Connect with Us

“Numri magjik” i Danbar/ Ja pse një njeri mund të ketë realisht vetëm 150 miq të afërt

Blog

“Numri magjik” i Danbar/ Ja pse një njeri mund të ketë realisht vetëm 150 miq të afërt

Publikuar

-

Nëse jeni refuzuar ndonjëherë në aspektin romantik nga dikush, që ka dashur që të mbeteni miq, mund t’i jeni përgjigjur pak e shumë me një fjali të tillë:”Unë kam tashmë shumë miq!”. Dhe në fakt, ky nuk është thjesht një justifikim. Ekzistojnë disa kufij të mirë-përcaktuar mbi numrin e miqve dhe të njohurve, që mund të mbajë një person i zakonshëm.

Por çështja nëse këto kufij janë të njëjtë në botën e sotme dixhitale – ku është e zakonshme të kesh një profil në mediat sociale apo forume në internet, me mijëra ndjekës – është më e ndërlikuar sesa kaq. Sipas antropologut britanik Robin Danbar, “numri magjik” është 150.

Nga studimet që kreu tek primatët jo-njerëzorë, Danbar u bind se ekziston një raport midis madhësisë së trurit dhe madhësisë së grupit të miqve. Ky numër u zbulua duke përdorur të dhënat e aktivitetit celebral, dhe vëzhguar kohën e kaluar në krijimin e kontakteve me njëri-tjetrin, një sjellje e rëndësishme sociale e primatëve.

Danbar arriti në përfundimin se madhësia e neokorteksit – pjesa e trurit që lidhet me njohjen dhe gjuhën – është e lidhur me madhësinë e një grupi shoqëror koheziv. Danbar dhe kolegët e tij, e zbatuan këtë parim themelor tek njerëzit, duke shqyrtuar të dhënat psikologjike historike, antropologjike dhe bashkëkohore në raport me madhësinë e grupeve. Ata gjetën një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme rreth numrit 150.

Sipas Dunbar dhe shumë studiuesve, rregull i 150 miqve dhe të njohurve, mbetet i vërtetë për shoqëritë e hershme të gjahtarëve-mbledhës, si dhe për një numër të befasishëm grupimesh sociale moderne:zyrat e punës, fabrikay, organizatay ushtarake, fshatrat angleze të shekullit XI, madje edhe kartolinat e dërguara për Krishtlindje.

Përtej numrit 150, nuk ka gjasa të ketë raporte të qëndrueshme. Po sipas kësaj teorie, rrethi më i ngushtë përmban vetëm 5 persona shumë të afërt, familjarë. Kjo pasohet nga shtresa të njëpasnjëshme prej 15 (miqsh të mirë), 50 (miq të zakonshëm), dhe 150 (kontakte kuptimplota), 500 (të njohur) dhe 1500 (njerëz që edhe mund t’i njohësh).

Danbar nuk është i sigurt, se përse këto shifra janë shumëfish i 5, por shton se “numri 5 duket se është themelor edhe për majmunët dhe primatët në përgjithësi”. Tipat e hapur (ekstrovertë), kanë prirjen të kenë një rrjet shoqëror më të madh, ndërsa introvertët përqendrohen në një grupim më të vogël kontaktesh “të ngushta”.

Gratë, kanë në përgjithësi më shumë kontakte brenda shtresave më të afërta. “Ajo që i përcakton këto shtresa në jetën reale, në botën ballë për ballë, është shpeshtësia e kontaktit fizik me këta njerëz. Ju duhet të merrni një vendim çdo ditë, mbi atë se si e kaloni kohën që keni në dispozicion për bashkëveprimet sociale, duket ditur që koha është e kufizuar”- thotë Danbar.

LEXO EDHE:  Ç’po ndodh me Brexit?/ Ja cilat janë skenarët kryesorë

Disa organizata, janë bazuar tek kjo teori. Për shembull, Autoriteti Suedez i Taksave, i ka ristrukturuar zyrat e tyre për të qëndruar brenda pragut të 150 personave. Por ndërkohë, jo të gjithë bien dakord me hipotezën e trurit social.

Në mesin e atyre që pajtohen me këtë teori, ka nga ata që e kundërshtojnë shifrën 150. Hulumtimet mbi grupime të ndryshme sociale në SHBA, sugjerojnë që rrjetet e tyre sociale kanë mesatisht rreth 290 miq. Një argument është se numri i lidhjeve shoqërore normalisht nuk shpërndahet (ose formësohet si kurba e kambanës), kështu që disa njerëz me një numër të madh kontaktesh, mund të dalin jashtë mesatares.

Për shembull, nëse dikush është mjaftueshëm i pasur për të punësuar ndihmës për menaxhuar pjesërisht marrëdhëniet e tyre – ose për të transferuar tek të tjerët disa nga punët më emocionale – ata mund të jenë më pak të kufizuar nga numri i marrëdhënieve që mund të mbajnë.

Ka ndërkohë kritika edhe për numrin e Danbarit mbi baza metodologjike. Madhësitë e trurit të majmunëve, ndikohen përveç kompleksitetit shoqëror edhe nga aspekte të tjera. Ato mund të shpjegohen edhe me faktorë si dietat. Dhe një ekip i përbashkët britaniko-holandez ka argumentuar, që ndonëse neokorteksi është i kufizuar, aftësia sociale mund të shtrihet në ambiente të ndryshme kulturore, edhe me ndihmën e teknologjive të ndryshme.

“Numri magjik” i Danbar, mund të jetë më i aplikueshëm për shoqëritë para-moderne, ose për grupet me të ardhura të mesme në shoqëritë bashkëkohore perëndimore. Ai dhe kolegët e tij, kanë kryer studime në Facebook, duke përdorur faktorë si numri i grupeve ku dërgohen mesazhet e zakonshme private.

Kur njerëzit kanë më shumë se 150 miq në Facebook ose 150 ndjekës në Twitter, argumenton Danbar, këto përfaqësojnë shtresat normale të jashtme të kontakteve (ose lidhje me nivele të ulëta ):500 dhe 1500. Por për shumicën e njerëzve, intimiteti thjesht nuk mund të jetë i mundur përtej 150 lidhjeve./ Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Liberalizmi ka dështuar

Publikuar

-

Nga

Liberalizmi ka dështuar

Nga Patrick J.Deneen “Newsweek”

* Shumica e njerëzve, thonë se një tipar përcaktues i Amerikës, është ai i një kombi liberal. Në një farë mënyre, kjo nuk është e vërtetë për asnjë vend tjetër, shumica e të cilëve kanë njohur forma të ndryshme të qeverisjes dhe të vetë-kuptimit politik.

Konservatorë si Xhorxh Uill dhe Xhonah Goldberg, dhe liberalë si Jasha Munk dhe Barak Obama – pavarësisht dallimeve mes tyre – besojnë se Amerika është liberale, dhe se rruga për të dalë nga kriza jonë politike aktuale, është riparimi i themeleve liberale të vendit.

Ndërsa njerëzit dallojnë në mënyrën sesi e përcaktojnë liberalizmin amerikan, ekziston një konsensus i gjerë se ai fillon me Deklaratën e Pavarësisë. Qeniet njerëzore janë të pajisura me të drejta ose sfera të caktuara të lirisë, të cilat nuk mundet as “të tjetërsohen”, dhe as të zvogëlohen.

Këtu përfshihet “jeta, liria dhe përpjekja për të qenë të lumtur”. Qeveritë janë themeluar për të “garantuar” këto të drejta. Duke i bërë jehonë argumenteve të epokës së Iluminizmit të anglezit Xhon Lok, se njerëzit janë nga natyra “të lirë dhe të pavarur”; duke menduar për ta në një “gjendje natyrore”, ku të jenë në gjendje të bëjnë atë që dëshirojnë.

Sipas një këndvështrimi të tillë të kontratës shoqërore, ne krijojmë qeveri që kufizojnë disa nga të drejtat tona, në mënyrë që të gëzojmë plotësisht të drejtat e tjera. Kjo filozofi u përpoq të rrëzonte një sistem më të vjetër, që e përkufizonte statusin e njerëzve që nga lindja:fisnik ose shërbëtor, aristokrat ose njeri i zakonshëm, mbret apo nënshtetas i mbretit.

Liberalizmi ishte mbi të gjitha një deklaratë e pavarësisë nga çdo identitet që nuk e kemi zgjedhur ne vetë, përqafimi i një kufiri, në të cilin ne ishim thjesht ata që donim. Një nga arsyet pse amerikanët e pëlqejnë librin “The Great Gatsby”, është sepse personazhi kryesor Xhej Getsbi mishëron ëndrrën për t’u bërë një person krejtësisht i ri, për të mos qenë më provinciali i Mes-perëndimit, por financieri i sofistikuar i Nju Jorkut, e kaluara e të cilit është objekt spekulimesh dhe misteresh, ndërsa e ardhmja e tij mund të imagjinohet me lehtësi.

Jam dakord me Xhorxh Uill dhe Xhona Goldberg, se koncepti i vetë-përkufizimit është i ngulitur thellë në psikikën kolektive të Amerikës. Por nga ana tjetër, Amerika dhe establishmenti i saj nuk kanë qenë në asnjë rast peng vetëm të kësaj filozofie, pasi ka pasur shumë trashëgimi, praktika dhe vetë-kuptime të tjera, që e komplikuan dhe madje kundërshtuan këtë filozofi liberale.

Kjo përfshin mbi të gjitha, trashëgiminë fetare të Amerikës, përfshirë Puritanizmin që ishte i pranishëm edhe para themelimit të SHBA-së; sektet e ndryshme protestante që u vendosën në pjesë të ndryshme të vendit; valët migratore të katolikëve që arritën në SHBA në shekujt XIX dhe XX; hebrenjtë që erdhën rreth asaj kohe, dhe që më vonë i shpëtuan fashizmit; dhe së fundmi myslimanët që krijuan bashkësi të reja në të gjithë vendin.

Këto tradita abrahamike, ligjëruan në mënyrat e tyre të ndryshme mësime rrënjësisht të ndryshme për veten tonë:përfshirë besimin se “pavarësia” nga të tjerët dhe nga natyra, nuk është forma e vërtetë e lirisë, por sjellja që e dëboi Satanain nga Parajsa.

Se të drejtat pa misione dhe detyrime më themelore, janë thjesht sulme ndaj të tjerëve;se shoqëria njerëzore dhe qeveria janë të rregulluara dhe drejtuara nga ligjësitë natyrore dhe të përjetshme, që nuk u përkulen pafundësisht tekave të njerëzve.

LEXO EDHE:  Reforma Zgjedhore/ Shehi zbulon lëvizjen e opozitës: Jemi të paqartë, është ngatërruar gjithçka!

LEXO EDHE:  Rishfaqet aleanca ruso-kineze, SHBA dhe aleatët e saj duhet të reagojnë  

Për më tepër, duke jetuar në një sistem politik federal, dhe duke qeverisur veten, ne zhvilluam praktika që e vinin theksin jo thjesht tek të drejtat tona individuale, por edhe tek detyrat dhe përgjegjësitë tona qytetare. Gjatë vizitës në SHBA në vitet 1830, Aleksis dë Tokëvil i lavdëroi amerikanët për pjesëmarrjen e tyre aktive qytetare në vetëqeverisjen lokale.



Por studiuesi francez vuri në dukje se amerikanët prireshin t’i justifikonin veprimet e tyre në drejtim të interesit vetjak, edhe kur ato ishin me frymë publike dhe altruiste. Siç theksoi ai, “ata i bëjnë më shumë nder filozofisë së tyre sesa vetvetes”

Liberalizmi amerikan ishte i mundur, vetëm sepse Amerika nuk ishte plotësisht liberale.

Por sot ne kemi bërë atë që filozofia jonë liberale na imagjinoi të jemi: pa detyrime dhe përgjegjësi ndaj njëri-tjetrit, pa detyrime ndaj brezave të kaluar dhe të ardhshëm, padronë të natyrës, që e konsiderojmë atë si plaçkën vetjake që duhet përdorur dhe abuzuar.

Me dobësimin e fesë, centralizimin e politikës sonë, zgjerimit të tregut global dhe humbjes e përgjegjësisë qytetare, ne kemi krijuar me dashje kushtet e shteti hobesian: të një luftë të të gjithëve kundër të gjithëve.

Për më tepër, ky sistem që u krijua për të rrëzuar sundimin arbitrar të aristokracisë së vjetër, i ka dhënë shumë fuqi një elitë të re të fuqishme. Një sistem që premtoi liri, duke çliruar njerëzit nga njerëzit e tjerë – nga vendi, familja, traditat dhe historia – është dëshmuar ideal për një nënshtresë të vogël njerëzish, që lulëzon në një botë pa kufij dhe të zgjedhjeve të pakufizuara, në mesin e dobësimit të institucioneve tradicionale që dikur na udhëzonin.

Të ashtuquajturit “konservatorë” e çuan më tej tregun e lirë liberal, teksa pretendojnë të mbështesin “vlerat familjare” që minon kapitalizmi i xhunglës; ndërsa të ashtuquajturit progresistë po dominojnë institucionet elitare, siç janë universitetet, ku vjellin përditë vrerin e tyre në formën e egalitarizmit.

Sot elitat në SHBA, janë mbledhur në zona të caktuara të pasura dhe të shtrenjta urbane të vendit, duke mos jetuar më përkrah klasës punëtore, dhe duke i parë këta të fundit me përbuzje dhe përçmim. Ndërkohë, institucionet vendore degraduan, duke dëmtuar veçanërisht perspektivat për një jetë të denjë të atyre që përfshihen në klasën punëtore të të gjitha racave.

Në Uashington kanë qarkulluar prej dekadash elitat e dy partive që mbështesin anët e ndryshme të së njëjtës “monedhë” liberale, duke e zgjeruar tregun global, dhe duke dëmtuar institucionet dhe praktikat fetare, familjare dhe qytetare që janë burimet më jetike të arsimit, lirisë së vërtetë dhe mundësive të barabarta.

Politika jonë sot është bërë kaq konfliktuale, për shkak se liberalizmi ka dështuar. Ashtu si aristokratët e vjetër, disa do të luftojnë edhe sot me egërsi për ta ruajtur këtë sistem nga pakënaqësive në rritje ndaj tij. Por ashtu si liberalët e vjetër -që disa shekuj më parë kërkuan një ndryshim thelbësor, por sot janë shndërruar në establishmentin e korruptuar oligarkik-  energjia dhe debatet më kryesore po zhvillohen midis atyre që kërkojnë të hedhin themelet e një të ardhme post-liberale, dhe jo atyre që na tregojnë se çdo gjë është në rregull, mjaft që të hedhim shikimin në lagjet më elitare të Uashingtonit.

Shënim: Patrick J. Deneen është profesor i shkencave politike në Universitetin Notre Dame, dhe autori i librit “Pse dështoi liberalizmi”.

Marrë me shkurtime/ Përshtatur nga CNA.al

 

LEXO TE PLOTE

Blog

Çfarë fshihet pas vendimit të Erdoganit për Kishën e “Shën Sofisë”

Publikuar

-

Nga

Çfarë fshihet pas vendimit të Erdoganit për Kishën e "Shën Sofisë"

Nga Murat Yetkin “Internazionale”

* Pasditen e datës 10 korrik, disa minuta pas njoftimit të Departamentit të Dhjetë të Këshillit të Shtetit, presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan, shpalli dekretin sipas të cilit muzeu i Shën Sofisë, do të rihapet si xhami për ritet fetare myslimane.

Ky është një vendim historik. Pasi Sulltan Mehmet Pushtuesi e shndërroi bazilikën e lashtë në një xhami në vitin 1453, presidenti Mustafa Kemal Ataturk e përshtati atë në një muze në vitin 1935. Erdogan iu drejtua popullit turk me një deklaratë, që nënvizoi 3 elementë kryesorë.

Së pari, me këtë hap ai arriti një synim politik që ka qenë një prioritet i partive jo vetëm islamike, por edhe atyre konservatore që nga vitet 1930.

Së dyti, ky vendim përbën një paralajmërim për botën e jashtme në lidhje me epërsinë e Turqisë.

Së treti, premtimi për të ruajtur statusin e Shën Sofisë, si pjesë të Trashëgimisë Botërore.

Pra angazhimin për të ruajtur mozaikët e Shën Mërisë, të Jezusit, dhe të engjëjve që ndodhen brenda godinës historike. UNESCO ka paralajmëruar heqjen e Shën Sofisë nga lista e trashëgimisë botërore.

Dhe ky mund të cilësohet si një paralajmërim, për të mos dëmtuar veprat historike në valën e entuziazmit të fitores. Fjalitë që përmbledhin më së miri situatën, janë ato të thëna nga kryetari i parlamentit Mustafa Sentop: “Në idealet e gjeneratës sonë, dhe në ato të shumë brezave para nesh, konvertimi i Shën Sofisë në një xhami ishte një objektiv, një ëndërr”.

Po përse tani?

Megjithatë, vetëm një vit më parë, para zgjedhjeve lokale, për të zbehur sloganin “Le ta hapim Shën Sofinë”, Erdogan iu drejtuar popullatës duke thënë:”Mos bini pre e provokimeve, më parë mbushni xhaminë e Sulltanahmetit, që ndodhet aty para!”.

Disa ditë më vonë, më 18 mars 2019, presidenti ishte edhe më i qartë në një fjalim televiziv: “Dominimi nuk është problem për ne. Por çfarë do të nxjerrim prej tij? Për ne, çmimi do të ishte shumë më i lartë. Të mos harrojmë se tani për tani kemi qindra xhami në shumë vende të botës.

Ata që e kërkojnë këtë gjë, a mendojnë vallë se çfarë mund të ndodhë me ato xhami? Ata nuk e njohin botën. Nuk e dinë se me kë kanë të bëjnë. Prandaj unë si udhëheqës politik, nuk kam humbur toruan deri në pikën që të bie në një grackë të tillë. Ne duhet të jemi të ndjeshëm, të kujdesshëm, dhe të mos biem pre e kësaj loje”.

Dhe çfarë ka ndodhur në këtë kohë të shkurtër, që e bindi presidentin të ndërmarrë një hap, i cili ka shkaktuar reagime të forta në të gjithë botën? Çfarë ka ndryshuar, që e detyroi të ndryshojë qasje? Ne mund të identifikojmë 3 ndryshime kryesore:

Së pari, megjithë mbështetjen e Lëvizjes Nacionaliste (MHP), Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) e Erdoganit, pësoi një humbje të madhe në zgjedhjet lokale të 31 mars 2019, dhe sidomos pas përsëritjes së zgjedhjeve në Stamboll më 23 qershor.

Stambolli dhe Ankaraja janë zhvendosur nga AKP tek Partia Popullore Republikane (CHP).



Pas shumë vitesh, opozita arriti të fitonte mbështetjen e shumicës. Ndërkohë, AKP-ja ka humbur të gjitha avantazhet e administrimit të dy qyteteve më të rëndësishëm në vend.

Së dyti, epidemia e koronavirusit e ka përkeqësuar akoma më shumë situatën tashmë të brishtë ekonomike në vend. Rënia në sektorë si turizmi dhe transporti, ka zvogëluar të ardhurat në buxhet. Sipas një studimi, as politikanët e AKP-së nuk u besojnë më shifrave zyrtare të inflacionit dhe papunësisë, të bëra publike nga Instituti Kombëtar i Statistikave.

LEXO EDHE:  A parapëlqejnë vërtet gratë të martohen me burra të pasur, sesa me ata simpatikë?

LEXO EDHE:  Rishfaqet aleanca ruso-kineze, SHBA dhe aleatët e saj duhet të reagojnë  

Së treti, 2 parti të themeluara nga ish anëtarët e AKP-së, janë tashmë pjesë e skenës politike, duke ndikuar shumë në elektoratin e partisë nacionaliste MHP, por edhe në anëtarësinë e Partisë së Mirë (IYI):Partia e të Ardhmes (Gelecek Partisi) e ish-kryeministrit Ahmet Davutoğlu, dhe partia DEVA e ish-ministrit të Ekonomisë nga rradhët e AKP, Ali Babaçan. Këto 3 zhvillime, kanë ndikuar në mbështetjen ndaj partive qeveritare AKP dhe MHP. Vendimi mbi Shën Sofinë, synon ruajtjen e mbështetjes nga elektorati konservator.

Reagimet nga bota

Ankaraja nuk i merr shumë seriozisht reagimet nga Athina. Greqia mund ta dëmtojë Turqinë vetëm përmes Bashkimit Evropian. Por marrëdhëniet midis Turqisë dhe Brukselit, janë tashmë në minimumin e tyre historik. BE-ja nuk mund të prishë marrëdhëniet me Turqinë, pasi në 10 vitet e fundit marrëdhëniet Ankara-Bruksel, janë mbështetur në formulën “Nuk jam unë, ai që do të të them jo”.

Ndërkohë reagimi nga Shtetet e Bashkuara është më serioz. Pasi gjatë periudhës së zgjedhjeve Donald Trump, u detyrua të dëgjojë lobet armiqësore ndaj Turqisë, shumë me ndikim në Kongres (përfshirë lobin grek).

Por marrëdhëniet midis Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara janë aq të acaruara për momentin, sa një sanksion shtesë nuk do të bënte shumë diferencë. Prandaj konsiderohet një rrezik që nuk ia vlen shumë të ndërmerret. Disa zëra në Ankara, flasin për një lëvizje të mundshme për të qetësuar Kongresin Amerikan përpara zgjedhjeve presidenciale atje.

Problemi më serioz për Ankaranë është reagimi i Rusisë. Ankaraja dhe Moska, kanë një bashkëpunim problematik në Siri, ndërsa janë kundërshtarë në Libi. Dhe kjo teksa ekonomia turke ka nevojë jetike për turistët rusë. Erdogan, që është në kontakt të vazhdueshëm me Vladimir Putin, duket se ka vendosur ta marrë parasysh këtë rrezik.

Po pastaj?

Në një kontekst të ngjashëm, mund të thuhet se çdo hap i ardhshëm i ndërmarrë nga Erdogan, do të ketë si objektiv frenimin e rënies elektorale të AKP-së. Në këtë rast, vendimi mbi Shën Sofinë mund të konsiderohet një sukses. Por ndërkohë, duhet të merren parasysh dy elementë.

Premtimi për të rihapur Shën Sofinë për besimtarët myslimanë, ka qenë një mënyrë e rëndësishme e propagandës për çdo parti të krahut të djathtë në Turqi në çdo palë zgjedhje. Shën Sofia nuk është më një premtim por një realitet. Prej saj mund të nxjerrin përfitime vetëm Erdogan dhe partia e tij.

MHP mund të përfitojë vetëm prej tij si aleat në qeveri. Dikush mund të pyesë se sa do të zgjasë efekti i kësaj lëvizje, dhe sa do të përkthehet ky entuziazëm në vota. Pa një rimëkëmbje serioze të ekonomisë, nuk ka gjasa që ky efekt të zgjasë deri në zgjedhjet që Erdogani mendon se do të mbahen në vitin 2023.

Nga ky këndvështrim, mund të thuhet se është koha ideale që MHP të kërkojë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, para se të ndihen realisht efektet e krizës ekonomike të shkaktuar nga koronavirusi, dhe para se të zhduket efekti i Shën Sofisë. Sipas meje, me ekonominë në këto kushte, nuk do të ishte e arsyeshme të shkohet në zgjedhje.

Por nga ana tjetër, këto ditë ka shumë gjëra që nuk janë të arsyeshme në Turqi. Sa i përket planit ndërkombëtar, thuhet se Erdogan mund të përpiqet të zbusë reagimet negative, duke lejuar rihapjen e shkollës së teologjisë ortodokse në Halki, në ishullin Hejbeliada. Tani për tani ky është vetëm një thashethem, por s’na mbetet gjë tjetër veçse të presim dhe shohim se çfarë do të ndodhë./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Amelia Dajer/ Kush ishte dadoja britanike, që mendohet se ka vrarë 200-400 fëmijë

Publikuar

-

Nga

Anglia e Epokës Viktoriane, nuk ishte një vend dhe aq i sigurt për fëmijët. Madje nuk ishte i tillë as për të rriturit, nëse kemi parasysh një vrasës serial si Xhek Rrjepësi. Harold Shipman (1946-2004), i cili gjatë aktivitetit të tij si mjek, vrau rreth 250 nga pacientët e tij, është konsideruar si vrasësi serial më mizor në Britaninë e Madhe.

Por e harruar në arkivat e policisë dhe gjykatave, është historia e Amelia Dajer, e cila është ndoshta vrasësja seriale më e pamëshirshme e Britanisë së Madhe. Numri i fëmijëve të vrarë nga :”Baby Farmer” (rritësja e fëmijëve) nuk dihet më saktësi, por vlerësohet se mund të shkojë në 200-400 fëmijë.

Rasti i tij, një nga më bujshmit në Epokën Viktoriane, hapi vazon e tmerrshme të Pandorës, duke nxjerrë në pah faktin sesa shumë e përhapur ishte në vend praktika e vrasjes së fëmijëve, dhe nxitur marrjen e masave për t’i mbrojtur ata, edhe në rastin kur adoptoheshin nga një familje e caktuar.

Pohimi se në Anglinë e shekullit XIX infanticidi (vrasja e fëmijëve), ka qenë një praktikë e përhapur nuk është një gjë e tepruar. Një ligj i kohës, që teorikisht duhet të dekurajonte ngjizjen e fëmijëve jashtë martesës, i lejonte baballarët e fëmijëve të lindur jashtë martese të mos kishin detyrimin më minimal për të mbështetur financiarisht rritjen e fëmijës, duke ia lënë këtë barrë vetëm nënës.

Ndërkohë, një nënë beqare nuk kishte shumë zgjedhje:të prostituonte, të vdiste urie, ose “ta bënte një engjëll” fëmijën e saj. Të ashtuquajturat “Baby Farmers” u ofronin një shpresë të fundit një pakice vajzash-nëna të dëshpëruara, edhe pse në realitet ishin të pakta gratë, që nuk e dinin se çfarë fati e priste fëmijën e tyre.

Amelia Dajer, mbeti e ve në moshën 32-vjeçare dhe me një vajzë për të rritur. Ajo nisi në fillim punë si infermiere, por më pas gjatë bisedës me një mami, zbuloi një mënyrë më të lehtë për të fituar jetesën:të mbante, natyrisht në këmbim të pagesës gra të reja të pamartuara që ishin shtatzëna, dhe t’i rriste fëmijët e tyre, derisa ata të jepeshin për adoptim në një familje.



Por pak fëmije e mbërrinin atë moment:mjerisht, në mesin e “rritëseve të fëmijëve”, ishte bërë një praktikë e zakonshme që t’i linin fëmijët të vdisnin urie, duke i mbajtur për një kohë të gjatë në gjumë me alkool dhe opium.

Dajer vendosi t’i përkushtohej këtij aktiviteti, duke shfrytëzuar kualifikimin e saj si infermiere, dhe duke i siguruar një vend të sigurt dhe të ngrohtë fëmijëve fatkeq. Prindërit duhej të paguanin një shumë të konsiderueshme, si dhe të siguronin veshje të përshtatshme. Në një moment, gruaja vendosi se ishte më e rehatshme dhe më me leverdi t’i vriste menjëherë vogëlushët që i ishin besuar t’i rriste, duke i mbytur ata me një fjongo të bardhë, në vend se të priste vdekjen e tyre nga uria. Në vitin 1879, Dajer u akuzua për herë të parë për neglizhencë ndaj fëmijëve, pasi një mjek vuri re një numër vdekjesh shumë të lartë mbi normën, në mesin e fëmijëve që gjendeshin nën kujdesin e tij.

LEXO EDHE:  Rishfaqet aleanca ruso-kineze, SHBA dhe aleatët e saj duhet të reagojnë  

LEXO EDHE:  “Sindroma e tërheqjes”/ Pse Amerika nuk mund të braktisë angazhimet e saj nëpër botë

Pasi vuajti dënimin me 6 muaj punë të detyruar, ajo filloi të ketë probleme të shëndetit mendor dhe prirje për vetëvrasje, gjë që e çoi në përdorimin e shpeshtë të alkoolit dhe opiumit. Dajer iu rikthye gjithsesi aktivitetit të saj të rritëses-vrasëse, duke u përpjekur të shmangë përfshirjen e mjekëve, të cilët si rregull hartonin certifikatën e vdekjes së fëmijëve. Ajo filloi t’i zhdukte vetë kufomat. Për t‘iu shmangur pyetjet e nënave mbi fëmijët e tyre, dhe për të mos i rënë shumë në sy policisë, Amelia ndryshonte shpesh qytetet dhe identitetin e  vet, duke përdorur disa emra të rremë, derisa një ditë u gjet rastësisht trupi i pajetë i foshnjës Elena Fraj në ujërat e lumit Tamiz, viktima e vetme që u arrit të identifikohej.

Fëmija ishte mbështjellë me një letër ambalazhi, në të cilin një polic ia doli të deshifronte një mbishkrim, që nuk ishte asgjë tjetër veçse emri dhe adresa e një gruaje, zonjës Tomas. Hetuesit hodhën dyshimet e tyre mbi Amelia Dajer, dhe zbuluan falë një klienteje të rreme, numrin e madh të birësimeve dhe fitimet e saj të mëdha financiare.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e saj u gjetën shumë prova:marrëveshje financiare, letra të nënave, njoftime për reklamë, dhe mbi të gjitha fjongoja prej stofi, që Dajer përdorte për të mbytur fëmijët, duke ia shtërnguar dy herë rreth qafës.

Pas arrestimit të tij, policia kontrolloi më me imtësi shtratin e lumit Tamiz, duke gjetur edhe 6 trupa të tjerë. Duke bërë një llogaritje se sa fëmijë mund të kishte vrarë Dajer në mbi 20 vite aktivitet, u mbërrit në shifrën e tmerrshme të një minimumi prej 200 fëmijësh dhe maksimumi deri në 400. Pasi u nxor në gjyq më 22 maj 1896, Amelia Dajer u shpall fajtore për vetëm një vrasje, por sërish u dënua me vdekje. Më 10 qershor, ajo u ekzekutua me varje në litar./ Vanillamagazine.it –Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE