Connect with Us

Mehmet Shehu raport për Enver Hoxhën/ 10 agjentë të UDB-së në komitetin e Partisë të Tropojës

Histori

Mehmet Shehu raport për Enver Hoxhën/ 10 agjentë të UDB-së në komitetin e Partisë të Tropojës

Publikuar

-

Mehmet Shehu raport për Enver Hoxhën/ 10 agjentë të UDB-së në komitetin e Partisë të Tropojës

Memorie.al publikon raportin tepër sekret të vitit 1953, ku ministri i Punëve të Brendshme, gjeneral-leitnant, Mehmet Shehu, i dërgon Komitetit Qendror të PPSH-së dhe personalisht Enver Hoxhës, “mbi veprimtarinë agjenturore e armiqësore ”të dhjetë funksionarëve më të lartë të Komitetit të Partisë dhe atij Ekzekutiv të Rrethit të Tropojës, duke filluar nga kryetari Idriz Mulosmani dhe shefat e seksioneve e disa drejtorë ndërmarrjesh. Si dhe katër ushtarakët e Degës së Punëve të Brendshme të atij rrethi, të cilët akuzoheshin si agjentë të UDB-së dhe me veprimtari të theksuar armiqësore. Cilat janë disa nga akuzat ndaj tyre dhe shënimet që ka vënë Enveri në çdo fletë me dorën e tij?

Paranoja, nënshtrimi, vasaliteti, servilizmi dhe përulja deri në neveri ndaj “Baba Stalinit” e Bashkimit të madh Sovjetik, pas prishjes me Jugosllavinë e Titos në vitin 1949, e bënte udhëheqjen e lartë komuniste të Tiranës që jo vetëm ndaj kundërshtarëve të saj politikë, por edhe pas çdo zyrtari të saj apo njeriu të thjeshtë, të shikonte një armik dhe agjent të UDB-së! Kjo gjë duket qartë edhe te ky dokument i sigluar “Tepër sekret, i një rëndësie të veçantë”, (shkruhet në kapakun e dosjes), i vitit 1953, ku ministri i Punëve të Brendshme të asaj kohe, gjeneral-leitnant Mehmet Shehu, i raporton me detaje dhe hollësira eprorit të tij, Enver Hoxhës, në një informacion të titulluar “MBI DISA ANETARE PARTIE TE RRETHIT TE BAJRAM CURRIT QE IMPLIKOHEN ME ARMIKUN”.

Siç do të shikojmë edhe në dokumentin në fjalë, akuzat dhe dyshimet ndaj 10 funksionarëve dhe titullarëve të lartë të Komitetit të Partisë dhe atij Ekzekutiv të Rrethit të Tropojës, mbi të cilat është mbështetur ministri i Brendshëm, Mehmet Shehu, apo edhe shefat e lartë të Sigurimit, vartës të tij, që ia kanë servirur atë raport, jo vetëm që janë marrë nga të arrestuar nën tortura, por janë sa qesharake, aq edhe monstruoze për vetë ligjet e asaj kohe.

Si p.sh. “Familja e….. dhe krushqia e tij…, ka qëndrim jo të mirë politik”. “Ai… duhet të jetë agjent, përderisa është mik i filanit…”, etj., etj., akuza banale, të cilat bënë që të dënoheshin me vite të gjata burgu dhe internimi me dhjetëra e familje mjaft të nderuara të rrethit të Tropojës, (në rastin konkret), ashtu dhe në mbarë vendin. Dokumentin në fjalë po e publikojmë të plotë dhe pas asnjë shkurtim, duke tentuar të hedhim sadopak dritë mbi atë se si ka funksionuar ai sistem paranojak, apo më saktë, vetë maja e kupolës së lartë të atij regjimi, ku Enveri ka shkruar me dorën e tij mbi raportin e ardhur nga Mehmet Shehu.

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE

MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDESHME

DREJTORIA E SIGURIMIT TE SHTETIT TIRANE, më 4.IX.1953

KOMITETIT QENDROR TE PPSH TIRANE MBI DISA ANETARE PARTIE TE RRETHIT TE BAJRAM CURRIT QE IMPLIKOHEN ME ARMIKUN

Organet e Sigurimit të rrethit Tropojës disponojnë të dhëna, të cilat tregojnë se disa anëtarë Partie, midis të cilëve dhe mes atyre që kanë përgjegjësira të ndryshme në Parti dhe në pushtet, implikohen me armikun. Këto të dhëna janë marrë nga agjentura ose janë zbuluar në hetuesinë e zhvilluar gjatë këtij vjeti kundër disa agentëve të UDB-së si Coll Sokoli, Xhem Sadrija etj.

Këta anëtarë partie dhe të dhënat që disponojmë ne për ta janë si më poshtë:

Halit Memija – Anëtar i Byrosë së Komitetit të Partisë dhe shef i Organeve të Partisë së Komitetit, nga katundi Mejdan i rrethit B. Curri, shtresë e pasur.

Në proces-verbalin e tij agenti UDB-së, Coll Sokoli deponon se në takimet që ka pasur me kapo bandën Tahir Hoxha, i cili sot është në shërbim të UDB-së, dhe dërgohet në vendin tonë si diversant, ky i fundit i ka thënë se në vjetin 1945 kur ai lëvizte si i arratisur n’kto anë (Tropojë-Kukës), është ndihmuar nga Halit Memija n’atë kohë ka qenë kapter me forcat e Mbrojtjes Popullit, që ishin në ndjekje të Tahir Hoxhës.

Gjithashtu Coll Sokoli deponon se në vjetin 1946 kur Tahir Hoxha e ka ngarkuar me detyrë të shkonte në Kukës për të marrë postën e Muharrem Bajraktarit, i ka thënë gjithashtu që të takonte Halit Meminë e ta porosiste që të bënte një raport mbi forcat e Mbrojtjes së Popullit, që vepronin në Kukës dhe Peshkopi dhe t’ia dërgonte Tahir Hoxhës.

Nga ana tjetër, Coll Sokoli deponon në vjetin 1952 në takimin që ay ka pasur me bandën e Can Malës (të dërguar në vendin tonë nga UDB-ja), ky i fundit është interesuar që të mësojë vendbanimin e Halit Memisë.

Përveç këtyre që deponon agenti i UDB-së Coll Sokoli, është për t’u shënuar fakti se në dhjetorin e vjetit 1946, Tahir Hoxha me bandën e tij janë rrethuar në shtëpinë e Halit Memisë, por kanë shpëtuar.

Ky është një fakt që provon lidhjet e Tahir Hoxhës me familjen e Halitit dhe në të njëjtën kohë dhe të Halitit vetë, sepse nuk mund të kuptohet se familja e tij të jetë e lidhur me diversantët dhe Haliti të mos ketë dijeni, ose të mos ketë gisht në këtë mes.

Idriz Mulosmani – kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit B. Curri, ka rrethin familjar dhe krushqinë, jo të mirë.

Çështja e tij qëndron si më poshtë: Një far Sali Tahiri, (katundar nga katundet e Rrethit B.Curri, aktualisht i arratisur në Jugosllavi), takohet me shokun Bajram Haxhija, nëpunës në Komitetin e Partisë dhe i thotë se në një bisedim që kishte pasur Saliu me një farë Mehmet Rama, teknik bujqësor i Rrethit, ky i fundit i kishte thënë se Idriz Mulosmani duhet të kishte lidhje me UDB-në. Këtë informatë, Bajram Haxhija ia raporton edhe Komitetit të Partisë edhe Sigurimit të Tropojës. Për të sqaruar çështjen, u vendos që të thërritej Mehmet Rama dhe të pyetej nga organet e Sigurimit dhe kështu u veprua. Në fillim Mehmet Rama hezitoi që të tregonte hollësisht, masandaj deponoi si më poshtë: Aty nga fundi i vjetit 1951 ose fillimi i vjetit 1952, ka qenë thërritur nga Mustafa Avdullaj, (ish-shefi i Seksionit të Bujqësisë në Komitetin Ekzekutiv, tash i burgosur si agent i UDB-së) në zyrën e tij dhe tue qenë vetëm, Mustafaj i tregoi një letër që ia dërgonte (Mustafa Avdullajt), Nik Sokoli. Me anë të kësaj letre, Nik Sokoli i kërkonte informata nga “Shoku” i Partisë, nga “Shoku” i Pushtetit” dhe nga “Shoku” i Ushtrisë. Sipas interpretimit të Mehmet Ramës, “Shoku” i Partisë, ishte Zenel Bardhi, i pushtetit, vetë Mustafa Avdullaj dhe i Ushtrisë, Idriz Mulosmani, i cili në atë kohë ishte kryetar i Degës Ushtarake të Rrethit të Tropojës.

Kaq ka sjarue Mehmet Rama, megjithëse ai duhet të dijë shumë më tepër, sepse vetëkuptohet që ai ka qenë bashkëpunëtor i Mustafa Avdullaut, nuk mund të kuptohet ndryshe ky takim. Mustafa Avdullau, sot është në burg si agent i UDB-së asht pyetur rreth këtyre, por nuk ka deponuar asgjë dhe Mehmet Rama asht në përpunim nga Dega e Tropojës.

Një burim tjetër na informon se në një bisedim që kishte me Mustafa Avdullahun, ky i fundit i kishte thënë se UDB-ja e kishte ngarkuar (Mustafën) që t’ia mbushte mendjen Idriz Mulosmanit që të bashkëpunonte me UDB-në.

Siç shifet, këtu jemi përpara dy rrugëve: që Idriz Mulosmani ka lidhje me UDB-në dhe nga ana tjetër UDB-ja po përpiqet që ta bëjë atë për vete. Kjo çështje mbetet për t’u sqaruar: mundet që Idrizi të ketë pasur lidhje dhe të vazhdojë të ketë akoma dhe për të maskuar këto lidhje, UDB-ja udhëzon agentët e saj të hapin fjalë, se gjoja ajo, (UDB-ja), tenton për ta rekrutuar ose mund të jetë e vërtetë kjo e fundit, dmth., që UDB-ja tenton për ta rekrutuar Idriz Mulosmanin ose i bën të gjitha këto për t’a kompromentuar.

LEXO EDHE:  Habit Haradinaj/ E doja shumë Enver Hoxhën

Çel Shabani – kryetar i Komitetit të Partisë dhe drejtor i Ndërmarrjes së Ndërtimit, fshatar i mesëm, gjatë luftës ka qenë pak kohë milic, ka për grua të bijën e agentit të UDB-së, Hoxh Dusha,i cili ka vdek në burg.

Në procesverbalin e tij, agenti i UDB-së, Coll Sokoli deponon në vjetin 1945-1946, Çel Shabani asht takuar me diversantin Tahir Hoxha dhe bandën e tij dhe u ka premtuar se do të bashkëpunojë me ta.

Përveç kësaj të dhëne, organet e Sigurimit nuk disponojnë gjë tjetër për Çel Shabanin.

Zef Halili – shef i Seksionit t’Bujqësisë në Komitetin Ekzekutiv, fshatar i mesëm, ka qenë ushtar në Milicinë Fashiste, ka kryer tre vjet kurs në Itali për roje finance, gjatë luftës ka qenë për një kohë sekretar Komune.

I quajtur Mehmet Rama, (teknik bujqësor), i cili zihet në gojë në pjesën e relacionit ku flitet për Idriz Mulosmanin, kur asht pyetur nga Sigurimi për të treguar shkaqet përse ai nuk ka informuar për ato që dinte dhe të raportojë rreth Mustafa Avdullajt dhe Idriz Mulosmanit, ka deponuar se ia kishte raportuar në parë, Zef Halilit po ky i fundit i pat thënë që të mos merrej me gjëra të tilla dhe të mos ia tregonte kujt, se këto i takojnë Sigurimit dhe ky i fundit le t’i zbulojë vetë.

Asgjë tjetër për sa më sipër nuk kemi për Zef Halilin.

Zef Avdija – shef i Seksionit të Shëndetësisë në Komitetin Ekzekutiv, në vjetin 1939 ka mbaruar n’Itali për roje finance dhe ka shërbyer në këtë armë deri në vjetin 1943. Në shtator të vjetit 1943 ka marrë pjesë në një mbledhje të bajraktarëve të rrethit të Tropojës e Dukagjinit, që u bë në Plavë (Jugosllavi) nën kryesinë e Xhafer Devës dhe në fillim të vitit 1944 ka dalë partizan.

Zef Avdija asht në përpunim agjentural. Për këtë kemi të dhëna agjenturale, të cilat reagojnë se në vjetin 1945-1946 kur ishte komandant kompanie me forcat e Mbrojtjes nuk ka treguar interes në ndjekjen e banditit Nik Sokoli, po përkundrazi e ndihmonte Nikën, tue e informuar mbi lëvizjet e forcave ndjekëse.

Në biseda që ka zhvilluar me agjentin tonë rreth pushtetit, u ka thënë se, ky pushtet po i merr gjithçka popullit, e fjalë të tjera të kësaj natyre.

Bajram Vidrica – drejtor i Grumbullimit në Rrethin B.Curri, fshatar i mesëm.

Në qershorin e vjetit të kaluar i kanë shkuar në shtëpinë e tij diversantët Can Mala, Sali Tahiri, etj. Takimi që ai pati me diversantët që i kishin hyrë në shtëpinë e tij e denoncoi me nji herë tue e paraqitur se diversantët i kishin hyrë në shtëpi kundër vullnetit të tij. Përveç kësaj, nëna e Bajram Vidricës ka njoftuar në qershor të këtij vjeti se në livadh afër shtëpisë së saj kish diktuar tre diversantë, të cilët e thërritën të shkonte tek ata, por ajo nuk pranoi.

Megjithëse Bajram Vidrica i ka denoncue vetë këto gjëra, ai është i dyshimtë sepse: Si është e mundur që diversantët t’i shkojnë në shtëpi me zor dhe të mos i bëjnë gjë? Përse këta diversantë vërtiten pa punë rreth shtëpisë së tij?!

Shaban Haxhija – drejtor i Ndërmarrjes Industriale në Rreth.

Në procesverbalin e tij, agjenti i UDB-së, Xhem Sadrija (në burg), midis të tjerave deponon se në Korrikun e vjetit 1951, kur është takuar me diversantin Halil Mehmetin, ky i fundit i ka pas dhënë një letër për Shaban Haxhinë, tue e porositur në të njëjtën kohë që t’i thonte Shabanit të shkonte në vendin e quajtur Boka e T’planit për t’u takuar me Halit Mehmetin.

Këtë letër Xhem Sadrija ia ka dorëzuar Shaban Haxhisë dhe i ka thënë edhe porositë e tjera që kish marrë nga diversanti, por Shabani nuk ka pranuar as të takohet, as të krijojë lidhje me diversantët. Ky është një fakt pozitiv për Shaban Haxhinë, mirëpo ai as letrën nuk e denoncoi dhe as që informoi njeri për këtë ngjarje. Këtu qëndron dyshimi rreth Shaban Haxhisë.

Shaban Rexhepi- n/drejtor i Kooperativës së Konsumit dhe sekretar i Organizatës Bazë në atë objekt.

Dy dajallarët e tij, Sali dhe Nezir Meta janë të arratisur në Jugosllavi dhe dërgohen si diversantë nga UDB-ja. Si nga të dhënat e agjenturës, ashtu edhe nga hetuesia e zhvilluar kundra agjentëve të UDB-së, të arrestuar gjatë këtij viti, rezulton se Shaban Rexhepi ka mbajtur dhe mban lidhje me dy dajot e tij diversantë dhe kryen detyrat që ata i ngarkojnë. Këto të dhëna janë në një përqindje të madhe të vërtetuara dhe nga Dega e Tropojës, që ka propozuar arrestimin e tij. Për të vendosur mbi këtë çështje i është kërkuar kryetarit të Degës një relacion i hollësishëm, ku të analizohet e gjithë veprimtaria e Shaban Rexhepit, në mënyrë që në bazë të tij (raportit), të mund të vendosim drejt mbi masat që do të marrim.

Ndue e Ded Gjeloshi – të dy vëllezër, fshatarë të mesëm merren me bujqësi në katundin Selcë të Rrethit të Tropojës.

Kemi të dhëna nga disa burime agjenturale se në vjetin 1951 janë takuar me diversantët Ndue Noshi, Pal Çeka, etj., të cilët i kanë strehuar dhe i kanë furnizuar. Gjithashtu, të njëjtat burime informojnë se Nduja dhe Deda mbajnë lidhje me elementë armiq në katund dhe hedhin parulla. Këto të dhëna konsiderohen të vërteta.

Për të 10 anëtarët e Partisë që bëhet fjalë më sipër është njoftuar me një herë sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Rrethit B.Curri, ndërsa për Idriz Mulosmanin është vënë në dijeni K.Q. me datë 23/V/1951.

Përveç të dhënave që implikojnë Anëtarët e Partisë të mësipërm, nga hetuesia e zhvilluar kundra agjentëve të UDB-së gjatë këtij vitit në Degën e Tropojës kanë dalë edhe materiale të tjera të kësaj natyre, që bëjnë fjalë mbi bashkëpunimin me armikun të 4 anëtarëve të Partisë, punonjës të organeve të Punëve të Brendshme të Rrethit Tropojë që janë: 1- Marshall, Can Mala – përgjegjësi i Sekretarisë dhe i Kartotekës së Sigurimit.

2-Marshall, Jonuz Hetemi-referent i Ushqimit (Prapavijës).

3- Kapter, Ram Dega – referent i zbatimit të dënimeve (Polici).

4- Kapter, Zenel Xheli- Punëtor politik i Postës së Nikajt (Polici).

Materialet në drejtim të këtyre të fundit janë të pavërtetuara, por megjithatë kemi marrë këto masa:

1- Marshall Can Mala është transferuar dhe është vënë në dispozicion të Degës së Beratit.

2- Kapter Zenel Xheli është vënë në dispozicion të degës së qytetit B. Curri dhe dy të tjerët me rastin e organizimit do të transferohen nga ai rreth dhe njëri mbas tjetrit do të nxirren në lirim.

KONKLUZION

Nga të dhënat e mësipërme del qartë se:
UDB-ja zhvillon nji veprimtari të gjerë spiunazhi në Rrethin e Tropojës dhe pikësynimet e saj janë Komiteti i Partisë, Komiteti Ekzekutiv dhe Dega e Brendshme.
Se UDB-ja mundohet të kompromentojë dhe të rekrutojë më vonë anëtarë Partie me përgjegjësi në atë rreth.
Tue qenë se anëtarët e Partisë për të cilët bëhet fjalë janë në përgjithësi kuadro me përgjegjësi në Parti dhe pushtet, të dhënat që kanë dalë për secilin nga agjentura ose nga hetuesia duhen analizuar mirë dhe duhen vërtetuar. Por, tue qenë se pjesa më e madhe e këtyre materialeve bëjnë fjalë për veprimtari të vjetër dhe është e nevojshme të drejtohet agjentura në drejtim të anëtarëve të Partisë për të cilët bëhet fjalë, propozojmë vënien e tyre në përpunim agjentural.

MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME
GJENERAL-LEITNANT
(MEHMET SHEHU)

 

KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Histori

U arrestua në klasën e gjashtë, u tradhëtua dhe u vra/ Kush ishte Qemal Stafa

Publikuar

-

Nga

Qemal Stafa lindi në Elbasan, më 12 mars 1921, nga një familje – siç thoshte vetë ai në një punim frëngjisht – «gjysëm borgjeze». I ati, oficer me formim liberal, i zhveshur nga paragjykimet fetare të kohës, transferohet më 1923 në Shkodër dhe vendoset aty me gjithë familjen.

Duke dashur t’i japë të birit një kulturë të gjerë perëndimore, e dërgon të mësojë pranë Etërve Jezuitë, ndër të cilët mund të përmendim dom Ndre Mjedën. Më 1934, kalon në gjimnazin shtetëror.
Bashkë me studentë të tjerë, themelon shoqërinë «Besa Shqipëtare» dhe përpiqet të nxjerrë një revistë të përmuajshme, duke hartuar dhe një kryeartikull me titullin «Qëllimi i Ynë», si dhe një skicë; por revista nuk e pa dritën e botimit. Revista u ndalua prej Ministrisë së Arsimit dhe studentët ranë nën vëmendjen e autoriteteve dhe xhandërmarisë.

Më 27 korrik 1935 i vdes i ati dhe më 1936 vendoset me gjithë familjen në Tiranë. Në shkurt të vitit 1937 digjen regjistrat e Liceut të Shtetit dhe Qemal Stafa arrestohet bashkë me disa studentë të tjerë. Ishte në klasë të gjashtë. Megjithatë, sabotatori do zbulohet dhe ai bashkë me shokët do të lirohet pas pak kohe. Do të arrestohet sërish në gusht të po atij viti dhe do dërgohet në Elbasan, për t’u gjykuar në procesin që kish nisur atje për disa shokë të tij. Megjithatë, do dalë i pafajshëm nga ky proces dhe do kthehet në Tiranë. Këtu do punojë disa kohë pranë shtypshkronjës «Luarasi», por do ta humbasë punën për shkak të veprimtarive antizogiste.

Në gusht të vitit 1938 shkon bashkë me të vëllain më të madh, i cili ishte sëmurë, në qytetin Golnik të Jugosllavisë.
Një muaj më vonë, do kthehet në Shqipëri dhe më 1938 do shkojë në Paris, duke u njohur me mërgatën shqiptare të atjeshme. Në janar 1939 kthehet në Itali për t’u regjistruar në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Firences. Prej këtej, niset për në atdhe. Me të shkelur në Shqipëri, arrestohet ditët e para të janarit dhe në procesin e vitit 1939, është një prej protagonistëve. Akuzohet si komunist, armik i regjimit dhe se kur ndodhej në Francë, ishte takuar me të arratisurit politikë antizogistë. Dënohet me 15  vjet burg, po përfiton nga mosha dhe dënimi i ulet në 7 .

LEXO EDHE:  Mbledhja në ish vilën e Enver Hoxhës/ Berisha: Ti shporrim kalbësirat

LEXO EDHE:  A kemi pse frikësohemi ?!

Bashkë me disa shokë internohet në Mbreshtan të Beratit; prej këtej, me ndërhyrjen e disa miqve, transferohet në burgun e Tiranës, që të marrë pjesë në varrimin e të vëllait të madh, që ndërkohë kish vdekur.
Me ngjarjet e ditëve të para të 7 prillit, Qemal Stafa del bashkë me shokët e tjerë nga burgu dhe shkon në Itali, për të vazhduar studimet. Qëndron atje për gjashtë muaj i internuar dhe me vështirësi të mëdha kthehet përsëri në atdhe, ku zë punë pranë firmës «Vëllezërit Kaceli». Do vazhdojë të udhëtojë në Itali, ku do miqësohet me prof. Calamandrei, një antifashist. Njihet me prof. Calasso, i cili u vra nga gjermanët në mbarim të luftës, në Italinë e Veriut.

Më 27 dhjetor 1940, m.q.s. refuzon bashkë me disa shokë të tjerë të shkojë në Romë me grupin e studentëve shqiptarë të Firences, për inaugurimin e monumentit të Skënderbeut, arrestohet nga policia italiane dhe mbahet për disa ditë në burg. Pasi lirohet, kthehet në Shqipëri më 15-16 qershor 1941 dhe hidhet në ilegalitet.

Është koha kur Partia Komuniste dhe strukturat e saj rinore kanë nisur të organizohen dhe Qemal Stafa ngarkohet me përgjegjësinë e Sekretarit Politik të Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste Shqipëtare. Vritet tradhtisht më 5 maj 1942, në një rrugë të Tiranës./ Edion Petriti-(Marrë nga: QEMAL STAFA, botime të gazetës Bashkimi, shtypshkronja “Dielli”, Tiranë, 1945).

LEXO TE PLOTE

Histori

Korrespondenti i “Times” zbulon detajet/ Ja si e festoi Ismail Qemali përvjetorin e parë të pavarësisë

Publikuar

-

Nga

“La France” ka botuar, të martën e 2 dhjetorit 1913, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me festimin e përvjetorit të parë të pavarësisë së Shqipërisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Korrespondenti i Times në Ballkan dërgon nga Vlora, më 28 nëntor, këtë shkresë mbi Shqipërinë :

“Përvjetori i parë i shpalljes së pavarësisë shqiptare u festua në të gjithë vendin me shumë gëzim.

Vlora është në festë. Qyteti piktoresk dhe i vjetër është gjallëruar me flamuj të kuq që shfaqin shqiponjën e zezë shqiptare, ndërsa kortezhet që mbajnë flamurin e Skënderbeut kalojnë nëpër rrugët e stolisura me shtyllat veneciane dhe festone.

Këtë mëngjes, Ismail Bej Qemali, Presidenti i Qeverisë së Përkohshme, priti anëtarët e kabinetit të tij, delegatët e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, komandantët e anijeve austriake dhe italiane dhe shumë të njohur.

LEXO EDHE:  Mbledhja në ish vilën e Enver Hoxhës/ Berisha: Ti shporrim kalbësirat

LEXO EDHE:  Historiani publikon dokumentin/ Ja udhëzimet që jepte diktatori nga Beogradi

Gjatë pritjes, një demonstratë popullore u zhvillua para shtëpisë. Në mes të këngëve popullore dhe duartrokitjeve, Ismail Bej Qemali u shfaq në ballkonin e rrethuar nga anëtarët e qeverisë dhe gjallëroi turmën që iu përgjigj me entuziazëm.

Shqipëria fatmirësisht e ka duruar vitin e parë të pavarësisë dhe vendi gjatë kësaj periudhe ka qenë më i qetë se sa në gjithë të kaluarën e tij. Madje dhe tërheqja e Esat Pashës nuk solli gjakderdhje. Mosmarrëveshjet e brendshme do të pushojnë, të paktën për një kohë, pas ardhjes së sovranit të ri, e cila pritet nga mesi i janarit.

Çdo rrezik copëtimi nga fqinjët ambiciozë do të zhduket nëse fuqitë vazhdojnë të kenë një interes aktiv për prosperitetin e shtetit të ri.”/Darsiani.com

LEXO TE PLOTE

Histori

“Atë mbrëmje përqafova Anastasin e Sadikun për të fundit herë”/ Si i eliminoi Enveri të gjithë themeluesit e PK

Publikuar

-

Nga

Kjo është historia e panjohur e pjestarëve të mbledhjes themeluese të Partisë Komuniste të Shqipërisë, të cilët Enver Hoxha i eliminoi të gjithë duke filluar që nga periudha e Luftës me Anastas Lulën dhe Sadik Premten, për të vazhduar më pas me Koci Xoxen, Kristo Themelkon, Tuk Jakovën, Sotir Vullkanin, Ramadan Çitakun e Koço Tashkon. Të vetmit që i shpëtuan ndëshkimit, ishin Pilo Peristeri që u la në postin e Drejtorit të Kombinatit të Autotraktorëve dhe Sinan Hasani, i cili që gjatë Luftës u dërgua me mision në Kosovë prej nga nuk u kthye më, dhe pas vdekjes së Titos ai arriti postin e Presidentit të Republikës Federative të Jugosllavisë…

Plot 78-vjet më parë, në 8 nëntor të vitit 1941, disa anëtarë të grupeve komuniste të Shkodrës, Korçës dhe Tiranës, të cilat ushtronin aktivitetin e tyre ilegal që nga mesi i viteve ’30, u mblodhën në një shtëpi tiranase dhe shpallën krijimin e Partisë Komuniste Shqiptare. Pak muaj më vonë, në krye të asaj partie doli Enver Hoxha, i cili për afro 45-vjet me rradhë drejtoi me dorë të hekurt Shqipërinë, duke instaluar këtu një nga diktaturat më të egra të modelit stalinist. Dorës së hekurt të Enverit, i cili gjatë gjithë periudhës së sundimit të tij despotik e mbushi Shqipërinë me kampe dhe burgje për kundërshtarët politikë, nuk i shpëtuan as vetë ata që kishin themeluar Partinë Komuniste dhe kishin sjellë atë në krye të saj. Po kush ishte njeriu që bëri përpjekjet e para për krijimin e Partisë Komuniste në Shqipëri, kush ishin ata që morën pjesë në mbledhjen themeluese të 8 nëntorit 1941 dhe si i eleminoi Enver Hoxha të gjithë ata, duke i ekzekutuar, burgosur apo internuar?

Koço Tashko: Enverin e mora se na duhej një mysliman
Një nga njerzit që tentoi i pari të krijonte në Shqipëri një Parti Komuniste, ka qenë Zef Mala, i cili që në mesin e viteve ’30, drejtonte Grupin Komunist të Shkodrës. Aty nga muaji korrik i vitit 1939, ai mblodhi një grup komunistësh dhe shpalli krijimin e një partie komuniste. Mbas internimit të Zef Malës në Ventotene të Italisë, shokët e tij i humbën lidhjet me të, për shkak të pamundësisë së komunikimit. Kjo gjë bëri që edhe partia e tij të shpërbëhej plotësisht. Lidhur me ekzistencën e kësaj partie, Koço Tashko ka dëshmuar: “Kur vajta në Itali për t’ju kërkuar ndihmë shokëve italianë për ndërmjetësimin e themelimit të partisë, ata nuk më pritën fare. Ndoshta ata njihnin Partinë Komuniste të Zef Malës, të themeluar në korrikun e vitit 1939”. Pasi Koço Tashko nuk mori dot ndihmën e komunistëve italianë, ai vajti në Jugosllavi dhe u kërkoi atyre të njëjtën gjë. Jugosllavët i sugjeruan atij se atë punë mund t’jua bënte shumë mirë, anëtari i Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, Miladin Popoviç, i cili ishte i internuar nga italianët në kampin e Peqinit. Koço Tashko e pranoi sugjerimin e tyre dhe aksioni për lirimin e Miladinit iu ngarkua Mustafa Gjinishit dhe Guri Dhorit, shok i Tashkos.

Pas lirimit, Miladini u vendos në Tiranë në shtëpinë e Shyqëri Këllezit, e cila ishte bazë e Grupit Komunisit të Rinjve. Pas shumë bisedimesh që Tashko bëri me krerët e tre grupeve, u ra dakort që ata të bënin një mbledhje në shtëpinë e Bojka Lazërit, të cilën asokohe e kishte me qera Xhemal Cani me të shoqen Zylfien. Që përpara mbledhjes, Tashko kishte rënë dakord në parim me krerët e dy grupeve që kur të diskutonin për krijimin e Partisë, asnjë prej krerëve kryesorë nuk do zgjidhej në postin e sekretarit politik. Për këtë Tashko ka dëshmuar: “Ato ditë që vendosëm për mbledhjen e grupeve, më vajti mendja që të merrja në grupin tonë edhe Enver Hoxhën, të cilin e kisha rregulluar që të punonte në Tiranë, tek kinkaleria e mikut tim, Esat Dishnica. Duhej bërë kjo pasi shokët e tjerë të grupit tonë si: Mihal Lako, Koçi Xoxe, Pilo Peristeri, e ndonjë tjetër, ishin në Korçë me përgatitjen e demonstratës së 7 nëntorit. Enveri njihej si intelektual, kishte qenë profesor në Liceun e Korçës dhe kishte studiuar ca kohë në Francë. Po kështu ai ishte i gojës dhe i penës, e kishte një paraqitje për t’u admiruar. Ndër më kryesoret që unë mendova të merrja Enverin me vete në atë mbledhje, ishte se ai ishte i besimit myslyman, sepse ne të tjerët ishim të gjithë ortodoksë. Kjo gjë duhej bërë patjetër sepse duhej një myslyman të përfaqësonte aty gjithë atë popullsi myslymane që kishte Shqipëria”, ka dëshmuar Koço Tashko lidhur me pjesëmarrjen e Enverit në atë mbledhje.

Mbledhja themeluese e PKSH-së
Mbledhja për formimin e PKSH filloi në mbrëmjen e 8 nëntorit 1941 dhe aty erdhën përfaqësuesit e tre grupeve. Nga Grupi i Korçës ishte Koço Tashko, Pilo Peristeri, Koçi Xoxe, Sotir Vullkani dhe Enver Hoxha. Nga Grupi i Shkodrës ishin Qemal Stafa, Vasil Shanto, Kristo Themelko dhe Tuk Jakova. Kurse nga Grupi i të Rinjve ishin Sadik Premtja, Anastas Lula, Ramadan Çitaku dhe Sinan Hasani. Po kështu aty ishin prezent dhe Miladin Popoviç e Dushan Mugosha, për të cilët të tre grupet kishin rënë dakord që të ishin si ndërmjetës dhe t’i ndihmonin për punët proceduriale. Përveç delegatëve me mandat, aty ishin preznet dhe persona të tjerë pa të drejtë vote si Skënder Çaçi etj. Po kështu rreth shtëpisë bënin roje dhe shumë persona të besuar që i komandonte Ali Demi. Që me fillimin e mbledhjes filluan debatet, pasi Lula dhe Premtja nuk ishin dakort me propozimin e Grupit të Korçës që të shpallej njëherë formimi i Partisë dhe pastaj të diskutoheshin problemet që grupet kishin në mes tyre. Sipas dëshmive të Premtes, thuhet se Grupi i të Rinjve nuk kishte fare njoftim se në atë mbledhje do procedohej për krijimin e Partisë, por ata kishin shkuar aty duke menduar se do të vazhdonte mbledhja që kishin lënë përgjysëm disa ditë më parë në shtëpinë e Bije Vokshit. Pas ndërhyrjes së Miladinit, u hodh në votë dhe fitoi propozimi që të formohej Partia, pastaj të bënin diskutimet.

Me votim të plotë në mbrëmjen e 8 nëntorit u shpall themelimi i PKSH-së dhe u hartua rezoluta përkatëse. Për këtë Enveri në kujtimet e tij ka shkruar: “Ishte një çast solemn dhe unë i përqafova të gjithë. Atë mbrëmje përqafova dhe Anastasin e Sadikun për të fundit herë”. Mbledhja vazhdoi edhe shtatë ditë të tjera dhe Tashko ishte ai që dëgjohej më shumë nga të gjithë, për arsye se ishte komunisti më i vjetër dhe me mandat nga Kominterni. Ditën e fundit të mbledhjes u zgjodh Komiteti Qëndror, ku fituan Qemal Stafa, Ramadan Çitaku, Koçi Xoxe, Tuk Jakova, Enver Hoxha, Gjin Marku dhe Kristo Themelko. Kjo gjë erdhi pasi Enveri me dinakëri propozoi që Tashko, Premtja dhe Lula të ishin tre pjestarët e komisionit që do zgjidhnin Komitetin Qëndror dhe kjo gjë u miratua duke i lënë ata jashtë Komitetit Qendror.

Enveri zgjidhet sekretar i PKSH, në mars ’43
Mbas mbledhjes themeluese, Komiteti Qendror provizor caktoi dhe detyrat për të gjithë anëtarët. Për këtë Enveri ka shkruar: “Për të ruajtur unitetin, nuk pati zgjedhje për kryetar apo sekretar dhe ne bëmë ndarjen e punëve, ku Qemali do merrej me rininë, Baca (Çitaku) me financat, kurse unë me shtypin e me organizimin e Partisë”. Kjo thënie e Enverit (te libri “Kur lindi Partia”) nuk i qëndron së vërtetës, pasi sipas shumë dëshmive, Enveri u ngarkua vetëm me financat e Partisë. Kështu Isuf Keçi ka dëshmuar se i dorëzonte Enverit rregullisht shuma të mëdha parash që ua merrnin tregtarëve tiranas për Lëvizjen. Sipas Tashkos, ai insistoi që në postin e sekretarit organizativ të Komitetit Qëndror të mos zgjidhej njeri, pasi ajo gjë i takonte Grupit të Korçës dhe kështu ata thirrën Dr. Ymer Dishicën në atë post. Pas mbledhjes themeluese anëtarët e Komitetit Qendror u shpërndanë nëpër rrethe të ndryshme.

Gjin Marku në Berat, Themelko në Gjirokastër, Tuku në Shkodër, kurse Enveri qëndroi në Tiranë, ku do të merrej me mbledhjen e financave të Partisë. Pas 8 nëntorit 1941, Enveri rrinte më shumë me Miladinin në shtëpinë e Shyqëri Këllezit. Lidhur me këtë në dëshmitë e tij për “Gazeta Shqiptare”, midis të tjerash Shyqëriu është shprehur: “Aty në shtëpinë time Miladini i thërriste një nga një të gjithë anëtarët e Komitetit Qendror dhe në mes të tjerash i pyeste edhe për problemin e Kosovës. Kur ai pyeti Anastasin e Sadikun ata i thanë: ‘Ai problem është zgjidhur në bazë të Kartës së Atlantikut që më 14 gusht 1941 dhe në bazë të kësaj karte, të gjithë popujt me plebishit do të vendosin se me kë dëshirojnë të bashkohen. Popullsia e Kosovës duke qenë 80% shqiptare natyrisht që do të bashkohet me Shqipërinë’. Pas kësaj ndërmjet Miladinit dhe Anastasit e Sadikut filluan kontradikta të mëdha për të cilat, Hamit Keçi na ka dëshmuar publikisht për “Gazeta Shqiptare”, duke thënë: “E kam dëgjuar me veshët e mi nga goja e Sadik Premtes kur ai thoshte: ‘Miladini me Dushanin janë shovinistë serb”.

Sipas dëshmive të Këllezit dhe Keçit, pas kontradiktave që Miladini pati me Sadikun dhe Anastasin, ai afroi akoma e më shumë Enverin i cili e përkrahte në ato debate. Kjo gjë konçidon edhe me zgjedhjen e Enverit në krye të Qarkorit të Tiranës, gjë e cila u realizua me propozimin e Miladinit. Në krye të Partisë Enveri erdhi në marsin e vitit 1943 kur u mbajt Konferenca e PKSH në Labinot. Në atë mbledhje, Dr. Ymer Dishica që kishte funksionin më të madh në parti, si sekretar organizativ, propozoi Enverin si Sekretar i Përgjithshëm i PKSH-së, gjë e cila u miratua me votim të hapur nga të gjithë.

LEXO EDHE:  A ishte Berisha mjeku personal i Enver Hoxhës/Ja përgjigjja e ish-kryeministri

LEXO EDHE:  Historiani publikon dokumentin/ Ja udhëzimet që jepte diktatori nga Beogradi

Si u zhdukën themeluesit e PKSH-së
Që pas mbledhjes së 8 nëntorit 1941, Enveri filloi goditjen ndaj anëtarëve të Komitetit Qendror që ai i shihte si rivalë në luftën e tij për të kapur kreun e partisë. Nga nëntori i ’41-it e deri në marsin e ’43-it, kur Enveri u zgjodh në krye të PKSH-së, u vranë Qemal Stafa, Vasil Shanto dhe Sadik Stavaleci, të cilët ishin kandidatë kryesorë për kreun e PKSH. Për këta të tre, sipas shumë dëshmive, janë hedhur dyshime duke akuzuar Enverin të implikuar direkt në vrasjet e tyre. Po kështu në mbledhjen e marsit ’43 ku Enveri u zgjodh në krye të PKSH-së, u mor vendimi i përjashtimit të Premtes e Lulës nga Komiteti Qendror i PKSH. Për këtë Enveri ngarkoi dhe personat për eleminimin e tyre. Për vrasjen e Anastasit, Ferik Demir Çorej nga Uznova e Beratit, na ka dëshmuar publikisht për “Gazeta Shqiptare”: “Më dt.12 mars 1943 erdhën në shtëpinë time një grup partizanësh të çetës së Ramiz Aranitasit që komandoheshin nga Orhan Frashëri dhe një kolonjar që quhej Dhori. Ata na thanë se atë natë kishin pushkatuar në Qafë të Gllavës një partizan që quhej Anastas Lula, i cili kishte dezertuar nga rradhët e udhëheqjes dhe bashkëpunonte me okupatorin. Atë e kishin pushkatuar të lidhur me cigare në gojë pasi kishte thirrur: ‘Rroftë Shqipëria”.

Pas pushkatimit të Lulës, Enveri urdhëroi të njëjtën gjë dhe për Sadik Premten. Por pasi Sadiku mundi që t’u shpëtonte pritave që i bënë partizanët e Hysni Kapos në Tragjas, Enveri shkoi vetë në Vlorë. Pas kësaj Sadiku u fsheh dhe më pas u arratis nga Shqipëria dhe jetoi në Francë. Pas këtyre i erdhi rradha Zef Malës. Kur u kthye nga internimi ai shkoi në Pezë, ku Babë Myslymi i tha: “Ik or babë e mçifu në Tiranë, se dun me t’vra”. Për këtë Myslymi kishte parë telegramin që Enveri i dërgonte Nako Spiros ku thuhej: “I dashur Nako, Zef Mala jo vetëm që nuk duhet të shkojë në Kosovë, por ai duhet të dekorohet me një plumb kresë. Ai s’është i mirë prandaj duhet të zhduket. Gjeni mënyrën që të mos kuptohet, por në asnjë mënyrë të mos lihet kjo gjë pas dore, sikur ka bërë Hyseni (Gogo Nushi) me të tjera këshilla që i kemi dhënë, për të cilat do përgjigjet. Të fala shoqërore Tarasi (A.Q.SH. fq 14, Dos 76. P 26.08.1944). Pas kësaj Zef Mala u fsheh në Tiranë deri në mbarim të luftës dhe më pas përfundoi burgjeve dhe internimeve deri kur vdiq në vitin 1976 në mjerim të plotë. Që gjatë Luftës me urdhër të Enverit u pushkatua pa gjyq edhe Lazri, i zoti i shtëpisë ku u mbajt mbledhja themeluese më 8 nëntor.

Eleminimet e themeluesëve të PKSH-së pas mbarimit të Luftës
Pas mbarimit të Luftës, në fillim Enveri eleminoi Koci Xoxen duke e akuzuar si agjent të jugosllavëve. Koçi kishte funksionet më të larta pas Enverit, si nënkryeministër, sekretar organizativ i PKSH-së etj., dhe u pushkatua më 10 korrik 1949. Më pas rradha i erdhi Kristo Themelkos dhe Sotir Vullkanit që Enveri i goditi duke i konsideruar si njerëz të Xoxes. Kristo kishte lindur më 1916 në fshatin Vërnik të Bilishtit (shule) dhe kishte bërë vetëm 5 klasë shkollë. Pasi kishte qenë kapterr në ushtrinë e Zogut në Milot, ai ishte lidhur me Grupin Komunist të Shkodrës. Mbas lufte ai u emërua Komisar i Korpusit të Tretë në Berat me gradën gjeneral-major, deri në 1947-ën kur u emërua Drejtor Politik i Ushtrisë. Pas goditjes së Xoxes, Enveri e goditi si njeri të jugosllavëve (ishte me origjinë maqedonase) dhe e caktoi Kryetar të Arizanatit në Tiranë, brigadier për këpucarët, berberët dhe rrobaqepësit. Kurse Vullkanin i cili kishte qenë ndër komunistët më të vjetër të Grupit të Korçës (pas Koçi Xoxes) pasi punoi disa kohë oficer në prapavijë, Enveri e degradoi pse ai mbrojti Koçin.

Vullkani vdiq në Tiranë në vitin 1964, një vit pasi i biri i tij, Roberti, ishte denuar me 15 vjet burg politik për tentativë arratisje. Më pas Enveri eleminoi dhe Çitakun i cili kishte qenë me Grupin e të Rinjve. Pasi Baca qëndroi disa kohë ambasador në Beogradc, Enveri e hoqi dhe dërgoi zv/ministër për Financat dhe më pas në Bankën e Kursimeve. Çitaku vdiq në 9 prill 1990 dhe në atë kohë të gjithë u habitën, pasi nuk e mendonin se ai njeri ishte gjallë, pasi nga frika e burgosjes Baca nuk kishte dalë kurrë nga shtëpia për vite me rradhë. Në vitin 1956 Enveri eleminoi dhe Tuk Jakovën (zv/kryeministër dhe sekretar organizativ i PKSH-së) pasi në një mbledhje Pleniumi, ai kundërshtoi manipulimin që i ishte bërë në shtëpinë muze të themelimit të Partisë me figurat e udhëheqjes. (Jakova vdiq në burg dhe dyshohet se e kanë helmuar).

Në vitin 1960 Enveri eleminoi dhe Koço Tashkon duke e akuzuar si njeri të sovjetikëve. Tashko qëndroi në burg deri në moshën 80 vjeçare dhe vdiq në internim në kampin e fshatit Adriatik afër Mamurrasit. Të vetmit anëtarë të mbledhjes së PKSH-së që mbetën pa u goditur nga Enveri, ishin Pilo Peristeri dhe Sinan Hasani. Nga Peristeri nuk i vinte asnjë e keqe Enverit, dhe ai e la atë formalisht në funksionin e kandidatit të Byrosë Politike dhe Drejtor të Uzinës Autotraktorëve në Tiranë, pasi puna kryesore e Pilos ishte që të fliste në përvjetorët e Partisë për “gjenialitetin” e Enver Hoxhës. Ndërsa Sinan Hasani shpëtoi nga goditja e Enverit pasi që në kohën e Luftës, u caktua të punonte në Kosovë dhe nuk u kthye më në Shqipëri. Ai qëndroi atje dhe pas vdekjes së Titos u bë President i Republikës Federative të Jugosllavisë.

Në 1946-ën, Pilo Peristeri s’ia dha Enverit deklaratën, duke thënë se ai s’kishte qenë me Grupin e Korçës
Nga të gjithë pjesëmarrësit e mbledhjes themeluese të 8 nëntorit të vitit 1941, vetëm Pilo Peristeri mundi që t’i shpëtonte goditjes së Enver Hoxhës, duke rezistuar deri në shëmbjen e regjimit komunist. Por edhe ai nuk kishte mundur që të shpëtonte “pa u lagur”, pasi e kishte paguar haraçin që në vitet e para të pasluftës. Diku aty nga viti 1946, kur Enver Hoxha nuk e kishte konsoliduar akoma pushtetin e tij të hekurt në Parti ashtu siç ndodhi më vonë, ai i dërgoi njerëz Pilo Peristerit, për t’i kërkuar një deklaratë ku Pilo të dëshmonte, se Enveri kishte qenë pjesmarrës i Grupit Komunist të Korçës që në fundin e viteve ’30-të. Por Pilo Peristeri u tha njerëzve që shkuan për t’ia kërkuar deklaratën, se nuk mund t’ua jepte dot atë, pasi Enveri nuk kishte qenë me Grupin Komunist të Korçës.

Pas kësaj Enveri i dërgoi Pilos një nga njerzit e tij më të afërt, por edhe atij Pilo iu përgjigj negativisht duke i thënë: “Jo bre, s’i të gënjej unë, Enveri nuk ka qenë me Grupin e Korçës”. Pasi Enverit i dështoi edhe tentative e dytë me Pilon, ai dërgoi njerëz për ta marrë deklaratën pranë Sotir Vullkanit, por edhe Sotiri nuk pranoi që ta jepte atë deklaratë, duke dhënë të njëjtën përgjigjie si Peristeri. Pas kësaj, Enveri u hakmorr ndaj Peristerit e Vullkanit duke i shkarkuar ata nga funksionet që mbanin. Sotir Vullkanin e arrestuan gjoja për armëmbajtje pa leje dhe në vitet që pasuan atij i arrestuan dhe i burgosën për vite me rradhë edhe djalin e tij. Por inatin më të madh Enveri e kishte me Pilon, të cilin si fillim e dërgoi në Kuçovë, gjë e cila i shkaktoi atij edhe një problem të madh familjar. Pilo qëndroi në Kuçovë deri në atë kohë që pranoi të jepte deklaratën për Enverin dhe pas asaj ai u rehabilitua dhe u soll përsëri në Tiranë./Memorie.al

LEXO TE PLOTE