Connect with Us

Ryugyong, hoteli fantazëm në Korenë e Veriut, që nuk është hapur ende pas 32 vitesh

Blog

Ryugyong, hoteli fantazëm në Korenë e Veriut, që nuk është hapur ende pas 32 vitesh

Publikuar

-

Në vitin 1987, në kryeqytetin e Koresë së Veriut, Pheniani nisi ndërtimi i një hoteli shumë të madh. Ai do të kishte formën e një piramide, me një lartësi mbi 300 metra, dhe që do të kishte të paktën 3.000 dhoma, dhe 5 restorante rrotulluese, me një pamje shumë panoramike.

Hotel Ryugyong, duhet të inaugurohej vetëm 2 vjet më vonë. Por kjo nuk ndodhi kurrë. Edhe pse godina e arriti lartësinë e saj të planifikuar në vitin 1992, ajo mbeti pa dritare dhe bosh për 16 vjet të tjera. Pamja e saj e jashtme prej betoni, i ngjante një përbindëshi të rrezikshëm që shihte nga qyteti.

Gjatë asaj kohe, godina mori nofkën “Hoteli i Apokalipsit”. Hoteli u vesh me metal dhe xhama, dhe më vonë u pajis me drita LED, dhe mbrëmjeve dhuronte një spektakël shumëngjyrësh. Puna ka rifilluar dhe është ndalur shumë herë, duke nxitur spekulime të vazhdueshme nëse ky hotel do të hapet dot ndonjëherë.

Teksa qëndron ende sot i mbyllur, Hotel Ryugyong është godina më e lartë në botë e boshatisur. Hoteli ka qenë në fakt produkt i rivalitetit të Luftës së Ftohtë, midis Koresë së Jugut të mbështetur nga SHBA-ja, dhe Koresë së Veriut së mbështetur nga Bashkimi Sovjetik.

Një vit para se të niste ndërtimi i tij, një kompani korano-jugore kishte ndërtuar në Singapor atë që ishte për kohën hoteli më i lartë në botë “Uestin Stemford”. Kryeqyteti i Koresë së Jugut, Seuli, po përgatitej ndërkohë të organizonte Lojërat Olimpike të vitit 1988, me vendin që po përjetonte tranzicionin drejt një demokracie kapitaliste.

Për të reguar ndaj arritjeve të Koresë së Jugut, Pheniani organizoi Festivalin Botëror të Rinisë dhe Studentëve të vitit 1989, një lloj versioni socialist i Lojërave Olimpike. Rregjimi bëri plane për të ndërtuar hotelin e madh, që ai të ishte gati për aktivitetin ndërkombëtar, duke synuar thyerjen e rekordit botëror që kishte vendosur jugu.

Por për shkak të problemeve inxhinierike, hoteli nuk mbaroi dot në kohë për festivalin. Qeveria komuniste, kishte investuar tashmë miliarda dollarë për festivalin, duke ndërtuar një stadium të ri, zgjeruar aeroportin e Phenianit, dhe duke ndërtuar rrugë të reja.

Kjo e tendosi më tej, ekonominë e brishtë koreano-veriore. Ndërkaq, shembja e Bashkimit Sovjetik e privoi vendin komunist nga ndihmat dhe investimet më jetike. Koreja e Veriut, po zhytej drejt një krize të re ekonomike. Megjithëse struktura e jashtme e hotelit kishte përfunduar, ndërtimi u ndërpre në vitin 1992, dhe një vinç u la në harresë në majë të ndërtesës.

“Godina u ndërtua në formën e piramidës, pasi katet e sipërme duhet të ishin më të lehta. Ata nuk kishin materiale ndërtimi të kohës së fundit. Prandaj e ndërtuan tërësisht me beton. Nuk mund të ndërtohet në atë mënyrë një kullë më e hollë, pasi duhet të kesh një bazë të madhe me një majë të mprehtë”- deklaroi për CNN Kalvin Çua, arkitekt me banim në Singapor, që është maarrë shumë me urbanizmin e Phenianit.

“Nëse shihni historinë e ndërtimeve në Korenë e Veriut që nga fundi i Luftës Koreane, shumica e ndërtesave janë prej betony. Ky është materiali që ata njohin”- shtoi Çua. Arkitekti, që ka punuar në Korenë e Veriut me arkitektët vendas, thotë se Ryugyong, mund të ketë qenë dizajnuar të dukej si një mal, dhe jo si një piramidë, pasi malet luajnë një rol të rëndësishëm në simbolikën e vendit.

Në biografinë zyrtare të Kim Jong Il, i ati i sundimtarit aktual Kim Jong Un, thotë se lindi në një bazë të fshehtë ushtarake në malin Paektu, mali më i gjatë në gadishullin Koreane, që përshkruhet në emblemën kombëtare të Koresë së Veriut. Në vitin 2008, pas një ndërprerje 16-vjeçare, rinisi ndërtimi i hotelit, si pjesë e një marrëveshje me “Orascom”, një kompani egjiptiane e kontraktuar për ndërtimin e rrjetit 3G të Koresë së Veriut.

Vinçi i vjetër i ndryshkur, që ishte harruar sipër ndërtesës për 2 dekada me radhë, u hoq prej andej. Punëtorët e ndihmuar nga inxhinierët egjiptianë, instaluan panele qelqi dhe metali në strukturën e betonit. Këto punime patën një kosto prej 180 milionë dollarësh.

Projekti përfundoi vetëm në vitin 2011, dhe kjo nxiti spekulime se hoteli do të inaugurohej së shpejti. Në fund të vitit 2012, kompania gjermane “Kempinski” që menaxhon një sërë hotelesh luksoze nëpër botë, bëri me dije se Ryugyong do të hapej pjesërisht nën administrimin e tij në mesin e 2013-ës.

Por ajo u tërhoq disa muaj më vonë, duke deklaruar se hyrja e hotelit në treg, nuk ishte “aktualisht e mundur”. Pati zëra se godina ishte strukturalisht e paqëndrueshme, për shkak të teknikave të dobëta të ndërtimit dhe materialeve të përdorura. Në vitin 2014, në Phenian u shemb një godinë banimi 23-kateshe, pasi ndërtimi “nuk ishte kryer siç duhet” sipas medias shtetërore të Koresë së Veriut.

“Gjykuar nga pjesa e jashtme, ndërtesa duket strukturalisht e fortë. Ndërsa pjesa e brendshme mund të jetë një histori tjetër”- thekson Çua. Imazhet e brendshme të hotelit në vitin 2012,  zbuluan se nga brenda ishte bërë shumë pak punë.

Ryugyong nisi të përdorej në vitin 2018, kur në fasadën e saj u instaluan ekranet LED, ku panderprerë transmetohet një video propagandistike 4-minutëshe, që tregon historinë e Koresë së Veriut, të shoqëruar me një sërë parullash politike. Pyetja që ri pezull është:A do të hapet ndonjëherë ky hotel gjigant? Ata që e kanë vizituar nga afër, thonë se është shumë e vështirë të japet një përgjigje e saktë./ “CNN”-Përshtatur nga CNA.al

KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Sistemi zgjedhor, mund t’i garantojë fitoren konservatorëve në Britani

Publikuar

-

Nga

Nga Peter Kellner “Carnegie Europe”

*Analistët bëjnë shpesh krahasime midis kryeministrit të Britanisë së Madhe, Boris Xhonson, dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Që të dy janë populistë, bjondë, dhe e kanë të vështirë të thonë gjithmonë të vërteta. Por ka një ngjashmëriedhe më të madhe me të dyve, që mund të jetë më e rëndësishmja nga të gjitha.

Para tre vjetësh, Trump u bë president, edhe pse 3 milionë amerikanë votuan më shumë për kandidaten demokrate Hilari Klinton. Në zgjedhjet e parakohshme të 12 dhjetorit, Xhonson mund të sigurojë shumicën parlamentare që i nevojitet për të përfunduar Brexit, edhe pse shumica e britanikëve mund të votojnë për partite, që janë shprehur paraprakisht të vendosura për ta ndalur atë.

Në të dyja vendet, kjo mund të ndodhë pikërisht për shkak të sistemeve zgjedhore që janë të tipit ”fituesi i merr të gjitha”. Klinton mori shumicën e votave në shtetet bastione të demokratëve si Nju Jorku dhe Kalifornia, ndërsa Trumpi siguroi një fitore të ngushtë në shtetet e ndryshueshme si Florida, Pensilvania dhe Miçigani.

Ndërsa fituesi në secilin prej atyre shteteve, mori të gjitha votat e Kolegjit Zgjedhor, sistemi e favorizoi Trumpin. Sistemi politik në Britani funksionon ndryshe, por rezultati përfundimtar mund të jetë i ngjashëm. Tri partitë dëshirojnë ndodhjen e Brexit brenda ose para afatit të ri të 31 janarit 2020 janë Konservatorët, Partia Brexit dhe Partia e Pavarësisë së Mbretërisë së Bashkuar (UKIP).

Sondazhet e fundit, i japin një mbështetje të përbashkët prej 47 për qind të votave. Pesë parti e kundërshtojnë Brexit, dhe duan të që vendi të mbetet në Bashkimin Evropian:Laburistët, Liberal Demokratët, Partia Kombëtare Skoceze, Partia e Gjelbër dhe Plaid Cymru e Uellsit. Mbështetja e tyre e kombinuar është mesatarisht 52 për qind. Pra shumica e votave, shkon për partitë anti-Brexit.

Por konservatorët mund ta kapërcejnë këtë distavantazh, dhe të fitojnë një shumicë të qartë parlamentare në parlamentin e ri. Kjo pasi Konservatorët, të udhëhequr nga Xhonson, kanë të ngjarë të fitojnë deri në 90 përqind të votuesve pro-Brexit, ndërsa Laburistët, partia kryesore e opozitës, gëzojnë aktualisht mbështetjen e pak më shumë se gjysmës së votuesve, që janë kundër Brexit.

Ja një shembull nga zgjedhjet e fundit parlamentare, se si mund të ndodhë kjo në praktikë:Një nga zonat elektorale ku fituan Konservatorët  vjet më parë ishte Sauthport, në Anglinë Veriperëndimore. Por në referendumin e Brexit të 23 qershorit 2016, 54 për qind e tyre kishin votuar pro qëndrimit në në BE, dhe vetëm 46 për qind kishin votuar për largimin ng unioni.

Në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, 59 për qind  e tyre votuan për Laburistët ose Liberal Demokratët, ndërsa 41 për qind për Konservatorët ose për UKIP. Pra, si përfundoi Sauthport me një deputet pro-Brexit?

Kjo ndodhi sepse votat për partitë pro-Brexit, u ndanë midis Konservatorëve me 39 përqind dhe UKIP me 2 përqind, ndërsa votat për partitë anti-Brexit u ndanë midis Laburistëve me 33 përqind dhe Liberal Demokratëve me 26 për qind. Blloku më i madh i votuesve ishte ai Konservator.

LEXO EDHE:  Puçi i Birrarisë së Mynihut, kur Hitleri dështoi të ngjitej në pushtet me dhunë

Dhe sipas sistemit kandidati konservator Damien Mur, rezultoi fitues.

Kjo, ose diçka e përafërt, mund të ndodhte edhe në dhjetëra zona elektorale në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 12 dhjetorit. Nga të dyja palët, do të bëhen përpjekje modeste për të parandaluar rezultatet surprizë. Kështu Partia Brexit, ka vendosur të mos garojë me kandidatët kundër deputetëve aktualë Konservatorë.

Në majin e këtij viti, kjo parti mori 31 për qind të votave në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, edhe pse sondazhet e fundit, tregojnë se mbështetja për të ka rënë nën 10 për qind. Po lëvizja e saj e fundit për t’i lënë Konservatorëve zona të lira, ka pak të ngjarë të bëjë ndonjë diferencë. Gjithsesi, mbështetja më e madhe për Partinë Brexit, ka prirje të vijë nga zonat që aktualisht kontrollohen nga Laburistët që votuan pro largimit nga BE në vitin 2016, dhe që po shënjestrohen këtë herë nga Konservatorët.

Në këto pozita, Partia Brexit do të neutralizojë efektin e disa vota pro-Brexit, kryesisht nga Konservatorët. Nëse Partia Brexit fiton vetëm 5 ose 10 përqind në këto zona, kjo mund të ndihmojë Laburistët të ruajnë pozitat e tyre, që përndryshe do t’i humbnin, dhe ato do të shkonin për Konservatorët.

Ndërkohë në kampi anti-Brexit, Liberal Demokratët kanë bërë një pakt me të Gjelbrit dhe partinë Plaid Cymru në mbi 63 zona (nga 650 vende që në total Dhoma e Komunëve), ku vetëm njëra nga tre partitë do të garojë me 1 kandidat. Por ashtu si në rastin e Partisë Brexit, edhe ky pakt ka pak gjasa të ndikojë shumë në rezultatin përfundimtar.

Kjo do të thotë që gati çdo zonë elektorale, do të ketë të paktën 2 parti anti-Brexit:Laburistët dhe Liberal Demokratët, Të Gjelbrit ose Plaid Cymru. Në Skoci, Partia Kombëtare Skoceze, një tjetër focë anti-Brexit, do të garojë më vete, duke detyruar votuesit anti-Brexit të zgjedhin midis 3 kandidatëve.

Përfundimi është se vota anti-Brexit, do të ndahet më shumë, sesa ajo pro-Brexit. Vetëm një factor, mund të parandalojë një shumicë të qartë konservatore në parlamentin e ri:votimi taktik . Nëse të gjithë votuesit anti-Brexit, mbështesin partinë e tyre të preferuar, Xhonson mund të presë një fitore komode muajin tjetër.

Sidoqoftë, këtë mund ta parandalojnë edhe fushatat jo-partiake, që po përpiqen të bindin miliona votues anti-Brexit, të mos votojnë për partinë e tyre të preferuar, por për kandidatin e zonës, duke rritur gjasat e mposhtjes së konservatorëve. Nëse këto fushata kanë sukses, ato mund të privojnë konservatorët nga 20-40 deputetë.

Por kjo është një “nëse” e madhe, dhe që flet për një të vërtetë edhe më të madhe:Britania e Madhe, po përjeton jo vetëm zgjedhjet e saj më të rëndësishme në historinë e kohëve të fundit, por edhe ato më të paparashikueshmet. Këto mund të jenë zgjedhjet, në të cilat një pakicë votuesish mund do të arrijnë të dominojnë mbi dëshirat e shumicës në lidhje me çështjen më të rëndësishme të kohëve të fundit./ Carnegie Europe-Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

A është plakja një sëmundje e parandalueshme?

Publikuar

-

Nga

Ne jetojmë sot më gjatë, por jo shumë më mirë. Jetëgjatësia mesatare e njeriut është rritur, por jo kufiri maksimal. 95 për qind e njerëzve, kanë vdekur para moshës 100-vjeçare, dhe thuajse askush nuk i arrin 115-vjeç. Vitet e fundit të jetës, janë plot vuajtje dhe sëmundje.

Nga përvoja, të gjithë e dimë se ndërsa plakemi do pësojmë një rënie të madhe fizike, dhe në fund do të vdesim. Benxhanim Frenklin, një nga “etërit” e pavarësisë së SHBA, tha dikur se asgjë nuk është e sigurtë, përveç vdekjes dhe taksave.

Po sikur vdekja të mos jetë e sigurtë? Po sikur të kemi mundësi të qëndrojmë të shëndetshëm, dhe të jetojmë përgjithmonë? Shkenca po heton disa të dhëna intriguese, të cilat sugjerojnë se plakja dhe vdekja mund të mos jenë dhe aq të pashmangshme, sa kemi menduar deri më sot.

Dejvid Sinkler beson se plakja është një sëmundje, një sëmundje mëse e zakonshme, që ai beson se duhet të trajtohet në një mënyrë agresive.

Libri i tij “Jetëgjatësia: Pse plakemi, dhe si mund ta shmangim këtë” ka dalë në treg në shtator të këtij viti. Profesor dhe studiues në Shkollën Mjekësore të Harvardit, dhe bashkëpunëtor i revistës “Aging”, Sinkler thotë se përparimet e fundit shkencore, kanë ndryshuar efektet e plakjes tek kafshët.

Ai ka zbatuar deri tani shumë nga gjetjet shkencore. Ai thotë se “nuk ka ligje biologjike, kimike ose fizike, që thonë se jeta duhet të marrë fund”. Ka organizma që nuk plaken. Qelizat e pishave, nuk pësojnë asnjë plakje me kalimin e kohës. Tek polipi i ujërave të ëmbël ‘Hydra Vulgaris, nuk vërehet ndonjë dallim domethënës midis shumë të rinjve dhe shumë të moshuarve.

Disa kandila deti të njohur si “të pavdekshëm”, janë dukshëm të aftë të jetojnë përgjithmonë. Peshkaqeni i Grenlandës, vlerësohet se jeton mbi 500 vjet, dhe nuk e arrin pjekurinë seksuale para moshës 150-vjeçare. E imagjinoni dot një njeri 150-vjeçar, para moshës së pubertetit! Një adoleshent të përhershëm?

LEXO EDHE:  Bota injoroi shenjat paralajmëruese, tani Lindja e Mesme është buzë humnerës

Nuk ekziston asnjë gjen i vetëm përgjegjës për plakjen. Por shkenca ka identifikuar më shumë se 2 duzina gjenesh të “jetëgjatësisë”, që janë dëshmuar të afta të zgjasin mesataren dhe maksimumin e jetës tek shumë organizma. Këto gjene, gjenden në çdo organizëm: pemë, krimba, balena dhe njerëz.

Sirtuinat janë rregullatorë epigjenetikë. Tek gjitarët ndodhen 6 të tilla. Ata kurojnë inflamacionin kronik, që shkakton shumë sëmundje kronike si ateroskleroza, artriti dhe astma. Studimet tek minjtë, kanë treguar se ato përmirësojnë riparimin e ADN-së, forcojnë kujtesën, rrisin qëndrueshmërinë e ushtrimeve dhe i ndihmojnë minjtë të qëndrojnë elegantë.

Sinkler beson se arsyeja e veçantë pse plakemi, është humbja e informacionit epigjenetik. Ai e cilëson gjenomin njerëzor si një kompjuter dhe epigjenin si softuer. Informacioni gjenetik është i njëjtë në çdo qelizë. Epigjenoma, është ajo që e udhëzon një qelizë të zhvillohet në një qelizë të veshkave, dhe jo në një qelizë të zemrës.

Shkencëtari parashikon që një ditë mund të jetë e mundur vaksina kundër plakjes. Eksperimentet me qelizat burimore dhe klonimin, janë tepër intriguese. Terapia e gjeneve premton shumë, edhe pse ka disa shqetësime etike. Derisa të mbërrijë dita kur plakja të ndalet plotësisht, shkencëtari rekomandon disa këshilla për të pasur një jetë sa më të gjatë.

Pini çdo ditë vitaminë D, vitaminë K2 dhe aspirinë. Kufizoni konsumimin e sheqerit, bukës dhe makaronave. Mos hani ëmbëlsira, dhe shmangni konsumin e mishit të kafshëve. Mos hani fare një vakt në ditë. Bini në peshë dhe merruni me palestër, dhe mos pini duhan. Shmangni plastikën në furrën me mikrovalë, si dhe ekspozimin e tepërt ndaj rrezeve ultravjollcë, dhe rrezeve X./ Science Based Medicine-Përshtatur nga CNA.al

 

LEXO TE PLOTE

Blog

Deliri turk i Erdoganit/ Sundimi i rrezikshëm i presidentit të korruptuar të Ankarasë

Publikuar

-

Nga

Nga Daniel Pipe “National Interest”

* Sundimi i Rexhep Taip Erdoganit në Turqi nisi në marsin e vitit 2003, dhe ndahet saktësisht në 2 periudha. Në të parën që zgjati 8 vjet e 4 muaj, ai ishte një qeveritar i shkëlqyer. Nën qeverisjen e tij vendi përjetoi një rritje ekonomike të paparë, dhe pati një ndikim rajonal në rritje.

Erdogan trajtoi me sukses probleme të vështira si çështja kurde, ndërsa menaxhoi me dinakëri kastën problematike të ushtarakëve. Sukseset e tij, arritën kulmin në korrikun e vitit 2011, me vënien nën kontroll të plotë të ushtrisë, një arritje ku kishin dështuar më herët të gjithë paraardhësit e tij.

Tetë vjet e katër muaj nga ajo pikë kthese, shkëlqimi i tij i mëparshëm u zbeh. Ai është zëvendësuar nga mungesa e koherencës, vetë-kënaqësia  dhe paparashikueshmëria. Së pari legjitimiteti demokratik, degradoi në një diktaturë. Erdogan u prezantua në skenën kombëtare si një lider i sinqertë, konservator, i devotshëm, tipare këto që i përshtateshin mirë gjendjes shpirtërore të Turqisë.

Me paraqitjen e saj fillestare në zgjedhjet e vitit 2002, Partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim fitoi  34 për qind të votave, dhe 66 për qind të vendeve në parlament. Një rritje ekonomik rekord, e zgjeroi mbështetjen për AKP-në në 46 për qind në vitin 2007, dhe 50 për qind në vitin 2011. Pas atij viti, kur popullariteti i Erdoganit ra ndjeshëm. Ndaj, ai nisi të manipulojë zgjedhjet, të censurojë mediat, dhe kërcënojë opozitën.

Udhëheqja efektive e Erdoganit, tërhoqi në fillim rreth tij një grup udhëheqësish mjaft të larmishëm, si kleriku Fethullah Gylen dhe politikani kryesor i mbështetur prej tij, Abdullah Gyl. Ai tërhoqi rreth vetes edhe teknicienë të spikatur si ekonomisti Ali Babaçan, dhe “truri” i politikës së jashtme Ahmet Davutoglu.

Sot, që të katërt janë armiqtë e Erdoganit, duke kundërshtuar me të drejtë teprimet e tij. Epoka e parë e Erdoganit, pati një rritje mbresëlënëse ekonomike, me shumë investime të huaja. Si simbolikë e kësaj arritje, qeveria e shndërroi kompaninë “Turkish Airlines” nga një sipërmarrje kombëtare joefiçente, në një kompani të madhe botërore, që konkurron me çmimet, dhe mburret me destinacionet më të shumta se çdo linjë tjetër ajrore.

Por ato vite të lavdishshme, janë sot vetëm një kujtim, kryesisht për shkak të vetë Erdoganit: mënyrave të tij kleptokratike, nepotizmit (dhëndri i tij është Ministër i Financave), dhe pikëpamjeve të tij të diskutueshme. Ai këmbëngul përkundër të gjitha provave, që të mbajë të larta normat e interesit, edhe pse ato po shkaktojnë një inflacion të lartë.

Si pasojë e këtyre gabimeve, lira turke e ka humbur gati treçerekun e vlerës së saj, në krahasim me korrikun e vitit 2011. Mania për vepra të mëdha publike, ndërtoi një aeroport gjigant të padobishëm në Stamboll, xhaminë më të madhe të vendit etj. Flitet madje për ndërtimin e një kanali përgjatë Bosforit.

Deliri i Erdoganit, merr gjithashtu formën e një luksi të shfrenuar personal, siç është avioni Boeing 747-8 me vlerë 500 milionë dollarë, dhe pallati më i madh në botë, me plot 1.150 dhoma, i ndërtuar në mënyrë të paligjshme në një masiv pyjor të mbrojtur me ligj.

LEXO EDHE:  Puçi i Birrarisë së Mynihut, kur Hitleri dështoi të ngjitej në pushtet me dhunë

Ka gjasa që ai ta shpallë veten Kalif të të gjithë myslimanëve, ndoshta në 100-vjetorin e fundit të Kalifatit me qendër në Stamboll, më 10 mars 2021 (sipas kalendarit islamik), apo më 4 mars 2024 (sipas kalendarit kristian). Në politikën e jashtme, qasja dikur mbresëlënëse rajonale e “zero problemeve me fqinjët”, ka degraduar në një realitet të turpshëm të “asgjë tjetër, veç problemeve me fqinjët”. Siria ofron shembullin më dramatik:para korrikut të vitit 2011, marrëdhëniet midis Ankarasë dhe Damaskut arritën nivele të papara, me vizita dhe një volum tregtar të shtuar, diplomaci të koordinuar dhe ndoshta diçka unike:të dy udhëheqësit dhe gratë e tyre, kaluan bashkë pushimet.

Në gjysmën e gjysmë të mandatit të Erdoganit, raportet u përkeqësuan, dhe kjo çoi në sponsorizimin e ISIS-it nga Turqia, dhe më së fundmi një pushtim të verilindjes së Sirisë. Përtej Damaskut, marrëdhëniet janë toksike me Bagdadin, Abu Dhabin, Riadin, Jeruzalemin dhe Kajron. Katari është aleati i vetëm i Ankarasë.

Duke parë përtej rajonit, Erdogani i pas vitit 2011, ndërmori hapa të tjerë që armiqësuan fuqitë e mëdha. Truprojat e tij rrahën disa protestues në rrugët e Uashingtonit, ndërsa forcat e tij ajrore rrëzuan një avion luftarak rus. Ai e akuzoi Angela Merkelin për “masa naziste”, dhe dënoi në mënyrë provokuese trajtimin që Kina po i bën popullsisë së saj myslimane turko-ujgure.

Ai ndërmori hapa për të demonizuar secilën nga këto qeveri, duke i përmirësuar marrëdhëniet më vonë, pa zhbërë dëmet e mëparshme. Ku gjendet sot Turqia? Rreth saj sillen disa “stuhi”, me dy rreziqe kryesore:ekonomia dhe politika e jashtme.

Ligjet ekonomike nuk i përulen askujt, madje as Sulltanit Erdogan. Nëse ai vazhdon në këtë rrugë, do ta çojë Turqinë drejt katastrofës, ose drejt varësisë nga Kina. Politika e jashtme, përbën një rrezik tjetër të madh. Rrëmbimi i qytetarëve disidentë turq, shpimet për naftë në zonën ekskluzive ekonomike të Qipros, dhe pushtimi i një pjese të Sirisë, flet për një arrogancë që duke pasur parasysh pozitën e izoluar të Erdoganit, e lë atë shumë të ekspozuar.

Ndonjë aventurë e huaj – ndoshta ajo siriane – mund të çonin në rënien e tij politike si dhe atë të AKP-së. Udhëheqësit amerikanë, kanë qenë tolerantë me Rexhep Tajip Erdoganin. Xhorxh W. Bush e lehtësoi zgjedhjen e tij kryeministër. Barak Obama e quajti me krenari një mik. Dhe Donald Trumpi inkurajoi pushtimin e Sirisë.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes, gënjen veten nëse mendon se aleatja e vjetër e NATO-s, do të rikthehet një ditë si dikur. Departamenti i Shtetit, mbështetet tek instinkti i tij tradicional për të ruajtur qetësinë. Ka ardhur koha që Erdogani të perceptohet jo vetëm si një armik, por duhet t’i paraprihet kërcënimit që ai paraqet për vendin e tij, rajonin dhe më gjerë.

Kjo nënkupton tërheqjen e Turqisë nga kategoria e vjetëruar “aleat i NATO-s”, dhe shikimi i saj në të njëjtin pozicion si Irani:si partnere e armiqve të Amerikës, agresore ideologjike, sponsore e dhunës xhihadiste, dhe një vend aspirant për t’u pajisur me armë bërthamore. Vetëm kështu mund të jemi të përgatitur për problemet që na presin në të ardhmen./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE