Connect with Us

Marshimi i Madh: Katastrofa që Mao e shndërroi në mitin e revolucionit komunist

Blog

Marshimi i Madh: Katastrofa që Mao e shndërroi në mitin e revolucionit komunist

Publikuar

-

Pas çarjes së madhe në vitin 1927, midis nacionalistëve të Kuomintang-ut dhe Partisë Komuniste Kineze (PKK), midis të dyjave nisi një luftë e egër civile. Ushtria e Kuqe u krijua po atë vit, ndërsa në vitin 1931 PKK njoftoi themelimin e Republikës Sovjetike Kineze nën drejtimin e Mao Ce Dunit në provincën Jiangxi në Kinën jug-qëndrore.

Në vitin 1934, pasi pësoi një varg humbjesh të rënda nga ushtritë e nacionalistëve, Partia Komuniste Kineze nisi të tërhiqej nga Jiangxi, për t’u larguar drejt bazave komuniste në veri
si Shanxi, Gansu dhe Ningxia. Kjo tërheqje u bë e njohur si Marshimi i Madh. Propaganda komuniste pretendon se ky marshim zgjati 368 ditë, gjatë së cilës u përshkua në këmbë distanca prej 9.650 kilometrash.

Marshimi nisi në Jiangxi më 16 tetor 1934. Trupat komuniste po sipas legjendës kaluan 24 lumenj, 18 vargmale (5 prej të cilave të mbuluara me dëborë), dhe 11 provinca para se të mbërrinin në shpellat e Jenan buzë të shkretëtirës Gobit në veri të Kinës.
Gjatë atij marshimi legjendar, forcat komuniste zhvilluan mesatarisht një përleshje të armatosur në ditë, ndërsa 15 ditë u angazhua në beteja të mëdha. Pavarësisht se mbahet si një simbol i sakrificës dhe rezistencës, ai marshim ishte në fakt një katastrofë e vërtetë.

Pasi nga afro 80.000 marshues që nisën atë udhëtim, vetëm 6.000 prej tyre mbërritën gjallë në Jenan. Midis të mbijetuarve ishin gati të gjithë zyrtarët e lartë komunistë, që do të sundonin vendin për 40 vitet e ardhshme:Mao Ce Dun, Çu Enlai, Lin Biao dhe Ten Hsio Pin.
Marshimi i Madh, portretizohet edhe sot si një udhëtim epik, ku një grup njerëzish u përballën me vështirësi ekstreme, dhe sfiduan të gjitha gjasat për të korrur pas disa vitesh një fitore përfundimtare, dhe për të ndihmuar në themelimin e shteti të ri.

Në realitet nuk ishte një marshim, apo as edhe një tërheqje strategjike. Ushtarët e forcave komuniste, u arratisën që të shpëtonin kokën e tyre, të ndjekur nga pas jo vetëm nga Kuomintnag-u, por edhe nga milicitë dhe ushtritë e pronarëve lokale të tokave. Megjithtë ky marshim kujtohet me dashuri të madhe me një idealizëm të madh, si një kohë kur dhjetëra mijëra fshatarë kinezë iu bashkuan vullnetarisht luftës.

Artur Uolldron, profesor i historisë në Universitetin e Pensilvanisë, shkruan:”Marshimi nisi me një urdhër të thjeshtë, për t’u tërhequr nga beteja e përgjakshme në Fuxhian, dhe për të ecur sa më shpejt. Të ngarkuar nga pajisjet e rënda, trupat e Maos lëvizën ngadalë, ndaj u arritën shpejt nga Kuomintang.
Një i mbijetuar kujton se udhëheqësit u thanë të plagosurve:”Nëse mund të ecni, atëherë hajdeni. Nëse mos, do të mbeteni këtu!”. Më pas mjekët kujtojnë se mijëra të plagosur u braktisën, pasi nuk mund të merreshin me vete. Mao Guangrong, një ushtar që iu bashkua Ushtrisë së Kuqe kur ishte një jetim 15-vjeçar, do të shprehej për “The Guardian” në shtatorin e vitit 2009:
”Kur një fshat do rreshtohej me ne, ne fillonim propagandën për atë që duhet bërë më pas; jepnim udhëtime se cilët njerëz duhet të vriteshin; pronarët e tokave dhe tiranët e zonës. Ndërkohë, duheshin vrarë edhe lypsarët, pasi ata nuk jetonin me mundin e tyre. Në atë kohë, ishte shumë e lehtë të vrisje dikë. Nëse thoje ndonjë gjë reaksionare, ata do të të vrisnin, dhe nëse nuk ndiqje udhëheqjen e tyre, do të të eleminonin”.

Ndërkohë ka dëshmi se gjatë atij marshimi sfilitës, komunistët shisnin opium për të garantuar furnizimet ushqimore. Ata i detyruan gratë t’i linin pas fëmijët e porsalindur në familjet fshatare të zonës ku kalonin, nga frika se foshnjat që qanin do të rrezikonin trupat. Po kështu ndodhi dhe me një nga fëmijët e vetë Maos, në fillim të marshimit.
Ndërsa shumë oficerë udhëtonin hipur mbi kuaj, ushtarët ecnin. Ata ishin shpesh të uritur. Shumë herë në prag të vdekjes nga uria, ata konsumonin bar dhe gjethe pemësh. Në dimër vuanin nga të ftohtët. Shumë nga ngjarjet e raportuara gjatë Marshimit të Madh, duket se nuk kanë ndodhur kurrë ose janë ekzagjeruar.

Për shembull Incidenti i Urës së Ludingut, duket të jetë një trillim i plotë. Në urë nuk kishte
trupa nacionaliste, dhe nuk pati asnjë betejë:pati vetëm një përleshje të shkurtër pa viktima. Kontrollues i zonës, që kontrollonte urën dhe e urrente Çang Kai-Shek, e lejoi ushtrinë e Maos të kalonte matanë. Më vonë ai u bë ministër në qeverinë komuniste.
Ndërkohë ka shumë pikëpyetje në lidhje me këtë histori. Distanca e përshkuar dyshohet se ka qenë 6000 dhe jo 9.650 km, teksa marshimi zgjati 2 dhe jo 1 vit. Edhe roli i Maos në Marshimin e Gjatë, është raportuar shpesh në mënyrë të pasaktë. Ai ka pohuar se ka ecur në këmbë gjatë gjithë kohës.

Por fakt është se ai ka udhëtuar mbi kuaj. Ndërsa trupat e tij pësuan humbje të mëdha, asnjë anëtar i nivelit të lartë i PKK nuk u vra apo u plagos rëndë. Qeveria kineze ka urdhëruar realizimin e qindrave filma dhe dokumentarëve me frymë nacionaliste, rreth kësaj ngjarje.
Sot është e vështirë të ndash faktet nga trillimet. Deri në vitin 2008, jetonin ende rreth 500 veteranë të Marshimit të Madh. Sot kanë mbetur vetëm disa. Ndër breza ata janë cilësuar si heronj. Por sot jo pak të rinj kinezë i konsiderojnë si kukulla të propagandës komuniste./Përshtatur nga CNA.al

KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Nga Pellumb KULLA/PËRSE NJËQINDEDYZET DHE JO VETËM DY?!

Publikuar

-

Nga

…Në parlamentin tonë zgjidhen e mblidhen të kuvëndojnë njëqindedyzet vetë, por atje veprohet sikur të jenë vetëm dy.
Është e drejtë që ndarjet e dallimet mes dy grupeve të jenë, por jo edhe aq sa të na lindë ideja të jenë vetëm dy! I thonë Kuvënd, dreqi ta hajë! Kuvënd dhe kuvëndim janë fjalë të bukura shqipe! Por nuk shikon aty ndonjërin nga deputetët, që të zerë foltoren e të thotë: zotërinj, unë i përkas palës tjetër, por jam plotësisht dakord me projektin që paraqitët ju! Për këto dhe këto arsye, unë do të votoj me ju!… Nuk është bërë kot lufta që të hiqet votimi i fshehtë, në mënyrë që ata të DY t’i kenë në zotërim vathat e tyre. Ata të DY janë perënditë.


Ata DY vendosin se kush do të punësohet në kuvënd. Janë ditë vendimtare dhe ndihet mirë zhurmërimi kur hartohen listat e deputetëve, se ka pjesë të listës që janë fare të sigurta, ka pjesë gjoja të sigurta dhe të pasigurta fare. Shqetësimi i pjesës më të madhe të të dy krahëve të parlamentit, sidomos i atyre që nuk e zunë foltoren asnjëherë, dhe atyre që nuk i njeh as gjitoni, është maksimal. Do të jemi në listë? Do të na rreshtojnë afër kreut të listës këta DY kryetarët tanë, apo jo? Dhe listat, sikurse herën që shkon, parapëlqim të parë kanë besnikërinë ndaj kryetarëve, gatitushmërinë dhe pastaj vlerat individuale dhe në fund fare popullaritetin krahinor.


Është çështje punësimi, vëllezër. Një punë fare e lehtë, kartonangritës!


Kartoni peshon a s’peshon 4-5 gram – asgjë fare, pavarësisht nga ngjyra e verdhë apo e kuqe! Pastaj vetëm njërin karton do të ngresh, nuk do këputësh mish, de! Dhe atë, veç katër, e shumta, pesë herë në muaj do ta bësh! Ama është një punë që paguhet mirë, përveç njëmijë leverdive të tjera që sjell pas vetes.


Dhe atëhere më piqet mendimi dhe dua t’u drejtohem tërë atyre punëtorëve të shëndetësisë, të artit dhe të sportit që bënë atë peticionin e fundit dhe t’i ftoj të bëjmë një peticion tjetër. Aty le të propozojmë që, në vend të njëqindedyzet deputetëve, të venë atje në mejdan vetëm DY. Mirë, hajde, se DY janë pak: le të jenë katërmbëdhjetë! Kështu edhe llogaritjet e tre të pestave edhe takimet për marrëveshje janë më të kollajta edhe buxheti lehtësohet, sidomos tani në kohën e krizave. Njëqindedyzet janë nevojtarët por ne nuk kemi nevojë për njëqindedyzet!

 

LEXO TE PLOTE

Blog

MACRON, lider i Evropës apo mbrojtës i interesave tradicionale franceze?

Publikuar

-

Nga

Ku dëshiron ta çojë BE dhe NATO-n me prishjen e statuskuosë aktuale Presidenti francez Macron? Veprimet e fundit të tij janë në kontradiktë me qëndrimet e mëparshme franceze ndaj Evropës, shkruan Auron Dodi.

Gjermania iu përgjigj këtë javë zyrtarisht pikëpyetjes franceze për të ardhmen e NATO-s. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas deklaroi në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s se NATO-ja duhet të zhvillohet, në pikëpamje konceptuale dhe politikisht, me “qeliza politike të gjalla”. Gjermania kërkon që NATO-ja të mos fiksohet vetëm në politikën e mbrojtjes, por të theksojë funksionin e saj politik. Për këtë ministri Maas propozoi ngritjen e një komisioni ekspertësh, të kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg: për të paraqitur propozime si politike, ashtu edhe për çështje transatlantike.

Ky propozim gjerman pranon atë që thonë francezët: se ka probleme në bashkëpunimin brenda NATO-s. Shkasin për kritikën e fundit me “fjalë drastike” ndaj NATO-s, Presidenti francez Macron e mori nga dy veprime të pakoordinuara me aleancën të dy anëtarëve të NATO-s: SHBA dhe Turqisë. Presidenti Trump i tërhoqi trupat nga Siria dhe Presidenti turk Erdogan marshoi në Siri pa u konsultuar me Aleancën. NATO-ja është e vdekur klinikisht dhe nuk dihet nëse funksionon klauzola e mbrojtjes reciproke ndaj një shteti anëtar, deklaroi në këtë kuadër Presidenti Macron në intervistën, tashmë të famshme, me gazetën britanike “Economist”.

Reformim, por jo pikëpyetje NATO-s

Funksionin e prishjes së statuskuosë, apo “disruptiv” siç cilësohet në Evropë stili i ri i Macronit, intervista me britanikët e arriti. Gjermania përpiqet tani me propozimin e saj ta fusë debatin në linja konstruktive, në mënyrë që besimi ndaj NATO-s të mos tronditet në themel. Gjermania kërkon reformim të NATO-s, nuk pranon ta vërë në diskutim atë. NATO-s si aleancë ushtarake nuk i vihet pikëpyetje, edhe nëse Macroni ka të drejtë në 95% të atyre që thotë, deklaroi edhe ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn. Ne shtrojmë pyetjen a mund të mbështetemi vërtet në një aleat si Franca, që gjithsesi investon pak për Aleancën, ishte reagimi i zemëruar që erdhi nga Varshava. Përballë kësaj, sekretarja franceze e shtetit për Evropën, Amélie de Montchalin argumenton se Macroni i shtroi qëllimisht tani pyetjet e tij: në prag të kremtimit pas dy javësh të 70 vjetorit të Aleancës dhe para fillimit të punës së Komisionit të ri Evropian.

Aftësia e Macronit për t’u vënë gjërave emrin që kanë dhe guximi i tij ka simpatizantë edhe në Gjermani. Por ajo që çudit me veprimet e Macronit këtë vit është se mjaft vetëve ai u kujton rolin që luanin në BE deri tani britanikët e parehatshëm: ata kundërshtonin (shpesh me sukses) përpjekjet për politika të përbashkëta evropiane, p.sh. në mbrojtje, të cilat do të lejonin thellimin e unifikimit në BE. Kjo në një kohë kur deklaratat e Macronit janë të kundërta me veprimet e tij bllokuese këtë vit: ai ka këmbëngulur për thellimin e BE, në mbrojtje, në fushën e sigurisë dhe me bashkimin bankar.

Veprimet e Macronit janë kontradiktore. Ai flet për forcimin e BE, por veprimet e tij dobësojnë pozicionin evropian duke bllokuar hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë.

Macroni kërkon një ushtri të fortë evropiane, por ushtarakisht nuk e forcon kontributin evropian në NATO: Franca nuk pranon p.sh. të drejtojë batalione të përbashkëta të NATO-s në Estoni. Ai kërkon autonomi ushtarake nga SHBA. Por pa SHBA, ushtritë e dobësuara evropiane nuk e mbrojnë dot kontinentin. A është Franca në fakt më e interesuar që të marrë rolin e superfuqisë ushtarake në një Evropë të dobësuar? A po sheh fuqi të tjera, si p.sh. Rusinë në këtë rol? Dhe cilat janë me të vërtetë synimet e Macronit?

Kufizimi i fuqisë politike të Gjermanisë – motiv frymëzues për Macronin?

Te shumë vëzhgues po forcohet përshtypja se motiv frymëzues për Macronin është bërë dëshira për të kufizuar fuqinë politike të Gjermanisë në Evropë. Kjo ka qenë traditë e politikës franceze, veçanërisht deri në ribashkimin e Gjermanisë. Veprimi i fundit bllokues i Presidentit francez, vetoja për fillimin e negociatave për anëtarësim të BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut shihet si një hap tjetër në këtë drejtim. “Nëqoftëse se Gjermania do të zgjerojë sferën e saj të influencës, nuk mund ta bëjë këtë falas”, i tha një politolog francez së përditshmes Le Monde. Ai nuk përmendi përpjekjen e Francës për të rigjallëruar marrëdhëniet me Serbinë, gjë që u duk në vizitën në korrik në Beograd të Presidentit Macron. Dhe bllokimin nga Franca të liberalizimit të vizave të BE me Kosovën. A do t’u kushtohet Franca në të ardhmen kryesisht lidhjeve të saj tradicionale? Fakt është se Franca nuk sheh përfitim nga zgjerimi i BE në vendet e Evropës lindore dhe jugore. Ky zgjerim ka theksuar rolin qendror të Gjermanisë në BE.

Në shkurt të këtij viti papritur Franca e shpalli veten kundërshtare të tubacionit të furnizimit me gaz nga Rusia, Nordstream 2. Kundërshtimi i Francës ndaj këtij tubacioni, me të cilin Gjermania do të furnizohet me gaz rus e forcoi qëndrimin kritik për këtë projekt të Komisionit Evropian. Kompromisi u arrit me shumë vështirësi.

Mungesa e re e vullnetit nga Parisi për t’u koordinuar me Berlinin për Evropën, shkakton habi në Berlin. Ministri i Jashtëm gjerman, Maas kërkoi në kuadër të takimit të NATO-s që të dyja vendet të dakordohen “për premisat strategjike – në mënyrë që të mos shkaktohet dëm” i rëndë. Në kuadër të takimit të Partisë Popullore Evropiane në Zagreb, kancelarja Merkel tha se BE do të bisedojë me hollësi me Macronin, edhe për zgjerimin e BE.

Kjo në një kohë kur revista gjermane “Der Spiegel” shkruan këto ditë se kur punonjësit e Kancelarisë Federale pyesin në Paris homologët se pse Franca nuk po i koordinon qëndrimet me Gjermaninë, përgjigjja që vjen nga bashkëpunëtorët është se ata kanë vetëm ndikim të kufizuar te Presidenti i tyre. Kjo të kujton marrëdhëniet e Trumpit me bashkëpunëtorët. Prandaj një analist flet për një lloj “trampizmi intelektual” që vjen për momentin nga Parisi.

Afrimi francez me Rusinë dhe rezervat evropiane

Linja tjetër e re e politikës së jashtme franceze, afrimi me Rusinë, flet për këmbënguljen franceze për të ndjekur në BE një politikë të jashtme të ndryshme nga ajo e frymëzuar prej Gjermanisë. Fillimisht me këmbënguljen e Macronit, Rusia fitoi së fundi të drejtën e votës në Këshillin e Evropës në Strasburg. Pas kësaj, pa u konsultuar me gjermanët, Macroni dërgoi në Moskë ministrat e tij të jashtëm dhe atë të mbrojtjes. Synimi i shpallur: për të nisur bashkëpunim të ri sigurie (të BE!) me Rusinë.

Argumenti i Macronit është që Rusia ndodhet në Evropë dhe Evropa nuk ka interes ta lërë Rusinë të thellohet në afrimin e nisur me Kinën. Për këtë, thotë Macroni, duhet rimenduar me vetëkritikë politika evropiane ndaj Rusisë, nisur nga ngjarjet rreth Ukrainës.

Parimisht edhe Gjermania nuk është e mbyllur ndaj gjetjes së rrugëve për shtensionim marrëdhëniesh me Rusinë. Por këtë e pengon fakti se nuk ka ndryshim në politikën ruse, sidomos ndaj Ukrainës, pas aneksimit të Krimesë. Kështu që heqja e sanksioneve të BE ndaj Rusisë për momentin nuk vjen në diskutim. Këtë hap e kundërshton jo vetëm Gjermania, por në radhë të parë shtetet lindore të BE. Vlerësimi demonstrativ që Macroni dhe kryeministri hungarez Viktor Orban (gjithashtu ithtar i afrimit me Rusinë) i bëjnë së fundi njëri-tjetrit, nuk ndikon aspak për ta afruar Macronin me shtetet e tjera lindore.

Macroni është i vetmuar, konstatonte javët e fundit një analist i New York Times. Me padurimin e tij, ai ka lënduar jo vetëm lindorët, por edhe Gjermaninë.

LEXO TE PLOTE

Blog

Çfarë është një oligark?

Publikuar

-

Nga

Nga Joel Samuels “The Conversation”

* Teksa kanë nisur dëgjimore mbi shkarkimin e presidentin amerikaneDonald Trump, disa diplomatë dhe ambasadorë amerikanë, kanë dëshmuar në lidhje me ndikimin e oligarkëve në administratën Trump. Unë jam një studiues i së drejtës ndërkombëtare, që ka punuar që nga fillimi i viteve 1990 në hapësirën sovjetike dhe post-sovjetike.

Ndërsa seancat dëgjimore në Uashington, marrin vëmendjen kryesore, besoj se është e rëndësishme ta kuptoni se çfarë janë oligarkët, dhe çfarë pushteti kanë ata. Ky term u krijua mbi 2.300 vjet më parë nga Aristoteli, që vëzhgonte me kujdes format e qeverisjes shtetërore.

Ashtu si aristokracia, edhe oligarkia nënkuptonte sundimin nga një pakicë, në kontrast me demokracinë, që është qeverisja e popullit.

Që nga koha e Aristotelit dhe deri në fillim të viteve 1990, koncepti i një oligarkie – dhe oligarkëve – mbeti kryesisht një temë e studimeve akademike. Por me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, u shfaq një grup i ri oligarkësh. Në fillim të viteve 1990, këta burra hanin ushqimet më të shtrenjta në hotelet më të reja, dhe ndërtuan shtëpi të mëdha luksoze në periferi të Moskës.

Ata ishin kryesisht lojtarët e rinj në sektorin financiar, që financuan presidentin e parë të Rusisë post-sovjetike, Boris Jelcin. Këta oligarkë, nuk ishin zyrtarisht pjesë e qeverisë ruse. Ata ishin individë private, që përfituan nga lidhjet me qeverinë, për të grumbulluar pasuri të mëdha në periudha të shkurtra.

Ky pasurim, erdhi nga privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore, një proces i zhvilluar dhe i nxitur nga ekspertët amerikanë, dhe ata evropiano-perëndimorë. Unë kam studiuar rolin e krimit të organizuar në Rusi në fillim të viteve 1990, dhe kam parë si është transferuar pasuria nga shteti në duart e një grupi të vogël individësh, ku që të gjithë ata kishin lidhje me udhëheqësit e Rusisë.

Duke kontrolluar industritë kryesore – nga nafta dhe gazi natyror, tek çeliku, nikeli dhe industri e tjera kryesore- oligarkët rusë ndikuan gati në të gjitha aspektet e jetës së përditshme.

Me kalimin e kohës, ata e zgjeruan veprimtarinë e tyre në fusha të tjera, si në media apo sport.

Por në thelb, oligarkët e vunë pasurinë e tyre të madhe nga industritë, dhe e përdorën hapur dhe pa u ndëshkuar fuqinë e tyre. Gjatë 20 viteve të fundit, numri i oligarkëve në Rusi është rritur, por baza e fuqisë së tyre mbetet e njëjtë:marrëdhënia e ngushtë me presidentin Putin, sjell përfitime financiare personale.

Sikurse u shpreh vetë Putin për gazetën londineze “Financial Times” në fillim të këtij viti:”Oligarkët janë ata që e përdorin afërsinë e tyre me autoritetet, për të patur super fitime”.

Pra Putin vetë, na dha një përkufizim alternativ të oligarkut modern.

Dhe ashtu si Jelcin, Putini ka qenë përgjegjës për ngritjen – dhe në risa raste edhe rënien – e oligarkëve modernë të Rusisë. Por oligarkë, nuk ka vetëm në Rusi. Dhe kjo është arsyeja, pse ne e kemi dëgjuar kaq shpesh këtë term gjatë muajve të fundit. Në Ukrainë, zgjedhjet presidenciale të pranverës së këtij viti, çuan në ngjitjen mbresëlënëse në pushtet të aktorit komik Volodimir Zelenski.

Këto zgjedhje ishin si një referendum kundër oligarkëve të Ukrainës. Unë isha në Ukrainë gjatë raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale të këtij viti, dhe të gjithë ukrainasit me të cilët bisedova më thanë të njëjtën gjë për Zelenskin:Askush nuk e dinte kush ishte, por kjo nuk kishte aspak rëndësi.

Kjo pasi personi që qëndron pas tij, më thanë ata, ishte Igor Kolomoiski, pasuria e të cilit ishte kërcënuar nga Petro Poroshenko, presidenti i atëhershëm i Ukrainës, që po rikandidonte për një mandat tjetër. Në sytë e ukrainasve, Kolomoiski kishte nevojë që një kandidat tjetër, të nxirrte jashtë loje Poroshenkon.

Dhe ai e gjeti njeriun e tij tek Zelenski. Ky nuk ishte vetëm një aktor, para se të hynte befas në politikë për të kandiduar për president. Ai ishte një aktor, që punonte në një televizion që zotërohet nga Kolomoiski. Pra, teksa dëgjojmë të flitet për oligarkët dhe politikën e Ukrainës, është e rëndësishme të mos harrohet, se ndërsa këta individë super të pasur nuk janë zyrtarisht pjesë e qeverisë, siç mund të kishte parashikuar Aristoteli, ata kanë shumë ndikim në interesat ekonomike, mediatike dhe politike të vendit.

Shënim:Joel Samuels, është profesor i jurisprudencës në Universitetin e Karolinës së Jugut, SHBA./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE