatimore Qendrore.
Të gjithë tatimpaguesit e tjerë që lëshojnë fatura, duhet të sigurojnë pajisjet fiskale të përmendura në nenin 3, pika “k” të këtij ligji, që mundësojnë përdorimin e zgjidhjes softuerike të certifikuar të përmendur nën të njëjtin nen, nënshkrimin elektronik të çdo fature duke përdorur certifikatën elektronike sipas nenit 19 të këtij ligji, dhe lidhjen me internet për shkëmbimin elektronik të të dhënave me Administratën Tatimore Qendrore, me qëllim të zbatimit të procedurës së fiskalizimit për lëshimin e faturave.

Tatimpaguesit që lëshojnë fatura, për qëllim të zbatimit të procedurës së fiskalizimit të faturave, duhet të përdorin një zgjidhje softuerike të certifikuar që u mundëson atyre të veprojnë në përputhje me dispozitat e këtij ligji, d.m.th. një zgjidhje softuerike të certifikuar që pamundëson veprimet që shmangin procedurën e fiskalizimit të faturës.
Me qëllim të zbatimit të pikës 5 të këtij neni, tatimpaguesi që lëshon fatura mund të testojë të dhënat e faturës dhe procedurën e fiskalizimit, ndërsa metoda e testimit përcaktohet nga Ministri përgjegjës për financat me udhëzim.
Përveç përcaktimeve të këtij ligji, për tatimpaguesit në sektorë të veçantë të ekonomisë, monitorimi i qarkullimit bëhet sipas përcaktimeve me vendim të Këshillit të Ministrave.

Certifikata elektronike

Me qëllim të zbatimit të procedurës së fiskalizimit të faturës, tatimpaguesi që lëshon fatura detyrohet që të marrë një certifikatë elektronike, e cila gjenerohet dhe lëshohet nga AKSHI si institucioni qendror shtetëror që administron dhe mirëmban Infrastrukturën Qeveritare të Çelësave Publike.
Certifikata elektronike e lëshuar nga AKSHI duhet ruajtur në një ambient fizik me nivel të lartë sigurie, duke mos cenuar integritetin e tyre dhe thyer konfidencialitetin e tyre.
Për certifikatën elektronike të lëshuar aplikohet tarifa e përcaktuar me Vendim të Këshillit të Ministrave për shërbimet elektronike të ofruara nga AKSHI për subjektet nën pikën 1, të këtij neni.

Zbatimi i procedurës së fiskalizimit të faturës

Tatimpaguesi që lëshon fatura duhet të nënshkruajë në mënyrë elektronike çdo faturë në momentin e lëshimit dhe ta dërgojë atë në Administratën Tatimore Qendrore, nëpërmjet lidhjes me internet përpara se t’ia lëshojë blerësit.
Administrata Tatimore Qendrore duhet të verifikojë nëse janë dërguar të gjithë elementet e përcaktuara të faturës, nëse ajo është e nënshkruar elektronikisht duke përdorur një certifikatë elektronike të vlefshme sipas nenit 19 të këtij ligji, dhe të kryejë kontrolle të tjera mbi saktësinë e faturës.
Nëse kushtet e përmendura në pikën 2, të këtij neni, përmbushen plotësisht, Administrata Tatimore Qendrore gjeneron NIVF-në dhe ia kthen atë tatimpaguesit që lëshon fatura nëpërmjet lidhjes elektronike të vendosur (internet).

Nëse kushtet nga pika 2 e këtij neni nuk përmbushen, Administrata Tatimore Qendrore nuk mund ta përcaktojë NIVF-në dhe i dërgon tatimpaguesit që lëshon fatura një mesazh mbi refuzimin e përcaktimit të NIVF-së me përshkrimin e gabimit, nëpërmjet lidhjes elektronike të vendosur (internet).
Vetëm pas zbatimit të procedurës së fiskalizimit mundet që fatura të njihet si dokument i vlefshëm për qëllime të tatimit, dhe NIVF, si një e dhënë e detyrueshme e faturës, tregon që procedura e fiskalizimit është kryer me sukses. Përjashtimisht, një faturë mund të lëshohet pa NIVF, vetëm në rastet e përmendura në nenet 29, 30 dhe 31, të këtij ligji.

Subjektet e “vetëfaturimit” duhet të zbatojnë procedurën e fiskalizimit në mënyrën e përshkruar në pikat 1 deri 5 të këtij neni.
Kur blerësit, që janë tatimpagues, subjekte të TVSH-së, ose të tatimit mbi fitimin ose tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, në përputhje me ligjet përkatëse, marrin një faturë për importin e mallrave nga një shitës nga jashtë vendit ose një faturë elektronike për shërbime të marra nga një tatimpagues nga jashtë vendit, që nuk është subjekt i lëshimit të faturave sipas këtij ligji, ata duhet të zbatojnë procedurën e fiskalizimit në mënyrën e përshkruar në pikat 1 deri 5 të këtij neni.
Procedura e fiskalizimit të faturës në rast të “vetëfaturimit”, sipas nenit 6, pika 5 e këtij ligji, kryhet në kohën e “vetëfaturimit”, brenda afateve të përcaktuara në nenin 8 të këtij ligji.
Procedura e fiskalizimit të faturës në rast të “vetëfaturimit”, sipas nenit 7, pika 2 të këtij ligji, kryhet në kohën e “vetëfaturimit”, brenda afateve të referuar në nenin 8, pikat 2 dhe 3 të këtij ligji.

Procedura e fiskalizimit të faturës për importet e mallrave, në rastin e pranimit të një fature nga një shitës që nuk është i vendosur në territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas pikës 7 të këtij neni, duhet kryer nga marrësi i mallrave në Republikën e Shqipërisë bazuar në deklaratën doganore pas lejimit në qarkullim të lirë, por jo më vonë se tre ditë nga kryerja e importimit. Në rastin e furnizimit nga jashtë të shërbimeve, blerësi vendas i shërbimit që ka marrë një faturë elektronike nga jashtë shtetit, kryen procedurën e fiskalizimit brenda afatit të referuar në nenin 8, pika 3 e këtij ligji. Ministri përgjegjës për financat përcakton me udhëzim procedurën dhe mekanizmat për zbatimin e kësaj pike dhe të dhënat shtesë të kërkuara sipas këtij ligji.
Detyrimet ligjore që rrjedhin nga ky nen zbatohen në përputhje me udhëzimin përkatës të Ministrit përgjegjës për financat.

Platforma qendrore e faturave

AKSHI ngarkohet që të krijojë, zhvillojë, mirëmbajë dhe administrojë nga ana teknike platformën qendrore të faturave përmes së cilës shkëmbehen faturat elektronike.
Tatimpaguesit që regjistrohen në regjistrin e Administratës Tatimore Qendrore si tatimpagues që lëshojnë fatura sipas nenit 13 të këtij ligji, caktohen automatikisht në regjistrin e tatimpaguesve që mbahet nga Administrata Tatimore Qendrore, si lëshues dhe pranues të faturave elektronike.
Lëshuesit dhe marrësit e faturave elektronike sipas pikës 2 të këtij neni, që kanë njësi të ndryshme organizative, janë të detyruar të paraqesin informacion mbi to në platformën qendrore të faturave, brenda 24 orëve para fillimit të lëshimit ose marrjes, ose shkëmbimit të faturave elektronike përmes kësaj platforme.

Marrësit e faturave elektronike që nuk janë të regjistruar në regjistrin e Administratës Tatimore Qendrore si tatimpagues që lëshojnë fatura sipas nenit 13 të këtij ligji, duhet të marrin një certifikatë elektronike sipas nenit 19 të këtij ligji dhe përmes platformës qendrore të faturave të regjistrohen si marrës të faturave elektronike, brenda 24 orëve para fillimit të marrjes së faturave elektronike përmes kësaj platforme.
Të gjitha faturat elektronike duhet të shkëmbehen nëpërmjet platformës qendrore të faturave, pas zbatimit të procedurës së fiskalizimit, në përputhje me kreun VI të këtij ligji.
Platforma qendrore e faturave është pjesë e infrastrukturës shtetërore të teknologjisë së informacionit që administrohet nga ana teknike nga AKSHI dhe të dhënat që shkëmbehen përmes kësaj platforme janë pronë e Administratës Tatimore Qendrore.
Detyrimet ligjore që rrjedhin nga ky nen zbatohen në përputhje me vendiminpërkatës të Këshillit të Ministrave./ Monitor

KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekonomi

PPP-të ose Paratë e Përdorura Paturpësisht!

Publikuar

-

Nga

Partneritet Privat-publik

Partneritetet Publike-Private, të njohura si PPP-të, apo koncesionet, nuk janë shpikur në Shqipëri. Ato përdoren si një alternativë investimi, kur një shtet ka nevojë për investime të mëdha dhe nuk ka burimet e duhura për ta bërë këtë.

Projektet i merr përsipër t’i realizojë investitori privat dhe shlyerja bëhet në një afat relativisht të gjatë, që zakonisht përkon me një periudhë të përafërt me atë të shfrytëzimit të këtij investimi e që jo doemos duhet të jetë nga shteti apo taksapaguesit, por shumë më tepër nga përdoruesit e këtij investimi, për një periudhë disavjeçare.

Rreziku ndahet mes dy palëve. Nga ana tjetër, shteti vendos që një projekt të caktuar ta japë me PPP, kur vëren që ka prioritete të tjera më të rëndësishme për investimet e kryera me para publike dhe pasi është i bindur se ky investitor e realizues privat ka kapacitetet e duhura, ekonominë e shkallës dhe kapitalin e nevojshëm. E megjithatë, edhe vende të zhvilluara e kanë pasur të vështirë t’i kontrollojnë këto lloj partneritetesh.

Eurodad (Rrjeti Europian mbi Monitorimin e Borxhit) që përbëhet prej 47 organizatash të shoqërisë civile, nga 20 vende europiane, gjeti së fundmi nga një monitorim se projektet PPP po rezultojnë me kosto të larta për buxhetet publike dhe me një nivel të tepruar të rrezikut për sektorin publik dhe, për rrjedhojë, një barrë të rëndë për qytetarët. Çdo PPP e studiuar ishte më e rrezikshme për shtetin, sesa për kompanitë private të përfshira, pasi sektori publik kërkohej të hynte dhe të merrte kostot kur gjërat nuk shkonin mirë. Edhe vende të zhvilluara nuk arrijnë t’i kontrollojnë ato. Në Suedi, kostoja totale e ndërtimit e spitalit të Nya Karolinska Solna (NKS) arriti nga 1.4 miliardë në 2.4 miliardë euro dhe tani njihet si “spitali më i shtrenjtë në botë”.

Në Shqipëri, çdo ditë e më shumë, po bëhet e qartë që kontratat PPP janë të hartuara keq, pa asnjë lloj studimi, me kosto të fryra që, për fat të keq, sa vijnë e po shtohen, me rrezikun që e merr të gjithë përsipër shteti. Kostot po tejkalojnë çdo lloj parashikimi, ndërsa shteti po detyrohet të paguajë dhe për shërbimet që privati nuk i kryen, pasi në kontrata është parashikuar pagesa për një numër fiks shërbimesh, që i mundësojnë privatit të dalë me fitim. Vetëm për koncesionet e shëndetësisë, janë paguar 4 vitet e fundit rreth 10 milionë euro për shërbime të pakryera.

Të mjaftueshme këto për të ndërtuar nga e para një spital modest! Nëse nuk paguan, privatët nuk e kanë të vështirë të fitojnë gjyqet. Në rastin e koncesionit të sterilizimit, Ministria e Shëndetësisë u detyrua të kufizonte operacionet, sepse pagesat në vitin 2018 dolën përtej parashikimit dhe u tejkaluan me rreth 3.6 milionë euro (nga 17 mln euro që ishte kontrata vjetore).
Në buxhetin e vitit 2020, shpenzimet kapitale parashikohen me ulje 4%, ndërsa pagesat koncesionare do të rriten me 16%! Këto pagesa kanë arritur në 30% të shpenzimeve kapitale me burime të brendshme dhe 17% të investimeve totale kapitale (një vit më parë, kjo peshë ishte rreth 13%). Po ndodh ajo që pritej. Angazhimi në projektet koncesionare pa efektivitet po e detyron qeverinë të kufizojë shpenzimet e tjera kapitale (ndoshta edhe më të domosdoshme), në mënyrë që të ruajë ekuilibrat e buxhetit.

LEXO EDHE:  Fiskalizimi dixhital/ Nisin konsultimet, gati propozimet për draftin

Transparenca mungon tërësisht. Projekti i Rrugës së Arbrit, me një të rënë të lapsit, u rrit me 45%, në 58 miliardë lekë, nga kontrata fillestare. Asnjë transparencë, pse, kur, dhe si u ndryshua kontrata. Për projektin tjetër, atë të Milot – Balldren, do të paguajmë 17 milionë euro për kilometër, për një rrugë në mes të askundit, që nuk i sjell asnjë vlerë të shtuar ekonomisë, por kursen vetëm 5-10 minuta nga koha e shoferëve. Kostoja e projektit tjetër, Orikum – Dukat, u rrit me 23% në tabelat e buxhetit 2020, në raport me kontratën.

Kostot vetëm sa vijnë e shtohen përtej parashikimeve dhe, nëse vazhdohet me këto ritme, rrezikohet që të kalohet kufiri i pagesave prej 5% të të ardhurave tatimore të vitit të mëparshëm, përtej së cilës qeveria do të detyrohej të korrektonte të ardhurat, ku rruga më e shpejtë do të ishte rritja e taksave. Projekti “One billion”, i trumbetuar me të madhe tre vjet më parë, që synonte të paktën ndërtimin e pesë akseve rrugore, përfshirë dhe Thumanë – Rrogozhinë, 150 shkollave, një spitali model në Fier etj., tashmë është “mbushur” vetëm me tre rrugë (Rruga e Abrit, Milot – Balldren dhe Orikum – Dukat). Një shpërdorim i paturpshëm ky i parave të taksapaguesve, që dekurajon bizneset dhe individët të jenë të përgjegjshëm në marrëdhëniet e tyre me shtetin.

Institucionet ndërkombëtare, të cilat kishin paralajmëruar që në fillim rreziqet që vinin nga angazhimi i lartë me PPP-të, tani po flasin hapur për pasojat dhe ndikimin negativ të tyre në rritjen ekonomike. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në raportin e saj të fundit, rendiste si një prej arsyeve të rishikimit në ulje të performancës ekonomike edhe “risqet e brendshme të lidhura me detyrimet e mundshme që rrjedhin nga programet e Partneriteteve Publike-Private, që u mungon transparenca dhe përgjegjshmëria”!-EDITORIAL- MONITOR

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

KSSH letër Kuvendit/ Boll me PPP, të rriten pagat dhe pensionet

Publikuar

-

Nga

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë ka reaguar në lidhje me projektbuxhetin e 2020.

Në një letër publike drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, KSSH bën thirrje të ndalen koncesionet PPP dhe të rriten pagat minimale dhe pensionet.

“Ky projektbuxhet u hartua ne terr pasi u lanë jashtë debatit grupet e interesit dhe Këshilli Kombëtar i Punës.

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë konstaton me shqetësim se 120 milion euro nga taksat e shqiptarëve vitin që vjen do shkojnë për 14 kontrata koncensionare dhe se fondi për politika të reja pagash është zero, nga 2 miliard lekë që ishte në 2019.

KSSH në fillim të 2019 kërkoi që brenda vitit paga minimale të shkonte deri në 33.000 lekë dhe në vitin 2020 paga minimale të shkojë deri në 36.000 lekë.”-thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Reagim i plotë i KSSH për projektbuxhetin e 2020:

Ministria e Financave ka prezantuar në Konferencën e Kryetarëve projektbuxhetin për vitin 2020 teksa ky projektbuxheti do kalojë dhe në komisionet parlamentare para se të votohet në kuvend dhe të dekretohet nga Presidenti i Republikës.

Ky projektbuxhet u hartua ne terr pasi u lanë jashtë debatit grupet e interesit dhe Këshilli Kombëtar i Punës.

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë konstaton me shqetësim se 120 milion euro nga taksat e shqiptarëve vitin që vjen do shkojnë për 14 kontrata koncensionare dhe se fondi për politika të reja pagash është zero, nga 2 miliard lekë që ishte në 2019.

KSSH në fillim të 2019 kërkoi që brenda vitit paga minimale të shkonte deri në 33.000 lekë dhe në vitin 2020 paga minimale të shkojë deri në 36.000 lekë.

Presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë Kol Nikollaj gjatë punimeve të Kongresit të KSSH i kërkoi Ministrisë së Financave të rrisë sa më shpejt pagën minimale, si e vetmja rrugë që ekonomia shqiptare të shkojë drejt kolapsit.

Paga minimale në vitin 2020 duhet të bëhet 36.000 mijë lekë të reja, ndërkohë duhet parë më urgjencë rritja e pagave për arsimtarët, mjekët dhe administratën. Sot bizneset në Shqipëri po vuajnë për punëtorë dhe shkaku kryesor i hemoragjisë së punës është paga minimale.

LEXO EDHE:  Kujdes! Krahas fiskalizimit, sistemi i ri do gjurmojë pasuritë dhe pronat

Kujtojmë së paga minimale në Shqipëri është 15 herë më e ulët së në vendet Bashkimit Evropian.

Problemi më i madh i shqiptarëve është ekonomia dhe kjo është hallka kryesore në zingjirin e kushteve të Bashkimit Evropian për hapjen e negociatave për vendin tonë.

Shteti Shqiptar duhet të punojë për të luftuar rritjen e arkëtimeve,informalitetin dhe fshehjen e të ardhurave nga biznesi dhe të detyrojë këtë të fundit të bëjë deklarime reale të pagave dhe jo fiktive.

Nga rritja e pagës minimale ai që fiton vec punëmarrësit është punëdhënësi, pasi rritja e pagës pasohet me rritje të produktivitetit dhe rritje të kualifikimeve profesione.

Bizneset në Shqipëri e ndjejnë nevojën e profesionistëve dhe vendimin e qeverisë për rritje të pagës minimale nuk do ta shihnin me skepticizëm. Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë kërkon që të shikohet mundësia edhe për rritjen e pensioneve për vitin 2020.

Sot një pensionist shqiptar, ndonëse gjithë jetën ka punuar në kushte tmerrësisht të vështira me pensionin që merr nuk siguron dot as ilaçet.

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë i kërkon Ministrisë së Financave që pensionet e qytetit të rriten me 10% dhe ato të fshatit të rriten me 15% Rritja e pagës minimale dhe rritja e pensioneve do ishin në kure e fuqishme edhe për plagët sociale më të cilat përballet shoqëria jonë.

Konfederata e Sindikatave i kërkon qeverisë Rama që këtë vit të akordojë pagën e 13 për arsimtarët dhe shpërblim për pensionistët.

Nëse nga taksat e shqiptarët paguhen 120 milionë euro në vit për kontrata koncesionesh nuk ka asnjë arsye përse arsimtarët dhe mosha e tretë duhet të rrije pa shpërblim./ CNA.al

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

Rritet tatimi mbi të ardhurat për individët që kanë më shumë se një punë/ Sa do tatohen

Publikuar

-

Nga

Individët, që punojnë në më shumë se një punë, duhet të përgatiten që të paguajnë më shumë tatim mbi të ardhurat. Kjo do të ndodhë, pasi ata do të jenë të detyruar të bëjnë deklarimin vjetor të të ardhurave në fillim të vitit pasardhës, çka do të ndryshojë tërësisht mënyrën sesi llogaritet tatimi mbi pagat e tyre, duke bërë që individët të përfitojnë vetë një herë nga përjashtimi për të ardhurat deri në 30 mijë lekë, ndërsa nëse shuma e dy pagave të tyre i kalon 150 mijë lekët, do të tatohen për shtesën me 23%.

Me një ndryshim në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, Ministria e Financave parashikon që individët që janë të punësuar në më shumë se një punëmarrës do të bëjnë deklarimin vjetor të të ardhurave, edhe nëse ai nuk i kalojnë 2 milionë lekët në vit.

Më herët, detyrimin për të bërë deklarimin vjetor e kishin vetëm individët që kishin të ardhura prej më shumë se 2 milionë lekësh.

Ndryshimi përcakton që të gjithë individët, të cilët janë të punësuar në më shumë se një punëmarrës, “deklarojnë  në  deklaratën  e  tyre  vjetore  të  të  ardhurave,  në  një  shumë  të  vetme,  të  gjitha  të  ardhurat  e  siguruara  nga  punësimi,  llogarisin shumën  totale  të  detyrimit  tatimor  mbi  pagat,  zbresin  kur  është  rasti,  tatimin  e  mbajtur në burim nga punëdhënësi dhe përcaktojnë shumën e detyrimit tatimor që duhet të paguajnë për buxhetin e shtetit”. Ndryshimi pritet të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

Burime zyrtare nga Ministria e Financave thanë për Monitor se përmes këtij ndryshimi synohet që të vendoset barazi në tatimin mbi të ardhurat që paguhet nga punëmarrësit. P.sh, sot një individ, që mund të marrë paga në tre bordero, me nga 30 mijë lekë secila, nuk paguan asnjë lekë tatim mbi të ardhurat (deri në 30 mijë lekë, tatimi mbi të ardhurat është zero), ndonëse në total ai merr 90 mijë lekë.

Ky individ tashmë, kur të bëjë deklarimin e të ardhurave të vitit të mëparshëm, do të duhet të paguajë tatimi mbi të ardhurat, pasi duhet të llogarisë tatimin mbi pagën mbi totalin prej 90 mijë lekë (në bazë të së cilës duhet të paguajë 13% të shumës mbi 30 mijë lekë). Si rrjedhojë, në këtë rast, ky individ do të duhet të paguajë tatim mbi të ardhurat 93,600 lekë (7,800 lekë në muaj), në momentin që do të bëjë deklarimin e të ardhurave personale (sipas ligjit deklarimi i të ardhurave personale bëhet brenda datës 30 prill të vitit pasardhës).

Ose një individ që ka dy paga mujore nga 50 mijë lekë, aktualisht paguan në vit si tatim mbi të ardhurat 62,400 lekë në total (për të dy pagat, llogaritet vetëm 13% e shumës mbi 30 mijë lekë). Në fillim të vitit të ardhshëm të vitit, kur të bëhet deklarimi i të ardhurave dhe rillogaritja, ai do të duhet të paguajë shtesë në total edhe 46,800 lekë (pasi tatimi do të llogaritet mbi një pagë të vetme prej 100 mijë lekësh dhe do të rezultonte në total 109,200 lekë për gjithë vitin). Shuma e paguar do të rritet në këtë rast me 42% (shiko tabelën 1).

LEXO EDHE:  Fiskalizimi/ Ndryshohet limiti i arkës për bizneset 

Në rast se individi ka dy paga që i kalojnë 150 mijë lekë në muaj, tatimi që ata do të paguajnë do të jetë edhe më i lartë, pasi pjesa mbi 150 mijë lekë do të tatohet me 23%. Psh, një individ me dy paga nga 90 dhe 80 mijë lekë në muaj (170 mijë lekë në total), aktualisht paguan 171.6 mijë lekë tatim në vit. Me deklarimin e të ardhurave, tatimi total do të rezultojë 242.4 mijë lekë, ose 78,800 lekë më shumë. Shuma totale që duhet paguar është 30% më e lartë, sesa kur deklaronte dy rroga veç e veç (shiko tabelën 2).

Prej mëse dy vitesh, kjo mënyrë deklarimi dhe rillogaritje kryhej për ata individë që ishin të dypunësuar, por të ardhurat e tyre e kalonin kufirin e 2 milionë lekëve në vit, ose mbi 167 mijë lekë në muaj.

Tashmë kjo skemë po shtrihet tek të gjithë për të vendosur parimin e barazisë. Burimet nga Ministria e Financave thanë se nuk ka kuptim dhe drejtësi, që një individ që merr një pagë psh 180 mijë lekë në muaj, të paguajë më shumë se një tjetër që merr po të njëjtën shumë, por të ndarë në dy apo tre paga. Nga ana tjetër, sërish nuk ka kuptim që individët me dy paga të ndara, që nuk e kapin kufirin e 2 milionë lekëve në vit, të tatohen ndryshe nga ata që marrin po më shumë se një pagë dhe që e kalojnë këtë kufi.

Financat pohojnë se kanë tentuar më herët që të bëjnë identifikim manual të personave që kanë më shumë sesa një pagë, ndërsa tashmë është sanksionuar me ligj detyrimi i të gjithë individëve që kanë më shumë se një punë për të deklaruar të ardhurat totale nga pagat, çka do të sjellë dhe rritje të tatimit të paguar prej tyre.

Tatimi mbi të ardhurat për pagat mbi 150 mijë lëkë (23%) jo vetëm është më i larti në rajon, po ai nxiti një skemë të shmangies ndaj taksave, duke shfrytëzuar hapësirat ligjore dhe diferencat në tatimin ndaj individëve dhe ndaj bizneseve të vogla. Individë me paga të larta dolën nga skema e pagës së kompanive dhe u regjistruan si persona fizikë (biznes i vogël) dhe filluan të faturojnë kompanitë që ata punojnë, në mënyrë që të shmangin tatimin mbi të ardhurat personale, që për pagat e larta arrin deri në 23%. Tatimet një vit më parë hartuar disa ndryshime ligjore për të kapur shmangësit./ Monitor

   

LEXO TE PLOTE