Connect with Us

Ballkani Perëndimor është “oborri” i Evropës, ndaj s’duhet vonuar zgjerimi i BE

Blog

Ballkani Perëndimor është “oborri” i Evropës, ndaj s’duhet vonuar zgjerimi i BE

Publikuar

-

Nga Valbona Zeneli & Zoran Nechev “The Globalist”

* Nga një Ballkan i paqëndrueshëm, nuk përfiton askush në Evropë. Historia e ka treguar këtë më shumë sesa një herë. Kjo është arsyeja, përse termi “integrim euro-atlantik” për të përshkruar të ardhmen e rajonit, duhet të jetë më shumë se sa thjeshte një retorikë e përshtatshme.

Ai duhet të jetë mekanizmi kryesor për nxitjen e sigurisë, stabilitetit dhe demokracisë në “oborrin” e përparmë të Evropës. S’ka dyshim se procesi i “evropianizimit” të këtij rajoni të trazuar, kërkon reforma të dhimbshme strukturore nga ana e vendeve në Ballkanin Perëndimor.

“Karrota” e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, është përdorur për t’i motivuar elitat politike që të nxisin transformime në vendet e tyre. Në ditët e ardhshme, Këshilli Evropian do të marrë një vendim të rëndësishëm mbi të ardhmen e integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.

Hapja e negociatave të anëtarësimit, do të injektonte patjetër siguri dhe parashikueshmëri në rajon. Ndërsa është e rëndësishme që të shpërblehen këto vende, për përpjekjet e bëra deri më tani, është po aq thelbësore që të çelen negociatat me to, për t’i hapur rrugën reformave të ardhshme nën kujdesin dhe kushtëzimin e Brukselit.

Kostoja e integrimit të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane dhe në sistemin e saj të vlerave, është shumë më e ulët, sesa lënia e tyre në pritje. Drejtimi që do të marrë Ballkani Perëndimor në të ardhmen, do varet si nga vizioni gjeopolitik i BE-së, ashtu edhe nga vullneti politik i vendeve të rajonit, për të ndërmarrë reforma demokratike serioze.

Përsa i përket këtyre të fundit, është koha që këto vende të tregojnë seriozisht se kanë ndërmend të ruajnë kursin e tyre drejt Perëndimit, duke “ecur realisht, dhe jo vetëm duke negociuar”. BE-ja ka qenë përherë, dhe do të mbetet e angazhuar në Ballkan. Ajo është deri tani donatorja më e madhe, partnerja më e madh tregtare, dhe investitorja më e madh e drejtpërdrejtë e huaj në rajon.

Në shkurtin e vitit 2018, Komisioni Evropian, publikoi një strategji premtuese dhe të besueshme mbi Ballkanin Perëndimor, që përmbante 6 nisma prioritare. Pas shumë vitesh “lodhje nga zgjerimi” nga ana e unionit, u duk sikur strategjia i dha një shtysë optimizmit në rajon, që tashmë është zbehur nga “lodhja prej reformave”.

Megjithatë, entuziazmi fillestar u zbeh shumë shpejt. Në qershorin e vitit të kaluar, Këshilli Evropian shtyu sërsh procesin e hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndarjet e forta brenda BE-së për çështje si emigracioni, Brexit dhe të tjerat, e devijuan nivelin e vëmendjes së nevojshme politike ndaj çështjes së zgjerimit.

Bashkimi Evropian, përballet sot me një zgjedhje të qartë. Nëse do që të vërë në rrezik besueshmërinë e tij, duke mos i hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, do të zvogëlohej aftësia e BE-së për të vendosur kushte më të rrepta për një qeverisje të mirë.

Nga ana tjetër, kjo do të krijonte një boshllëk të madh të fuqive perëndimore në rajon. Dhe në këto kushte, vendet e rajonit do të fillojnë pashmangshëm të ç’orientohen, dhe të nisin të përpiqen të gjejnë një partner tjetër “strategjik”.

Lajmi i mirë, është se Presidentja e ardhshme e Komisionit Evropian, Ursula Von der Lejen, ka bërë tashmë me dije se komisioni i saj do të veprojë gjeopolitikisht, në një botë ku ka tashmë një garë mes fuqive të mëdha. Ndërhyrja agresive e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, është rritur vitet e fundit.

Synimi i Rusisë, është më së paku rritja e kostove të integrimit të rajonit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Moska po vepron kështu si një aktore destabilizuese, dhe është e prirur të shfrytëzojë dobësitë e brendshme politike dhe ekonomike të rajonit.

Edhe Kina po luan një rol gjithnjë e më të dukshëm në rajon. Ajo i sheh vendet e Ballkanit Perëndimor si të arritshme me shumë pak kosto. Me “paratë e tij të gatshme”, Pekini po përdor mënyrat e veta për të forcuar më tej kontrollin ekonomik dhe gjeopolitik të Evropës Juglindore.

Brukseli duhet të pyesë veten, se çfarë do të përfitojë në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë, nëse këto vende, si pasojë e rritjes së ndikimit kinez, bien në kurthin e borxheve, dhe ulin standardet e tyre mjedisore dhe ato të punës. Për më tepër, kjo do të nënkuptonte jo vetëm përjetësimin, por edhe përkeqësimin e dukurisë së korrupsionit tashmë të përhapur, dhe të mungesës së transparencës në rajon.

Ndjeshmëria ndaj aktivizmit në rritje diplomatik dhe ekonomik të Pekinit në rajon, nxitet edhe nga mosbesimi nëse BE-ja mund të ketë realisht një pozicion të përbashkët përkundrejt Ballkanit Perëndimor. Për më tepër, nuk duhet të anashkalohen as aleancat e mundshme mes Pekinit dhe Moskës për forcimin e ndikimit në rajon.

Bashkimi Evropian, ka mundësinë por edhe interesin e madh që të nxisë një periudhë pozitive afatgjatë në mbarë rajonin. Ky është momenti më i mire, që Brukseli të angazhohet për zgjerimin e unionit. Pasi sondazhet tregojnë një rritje të madhe të besimit dhe optimizmit tek më shumë se 61 për qind e qytetarëve evropianë përkundrejt BE-së, norma më e lartë që nga viti 2014.

Në këtë situatë, vendet anëtare të BE-së duhet të promovojnë njjë debat publik për zgjerimin e ardhshëm. Ato duhet ta vënë theksin tek rëndësia e vlerave, e rregullave të qarta dhe një qeverisjeje të mirë, si dhe të mbështesin zhvillimin e përgjithshëm në shtetet kandidate.

Së fundmi, nëse BE-ja nuk do të vijë në Ballkanin Perëndimor me mjetet dhe investimet e saj demokratike transformuese, për ta afruar rajonin me vlerat dhe institucionet e saj, atëherë qytetarët nga Ballkani do të vazhdojnë të emigrojnë drejt BE-së./ Përshtatur nga CNA.al

KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Nga Pellumb KULLA/PËRSE NJËQINDEDYZET DHE JO VETËM DY?!

Publikuar

-

Nga

…Në parlamentin tonë zgjidhen e mblidhen të kuvëndojnë njëqindedyzet vetë, por atje veprohet sikur të jenë vetëm dy.
Është e drejtë që ndarjet e dallimet mes dy grupeve të jenë, por jo edhe aq sa të na lindë ideja të jenë vetëm dy! I thonë Kuvënd, dreqi ta hajë! Kuvënd dhe kuvëndim janë fjalë të bukura shqipe! Por nuk shikon aty ndonjërin nga deputetët, që të zerë foltoren e të thotë: zotërinj, unë i përkas palës tjetër, por jam plotësisht dakord me projektin që paraqitët ju! Për këto dhe këto arsye, unë do të votoj me ju!… Nuk është bërë kot lufta që të hiqet votimi i fshehtë, në mënyrë që ata të DY t’i kenë në zotërim vathat e tyre. Ata të DY janë perënditë.


Ata DY vendosin se kush do të punësohet në kuvënd. Janë ditë vendimtare dhe ndihet mirë zhurmërimi kur hartohen listat e deputetëve, se ka pjesë të listës që janë fare të sigurta, ka pjesë gjoja të sigurta dhe të pasigurta fare. Shqetësimi i pjesës më të madhe të të dy krahëve të parlamentit, sidomos i atyre që nuk e zunë foltoren asnjëherë, dhe atyre që nuk i njeh as gjitoni, është maksimal. Do të jemi në listë? Do të na rreshtojnë afër kreut të listës këta DY kryetarët tanë, apo jo? Dhe listat, sikurse herën që shkon, parapëlqim të parë kanë besnikërinë ndaj kryetarëve, gatitushmërinë dhe pastaj vlerat individuale dhe në fund fare popullaritetin krahinor.


Është çështje punësimi, vëllezër. Një punë fare e lehtë, kartonangritës!


Kartoni peshon a s’peshon 4-5 gram – asgjë fare, pavarësisht nga ngjyra e verdhë apo e kuqe! Pastaj vetëm njërin karton do të ngresh, nuk do këputësh mish, de! Dhe atë, veç katër, e shumta, pesë herë në muaj do ta bësh! Ama është një punë që paguhet mirë, përveç njëmijë leverdive të tjera që sjell pas vetes.


Dhe atëhere më piqet mendimi dhe dua t’u drejtohem tërë atyre punëtorëve të shëndetësisë, të artit dhe të sportit që bënë atë peticionin e fundit dhe t’i ftoj të bëjmë një peticion tjetër. Aty le të propozojmë që, në vend të njëqindedyzet deputetëve, të venë atje në mejdan vetëm DY. Mirë, hajde, se DY janë pak: le të jenë katërmbëdhjetë! Kështu edhe llogaritjet e tre të pestave edhe takimet për marrëveshje janë më të kollajta edhe buxheti lehtësohet, sidomos tani në kohën e krizave. Njëqindedyzet janë nevojtarët por ne nuk kemi nevojë për njëqindedyzet!

 

LEXO TE PLOTE

Blog

MACRON, lider i Evropës apo mbrojtës i interesave tradicionale franceze?

Publikuar

-

Nga

Ku dëshiron ta çojë BE dhe NATO-n me prishjen e statuskuosë aktuale Presidenti francez Macron? Veprimet e fundit të tij janë në kontradiktë me qëndrimet e mëparshme franceze ndaj Evropës, shkruan Auron Dodi.

Gjermania iu përgjigj këtë javë zyrtarisht pikëpyetjes franceze për të ardhmen e NATO-s. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas deklaroi në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s se NATO-ja duhet të zhvillohet, në pikëpamje konceptuale dhe politikisht, me “qeliza politike të gjalla”. Gjermania kërkon që NATO-ja të mos fiksohet vetëm në politikën e mbrojtjes, por të theksojë funksionin e saj politik. Për këtë ministri Maas propozoi ngritjen e një komisioni ekspertësh, të kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg: për të paraqitur propozime si politike, ashtu edhe për çështje transatlantike.

Ky propozim gjerman pranon atë që thonë francezët: se ka probleme në bashkëpunimin brenda NATO-s. Shkasin për kritikën e fundit me “fjalë drastike” ndaj NATO-s, Presidenti francez Macron e mori nga dy veprime të pakoordinuara me aleancën të dy anëtarëve të NATO-s: SHBA dhe Turqisë. Presidenti Trump i tërhoqi trupat nga Siria dhe Presidenti turk Erdogan marshoi në Siri pa u konsultuar me Aleancën. NATO-ja është e vdekur klinikisht dhe nuk dihet nëse funksionon klauzola e mbrojtjes reciproke ndaj një shteti anëtar, deklaroi në këtë kuadër Presidenti Macron në intervistën, tashmë të famshme, me gazetën britanike “Economist”.

Reformim, por jo pikëpyetje NATO-s

Funksionin e prishjes së statuskuosë, apo “disruptiv” siç cilësohet në Evropë stili i ri i Macronit, intervista me britanikët e arriti. Gjermania përpiqet tani me propozimin e saj ta fusë debatin në linja konstruktive, në mënyrë që besimi ndaj NATO-s të mos tronditet në themel. Gjermania kërkon reformim të NATO-s, nuk pranon ta vërë në diskutim atë. NATO-s si aleancë ushtarake nuk i vihet pikëpyetje, edhe nëse Macroni ka të drejtë në 95% të atyre që thotë, deklaroi edhe ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn. Ne shtrojmë pyetjen a mund të mbështetemi vërtet në një aleat si Franca, që gjithsesi investon pak për Aleancën, ishte reagimi i zemëruar që erdhi nga Varshava. Përballë kësaj, sekretarja franceze e shtetit për Evropën, Amélie de Montchalin argumenton se Macroni i shtroi qëllimisht tani pyetjet e tij: në prag të kremtimit pas dy javësh të 70 vjetorit të Aleancës dhe para fillimit të punës së Komisionit të ri Evropian.

Aftësia e Macronit për t’u vënë gjërave emrin që kanë dhe guximi i tij ka simpatizantë edhe në Gjermani. Por ajo që çudit me veprimet e Macronit këtë vit është se mjaft vetëve ai u kujton rolin që luanin në BE deri tani britanikët e parehatshëm: ata kundërshtonin (shpesh me sukses) përpjekjet për politika të përbashkëta evropiane, p.sh. në mbrojtje, të cilat do të lejonin thellimin e unifikimit në BE. Kjo në një kohë kur deklaratat e Macronit janë të kundërta me veprimet e tij bllokuese këtë vit: ai ka këmbëngulur për thellimin e BE, në mbrojtje, në fushën e sigurisë dhe me bashkimin bankar.

Veprimet e Macronit janë kontradiktore. Ai flet për forcimin e BE, por veprimet e tij dobësojnë pozicionin evropian duke bllokuar hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë.

Macroni kërkon një ushtri të fortë evropiane, por ushtarakisht nuk e forcon kontributin evropian në NATO: Franca nuk pranon p.sh. të drejtojë batalione të përbashkëta të NATO-s në Estoni. Ai kërkon autonomi ushtarake nga SHBA. Por pa SHBA, ushtritë e dobësuara evropiane nuk e mbrojnë dot kontinentin. A është Franca në fakt më e interesuar që të marrë rolin e superfuqisë ushtarake në një Evropë të dobësuar? A po sheh fuqi të tjera, si p.sh. Rusinë në këtë rol? Dhe cilat janë me të vërtetë synimet e Macronit?

Kufizimi i fuqisë politike të Gjermanisë – motiv frymëzues për Macronin?

Te shumë vëzhgues po forcohet përshtypja se motiv frymëzues për Macronin është bërë dëshira për të kufizuar fuqinë politike të Gjermanisë në Evropë. Kjo ka qenë traditë e politikës franceze, veçanërisht deri në ribashkimin e Gjermanisë. Veprimi i fundit bllokues i Presidentit francez, vetoja për fillimin e negociatave për anëtarësim të BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut shihet si një hap tjetër në këtë drejtim. “Nëqoftëse se Gjermania do të zgjerojë sferën e saj të influencës, nuk mund ta bëjë këtë falas”, i tha një politolog francez së përditshmes Le Monde. Ai nuk përmendi përpjekjen e Francës për të rigjallëruar marrëdhëniet me Serbinë, gjë që u duk në vizitën në korrik në Beograd të Presidentit Macron. Dhe bllokimin nga Franca të liberalizimit të vizave të BE me Kosovën. A do t’u kushtohet Franca në të ardhmen kryesisht lidhjeve të saj tradicionale? Fakt është se Franca nuk sheh përfitim nga zgjerimi i BE në vendet e Evropës lindore dhe jugore. Ky zgjerim ka theksuar rolin qendror të Gjermanisë në BE.

LEXO EDHE:  Dosja “978”/ CNA.al paralajmëron publikimin e fakteve të rënda

Në shkurt të këtij viti papritur Franca e shpalli veten kundërshtare të tubacionit të furnizimit me gaz nga Rusia, Nordstream 2. Kundërshtimi i Francës ndaj këtij tubacioni, me të cilin Gjermania do të furnizohet me gaz rus e forcoi qëndrimin kritik për këtë projekt të Komisionit Evropian. Kompromisi u arrit me shumë vështirësi.

Mungesa e re e vullnetit nga Parisi për t’u koordinuar me Berlinin për Evropën, shkakton habi në Berlin. Ministri i Jashtëm gjerman, Maas kërkoi në kuadër të takimit të NATO-s që të dyja vendet të dakordohen “për premisat strategjike – në mënyrë që të mos shkaktohet dëm” i rëndë. Në kuadër të takimit të Partisë Popullore Evropiane në Zagreb, kancelarja Merkel tha se BE do të bisedojë me hollësi me Macronin, edhe për zgjerimin e BE.

Kjo në një kohë kur revista gjermane “Der Spiegel” shkruan këto ditë se kur punonjësit e Kancelarisë Federale pyesin në Paris homologët se pse Franca nuk po i koordinon qëndrimet me Gjermaninë, përgjigjja që vjen nga bashkëpunëtorët është se ata kanë vetëm ndikim të kufizuar te Presidenti i tyre. Kjo të kujton marrëdhëniet e Trumpit me bashkëpunëtorët. Prandaj një analist flet për një lloj “trampizmi intelektual” që vjen për momentin nga Parisi.

Afrimi francez me Rusinë dhe rezervat evropiane

Linja tjetër e re e politikës së jashtme franceze, afrimi me Rusinë, flet për këmbënguljen franceze për të ndjekur në BE një politikë të jashtme të ndryshme nga ajo e frymëzuar prej Gjermanisë. Fillimisht me këmbënguljen e Macronit, Rusia fitoi së fundi të drejtën e votës në Këshillin e Evropës në Strasburg. Pas kësaj, pa u konsultuar me gjermanët, Macroni dërgoi në Moskë ministrat e tij të jashtëm dhe atë të mbrojtjes. Synimi i shpallur: për të nisur bashkëpunim të ri sigurie (të BE!) me Rusinë.

Argumenti i Macronit është që Rusia ndodhet në Evropë dhe Evropa nuk ka interes ta lërë Rusinë të thellohet në afrimin e nisur me Kinën. Për këtë, thotë Macroni, duhet rimenduar me vetëkritikë politika evropiane ndaj Rusisë, nisur nga ngjarjet rreth Ukrainës.

Parimisht edhe Gjermania nuk është e mbyllur ndaj gjetjes së rrugëve për shtensionim marrëdhëniesh me Rusinë. Por këtë e pengon fakti se nuk ka ndryshim në politikën ruse, sidomos ndaj Ukrainës, pas aneksimit të Krimesë. Kështu që heqja e sanksioneve të BE ndaj Rusisë për momentin nuk vjen në diskutim. Këtë hap e kundërshton jo vetëm Gjermania, por në radhë të parë shtetet lindore të BE. Vlerësimi demonstrativ që Macroni dhe kryeministri hungarez Viktor Orban (gjithashtu ithtar i afrimit me Rusinë) i bëjnë së fundi njëri-tjetrit, nuk ndikon aspak për ta afruar Macronin me shtetet e tjera lindore.

Macroni është i vetmuar, konstatonte javët e fundit një analist i New York Times. Me padurimin e tij, ai ka lënduar jo vetëm lindorët, por edhe Gjermaninë.

LEXO TE PLOTE

Blog

Çfarë është një oligark?

Publikuar

-

Nga

Nga Joel Samuels “The Conversation”

* Teksa kanë nisur dëgjimore mbi shkarkimin e presidentin amerikaneDonald Trump, disa diplomatë dhe ambasadorë amerikanë, kanë dëshmuar në lidhje me ndikimin e oligarkëve në administratën Trump. Unë jam një studiues i së drejtës ndërkombëtare, që ka punuar që nga fillimi i viteve 1990 në hapësirën sovjetike dhe post-sovjetike.

Ndërsa seancat dëgjimore në Uashington, marrin vëmendjen kryesore, besoj se është e rëndësishme ta kuptoni se çfarë janë oligarkët, dhe çfarë pushteti kanë ata. Ky term u krijua mbi 2.300 vjet më parë nga Aristoteli, që vëzhgonte me kujdes format e qeverisjes shtetërore.

Ashtu si aristokracia, edhe oligarkia nënkuptonte sundimin nga një pakicë, në kontrast me demokracinë, që është qeverisja e popullit.

Që nga koha e Aristotelit dhe deri në fillim të viteve 1990, koncepti i një oligarkie – dhe oligarkëve – mbeti kryesisht një temë e studimeve akademike. Por me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, u shfaq një grup i ri oligarkësh. Në fillim të viteve 1990, këta burra hanin ushqimet më të shtrenjta në hotelet më të reja, dhe ndërtuan shtëpi të mëdha luksoze në periferi të Moskës.

Ata ishin kryesisht lojtarët e rinj në sektorin financiar, që financuan presidentin e parë të Rusisë post-sovjetike, Boris Jelcin. Këta oligarkë, nuk ishin zyrtarisht pjesë e qeverisë ruse. Ata ishin individë private, që përfituan nga lidhjet me qeverinë, për të grumbulluar pasuri të mëdha në periudha të shkurtra.

Ky pasurim, erdhi nga privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore, një proces i zhvilluar dhe i nxitur nga ekspertët amerikanë, dhe ata evropiano-perëndimorë. Unë kam studiuar rolin e krimit të organizuar në Rusi në fillim të viteve 1990, dhe kam parë si është transferuar pasuria nga shteti në duart e një grupi të vogël individësh, ku që të gjithë ata kishin lidhje me udhëheqësit e Rusisë.

Duke kontrolluar industritë kryesore – nga nafta dhe gazi natyror, tek çeliku, nikeli dhe industri e tjera kryesore- oligarkët rusë ndikuan gati në të gjitha aspektet e jetës së përditshme.

Me kalimin e kohës, ata e zgjeruan veprimtarinë e tyre në fusha të tjera, si në media apo sport.

Por në thelb, oligarkët e vunë pasurinë e tyre të madhe nga industritë, dhe e përdorën hapur dhe pa u ndëshkuar fuqinë e tyre. Gjatë 20 viteve të fundit, numri i oligarkëve në Rusi është rritur, por baza e fuqisë së tyre mbetet e njëjtë:marrëdhënia e ngushtë me presidentin Putin, sjell përfitime financiare personale.

LEXO EDHE:  Drejtësia/ Bashkimi Evropian: Shpresojmë te dakordësia e Bashës

Sikurse u shpreh vetë Putin për gazetën londineze “Financial Times” në fillim të këtij viti:”Oligarkët janë ata që e përdorin afërsinë e tyre me autoritetet, për të patur super fitime”.

Pra Putin vetë, na dha një përkufizim alternativ të oligarkut modern.

Dhe ashtu si Jelcin, Putini ka qenë përgjegjës për ngritjen – dhe në risa raste edhe rënien – e oligarkëve modernë të Rusisë. Por oligarkë, nuk ka vetëm në Rusi. Dhe kjo është arsyeja, pse ne e kemi dëgjuar kaq shpesh këtë term gjatë muajve të fundit. Në Ukrainë, zgjedhjet presidenciale të pranverës së këtij viti, çuan në ngjitjen mbresëlënëse në pushtet të aktorit komik Volodimir Zelenski.

Këto zgjedhje ishin si një referendum kundër oligarkëve të Ukrainës. Unë isha në Ukrainë gjatë raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale të këtij viti, dhe të gjithë ukrainasit me të cilët bisedova më thanë të njëjtën gjë për Zelenskin:Askush nuk e dinte kush ishte, por kjo nuk kishte aspak rëndësi.

Kjo pasi personi që qëndron pas tij, më thanë ata, ishte Igor Kolomoiski, pasuria e të cilit ishte kërcënuar nga Petro Poroshenko, presidenti i atëhershëm i Ukrainës, që po rikandidonte për një mandat tjetër. Në sytë e ukrainasve, Kolomoiski kishte nevojë që një kandidat tjetër, të nxirrte jashtë loje Poroshenkon.

Dhe ai e gjeti njeriun e tij tek Zelenski. Ky nuk ishte vetëm një aktor, para se të hynte befas në politikë për të kandiduar për president. Ai ishte një aktor, që punonte në një televizion që zotërohet nga Kolomoiski. Pra, teksa dëgjojmë të flitet për oligarkët dhe politikën e Ukrainës, është e rëndësishme të mos harrohet, se ndërsa këta individë super të pasur nuk janë zyrtarisht pjesë e qeverisë, siç mund të kishte parashikuar Aristoteli, ata kanë shumë ndikim në interesat ekonomike, mediatike dhe politike të vendit.

Shënim:Joel Samuels, është profesor i jurisprudencës në Universitetin e Karolinës së Jugut, SHBA./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE