LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ndau një komb për 28 vite/ Gjithçka që duhet të dini mbi Murin e Berlinit

29 Tetor 2019, 08:01, Blog CNA
Ndau një komb për 28 vite/ Gjithçka që duhet të dini

Kanë kaluar plot 30 vjet nga rënia e Murit të Berlinit. Muri u pa si zgjidhja që Gjermania Lindore përdori për të ndalur largimet masive të qytetarëve të saj, përgjatë kufirit të hapur të Berlinit Perëndimor në kulmin e Luftës së Ftohtë.

Po çfarë ndodhi gjatë 28 viteve të atij muri?

Në vitet 1950, Republika Demokratike Gjermane (RDGJ), ishte pjesë e zonës sovjetike të pushtimit pas Luftës së Dytë Botërore. Por 1 në 6 qytetarë gjermanë të kësaj pjese, nisën të  arratiseshin drejt perëndimit, në kërkim të punës në ?mrekullinë ekonomike? të Gjermanisë Perëndimore.

Por në shumë raste, arratitë nxiteshin edhe nga persekutimi politik ose fetar. RDGJ donte që të ndalte këtë fluks, ndaj në gushtin e vitit 1961, Moska i dha leje të mbyllë kufirin dhe ndërtojë një mur. Përmes një operacioni të fshehtë, policia dhe milicia e Gjermanisë Lindore, krijoi një kordon njerëzor përgjatë kufiir me Berlinin Perëndimor.

Të garantuar nga policia sekrete STASI në Berlinin Perëndimor, se ushtarët në Berlinin Perëndimor nuk do të reagonin fare, forcat kufitare ngritën në fillim një gardh me tela me gjemba. Kryetari i bashkisë së Berlinit Perëndimor, Vili Brand, e krahasoi me kampet naziste. Dhe në fakt kullat e vrojtimit prej druri, e forconin më shumë këtë ngjashmëri.

Rregjimi komuniste në lindje, pretendonte se ai kufi i militarizuar rëndë do të shpëtonte paqen. Ai u përpoq të bindte gjermano-lindorët, se NATO kishte planifikuar një sulm ndaj Gjermanisë Lindore.

Por shumë pak njerëz e besuan këtë. Pak muaj më vonë, presidenti amerikan Xhon Kenedi, vizitoi Berlinin Perëndimor. Në fjalimin e tij të famshëm para dhjetëra mijëra berlinezo-perëndimorëve  ?Ich bin ein Berliner?, ai e ndryshoi fjalimin e tij në minutën e fundit, për të denoncuar ?Murin e turpit?.

Muri ishte 163 kilometra i gjatë, nga të cilat rreth 100 km përshkohej nga një mur, kryesisht në pjesën e brendshme të qytetit, dhe 60 km nga një garth i madh teli me gjemba. Përreth vijës kufitare u vendosën mijëra mina, të cilat qëndruar aty deri në vitet 1980.

Ai kishte një lartësi 3.6 metra, dhe ishte demonstruar shkencërisht nga disa sportistë si i pakapërcyeshëm vetëm, pa ndonjë mjet artificial. Gjatë gjithë ekzistencës së tij, Muri i Berlinit, u mori jetën e të paktën 140 njerëzve. E para ishte 58-vjeçarja Ida Siekman, që vdiq më 22 gusht 1961, pasi u hodh nga dritarja e katit të tretë në Rrugën Bernauer, ku pjesa ballore e shtëpive përbënte pikërisht vijën kufitare.

Incidenti më publik ndodhi më 17 gusht 1962 kur 2 djem adoleshentë të Berlinit Lindor kaluan me vrap post-bllokun e famshëm Checkpoint Charlie. Njëri ia doli të kalojë matanë, por 18-vjeçari Peter Fehter u qëllua në shpinë dhe u rrëzua përtokë. Disa fotografë perëndimorë që u ndodhën në vendngjarje, i kërkuan rojeve ta shpëtonin adoleshentin fatkeq, por ai u la të vdesë nga hemoragjia rrëzë Murit.

Mesa duket, rojet kishin frikë nga ndonjë hakmarrje e perëndimorëve. Tre vjet pas ndërtimit të murit, një tunel u gërmua nga brenda një oborri të pasëm të një shtëpie në Berlinin Perëndimor. Ai dilte në një banjo të jashtme në pjesën lindore të qytetit. 57 berlinezo-lindorë arritën të arratisen.

Njerëzit e fundit të vrarë gjatë tentativës për të kapërcyer Murin e Berlinit ishte Kris Gefrua, i pushkatuar në shkurtin e 1989-ës, dhe Vinfrid Frojdenberg, balona me ajër të nxehtë e të cilit u rrëzua 1 muaj më vonë. Gjithsesi, shumica e arratisjeve ishin të suksesshme. Në fillim të viteve 1960, njerëzit hidheshin nga çatitë dhe dritaret e shtëpive buzë vijës kufitare.

Numri i të arratisurve, u zvogëlua nga mijëra në atë kohë, në vetëm qindra çdo vit nga vitet 1980. Por edhe në vitin 1988, dhjetëra njerëz tentonin të arratiseshin çdo muaj, dhe më shumë se gjysma ia dilte, kryesisht falë dezertimit të rojave. Po si ishte jeta në secilën anë të Murit?

I izoluar nga të gjitha anët, Berlini Perëndimor, u shndërrua në një vend tërheqës për shumë njerëz nga Evropa Perëndimore dhe SHBA. Shumë artistë, frymëzoheshin nga qenia kaq pranë rrezikut të Luftës së Ftohtë. ?Ne mund të jemi heronj?, titullohej kënga e këngëtari britanik Dejvid Boui, e kompozuar në një studio në Berlinin Perëndimor, me pamje nga Muri.

Berlinezo-lindorët, u lejuan të vizitoheshin nga të afërmit e tyre të Berlinit Perëndimor me rastin e festës së Krishtlindjeve të vitit 1963, por policia sekrete mbikëqyrte çdo gjë. Ndryshe nga pjesa perëndimore, gjermano-lindorët vuajtën nga mungesat e mallrave të ndryshme, ashtu si pjesa dërrmuese e njerëzve në bllokun komunist.

Çfarë ngjarjesh, çuan në shkatërrimin e Murit të Berlinit? Situata ekonomike në lindje, u përkeqësua shumë në vitet 1980. Kriza energjetike ishte në prag, pasi Bashkimi Sovjetik këmbënguli që pagesat për naftën e saj të bëheshin në një monedhë të fortë.

Gjithsesi, ajo që e përshpejtoi shpërbërjen e RDGJ-së, ishte çarja e ?Perdes së Hekurt? diku tjetër, në kufirin midis Hungarisë dhe Austrisë, në fund të pranverës së 1989-ës. Shumë gjermano-lindorë u dyndën në ambasadat e Gjermanisë Perëndimore në të gjithë bllokun lindor.

Në mbarë RDGJ nisën protestat nëpër rrugë. Kulmi u shënua më 9 tetor 1989, kur forcat e sigurisë në Lajpcig u përplasën fizikisht me 70.000 demonstrues. Ajo përplasje, tregoi se gjermano-lindorët e kishin vrarë frikën e tyre.

Edhe kremtimet e 40-vjetorit të RDGJ-së atë muaj, u shoqëruan me kundër-tubime të mëdha, ku njerëzit thoshin se donin të shihnin jo lulëzimin, por fundin e socializmit shtetëror. Ndërkohë më 9 nëntor 1989, zëdhënësi i Partisë Komuniste, Gynter Shabovski, tha se cilido mund të kapërcente murin. Në mesnatë dhjetëra mijëra berlinezo-lindorë shkatërruan pikat kufitare. Rojet e STASI-t e kishin kuptuar se ?loja? kishte mbaruar. Historia e Murit të Berlinit, tregon se muret për të ndarë dhe izoluar njerëzit nuk funksionojnë./ History Extra- Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga