Connect with Us

Paketa e re/ Të gjitha ndryshimet, si po përshtatet legjislacioni për fiskalizimin

Ekonomi

Paketa e re/ Të gjitha ndryshimet, si po përshtatet legjislacioni për fiskalizimin

Publikuar

-

Paketa Fiskale, këtë vit, vjen me një nxitje pozitive për industrinë automative, duke përcaktuar një normë 5% për tatimfitimin për bizneset që bëhen pjesë e saj, teksa norma e taksimit për bizneset e tjera është 15%.

Sportistët dhe kompanitë që sponsorizojnë sportin lehtësohen nga tatimet dhe legjislacioni fiskal përshtatet për fiskalizimin. Penalitetet bëhen progresive dhe taksat për makinat luksoze lehtësohen.

Ndryshimet e reja fiskale, që pritet të hyjnë në fuqi në vitin 2020, synojnë të nxisin investimet në industrinë automative, mbështetjen e aktiviteteve sportive dhe përshtatjen e legjislacionit tatimor, sidomos Ligjit të Procedurës Tatimore dhe Ligjit për TVSH me fiskalizimin, një projekt i ri i Ministrisë së Financave për procesin e faturimit që pritet të zbatohet nga pranvera e vitit 2020.

Ndryshimet ligjore, për shkak të fiskalizimit, përfshijnë edhe disa penalitete në zinxhirin e aktorëve në këtë projekt, që nga administratorët e pajisjeve deri te bizneset dhe konsumatorët. Me ndryshimet e reja, gjobat për kundërvajtjet e përdorimit të pajisjeve janë progresive nga biznesi i vogël te më i madhi, nga 50-150 mijë lekë. Gjithashtu, Paketa Fiskale e vitit 2020 rregullon taksimin e makinave të luksit me tendencë ulje, duke amortizuar vlerën e tyre me nga 10 % në vit.

Paketa Fiskale e këtij viti vjen me një nxitje pozitive për industrinë automative, duke përcaktuar një normë 5% për tatimfitimin për bizneset që bëhen pjesë e saj, teksa norma e taksimit për bizneset e tjera është 15 %. Shqipëria nuk ka traditë në prodhimin e automjeteve, po sigurisht që ka një traditë shumëvjeçare që nga koha e monizimit në disa industri për prodhimin e pjesëve elektrike dhe pajisjeve të tjera më të lehta, që u duhen industrisë automative. Kjo lehtësi u ndërmor në kuadër të një plani të përbashkët rajonal, për të tërhequr industrinë mbështetëse të prodhimit të automjeteve në rajon, ku pararojë janë Maqedonia dhe Serbia.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, dha vlerësime për incentivimin e industrisë automative. Sipas tij, qeveria duhet të mbështesë sektorin prodhues dhe industrinë përpunuese, si një bazë e shëndetshme për nxitjen e eksporteve dhe rritjen e punësimit.

Paketa Fiskale e vitit 2020 nuk ka ndikime të drejtpërdrejta në të ardhura, por synon të nxisë investimet në sektorët e industrisë së automjeteve dhe gjallërimin e aktiviteteve sportive.

Tatimfitim 5% për bizneset e industrisë automative

Shqipëria po synon të bëhet pjesë e zinxhirit të prodhimit të industrisë automative. Në Paketën Fiskale të vitit 2020 është propozuar një ndryshim në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, që synon incentivimin e sektorit të industrisë automotive, duke ulur normën e tatimfitimit në 5 %, për personat juridikë që ushtrojnë aktivitet ekonomik në këtë industri.

Industria automotive në Shqipëri është në fillesat e saj dhe aktualisht, has vështirësi të konkurrojë me kushtet, kapacitetet dhe potencialin e ofruar nga vendet e rajonit për këtë lloj industrie. Duke qenë se vendet e rajonit, si Serbia apo Maqedonia, kanë kulturë dhe industri të kësaj natyre më të hershme, thjesht e kanë vazhduar dhe plotësuar më tej duke përmirësuar nivelin e ekspertizës dhe know-how. Ministria e Financave e argumenton në relacionin që shoqëron ndryshimet ligjore se, propozimi i incentivave fiskale në fushën e industrisë automotive ka qëllim, jo vetëm të ndihmojë vendin tonë që të konkurrojë në këtë sektor me vendet e rajonit, por dhe të mundësojë tërheqjen e investimeve në këtë industri.

Me këto ndryshime, nxitja e investimeve në sektorin e industrisë automotive do të kontribuojë, edhe në rritjen e numrit të bizneseve që operojnë në këtë fushë, si dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Praktika ndërkombëtare njeh disa forma të incentivimit për sektorë të caktuar të industrisë, për të cilët gjykohet me rëndësi rritja dhe zhvillimi. Konkretisht, këto incentiva mund të konsistojnë p.sh., në lehtësi tatimore për fitimin e realizuar nga shoqëritë që operojnë në këta sektorë, apo dhe në njohje përtej normës së lejuar të shpenzimeve të zbritshme për efekt fiskal.

Nëpërmjet këtij projektligji, propozohet forma e reduktimit të tatimfitimit nga shkalla normale, duke synuar krijimin e kushteve të favorshme për përmirësimin e klimës për zhvillimin e tregut të industrisë automotive brenda vendit.

Sportistët dhe kompanitë që sponsorizojnë sportin lehtësohen nga tatimet

Qeveria ka vendosur të mbështesë aktivitetet sportive, duke lehtësuar barrën fiskale për artistët dhe kompanitë që sponsorizojnë aktivitetet sportive.

Kjo synohet të arrihet edhe nëpërmjet përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat personale për shpërblimet që iu jepen sportistëve dhe ekipeve sportive, pjesë të federatave sportive, të njohura nga legjislacioni përkatës, për rezultatet e arritura gjatë aktivitetit sportiv. Ndërkohë, lehtësi propozohen dhe për personat juridikë, të cilët realizojnë fitim vjetor të tatueshëm mbi 100 milionë lekë, për shumat e sponsorizuara në fushën e sportit, të njohura si shpenzime të zbritshme, për efekt të llogaritjes së tatimit mbi fitimin e periudhës tatimore, janë të zbritshme sa trefishi i vlerës së shumës së sponsorizuar.

Për tatimpaguesit, të cilët investojnë në projekte biznesi mbi 1 miliard lekë, mbartja e humbjeve të bëhet për një periudhë 5-vjeçare, propozohet pasi këto investime me vlera të konsiderueshme dhe që përgjithësisht kanë një shtrirje të konsiderueshme në kohë, të kenë mundësi që humbjet e rezultuara t’i mbulojnë me fitimet në pesë periudhat e ardhshme tatimoresipas parimit “humbja e parë më përpara se ajo e fundit.”

Projektligji synon gjithashtu harmonizimin e Ligjit nr. 8438, nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, me ligjin e ri “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit.”

2020, lehtësohet taksimi për makinat e luksit

Në Paketën Fiskale 2020, qeveria ka lehtësuar taksimin për makinat e luksit duke amortizuar vlerën e tyre me 10 % në vit.

Me këtë ndryshim, Ministria e Financave po synon saktësimin e vlerës së mjetit për efekt të kritereve që duhet të përmbushë një automjet për t’u konsideruar automjet luksi. Aktualisht, në ligjin “Për taksat kombëtare”, i ndryshuar, përcakton se “automjet luksoz” konsiderohet autovetura deri në 6+1, e cila plotëson të paktën njërin nga kushtet e mëposhtme:

-Cilindratën të barabartë ose më të madhe se 3000 cm3; ose

-Vlerën/çmimin të barabartë, ose më shumë se 5 000 000 lekë.

Me ndryshimet e propozuara në këtë projektligj synohet që vlera e automjetit do të amortizohet çdo vit me 10 % të vlerës së mbetur. Gjithashtu është parashikuar se vlera e shitjes së automjeteve të klasifikuara si “Automjet luksoz” nuk mund të jetë më e vogël se vlera e mjetit të amortizuar sipas amortizimit.

Ministria e Financave shpjegoi se ky propozim vjen si shkak i një numri të konsiderueshëm të kërkesëpadive në DPSHTRR në lidhje me uljen vit pas viti të vlerës së mjeteve të klasifikuara si mjete luksi. Të tilla kërkesëpadi apo ankesat nga pronarët e mjeteve për çmimin e mjetit, janë një numër i konsiderueshëm, fakt ky i cili ngarkon me kosto financiare që rëndojnë statusin e DPSHTRR-së, si person juridik, publik, i cili vetëfinancohet.

Gjithashtu kanë ndryshuar penalitetet me qëllim unifikimin e gjobës për pagesë të vonuar për taksën vjetore të mjeteve të përdorura me gjoba të vendosura për detyrime tatimore të së njëjtës natyrë të parashikuara në Ligjin për Procedurat Tatimore.

Në nenin 4, pika 3, e ligjit aktual “Për Taksat Kombëtare” përcaktohet “…Pronari i mjetit, i cili nuk kryen pagesën e kësaj takse brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të vlefshmërisë së parashikuar, detyrohet të paguajë një gjobë prej 5 % të shumës së detyrimit të papaguar për çdo muaj vonesë, por jo më shumë se 25 % për çdo vit. 18 % e të ardhurave vjetore nga kjo taksë i kalojnë buxhetit të qeverisjes vendore. Procedura e ndarjes së të ardhurave me buxhetet e njësive të qeverisjes vendore përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave, bazuar në numrin e mjeteve të regjistruara sipas njësive të qeverisjes vendore.”

Me ndryshimet e propozuara në këtë projektligj bëhet zëvendësimi i togfjalëshit “prej 5 % të shumës së detyrimit të papaguar për çdo muaj vonesë, por jo më shumë se 25 % për çdo vit” zëvendësohet me togfjalëshin “sipas nenit 114 të ligjit nr.9920, datë 19.05.2008 ‘Për procedurat tatimore në RSH’, i ndryshuar” dhe togfjalëshi “18 për qind” zëvendësohet me togfjalëshin “25 për qind”.

Ndryshimet e mëtejshme synojnë rritje të komisionit që përfiton DPSHTRR, prej 5 % për taksën e regjistrimit fillestar dhe taksën e përvitshme për automjetet luksoze. Aktualisht përcaktohet se për taksën e regjistrimit fillestar dhe taksën e përvitshme për automjetet luksoze, zero për qind.

Me ndryshimet e propozuara në këtë projektligj, taksa e regjistrimit fillestar dhe taksa e përvitshme për automjetet luksoze, bëhet 5 %.

Ky propozim vjen për arsye se DPSHTRR-ja, duke qenë me statusin e personit juridik, publik, i cili vetëfinancohet dhe nga ana tjetër kostot janë relativisht të larta për ndryshime të kritereve për klasifikimin e mjetit si “automjet luksoz” në sistemin informatik. Mungesa e të dhënave për vlerën e mjetit në sistemin informatik e DPSHTRR ka bërë që puna për kontrollin, plotësimin dhe saktësimin e vlerës së mjetit, për të gjithë ato mjete të cilat mendohej se mund të klasifikohen si “automjet luksoz”, janë realizuar shpenzime përkatëse të konsiderueshme sidomos në burime njerëzore, në një kohë që DPSHTRR si agjent nuk përfiton asnjë të ardhur nga kjo taksë. Gjithashtu DPSHTRR, për të realizuar arkëtimin e taksave dhe për të qenë sa më afër taksapaguesve, ka hapur zyra edhe në rrethe të tjera.

Këto ndryshime synojnë shtimin e kategorisë së personave me aftësi të kufizuara për t’u përjashtuar nga taksat vjetore të mjeteve të përdorura dhe përjashtimin nga pagimi i taksës vjetore të automjeteve të hershme me interes historik dhe koleksionimi sipas akteve ligjore e nënligjore në fuqi.

Procedurat përshtaten me fiskalizimin

 Ligji për Procedurat Tatimore do të ndryshojë vitin që vjen më së shumti në drejtim të përshtatjes me fiskalizimin. Ministria e Financave sqaron se, ky projektligj synon harmonizimin e dispozitave përkatëse të ligjit Për Procedurat Tatimore në vendin tonë lidhur me faturimin, me përcaktimet e projektligjit për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit, i cili sjell një risi në procesin e faturimit dhe monitorimit të transaksioneve, harmonizimin dhe unifikimin e kundërvajtjeve administrative që lidhem me çështjet e faturimit, si dhe rregullimin e disa çështjeve teknike që lidhen administrimin e detyrimeve tatimore të propozuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

LEXO EDHE:  Miratohen ndryshimet në Kodin Penal/Deri në 5 vite burg për blerësit e votës

Ky projekt është materializuar edhe në projektligjin për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit, i cili pasi kaloi fazat e konsultimit, është përcjellë për shqyrtim dhe miratim pranë Këshillit të Ministrave.

Në këtë kontekst, duke qenë se projektligji për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit, sjell risi dhe ndryshime në sistemin e faturimit dhe monitorimit të qarkullimit, përfshirë në një të ardhme të afërt edhe faturën elektronike (e-invoice), është e nevojshme të harmonizohen dhe përshtaten dispozitat përkatëse të ligjit të procedurave tatimore lidhur me faturimin, me parashikimet e këtij projektligji, sqaron Ministria e Financave.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hartuar projektligjin “Për faturën dhe sistemin e Monitorimit të qarkullimit”, i cili propozon krijimin e një sistemi të ri faturimi dhe monitorimi të transaksioneve të bizneseve në vend, të shoqëruara me një risi në pajisjet fiskale. Qëllimi kryesor i këtij ligji, është të krijojë një regjistër të subjekteve që lëshojnë fatura dhe kështu të kontrollojë përmbajtjen e tyre, të monitorojë të gjitha faturat e lëshuara (pavarësisht nëse ato paguhen me apo pa para në dorë) gjatë kryerjes së transaksioneve B2C (Business to Consumer), B2B (Business to Business) dhe B2G (Business to Government), si dhe pagesat e faturave të lëshuara dhe të regjistruara pa para në dorë, në kohë reale, nga administrata tatimore e Republikës së Shqipërisë.

Ndryshojnë penalitetet, gjobat bëhen progresive

Me ndryshimet e propozuara ligjore në ligjin e procedurës tatimore, skema e gjobave ndryshon për moslëshim të faturës shoqëruese.

Për bizneset e vogla, që nuk janë të regjistruara në TVSH dhe që nuk lëshojnë fatura, ose i lëshojnë me elemente gjysmake sipas ndryshimeve të reja ligjore, dënohen me gjobë prej 50,000 lekë.

Tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël dhe për TVSH-në, dënohen me gjobë prej 100,000 lekë, por jo më pak se vlera e TVSH-së munguar.

Tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit mbi fitimin dhe për TVSH-në, dënohen me gjobë prej 150,000 lekë, por jo më pak se vlera e TVSH së munguar.

Përveç dënimit me gjobë, sipas pikës 1 të këtij neni, përveç masës së gjobës për tatimpaguesit e regjistruar për TVSH-në bëhet vlerësim tatimor për tre muajt e fundit, duke përdorur metodat alternative.

Sipas ndryshimeve të propozuara subjekti, i cili për herë të dytë brenda vitit kalendarik, kryen një shkelje gjobitet me 100,000 (njëqind mijë) lekë për tatimpaguesit e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël pa TVSH-së, 200 000 (dyqind mijë) lekë për tatimpaguesit e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël me TVSH-së, 300 000 (tre qind mijë) për tatimpaguesit e tjerë të regjistruar për tatimfitimi dhe TVSH.

Për tatimpaguesit e regjistruar për TVSH-në bëhet vlerësim tatimor për periudhat e fundit të pavlerësuara, por jo më tepër se tre muaj, duke përdorur metodat alternative, të parashikuara në nenet 71 dhe 72 të këtij ligji. Më tej, ndaj biznesit merret masa e bllokimit të veprimtarisë në vendin ku është konstatuar shkelja për 30 ditë kalendarike, e cila hiqet nëse tatimpaguesi paguan penalitetet e vendosura.

Ndryshimet përcaktojnë se tatimpaguesi që lëshon një dëftesë tatimore, me vlerë të parashtypur, që nuk përmban elementet e përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore, për dëftesën tatimore/biletën me vlerë të parashtypur, dënohet me gjobë, në masën 50 000.

Tatimpaguesi që lëshon dëftesë tatimore, ku ka shënuar një vlerë të ndryshme nga vlera e furnizimit, ose e çmimit të afishuar, dënohet me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë;

Moslëshimi i biletave të shërbimit me vlerë të parashtypur, të prodhuara nga institucionet e autorizuara, të përdorura në sektorë të ndryshëm, dënohet me gjobë, në masën 10,000 lekë.

Në ligjin aktual të procedurave tatimore, që është në zbatim gjoba për moslëshimin të kuponëve dhe faturave tatimore, ishin 50 mijë lekë dhe rivlerësim të vlerës së mallit për çdo kategori të biznesit.

Gjobat në procedurën e fiskalizimit

Tatimpaguesi, i cili është subjekt i lëshimit të faturës ose faturës shoqëruese, në përputhje me ligjin që rregullon faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit, dënohet me gjobë nëse nuk instalon pajisjen elektronike të faturimit, ose nuk pajiset me pajisje elektronike të faturimit të lëvizshëm dhe me printer fiskal, i cili përmban një softëare për nënshkrimin elektronik të faturës dhe nuk siguron një lidhje interneti për shkëmbimin elektronik të të dhënave me administratën tatimore si më poshtë:

-Tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, të cilët nuk janë të regjistruar për TVSH-në, dhe tatimpagues të tjerë dënohen me gjobë prej 50,000 lekë.

-Tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, dhe për TVSH-në, dënohet me gjobë prej 100,000 lekë.

Tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit mbi fitimin, në përputhje me ligjin për tatimin mbi të ardhurat dhe për TVSH-në, dënohet me gjobë prej 150,000 lekë.

nëse:

Gjobat e mësipërme aplikohen edhe ndaj bizneseve që nuk pajisen në AKSHI me certifikatën dixhitale të përcaktuar për nënshkrimin elektronik të faturës, ose faturës shoqëruese dhe për identifikimin e tatimpaguesit që lëshon fatura. Gjobat aplikohen edhe për bizneset që nuk lëshon faturat nëpërmjet pajisjeve elektronike të faturimit të përcaktuar në shkronjën dhe që nuk zbatojnë procedurën e fiskalizimit për shitje nëpërmjet pajisjeve të vetëshërbimit.

Kundërvajtjet për mirëmbajtësit e pajisjeve të fiskalizimit

Sipas ndryshimeve të propozuara ligjore, prodhuesi dhe/ose mirëmbajtësi i software, i cili nuk është regjistruar në regjistrin e prodhuesve ose mirëmbajtësit të softuerit, përpara fillimit të ofrimit ose mirëmbajtjes së softuerit për lëshimin e faturave, ose faturave shoqëruese, në Administratën Tatimore, në përputhje me ligjin që rregullon faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit, dënohet me gjobë 1.000.000 lekë për këtë shkelje.

Prodhuesi ose mirëmbajtësi i software, programi i të cilit përdoret nga subjekti që lëshon fatura, nuk mundëson procedurën e fiskalizimit dhe nëse software përmban mundësi, të cilat shmangin procedurën e fiskalizimit të faturës së lëshuar në përputhje me ligjin që rregullon faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit, dënohet me gjobë 1.000.000 lekë për këtë shkelje.

Shkeljet në procedurën e lëshimit dërgimit dhe pranimit të e-Faturës

Sipas propozimeve të Ministrisë së Financave, personi, i cili është subjekt i lëshimit të e-Faturës, në përputhje me ligjin që rregullon faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit dënohet me gjobë:

-Tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, të cilët nuk janë të regjistruar për TVSH-në, dhe tatimpagues të tjerë dënohen me gjobë 50,000 lekë.

-Tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, dhe për TVSH-në, dënohen me gjobë 100,000 lekë, por jo më pak se vlera e TVSH së munguar.

-Tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit mbi fitimin, në përputhje me ligjin për tatimin mbi të ardhurat dhe për TVSH-në, dënohen me gjobë 150,000 lekë, por jo më pak se vlera e TVSH së munguar nëse:

-Nuk lëshon apo dërgon e-Faturën dhe dokumentet shoqëruese në përputhje me ligjin që rregullon faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit;

lëshon dhe dërgon e-Faturat dhe dokumentet shoqëruese që nuk janë në përputhje me rregullat e përdorimit të e-Faturës;

nuk është regjistruar në regjistrin qendror të shkëmbimit të e-Faturave.

Personi, i cili është i detyruar të pranojë e-Faturën, në përputhje me ligjin që rregullon faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit, dënohet me gjobë:

Tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, të cilët nuk janë të regjistruar për TVSH-në, dhe tatimpagues të tjerë dënohen me gjobë 50,000 lekë.

Tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, dhe për TVSH-në, dënohen me gjobë prej 100,000 lekë.

Tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit mbi fitimin dhe për TVSH-në, dënohen me gjobë 150,000 lekë, por jo më pak se vlera e TVSH së munguar

nëse:

-pranon dhe përpunon e-Fatura dhe dokumentet shoqëruese që nuk janë në përputhje me rregullat e përdorimit të e-Faturës;

-nuk pranon ose nuk përpunon e-Faturat dhe dokumentet shoqëruese në përputhje me ligjin që rregullon faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit;

-kryen pagesat e e-Faturës në kundërshtim me dispozitat e ligjit që rregullon faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit.

Personi, i cili është ndërmjetës i teknologjisë së informacionit që ofron shërbime për lëshim/dërgim të e-Faturës, të cilat nuk janë në përputhje me ligjin që rregullon faturën dënohet me gjobë 50.000 lekë për çdo faturë.

Mosmarrja e faturës, gjobat

Blerësi ose çdo pranues i faturës së lëshuar për pagesë me para në dorë, i cili nuk e merr faturën e lëshuar, dhe, me kërkesë të personit të autorizuar të administratës tatimore, nuk i tregon faturën e marrë pas largimit nga vendndodhja e biznesit të shitësit dënohet me:

-100 mijë lekë nëse është tatimpagues i regjistruar për TVSH dhe/ose Tatimin mbi Fitimin

-50.000 lekë nëse është tatimpagues i regjistruar për Tatimin e Thjeshtuar mbi Fitimin.

-2.000 lekë nëse është individ, konsumator final. Me ligjin aktual gjoba për konsumatorët ishte 1000 lekë.

Dënimet janë 00.000 lekë për çdo rast, nëse banka apo institucioni financiar që ofron shërbime të pagesave pa para në dorë të e-Faturave të lëshuara nga subjekti i cili ka zbatuar procedurën e fiskalizimit, nuk e regjistron pagesën e kryer, si dhe për këtë pagesë nuk e njofton administratën tatimore nëpërmjet sistemit elektronik, menjëherë pas pagesës, në përputhje me ligjin që rregullon faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit./ Monitor

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekonomi

1.15 miliard euro për rindërtim/ Malaj: Kreditë e buta janë borxh që i shtohen ekonomisë shqiptare

Publikuar

-

Nga

Gjatë konferencës së donatorëve të zhvilluar dje në Bruksel, Shqipëria arriti të grumbullojë 1 miliarde e 150 milionë euro për rindërtimin.

Ekspertët kanë kërkuar transparencë për fondet e përfituara në Konferencën e Donatorëve.
Ish ministri i FInancave, Arben Malaj, theksoi se kreditë e buta janë borxh që i shtohen ekonomisë shqiptare. Sipas tij, qeveria duhet që të bëjë publike të gjitha efektet e kredive dhe impaktin që ato mund të kenë në nivelin e borxhit.

“Kushtet e kredisë duhen specifikuar. Qeveria në një peruidhë sa më të afërt duhet të tregojë sa dha çdo vend, sa ishte grant nga secili vend, dhe sa ishte kredi, me çfarë termash është kredia. Qeverisë gjithashtu do i duhet punë e madhe për të bërë përputhjen se ku donatorët kanë preferuar ti japin donacionet e tyre, edhe kjo punë kërkon kohën e saj”, tha Malaj për Abc News.

Edhe eksperti i ekonomisë Adrian Civici shprehet se kreditë e buta nga institucionet financiare dhe nga vendet europiane do të shlyhen nga xhepat e qytetarëve shqiptarë.

LEXO EDHE:  Krizë në qeverisje?/ Rama i përgjigjet gazetës prestigjioze gjermane

LEXO EDHE:  Miratohen ndryshimet në Kodin Penal/Deri në 5 vite burg për blerësit e votës

“Përfshirja e këtyre kredive të buta si pjesë e borxhit duhet të bëhet me vendim parlamenti për tavanin e borxhit. Direkt apo indirekt këto kredi janë borxh publik sepse pavarësisht kohëzgjatjes dhe normave të interesit të ulta pjesa tjetër e menaxhimit nga pikëpamja financiare është ngjashëm me borxhin e shtetit”, thotë Civici.

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

Nga Klodian Tomorri/ Donacionet, kreditë dhe borxhi

Publikuar

-

Nga

Një pjesë e opinionit publik është e shqetësuar se shuma e madhe e kredive të mobilizuara një ditë më parë në konferencën e donatorëve do të rrisin borxhin publik të Shqipërisë, madje duke kërcënuar stabilitetin e vendit. Ky shqetësim I qytetarëve është i mirëkupetueshëm. Një pjesë e tij buron edhe nga kakofonia mediatike, që shpesh në ngjarje të këtyre përmasave është e paevitueshme. Megjithatë rritja e borxhit dhe falimenti i Shqipërisë është një rrezik që nuk mund të ndodhë.

Kufiri i huamarrjes dhe borxhit publik është i përcaktuar në ligjin për buxhetin e shtetit. Një qeveri nuk mund të marrë borxh përtej këtij niveli. Për vitin 2020, niveli i humarrjes që lejon buxheti për qeverinë është përcaktuar në 39 miliardë lekë ose rreth 319 milionë euro. Kaq borxh mund të marrë qeveria për të gjithë vitin, asnjë lekë cent më shumë.
Nëse një institucion apo vend donator del sot dhe deklaron se do të japë 2 miliardë euro kredi me interes zero për Shqipërinë, qeveria shqiptare nuk mund t’i marrë dot.

Maksimumi, që ajo mund të marr është 320 milionë euro dhe brenda kësaj shifre një pjesë është borxh I brendshëm, që merret nga bankat vendase. Në të kundërtën orientimi I të gjithë huamarrjes në tregun e jashtëm do të shkaktonte probleme në tregun financiar vendas, për shkak se një pjesë e mirë e biznesit të bankave buron nga blerja e borxhit të qeverisë.

Përtej kufirit të huamarrjes që është përcaktuar në buxhet, ka dhe një filtër tjetër që nuk lejon rritjen e borxhit. Ai është rregulli fiskal. Sipas një ligji të miratuar në vitin 2016, qeveria është e detyruar që çdo vit niveli i borxhit publik si përqindje ndaj Prodhimit Kombëtar të vijë duke u ulur. Pra nëse në fund të vitit të kaluar borxhi publik neto ishte 64.9 për qind e Prodhimit Kombëtar, në fund të këtij viti shifra duhet të jetë me patjetër më e ulët, përndryshe qeveria bie në paligjshmëri.

Pyetja llogjike që mund të shtrohet në këtë rast është se si ka mundësi, që edhe pse qeveria merr 320 milionë euro borxh të ri në vitin 2020, borxhi publik si përqindje e prodhimit kombëtar ulet? Edhe pse në dukje një paradoks I pamundur, ky është një fenomen plotësisht normal. Borxhi publik ulet për shkak të rritjes ekonomike dhe rritjes natyrale të çmimeve. nëse qeveria do të merrte shumë më tepër se 320 milionë euro borxh për këtë vit, atëherë borxhi publik do të rritej, për shkak se huamarrja do të ishte më e lartë se sa shuma që amortizon rritja ekonomike dhe inflacioni.

LEXO EDHE:  Seanca parlamentare/ Miratohen ndryshimet e Reformës Zgjedhore

LEXO EDHE:  Krizë në qeverisje?/ Rama i përgjigjet gazetës prestigjioze gjermane

Por t’i rikthehemi rrezikut të rritjes së borxhit. Ka vetëm një mënyrë se si qeveria mund të rrisë borxhin. Ai është përmes një ligji të ri, që ndryshon buxhetin e shtetit 2020 dhe një ligji tjetër të ri, që shfuqizon rregullin fiskal. Por nëse qeveria do të vendosë të bëjë një gjë të tillë atëherë kompanitë ndërkombëtare të ratingut dhe institucionet që monitorojnë ekonominë shqiptare do të vepronin menjëherë duke deklasuar financat e Shqipërisë. Ky është një rrezik që nuk do ta merrte asnjë qeveri racionale.

Ironikisht donatorët më të mëdhënj të kredive në konferencën e një ditë më parë, janë pikërisht ata që nuk e lejojnë qeverinë të marrë borxh më shumë se kufiri i përcaktuar në buxhet. Rrjedhimisht shqetësimit e tipit se kreditë e donatorëve do e rrisin borxhin në 80 për qind, janë një risk që nuk ka gjasa të ndodhë. Kush e njeh buxhetin, e di mire kete.

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

Pasojat e tërmetit, nga çmimet deri te normat e interesit

Publikuar

-

Nga

Tërmeti i 26 nëntorit do të ketë ndikime në dy linja kryesore: zhvillimet ekonomike në vend dhe në tregjet financiare. Banka e Shqipërisë analizon se, në rrafshin ekonomik, tërmeti do të ndikojë në frenimin e rritjes ekonomike, si pasojë e tkurrjes së investimeve, kursimeve dhe shërbimeve në zonat e prekura; ndërsa në rrafshin financiar, pasojat e tërmetit do të ndikojnë në kursin e këmbimit dhe në rritjen e normave të interesit.

Ekspertët e Bankës së Shqipërisë pohuan se efektet afatshkurtra të tërmetit pritet të jenë negative për rritjen ekonomike dhe inflacionin. Me shtrirjen e horizontit kohor, efektet pozitive të rindërtimit pritet të jenë më dominuese dhe të mbështetin rritjen e ekonomisë dhe të inflacionit me ritme më të shpejta. Në planin afatmesëm, efektet e tërmetit në ekonomi do të varen, ndër të tjera, dhe nga vëllimi e forma e financimit të procesit të rindërtimit, si dhe nga kohëzgjatja e shpërndarja e tij në kohë. Bazuar në informacionin e disponuar deri tani, vlerësojmë se shkalla në të cilën këto ndikime potenciale do të materializohen, pritet të jetë e vogël.

Durrësi me pasojat më të mëdha

Qarku më i goditur nga tërmeti ishte ai i Durrësit. Sipas INSTAT-it, ky qark gjeneron rreth 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë, strehon rreth 10.1% të popullsisë së vendit dhe punëson rreth 9.1% të të punësuarve në ekonomi. Statistikat për qarkun e Durrësit tregojnë se në të zhvillojnë aktivitetin rreth 7.9% e ndërmarrjeve aktive në të gjithë Shqipërinë. Gjatë vitit 2018, qarkun e Durrësit e vizituan rreth 9.1% e rezidentëve, të cilët udhëtuan për qëllime personale apo biznesi në Shqipëri. Këto statistika ilustrojnë rëndësinë ekonomike të qarkut dhe sugjerojnë se pasojat ekonomike të tërmetit do të ndihen në shkallë vendi.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kanalet potenciale të transmetimit të pasojave të tërmetit në aktivitetin ekonomik mund të jenë:

Së pari, rritja e pasigurisë te familjet dhe bizneset shqiptare. Tërmeti ka të ngjarë të përkeqësojë perceptimin e familjeve dhe bizneseve shqiptare, të cilat mund të hezitojnë në kryerjen e shpenzimeve dhe të investimeve. Tregues të pasigurisë, të llogaritur nga vrojtimet e besimit të agjentëve ekonomikë, tregojnë për rritjen e pasigurisë gjatë muajve të fundit;

Së dyti, reduktimi i aktivitetit turistik. Turizmi në këto qarqe mund të reduktohet për shkak të dëmtimit të strukturave përkatëse dhe të efekteve psikologjike te pushuesit, vendas dhe të huaj. Dëmet e bizneseve të sektorëve të tjerë përveç turizmit mbeten një kanal tjetër transmetimi;

Së treti, rritja e investimeve për rikuperimin e stokut të humbur të kapitalit. Nëpërmjet këtij kanali, ekonomia merr nxitje nga nivelet e larta të shpenzimeve, private dhe publike, të lidhura me rindërtimin e kapaciteteve të dëmtuara.

Ekonomia frenohet me 0.3-0.6%

Banka e Shqipërisë parashikon se, pasojat e tërmetit mund të ulin rritjen ekonomike me 0.3 – 0.6 pikë përqindjeje gjatë vitit 2020. Ky efekt kombinon reduktimin e të ardhurave nga turizmi dhe ngadalësimin e shpenzimeve të konsumatorëve në kushtet e rritjes së pasigurisë. Efekti nga reduktimi i shpenzimeve për konsum pritet të jetë relativisht më i vogël në krahasim me reduktimin e turizmit. Goditja në besim dhe pasiguria pritet të zvogëlohen me kalimin e kohës dhe konsumatorët priten t’i rikthehen modelit të tyre të konsumit. Treguesi i ndjesisë ekonomike në muajin janar ruajti nivelin e një muaji më parë.

Nga ana tjetër, efekti negativ i tërmetit pritet të balancohet deri diku nga stimuli pozitiv që do të injektohet në ekonomi nga aktiviteti për rindërtimin e objekteve të dëmtuara. Duke marrë parasysh kohën e nevojshme për mbledhjen e fondeve dhe për hartimin e planeve logjistike të veprimit, ky efekt nuk pritet të mbulojë njëtrajtësisht vitin kalendarik. Për këtë arsye, ndikimi pozitiv nga rindërtimi, ndonëse amortizon efektet negative nga tërmeti, nuk arrin ta kundërbalancojë plotësisht atë.

LEXO EDHE:  Denoncimi/ Ministrja e Kulturës emëroi burrin pedagog në UT

LEXO EDHE:  Paketa fiskale/ Ahmetaj: 91% e sipërmarrjes e ka tatimin zero ose 5%

Ndikimi në inflacion 0.2-0.3%

Banka e Shqipërisë sugjeron se, goditja e tërmetit mund të ulë inflacionin me 0.2 – 0.3 pikë përqindjeje gjatë vitit 2020. Rritja e kërkesës agregate me ritme të ulëta edhe gjatë vitit aktual do të shoqërohej me presione të dobëta për rritje të pagave, të kostove të tjera të prodhimit dhe të çmimeve të konsumit në ekonomi. Në analizën e efekteve të tërmetit në inflacion është i rëndësishëm vlerësimi i ndikimit të tij në kapacitetet prodhuese të ekonomisë dhe, rrjedhimisht, në madhësinë e hendekut të prodhimit.

Ndikim në normat e interesit

Banka e Shqipërisë lajmëron se normat e interesit mund të rriten si rrjedhojë e pasigurive të agjentëve ekonomikë dhe/ose rritjes së huamarrjes së qeverisë në tregun e brendshëm me qëllim financimin e masave për adresimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti. Deri tani nuk evidentohet luhatje apo pasiguri e shtuar në segmentet e tregut financiar. Shtesa në deficitin e qeverisë për vitin 2020, e planifikuar pas ndodhjes së tërmetit, është rreth 10 miliardë lekë, ku rreth 7 miliardë lekë parashikohet të financohen nëpërmjet rritjes së huamarrjes në tregun e brendshëm. Banka vlerëson se, kjo shumë mbetet brenda normave historike të financimit dhe vlerësohet e përballueshme nga tregu i parasë, pa shkaktuar goditje në ecurinë e yield-eve.

Luhatshmëri në tregun valutor

Në dy muajt që kanë pasuar tërmetin, kursi i këmbimit është luhatur përafërsisht në linjë me sjelljen sezonale të tij në fundvit. Tregtimi i monedhave të huaja është realizuar brenda parametrave normalë të rrezikut dhe në treguesit e luhatshmërisë nuk janë diktuar shenja stresi.

Por Banka vlerëson se, ndikimet e mundshme në ecurinë e kursit të këmbimit në vitin në vazhdim janë të dykahshme dhe rreziqet shfaqen të balancuara. Nga njëra anë, me efekt nënçmues në vlerën e lekut qëndron skenari i reduktimeve të mundshme të të ardhurave nga turizmi. Duke qenë se bregdeti i Durrësit është një nga zonat më të prekura nga tërmeti, gjatë këtij viti mund të kemi një aktivitet më të dobët të turizmit, si prej reduktimit të kapaciteteve pritëse dhe nevojën për rindërtime, ashtu edhe prej shkurajimit të turistëve të huaj prej kësaj ngjarjeje. Nga ana tjetër, një rritje e flukseve hyrëse është gjithashtu e mundshme, në formën e remitancave – si ndihmë për familjarët e prekur nga tërmeti-, apo të ndihmës dhe donacioneve të tjera të huaja. Efekti mbi kursin e këmbimit do të jetë një rezultante e veprimit të këtyre dy faktorëve.

Ndikimet në kredi

Kreditimi i ekonomisë ka qenë në përmirësim të vazhdueshëm vitin e fundit, duke reflektuar së fundi rritjen e kredisë për biznese, krahas ecurisë së qëndrueshme të kredisë për individë. Ndikimi potencial në vijimësinë e rritjes së kredisë shihet në dy plane. Nga njëra anë, ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në sektorë të prekur nga tërmeti dhe rritja e pasigurive të individëve, bizneseve apo dhe vetë bankave, mund të induktojnë një frenim të rritjes së kredisë. Banka gjykon se edhe nëse diçka e tillë materializohet, do të ishte e përkohshme, sikurse edhe pasojat e tërmetit në ekonominë reale. Nga ana tjetër, nevoja për rikonstruksion dhe për zëvendësimin e kapitalit fizik mund të shoqërohet me rritjen e kërkesës për kredi. Balanca mes këtyre dy skenarëve do të varet edhe nga peshimi i rreziqeve nga ana e bankave dhe përqasja e tyre ndaj kreditimit./ Monitor

LEXO TE PLOTE