Connect with Us

“Koha juaj ka mbaruar”/ Studentët paralajmërojnë rikthimin

Sociale

“Koha juaj ka mbaruar”/ Studentët paralajmërojnë rikthimin

Publikuar

-

Lëvizja studentore ka paraljmëruar sot rikthimin e protestave.

Në një mesazh rrjetet sociale, Lëvizja Studentore ndërsa bën një rezyme të asaj çfarë ka ndodhur në dhjetor 2018, ndër të tjera thekson se organizimi studentor do të vlojë sërish.

“E ndjejmë se lufta për arsim publik falas, dije kritike dhe universitet demokratik është e gjatë dhe nuk e gënjyem veten për asnjë moment se do ia arrinim për dy muaj. Organizimi studentor do të vlojë sërish në universitet për t’u treguar të gjithë impotentëve politikë që qarkullojnë në pushtet dhe opozitë se koha e tyre ka mbaruar me kohë.

Po, universiteti do t’u përkasë edhe një herë universitarëve!”-thuhet ndër të tjera në mesazh.

Postimi i plotë:

Nga Lëvizja Për Universitetin te studentët në lëvizje
/Enriko Peçuli/

E para herë që në Shqipëri u dëgjua për protesta studentore, qysh prej vitit 1991, ishte qershori i vitit 2014. Asokohe qeveria me në krye Edi Ramën kishte gati draftin me projektligjin e ri për arsimin e lartë – draft i ideuar me kohë nga qeveria paraardhëse e Sali Berishës. Pas shumë tentativave për ta kaluar ligjin nën rrogoz, lajmi ra në vesh të universitarëve. Studentë dhe pedagogë filluan të artikulonin rreziqet që vinin nga kjo reformë, duke vënë kryesisht theksin te komercializimi i universiteteve publike dhe kufizimi i aksesit në dije për një shumicë të konsiderueshme të atyre që tashmë ishin studentë dhe atyre që e projektonin veten aty në të ardhmen. Në organizimet e atypëratyshme u pa nevoja për krijimin e një organizimi serioz, që do të bashkonte universitarë dhe jo vetëm, tanimë për të ndalur kalimin e reformës së re, por edhe për të krijuar një kulturë të organizimit studentor. “Lëvizja për Universitetin”, kësisoj, u bë e para e llojit të saj në vendin tonë. Aty filloi një rrugëtim i gjatë me protesta, aksione simbolike dhe një pasuri të gjerë me artikuj, shkrime kritike dhe një manifest* që përmblidhte parimet dhe shtyllat e një Universiteti të ri, më demokratik dhe gjithëpërfshirës. Lëvizja kulmoi në vitin 2015, ndërkohë që reforma shtrohej për diskutim, me organizime protestash prej mijëra vetësh. Parulla ishte “Për Universitetin, Për Shoqërinë!” dhe nënkuptonte që një shoqëri e lirë dhe barazimtare do të filtronte pikësëpari nga një universitet i tillë. Asokohe Lëvizja arriti që diskursin mbi Arsimin Publik Falas dhe universitetin demokratik ta bënte hegjemonik në sferën publike, me qeveritarët që filluan të djersinin dhe ish-qeveritarët që vrapuan për ta përvetësuar artikulimin për universitetin, pa ia arritur dot, për shkak të cektësisë konceptuale dhe ligjërimore në politikë.

Po pastaj? E vërteta është se qysh prej vitit 2016, kohë kur u organizuan protestat e fundit studentore, në diskursin publik thuajse nuk u fol më për universitetin dhe përsëri diskursin e dominuan denoncimet bajate mbi pazaret, drogën dhe ndarjen e tepsisë së pushtetit.

Ç’ndodhi në dhjetorin e 2018-s?

Mëngjesin e 4 dhjetorit të vitit të shkuar, studentët e Fakultetit të Inxhinierisë dhe Arkitekturës organizuan në mënyrë spontane një peticion pasi ishin njoftuar papritmas nga administrata se tanimë do t’u duhej të paguanin tarifë shtesë për çdo provim të mbartur. VKM-ja që e parashikonte këtë tarifë kishte kaluar skuthërisht disa muaj më parë. Ajo konsistonte në tarifimin e çdo krediti që mbart secili provim i mbartur me 670 lekë. Çdo provim ka një minimum prej 4 kreditesh dhe një tavan prej 12 kreditesh, që do të thotë se çmimi për të pasur një sezon vjeshte e tejkalonte vetë tarifën vjetore të universitetit publik. Aty për aty studentët e të gjitha universiteteve publike mësuan se kjo tarifë nuk prekte vetëm Universitetin Politeknik. Lajmi u përhap në mënyrë të rrufeshme, dhe mëngjesin e 5 dhjetorit mijëra studentë pushtuan Rrugën e Durrësit për të protestuar para Ministrisë së Arsimit.

Vetëm për një VKM?

Jeta universitare kishte kohë që po çalonte. Studentët në kryeqytet e kanë të pamundur për të përballuar jetesën pa një punë. Qiratë për shtëpi janë më të shtrenjtat në Evropë në raport me rrogën minimale (26 mijë lekë) dhe infrastruktura e konvikteve është në kushte të mjerueshme. Ligji për arsimin e lartë ka bërë që burokracia brenda universitetit të fitojë pushtet të pakrahasueshëm me peshën e votës studentore, e cila ishte ulur në 10%, dhe tarifat vjetore parashikoheshin të kapnin majat, për shkak të konkurrencës së papërballueshme me ato që u thonë universitete private, pronarët e të cilave e shohin si mënyre për të pastruar paratë dhe për të fituar shpejt dhe “pastër” duke shitur…diploma.

Kështu, që në ditën e parë të vërshimit drejt Ministrisë së Arsimit studentët hartuan aty për aty një listë me kërkesa që shkonin përtej shfuqizimit të VKM-së për provimet e mbartura. U hap një mundësi e artë për të kërkuar ndryshime radikale në jetën universitare. Në nxitim e sipër, një grup studentësh hartuan një dokument me 8 pika*, që në thelb kërkonin përmirësimin e jetës studentore dhe rrëzimin e Ligjit për Arsimin e Lartë. Hapi i parë i qeverisë ishte thirrja për të negociuar kërkesat e parashtruara. Po në mënyrë spontane u dëgjua thirrja e parë dominuese mes shumësisë studentore: “Jo negociata, jo përfaqësi!”. Shembujt e mëparshëm na kishin mësuar se përfaqësitë ishin të korruptueshme dhe se askush nuk mund të merrte tagrin të negocionte në emër të një mase aq të madhe dhe të shumëllojshme studentësh. Kërkesat ishin aty, të panegociueshme aq sa dinjiteti njerëzor. Duke e parë se mundësia e negociatave ishte thuajse e pamundur, qeveria e shfuqizoi VKM-në në mënyrë bujare, duke pritur që tanimë studentët të tërhiqeshin nga rruga e të vazhdonin mësimin normalisht.

Pasi u mor lajmi për shfuqizimin e VKM-së, studentët panë njëri-tjetrin në sy dhe dalluan aty një mundësi për të kërkuar më shumë. Një nga gjërat që nuk ishte parë në Shqipëri ishte që protestat të shtoheshin numerikisht ditë pas dite. Pikërisht kjo ndodh, aq sa më 11 dhjetor Rruga e Durrësit pa rreth 30 mijë vetë në të. Studentë dhe pedagogë nga Tirana dhe qytetet universitare tanimë kishin bllokuar jetën universitare, Rrugën e Durrësit dhe pallavrat mediatike 28-vjeçare. Përpara datës 5 dhjetor, të gjithë kishin përbrendësuar idenë se studentët ishin tejet apatikë, rrinin në kafe, kapaciteti nuk i çonte më larg se të punuarit në call center dhe, për t’i rënë shkurt, se në universitete po rritej një batalion i tërë idiotësh të pavlerë për shoqërinë.

Prej aty filluan të na ftonin në studio televizive, ku vendin kryesor e zinin militantët e partive ose analistët që i shihnim në televizor prej 20 e kusur vitesh tashmë, dhe studentët qëndronin në këmbë, në tokë ose në ndonjë cep të improvizuar. Drejtuesit e emisionit drejtonin pyetje mediokre, pa pritur përgjigje më të zgjuar se aq, dhe analistët shtrëngonin kollaret duke menduar se ata e kishin në xhep tagrin për të folur rreth gjithçkaje. Të gjithë e harruan se skena jone ishte në rrugë. Aty e ngritëm ligjërimin për një universitet përmbajtësisht cilësor dhe, kësisoj, edhe për një shoqëri demokratike përnjëmend.

Po Lëvizja Për Universitetin?

Nëse shumicën e aktorëve që e plotësonin protestën kjo situatë i gjeti disi të papërgatitur, mund ta them me plot siguri se nuk ndodhi gjë e ngjashme me aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin. Lëvizja kishte 5 vite që fliste dhe luftonte për universitetin, për të drejtat e studentëve dhe arsim publik falas. Edhe pse kurrë nuk kishte pasur protestë kaq masive në numër dhe kaq radikale në kërkesa, ne kishim punuar sistematikisht për 5 vjet me aksione, protesta dhe artikulimin e problematikave bashkë me parashtrimin e një manifesti*. Për ditë me radhë parullat dhe këngët e Lëvizjes u përhapën në mënyrë rrufeshme, duke dominuar arenën ligjërimore të protestës dhe sferës publike që filloi të shqetësohej për pniversitetin.

LEXO EDHE:  Studentët e Vlorës i tregojnë vendin Ramës

Vetëm për universitetin?

Një nga elementët më interesantë të kësaj proteste ishte fakti se studentët guxuan të dilnin përtej universitetit, duke shkundur fort themelet e një sistemi të dominuar nga oligarkia në rritje dhe të ndërtuar në kurriz të të papërfaqësuarve, përfshirë këtu edhe studentët, të cilët çdo ditë e më shumë po kthehen në prekariat – të mbikualifikuar, të papunësueshëm dhe të hedhur në një vrimë të errët që e quajnë treg pune, i cili çon drejt papunësie apo punës me mëditje. Kërkesat dhe artikulimi i protestës ishin sistemore sepse cenonin në thelb interesat e pronarëve të universiteteve private, të cilat e kishin hartuar reformën në bashkëpunim me pushtetin. Ishin sistemore sepse gjendeshim në pikën ku veç mund të talleshim keqas me qeveritarët, çka u duk në parullat goditëse dhe refuzimin për të negociuar apo trajtuar ndonjë kërkesë me ta. Ishin sistemore sepse studentët po hidhnin në plehra gjithë “ekspertizën” e intelektualëve rozë dhe kollarexhinjve – që kanë bërë reforma dhe analiza gjithë këto 28 vite, për llogari të pushtetit – për të thënë: “Universitetin tanimë do ta bëjmë vetë. Edhe shoqërinë do ta bëjmë vetë”.

Kush i vuri shkopinjtë nën rrota?

Nëse flet për sistemin në tërësi, këtu në Shqipëri, nuk do të të hidhen në fyt vetëm qeveritarët aktualë, por e gjithë kasta politike. Pikërisht këtë u përpoq të bënte opozita parlamentare, duke hedhur në protestë militantët e vetë partiakë për ta mbajtur atë nën frerë, e për te mos dalë përtej, në kërkesa sistemore; gjithashtu për t’i rënë vetëm Ramës, ndërkohë që studentët e thanë qartë se ishin të zhgënjyer e të zemëruar me gjithë kastën politike. Nëse protesta dukej paqësore së jashtmi,meqë nuk pati asnjë përplasje me ata që mbronin institucionin, përbrenda saj vlonte një konflikt më i thekshëm. Nuk ishte – siç do mendonin shumë – konflikti mes aktivistëve të Lëvizjes Për Universitetin dhe militantëve partiake, por ishte kontradikta mes një ligjërimi që ishte revolucionar në thelbin e vet dhe një artikulimi bosh, që nuk shkonte përtej frazave: “të rrëzojmë Ramën!”,“duam vetting për pedagogët!”, “nuk e kemi problemin me Ligjin!”, të cilat në një farë mënyre kërkonin të bënin gati terrenin që Basha dhe pjesa tjetër e opozitës të fitonin ca pikë në luftën për ndarjen e tepsisë. Kështu, në vend që kontradikta të përqendrohej e gjitha mes studentëve që u kishte ardhur në majë të hundës me mënyrën si po trajtoheshin, ajo u zhvillua në masë më të vogël brenda protestës, me militantët e partive që tentuan ta shtrinin hegjemoninë e tyre pushtetore edhe më dhunë fizike ndaj të tjerëve. Hierarkia pushtetore që tentuam ta zhdukim brenda ambientit universitar na u rishfaq në formën e një gërthitjeje boshe etnofokloriko-nacionalisto-idiote nga bashkëmoshatarët tanë partiakë.

A e shoi kjo protestën?

Kishim ardhur në janar të vitit 2019 dhe kishin kaluar pak ditë nga koha kur Rama shkarkoi 8 ministra nga kabineti i tij, për t’i zëvendësuar me kukulla të komanduara. Kështu, ai tentoi të merrte barrën e luftës i vetëm dhe, pasi kishte prezantuar atë që ai e quante “Pakti për Universitetin” duke mos plotësuar as gjysmën e kërkesave të dhjetorit, kërkonte tashmë ta hidhte topin te vetë universiteti, duke e orientuar inatin studentor aty. Studentët sapo ishin kthyer në fakultete për t’i zaptuar ato. Në disa prej fakulteteve pati edhe ndërhyrje të dhunshme policore, por edhe mobilizime nga anëtarët e forumit rinor të PS për të krijuar idenë se studentët donin të ktheheshin në mësim. Dy kartat që hodhi Rama për t’i frikësuar dhe njëkohësisht për t’u lënë ndonjë kocke atyre ishte kërcënimi se do të humbisnin vitin akademik dhe propozimi “serioz” për zgjedhje brenda universitetit. Po si do të bëhej kjo, kur pesha e votës së një pedagogu ishte përsëri e barazvlefshme me atë të rreth 225 studentëve?!

Fundi i janarit i gjeti shumicën e Fakulteteve në mësim, përveç Fakultetit të Shkencave Sociale, që mbeti “Mohikani i fundit” në luftën për një universitet të ri. Pas tërheqjes së pjesës më të madhe të studentëve prej lodhjes dhe presioneve të qeverisë, edhe studentët e Shkencave Sociale vendosën të ktheheshin në mësim.

Kaq ishte?

Pas shumë pak kohësh, bordet e administrimit të universiteteve publike pranuan kandidaturat e të vetëpropozuarve. Aty kishte ndonjë pedagog që nuk i ishte dëgjuar zëri gjatë protestës, ndonjë gazetar që nuk kishte kurrfarë lidhjeje me universitetin e deri te humoristë televizioni. Zgjedhjet u zhvilluan dhe në fund, përveçse pjesëmarrja në çdo universitet ishte më pak se 30% e numrit total të studentëve, në fund ishte ministria që zgjidhte se cili nga kandidatët do të zgjidhej në borde. E gjitha kjo argumentohej me frazën: “Ne do u mundësojmë studentëve që hallet e tyre të dëgjohen lart e më lart.” Po kërkesat tona ishin të ngrira prej dy muajve dhe kishim qëndruar për dy muaj në rrugë dhe në fakultet duke artikuluar e duke bërtitur për atë që kërkonim.

Arritëm gjë?

Sot, nëntë muaj pas vrullit të protestave studentore që mbajtën një vend të tërë në këmbë me shpresën se studentët do të ndryshonin diçka në realitetin e këtij vendi të ngërthyer nga pabarazitë dhe mungesa e thellë shpresës, në universitet janë përgjysmuar tarifat vetëm për vitin akademik që po lemë pas. Këtu nuk përfshihen studentët e programeve master. Heqja e tarifave është e vlefshme vetëm për studentet në nevojë dhe për ata që kanë mesataren mbi 9, gjithmonë nëse nuk kanë asnjë provim të mbartur për vitin që vjen. Na është mundësuar një kartë studentore që ofron shumë pak shërbime. Ndër to mund të përmendim uljet e çmimeve për bizhuteri apo aksesi falas në hapësirat publike. Megjithatë, përtej rezultateve të menjëhershme, studentët arritën të krijonin një kulturë të shëndoshë organizimi dhe solidariteti midis tyre. Përveçse i treguam njëri-tjetrit se mundësia e organizimit është aty, sot kemi një sindikatë të pedagogëve në Universitetin e Tiranës dhe në Fakultetin e Gjeologji-Minierave. Në fakultete po tentohet krijimi i unioneve studentore demokratike dhe ky vit akademik që po troket do të jetë një pranverë e re në universitete.

E ndjejmë se lufta për arsim publik falas, dije kritike dhe universitet demokratik është e gjatë dhe nuk e gënjyem veten për asnjë moment se do ia arrinim për dy muaj. Organizimi studentor do të vlojë sërish në universitet për t’u treguar të gjithë impotentëve politikë që qarkullojnë në pushtet dhe opozitë se koha e tyre ka mbaruar me kohë.

Po, universiteti do t’u përkasë edhe një herë universitarëve!/ CNA.al

KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Sociale

12 km për një certifikatë! Skandali në Lezhë

Publikuar

-

Nga

Mbi 10 mijë banorë të Balldrenit të Lezhës, u duhet të bëjnë afro 12 km për të marrë një certifikatë, apo një tjetër shërbim nga Zyra e Gjendjes Civile.

Atyre u duhet të udhëtojnë drejt Blinishtit, pasi Zyra e Gjendjes Civile është mbyllur tashme prej një muaji. Shkak për këtë është bërë dalja në pension të punonjëses, ndërkohë që Bashkia e Lezhës dhe Ministria e Brendshme, ende nuk e kanë miratuar zëvëndësuesen e re.

Kjo situatë, ka sjellë shqetësime tek banorët, pasi e gjithë zona duhet të presë që të vijë një zëvëndësuese nga një fshat tjetër.

LEXO EDHE:  Protestat e studentëve/ Nikolla: Tarifat i vendosin universitetet

LEXO EDHE:  Qytetarët vënë me shpatulla pas muri Ramën/ Kush janë deputetët dhe ministrat që kanë blerë diplomat

Administratori i Balldrenit Sandër Marashi, shprehet se instancat shtetërore duhet të gjejnë një zgjidhje, pasi është e papërballueshme të udhëtosh 12 km apo të presësh një herë në jave për një certifikatë.

Në realitet është e mbyllur për 4 ditë sepse ditën e premte vjen një e zyrës së Blinishtit. Ditën e premte kryhen nevojat e qytetarëve. Në realitet krijon problem pasi ka njerëz që kërkojnë shërbimin për sa i përket disa certifikatave. Ish punonjësja ka dal në pension dhe ende nuk është bërë zëvendësimi i saj“, shprehet Marashi për Shqiptarja.com.

LEXO TE PLOTE

Sociale

Pasurimi i liqeneve me peshk, hidhen 300 mijë rasate krapi në Prespë

Publikuar

-

Nga

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural vijon pasurimin e liqeneve të vendit me rasate peshku. Ndalesën e radhës ministri Bledi ÇuÇi e bëri në liqenin e Prespës, ku nisi procesi i hedhjes së rreth 300 mijë rasateve të krapit.

“Sot jemi në liqenin e Prespës ku do të hedhim rreth 300 mijë rasate të krapit, i cili është një krap specifik për ujërat e këtij liqeni. Ky rasat është përgatitur në qendrën që ne kemi këtu. Kjo është një sasi e konsiderueshme për liqenin. Rasati këtu është më i rritur sepse ka nevojë të jetë më i formuar. Besoj se me këtë sasi kemi një pasurim të konsiderueshëm të liqenit. Kjo është një ndihmesë shumë e madhe për peshkatarët. Liqeni i Prespës është model përsa i përket menaxhimit nga Organizata e Peshkatarëve. Nuk ka pothuajse fare gjueti të paligjshme të peshkut”, tha ministri Çuçi.

LEXO EDHE:  Këshillat Studentor marrin vendimin/ Ja çfarë do ndodhë me protestat

LEXO EDHE:  Ish-kryetarja e Parlamentit tregon çfarë fshihet pas protestës së opozitës

Gjatë këtij viti zënia e krapit në liqenin e Prespës është rritur ndjeshëm, duke kapur sasinë rreth 100 kuintalë tregojnë peshkatarët. Javë më parë ministri Çuçi ishte i pranishëm edhe në liqenet e Ohrit dhe Fierzës, ku nisi gjithashtu pasurimi me rasate korani e krapi. Në liqenin e Ohrit sivjet është hedhur sasia më e madhe ndonjëherë; mbi 1.5 milionë rasate korani, ndërsa në Fierzë rreth 160 mijë rasate krapi. Ministria e Bujqësisë do të vijojë mbështetjen për peshkimin, si një prej sektorëve me rritjen më të madhe në vend.

LEXO TE PLOTE

Sociale

Bankat blejnë valutë/ Euro kërcen në nivelin më të lartë në 9 muaj

Publikuar

-

Nga

Monedha e përbashkët është forcuar ndjeshëm në tregun e brendshëm gjatë tre javëve të fundit. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 123.5 lekë, duke u rritur me 0.15 lekë në krahasim me një ditë më parë.

Ky është niveli më i lartë që prej muajit prill të këtij viti.

Që prej datës 1 tetor, euro është forcuar me 1.36 lekë, duke shënuar vetëm dy ditë me rënie të lehtë.

Ekspertët e bankave pohuan se kjo tendencë është e lidhur me kërkesën e bankave për të blerë valutë. Dy banka të mëdha kanë qenë aktive në treg, duke blerë valutë për llogari të klientëve të tyre. Në një rast shuma e blerjes ka qenë e lartë, çka e ka ndikuar kursin.

Ata shtojnë se euro ka qenë e nënvlerësuar, duke u nisur nga parametrat zyrtarë të kërkesë-ofertës, ndaj dhe forcimi i monedhës së përbashkët është normal. Për më tepër që tradicionalisht në këtë periudhë valutat kanë tendencë forcimi.

LEXO EDHE:  “3 fatkeqë, ithtarë të Haxhi Miletit”/ Kujt i referohet Lleshaj?

LEXO EDHE:  Këshillat Studentor marrin vendimin/ Ja çfarë do ndodhë me protestat

Euro është forcuar dhe në tregjet ndërkombëtare, duke u këmbyer me 1.1 dollarë, pasi kishte zbritur në 1.06 dollarë në fillim të tetorit. Euro dhe paundi britanik u forcuan sot ndaj dollarit, pas një raporti që zyrtarët ishin afër një marrëveshjeje për daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian.

Ndryshe nga tregjet europiane, në rritje në tregun e brendshëm ka qenë edhe dollari, që sot u ngjit në 112 lekë, duke iu afruar nivelit më të lartë që nga dhjetorit 2017, që u arrit në ditët e para të tetorit.

Në gusht, monedha e përbashkët zbriti në 120.75 lekë, duke iu afruar nivelit më të ulët historik, ndërsa më pas tendenca ka qenë drejt rritjes.

Kursi mesatar i euros për periudhën 3 janar-16 tetor 2019 është 123 lekë, nga 127.6 lekë, që ishte mesatarja e vitit të kaluar./Monitor

LEXO TE PLOTE