LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

I ndërvarur nga droga dhe themelues i Gestapos/ Kush ishte Herman Gëring, krahu i djathtë i Hitlerit

15 Tetor 2019, 08:32, Blog CNA
I ndërvarur nga droga dhe themelues i Gestapos/ Kush ishte Herman

Herman Gëring, cilësohej shpesh si njeriu i djathtë i Adolf Hitlerit. Ai ishte njeriu i dytë më i fuqishëm në Rajhun e Tretë, dhe luajti një rol të rëndësishëm në ngjitjen në pushtet të Fyhrerit. Ishte pikërisht Gëringu, ai që e ndihmoi Hitlerin të bëhet kancelar në janarin e vitit 1933, dhe ishte po ai që krijoi Gestapon, policinë sekrete e cila shtypi jo vetëm çdo kundërshtar të nazizmit në Gjermani, por lehtësoi Holokaustin, duke ndihmuar në mbledhjen e hebrenjve nga e gjithë Evropa, dhe çuarjen e tyre në kampet e shfarosjes.

Madje Hitleri i dha Gëringut edhe titullin special Rajhmarshall, udhëheqës i të gjitha forcave të armatosura gjermane, dhe e caktoi si pasardhësin e tij. Megjithëse si udhëheqës ishte i rreptë dhe i pamëshirshëm, Gëring pati një jetë private kaotike. Ai ishte tërësisht i ndërvarur nga morfina.

Po kush ishte Herman Gëring?

Ai lindi më 12 janar 1893, në një familje bavareze aristokrate. Fëmijërinë e kaloi në një kështjellë mesjetare. Ai përshkruhej si një djalë ?rebel?, ndaj prindërit e çuan në një shkollë ushtarake, ku nisi të spikasë që gjatë Luftës së Parë Botërore, ku u dekorua me medaljen e trimërisë si pilot.

Gëring u njoh për herë të parë me Hitlerin në vitin 1922, kur mori pjesë në një protestë kundër Traktatit të Versajës, që i dha fund Luftës së Parë Botërore. Si shumë gjermanë, dhe si një veteran lufte, edhe ai kishte kundër kushteve të ashpra të vendosura ndaj Gjermanisë. Gëring u pajtua me idetë e Hitlerit, dhe pa tek Fyhreri një lloj Mesie të së ardhmes.

Për shkak të së kaluarës si oficer ushtarak, Hitleri i besoi komandën e grupit të tij paramilitar, Sturmabteilung. Në atë kohë ai nisi një raport intim me një baroneshë, e cila sapo kishte braktisur të shoqin, dhe kishte një djalë 8-vjeçar. Ata u martuan në vitin 1923. Po atë vit, Hitleri kreu Puçin e Dështuar të Birrarisë së Mynihut.

Gëringu mbeti i plagosur në këmbë. Ai u arrestua, por u arratis nga burgu dhe shkoi për disa kohë në Austri. Pikërsisht gjatë asaj kohe ra në kontakt me morfinën, të cilën mjekët ia rekomanduan për të lehtësuar dhimbjet e plagës. Shumë shpejt Gëring, u bë i varur nga ajo. Varësia e tij nga morfina ishte aq e madhe, saqë u shtrua 2 herë në një spital psikiatrik në vitet 1925 dhe 1926.

U rikthye në Gjermani në vitin 1927, dhe falë besnikërisë së tij ndaj Hitlerit, u ngjit shpejt në krye të udhëheqjes së Partisë Naziste. Ai punoi pa u lodhur për të promovuar Hitlerin dhe nazizmin. Kontaktoi oficerët e ushtrisë, biznesmenët më të mëdhënj në vend, dhe figura të tjera të fuqishme konservatore për të rritur mbështetjen ndaj nazizmit.

Për pasojë, Partia Naziste fitoi shumicën e vendeve në zgjedhjet parlamentare të vitit 1932, dhe Gëring arriti të bëhej drejtues i Rajhshtagut, parlamentit gjerman. Kur Hitleri u bë kancelar, Gëring u emërua Ministër i Brendshëm, Komandant i Përgjithshëm i Policisë dhe Komandant i Përgjithshëm i Luftëaffe, forcave ajrore gjermane.

Një nga aktet e tij të para ishte krijimi i Gestapos, policisë sekrete që shtypi çdo kundërshtim të regjimit nazist në Gjermani. Por varësia e tij ndaj morfinës vazhdonte. Ai kishte vazhdimisht lëkundje të mëdha të humorit. Dhe kjo mund të ketë kontribuar edhe në shtimin e madh në peshën trupore, që e shndërroi shpesh në objekt talljesh.

Ai organizonte vazhdimisht festa të mëdha në rezidencën e tij, dhe mburrej me veprat e artit të vjedhura nga hebrenjtë e persekutuar, të cilat ai i kishte ekspozuar përgjatë dhomave të bollshme të shtëpisë së tij. Ndonëse tallej shpesh si një trashaluq qesharak, ai ishte tepër i rrezikshëm. Gëring luajti një rol kryesor në spastrimin e përgjakshëm politik të nazistëve, gjatë ?Natës së thikave të gjata?, kur edhe u eleminua rivali i tij kryesor brenda partisë, Ernst Rom.

Ai tha në vitin 1938, se do të kishte një ?larje përfundimtare të hesapeve me hebrenjtë?. Tre vjet më vonë, ai autorizoi Rajhard Hajdrih të gjente ?një zgjidhje tërësore të çështjes hebraike?. Dhe kjo zgjidhje ishte Holokausti. Por vëllai më i vogël i Herman, Albert, ishte një anti-nazist i vendosur.

Për shumë vite me radhë, ai u siguroi viza dhe pasaporta miqve të tij hebrenj. Duke përfituar nga pozita e të vëllait, dhe duke shfrytëzuar marrëdhënien shumë të ngrohtë mes 2 vëllezërve, Albert shkonte rregullisht në zyrën e Herman në Berlin, për t?i kërkuar favore në emër të një mikut të tij hebre, apo të një të burgosuri politik.

Megjithëse Gestapo kishte çelur për të një dosje, Albert mbeti i sigurt nën mbrojtjen e vëllait të tij deri në vitin 1944, kur siç kujton edhe vetë ?vëllai im më tha se ishte hera e fundit, që mund të më ndihmonte?, duke e ndihmuar në fund që të arratisej jashtë vendit.

Fama e Gëring, nisi të zbehet papritur në vitin 1940. Si drejtues i Luftëaffe, ai ishte përgjegjës për ofensivën e madhe ajrore kundër Britanisë së Madhe. Dhe kur Forca Ajrore Mbretërore, arriti të mposhte gjermanët, Gëring mbajti barrën kryesore të fajit. Pozitat e tij u dobësuan me tej, kur Luftëaffe dështoi të ndalte kundër-ofensivën e Rusisë.

Në atë periudhë, nisi të bëhet dhe më i varur nga droga. Në vitin 1945, Hitleri njoftoi se do të qëndronte në bunkerin e tij në Berlin deri në fund të luftës. Gëring mendoi se ishte rasti i artë, që ai të merrrte drejtimin e vendit. Por kur kërkoi të zgjidhej si drejtuesi i ri i Gjermanisë, Partia Naziste u përgjigj duke e shkarkuar nga të gjitha postet e tij, dhe duke e arrestuar.

Më më 9 maj 1945, ai u kap rob nga aleatët. Gëring u detyrua të detoksifikohej nga morfina, dhe të përballej me drejtësinë. Ai u shpall fajtor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, dhe u dënua me vdekje.

?Ngushëllimi? i tij i vetëm, ishte që arriti t?i shpëtonte ekzekutimit me varje, duke kryer vetëvrasje më 15 tetor 1946, përmes gëlltitjes së një kapsule me cianid, të cilën që e kishte mbajtur të fshehur në qelinë e tij./Allthatsinteresting.com- Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga