Connect with Us

Mediat sociale dhe vetëbesimi/ Si ndikon sjellja jonë online në imazhin që kemi për veten?

Blog

Mediat sociale dhe vetëbesimi/ Si ndikon sjellja jonë online në imazhin që kemi për veten?

Publikuar

-

Në epokën e sotme moderne, çdo njeri kalon mesatarisht rreth 2 orë në ditë në mediat sociale. Ata janë vazhdimisht në kontakt me personalitetin e tyre, duke u përpjekur të prodhojnë një imazh sa më të mirë të mundshëm të vetes. Për pasojë, sjellja jonë në mediat sociale, ndikon thuajse në mënyrë të pashmangshme në vetëvlerësimin tonë .

Po pse tërhiqen njerëzit nga mediat sociale? Hui Hui Chua dhe Chang, zhvilluan në vitin 2016 intervista të gjata me vajzat adoleshente. Sipas rezultateve, adoleshentët e bazonin bukurinë dhe vlefshmërinë e tyre në dy faktorë:Sa pëlqime kishin marrë për fotot apo postimet e tyre, dhe sa ndjekës kishin në mediat e tyre sociale.

I gjithë perceptimi i tyre mbi veten dhe miqtë e tyre, nuk bazohej në meritat apo cilësitë individuale. Në fakt, adoleshentët e bazonin perceptimin e tyre vetjak, nga mënyra se si paraqiten në mediat sociale. Jo vetëm kaq, por ata besonin se kjo përfshin edhe një profil “të suksesshëm” në mediat sociale. Ata përshkruanin se sa më shumë pëlqime dhe ndjekës kishin, kjo çonte në rritjen e popullaritetit dhe besimit.

Varësia nga mediat sociale

Varësia nga mediat sociale, ka një efekt të ngjashëm në tru me varësinë nga lojërat e fatit. Kjo pasi prek në të dyja rastet qendrën e shpërblimit në tru. Për shembull, individi do të ndiejë një ndjenjë eksitimi në skenarë të caktuar. Për shembull, kur sheh që selfi i tij i fundit ka marrë 300 pëlqime më shumë, se sa të mëparshmit.

Që të gjithë pëlqejnë të ndjehen të pranuar, dhe shumë popullorë në rrethin e tyre shoqëror. Prandaj, ka një motivim të natyrshëm për të vazhduar angazhimin në mediat sociale, në mënyrë që të përjetohen sërish emocione të tilla. Kjo krijon një cikël vicioz, ku përdoruesit kërkojnë vazhdimisht miratimin e të tjerëve, dhe mënyra për të përmirësuar vetëvlerësimin e tyre.

Media sociale dhe vetëvlerësimi pozitiv

Gjithsesi mediat sociale, kanë edhe efekte pozitive mbi vetëvlerësimin tek një person. Për shembull, njerëzit që janë të vetmuar, që nuk pranohen në “botën reale”, ndiejnë dashuri dhe miratim në mediat sociale. Shihni për shembull “The Body Positive Movement”. Kjo organizatë është themeluar në vitin 2012, dhe është bërë e njohur në mbarë botën.

Ai është një komunitet virtual, ku përfshihet dhe pranohet me gjithë zemër çdo individ me çfarëdo lloj forme trupore, apo cilido që sfidon besimet dominuese, mbi atë që quhet “bukuri femërore”. Anëtarët e lëvizjes, synojnë të krijojnë një mjedis të sigurt në internet. Aty, femrat nuk zgjidhet sipas të metave të tyre. As nuk përpiqen të arrijnë një pamje të jashtme të pamundur, që ndonjëherë është e mundur vetëm përmes operacioneve plastike.

Çfarë e shkakton rënien e vetëvlerësimit?

Një studim mati vetëvlerësimin e grave, teksa iu dhanë të shihnin foto të modeleve fizikisht më elegante. Rezultatet ishin shumë interesante. Gratë që ishin fizikisht ndryshe nga modelet në foto, raportuan se kishin një vetëvlerësim më të ulët. Pasi panë ato imazhe, ato raportuan ndërkohë ndjenja të papërshtatshmërisë.

LEXO EDHE:  SHBA në luftën me vetveten, një lajm i mirë për armiqtë e saj

Ndërkohë gratë që kishin një peshë të përfërt me modelet në foto, e vlerësonin veten si më të sigurta dhe të lumtura. Kjo ndodh ndoshta për shkak të krahasimit. Ajo është tepër domethënëse, dhe e vë theksin tek një premisë e caktuar. Mos haroni që mediat sociale që bazohen kryesisht tek imazhi, si Instagram dhe Snapchat, janë plot me foto dhe video të tilla.

Rrjedhimisht, kjo duhet të jetë një arsye për t’u shqetësuar.

Çfarë ndodh kur përfshirja në media sociale shkon në ekstrem? Mediat sociale, ndikojnë në vetëvlerësim edhe përmes krahasimit të postimeve të tyre, me ato të njerëzve të tjerë. Ekziston një zili mbi pasurinë, tërheqjen fizike dhe marrëdhëniet e tjetrit.

Individët ndjehen sikur janë të detyruar të “garojnë” me këto standarde të larta, çka e bën gati të pamundur të ndjerit i realizuar. Dhe nivelet më të larta të zilisë, shkaktojnë një rrezik të shtuar të prekjes nga depresioni. Dhe në fakt, sa më shumë që këta individë i përdorin mediat sociale si një mjet krahasimi, aq më i ulët është vetëvlerësimi i tyre.

Kjo sugjeron që përdorimi i lartë i mediave sociale për periudha të gjata kohore, mund të jetë jashtëzakonisht i dëmshëm për shëndetin mendor, si dhe vetëvlerësimin e përdoruesit. Një studim i fundit nga Pittman dhe Reiche në vitin 2016, zbuloi se rrjetet sociale të bazuara tek imazhet (si Instagram dhe Snapchat), shtonin potencialisht ndjesinë e vetmisë tek përdoruesi.

Kjo është për shkak të aftësisë së rrjetit social, për të rritur intimitetin e perceptuar të ndërveprimeve. Njerëzit mund të ndjehen sikur janë aktivë, në ruajtjen e marrëdhënieve me miqtë dhe familjen e tyre. Por, fasada e të qenurit vazhdimisht online, mund të çojë në shkëputje të mëtejshme të marrëdhënieve të tyre në jetën reale. Për pasojë, investohet më pak kohë në komunikimin direkt./ Learning Mind-Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Pse rënia e ndikimit të Perëndimit, përbën një shqetësim për botën

Publikuar

-

Nga

Nga Andrew Hammond ”Gulf News”

* Konferenca e Sigurisë e Mynihut, përfundoi të dielën pas diskutimeve të gjata që përfshinë rreth 500 liderë politikë dhe të biznesit, përfshirë Emanuel Makron, Majk Pompeo dhe Mark Zukerberg. Një nga temat kryesore këtë vit ishte e ashtuquajtura “Westlessness” (rënien e ndikimit të Perëndimit në botë), duke reflektuar pasiguritë në lidhje me rolin aktual të Perëndimit, pavarësisht faktit se ai ndikim ende mund të ripërtërihet.

Ndër çështjet që u ngritën për diskutim në Mynih ditët e fundit, ishte ajo nëse bota po bëhet më pak perëndimore, nëse vetë Perëndimi po bëhet më pak perëndimor, dhe çfarë do të thotë për botën nëse Perëndimi ua lë gjithnjë e më shumë të tjerëve skenën ndërkombëtare.

Ky diskutim i gjerë, ka të bëjë me fenomenin e “Westlessness”, që u përkufizua në Mynih si një “ndjenjë e përhapur e shqetësimit, përballë rritjes së pasigurisë, në lidhje me qëllimin e qëndrueshëm të Perëndimit përballë shumë sfidave të sigurisë, të cilat duket se janë bërë të pandashme, nga ato që disa i përshkruajnë si shenja të shkatërrimit të projektit perëndimor”.

Një nga qëllimet kryesore të konferencës, nuk ishte vetëm hulumtimi mbi këto çështje, por gjithashtu nisja e adresimit të një sfide kryesore strategjike për partnerët trans-atlantikë, që është dalja me një strategji të përbashkët e Perëndimit, ndaj asaj që mund të jetë një epokë e re e rivalitetit mes fuqive të mëdha.

Sado e vështirë që mund të duket për disa, ripërtëritja e Perëndimit si aleanca kryesore politike në botë, është larg nga të qënit e pamundur. Hapi i parë i domosdoshëm, është që të gjitha palët kryesore, përfshirë BE-në, Kanadanë dhe Japoninë, të pranojnë se nuk mund të jetë i mundur rikthimi i rendit të vjetër liberal.

Për shumë njerëz, është mëse e qartë se të tentosh t’i rikthehesh një morie rregullash të vjetra, të bazuara në rregullat ndërkombëtare, mund të mos jetë realiste. Brenda bllokut perëndimor, sfidat janë të mëdha. Këtu përfshihet çështja e ndryshimit të klimës, ku OKB-ja ka bërë thirrje për më shumë bashkëpunim, gjë që nuk ka ndodhur për shkak të planeve të Trump për t’u tërhequr nga Marrëveshja e Parisit, deri në fund të këtij viti.

Për më tepër, përkundër marrëveshjes tregtare të fazës së parë SHBA-Kinë, tensionet më të gjera ekonomike ndërkombëtare, janë në nivele të larta. Përveç veprimeve të SHBA-së, edhe Japonia ka vendosur tarifa të reja për Korenë e Jugut, ndërsa Italia është në mosmarrëveshje me Francën dhe Brukselin për buxhetin e saj dhe çështjen e emigracionit.

Ndërkohë, Gjermania nuk bie dakord me fqinjët e saj lindorë për sundimin e ligjit dhe sigurinë  energjitike. Edhe Kanadaja, po tregon disa shenja të heqjes dorë nga rendi liberal i pasluftës. Ajo po e pranon se sistemi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve në OBT-së nuk po funksionon si duhet, ndaj po ndjek aktivisht një rrugë alternative.

Nisja e dekadës së re këtë vit, është koha e duhur për t’u përballur me këto fakte. Dhe është momenti i duhur për të nisur studimin, se si duhet të jetë një qasje e re e udhëhequr nga Perëndimi mbi qeverisjen globale. Një parakusht për ta mundësuar këtë qëllim, është fokusimi tek çështjet e mëdha strategjike me të cilat përballet Perëndimi.

LEXO EDHE:  “Ma kërkuan tokën për të mbjellë drogë”/ Reportazhi i CNA.al tregon se ç’po ndodh në fshatin ku u gjet thesari ilir

LEXO EDHE:  CNA.al dhe Klan zgjojnë Top Channel

Këto janë të shumta, dhe nuk do të zgjidhen me një samit të vetëm, apo edhe një seri konferencash këtë vit. Së pari, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar, duhet të bien dakord se si të menaxhojnë një Brexit kaotik, në rast se arritja e një marrëveshje tregtare do të duket e pamundur të arrihet.

Së dyti, është e nevojshme që Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara, me marrëdhëniet dypalëshe që kanë hyrë në ngërç nën Trumpin dhe Angela Merkelin, të bien dakord se ekzistojnë një varg sfidash të sigurisë dhe ato ekonomike, të cilat mund të përballohen më mirë së bashku.

Së treti, Franca dhe Italia duhet të përpiqen të sheshojnë dallimet mes tyre. Sigurimi i eurozonës ndaj krizës ekonomike të radhës, kërkon një bashkëpunim të thellë midis tyre dhe Gjermanisë.

Dhe ky duhet të jetëm vetëm fillimi. Çështje të tjera, përfshijnë të ardhmen e sistemit ndërkombëtar të tregtisë, që po vuan pasojat e sanksioneve të fundit të vendosura në të gjithë globin.

Megjithatë, në kontekstin aktual nuk duhet përpjekur për të bërë shumë gjëra. Premtimet e tepërta, dhe mbajtja e shumë pak prej tyre, nuk është mënyra e duhur për të ripërtërirë aleancën perëndimore. Nëse dominon realizmi, dhe kjo temë shndërrohet në një dialog shumëvjeçar, forume si NATO dhe G7, sado të papërsosura që janë, mund të ngjiten në lartësinë e sfidës.

Për shembull, NATO ka një rëndësi të vazhdueshme me anëtarësimin e vendeve me një popullsi të përbashkët prej rreth 1 miliardë njerëzish. Ajo mbetet një nga organizatat ushtarake më të suksesshme në botë, duke ndihmuar në periudhën më të gjatë të paqes së qëndrueshme në historinë moderne të Perëndimit.

Skeptikët do të thonë se asgjë e madhe nuk do të ndryshojë në një drejtim pozitiv, të paktën për sa kohë që Trumpi do të jetë president i SHBA-së. Sado problematike që janë shumë nga pozicionet politike të Trumpit, Perëndimi nuk është vetëm një bashkësi vlerash, por ndërkohë edhe një bashkësi interesash.

Kur vlerat përplasen, ne duhet të përqendrohemi tek interesat. Dhe në këtë moment të fundit të pasigurisë gjeopolitike dhe ekonomike, viti 2020 mund të jetë momenti për të filluar rivendosjen e themeleve për një Perëndim të ripërtërirë./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Si të parandalohet një pandemi tjetër, përpara se ajo të shpërthejë

Publikuar

-

Nga

Nga Annie Sparow “Foreign Policy”

* Përhapja e epidemive është e pashmangshme. Nëse ato bëhen pandemike – pra kur ka një përhapje të pakontrolluar të sëmundjeve ngjitëse, në të gjitha vendet dhe kontinentet e botës – kjo varet nga përgjigja jonë.

Pandemitë varen gjithmonë nga rrjetet e shpejta të udhëtimit dhe popullsitë e dendura, që dikur ishin relativisht të pazakonta, ndërsa sot janë një normë globale nga Nairobi në Xhakarta. Përhapja e virusit Ebola në Republikën Demokratike Lindore të Kongos, është një kërcënim i tillë pandemik.

Pas më shumë se 18 muajsh, ekzistojnë vetëm 3 raste. Por Kongo dhe shumë vende të tjera të varfra në Afrikë dhe gjetkë, janë tashmë të kërcënuara nga koronavirusi i ri. Koronavirusi është teknikisht vetëm një epidemi, që nuk ka lëvizur ende në një numër të konsiderueshëm jashtë Kinës.

Që nga 14 shkurti, pati mbi 60.000 raste të konfirmuara në Kinë, dhe më pak se 500 raste në 24 vende të tjera. Katër prej këtyre vendeve raportojnë raste, kur infektimi ka ndodhur jashtë Kinës. Si duhet të reagojë bota, përballë kërcënimit, që virusi mund të përhapet në gjithë botën? Kina ka futur në karantinë mbi 80 milionë njerëz.

Në fakt asnjë shtet nuk mund të kontrollojë plotësisht qarkullimin e e një virusi. Dhe vendimet se kush jeton dhe kush vdes, diktohen nga modele që mund të mos jenë mënyra më e mençur ose më efektivja për të trajtuar shëndetin global. Shpërthimet e epidemive, shkaktohen nga sëmundjet që kalojnë nga kafshët te njerëzit.

Në 50 vitet e fundit, më shumë se 300 patogjenë janë shfaqur ose rishfaqur, të nxitur nga ndryshimi i klimës, shkretëtirëzimi i tokës, rritja e ndërveprimeve midis kafshëve dhe njerëzve, sistemet e dobëta shëndetësore, rritja e popullsisë dhe urbanizimi.

Në mënyrë tipike, epidemitë shoqërohen me përdorimin e masave si karantina, mbikëqyrja dhe vaksinimi. Kjo qasje kontrolluese ndaj sëmundjes synon një patogjen të vetëm në një kohë të dhënë. Ky proces filloi me Murtajën, një sëmundje bakteriale e transmetuar kryesisht nga pleshtat që jetojnë tek minjtë e zinj.

Murtaja godiste shpejt, shkaktonte simptoma agonizuese, dhe vriste shpejt të prekurit, zakonisht brenda 3 ditësh. Me një normë mesatare vdekshmërie rreth 70 përqind, ndonjëherë në ndonjë qytet e fshat mbeteshin gjallë shumë pak njerëz, për të të varrosur të vdekurit.

Pandemia e dytë e madhe globale e Murtajës, që filloi në vitin 1347 dhe zgjati deri në shekullin e XVII-të, vrau afërsisht 100 milion njerëz, ose një të katërtën e popullsisë së botës në atë kohë. Frika e përhapur në atë kohë, solli përpjekjet e para të organizuara për ruajtjen e shëndetit publik gjatë shekujve në vazhdim. Bllokadat detare, karantinat ushtarake dhe kordonet sanitare, u përdorën për të izoluar qytete dhe madje edhe vende të tëra.

Autoritetet shëndetësore identifikonin raste të dyshuara gjatë kërkimeve derë më derë, dhe burgosnin me forcë të infektuarit. Ndërkohë, u kërkuan anëtarëve të familjes të të sëmurit nga Murtajës, të hynin në karantinë për 40 ditë. Në shekullin e 18-të në Evropë dhe Amerikë, përhapja e lijës, një sëmundje virale e transmetuar nga njeriu tek njeriu, u lehtësua nga zhvillimi i urbanizimit dhe jetesa në  grupe të mëdha.

LEXO EDHE:  Politikanët të shpëtojnë botën nga ndryshimet klimatike

LEXO EDHE:  CNA.al dhe Klan zgjojnë Top Channel

Ajo vriste një të tretën e atyre që infektonte, dhe i linte përgjithmonë me shenja të mbijetuarit.

Vaksina e mjekut anglez Eduard Xhener, e prodhuar në vitin 1796, garantoi një masë të re për shëndetin publik. Në gjysmën e dytë të shekullit XIX, teoria e mikrobeve, e promovuar nga biologu francez Lui Pastër, u konsolidua teksa mjeku gjerman Robert Koh izoloi i pari bakterin që shkakton tuberkulozin dhe më pas kolerën, ndërsa mjeku hungarez Injac Semelveis, isht pionier i praktikës së dezinfektimit dhe larjes së duarve.

Teoria e mikrobeve, çoi në modelin biomjekësor të qasjes ndaj sëmundjes, që supozon se secila sëmundje ka një shkak specifik. Në Evropë dhe Amerikën e Veriut, nevoja e higjenës nxiti një lëvizje sanitare që e reformoi jetesën në qytete, përmes programeve të shëndetit publik që përmirësuan kushtet e jetesës mbi një spektër të gjerë sëmundjesh:ujë të sigurt, kanalizime, mbledhje e mbeturinave, asgjësim i ujërave të zeza, ventilim etj.

Pastaj në vitin 1946, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ripërcaktoi shëndetin si “gjendje e mirëqenies së plotë fizike, mendore dhe sociale, dhe jo thjesht mungesa e ndonjë sëmundje”. Ajo e vuri theksin tek vaksinimi dhe mjetet për të luftuar infeksionin përmes aspekteve pozitive:ushqim më të mirë, edukim fizik, kujdes dhe sigurim shëndetësor.

Sot, reagimi ndërkombëtar është përqendruar kryesisht tek sëmundjet që paraqesin një kërcënim për Perëndimin. Sëmundjet endemike që vrasin shumë më tepër njerëz si malarja, kolera dhe tuberkulozi, marrin shumë më pak fonde dhe vëmendje, dhe shkaqet rrënjësore mbeten të paadresuara.

Patogjenët ndjekin rrugë tashmë të njohura. Prandaj, përhapja e tyre dhe rreziku i transmetimit të qëndrueshëm, varet nga bashkëpunimi global.Reagimi ndërkombëtar ndaj shpërthimit të koronavirusit, është vetëm shembulli i fundit. Edhe pse shumë vende perëndimore përfitojnë nga zhvillimet më të fundit të mjekësisë, në pjesën më të madhe të botës mungon kujdesi i duhur shëndetësor.

Numri i kufizuar i rasteve të diagnostikuara, nuk nënkupton se përhapja globale e tij është e stabilizuar në 24 vendet aktuale, apo se nuk po ndodh ndonjë përhapje lokale. Mungesa e rasteve në Afrikë, edhe pse ka një fluks të lartë trafiku me Kinën, ka të ngjarë t’i detyrohet mungesës së aftësisë diagnostikuese të kontinentit.

E njëjta gjë vlen për Indonezinë dhe Pakistanin. Nëse virusi përhapet gjatë verës në Afrikë ose Indonezi, mund të ketë një transmetim të tij gjatë gjithë vitit. Kjo do të shtonte mundësinë që koronavirusit të bëhet endemik dhe pandemi si malarja. Dhe do të shkaktonte shpërthime vjetore çdo sezon gripal, duke paraqitur një kërcënim të vazhdueshëm.

Modeli biomjekësor, ia nënshtron njerëzit sëmundjes. Bota ka nevojë për një model që i vë njerëzit të parët. Ashtu si shëndeti individual nuk është mungesa e sëmundjes, në një nivel shoqëror apo edhe global, shëndeti i një popullate nuk mund të përcaktohet nga mungesa e shpërthimeve epidemike./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Studimi/ Njerëzit janë më të mirë, sesa mendojmë zakonisht

Publikuar

-

Nga

A janë njerëzit egoistë apo bujarë? A janë lakmia dhe interesi vetjak, ato që na nxisin në pjesën më të madhe të gjërve që bëjmë? Apo jemi të aftë t’i vendosim nevojat e të tjerëve, përpara tonave? Tradicionalisht, sociologët kanë qenë të prirur drejt pikëpamjes cinike, sipas së cilës njerëzit janë shumë egoistë.

Ata besonin në “interesin e arsyeshëm mbi vetveten”, dhe tek “parimin e minimumit”, që thotë se ne jemi programuar të minimizojmë kostot tona në jetë, dhe të maksimizojmë përfitimet tona. Po kështu, psikologët evolucionarë argumentonin shpesh se altruizmi – ndihma ndaj një personi tjetër, pa pritur asgjë në këmbim – thuajse nuk ekziston.

Por në dallim nga pikëpamjet e tilla mbi natyrën njerëzore, studimet e fundit kanë zbulur prova që sugjerojnë se qeniet njerëzore janë shumë më të dashura dhe më bujare, se sa mund të mendoni. Madje edhe fëmijët e vegjël, duan të ndihmojnë të tjerët.

Feliks Uorneken, që studion bashkëpunimin tek fëmijët, sugjeron se fëmijët e vegjël socializohen për të ndihmuar të tjerët, dhe shfaqin një prirje të natyrshme për ta bërë këtë. Ai sugjeron se në mjediset në të cilat evoluan njerëzit, edhe ndihma më e vogël që mund të jepnin fëmijët për të tjerët (si për shembull kapja për dore), do të kontribuonte në mbijetesën e familjes së tyre.

Studimi i Uornken, tregoi sesi fëmijët e vegjël ndihmuan në mënyrë spontane një të huaj të rritur, për sa kohë që nevoja për ndihmë ishte mjaftueshëm e qartë që vogëlushët ta kuptonin atë. Për shembull, nëse një i panjohur për ta në moshë madhore, kishte nevojë për ndihmë për të kaluar një pengesë të dukshme, apo për ndihmë në ngritjen e një objekti të rënë përtokë, fëmijët e vegjël ia ofronin atë me lehtësi.

Uorneken arriti në përfundimin se “sjelljet e hershme ndihmëse, janë vërtet pro-sociale dhe i shërbejnë një funksioni evolucionar tek njerëzit”. Ndërkohë ata që e ndiejnë empatinë, angazhohen në forma ekstreme të ndihmës. Të dyja studimet klasike mbi empatinë dhe ndihmën, dhe hulumtimet e fundit mbi dhuruesit e gjallë të veshkave, sugjerojnë se altruizmi është një dukuri e vërtetë në marrëdhëniet njerëzore.

Psikologu social Daniel Batson, që e ka studiuar altruizmin për 3 dekada me radhë, tregoi se nëse një i huaj, për të cilin ndjejmë empati, vuan vazhdimisht, ne do të ndërhyjmë ndonjëherë dhe vuajmë në vendin e tij, madje edhe atëherë kur kemi mundësi që ta shmangim atë.

Ngjashëm, hulumtimi i neuroshkencëtares Ebigeil Marsh mbi dhuruesit e veshkave, tregon se këta dhurues kanë trurin të prirur për të ndihmuar të tjerët. Për shembull, truri i dhuruesve të veshkave, është shumë më reagues ndaj fytyrave që shprehin frikë, sesa truri i shumicës së njerëzve të tjerë.

LEXO EDHE:  CNA.al dhe Klan zgjojnë Top Channel

LEXO EDHE:  Studimi/ Fëmija i dytë është më problematik se i pari

Marsh sugjeron se të njëjtat mekanizma psikologjikë që promovojnë kujdesin prindëror tek njerëzit që kanë fëmijë, mund të aktivizohen edhe tek të huajt që duket se vuajnë. Ndërkohë një tjetër studim nga neuroshkencëtarët socialë Naomi Ajzenberger dhe Met Liberman, tregon se njerëzit përjetojnë kënaqësi kur shohin që u ndodhin gjëra të mira njerëzve që kanë nevojë për ndihmë, si dhe kur ndihmojnë të tjerët me paratë e tyre.

Ata sugjerojnë se kjo ndodh pasi ne jemi krijesa të tilla sociale, dhe jemi të inkurajuar nga evolucioni të ndjejmë kënaqësi kur ndihmojmë njerëzit e tjerë. Madje edhe kur kjo ndodh me një kosto për sa i përket kohës, përpjekjeve apo parasë së shpenzuar.

Ndërkohë një argument klasik kundër altruizmit, është argumenti “i tradhtisë” i Riçard Doukins. Argumenti thotë që nëse gjenet do të promovonin altruizëm tek njerëz të caktuar, anëtarët e tjerë të grupit të një personi, mund të presin të përfitojnë nga këta mirëbërës dhe të bëhen mashtrues, duke marrë gjithmonë, pa dhënë asgjë në këmbim.

Por kjo logjikë, bazohet në disa supozime të diskutueshme. Një supozim është se bamirësit i tolerojnë mashtruesit përreth tyre. Por në fakt nuk e bëjnë këtë. Ata i ndëshkojnë shpesh mosmirënjohësit. Por dëshmia më e drejtpërdrejtë kundër argumentit “të tradhëtisë” së Doukins vjen nga kërkimet në psikologjinë shëndetësore.

Stefani Braun dhe kolegët e saj, monitoruan më shumë se 800 të moshuar mbi 65-vjeç për 5 vite, për të parë se kush do të jetonte më gjatë. Njerëzit që kishin më shumë gjasa të mbijetonin në atë periudhë, ishin ata që raportuan në fillim të studimit se ofronin më shumë ndihmë emocionale dhe fizike për njerëzit e tjerë. S’ka dyshime që ne të gjithë jemi të aftë të jemi egoistë. Por duket se shumica e njerëzve janë gjithashtu të aftë për akte të mëdha të mirësisë dhe vetëmohimit./Spsp.org- Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE