Connect with Us

Fati i trishtë i familjes së Isa Boletinit/ Përndjekja në Shqipëri dhe Serbi, si ia vranë djalin

Histori

Fati i trishtë i familjes së Isa Boletinit/ Përndjekja në Shqipëri dhe Serbi, si ia vranë djalin

Publikuar

-

Memorie.al sjell dëshminë  nipit të heroit, Isa Boletinit për hakmarrjen e komunistëve ndaj familjes së tyre. “Hakmarrja e regjimit komunist ndaj familjes sonë filloi që në vitin 1943, kur komunistët shkodranë të udhëhequr nga Vasil Shanto, vranë me atentat djalin e Isës dhe babanë tim Adem Boletinin. Si rezultat i politikës të ndjekur nga Beogradi dhe Tirana komuniste, që pas vrasjes së gjyshit në 1913, nga familja jonë u vranë apo ekzekutuan 15 vetë dhe dhjetë të tjerë kaluan vite të tëra në burgje dhe internime”

Hakmarrja e sllavo-komunistëve ndaj familjes së njohur të Isa Boletinit, filloi që në nëntorin e vitit 1943, kur komunistët shkodranë të udhëhequr nga Vasil Shanto vranë me atentat babanë tim nënkolonel Adem Boletinin, djalin e tretë të Isës i cili kishte mbaruar Akademinë Ushtarake në Vjenë.

Pas kësaj si në Mitrovicë ku jetonte pjesa më e madhe e Boletinëve, ashtu edhe në Shqipëri, familja jonë u gjënd nën një persekucion të egër dhe barbar nga regjimet komuniste të Titos dhe të Enver Hoxhës. Nga ky represion i paparë që u ndoq ndaj djemëve, nipave dhe mbesave të Isa Boletinit, numri i të vrarëve dhe të ekzekutuarëve nga familja jonë arriti në 15 vetë dhe dhjetë të tjerë vuajtën për vite të tëra në burgjet e tmerrshme të Serbisë dhe Shqipërisë. Regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj familjes së Boletinëve ndoqi po atë politikë të cilën kishte ndjekur për shumë vjet regjimi komunist i Titos dhe si rezultat i kësaj vetëm në vitin 1962-in, Isa Boletinit iu akordua titulli i lartë i Heroit të Popullit. Edhe pas kësaj familja jonë vetëm një herë pati ftesë zyrtare për të shkuar në Vlorë në përvjetorët e ditës së ngritjes së Flamurit dhe në 1981 kur u inagurua monumenti i gjyshit tim Isa Boletinit në Shkodër, familjen tonë nuk e thirrën, duke na thanë se na kishin harruar”. Njeriu që flet dhe dëshmon për Memorie.al është 67-vjeçari Isa Boletini, (nipi i Isa Boletinit) ish-mësues i Edukimit Fizik, Mjeshtër Sporti dhe arbitër ndërkombëtar i volejbollit, i cili rrëfen se si u trajtua familja e tij si nga regjimi komunist i Titos në Jugosllavi, ashtu dhe nga ai i Enver Hoxhës në Shqipëri. Po si filloi hakmarrja e regjimit komunist të Tiranës ndaj familjes së Isa Boletinit dhe kush ishin viktimat e asaj familje që u ekzekutuan, vranë, burgosën dhe internuan të nxitur politika zyrtare e Beogradit? Lidhur me këto e fakte të tjera nga historia tragjike e familjes Boletini, na njeh rrëfimi i nipit të tij Isa Boletinit të ri, i cili e ka ndjerë vetë mbi shpatullat e tij peshën e rëndë të dhunës së regjimit komunist të Enver Hoxhës.

Genocidi mbi Boletinët

Po si qëndron e vërteta ndaj vrasjes së djalit të Isa Boletinit nga komunistët shkodranë në 1944-ën dhe cili ishte qëndrimi që mbajti regjimi komunist ndaj kësaj familje pas mbarimit të Luftës? Lidhur me këtë Isa Boletini i ri dëshmon: “Vrasja e babait tim nënkolonel Adem Boletinit, u krye në 23 nëntor të vitit 1943 nga komunistët shkodranë të udhëhequr nga Vasil Shanto. Ajo vrasje u nxit dhe u urdhërua nga komunuistët serbë që në atë kohë drejtonin dhe Partinë Komuniste në Shqipëri, si shenjë hakmarrje ndaj gjyshit tim Isa Boletinit i cili luftoi për vite me rradhë ndaj serbo-malazezëve. Në atë kohë vrasja e Ademit, u prit me indinjatë të madhe nga gjithë populli i Shkodrës që e dënoi atë akt barbar, sepse Adem Boletini shërbente si ushtarak dhe nuk ishte përzier asnjëherë në politikë. Ndonëse unë nuk kam qenë më shumë se nëntë vjeç, e mbaj mënd shumë mirë varrimin madhështor, që i bëri populli i Shkodrës babait tim Ademit, ku edhe rinia Antifashiste e qytetit u detyrua dhe solli kurorën e saj. Që nga ajo kohë, për të mbulaur atë krim dhe indinjatën e madhe të popullit të Shkodrës, komunistë hapën fjalë se gjoja Adem Boletini ishte vrarë pa dashje dhe shënjestra e atentatit kishte qenë major Ndrec Prenga, Qarkomandanti i Xhandarmërisë së Shkodrës. Po kjo gjë u hodh poshtë po prej tyre nga dy traktet që ata hodhën menjëherë pas asaj vrasje. Nga ato dy trakte, më kujtohet si tani vetëm i pari që ne mundëm ta gjenim, ku për vrasjen e babait flitej vetëm në dy rreshtat e fundit. Aty thuhej: “Adem Boletini nuk ishte i dënuar me vdekje nga PKSH, por qëndrimi i tij me major Ndrec Prengën ishte i pajustifikeshëm”, kujton Isa Boletini rreth vrasjes së babait të tij Ademit, që ishte dhe djali i tretë i Isa Boletinit.

Kalvari i Boletinëve në Shqipëri

Qëndrimi që mbajti regjimi komunist i Tiranës pas vitit 1944 ndaj familjes së djalit të Adem Boletinit, tregoi më së miri se vrasja e Adem Boletinit kishte qenë e paramenduar prejt tyre dhe jo gabimisht ashtu si u përpoqën ta paraqesnin ata. Lidhur me këtë hedh dritë dëshmia e Isa Boletinit i cili shprehet: “Sikur të mos mjaftonte ekzekutimi i babait tonë Ademit, regjimi komunist që erdhi në pushtet në 1944, i nxitur nga politika zyrtare e Beogradit vazhdoi hakmarrjen ndaj familjes së Isa Boletinit. Kështu në vitin 1947 u arrestua nëna ime Adile Bekteshi, e cila vuajti pesë vjet në burgjet e skëterrës komuniste, ku nga kushtet e këqia mori dhe disa sëmundje të cilat nuk iu ndanë deri sa vdiq. Burgosja e nënës sime nga komunistët erdhi si pasojë edhe e faktit se motra e saj ishte bashkëshortja e Jup Kazazit, njërit prej antikomunistëve më të njohur i cili në 1947 organizoi dhe revoltën e armatosur që kishte si synim përmbysjen e regjimit komunist. Pas dënimit të nënës sonë, gjykata dha vendimin edhe për sekuestrimin e pasurisë, ndonëse ne nuk kishim asnjëlloj pasurie dhe në Shkodër banonim tek shtëpia e dajës, mjekut të njohur Dr. Selaudin Bekteshit. Deri aty nga fillimi i viteve 60-të, për ne si familje u nxorrën tre vendime që të largoheshim nga Tirana. Herën e tretë ne qëndruam të fshehur për një muaj dhe u desh ndërhyrja e dajës sonë Dr. Bekteshit që të kthehej urdhëri që ishte dhënë për dëbimin tonë nga Tirana. Edhe pas kësaj, qëndrimi i regjimit komunist ndaj familjes sonë ka qenë elastik në varësi të konjiukturave politike. Kështu kishte shumë raste që mua më largonin nga Arsimi dhe më dërgonin të punoja si puntor. Po kështu dhe vëllai Enisi i cili mezi mundi të diplomohej si mjek (nën kujdesin e dajës Dr. Bekteshit) pasi dy vjet shkollë i bëri natën, ndonëse ishte mjek i njohur tre herë e kanë pushuar nga puna dhe e dërgonin në morg. Qëndrimi i regjimit komunist ndaj familjes sonë ndryshoi vetëm pas vendosjes së monumentit madhështor të Isa Boletinit në qytetin e Shkodrës në vitin 1981, ku në inagurimin e tij familjen tonë nuk e thirrën duke na thënë se kishin harruar. Po kështu gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist deri në vitin 1990, familja jonë u thërrit vetëm njëherë të merrte pjesë në përvjetorët e Shpalljes së Pavarsisë në Vlorë, kurse pas viteve 90-të ne nuk na kanë thërritur asnjëherë”, e përfundon rrëfimin e tij Isa Boletini duke shtuar se vlersimin që Isa Boletinit nuk ia bëri siç duhet regjimi komunist në Shqipëri, ia bënë në Kosovë, ku me inisiativën e vetë Presidentit Rugova, janë mbajtur disa sesione shkencore dhe janë botuar me dhjetra studime rreth figurës së tij.

LEXO EDHE:  Tritan Shehu rihap debatin e filmave komunistë/ T’i ndalojmë me ligj

Të vrarë nga serbët 

Halil Boletini 1833
Mujë Boletini 1892
Ahmet Boletini 1894
Isa Boletini 1916
Halil Boletini 1916
Seid Boletini 1916
Jonuz Boletini 1916
Halit Boletini 1916
Musa Boletini 1944
Skënder Boletini 1944
Asllan Boletini 1945
Faik Boletini 1947
Isuf Boletini 1947
Rasim Dajçi (nip) 1945
Hysni Rudi (nip) 1945

TE BURGOSUR NE JUGOSLLAVI
Mujë Boletini 3 vjet
Kapllan Boletini 20 vjet
Ali Boletini arrtisur nga burgu
Tafil Boletini burgosur në 1945
Ikbale Boletini burgosur në 1945
Kumrie Boletini burgosur në 1945

TE VRARE DHE TE BURGOSUR NE SHQIPERI

Adem Boletini vrarë në 1943
Tafil Boletini burgosur në 1945
Adile Boletini burgosur në 1947
Ismet Boletini burgosur në Spaç
Enver Dajçi (nip) burgosur në Spaç

Familja e madhe e Isa Boletinit nga Mitrovica e Kosovës

Origjina e herëshme e familjes së Boletinëve prej nga rrjedh i famëshmi Isa Boletini, është nga fshati Isniq i Mitrovicës. Në atë fshat që përpara periudhës së Skënderbeut thuhet të ketë ka banuar i pari i tyre që quhej Lekë, i cili ka pasur tre djem: Nika, Cana dhe Preka. Nga këta tre vëllezër që jetuan në fshatin Isniq, rrodhën dhe u krijuan tre lagje, që morën emrat: Niklekaj, Canalekaj dhe Preklekaj të cila u shumuan dhe arritën deri në 500 shtëpi. Si shumë familje të mëdha patriakale të asaj periudhe, edhe familja e Lekës e ata që erdhën pas tij deri në pesë breza, të detyruar nga presionet e pushtimet osmane dhe për t‘ju shpëtuar pagimit të taksave dhe detyrimeve ndaj Turqisë, iu vunë fëmijëve të tyre emra të ndryshëm si Mujë, Demë, Hajdar dhe Myrsel. Kështu nga barku i familjes së Hajdarit dhe vëllait tij Halitit, rrodhi dhe u krijua lagjia Zhazhë, kurse nga barku i vëllait tjetër Ahmetit, rrodhi dhe u krijua lagjia Muslije. Nga barku i Adem Myrselit rrodhi shtëpia e Ahmet dhe Isa Boletinit. Më pas duke u shtuar numri i tyre, rreth 180 shtëpi u shpërngulën nga fshati Isniq dhe u vendosën rreth e rreth Istogut ku formuan katundet Tomoe, Muzhevinë, Prekallë, Rudicë,

Zabllac, Trubuhovcë, Boletin e Zharcë. Po kështu në atë kohë nga Isniqi janë shpërngulur edhe më shumë se 50-60 shtëpi të tjera të cilat u vendosën nëpër fshatra dhe qytete të ndryshme të Kosovës. Sipas një studimi të Prof. Skënder Luarasit, thuhet se të parët e kësaj familje të detyruar nga depërtimet e pushtuesëve osmanë, kanë zbritur nga viset veriore ku banonin në atë kohë dhe janë vendosur në fshatin Boletin aty rreth vitit 1529, ku morën dhe mbiemrin Boletini. Ky fshat i cili është dhe vëndlindja e Isa Boletinit, ndodhet jo shumë larg qytetit të Mitrovicës (në veri të saj) i cili duket si një qytezë e vogël i vendosur mbi faqen e një shkëmbi të madh, përbri një shpati që vëndasit e quajnë Sokolaj. Aty nga viti 1750, kullat e Boletinëve u dogjën për herë të parë nga taborret e ushtrisë turke, kur këta marshuan në drejtim të asaj krahine për të kapur Hajdarin e Demë Mujë Nikës dhe vëllezërve të tij Halilit e Ahmetit. Duke qenë si fisi i Boletinëve nuk u pajtua asnjëherë me politikën e Portës së Lartë të Stambollit dhe ishte gjithmonë në gjëndje lufte me ta, kullat e tyre në fshatin Boletin u dogjën përsëri në vitet 1830-1832 kur ushtria turke erdhi për të kapur Adem Boletinin. Po kështu në vitin 1892 ajo kullë u dogj përsëri nga turqit në luftrat që ata bënë kundër Ahmet Boletinit. Historia e familjes Boletini vazhdon me Isa Boletinin (u lind në fshatin Boletin në 15 janar 1864) i cili vazhdoi luftrat kundër turqëve dhe si rezultat i saj, zjarri mbi kullat e Boletinëve u vu përsëri nga Hafëz Pasha i cili i dogji ato në vitin 1895. Pas kësaj kullat e Boletinëve u dogjën edhe dy herë rradhazi nga xhonturqit në vitet 1908 dhe 1914, në luftrat që ata bënë kundër Isa Adem Boletinit. Isa Boletini pati nëntë djem dhe pesë vajza, të cilat quheshin: Halil, Zahid, Mujë, Adem, Musë, Bajazit, Asllan, Faik, Kapllan, Azize, Havize, Shehdije, Ajete dhe Feride. Isa Boletini pasi u bë një nga prijsit kryesorë të shqiptarëve të Kosovës në luftrat e tyre kundër pushtimit osman, një nga ngjarjet më të njohura të jetës së tij, është pjesmarrja në ngritjen e Flamurit në Vlorë në nëntorin e 1912-ës ku Ismail Qemali shpalli Pavarsinë e Shqipërisë. Isa Boletini u vra nga forcat serbo-malzeze të Gjeneralit Vukoviq, teksa ishte duke kaluar në urën e Ribinicës në qytetin e Podgoricës. Bashkë me Isa Boletinin, atë ditë u vranë dhe shtatë pjestarë nga familja e tij, duke filluar nga djali i tij i madh Halili (24 vjeç), djali tjetër Zahidi (18 vjeç) që në atë kohë ishte student në Vjenë, dy nipat Jonuzi (26 vjeç) dhe Halili (24 vjeç) si dhe tre kushërijtë e tyre të quajtur Hajdar Selim Radisheva, Misin Niman Bala dhe Idriz Bislimi. Pas vrasjes së Isa Boletinit, në vitin 1916, që përkon edhe me largimin e ushtrisë osmane nga Shqipëria, familja e madhe e Boletinëve që jetonin në fshatin me të njëjtën emër në afërsi të Mitrovicës, u muar me administrimin e pronave të tyre. Përveç këtyre pronave të cilat konsistonin në toka bujqësore, blegtori me mijra kokë dele dhe kullota që shtriheshin në të gjithë fshatin Boletin, familja Boletini ka qenë e njohur dhe për prodhimin e gurëve të Mademit për mullijtë e blojës, të cilat shiteshin deri në Hungari. Në vitin 1944 me ardhjen në pushtet të regjimit komunist të Titos, familja Boletini iu nënshtrua një persekucioni të egër dhe barbar, duke bërë që djemtë, nipat dhe mbesat e Isa Boletinit të ndiqeshin, pushkatoheshin dhe burgoseshin. Po e njëjta gjë ndodhi dhe me pjesën tjetër të familjes së Isa Boletinit që ndodhej në Shqipëri, ku që në 1943 u vra me atentat djali i Isës, nënkolonel Adem Boletini dhe më pas disa nga nipat e kësaj familje vuajtën nëpër burgje dhe internime. Si rezultat i kësaj politike që u ndoq nga regjimet e Beogradit dhe Tiranës në harkun kohorë të 80 vjetëve, nga familja e Isa Boletinit janë vrarë apo ekzekutuar 15 vetë dhe dhjetë të tjerë vuajtën me vite të tëra në burgje dhe internime. Regjimi komunist i Tiranës duke ndjekur dhe mbajtur ndaj familjes Boletini të njëjtin qëndrim si ai i Beogradit, nuk ia dha Isa Boletinit vëndin që i takonte në Historinë e Shqipërisë. Si rezultat i këtij qëndrimi, deri në vitin 1962 ai mbante vetëm urdhërin “Skënderbeu” dhe në atë vit, në kuadrin e 50-Vjetorit të Pavarsisë, iu akordua titulli i lartë “Hero i Popullit”. Pas kësaj rreth 20 vjet më vonë në vitin 1981, atij iu ngrit një monument madhështor në qytetin e Shkodrës dhe në inagurimin e tij nuk u thërritën dy nipat e Isa Boletinit, Enisi dhe Isai që jetonin në Tiranë./Memorie.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Histori

Kur Enveri i kërkonte Titos bashkimin me Jugosllavinë

Publikuar

-

Nga

Kur Enveri i kërkonte Titos bashkimin me Jugosllavinë

Një letër Enver Hoxhës, e cila i drejtohet diktatorit të Ish-Jugosllavisë, Josip Broz Tito tregon se Hoxha ka tentuar të afrohet me të për një bashkim me Jugosllavinë.

Letra e cila është botuar më pas edhe në librat me kujtime të Hoxhës, mban datën 17 mars 1948. Asokohe, Shqipëria kishte dalë nga lufta dhe në një gjendje të vështirë ekonomike, Hoxha synonte të gjente përkrahjen ngë lideri Jugsllav.

“Populli ynë është aq i lidhur shpirtërisht dhe ekonomikisht me popujt e Jugosllavisë sa asnjë popull tjetër dhe ky bashkim s’ka asgjë formale, por ndihet thellë në zemrat e popullit tonë.

Ne duhet të punojmë për Federatën Jugosllave dhe për këtë gjë në vendin tonë punohet me të gjitha forcat , por çështja është që ne duhet të marrim iniciativën e parë për të kërkuar këtë gjë.

LEXO EDHE:  “Rilindja e komunizmit”/ Ish-ministri i Ramës numëron faktet tronditëse

LEXO EDHE:  Kastriot Dervishi për komunizmin: Në mungesë të mishit në Elbasan hahej edhe qen e mace

Ne kemi nevojë të na thuhet nga ju nëse ka ardhur momenti kur ne duhet të marrim në shqyrtim çështjen e bashkimit e të mbërrijmë në konkluzione dhe, nga ana  tjetër, do të dëshironim të na jepeshin edhe sqarime më plotësuese që ju i shihni të arsyeshme në lidhje me faktorë të tjerë të këtij problemi. Pranoni të falat e mia më të nxehta shoqërore”, i shkruante Hoxha Titos.



Megjithatë, të falat e Enverit nisën të ftoheshin gradualisht, pasi në muajin korrik të po atij viti, marrëdhëniet me Jugosllavinë u prishën, dhe Enver Hoxha largoi nga Shqipëria brenda 48 orëve të gjithë njerëzit e Titos. /CNA.al

Letra e Enver Hoxhës, drejtuar Josip Broz Titos

 

 

 

LEXO TE PLOTE

Histori

Dëshmi të rralla/ Femrat që vuajtën në burgjet e regjimit komunist dhe abuzimet që bëheshin ndaj tyre

Publikuar

-

Nga

Dëshmi të rralla/ Femrat që vuajtën në burgjet e regjimit komunist dhe abuzimet që bëheshin ndaj tyre

Faqja që i dedikohet historive të trishta të periudhës së Komunizmit, ka nxjerrë sot dëshmitë e rralla të Tanush Kasos, kryetarit të Shoqatës së Burgosurve Politikë të Shqipërisë, të publikuara në librin e tij “Kalvari i burgjeve komuniste”, ku nga rrëfenjat e bashkëvuajtëseve të tij dhe nga ato që ai vetë ka parë e dëgjuar për torturat që u bëheshin femrave të burgosura në qelitë e Hetuesisë dhe burgjet e atij regjimi nga oficerët e Sigurimit të Shtetit, të cilët abuzonin mbi gratë dhe vajzat e dënuara me dhunë fizike e përdhunime. Cilët ishin disa nga ata ushtarakë të lartë të Ministrisë së Brendëshme që abuzonin ndaj femrave të dënuara dhe disa nga vetëvrasjet që erdhën si pasojë e kësaj dhunë të egër shtazore që u krye ndaj tyre?

Kalvari i gjatë i Musine Kokalarit

Dikur thuhej se “burgu për burrat është”. Dhe me të vërtetë, që nga krijimi i shtetit shqiptar e deri sa u shfaq komunizmi, historia e vendit tonë nuk ka njohur asnjë grua të burgosur për motive politike. Fill pas vendosjes së pushtetit komunist, në burgjet shqiptare u dukën të dënuarat e para politike. Ndër ato, më e hershmja duhet të ketë qenë intelektualja e trimëresha gjirokastrite Musine Kokalari, e cila më 12 nëntor 1944, ende pa marrë fund lufta e pa u vendosur qeveria në Tiranë, u arrestua nga larot e Enver Hoxhës, vetëm për idealet kombëtare e demokratike që ajo ushqente, të cilat binin ndesh me doktrinën marksiste. U mbajt në fshehtësi dy javë, diku në zonat që i kishin nën kontroll Brigadat e Kuqe dhe mbasi i’a vranë pa gjyq të dy vëllezërit e saj, Vesimin dhe Muntazin, gjithashtu intelektualë dhe atdhetarë të shquar, e liruan, për ta burgosur përsëri në janar të vitit 1946, mbas një aktiviteti të shkurtër që ajo ndërmori kundër regjimit gjakatar të sapo instaluar në Shqipëri.

Musine Kokalari

Musineja do të kalonte krenare dhe e papërkulur për afër 40 vjet nëpër kalvarin e burgjeve dhe të internimit, duke u bërë simbol i qëndresës dhe i virtytit të femrës shqiptare. Kjo vajzë e talentuar, që ishte diplomuar në Universitetin e Romës, autore e tre librave dhe e shumë shkrimeve publicistike, të cilat synonin emancipimin e femrës dhe përparimin e kombit, që ishte një nga themelueset e Partisë Social-Demokrate Shqiptare, do t’i mbyllte sytë përgjithmonë e harruar dhe e vetmuar në vendinternimin e saj në Rrëshen të Mirditës, më 14 gusht 1983, pa mundur të shihte përmbysjen e tiranisë komuniste dhe agimin e lirisë e të demokracisë, për të cilat e shkriu jetën.

Gratë që u burgosën e internuan

Me qindra gra e vajza prej familjesh fisnike, me një edukatë e kulturë të shkëlqyer, por edhe plaka të moçme e fshatare të thjeshta, regjimi komunist i përplasi pa mëshirë nëpër burgje, ku vuanin e keqtrajtoheshin njëlloj si burrat, por edhe qëndronin njëlloj si burrat, si amazona të vërteta, prandaj i quanin edhe “burrnesha”. Faji i vetëm i tyre ishte se nuk i përkitnin komunizmit, sepse donin një Shqipëri të lirë e demokratike. I akuzuan për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit”, për “pjesëmarrje në kryengritje të armatosur”, për “strehim të arratisurish”, për “mosdenoncim”, për “mbajtje armësh pa leje”, për “sabotim ekonomik”, për “tentativë arratisjeje”, për “tradhti të lartë” etj., etj.

Disa gra e vajza të guximshme i kishin konsumuar tërësisht ose pjesërisht këto nene për të cilat akuzoheshin. Ato kishin qenë kurdoherë pranë burrave në luftën e shenjtë për liri, për rrëzimin e diktaturës komuniste. Të tjera vetëm dyshoheshin si të tilla, por ishin arrestuar e dënuar pa kurrfarë provash. Shumë prej tyre ishin viktima të hakmarrjes politike të regjimit të Hoxhës, i cili nuk kishte ç’t’u bënte burrave, vëllezërve e baballarëve të tyre që luftonin maleve për liri ose që kishin shkuar jashtë shtetit, ku përpiqeshin e punonin për çështjen kombëtare. Nga torturat dhe vuajtjet pa fund, ato gra e vajza aq të brishta e të bukura u thinjën e u plakën para kohe. Shumë nga ato nuk patën fatin të gëzoheshin me fëmijë. Ato u privuan nga e drejta natyrore për të qenë nëna.

Burgjet e diktaturës komuniste

Puna e rëndë e krahut, varfëria dhe “biografia” nuk i’u ndanë as mbas daljes nga burgu, gjer në vdekje. Kështu kaluan nëpër kalvarin e burgjeve komuniste më shumë se 7367 gra e vajza, ndër të cilat kujtojmë: Musine Kokalari, Neva Frashëri, Olimbi Gavoçi, Frida Sadedini, Lavdie Petrela, Marie Ranxi, Marta Doda, Dylbere Pazari, Hazize Ferhati, Qefsere Bega, Liri Prifti, Shega Këlcyra, Semiramis Vërlaci, Erifili Bezhani, Rita Koka, Merushe Topulli, Elza Koh, Fatime Hoxha, Luçie Kola, Elsa Çika, Asamble Hatibi, Sanie Kosova, Gabriela Radiba, Fatbardha Qorri, Ana Daja, Terezina Pali, Adile Boletini, Vera Dema, Nexhibe Taraku, Agime Pipa, Drita Kosturi, Dhora Leka, Lefteri Dvorani, Ganimet Toptani, Ganimet Cuka, Mereme Gjuta, Pranvera Keqi, Qerime Bone, Viola Beqiri, Bianka Balliçi, Sanie Kollçinaku, Xhovana Qatja, Nurie Koculi, Hanza Borshi, Mih Riko, Samo Doko, Dodona Dako, Marika Dhima, Ana Dhamo, Zhaneta Ogranaja, Simona Koldai, Dragica Mosko, Alije Sula, Fiqiret Prishtina, Gjylso Kalo, Elena Preza, Delfiniz Prenushi, Merita Sokoli, Derka Panizeniç, Mine Shima, Afërdita Hajrullai, Fatime Demçe, Nadire Shima, Hilmie Lakasi, Lumturi Bakiri, Liri Mitrovica, Lindita Beka, Marie Levendi, Suzana Topçiu, Pranvera Lamaj, Behije Kalaja etj.

Burgjet ku vuajtën gratë

Gratë e burgosura në vitet e para mbaheshin në burgjet e burrave, në qytete të ndryshme, si Korçë, Tiranë, Shkodër etj., por në dhoma të veçanta. Më 1957-n gratë u grumbulluan në Burgun e Artizanatit, në Tiranë, ku bënin punë të ndryshme si rrobaqepësi, hekurosje, kopshtari, pastrime të ndryshme etj. Burrat e këtij burgu ishin të ndarë e nuk komunikonin me to. Më 1961-shin u krijua një kamp i punës së detyruar për gratë afër qytetit të Kuçovës, ku shfrytëzoheshin në punë të rënda bujqësore. Më 1970-n u vendosën në fshatin Kosovë të Dumresë, 50 km larg Elbasanit.



Kushtet e diferencuara higjienike, që janë të nevojshme për to, nuk merreshin aspak parasysh nga komanda e burgut. Papastërtia, era e rëndë dhe parazitët e kokës e të trupit përbënin një torturë me vete për ato fatzeza. Ligji nuk përfillte as gratë shtatzëna. Ato dënoheshin e mbaheshin njëlloj si të tjerat. Për t’u përmendur është rasti i Liri Gegës, e cila, duke qenë me barrë, u arrestua dhe u pushkatua bashkë me të shoqin, Dali Ndreun, që të dy militantë të Luftës Nacionalçlirimtare. Kjo u bë e njohur botërisht nga një fjalim i Nikita Hrushovit. Por nuk është i vetmi rasti i pushkatimit të grave shtatzëna. Të tilla kanë vdekur nga keqtrajtimi në hetuesi. Nuk lejohej asnjë mjek i familjes të bënte autopsinë e tyre.

LEXO EDHE:  Edi Rama emëroi sot ish-ministrin e policisë sekrete/ Poshtëroi mijëra viktima të komunizmit

LEXO EDHE:  Edi Rama emëroi sot ish-ministrin e policisë sekrete/ Poshtëroi mijëra viktima të komunizmit

Liri Gega

Njihen disa raste lindjesh në burg të grave të arrestuara në gjendjen e shtatzënisë, të cilat nuk paraqisnin kurrfarë rrezikshmërie shoqërore. Në burg, por sidomos në birucat e izolimit, disa hetues të autorizuar përpiqeshin t’i nënshtronin gratë duke i përdhunuar. Në Burgun e Burrelit, siç tregonin të burgosurit e vjetër, gratë qëndronin të bashkuara si një trup i vetëm. Musineja me shoqe nuk lejonin që policët t’i shkëpusnin vajzat e reja prej tyre, gjoja për të fshirë e pastruar korridoret dhe oborrin. Ato dërgonin ndonjë plakë për të bërë pastrimin. Kështu e ruanin nderin dhe krenarinë e tyre. Por, gjatë paraburgimit, në qelitë e hetuesisë ka pasur raste kur ndonjëra është çnderuar me forcë nga ndonjë kryepolic ose hetues si: Nevzat Haznedari, Xhavit Struga, Skënder Kosova dhe ndonjë tjetër i pajisur me “carta bianca”.

Disa gra janë vetëvrarë gjatë hetuesisë dhe të tjera janë çmendur. Drejtësia komuniste nuk shqetësohej fare kur arrestonte nënat me fëmijë, duke shkatërruar kështu familjen. Ndoshta ky ishte dhe qëllimi i fshehtë i saj. Për Sigurimin e Shtetit, çdo grua e huaj e martuar me një shqiptar ishte një “agjente e huaj” që duhej survejuar gjithmonë dhe në rastin më të parë të arrestohej, të dënohej dhe të asgjësohej, ose të largohej nga Shqipëria. Është një listë e tërë e këtyre grave fatkeqe, të cilat dashuria njerëzore i solli në këtë vend “romantik” të Ballkanit dhe që pastaj kaluan nëpër kalvarin e burgjeve komuniste.

Po përmendim disa prej tyre: Xhovana Simoneti, italiane, martuar me Haki Qatën, nga Tirana. Që të dy u burgosën dy herë: Bianka Balliçi, austriake, e martuar me Nedin Balliçin, nga Elbasani. Bëri dhjetë vjet burg në gjendje çmendurie. Mbas lirimit vdiq në spitalin psikiatrik. Barbara Orgocka, polake, burgosur si edhe i shoqi, inxhinier, Vasil Orgocka, nga Korça. Vanda Tiko, polake, martuar me mjekun Lefter Tiko nga Korça, burgosur të dy. Elena Cami, ruse, martuar me ing. Minella Cami nga Korça. Burgosur të dy. Dina Thaçi, ruse, e martuar me Ahmet Thaçin nga Shijaku. Arrestuar që të dy. Barbara Haxhihasani, hungareze. I shoqi, Fatos Haxhihasani, vari veten në hetuesi. Ajo u çmend në burg. Viola Beqiri, çifute ruse, me arsim të lartë. Akuzohej për spiunazh. Sigurimi e detyroi burrin dhe fëmijët që ta braktisnin.

Si pasojë e burgosjes ose e pushkatimit të njerëzve të familjes së tyre dhe e luftës psikike që bëhej mbi to, mjaft nëna, motra, gra e vajza me ndjenja të brishta kanë humbur aftësinë mendore. Disa prej tyre kanë kaluar deri në vetëvrasje. Kështu përfundoi e shoqja e Teme Sejkos, që i vranë burrin dhe një djalë, ndërsa tjetrin ia burgosën. Bujana, vajza e urtë dhe e zgjuar e Tuk Jakovës, edhe sot endet e çmendur nëpër Tiranë. Nuk mund të mos çmendej edhe Mereme Gjuta, së cilës ia hodhën te pragu i derës fëmijët e saj të bërë shoshë nga plumbat e komunistëve teksa u orvatën të shpëtonin nga thonjtë e diktaturës dhe të dilnin në botën e lirë. Sikur të mos mjaftonte kjo, kriminelët e Sigurimit e burgosën atë nënë fatkeqe.

 “Çnderimi” një torturë më vete

Vetëm pas shembjes së diktaturës u arrit të konstatoheshin pasojat ende të freskëta të gjëmës antinjerëzore. Në vitin 1991, një komision i Helsinkit, mbasi u njoh me “dosjet e gjalla”, arriti në përfundimin se këto vende kishin qenë një ferr i vërtetë. Deri vonë ekzistonin pranë hetuesve të burgjeve e të Degëve të Brendshme dhoma të posaçme torturash. Mjaft njerëz që kanë pasur fatin e keq të hyjnë në to nuk kanë mundur t’i tregojnë askujt ato që provuan mbi trupin dhe shpirtin e tyre mbasi kanë dalë të vdekur që andej.
Por, përveç vdekjes, si të fundit të torturave, ekspertët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të asaj kohe e dinin se ndjenja e çnderimit është poshtëruese për një femër. Ajo e mposht krenarinë e saj dhe e bën të nënshtrohet. Prandaj edhe vepron pa hezitim në këtë drejtim. Nga disa të burgosur shkodranë tregohen rrëfenja të vërteta mbi përdorimin e kësaj metode torturimi që punonjësit e Sigurimit ushtronin mbi disa gra e vajza të të pushkatuarve, të arratisurve e të burgosurve. Shumë herë atyre u kishte hasur sharra në gozhdë, kishin ndeshur rezistencën e vendosur të këtyre femrave, që përpara nderit kishin pranuar vdekjen duke u hedhur nga dritaret e shtëpive ose që pas përdhunimit ishin vetëvrarë.

Vetë ish-kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, Hilmi Seiti (i cili më pas do të vdiste mizorisht nga dora e Sigurimit të Shtetit), këtë lloj torture, që i falte kënaqësi, e kishte metodë të vazhdueshme pune. Tregojnë se ai ngjitej me shkallë natën dhe futej nga dritarja në shtëpinë e ndonjë gruaje të vetmuar dhe mbasi kryente punë, nën kërcënimin e revolverit, e detyronte të nënshkruante deklaratën e bashkëpunimit me Sigurimin. Ai kishte arritur të shtinte në dorë një artiste të re e të bukur, shumë të njohur në qytetin e Shkodrës, që i përkiste një familjeje me të arratisur, të pushkatuar e të burgosur. E mbante si mantenutë dhe si agjente personale, aq sa kishte rënë shumë në sy dhe ishte bërë objekt bisedash.
Po ashtu, Llambi Peçini, kur ishte kryetar i Degës së PB në Fier, me këtë mënyrë torture kërkonte t’i nënshtronte disa femra prej familjesh “të prekura” politikisht, si dhe disa të internuara.

Rastet e ‘gjalla’

Rreth viteve ’60, në një fshat të Dibrës, punëtori i Sigurimit i vuri syrin një vajze të fshatit që ishte ndërkaq e fejuar me një fshatar. Operativi i krijoi një akuzë false të fejuarit të vajzës, të cilin shumë shpejt e arrestuan. Ndërkohë që ai vuante burgun në kampin e Rubikut, vajza ra në duar të punonjësit të shtetit. Kur i shoqi mësoi të vërtetën, për habinë e të gjithëve, e humbi kontrollin, mbuloi kokën me një batanije dhe i nxori të dy sytë. E shtruan në spital, por asgjë nuk mund t’ia kthente shikimin, e me gjithë këtë, e rikthyen në burg.
Një rast tjetër është ai i Lezhës e Mirditës. Punonjësi i Sigurimit njihej nga fshatarët e zonës me nofkën “Toger Baba”. Përdorte dhunë të tmerrshme. I fuste vajzat në një thes, lakuriq, e brenda fuste edhe një mace. E qëllonin më pas macen dhunshëm në mënyrë që t’i çirrte gratë e shkreta. Ky rast ekstrem pati ankesa nga gjithë banorët e fshati dhe qeveria, për të larë duart, e ekzekutoi dhunuesin. Tanush Kaso/Memorie.al

LEXO TE PLOTE

Histori

Dokumenti i vitit 1987/ Si Enver Hoxha persekutonte popullin, qytetet me më shumë kontigjentë

Publikuar

-

Nga

Regjimi diktatorial i Enver Hoxhës sundoi duke përdorur përgjime masive dhe duke mbajtur nën terror qytetarët, nëpërmjet të ashtuquajturve agjentë.

Sigurimi i Shtetit, ishte një ndër institucionet ndoshta më famëkeqet e regjimit komunist.

I themeluar më 10 dhjetor 1944, në një popullsi të dalë nga Lufta e Dytë Botërore me 800 mijë banorë, Sigurimi i Shtetit arriti që në rreth 48 vite të hapte 120 mijë dosje, në të cilat të kishte agjentë, bashkëpunëtorë, rezidentë, strehues dhe të gjithë rrjetin e tyre informativ brenda Shqipërisë dhe jashtë saj.

Nga aktiviteti i tij rezulton të kenë vuajtur rreth 100 mijë shqiptarë që nisin nga më e rënda pushkatimi e burgosja e deri te përndjekja.



Të ashtuquajturit “agjentë”, ishin vegla që diktatura përdorte për të mbrojtur veten dhe për të persekutuar popullin.

LEXO EDHE:  102 vite komunizëm, 100 milionë të vdekur

LEXO EDHE:  “Rilindja e komunizmit”/ Ish-ministri i Ramës numëron faktet tronditëse

Në një dokument të siguruar nga CNA.al, i cili i përket vitit 1987, shikohet se numrin më të lartë të kontigjenteve, e mbante Tirana, si kryeqyteti i Shqipërisë.

Sipas dokumentit në fjalë, vetëm në Tiranë, regjimi komunist kishte 185 agjentë dhe 6435 kontigjentë, më pas vjen Shkodra, me 140 agjentë dhe 7495 kontigjentë, Korça me 90 agjentë dhe 3850 kontigjentë, Vlora 70 agjentë dhe 3561 kontigjentë dhe Gjirokastra me 64 agjentë dhe 3722 kontigjentë.

Kështu diktatura mbante nën kontroll, qytetete kufitare, dhe Tiranën si kryeqyteti i vendit. Mbronte veten, duke persekutuar popullin./ CNA.al

LEXO TE PLOTE
Lajme të Rekomanduara: