LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Shënim/ Pse fajin për zgjedhjet nuk e ka sistemi?

9 Tetor 2019, 16:22, Opinione CNA
Shënim/ Pse fajin për zgjedhjet nuk e ka sistemi?

Sot në mesditë, koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, ka rënë në një mendje me presidentin Ilir Meta, ish kreu i LSI-së, se përgjegjësi kryesor për situatën dhe krizën politike, që nga post 2008 , është sistemi zgjedhor. Një sistem për të cilin Ilir Meta bëri dhe grevë urie duke pretenduar se ishte shkatërrimtar për të. Por, në fakt, është po ky sistem që e bëri Ilir Metën vërtet polin e tretë politik në vend, me gati 19 deputetë, kur të gjitha forcat e mëdha i kishte kundër, jo shumë larg por dy vite më parë.

E kështu me radhë, lindi LSI-ja në 2009, në fakt si një forcë parlamentare, po nga ky sistem. E është po ky sistem që na prodhoi mandatet e djegura dhe një listë me individë që nuk i’u bindën partisë por hynë në Parlament dhe na treguan se Lulzim Basha vërtetë në vend të përfaqësuesve, të demokratëve dhe të shqiptarëve i kishte mbushur listat me sahanlëpirës, plaçkaxhinj, sharlatan, injorant, të pashkollë e gjithçka ndodhi ndodhej para, ashtu sikundër janë dhe shtresat e rilindjes në krahun tjetër, por nuk shfaqen, nuk flasin e nuk dëgjohen.

Po pse fajin nuk e ka sistemi?

Fajin nuk e ka sistemi për shkak se në Shqipëri problemi nuk është formula, pra mazhoritar, proporcional, mazhoritar i përzier me proporcional, listat e hapura apo listat e mbyllura.

Partitë politike në Shqipëri nuk funksionojnë si organizata të mirëfillta politike ku zgjidhesh, kalon një stad të caktuar, më pas largohesh, ka senate, ka njërëz me eksperiencë, dalin elita të reja e kështu me radhë. Nuk ndodh kështu! Është kryetari që vendos për të gjithë, pra kryetari është bajraktari i partisë. Ai që ka në dorë listat e deputetëve, ai që bën listat e komisionerëve, duke ia deleguar atij të degës, kryetari i degës përveç komisionerëve vendos dhe numëruesit, vendos drejtorët rajonal e kështu me radhë, bashkë me deputetët, e këta krijojnë një kastë të caktuar e cila është e gjitha në shërbim të bajraktarit në krye të partisë.

Prandaj, në thelb, në Shqipëri përtej asaj që artikulohet se sistemi është problem i madh, problem më i madh sot për sot janë kryetarët e partive, janë bajraktarët e tyre të cilët i trajtojnë ato si prona dhe biznese private. Ashtu siç është Edi Rama, ashtu siç është Lulzim Basha, po ashtu siç është dhe Ilir Meta, i cili partinë nuk pati besim t?ia linte më shumë se një muaj Petrit Vasilit, por ia kaloi gruas së tij.

Kështu është dhe Fatmir Mediu, që ka gjithë jetën kryetar, kështu është dhe Dash Shehi që ka gjithë jetën kryetar, kështu është Nard Ndoka, që ka gjithë jetën kryetar e kështu janë shumë e shumë parti në Shqipëri, të cilat janë formuar për të tjera, fillimisht idelale, apo të ndërtuara me të tjera qëllime, por që tani kanë katandisur si një tokë e xanun nga kryetarët e tyre, të cilët nuk lëshojnë një fije peri.

E ky është thelbi i problemit. Çfarëdo lloj sistemi të përdoret në Shqipëri, a nuk ishte mazhoritari me proporcional, që shkaktoi “dushkun”? A nuk ishte proporcionali rajonal, me lista të mbyllura, që na solli këtë Parlament që kemi sot? Këtë palo Parlament që u mbush me kriminel e banditë nga kryetarët e partive, apo budallenj nga ana tjetër.

A nuk ishte sistemi mazhoritar i përzier me proporcional që në zona të drejtëpërdrejta na ka nxjerrë deputetë nga më të fëlliqurit? A nuk ka qenë direkt sistemi mazhoritarë që nëpër bashki u zgjodhën njerëz të inkriminuar, jo vetëm në 30 qershor por dhe në zgjedhjet e kaluara lokale! Prandaj thelbi i problemit është tek bajraktarët, tek kryetarët e partive dhë më pas zbret dhe poshtë tek elektorati, pra tek qytetarët, tek mungesa e një kulture të mirëfilltë politike dhe e një respekti të denjë ndaj votës. Pra shitblerja e saj, pazari që ofrohet nga bajraktarët, por edhe oferta që pranohet për shkak të varfërisë dhe problematikave të thella social-shoqërore.

Mirë do të ishte që kasta politike përtej sistemit të bënte disa hapa të tjerë. Të zgjidhte disa problem të tjera. Pra të kishte një marrëveshje kombëtare në lidhje me sjelljen politike, në lidhje me veprimet dhe aktet politike sesa të bënin hipokritin duke propoganduar se është sistemi ai që po na bëka gjëmën dhe për këtë të na qajë më shumë Ilir Meta i cili krijoi një parti gjobaxhinjsh dhe hajdutësh që sot, pra nga ky sistem, ka 19 deputetë të larguar, ish ministra të korruptuar por edhe 19 të tjerë që kanë hyrë brenda në Parlament që pa folur dhe pa hapur gojën kuptohet se çfarë janë. E më pas janë banditët e Ramës, e më pas vijnë dhe qesharakët e Lulzim Bashës të shitur e të blerë nëpër lista.

Ndaj mirë do të ishte të jenë një herë të sinqertë, e të mos i’a vënë fajin këtij sistemi. Ja ku është sistemi i Kosovës, le ta implementojnë. E kanë dhe sistemin e parë, mazhoritarin me proporcional  të përzierë, le ta provojnë, e kanë dhe këtë sistem që është le ta provojnë. Në çdo lloj forme, në çdo lloj mënyre, sërisht aty askush nuk do të pranojë humbjen, të gjithë do grinden me njëri-tjetrin, deputetët do shiten, listat do të vendosen sipas qejfeve të kryetarëve përsa kohë funksionon një forcë politike, apo shumica e forcave politike si sekte të bajraktarëve që i shfrytëzojnë për qëllime personale

Ky është thelbi i problemit dhe asgjë me shumë se sa kaq./CNA.al

Lajmet e fundit nga