Connect with Us

Bunkerët e miliarderëve/ Si po përgatitet një përqind e popullsisë për fundin e botës

Blog

Bunkerët e miliarderëve/ Si po përgatitet një përqind e popullsisë për fundin e botës

Publikuar

-

Nëse thua “bunkeri i fundjavës”, shumica e njerëzve do ta imagjinonin një dhomë të mbushur me çanta dhe gjëra të konservuara. Kërcënimi nga asgjësimi global, mund të ndjehet i pranishëm sot ashtu si gjatë Luftës së Ftohtë. Por strehimoret e sigurisë së lartë sot, janë shumë më ndryshe nga homologet e tyre të shekullit XX-të.

Një numër kompanish në mbarë botën, janë duke punuar për të plotësuar një kërkesë në rritje për struktura që të mbrojnë nga çdo rrezik, qoftë kjo një pandemi globale, një asteroid, apo Lufta e Tretë Botërore, ndërsa ofrojnë edhe pajisje luksoze.

“Bunkeri i babait ose i gjyshit tuaj, nuk ishte shumë i rehatshëm”- thotë Robert Viçino, një sipërmarrës i pasurive të patundshme dhe drejtues i “Vivos”, një kompani që ndërton dhe administron strehimore luksoze në të gjithë botën. “Ato kishin ngjyrë gri. Ishin prej metali, si një anije ose një pajisje tjetër ushtarake”- shton ai.

Strehimoret e sotme përmbajnë një pishinë dhe një kopsht nëntokësor, me dritë natyrore të simuluar. Shumë nga elitat e botës, bankierët, yjet e sportit, dhe krerët e kompanive të teknologjisë së lartë (thuhet se Bill Gejts ka bunkerë në të gjitha pronat e tij), kanë zgjedhur të porosinin vend-strehimin e tyre sekret, për të strehuar familjet dhe stafin e tyre.

Geri Linç, menaxher i përgjithshëm i kompanisë “Rising S” me seli në Teksas, thotë se shitjet në vitin 2016 të bunkerëve të nëndheshëm me një luks të madh, u rritën me 700 për qind në krahasim me vitin 2015, ndërsa shitjet në tërësi janë rritur me 300 për qind, që nga zgjedhjet e fundit presidenciale amerikane.

Bunkerët prej çeliku, janë dizenjuar të rezistojnë për disa breza. Ato mund të përmbajnë furnizime ushqimore prej të paktën 1 vit, si dhe t’u rezistojnë tërmeteve. Por ndërsa disa duan të izolojnë veten në një bunker, të tjerët preferojnë ta përjetojnë apokalipsin në një mjedis komunitar, që ofron një përvojë pak më pranë botës reale.

Zhvilluesit e strehimoreve komunitare, kanë blerë dhe përshtatur bunkerë ushtarakë të vjetër, dhe baza të lëshimit të raketave bërthamore në SHBA dhe ish-Bashkimin Sovjetik. Këto janë vend-strehime, ndërtimi i të cilave sot do të kushtonte qindra miliona dollarë. Strukturat e fortifikuara, janë krijuar për t’i bërë ballë një sulmi bërthamor. Ato janë të pajisura me sisteme energjitike, të pastrimit të ujit, dhe filtrimit të ajrit.

Shumica kanë magazine, ku mund të futen furnizime ushqimore për një vit ose më shumë. Kompanitë po punojnë për të krijuar bashkësi të konsoliduara, dhe që të kenë në mesin e tyre njerëz mirë me një sërë aftësish të nevojshme për një mbijetesë afatgjatë, nga mjekët te mësuesit.

LEXO EDHE:  Pesë sfidat kryesore, me të cilat përballet sot Evropa

Viçino thotë se Vivos ka modifikuar strehimoren “Vivos xPoint” në Dakotën e Jugut. Ajo përbëhet nga 575 bunkerë ushtarakë, që shërbyen si depo municioni deri në vitin 1967. Aktualisht ajo është duke u shndërruar një strukturë që do të strehojë rreth 5.000 njerëz.

Përshtatja e çdo bunkeri, ka pasur një kosto prej 25.000-200.000 $ secila. Kompleksi do të pajiset me të gjitha komoditetet e një qyteti të vogël, duke përfshirë një teatër, shkollë, klinikë mjekësore, një banjë dhe një palestër.

Për klientët që kërkojnë diçka më të largët dhe më luksoze, kompania ofron “Vivos Europa One”, që njihet si “Arka e Noes e ditëve të sotme”, që ka qenë një objekt i ruajtjes së municioneve të epokës së Luftës së Ftohtë në Gjermani. Struktura, ofron 34 rezidenca private, secila me 2.500 metra katrorë, me opsionin për të shtuar një hapësirë të dytë për gjithsej 5.000 metra katrorë.-shkruan CNN.

Kompleksi i madh përfshin një sistem tramvaji për të transportuar banorët në të gjithë strehimin, ku ata mund të vizitojnë restorantet, teatrin, kafenetë, pishinat dhe zonat e lojërave. Nëse preferoni të kaloni vetëm ose me familjen fundin e botës, mund të preferoni të merrni në konsideratë strehimoren “Oppidum” në Republikën Çeke, që po cilësohet si “bunkeri më i madh i miliarderëve në botë”.

Ai është fryt i një projekti të përbashkët midis ish-Bashkimit Sovjetik dhe Çekosllovakisë, që kërkoi 10 vjet kohë, duke filluar në vitin 1984. Zona e nëndheshme ka një sipërfaqe totale 77.000 metra katrorë. Ndërsa ndarjet e veçanta do të përshtaten sipas porosisë së pronarit, deri tani aty janë ndërtuar një kopsht nëntokësor, pishinë, banjë, kinema dhe një kantinë vere. Ndërsa shumëkush mund t’i cilësojë si të panevojshme objektet e luksit në këto ambiente, sipërmarrësit thotë se ato tipare janë thelbësore për mbijetesën. “Këto strehimore mund të përdoren për një kohë të gjatë, një vit ose më shumë”- thotë Viçino. “Ndaj është më mirë të ndiheni rehat”- përfundon ai./ Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

“Sakrifica” që shpëtoi Wuhanin/ Gjithçka e ngrirë me urdhër nga lart

Publikuar

-

Nga

Mund të merret Kina si model i përgjigjes ndaj epidemisë? Rastet e para të polmonitit “të panjohur” në Wuhan u zbuluan në fillim të dhjetorit; dhe për disa javë autoritetet e nënvlerësuan, më pas e censuruan. Eshtë fakt që prej 23 janarit, qeveria kineze ka vënë në zbatim një eksperiment karantine që nuk është parë kurrë. Pekini ndali ekonominë dhe aktivitetet sociale të të gjithë vendit.

U mbyllën që nga dita e parë e shpalljes së emergjencës në Wuhan dhe në aeroportet e Hubeit, stacionet e trenave të shpejtësisë së lartë, fabrika, zyra, shkolla. Pjesa tjetër e Kinës pezulloi lëvizjet e brendshme. Në Kinë nuk ka patur “apel për arsyen dhe përgjegjshmërinë”, por “urdhëra” për të qëndruar brenda në shtëpi, pa dalë. Pa asnjë falje për fajet dhe vonesat, pa asnjë tolerim nga një sistem politik autoritar, masat konkrete që u morën në Kinë meritojnë të studiohen. Një shembull i vogël: në Kinë kampionati i futbollit, që sjell miliona të ardhura për futbollistët e huaj, u ngri brenda natës. Dhe të paktën për një herë, edhe kjo mungesë debati për temën, që buron prej sistemit autoritar kinez, duhet marrë si model.

Në Kinë edhe sot janë 827 mijë persona në karantinë. Kush hyn në kryeqytet duhet të plotësojë një formular me vendin nga vjen, vndin ku banon, si dhe të marrë angazhim që nuk do të dalë nga shtëpia për 14 ditë. Kjo në Pekin vlen për të huajt dhe kinezët, nuk ka dalim, sepse Kina e di mirë që kur të kalojë epidemia do të ketë sërish nevojë për sipërmarrës, teknikë, docentë të botës së globalizuar. Në Wuhan, prej më shumë se një muaji popullsia nuk mund të dalë nga shtëpia: shpenzimet për ushqime bëhen me porosi online dhe autoritetet kanë organizuar një sistem dorëzimi të porosive tek kangjellat e pallateve, për të kufizuar në maksimum kontaktet.

Nuk ka radhë dhe shpenzime të ekzagjeruara në supermarkete. Ne italianët, mes polemikave dhe mospërputhjeve po ecim drejt modelit kinez. Që ndoshta atje ku nisi gjithçka, po fillon të japë rezultate. Dje, për ditën e dytë radhaz, nuk u regjistruan raste të reja infektimi në Kinë jashtë Wuhanit: vetëm 36 të infektuar në 11 milion banorë.

Propaganda

Propaganda përhap imazhet e spitaleve të hapur posaçërisht për emergjencën, që po mbyllen: 13 nga 14 qendrat speciale nuk duhen më. I fundit do të çmontohet duke nisur nga sot. Wuhani dhe menjëherë më pas Hubei ishin mbyllur në 23 janar dhe për disa javë, çdo ditë janë numëruar mbi 300 të vdekur dhe mijëra të infektuar. Tani jo më. Duhet shpresuar që të dhënat janë të sakta, natyrisht.

Karantina për të paktën 60 milion banorë në Hubei, ndalimi i lëvizjes dhe punës për qindra milionë të tjerë, mbyllja e simboleve të krenarisë historike si Qyteti i Ndaluar, kanë patur një kosto shumë të madhe. Ka frustrim dhe zemërim: të premten në 6 mars, zëvendës kryeministrja Sun Chunlan u kontestua nga njerëzit që thërrisnin nga ballkonet: “Gënjeshtra, vetëm gënjeshtra. Autoritetet gënjejnë”.  Censura urdhëroi shtypin që t’ua vinte fajin “funksionarëve lokalë të panjohur që nuk kishin menaxhuar mirë furnizimet ushqimore për njerëzit në shtëpi, siç urdhëroi qeveria”.

LEXO EDHE:   Korrupsioni, një çështje ende madhore për Bashkimin Evropian

LEXO EDHE:  Misteri që rrethon ende Qefinin e Torinos, pëlhurën me të cilin dyshohet se u varros Krishti

Xinhua ka shkruajtur një lëvdatë të gjatë për shokun president Xi Jinping “që e ka zemrën të pastër si ajo e një fëmije dhe që e vendos gjithmonë popullin në qendër të prioriteteve të tij”.

Në Wuhan u urdhërua një “fushatë mësimi për mirënjohjen ndaj qeverisë”. Tentativa për të rishkruar narrativën është e dukshme: nga e akuzuar, Kina dëshiron që të shfaqet si zonjë e situatës. Xi ngrihet në nivelin e burrështetasit që shpëtoi vendin e tij nga katastrofa shëndetësore dhe ka bërë që pjesa tjetër e botës të fitojë kohë. Tani mbetet për të vendosur nëse masat kineze kanë funksionuar, pas dështimit të fillimit.

Partia-shtet

Pekini për të frenuar epideminë e ndali krejt vendin. Për këtë Partia-Shtet ka premtuar se ekonomia do të kalonte në vdekje klinike. Si mund t’ua japësh këtë siguri miliona sipërmarrësve dhe qindra-miliona punëtorëve? E thjeshtë: Pekini nuk ka turp që të thotë se dora e shtetit do të marrë përsipër kostot e krizës dhe të rimëkëmbjes.

Edhe ne italianët mund ta kemi këtë burim: BE që nuk duhet të dremisë kur Roma kërkon 7.5 miliard Euro më shumë. Unioni me Bankën e vet Qendrore, duhet të sinjalizojë tregjet se Italia dhe vendet e tjera të prekura nga Coronavirusi do të mbështeten pa hezitim (dhe pa ato shprehjet anakronike mbi bilancet). Brukseli duhet t’u thotë tregjeve dhe qytetarëve se dora evropiane nuk do lejojë spread-in që të sulmojë Italinë ndërkohë që kjo lufton me virusin. / Corriere della sera – bota.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Ka nisur “lufta e madhe” e çmimeve të naftës/ Kush do të fitojë?

Publikuar

-

Nga

Nga Nikolas K.Gvosdev “National Interest”

* Kur hynë në fuqi sanksionet e reja amerikane kundër Rusisë vitin e kaluar, presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi se Moska do të hakmerrej në kohën dhe vendin që do të zgjidhte ajo vetë. Prishja e marrëveshjes së OPEC-Plus, dhe provokimi i një lufte çmimesh në sektorin e naftës me Arabinë Saudite, mund të duket si një mënyrë e çuditshme për të reaguar, por edhe në këtë mënyrë mund të ketë brenda një strategji të zgjuar.

Unë besoj se Kremlini po luan fort që deri në fund të këtij viti, të jetë në gjendje që jo vetëm të dëmtojë interesat e Shteteve të Bashkuara, por edhe të rindërtojë partneritetin e tij me Arabinë Saudite. Një nga gabimet kryesore të politikanëve amerikanë, është zakoni i tyre i keq për të shpallur me zë të lartë strategjitë e tyre muaj apo edhe vite përpara se ato të zbatohen, duke iu dhënë kështu kundërshtarëve të tyre mjaftueshëm kohë për t’u përgatitur.

Gjatë 2 viteve të fundit, anëtarët e Kongresit e kanë bërë plotësisht të qartë se projektet ruse që anashkalojnë Ukrainën – gazsjellësit “Stream Turk” dhe “Nordstream 2”- ishin në shënjestër të tyre. Moska u përpoq të shpejtojë përfundimin e këtyre projekteve, përpara se një proces i ngadaltë legjislativ në SHBA-së, të mund të miratonte një raund të ri sanksionesh ndëshkuese. ”Stream Turk” përfundoi në kohë, dhe tashmë po dërgon energjinë ruse në Turqi dhe Evropën e Jugut. Ndërkohë gazjellësi “Nordstream 2”, do të ishte ndërtuar tashmë po të mos ishte për danezët dhe proceset e tyre të mbrojtjes së mjedisit, të cilët e mbajtën peng projektin derisa hynë në fuqi sanksionet amerikane.

Edhe me atë ndihmë – dhe kjo falë një mosmarrëveshje që Danimarka pati për një shitje të mundshme të Grenlandës – Moska pati paralajmërime kaq të shumta në kohë, sa që kërkoi nga kontraktorët e saj evropianë që të fokusoheshin më së pari tek pjesët më sfiduese teknike të gazjellësit.

Kompania ruse “Gazprom”, zotëron aftësinë teknike për të përfunduar projektin sipas kohës së planifikuar. Por “Nordstream”, ka të ngjarë të përfundojë deri në fund të këtij viti. Po, vonesat ishin të mjaftueshme për ta detyruar Rusinë të vazhdojë ta përdorë Ukrainën si një tranzit të eksporteve të saj.

Por pozicioni i Moskës në tregjet evropiane të energjisë, mbetet kryesisht i paprekur. Pra, plani rezervë i SHBA-së ka qenë inkurajimi i evropianëve, teksa “Nordstream” mbetet i papërfunduar, për të blerë sa më shumë energji të prodhuar nga burimet e Amerikës së Veriut.

Në fakt, një pjesë e rëndësishme e strategjisë amerikane, në një epokë të re të konkurrencës mes fuqive të mëdha, është të garojë me Rusinë mbi tregjet e energjisë, dhe të zvogëlojë burimet që Moska mund t’i grumbullojë si eksportuese e madhe e energjisë.

Në fillim, strategjia amerikane gjatë mandatit të dytë të administratës Obama, ishte të inkurajonte Arabinë Saudite të përsëriste performancën e saj të viteve 1980, duke shfrytëzuar aftësinë e vet për të rritur prodhimin dhe ulur çmimin e naftës, në mënyrë që të dëmtonte prodhuesit rusës,

dhe të detyronte Moskën të tërhiqej nga ndërhyrja e saj në Ukrainën Lindore dhe Siri.

Por edhe pse Arabia Saudite uli kostot e prodhimit të energjisë, Riadi nuk mundet që të përballojë shumë gjatë një luftë çmimesh, për shkak të dëmit të madh që kjo do t’i shkakonte buxhetit të këtij vendi.

Arabia Saudite, u zhvendos në mënyrë dramatike nga konkurrenca me Rusinë, drejt një strategjie të re të koordinimit me Rusinë. Në fund, Riadi dhe Moska u bënë boshti i marrëveshjes së re OPEC-Plus, që u nënshkrua enkas për të stabilizuar tregjet globale të energjisë, dhe për të vendosur një çmim “dysheme” për çmimet e energjisë.

LEXO EDHE:  Misteri që rrethon ende Qefinin e Torinos, pëlhurën me të cilin dyshohet se u varros Krishti

LEXO EDHE:  Tomazo Busheta, mafiozi i parë që shkeli Kodin e Heshtjes, dhe çoi në burg qindra anëtarë të Cosa Nostra-s 

Në këmbim të bashkëpunimit, Moska priste që Riadi dhe shtetet e tjera të Gjirit Persik të drejtonin nga ekonomia ruse flukset e tyre financiare, të bllokuara nga sanksionet e SHBA-së. Blerja nga Katari e aksioneve në kompaninë shtetërore ruse “Rosneft”, është një shembull i kësaj qasje.

Por dobësia e saj, ishte “karta e egër” që do të përdorte sektori energjitik në SHBA. Prodhuesit amerikanë, ishin gati të përfitonin nga çmimet më të larta, dhe të mbushnin boshllëqet kur Rusia dhe Arabia Saudite të ulnin prodhimin e tyre.

Në kushtet kur Shtetet e Bashkuara nuk pranuan të bëhen pjesë e marrëveshjes OPEC-Plus, pjesëmarrja e vazhdueshme e Rusisë në të do të mbetet e kushtueshme, sidomos nëse Arabia Saudite vazhdoi të nxisë pajtueshmërinë e Moskës.

Ne kemi parë muajt e fundit një forcim të ri në politikat e Kremlinit, ku Rusia është e gatshme të rrezikojë përshkallëzimin e situatës, në mënyrë që të përfitojë apo të diskreditojë SHBA-në. Bota e ka parë këtë model në Siri përballë Turqisë gjatë javëve të fundit.

Rusët shkelën disa nga vijat e kuqe të Ankarasë, dhe më pas lejuan që Turqia të shihte në çfarë mase mundej të mbështetej ose jo tek Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë. Vetëm atëherë presidenti Rexhep Erdogan, shkoi në Moskë për të rihapur negociatat me Vladimir Putin.

Prodhuesit rusë të energjisë, e ndjenë se ishin në anën humbëse të dyshes Moskë-Rijad. Ata kanë kërkuar prej 1 viti që Rusia të dalë nga kjo marrëveshje. Dhe paniku i krijuar nga koronavirusi, u dha atyre mundësinë të argumentojnë se shkurtimet e mëtejshme të OPEC-Plus, nuk do të bënin asgjë për të parandaluar rënien e çmimeve të energjisë, dhe se Rusia do të vazhdojë të humbasë pjesën e saj të tregut global të energjisë.

Reagimi i sauditëve, ka qenë i ngjashëm. Ata i janë përgjigjur bllofit të Rusisë, duke premtuar të prodhojnë më shumë nafte me çmime edhe më të ulëta. Por rusët kanë ende disa avantazhe: buxheti rus ka ende mundësi të përmbushë objektivat e tij edhe me çmimet shumë më të ulëta të naftës, sesa do ta lejonte buxheti i Arabisë Saudite.

Rusia mund të rrisë eksportet e saj, ndërsa një rritje e eksporteve saudite do të kërkonte më shumë kohë. Për më tepër, Rusia duket se është e gatshme të angazhohet në një tjetër provë përballë metodës amerikane mbi eksportin e energjisë në periudhën e një luftë të gjatë të çmimeve.

Duke pasur parasysh që administrata Trump, nuk ka të ngjarë të blejë sasi të mëdha të prodhimit amerikan me një çmim të lartë, për të garantuar për rezervën strategjike, prodhuesit amerikanë do të përballen me perspektivën e të ardhurave shumë më të ulëta.

Nëse Xho Bajden zgjidhet president, atëherë amerikanët mund të presin të shohin më shumë rregullore mjedisore, duke e dëmtuar më tej prodhimin e naftës në SHBA. A do të ishin sauditët më të prirur të bënin sërish pazare me Moskën? Ndoshta. Një marrëveshje e mirës, varet nga ecuria e marrëdhënieve SHBA-Arabi Saudite, gjatë një lufte të gjatë të çmimeve të naftës./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Koronavirusi dhe fëmijët/ Çfarë duhet të dinë prindërit

Publikuar

-

Nga

Deri tani, e dimë se COVID-19, është një sëmundje e frymëmarrjes që mund të përhapet nga njëri person tek tjetri. Ndërsa situata po evoluon me shumë shpejtësi, dhe ekspertët po mësojnë çdo ditë e më shumë mbi këtë virus, shqetësimet mbi popullatën më të re në moshë, janë ato që mund të “peshojnë” më shumë në mendjet e prindërve.

Ne e dimë se nuk ka asnjë provë, që të sugjerojë se fëmijët janë më të ndjeshëm së të tjerët ndaj koronavirusit, dhe ka disa mundësi pse ndodh kjo. “Skenari i parë, dhe me shumë mundësi më i vërteti, është se fëmijët preken nga COVID-19, por ata kanë një version më të butë të sëmundjes”- thotë Tomas Marrej, specialist i sëmundjeve infektive pediatrike në Universitetin e Jeilit në SHBA.

Mundësi të tjera:ata nuk po ekspozohen, ose janë të ekspozuar, por nuk preken nga virusi. “Duke pasur parasysh se sa shpejt qarkullon virusi, dhe çfarë dimë ne në lidhje me viruset e tjera të frymëmarrjes tek fëmijët, kjo gjë nuk ka gjasa të ndodhë”- thekson dr.Marrej.

Bazuar mbi ato që dihen, duket se fëmijët preken nga COVID-19, por shfaqin një variant më të butë të kësaj sëmundje. Deri më sot, nuk ka pasur vdekje të njohura të raportuara të grupmoshës 0-9 vjeç, dhe ka pasur pak shtrime në spital. Sëmundja duket se prek kryesisht të moshuarit, dhe ata që kanë probleme shëndetësore kronike. Megjithatë, prindërit duan të informohen, dhe të marrin masa paraprake kur kjo është e mundur.

Çfarë masash parandaluese, duhet të marrin prindërit për fëmijët e tyre?

“Lani duart, lani duart, dhe sërish lani duart!”- thotë dr.Marrej. “Fëmijëve u pëlqen të prekin fytyrën e tyre. Hunda, goja dhe sytë, janë të gjitha portat e hyrjes së viruseve në trupin tuaj”-shton ai. Prandaj larja e shpeshtë e duarve, sidomos tek fëmijët e vegjël, është shumë e rëndësishme.

Mbajini fëmijët larg njerëzve të sëmurë, sidomos nëse ata kanë simptoma të frymëmarrjes së rënduar. Dhe nëse fëmijët tuaj janë të sëmurë, mbajini ata në shtëpi. Për COVID-19, një nga gjërat më të rëndësishme për mbajtjen e tij nën kontroll, është të izoloni njerëzit që e bartin tashmë virusin.

Ndërsa nuk është ende e qartë se sa COVID-19 transmetohet nga sipërfaqet e infektuara, ne e dimë se aty mund të gjenden viruse të tjerë që prekin frymëmarrjen. “Ndaj rekomandojmë pastrimin e zonave sipërfaqësore, me produkte që janë dokumentuar si dezinfektues”- deklaron dr.Marrej.

Kur duhet t’i mbani fëmijët në shtëpi?

Përgjigja e shkurtër:sot nuk është shumë më ndryshe, se sa çdo herë tjetër. “Ethet, kolla, simptomat e frymëmarrjes së rënduar, këto janë që të gjitha arsye për të qëndruar në shtëpi”- shprehet Marrej. Dhe nëse keni një fëmijë të prekur nga sëmundje të frymëmarrjes, dhe që ka kontakte të shpeshta me gjyshërit e moshuar, përpiquni t’i shmangni këto konktakte, derisa fëmija të ndjehet më mirë.

Kur duhet t’i telefonojë një prind mjekut?

LEXO EDHE:  Sistemi zgjedhor, mund t’i garantojë fitoren konservatorëve në Britani

LEXO EDHE:   Korrupsioni, një çështje ende madhore për Bashkimin Evropian

Telefononi urgjencën spitalore, nëse e dini më saktësi se keni qenë të ekspozuar ndaj dikujt që është verifikuar si pozitiv me COVID-19, apo nëse keni ethe, temperaturë dhe kollë të fortë. “Nuk është e nevojshme të telefononi mjekun tuaj pediatër për një formë të butë të gripit, pasi mund të jetë ndonjë virozë e zakonshme”- thotë dr.Marrej.

“Sërish, koronavirusi duket se është i butë tek fëmijët, dhe deri më sot ndaj tij nuk ka një kurë të disponueshme. Terapia ndaj infeksionit, shënjestron simptomat që shfaqen:tilenol, ibuprofen dhe hidratim përmes konsumit të lëngjeve të ndryshme siç është për shembull supa e pulës”- thekson ai.

Mjekët, i bëjnë zakonisht thirrje prindërve të shmangin shkuarjen në spital, përveç rastit kur fëmija i tyre ka vërtet nevojë për një kujdes shëndetësor urgjent. Për më tepër shkuarja në spital pa ndonjë arsye të fortë, do të angazhonte me punë mjekët që në fakt duhet të jenë në dispozicion të fëmijëve të tjerë, që kanë vërtet nevojë.

A ndryshojnë simptomat e COVID-19, nga simptomat e gripit të zakonshëm?

COVID-19 shkakton sëmundje të frymëmarrjes, me simptomat që përfshijnë ethet, kollën dhe gulçimet. Simptomat e gripit janë të ngjashme, dhe ato shfaqen zakonisht papritmas. Simptomat përfshijnë ethe më temperaturë më të lartë se 38 gradë celcius, rraskapitje ekstreme, dhimbje të muskujve apo trupit, si dhe të dridhura.

Gripi, veçanërisht i gripi i tipi B, ka prekur shumë fëmijë në mbarë botën këtë vit. “Ne nuk jemi ende jashtë sezonit të gripit stinor”-thotë dr.Marrej. Nëse gripi diagnostikohet që herët, pra brenda 48 orëve të para, atëherë ka disa ilaçe që mund ta ndihmojnë fëmijën tuaj ta marrë veten më shpejt.

“Kjo nuk e shëron në çast gripin, por mund ta bëjë fëmijën tuaj të ndjehet më mirë pak më shpejt”- thotë ai. A ka masa mbrojtëse shtesë, për fëmijët që vuajnë nga sëmundje kronike të frymëmarrjes, si fibroza cistike?. Dr.Marrej thotë se edhe në këto familje, koronavirusi nuk duhet trajtuar ndryshe nga gripi apo sëmundje të tjera shumë ngjitëse të frymëmarrjes. “Lani duart, dhe shmangni kontaktet me njerëzit e sëmurë”- thotë ai.

Paniku, më i dëmshëm se vetë sëmundja

Përgatituni për koronavirusin, por mos u frikësoni deri në panik. Ekziston potenciali për përhapjen e gjerë të sëmundjes, dhe ndoshta ajo nuk mund të jetë dhe aq e rëndë sa gripi, nëse fëmija juaj preket. “Thjesht jini të kujdesshëm. Lani duart. Thelbi është tek frenimi, dhe jo serioziteti i sëmundjes, pasi ajo është diçka e re. Pas 5 vjetësh, koronavirusi mund të jetë njësoj si gripi i zakonshëm”- thotë dr.Marrej. Informacioni mbi të po ndryshon me shpejtësi. Ju mund të konsultoheni në vijimësi mbi to përmes internetit./ Medicalxpress.com-Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE