Connect with Us

Demokratët sulmojnë presidentin Trump dhe njëri-tjetrin në debat

Bota

Demokratët sulmojnë presidentin Trump dhe njëri-tjetrin në debat

Publikuar

-

12 kandidatët demokratë për president morën pjesë në një debat shpesh të ndezur të martën në Ohajo. Ata shpesh sulmuan presidentin Donald Trump, por nuk hezituan të kritikonin ashpër edhe njëri-tjetrin për çështje si kujdesi shëndetësor, pabarazia ekonomike, dhe tërheqja e forcave amerikane nga Siria. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone sjell më shumë hollësi nga Uashingtoni:

Në qendër të debatit të së martës ishte hetimi për procesin e shkarkimit të Presidentit Trump dhe përpjekjet e tij për të bindur Ukrainën të hetonte demokratin, Joe Biden.

Zoti Biden e kishte përgjigjen gati.

“Rudy Giuliani, presidenti dhe banditët e tij e kanë provuar tashmë se po gënjejnë hapur. Tani duhet të përqendrohemi tek Donald Trumpi. Ai nuk do që të jem unë kandidati. Ai po më sulmon sepse e di që nëse marr emërimin, do ta mund pa diskutim”.

Të 12 kandidatët në debat e mbështesin procesin e shkarkimit, përfshirë senatoren nga Massachusetts, Elizabeth Warren që tani ka pothuajse të njëjtën mbështetje si zoti Biden në anketa.

“Përmes procesit të shkarkimit, ne do të garantonim që ky njeri të mos shkelte ligjin vazhdimisht dhe pa pasoja”, tha ajo.

Debati shënoi edhe kthimin e senatorit, Bernie Sanders në fushatë pas goditjes në zemër. Ai paralajmëroi për çështjen e procesit të shkarkimit.

“Po mendoj se do të ishte një katastrofë nëse populli amerikan beson se ne vetëm po merremi me Trumpin dhe po lëmë në harresë 87 milionë amerikanët pa sigurime ose me sigurime të pamjaftueshme”, tha ai.

Senatori nga New Jersey, Cory Booker shprehu shqetësimin se votuesit mund ta shohin si shumë partiak, përpjekjen e procesit të shkarkimit.

“E kuptoj indinjatën që e ndjejmë të gjithë, por duhet ta kryejmë këtë proces në mënyrë të tillë që e bashkon vendin dhe jo që ta përçajë”, tha ai.

Në debat pati këmbime të forta për kujdesin shëndetësor, kontrollin e armëve dhe tërheqjen e befasishme të trupave amerikane nga Siria nga ana e Presidentit Trump.

Vendimi u kritikua ashpër nga kandidati, Pete Buttigieg.

“Masakra në Siri, nuk është pasojë e pranisë amerikane. Është pasojë e tërheqjes dhe tradhtia e këtij presidenti ndaj aleatëve amerikanë dhe vlerave amerikane”.

Edhe senatorja nga Minnesota, Amy Klobuchar e kritikoi vendimin e presidentit.

“Do doja të më shpjegonte se si bëhet Amerika më madhështore duke lejuar masakrimin e kurdëve, të aleatëve tanë, dhe kur Rusia hyn për t’i mbrojtur ata. Dhe do doja të më sqaronte sesi afrimi me Vladimir Putinin e bën Amerikën më madhështore. E bën Rusinë madhështore”.

Debati i ardhshëm i demokratëve mbahet më 20 nëntor në Xhorxha./VOA

KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Bota

Kongresi i CDU: Ditë të vështira për kryetaren e partisë

Publikuar

-

Nga

Të premten filloi kongresi i CDU-së. Pas një viti si kryetare e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer, pasardhësja e Merkelit lufton me vlera të ulta në sondazhe e duket se është larg zgjedhjes si kandidate për kancelare.

Plani i saj ishte i ambicionuar: Annegret Kramp-Karrenbauer donte t’i jepte fund grindjes brenda CDU për orientimin e partisë konservatore, donte ta rigjallëronte atë dhe të dilte në krye për garën e ardhshme si kancelare. AKK veproi me metodën e saj, ajo vizitoi degët e partisë fillimisht, u përpoq të ndiqte një rrugë ndryshe nga Angela Merkel, duke mos u bërë pjesë e qeverisë që në fillim. Ajo donte të forconte profilin si kryetare e CDU-së.

Plani i parealizuar

Por shpejt u bë e qartë: ky plan nuk do të dilte ashtu si ishte menduar. Si kryetare e partisë, ajo është kandidatja e natyrshme për kancelare e Unionit, por vlerat në sondazhe ndërkohë janë gjysmuar. Ndër 10 politikanët më të rëndësishëm në Gjermani, AKK zë vendin e fundit. Tani janë rritur zërat, nëse kjo politikane është e përshtatshme si kandidate për kancelare. AKK ka përvojë qeverisëse, megjithëse në një land të vogël, Saar. Si ministre e Brendshme e më pas kryeministre e landit, ajo pati kaq sukses, saqë Merkel e mori atë në Berlin. “Por ajo nuk ia ka dalë si kryetare partie të vendosë piketat e saj, në mënyrë të tillë që partia të jetë e bashkuar pas saj dhe që kritikët të ulin zërin”, thotë politologu nga Bonni, Frank Decker.

Vlera të ulta në sondazhe

Problemi e ka një origjinë. E favorizuara e Angela Merkelit ajo bëri që në fillim disa gabime. Megjithëse njihej për komunikim të mirë, si kryetare e partisë ajo linte përshtypjen se nuk ishte e rafinuar sa duhet, dhe nganjëherë si e paralizuar. Pak para zgjedhjeve europiane, kur një Youtuber i njohur gjerman postoi një video, ku e deklaroi CDU-në si një parti që nuk duhet votuar, partia kërkonte me nxitim përgjigje adekuate e në fund nuk gjeti asnjë. Mënyra si u veprua me Youtuberin Rezo e dëmtoi CDU-në dhe AKK njësoj, duke lënë imazhin e një partie të mbuluar nga pluhuri i vjetërsisë dhe jo e orientuar drejt së ardhmes.

Po kaq keq ajo e menaxhoi propozimin e saj për ngritjen e një të ashtuquajture zone të sigurisë në kufirin sirian. Në intervistë me Deutsche Wellen, Kramp-Karrenbauer kërkoi këtë zonë sigurie, pa e biseduar më parë idenë në kabinetin qeveritar. Politologu Frank Decker thotë se, AKK “me sa duket nuk këshillohet mirë”. Ndoshta prandaj edhe u bënë tani ndryshime personeli në ekipin e saj.

Besueshmëria ka rënë

Por për AKK nuk është kthyer në problem vetëm komunikimi. Por edhe heqja dorë në fillim nga përgjegjësia qeverisëse. Si kryetare e partisë pa post ministror, ajo shihej brenda e jashtë Gjermanisë si peshë e lehtë. Pas një gjysmë viti, ajo u desh ta korrigjojë këtë dhe kur Ursula von der Leyen kaloi në Bruksel si presidente e ardhshme e Komisionit Europian, AKK mori postin e ministres së Mbrojtjes.

LEXO EDHE:  Frymëzohet nga Franca/ Trump kërkon paradë ushtarake madhështore

“Ky ishte një operacion në nevojë që i kushtoi asaj besueshmëri”, thotë Decker. Sepse është gjithmonë problematike, kur bën pohime, të cilat nuk i mban. “Opinioni publik e sheh këtë si shenjë dobësie”, thotë Decker. Kështu u krijua përshtypja, se AKK nuk ia del dot si kryetare e partisë të vendosë për vete çështjen e drejtimit.

Kandidate për kancelare?

Dobësia e AKK është transmentuar tek partia. CDU arriti vlera shumë të dobta në zgjedhjet e landeve në Lindjen gjermane dhe në sondazhet federale arrin vetëm 26 deri në 27% të vlerave. “Kundër vlera të sondazheve nuk bën dot asgjë”, thotë Decker. Nëse vlerat mbeten kaq të dobta, ka rrezik që brenda partisë të ketë një lloj rebelimi, mendon politologu. Për këtë arsye do sqaruar edhe çështja e kandidatit për kancelar në muajt e ardhshëm.

Annegret Kramp-Karrenbauer si ministre e Mbrojtjes

Por në kongresin e partisë që zhvillohet në Lajpcig (22-23.11.) kjo çështje nuk ka për t’u tematizuar. Për shkak të kritikës së vazhdueshme, AKK i sfidoi konkurrentët e saj e para. “Kush do të shtrojë pyetjen e drejtimit, e ka këtë mundësi në kongresin e partisë”, tha ajo. Tani para kongresit të partisë konkurrentët tregojnë solidaritet. Friedrich Merz, një nga më kritikët e Merkelit brenda CDU (shën.red.) dhe që së fundmi e quajti performancën e qeverisë gjermane si “tmerrësisht të dobët”, kishte paralajmëruar një fjalim programatik në Lajpcig, tani duket se shkelur frenat.

Pra nuk pritet ndonjë revolucion në kongresin e CDU-së. Por për çështje të caktuara, AKK mund të kritikohet. Në Lajpcig diskutohen shumë tema me potencial konflikti: pensioni bazë, kuorumi për gruan dhe angazhimi i mundshëm i koncernit Huawei në rrjetin mobil 5G në Gjermani.  Po ashtu anëtarët do të vendosin, nëse për kandidatin për kancelar duhet të vendosin anëtarët e partisë.

AKK duhet të jetë bindëse në Lajpcig. Nëse ajo ia del të arrijë vlera më të mira në sondazhe, atëherë vitin e ardhshëm, mund të zgjidhet kandidate për kancelare e Unionit. Ndryshe mbetet vetëm një shans, thotë Frank Decker, se si ta mbijetojë CDU-ja dëmin e madh si parti popullore, “metoda Merkel”. Me këtë politologu ka parasysh, që AKK t’ia lerë dikujt tjetër pozicionin e kandidatit për kancelar. Edhe Angela Merkel në vitin 2002, hoqi dorë nga kandidatura në favor të Edmund Stoiberit, (CSU). Kjo nuk e dëmtoi. “Më e keqja për CDU do të ishte lufta e hapur për pushtet”, thotë Decker. Për ta ndalur këtë duhet bërë shumë, sepse tek CDU-ja nuk mungojnë kandidatët që presin ta marrin këtë detyrë.

LEXO TE PLOTE

Bota

Zjarr i madh në hotelin e njohur/ Flakët “përpijnë” gjithë ndërtesën

Publikuar

-

Nga

Një zjarr i madh ka shpërthyer në Hotelin Claremont në qytetin lindor të Anglisë, Sussex pak para orës 9 të mëngjesit të sotëm

Zjarrfikësit po luftojnë me flakët e mëdha që kanë përshkuar ndërtesën nga bodrumi deri tek çatia.
Tymi i zi i shkaktuar nga zjarri mund të shihet qartë në të gjithë qytetin.

Një zëdhënës i Këshillit të Eastbourne Borough tha: Vizitorët që ishin duke qëndruar në Hotelin Claremont po çohen në Sallën e Asamblesë dhe Sallën e Gjykatës që janë hapur në Townbourne Town Hall, ku janë vën në dispozicion pije freskuese.

LEXO EDHE:  Fitorja e Trump/ Zi në PS, feston vetëm Tahiri

Shërbimi i zjarrfikësve njofton se të gjithë njerëzit ishin evakuuar nga ndërtesa para se flakët e zjarritë të përhapeshin./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Bota

Republikanët nuk duan të zemërojnë Donald Trumpin

Publikuar

-

Nga

Vazhdojnë seancat publike në hetimet për procedurën e mundshme të largimit nga posti të presidentit Trump. Po çfarë qëndrimi mbajnë republikanët, a do të ketë një procedurë e tillë pasoja për rizgjedhjen e Donald Trump?

Edhe ai që që nuk është i interesuar shume për politikën, nuk i shpëton dot këto ditë seancave dëgjimore publike në Uashington. Në të gjitha mediat deklaratat e fundit aty janë lajmi i parë, në faqet e gazetave ato zënë vendet e para, dhe dominojnë debatin në median sociale. Në qendër të kësaj stuhie ndodhet Donald Trump, dhe pyetja, nëse sjellja e presidentit Trump në krizën e Ukrainës e justifikon largimin nga posti.

Nuk është e lehtë këto kohë për simpatizantët e Trumpit dhe anëtarët e partisë së tij republikane. Por der tani nuk ka dezertuar asnjë deputet republikan, kërkesat e forta për largimin nga posti vijnë tërësisht nga demokratët. Po pse kështu?

Fillimisht duhet thënë, se SHBA aktualisht janë një vend tejet i përçarë. Hendeku mes demokratëve dhe republikanëve është kaq i thellë, e secila palë i mbetet besnike anës së saj dhe ndërrimi i krahut është shumë i pazakontë, sidomos në një çështje të tillë si “impeachment”, procedura për largimin nga posti. Por pas besnikërisë absolute fshihet më shumë.

Adam Chiff, kreu i komisionit hetimor

Frikë për të ardhmen politike

Një pikë e rëndësishme: “Ata nuk duan ta zemërojnë Trumpin, sepse kanë frikë, që kjo mund të ketë pasoja negative për të ardhmen e tyre politike, elektorati republikan është në masë të madhe kundër procedurës për largimin nga posti”, thotë Sheri Berman politologe në institutin e njohur studimor, Barnard College në Nju Jork. “E shqetësimit për fatin personal i shtohen edhe zgjedhjet e ardhshme presidenciale. [Deputetët republikanë] duan që presidenca të mbetet në dorën republikane dhe kanë frikë, se çdo kritikë i dobëson shanset për rizgjedhjen e tij.”

Vërtet shumë votues republikanë nuk duket se kanë ndërruar mendim për Donald Trumpin pas hetimeve  aktuale. Në një sondazh të radios publike, NPR, 83% e votuesve republikanë, thanë, se pas deklaratave të deritanishme në seancat publike, ata do ta mbështesin edhe më pak një procedurë për largimin nga posti. “Elektorati tradicional e mbështet Trumpin, pavarësisht se ç’ndodh”, thotë Monika McDermott, studiuese e shkencave politike në Universitetin Fordham në Nju Jork. “Ata besojnë, se sjellja e Trumpit nuk është e duhura, por nuk mendojnë, se është aq e rëndë, sa të justifikojë largimin nga posti.”

LEXO EDHE:  Mashtrimi me taksat/ Trump e ka punën pisk

Kritikë për procedurën, jo për presidentin

Në seancat dëgjimore deputetët republikanë i minimizojnë të gjitha. Nëse një ish-mbshtetës i Trumpit si Gordon Sondland flet negativisht për presidentin, atëherë kjo është një goditje e fortë për republikanët. Por ata përqëndrohen aty, ku Sondland nuk kujtohet dot për shumë gjëra, apo që kërkesat e kontestueshme erdhën nga avokati Rudy Giuliani dhe jo nga vetë Trump. Seancat publike janë një cirk i organizuar nga demokratët, ku trajtohet keq presidenti i tyre, e theksojnë rregullisht republikanët. “Ata shpenzojnë më shumë kohë të kritikojnë procedurën hetimore në vetvete dhe nuk kanë thënë, se e shohin si të drejtë sjelljen e Trumpit” thotë McDermott për DW. “Këtë ata e injorojnë.”

Ambsadori amerikan në BE, Sondland përgjigjet para komisionit

Kundër kritikës ndihmon balsami i twitterit

Po vetë presidenti? Ai hedh baltë mbi seancat dëgjimore, si kurrë më parë. Berman thotë, se ai sillet me [deputetët republikanë] si trajneri i një ekipi futbolli për të rinjtë.” “Ekipi i tij duhet të sulmojë ku të jetë e mundur.”

Mesazhi i pashprehur i twitter-it të Trumpit është i qartë ndërkohë: kush del kundër presidentit, duhet të llogarisë me atë që të sulmohet prej tij, dhe të turpërohet para 67 milionë ndjekësve. Kritika në këtë rast do menduar mirë. Ajo që tingëllon për disa e huaj, është përditshmëri në Uashington, e nuk ka për të ndryshuar kaq shpejt. Deri më tani Donald Trump ia ka dalë mbanë me këtë sjellje në twitter. Edhe gjatë procedurës hetimore Donald Trump ka mbetur “vetja dhe duket se kjo i mjafton përkrahësve të tij”, thotë McDermott. “Kaq ka mjaftuar që të zgjidhet dhe siç duket, ka për të mjaftuar për t’u zgjedhur edhe njëherë.”/ DW

LEXO TE PLOTE