Connect with Us

Shpellat e panjohura/ Potenciali i aventurës në zonën e Tropojës

Sociale

Shpellat e panjohura/ Potenciali i aventurës në zonën e Tropojës

Publikuar

-

Në Shqipëri, ne kemi kaq shumë shpella me potenciale të pasura për zhvillimin e turizmit, por ende janë të fjetura, të përgjumura ose të pashfrytëzuara.

Nga Dr. Bislim AHMETAJ, Prof. Dr. Perikli QIRJAZI, Prof. Dr. Fatmir MEMAJ

Vizitat në shpella janë një pjesë e turizmit natyror, ose “ekoturizmit”, që me zhvillimin e tij të vazhdueshëm ka potencial të tërheqë turistët dhe e diversifikon modelin turistik, duke rritur popullaritetin e tij në shumë vende të botës. Shpellat janë të rëndësishme për industrinë e turizmit, sepse është një formë që po zhvillohet me shpejtësi në vendet në zhvillim, ku çdo vit vizitohen qindra shpella. Mund të thuhet se shpellat janë bërë tashmë një burim natyror kompleks në tregun e turizmit të shumë vendeve.

Aktualisht, në të gjithë botën ka mbi 5.000 shpella të vizitueshme nga turistët. Turizmi i shpellave tërheq rreth 250 milionë turistë çdo vit, me një shpenzim të vlerësuar prej 2 miliardë dollarësh, përveç sigurimit të punësimit për 200,000 njerëz dhe gjenerimin e të ardhurave totale prej 100 milionë dollarë në vit. Shpellat, si burime natyrore, mund të jenë një potencial i shkëlqyeshëm për zhvillimin e turizmit dhe si rezultat shpejtojnë rritjen dhe zhvillimin ekonomik, nivelin e jetesës së banorëve të zonave pritëse, si dhe ndihmojnë qeverinë të rrisë vetëdijen mjedisore dhe edukimin për kontrollin e mjedisit.

Ndërgjegjësimi për kthimin e shpellave në një burim të turizmit natyror i kapërcen kufijtë e thjeshtë ekonomikë. Bazuar në zhvillimet bashkëkohore, shumë vende e shikojnë këtë jo vetëm si burim për të përmirësuar nivelin e jetës, por edhe për të zhvilluar zonat urbane dhe sidomos ato rurale.
Zhvillimi i turizmit të shpellave në vendin tonë do të promovojë dhe do të forcojë mirëqenien ekonomike të komunitetit pritës, si dhe do të krijojë një mjet shtesë për ruajtjen e mjedisit. Në Shqipëri, ne kemi kaq shumë shpella me potenciale të pasura për zhvillimin e turizmit, por ende janë të fjetura, të përgjumura ose të pashfrytëzuara. Shumica e tyre gjenden të shpërndara në të gjithë territorin e vendit e megjithatë, por pjesa më e madhe kanë mbetur në sfond pa i konsideruar si mundësi të përdorimit për turizëm aventure.

Rritja e atraktivitetit të turizmit të shpellave në Shqipëri mund të ndikojë në uljen e shkallës së varfërisë në komunitetet lokale. Bazuar në këtë gjë, shumë vende të botës kanë ndërmarrë nisma për të zhvilluar turizmin në shpella, për t’i bërë produkte të rëndësishme të turizmit, siç është rasti i Brazilit, Rusisë, Indonezisë dhe Australisë.

Tropoja dhe shpellat e saj

Të dhënat për shpellat e zonës së Tropojës janë mbledhur në kuadër të studimit “Promovimi i turizmit të shpellave në Bashkinë e Tropojës” i financuar nga “Programi Rajonal për Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD)”, i cili financohet nga Bashkimi Europian (BE) dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Tropoja ndodhet në verilindje të Shqipërisë, në Qarkun e Kukësit. Kufizohet me Bashkinë e Hasit, në juglindje; me Bashkinë e Shkodrës në perëndim; me Bashkinë e Vaut të Dejës në jugperëndim dhe të Fushë-Arrësit në jug, ndërsa në veri me Republikën e Malit të Zi (31 km) dhe në lindje me Republikën e Kosovës (81 km). Për nga sipërfaqja (1057 km2) radhitet e dyta në vendin tonë.

Popullsia e saj numëron 20.517 banorë (Censusi 2011), ndërsa sipas Regjistrit të Gjendjes Civile ka 28.216 banorë. Përbëhet nga 8 njësi administrative vendore: Bajram Curri, Fierza, Bujani, Lekbibaj, Llugaj, Bytyçi, Margegaj dhe Tropoja. Qendra e bashkisë është qyteti i ri i Bajram Currit, me 7500 banorë dhe 160 hektarë sipërfaqe. Bajram Curri është 260 kilometra larg Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë dhe 120 kilometra larg Prishtinës, kryeqytetit të Kosovës.

Territori i Bashkisë së Tropojës shtrihet në Alpet Lindore Shqiptare dhe në Malësinë e Gjakovës. Ai përbëhet nga gëlqerorë, në të cilët është shumë i zhvilluar procesi i karstit; nga magmatikë në pjesën verilindore dhe nga terrigjenë (argjila, rëra, konglomerate, ranorë etj.). Relievi i territorit të bashkisë është kryesisht malor. Ai shtrihet nga rreth 170 metra deri në 2582 metra mbi nivelin e detit (majë në Jezercë), ndërsa lartësia mesatare e relievit të territorit të bashkisë arrin 1105 metra mbi nivelin e detit. Relievi ka ndryshime të mëdha morfologjike, mbi bazën e të cilave diferencohet pjesa perëndimore dhe lindore.

Për shkak të përhapjes së madhe të shkëmbinjve të tretshëm gëlqerorë, copëtimit të madh tektonik të tyre, zhvillimit të vrullshëm neotektonik të bazamentit strukturor; kushteve të përshtatshme klimatike dhe topografike, në territorin e Bashkisë së Tropojës është shumë i zhvilluar procesi i karstit (tretjes së shkëmbinjve gëlqerorë) që e bën zonën të jetë e njohur për shpellat karstike.
Në territorin e Bashkisë së Tropojës, kanë shtrirje të madhe formacionet e tretshme (gëlqerore), ku formohen shpellat karstike. Disa prej tyre radhiten në shpellat më të mëdha në Shqipëri dhe ndër më të mëdhatë në Ballkan. Këto shpella gjenden në Parkun Kombëtar të Valbonës: dhe Parkun Natyror Bashkiak Nikaj – Mërtur. Deri tani, në territorin e Bashkisë së Tropojës janë zbuluar këto shpella karstike:

I. Në Parkun Kombëtar të Valbonës

1. Shpella e Haxhisë – Ndodhet në majën e Thatë, afër fshatit Valbonë dhe vizitohet sipas rrugës Bajram Curri – Valbonë – rruga këmbësore.

2. Shpella e Akullit – Ndodhet pranë fshatit Valbonë dhe vizitohet sipas rrugës Bajram Curri – Valbonë – rruga këmbësore.

3. Shpella e Dragobisë – Ndodhet pranë fshatit Dragobi dhe vizitohet sipas rrugës Bajram Curri – Dragobi – Valbonë – shtegu këmbësor.

II. Në Parkun Natyror Bashkiak të Nikaj-Mërturit

4. Shpella e Zezë – Quhet ndryshe: e Qereçit, Bira e Zezë, Shpella që fryn. Ndodhet pranë Fshatit Qereç Mulaj, Curraj të Epërm dhe vizitohet sipas rrugës Bajram Curri – Lekëbibaj – Curraj i Epërm – rruga këmbësore.

5. Shpella e Perr Boshit – Gjendet në malin e Boshit, rreth 6-7 orë më këmbë nga fshati Curraj i Epërm dhe vizitohet sipas rrugës Bajram Curri – Lekbibaj – Curraj i Epërm – rruga këmbësore.

6. Shpella në kuotën 1750 metra – Gjendet në Malin e Hekurave, afër liqenit të Ponarëve dhe vizitohet sipas rrugës Bajram Curri – Liqeni i Ponarëve.

7. Shpella e Shtarës – Ndodhet 3,25 kilometra nga fshati Vrana e Madhe, në malin e Shtrezës, në lartësinë 1427 metra mbi nivelin e detit dhe vizitohet sipas rrugës Bajram Curri – Lekbibaj – Vrana e Madhe – shtegu këmbësor.

8. Shpella e Dallëndysheve – Me këtë emër quhet një pus, në muret e të cilit kanë ndërtuar foletë dallëndyshet. Vizitohet sipas rrugës Bajram Curri – Lekbibaj – Vrana e Madhe – shtegu këmbësor për në lartësitë e malit të Kakisë.

9. Shpella e Vetmuar – Kjo shpellë ndodhet midis shpellës së Shtarës dhe asaj të Dallëndysheve. Vizitohet sipas rrugës Bajram Curri – Lekbibaj – Vrana e Madhe – shtegu këmbësor për në lartësitë e malit të Kakisë.

10. Shpella e Kakverit – Gjendet afër fshatit Curraj i Epërm, në rrëzën lindore të shpatit të malit të Kakisë. Vizitohet në itinerarin Lekbibaj – Vranë e Madhe (rrugë automobilistike) – Lugu Ndërmajës (rreth 3-4 orë më këmbë), ndërsa nga fshati Curraj i Epërm rruga këmbësore bëhet për 5-6 orë.

11. Shpella e Mark Shytanit – Ka marrë emrin e bariut që ishte i pari që sinjalizoi për ekzistencën e saj. Gjendet afër Currajt të Epërm, në rrëzë të majës së Boshit. Vizitohet sipas rrugës Bajram Curri – Lekbibaj – Curraj i Epërm – shtegu këmbësor për në lartësitë e malit të Boshit.

12. Shpella e Lumit – U eksplorua dhe rilevua në vitin 2009 nga grupi italian speleologjik Faentino, por është ende e paeksploruar plotësisht. Vizitohet sipas rrugës Bajram Curri – Lekbibaj – Curraj i Epërm – shtegu këmbësor, rreth 2 orë.

13. Shpella Muladea – Ndodhet në këmbët e Malit të Hekurave dhe në afërsi të fshatit Qereç Mulaj. Vizitohet sipas rrugës Bajram Curri – Lekbibaj – Qereç Mulaj – shtegu këmbësor për në këmbët e Malit të Hekurave.

14. Shpella e Shkamit të Rajzës – Ndodhet në shkëmbin homonim, në shpatin e thiktë jugor të malit Suka e Mazit, mbi liqenin e Komanit. Vizitohet sipas rrugës Bajram Curri – Lekbibaj – Palçë – rruga këmbësore për në shpatin jugor të malit Suka e Mazit.

LEXO EDHE:  Dashakeqë! Na e lini të paktën opozitën…

15. Shpella e Kolë Gegës – Ndodhet afër liqenit të Komanit, në shpatin jugor të malit Suka e Mazit, në lartësinë 510 metra mbi nivelin e detit. Vizitohet sipas rrugës Bajram Curri – Lekbibaj – Palçë – rruga këmbësore për në shpatin jugor të malit Suka e Mazit.

16. Shpella Zgavra e Ariut – Ndodhet mbi shpellën e Kakverit, afër majës së bllokut të Kakisë. Vizitohet sipas rrugës Bajram Curri – Lekbibaj – Curraj i Epërm – rruga këmbësore për në majën e bllokut të Kakisë.

Analiza e studimit

Në studimin tonë, ne kemi mbledhur të dhëna nga aktorët e interesuar nëpërmjet pyetësorëve dhe bisedave me komunitetin lokal. Nga të dhënat e grumbulluara me pyetësorë vihet re kjo shpërndarje e turistëve sipas vendeve të origjinës.

 

Gjithashtu, të intervistuarit u pyetën lidhur me avantazhet që ka zona për të zhvilluar turizmin e aventurës dhe sidomos turizmin e vizitave në shpella. Përgjigjet e marra (grafiku 2.) tregojnë se tre avantazhet kryesore që zona ofron janë të tilla si ofrimi i guidave dhe shoqëruesve për të shoqëruar turistët në zonat e vështira ku ndodhen shpellat, transport i sigurt me mjete të ndryshme sipas rastit dhe kërkesës, si dhe siguria e turistëve në zonë.

 

Rëndësi ka edhe informacioni i marrë nga përgjigjet lidhur me mundësitë që ofron zona (anët pozitive) për turizëm aventure. Nga të dhënat e grumbulluara vihet re se si avantazh kryesor përmendet njohja e zonës, transporti i sigurt, si dhe guida të specializuara të ndjekura nga opsionet e tjera.

Një problem tjetër që ne e gjykuam të rëndësishëm ishte informacioni i marrë nga përgjigjet lidhur me vështirësitë që ka zona për zhvillimin e turizmit të aventurës. Nga të dhënat e grumbulluara vihet re se si vështirësi më të mëdha përmenden infrastruktura, relievi dhe guidat e specializuara (të cilat megjithëse në përgjigjet më sipër cilësohen si avantazh, ende kanë nevojë për trajnime dhe specializime më të thelluara).

Të intervistuarit theksuan se turistët janë më shumë në numër të seksit mashkull (gati dy herë më shumë se femrat). Gjithashtu vihet re se ndër turistët që zgjedhin aventurën dhe sidomos vizitat në shpella, 64% janë të moshës 30-50 vjeç dhe vetëm 13% janë të moshës deri në 30 vjeç. Pra, duhet bërë më shumë për të thithur në turizmin e zonës dhe sidomos për aventurë, turistë të moshave të reja.

Duke analizuar përgjigjet e marra për pyetjet lidhur me interesin për turizmin e aventurës vëmë re se 95% e turistëve që vizitojnë zonën janë të interesuar për forma të ndryshme të turizmit të aventurës dhe gati 60% e vizitorëve interesohen për turizmin e shpellave, ndërkohë që vetëm 40% e turistëve që vizitojnë zonën arrijnë të vizitojnë të paktën një shpellë në zonë. Interesante janë edhe përgjigjet e marra për pyetjen “Çfarë përmirësimesh mund të bëjë biznesi për të rritur turizmin e aventurës?”. Të intervistuarit përgjigjen se duhet përmirësuar ende cilësia e shërbimeve (46.7%), cilësia e guidave (13.3%), cilësia dhe sasia e informacionit (10%), ndryshimi i mentalitetit të të bërit biznes (6.7%) etj.

Ndërsa nga pushteti qendror dhe vendor, ata kërkojnë më shumë investime në zonë (60%), përmirësime në infrastrukturë (20%), rritje të sigurisë (6.7%), por ka edhe mendime të tilla si të ketë sinjal telefonik edhe në Bjeshkë dhe të investohet në marketing që vizitat të mos jenë kryesisht vetëm në periudhën e verës.

Në vijim po paraqesim analizën SWOT e cila u bazua jo vetëm në vrojtimin me pyetësorë, por edhe në bisedat me aktorë të ndryshëm nga komuniteti lokal. Bazuar në këto informacione, ne ndërtuam tabelën e mëposhtme.

Organizimi i turizmit të shpellave në vendin tonë duhet të mësojë nga përvoja e vendeve të botës, veçanërisht në strukturimin e përvojave të turizmit të formave të tilla që janë shumë sfiduese. Bashkëpunimi me organet shtetërore dhe me organizata që kanë përvojë në turizmin e aventurës është shumë i nevojshëm, veçanërisht në formën e programeve të trajnimit cilësor që ndjekin standardet ndërkombëtare.

Në të njëjtën kohë, duhet të krijohet një formë organizimi shtetërore që të jetë e pranishme në çdo rast nevoje për një “ekip shpëtimi” dhe raste emergjence. Si anë pozitive nga zhvillimi i turizmit të shpellave në zonë theksojmë krijimin e hapësirave për të krijuar vende të reja pune, për të sjellë më shumë të ardhura në zonë, për të sjellë më shumë investime për ekonominë e zonës, për të sjellë zhvillimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e standardit të jetesës së banorëve të kësaj zone.

Në rastin e shpellave shqiptare, bizneset e fushës së turizmit dhe të gjithë personat e interesuar në zhvillimin e turizmit duhet të krijojnë sigurinë, se duhet të respektohen të gjitha praktikat tradicionale të lidhura me zonat e ndryshme për të planifikuar dhe për të siguruar masa të përshtatshme për sensibilizimin dhe krijimin e vetëdijes për publikun në lidhje me praktikat e vizitave në shpella.

Zhvillimi i turizmit të shpellave duhet të mbajë parasysh gjithashtu pajisjen e udhërrëfyesve turistikë me njohuri dhe aftësi të mira komunikimi.
Një rëndësi të veçantë për zonën kanë të ardhurat e fituara nga pagesat që bëjnë turistët për guidat, mjete të ndryshme transporti si dhe suveniret. Këto të ardhura kontribuojnë në ekonominë lokale. Në përgjithësi, të ardhurat e krijuara janë ende jo në nivelin e duhur për faktin se turizmi i shpellave ende nuk është zhvilluar plotësisht dhe plani i menaxhimit të tyre ende mungon.

Duke analizuar shpellat e zonës së Tropojës mund të themi se anët pozitive të tyre janë se ato janë në zona vërtet të largëta, por tereni nuk është aq i vështirë për t’i bërë të vizitueshme dhe gjithashtu kushtet aktuale klimatike lejojnë që ato të vizitohen në një pjesë të madhe të vitit.
Shumë me vlerë është fakti se zona ku ato ndodhen ka atraksione të tjera turistike që bëjnë që turisti të ndërthurë atraksionet e ndryshme, për ta bërë vizitën më të larmishme, gjithashtu është një zonë ku turizmi po zhvillohet me shpejtësi. Duhet të përmendim edhe vlerat e tyre shkencore dhe faktin se komuniteti lokal është i vogël, gjë që lehtëson komunikimin dhe marrëdhëniet e turistëve me komunitetin lokal.

Duhet të fokusohemi dhe duhet të zgjerohen njohuritë dhe mënyrat se si promovimi dhe turizmi i shpellave të ndjekë standardet ndërkombëtare në fushën e menaxhimit të shpellave për qëllime turistike, duke përfshirë këtu edhe studiues (specialistë në fusha të tilla si karstospeleolog, gjeograf, gjeolog, arkeolog, paleonolog, shkenca tokësore, endokarst, biolog, ekonomist etj.), duke identifikuar aspektet e vlerës së shtuar të një shpelle, siç është matja e dinamikës së shpellës, planifikimi i qarkullimit të vizitorëve, përcaktimi i nevojave financiare, planifikimi i një strategjie marketingu, identifikimi i mikroflorës së shpellës dhe makro-ekosistemin e saj, shpendëve banorë të shpellave, hartëzimin e sistemit të shpellës, ekzaminimin e cilësisë dhe sasisë së ajrit të pastër që kërkohet dhe përcaktimin e zonimit kur lind nevoja për të mbyllur një pjesë të shpellës për qëllimet e kërkimit akademik etj.

Është e nevojshme të formulohet plani i marketingut dhe promovimit të shpellave. Kjo mund të bëhet përmes formave të ndryshme të reklamave si fletëpalosje, guida, revista turistike etj. Në këtë mënyrë, do të tërhiqet vëmendja e turistëve në destinacion turistik të shpellave. Shpellat duhet të jenë të arritshme nëpërmjet të gjitha formave të transportit dhe njëkohësisht duhet të krijohen lehtësitë e tjera infrastrukturore për të tërhequr turistët në këto destinacione. Kjo gjë mund të arrihet përmes bashkëpunimit të qeverisë me sektorin privat.

Duke marrë parasysh konkurrencën me të cilën përballen destinacionet e turizmit që rriten gjithnjë brenda ekonomisë, si brenda vendit, ashtu edhe në atë global, potenciali i shpellave si një aktiv natyror i turizmit në Shqipëri duhet të trajtohet në specifikat e tij. Duhen mbajtur parasysh gjithashtu vështirësitë e rrugës për të arritur në shpella./ Monitor

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Sociale

Remonti i OST/ Mbeten pa energji disa zona në Tiranë

Publikuar

-

Nga

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka njoftuar për stakimin e energjisë gjatë ditës së nesërme në Tiranë.

Sipas njoftimit të OSHE, ndërprerja e energjisë do të bëhët për shkak të remontit të OST.

“Për shkak të remontit të OST në linjën 110kV L110-4/3 Elbasan 220kV – Ibë, në datën 20 shkurt gjatë intervalit kohor 08;00-16:00 do të mbeten pa energji këto zona në Tiranë
Bërzhitë, Mullet, Baldushk, Ibë (pjesërisht), zona e Krrabës, Kllojkë, Rozavera, Pashkashesh, Fravesh”, thuhet në njoftimin e OSHEE./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Sociale

Dielli i lë radhën shiut/ Surprizat e motit për nesër

Publikuar

-

Nga

Nisur nga orët e pasdites por, kryesisht ato të mbrëmjes moti do të jetë i vranët në të gjithë territorin shoqëruar me reshje shiu fillimish me itensitet të ulët.

Duke nisur nga orët e para të mëngjesit të ditës së nesërme reshjet e shiut fitojnë itensitet deri mesatar në të gjithë territorin në formën e shtrëngatave shoqëruar me shkarkesa elektrike.

Sipas Shërbimit Meteorologjik, edhe dita e Enjte pritet të ketë mot të vranët shoqëruar me reshje shiu të herëpashershme me itensitet të ulët e mesatar deri në orët e pasdites ku më pas gradualisht pritet ndërprerja e tyre.

Për tu theksuar se në relievet malore të verilindjes dhe juglindjes priten reshje të dendura dëbore por jo vetëm, pasi ato lokalisht do të zbresin deri në lartësitë kodrinore 500-600metër.
Temperaturat e parashikuara në fushën termike nuk pritet të kenë luhatje të mëdha në vlerat minimale (2ºC deri në 8ºC), por janë ato në vlerat e mesditës të cilat do të pësojnë një rënie të ndjeshme me vlera të parashikuara nga 7ºC në relievet malore deri në 13ºC në ato bregdetare. Një rënie e ndjeshme duke marë parasysh vlerën më të lartë prej 19ºC që u arrit sot në qytetin e Beratit.

LEXO TE PLOTE

Sociale

Manastirliu në qendrën e re shëndetësore në Ndroq/ 140 mjekë të rinj në sistemin shëndetësor

Publikuar

-

Nga

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manasatirliu kanë parë nga afër rehabilitimin e plotë të qendrës shëndetësore Ndroq, pjesë e programit kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore.

Kjo qendër do t’i shërbejë me standarte bashkëkohore 10 mijë banorëve të Ndroqit dhe është qendra e 40 që rehabilitohet në qarkun e Tiranës në dy vite.

“Janë 180 qendra shëndetësore dhe ambulanca që u rehabilituan me standarde në këto dy vite, falë programit kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore dhe 120 qendra të tjera shëndetësore dhe ambulanca do t’i nënshtrohen rehabilitimit në vitin 2020”, tha Manastirliu.

Në qendrën shëndetësore të Ndroqit kanë qenë të pranishëm edhe një grup mjekësh të sapopunësuar në Ndroq dhe në qendrat e tjera shëndetësore të Tiranës, nëpërmjet portalit “Mjekë për Shqipërinë”.

“Nuk e mendoja që pas diplomimit, menjëherë do të mund të punësohesha, aq më tepër në Tiranë. Procesi ishte shumë transparent”, u shpreh një nga mjeket e reja.

LEXO EDHE:  Shansi që po humbim/ Durrësi humb shkëlqimin, ja pse po largohen turistët

LEXO EDHE:  Dashakeqë! Na e lini të paktën opozitën…

Vetëm për muajin Janar dhe Shkurt janë më shumë se 140 mjekë të punësuar në spitale dhe qendra shëndetësore, duke përfshirë edhe mjekët specialistë që janë emëruar sipas kontratës me MSHMS në spitalet rajonale, aty ku ishin nevojat për mjekë.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi në qendrën shëndetësore të rehabilituar të Ndroqit, se, me revolucionin digjital, janë më shumë se 59 mijë qytetarë që vetëm nga Janari e deri tani, nuk kanë patur nevojë të paraqiten në sportele për të rinovuar kartën e shëndetit.

LEXO TE PLOTE