LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Studimi/ Dhuna në protesta, e zvogëlon mbështetjen e opinionit publik ndaj protestuesve

15 Tetor 2019, 08:38, Blog CNA
Studimi/ Dhuna në protesta, e zvogëlon mbështetjen e opinionit

Protestuesit nuk e ndihmojnë aspak kauzën e tyre, kur nisin të bëhen të dhunshëm. Madje, sjellja e tyre agresive, mund të rrisë mbështetjen publike ndaj atyre kundër të cilëve po protestohet. Kjo është ajo që zbulohet nga studimet e reja të sociologut amerikan të Univeritetit të Stenfordit, Rob Uiler.

Studimi, i frymëzuar nga përplasjet e fundit midis protestuesve të bardhë nacionalistë, dhe protestuesve anti-racistë në Sharlotsvil të Virxhinias dhe Berklit në Kaliforni, zbuloi se dhuna nga protestuesit anti-racistë, mund t?i bëjë njerëzit t?i shohin ata si të paarsyeshëm.

Dhe ky perceptim mund të ndikojë që opinioni publik në tërësi, të identifikohet më pak me këtë grupim, pavarësisht se mbron një kauzë të drejtë.

Ndërkohë, dhuna e ushtruar nga ana e supremacistëve të bardhë nuk ndryshonte mendimin e njerëzve, pasi ata tashmë i shihnin supremacistët e bardhë si tejet të paarsyeshëm, thotë Rob Uiller në një studim të botuar më 11 tetor në revistën ?Socius:Hulumtime Sociologjike për një botë dinamike?.

Brent Simpson i Universitetit të Karolinës së Jugut, dhe Metju Feinberg i Universitetit të Torontos, janë 2 bashkëautorët e tjerë të studimit. Kur anti-racistët e shndërrojnë protestën e tyre në të dhunshme, kjo mund të ndikojë në disa raste në nxitjen e mbështetjes për palën tjetër, mendon Uiler.

?Gjetja jonë kryesore, është që edhe protestuesit, që kanë një nivel të lartë të mbështetjes publike, si aktivistët anti-racistë, mund ta humbasin mbështetjen e publikut të gjerë, nëse përdorin dhunë. Dhe në fakt, ne zbuluam se mbështetja për nacionalistët e bardhë, ishte rritur në mesin e atyre që kishin lexuar, se protestuesit anti-racistë i kishin sulmuar ata?- deklaroi më tej sociologu.

Uiler nënvizon se protestat e dhunshme, janë bërë mëse të zakonshme në SHBA, që nga presidencialet e vitit 2016. ?Ka një larmi në rritje të taktikave të protestës, përfshirë përdorimin e dhunës. Duke pasur parasysh faktin që e njerëzit reagojnë zakonisht shumë negativisht ndaj dhunës, bashkëautorët e studimit dhe unë ishim kureshtarë të shihnim reagimet e publikut ndaj një proteste të dhunshme?- vijoi më tej Uiler.

Për këtë arsye, ai anketoi 800 njerëz përmes internetit. Sondazhi u krye në 4 skenarë:Në varësi të eksperimentit, pjesëmarrësit lexuan një nga 4 artikujt e gazetave. Ndërsa bazuar në protestat që ndodhën në Sharlotsvil dhe Berkli në gushtin e vitit 2017, u fabrikuan elementë të historisë për qëllime eksperimentale.

Në një skenar, pjesëmarrësit lexuan një shkrim të trilluar mbi nacionalistët e bardhë, që organizuan një protestë për heqjen e monumenteve të Konfederatës. Ndërkohë, një grup anti-racistësh organizuan një kundër-protestë. U raportua se asnjë grup nuk ishte i dhunshëm.

Ndërkohë në 3 skenarët e tjerë, artikulli përshkruante dhunën nga një grup ose nga tjetri, ose nga të dy bashkë.

Për shembull, në lajmin e inskenuar, kur të dhunshëm ishin protestuesit anti-racistë shkruhej: ?Një nacionalist i bardhë u rrëzua përtokë nga protestuesit. Një protestues u pa duke shkelmuar një nacionalist i bardhë që ndodhej i shtrirë në tokë, dhe mbronte fytyrën e tij nga goditjet?

Më pas, pjesëmarrësit në eksperiment u pyetën se si e perceptuan dhunën që ndodhi, dhe mbi qëndrimet e tyre ndaj secilit grupim. Uiller zbuloi se kur i dhunshëm ishte vetëm grupi anti-racist, pjesëmarrësit i perceptuan ata si më pak të arsyeshëm, dhe identifikoheshin më pak me ta.

Ndërkohë, pjesëmarrësit në studim treguan më pak mbështetje për grupin anti-racist, dhe një rritje të mbështetjes për njerëzit që u dhunuan, dhe që ishin pikërisht nacionalistët e bardhë.

Nga ana tjetër, kur të dhunshëm ishin nacionalistët e bardhë, kjo nuk çoi në rritjen e mbështetjes për lëvizjet anti-raciste në përgjithësi. Për shkak se nacionalistët e bardhë janë një grup i përçmuar gjerësisht, dhe të njohur për dhunën që përdorin, ata kanë pak për të humbur kur përdorin dhunë kundër anti-racistëve.

?Dhuna u shkakton dëme të mëtejshme imazhit të tyre. Në të kundërt, dhuna e ushtruar nga anti-racistët jo vetëm që mund të dëmtojë mbështetjen e publikut për ta. Por siç e tregojnë rezultatet tona, ajo gjithashtu mund të rrisë mbështetjen për vetë protestuesit e bardhë nacionalistë?- theksohet në këtë studim./ Scienceblog.com-Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga