Connect with Us

Pse njerëzit besojnë kaq shumë tek astrologjia?

Blog

Pse njerëzit besojnë kaq shumë tek astrologjia?

Publikuar

-

Nga Christine Smallwood “The New Yorker”

* Astrologjia po përjeton aktualisht një lloj bumi, që nuk ishte parë që nga vitet 1970. Ndryshimi nisi me ardhjen e kompjuterit personal, u përshpejtua me internetin, dhe shënoi një ekpansion të madh nga mediat sociale. Sipas një sondazhi të Qendrës së Kërkimeve Pju të kryer në vitin 2017, gati 30 për qind e amerikanëve besojnë tek astrologjia.

Por, siç ka e argumentuar studiuesi Nikolas Kampion, autori i librit “Astrologjia dhe feja popullore në Perëndimin Modern”, numri i njerëzve që e njohin shenjën e tyre, dhe konsultohen me horoskopin e tyre, apo që lexojnë mbi shenjën e partnerit të tyre, është shumë më i madh.

Vitin e kaluar,”Times” paralajmëroi në një artikull “shndërrimin e astrologjisë më shumë në një biznes me përmbajtje bindëse, se sa si një praktikë tradicionale shpirtërore”.

Në leksikun tonë të përbashkët, astrologjia është pak a shumë si dikur psikanaliza. Në mesin e shekullit XX, ju mund të dëgjonit shpesh mbi idin, egon ose superegon. Tani është mëse e zakonshme të dëgjosh dikë ta shpjegojë veten e tij me anë të diellit, hënës dhe shenjave të horoskopit.

Kej Tejlor, drejtore e Organizatës për Astrologjinë Profesionale, thotë se në vitet 1970, astrologjia pati një bum, falë atyre që ishin të shqetësuar për të ardhmen e profesionit. Tani, thotë ajo, edhe korporatat kanë nisur të marrin parasysh shijet e publikut.

Vitin e kaluar, astrologia e njohur Rebeka Gordon, nisin bashkëpunimin me kompaninë e veshjeve të brendshme “Agent Provocateur”, për të prodhuar veshje me temat e zodiakut, ku klientët mund të përdorin shenjat e tyre të horoskopit, dhe “të gjejnë stilet e tyre personale”.

Astrologjia, po përdoret gjithashtu për të ndihmuar në hapjen e bizneseve të reja.

Këtë verë, Ofira dhe Tali Edut, vëlla e motër, të njohur edhe si “AstroTwins”, organizuan Kampin Veror të Astro-sipërmarrësve, një kurs 7-javor online. Pjesëmarrësit analizuan datat e tyre të lindjeve, për të përcaktuar nëse ata ishin influencues, ekspertë, apo mesazherë, dhe morën këshilla se si të përshtatnin aftësitë e tyre në përputhje me rrethanat.

Popullariteti i astrologjisë, shpjegohet shpesh edhe me rënien e ndikimit të fesë së organizuar, dhe rritjes së pasigurisë ekonomike. Pastaj, është edhe çështja e panikut politik. Në kohëra krize, njerëzit synojnë të besojnë diku. Kolona e parë e astrologjisë në një gazetë, është shfaqur në gushtin e vitit 1930, në vijim të rënies së tregut të aksioneve, për tabloidin britanik “Sunday Express”.

Dhe kjo me rastin e lindjes së Princeshës Margaret. “Çfarë parashikojnë yjet për Princeshën e Re”, rezultoi të ishte aq shumë e lexuar, saqë rubrika nisi të ishte e rregullt. Pas krizës financiare të vitit 2008, Gordon, që drejton një shkollë të njohur online të astrologjisë, mori disa telefonata nga bankierët e Uoll Stritit.

“Ideja që qëndron në zemër të astrologjisë, është se modeli i jetës së një personi – karakteri ose natyra e tij, korrespondojnë me modelin planetar që në momentin e lindjes së tij”- shkruan historiani Benson Bobrik në librin e tij të vitit 2005 “Qielli që përcakton fatin tonë”.

Një ide e tillë, është po aq e vjetër sa edhe vetë bota. Astrologjia perëndimore, e ka zanafillën e saj në Mesopotaminë antike, prej nga ku u përhap në Egjipt, Greqi, Perandorinë Romake dhe botën islame. Astrologjia i ndihmoi njerëzit të vendosnin se kur të mbillnin të lashtat, të shkonin në luftë, u përdor për të parashikuar fatin e një personi, dhe për të interpretuar karakterin e tij.

Bobrik thotë se presidenti amerikan Teodor Ruzvelt mbante rregullisht në tryezë parashikimet për shenjën e tij të horoskopit. Ndërkohë presidentët francezë Sharl De Gol dhe Fransua Miterran, kërkonin vazhdimisht këshilla nga astrologët. Por astrologjia është përdorur gjithashtu, edhe për të mashtruar me dashje armiqtë politikë.

LEXO EDHE:  Fizikantët: Botët paralele ekzistojnë, dhe bashkëveprojnë me botën tonë

Në vitet 1942-1943, Aleatët botuan një revistë të rreme të astrologjisë të quajtur “Der Zenit”, që ndër të tjera u përpoq të maskonte lëvizjen e trupave, për t’i shpërtuar sulmeve nga nëndetëset gjermane. Shefi i kabinetit të Ronald Reganit, tha se presidenti këshillohej me një astrolog para marrjes së “thuajse çdo vendimi të rëndësishëm”, përfshirë kohën e shpalljes së rikandidimit të tij, operacionet ushtarake në Grenada dhe Libi, si dhe negociatat për çarmatosjen bërthamore me homologun sovjetik Mikhail Gorbaçov.

Për disa adhurues, astrologjia mund të shpjegojë gjithçka, nga tërmetet (Saturni që kalon nyjen jugore), deri në lindjen e mediave sociale. Por ajo që tërheq shumicën e njerëzve tek astrologjia, ka të bëjë më shumë me psikologjinë. Astrologjia psikologjike, e ndikuar nga Karl Jung, përdorte tabelën e lindjes – një diagramë që tregon lidhjen e individit me kozmosin që gjatë lindjes – si përfaqësim i psikikës, dhe e përdori atë për të folur për gjëra të tilla si qëllimi, potenciali dhe vetë-aktualizimi.

Por, ndryshe nga terapia, ku një klienti mund t’i duhet të presë muaj ose madje edhe vite për

të zbuluar rrënjët e një simptome, astrologjia premton të japë përgjigje të shpejta. Pavarësisht nga keqkuptimet e zakonshme, një astrolog nuk është një tregues i fatit. Përmes një leximi grafikësh, ai nuk parashikon të ardhmen; por përshkruan karakterin e klientit.

Fuqia e përshkrimit, mund të jetë e madhe. Karakteristikat e lidhjes në gjuhën e astrologjisë, duket se e bëjnë më të lehtë dëgjimin dhe pranimin nga shumë njerëz të gjërave të pakëndshme për personalitetet e tyre, dhe t’i pranojnë ato si tipare.

Por shumica e astrologëve thonë se është e rëndësishme, që të mos e përdorni shenjën tuaj për të shfajësuar sjelljen e keqe. Për shekuj me radhë, vizatimi i një tabelë astrologjike, kërkonte një njohje të mirë të astronomisë dhe gjeometrinë. Sot, një tabelë e tillë mund të gjenet menjëherë dhe falas në internet. Astrologjia është e përhapur në YouTube, Facebook, Instagram, dhe Tëiter.

Ka shumë aplikacione që mund të shkarkohen në celularë. Dhe tregu për këto aplikacione, ka ndryshuar dramatikisht gjatë viteve të fundit. Në vitin 2015, kur Aliza Kelli po mblidhte para

për një aplikacion të astrologjisë të quajtur Align, ajo u tall nga investitorët e ardhshëm. Tani sipërmarrësit, të nxitur nga një raport i “IBISWorld”, që zbuloi se Amerikanët harxhojnë 2,2 miliard dollarë në vit për “shërbime mistike” (përfshirë leximin e duarve, letra tarot, etj), po bëjnë para në këtë fushë.

Për shembull, aplikacioni Co-Star, mbështetet tek një fond prej 6 milionë dollarësh.  Që nga fillimi i tij në vitin 2017, ai është shkarkuar 6 milion herë. Tetëdhjetë përqind e përdoruesve janë femra, dhe mosha mesatare e tyre është 24-vjeç. Është bërë e zakonshme të thuhet, se në kohëra të pasigurta, njerëzit dëshirojnë siguri.

Por ajo që ofron astrologjia nuk është siguri – është distanca. Ashtu siç një person mund ta ketë më të lehtë të pranojë gjëra për veten e tij, kur vendos se ka lindur në atë mënyrë, astrologjia bën të mundur që ngjarjet në botë të shihen nga një pozicion më pak reaktiv./ Përshtatur nga CNA.al

KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Shpikësi më vdekjeprurës në botë/ Mikail Kallashnikov dhe AK-47-a e tij

Publikuar

-

Nga

Cila ka qenë arma më vdekjeprurëse e shekullit XX-të? Ndoshta gjëja e parë që ju vjen ndërmend është bomba bërthamore, që llogaritet të ketë vrarë rreth 200.000 njerëz kur Shtetet e Bashkuara hodhën 2 prej tyre në qytetet japoneze të Hiroshimës dhe Nagasakit, në gushtin e vitit 1945.

Në fakt, një armë tjetër është përgjegjëse për shumë më tepër vdekje, madje miliona të tilla. Ajo është pushka sulmuese automatike Kallashnikov, e njohur zakonisht si AK-47. E prodhuar në fillim në fshehtësi vetëm për ushtrinë sovjetike, deri më sot janë prodhuar rreth 100 milionë kallashnikovë, dhe disa variante të kësaj arme.

Ajo gjendet sot në mbarë botën, sidomos në duart e shumë qytetarëve amerikanë. Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2012, amerikanët blenë po aq AK-47 sa policia dhe ushtria ruse.

Rusi Mikail Kallashnikov, e shpiku armën që mban emrin e tij në mesin e shekullit të kaluar.

I lindur më 10 nëntor 1919, Kallashnikov ishte një mekanik tankesh në ushtrinë sovjetike gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai u plagos gjatë pushtimit gjerman të Bashkimit Sovjetik në vitin 1941. Duke parë në betejë avantazhin e madh që u jepnin gjermanëve armët e zjarrit, Kallashnikov vendosi të ndërtojë një armë më të mirë automatike.

Ai prodhoi disa modele, të cilat nuk ishin më të mira se të rivalëve të tij, para se të prodhonte AK-47 e parë. Emri i shpikjes më të madhe të tij, vjen nga ‘Automat Kalashnikova’ 1947, viti kur u prodhua për herë të parë. Në vitin 1949, AK-47 u bë arma zyrtare sulmuese e ushtrisë sovjetike.

E përdorur më vonë edhe nga vendet e tjera të Paktit të Varshavës, kjo armë u përhap me shpejtësi në gjithë botën, duke u shndërruar në një simbol të revolucionit në vende si Vietnami, Afganistani, Kolumbia dhe Mozambiku. Gjatë jetës së tij të gjatë, Kallashnikov vazhdoi që të modifikonte dizajnin klasik të armës së tij.

Në vitin 1959, ai nisi prodhimin e AKM, një armë më e lehtë dhe më pak e kushtueshme se AK-47. Ai prodhoi ndërkohë edhe mitralozin PK. AK-47 të modifikuara, prodhohen ende sot në shumë vende të botës. Po pse kjo armë ishte kaq shumë revolucionare?

Së pari, është relativisht e lirë për t’u prodhuar, është më e shkurtër, dhe më e lehtë për t’u mbajtur në duar, dhe e lehtë për t’u përdorur. Kjo armë cilësohet si tepër e besueshme në terrenet më të ashpra, duke nisur nga xhunglat e lagështa, deri tek stuhitë e rërës në Lindjes së Mesme, si në të ftohtë ashtu edhe në vapë.

LEXO EDHE:  Gratë dhe fëmijët e ISIS janë harruar nëpër kampe/ Bota të reagojë sa nuk është vonë

LEXO EDHE:  Studimi/ Zbulohet lidhja me kafesë së hidhur dhe psikopatisë

Ndërkohë, kërkon pak mirëmbajtje. Dhe kjo për shkak të ingranazheve të saj cilësore, që parandalojnë bllokimin e armës. Mikail Kallashnikovit, i pëlqente të mburrej për epërsinë e armës së tij ndaj pushkës automatike M-16 të ushtrisë amerikane.

“Gjatë Luftës së Vietnamit, ushtarët amerikanë do të flaknin armët e tyre M-16, për të marrë AK-47 dhe plumbat e saj nga ushtarët e vdekur vietnamezë. Dhe kam dëgjuar që ushtarët amerikanë në Irak e përdorin shumë shpesh këtë armë”- tha ai në një intervistë të vitit 2007.

Arma më e përdorshme në botë, cilësohet gjithashtu e përshtatshme për akte kriminale dhe terroriste. Pengmarrësit që sulmuan fshatin Olimpik në Mynih në vitin 1972 ,ishin të armatosur me kallashnikovë. Vetë ushtria amerikane, ka shpërndarë shumë nga këto armë në konflikte të ndryshme si në Afganistan dhe Irak.

Me një jetëgjatësi prej 20-40 vjetësh, AK-47 mund të çmontohet lehtësisht dhe rimodifikohet. Sot, çmimet e një arme të tillë shkojnë në qindra dollarë. Por disa AK-47, mund të blihen edhe për vetëm 50 dollarë amerikanë. Prodhimi i madh i armëve në të gjithë botën, veçanërisht në vendet me kosto të ulët të krahut të punës, ka nxitur rënien e çmimeve.

Për shpikjen e tij të spikatur, Bashkimi Sovjetik i dha Kallashnikovit Çmimin Stalin, Yllin e Kuq dhe Urdhrin e Leninit. Në vitin 2007, presidenti rus Vladimir Putin e veçoi këtë armë si “një simbol të gjenialitit të popullit rus”. Kallashnikov vdiq si një hero kombëtar në vitin 2013, në moshën 94-vjeçare.

Gjatë gjithë jetës së tij, Kallashnikov hodhi poshtë akuzat që bënin atë përgjegjës për numrin e madh të vrasjeve, dhe plagëve të shkaktuara me shpikjen e tij. Ai këmbëngulte se e shpiku atë atë armë për mbrojtje, dhe jo për sulm. Kur një gazetar e pyeti në vitin 2007, se si mund ta zërë gjumi natën, ai u përgjigj:”Unë fle mirë. Janë politikanët ata që duhet të fajësohen kur dështojnë të arrijnë një marrëveshje, dhe nisin të përdorin dhunën”.

Megjithatë, në vitin e fundit të jetës së tij, Kallashnikovi duket se ndryshoi mendje. Ai i shkroi një letër kreut të Kishës Ortodokse Ruse, ku ndër të tjera shprehej:”Dhimbja në shpirtin tim është e padurueshme. Vazhdoj t’i bëj vetes të njëjtën pyetje të pazgjidhshme:Nëse pushka ime ka marrë jetën e shumë njerëzve, a do të thotë që jam unë përgjegjës për vdekjen e tyre?”. Është një debat shumëvjeçar:Kush vret? Arma, apo që e mban atë? Në fund të letrës, ai shkroi:”Një skllav i Zotit, projektuesi Mikail Kallashnikov”./ The Conversation-Përshtatur nga CNA.al

 

LEXO TE PLOTE

Blog

Intervista/ Mikail Gorbaçov: Pse ishte e pashmangshme shembja e sistemit komunist

Publikuar

-

Nga

Në një intervistë për gjermanen “Der Spiegel”, ish-udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik Mikail Gorbaçov, flet për rënien e Murit të Berlinit, shpjegon pse shembja e sistemit komunist ishte e pashmangshme, dhe komenton marrëdhëniet aktuale midis Perëndimit dhe Rusisë. Sot, Gorbaçovi 88-vjeçar, jeton në periferi të Moskës, dhe vazhdon të jetë një pjesëmarrës aktiv në debatin politik.

Muri i Berlinit ra më 9 nëntor 1989, 30 vjet më vonë si e vlerësoni këtë ngjarje?

Pikëpamja ime mbi bashkimin e Gjermanisë, është e njëjta si atëhere. Ribashkimi, ishte një nga gjërat më të rëndësishme që kam bërë. Ai pati një ndikim të madh në jetën e shumë njerëzve. E vlerësoj shumë atë ditë, dhe kam një admirim të madh për çdo person që ishte i përfshirë në atë ngjarje.

A ju befasoi rënia e Murit të Berlinit?

Ne i ndoqëm nga afër ngjarjet në Republikën Demokratike Gjermane. Kërkesa për ndryshim, ishte e pranishme kudo. Në fillim të tetorit 1989, gjatë festimeve të 40-vjetorit të themelimit të RDGJ-së, unë shihja anëtarët e rinj të partisë në pushtet që marshonin para meje në kolona, dhe duke shprehur simpatinë e tyre për Perestroikën tonë brohorisnin:”Gorbaçov, na ndihmo!”. Në qytetet e mëdha po zhvilloheshin protesta spontane, të cilat po bëheshin çdo ditë e më të mëdha. Dhe kishte një numër në rritje të sloganeve ​​ku shkruhej “Ne jemi një popull!”

Si menduat të reagonit?

Askush nuk dyshonte se gjermanët kishin të drejtë të vendosnin vetë mbi fatin e tyre. Por duhej të merreshin parasysh edhe interesat e shteteve fqinje, dhe ato të bashkësisë globale. Përgjegjësia ime kryesore, ishte të shmangia skenarët e dhunës.

Ne biseduam intensivisht me kancelarin e Gjermanisë Perëndimore Helmut Kohl, udhëheqësin e RDGJ-së Egon Krenz, amerikanët, dhe figurat kryesore udhëheqëse të Evropës. Ne duhej të parandalonim, që dëshira gjermane për ribashkim, të ringjallte Luftën e Ftohtë.

A kërkuan ndërhyrje ushtarake udhëheqësit ushtarakë të RDGJ?

Ne komunikuam me drejtuesit politikë të RDGJ. Unë nuk pata kurrë kontakte të drejtpërdrejta me ushtrinë. Ishte detyra e ambasadorit tonë në Berlinin Lindor, që të na informonte sa më saktë mbi atë që po ndodhte.

A pati ndonjë kërkesë pas 9 nëntorit, që Muri i Berlinit të rindërtohej?

Unë nuk kam qenë në dijeni të ndonjë kërkese të tillë. Por nuk e përjashtoj mundësinë që disa njerëz të papërgjegjshëm ta kenë diskutuan një ide kaq qesharake. Të përpiqesh të pengosh një proces historik në një mënyrë të tillë, është si të përpiqesh të ndalosh një tren, duke u shtrirë mbi shinat e tij.

A kërkuat mbylljen e kufirit, dhe vendosjen atje të trupave?

Cilat kufij duheshin mbyllur? Ku duhet të marshonin trupat? Në RDGJ në atë kohë ndodheshin 380.000 ushtarë sovjetikë. Ata iu bindën urdhrave për të mos ndërhyrë.

Pse lejuat rënien e RDGJ, një aleate e ngushtë e Moskës? Në vende të tjera, si ato balltike në vitin 1991, ju u sollët shumë më ashpër. Demonstratat për pavarësi në Lituani, u shtypën brutalisht…

LEXO EDHE:  Gratë dhe fëmijët e ISIS janë harruar nëpër kampe/ Bota të reagojë sa nuk është vonë

LEXO EDHE:  Vendet më të rrezikuara/ Rezistenca ndaj antibiotikëve “lexohet” përmes ujërave të zeza

Ne e pamë Gjermaninë Perëndimore si një vend, që u fut në rrugën drejt demokracisë pas rënies së regjimit të Hitlerit. Dhe unifikimi, siç ndodhi 30 vjet më parë, ishte përmbushje e një dëshire të vjetër të qytetarëve të Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore.

Unë kam marrë shumë letra, dhe mund t’ju them se njerëzit janë ende mirënjohës për mbështetjen e Rusisë. Ju më fajësoni për gjakderdhjen në Letoni dhe Lituani. Si president, unë isha përgjegjës për gjithçka që ndodhi atje. Por nëse studioni dokumentet e kohës, do të shikoni që jam përpjekur gjithnjë t’i zgjidh konfliktet në rrugë politike.

Ju lejuat ribashkimin e gjermanëve, por shumë shpejt pas kësaj, e humbët postin tuaj dhe Bashkimi Sovjetik u shpërbë. Si e analizoni tani veprimin tuaj?

Pse nuk më pyet më mirë nëse jam penduar apo jo për Perestroikën ? Jo dhe jo. Ishte e pamundur të vazhdohet të jetohej si dukur. Dhe një pjesë thelbësore e Perestrojkës, ishte mënyra e re të menduarit në politikën e jashtme. Ajo përfshinte vlerat universale, ç’armatimin bërthamor, dhe zgjedhjet e lira.

Ne nuk mund t’i privonim qytetarët e vendeve fqinje, gjermanët, çekët, sllovakët, hungarezët, nga të drejtat dhe liritë që i dhamë popullit tonë. Kur e nisëm Perestrojkën , e dinim se çfarë po rrezikonim. Por e gjithë udhëheqja ra dakord, që ndryshimet ishin të nevojshme. Faji për fundin e Perestrojkës dhe rënien e Bashkimit Sovjetik, është i atyre që organizuan grushtin e shtetit të gushtit 1991, dhe përfituan nga pozita e dobët e presidentit të Bashkimit Sovjetik.

A është sot bota një vend më i mirë, sesa gjatë Luftës së Ftohtë?

Unë nuk ndiej ndonjë nostalgji mbi Luftën e Ftohtë. Dhe nuk dëshiroj rrikthimin e atyre kohëve. Ne duhet ta pranojmë që pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, udhëheqësit e rinj nuk arritën të krijojnë një arkitekturë moderne të sigurisë, sidomos në Evropë. Për pasojë, u krijuan vija të reja ndarëse. Dhe zgjerimi në lindje i NATO-s, i zhvendosi këto vija deri në kufirin me Rusinë.

A nuk janë marrëdhëniet aktuale Rusisë dhe Perëndimit, po aq të këqija sa gjatë Luftës së Ftohtë?

Nëse dikush vazhdon të përsërisë vazhdimisht të njëjtat kërkesa, prej kësaj nuk mund të vijë asgjë e mirë. Ka disa shenja që Perëndimi dhe Rusia, po e kuptojnë që duhet të aktivizohen kanalet e komunikimit. Retorika po ndryshon gradualisht. Ndoshta ky është hapi i parë. Sigurisht, para se të rikthehet besimi, kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë.

Jam i bindur që gjithçka duhet të rinisë me ç’armatimin bërthamor. Kohët e fundit, u kam bërë thirrje të gjitha fuqive bërthamore, të bëjnë një deklaratë të përbashkët kundër luftës bërthamore. Duhet të rinisin negociatat mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, por edhe me fuqitë e tjera bërthamore./ Der Spiegel-Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Bie miti/ Lulet që mbani në shtëpi nuk e pastrojnë ajrin, ja ç’duhet të bëni

Publikuar

-

Nga

Mbushja e shtëpisë me vazo me lule, mund t’ju bëjë të ndihemi më të lumtur dhe më produktivë. Por ato nuk do ta bëjnë më të pastër ajrin që thithni. Kjo do të thotë, që ato e pastrojnë ajrin vetëm nëse janë në një sasi tepër të madhe:diku midis 10-1.000  lule për çdo metër katrorë të dhomës apo sallonit tuaj.

Një studim i fundit, i bazuar në 30 vjet kërkime të mëhershme, ka zbuluar se lulet ose bimët që rrisim brenda shtëpisë, kanë pak vlerë reale si pastruese të ajrit. Duke përdorur të dhëna nga një duzinë studimesh të ndryshme ndër vite, autorët konstatuan se për një shtëpi ose zyrë me përmasa 140 m2, duhen mbi 680 bimë shtëpiake, ose minimumi 5 të tilla për një 1 metër katror, për të arritur të njëjtën ajrosje që përfitohet nga hapja e dy kanatave të dritares.

“Ky ka qenë një koncept i gabuar prej kohësh”- thotë inxhinieri i mjedisit Majkëll Uoring nga Universiteti Dreksel. “Bimët janë të shkëlqyera. Por ato në fakt nuk e pastrojnë ajrin e ambjenteve tona të brendshme aq shpejt, sa të kenë një efekt mbi cilësinë e ajrit”- theksoi ai.

Miti lindi në vitin 1989, kur agjensia amerikane e hapëirës, NASA, kreu një studim mbi bimët, për të parë nëse ato mund të filtronin kimikatet, që shkaktojnë kancer në stacionet hapësinore. Ata vendosën një bimë në një dhomë më të vogël se 1 metër kub, me ajër të rralluar.

Rezultatet ishin mbresëlënëse. Brenda një dite, autorët e studimit njoftuan se deri në 70 përqind të ndotësve toksikë në ajër ishin zhdukur. Por një dhomë e vogël e mbyllur, është shumë e ndryshme nga një mjedis i vërtetë shtëpiak në një ndërtesë të madhe.

LEXO EDHE:  Gratë dhe fëmijët e ISIS janë harruar nëpër kampe/ Bota të reagojë sa nuk është vonë

LEXO EDHE:  Gratë dhe fëmijët e ISIS janë harruar nëpër kampe/ Bota të reagojë sa nuk është vonë

Me kalimin e kohës, studimi i NASA-s dhe hulumtimet pasuese, u nxorën jashtë kontekstit.

Në një ndërtesë normale, argumentojnë autorët e studimit, ajri i ndenjur zëvendësohet vazhdimisht me ajër të pastër nga jashtë, shumë më shpejt se sa eksperimentet në dhomën e vogël.

Autorët e studimit, e treguan këtë duke marrë 196 rezultate eksperimentale, dhe duke i përkthyer ato në nivele të furnizimit të ajrit të pastër (CADR). Duke përdorur këtë metrikë, ata llogaritën se në gati të gjitha studimet, shkalla me të cilën bimët pastronin përbërësit organike të paqëndrueshëm (VOC) nga ajri, ishte aq e ngadaltë, sa që ishte e papërfillshme.

Ndërsa disa nga studimet, kanë matur ambientet e brendshme shtëpiake, Uoring dhe Kamings, thonë se pajisjet që ata përdorën, ishin të prirura të ishin të pasakta, ndaj matën përqendrime të larta dhe jorealiste të ndotësve toksikë. Për më tepër, asnjë prej tyre nuk ka kontrolluar ose matur normën e shkëmbimit të ajrit në natyrë.

Ata shkruajnë se gjetën vetëm 2 studime, që hedhin poshtë konceptin se bimët e zakonshme që mbajmë në shtëpi, e përmirësojnë cilësinë e ajrit të brendshëm. Dhe ato janë kryer nga ekspertët të njohur të fushës. Dhe në një eksperiment të ripërsëritur në vitin 2009, përfundimet e tyre ishin thuajse të njëjta si tani./ Sciencealert-Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE