Connect with Us

Bunkerët e miliarderëve/ Si po përgatitet një përqind e popullsisë për fundin e botës

Blog

Bunkerët e miliarderëve/ Si po përgatitet një përqind e popullsisë për fundin e botës

Publikuar

-

Nëse thua “bunkeri i fundjavës”, shumica e njerëzve do ta imagjinonin një dhomë të mbushur me çanta dhe gjëra të konservuara. Kërcënimi nga asgjësimi global, mund të ndjehet i pranishëm sot ashtu si gjatë Luftës së Ftohtë. Por strehimoret e sigurisë së lartë sot, janë shumë më ndryshe nga homologet e tyre të shekullit XX-të.

Një numër kompanish në mbarë botën, janë duke punuar për të plotësuar një kërkesë në rritje për struktura që të mbrojnë nga çdo rrezik, qoftë kjo një pandemi globale, një asteroid, apo Lufta e Tretë Botërore, ndërsa ofrojnë edhe pajisje luksoze.

“Bunkeri i babait ose i gjyshit tuaj, nuk ishte shumë i rehatshëm”- thotë Robert Viçino, një sipërmarrës i pasurive të patundshme dhe drejtues i “Vivos”, një kompani që ndërton dhe administron strehimore luksoze në të gjithë botën. “Ato kishin ngjyrë gri. Ishin prej metali, si një anije ose një pajisje tjetër ushtarake”- shton ai.

Strehimoret e sotme përmbajnë një pishinë dhe një kopsht nëntokësor, me dritë natyrore të simuluar. Shumë nga elitat e botës, bankierët, yjet e sportit, dhe krerët e kompanive të teknologjisë së lartë (thuhet se Bill Gejts ka bunkerë në të gjitha pronat e tij), kanë zgjedhur të porosinin vend-strehimin e tyre sekret, për të strehuar familjet dhe stafin e tyre.

Geri Linç, menaxher i përgjithshëm i kompanisë “Rising S” me seli në Teksas, thotë se shitjet në vitin 2016 të bunkerëve të nëndheshëm me një luks të madh, u rritën me 700 për qind në krahasim me vitin 2015, ndërsa shitjet në tërësi janë rritur me 300 për qind, që nga zgjedhjet e fundit presidenciale amerikane.

Bunkerët prej çeliku, janë dizenjuar të rezistojnë për disa breza. Ato mund të përmbajnë furnizime ushqimore prej të paktën 1 vit, si dhe t’u rezistojnë tërmeteve. Por ndërsa disa duan të izolojnë veten në një bunker, të tjerët preferojnë ta përjetojnë apokalipsin në një mjedis komunitar, që ofron një përvojë pak më pranë botës reale.

Zhvilluesit e strehimoreve komunitare, kanë blerë dhe përshtatur bunkerë ushtarakë të vjetër, dhe baza të lëshimit të raketave bërthamore në SHBA dhe ish-Bashkimin Sovjetik. Këto janë vend-strehime, ndërtimi i të cilave sot do të kushtonte qindra miliona dollarë. Strukturat e fortifikuara, janë krijuar për t’i bërë ballë një sulmi bërthamor. Ato janë të pajisura me sisteme energjitike, të pastrimit të ujit, dhe filtrimit të ajrit.

Shumica kanë magazine, ku mund të futen furnizime ushqimore për një vit ose më shumë. Kompanitë po punojnë për të krijuar bashkësi të konsoliduara, dhe që të kenë në mesin e tyre njerëz mirë me një sërë aftësish të nevojshme për një mbijetesë afatgjatë, nga mjekët te mësuesit.

LEXO EDHE:  “Numri magjik” i Danbar/ Ja pse një njeri mund të ketë realisht vetëm 150 miq të afërt

Viçino thotë se Vivos ka modifikuar strehimoren “Vivos xPoint” në Dakotën e Jugut. Ajo përbëhet nga 575 bunkerë ushtarakë, që shërbyen si depo municioni deri në vitin 1967. Aktualisht ajo është duke u shndërruar një strukturë që do të strehojë rreth 5.000 njerëz.

Përshtatja e çdo bunkeri, ka pasur një kosto prej 25.000-200.000 $ secila. Kompleksi do të pajiset me të gjitha komoditetet e një qyteti të vogël, duke përfshirë një teatër, shkollë, klinikë mjekësore, një banjë dhe një palestër.

Për klientët që kërkojnë diçka më të largët dhe më luksoze, kompania ofron “Vivos Europa One”, që njihet si “Arka e Noes e ditëve të sotme”, që ka qenë një objekt i ruajtjes së municioneve të epokës së Luftës së Ftohtë në Gjermani. Struktura, ofron 34 rezidenca private, secila me 2.500 metra katrorë, me opsionin për të shtuar një hapësirë të dytë për gjithsej 5.000 metra katrorë.-shkruan CNN.

Kompleksi i madh përfshin një sistem tramvaji për të transportuar banorët në të gjithë strehimin, ku ata mund të vizitojnë restorantet, teatrin, kafenetë, pishinat dhe zonat e lojërave. Nëse preferoni të kaloni vetëm ose me familjen fundin e botës, mund të preferoni të merrni në konsideratë strehimoren “Oppidum” në Republikën Çeke, që po cilësohet si “bunkeri më i madh i miliarderëve në botë”.

Ai është fryt i një projekti të përbashkët midis ish-Bashkimit Sovjetik dhe Çekosllovakisë, që kërkoi 10 vjet kohë, duke filluar në vitin 1984. Zona e nëndheshme ka një sipërfaqe totale 77.000 metra katrorë. Ndërsa ndarjet e veçanta do të përshtaten sipas porosisë së pronarit, deri tani aty janë ndërtuar një kopsht nëntokësor, pishinë, banjë, kinema dhe një kantinë vere. Ndërsa shumëkush mund t’i cilësojë si të panevojshme objektet e luksit në këto ambiente, sipërmarrësit thotë se ato tipare janë thelbësore për mbijetesën. “Këto strehimore mund të përdoren për një kohë të gjatë, një vit ose më shumë”- thotë Viçino. “Ndaj është më mirë të ndiheni rehat”- përfundon ai./ Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

A janë vezët të dobishme për shëndetin tonë, apo shkaktare të sëmundjeve të zemrës?

Publikuar

-

Nga

Nëse do të kishte një ushqim të përsosur, vezët do të ishin pretendentet kryesore. Ato janë lehtësisht të disponueshme, të thjeshta për tu gatuar, kanë një kosto të përballueshme, dhe përmbajnë shumë proteina. “Veza është një ushqim, që përmban të gjithë përbërësit e duhur për rritjen e njeriut”- thotë Kristofer Bleso, profesor i asociuar i shkencës ushqyese në Universitetin e Konektikatit në SHBA.

Konsumi i vezëve bashkë me ushqime të tjera, mund ta ndihmojë trupin tonë të thithë më shumë vitamina. Për shembull, një studim zbuloi se shtimi i një veze në sallatë, mund të rrisë sasinë e vitaminës E që marrim nga sallata.

Por për dekada, ngrënia e vezëve ka qenë një çështje e diskutueshme, për shkak të përmbajtjes së lartë të kolesterolit në të, të cilin disa studime e kanë lidhur me një rrezik të shtuar të sëmundjeve të zemrës. E verdha e vezës, përmban rreth 185 miligram kolesterol, ose më shumë se gjysma e sasisë ditore prej 300 mg kolesterol, që kanë rekomanduar historikisht dietologët në SHBA.

Par a do të thotë kjo që vezët, në vend se të jenë një ushqim ideal për ne, mund të na bëjnë në fakt më shumë dëm? Kolesteroli, një yndyrë në ngjyrë të verdhë i prodhuar në mëlçinë dhe zorrët tona, mund të gjendet në secilën prej qelizave të trupit tonë. Ne zakonisht e mendojmë atë si “të keq”.

Por kolesteroli, është një element kryesor i membranav tona qelizore. Ai është ndërkohë i nevojshëm për prodhimin e vitaminës D, dhe hormoneve të testosteronit dhe estrogjenit nga trupat tanë.Ne e prodhojmë të gjithë kolesterolin që na duhet. Por ai gjendet edhe në produktet shtazore që konsumojmë, përfshirë mishin, vezët, djathin dhe gjalpin.

Kolesteroli transportohet nëpër trupit tone, përmes molekulave lipoproteinike​. Çdo njeri ka një kombinim të ndryshëm të llojeve të ndryshme të lipoproteinave. Dhe përbërja jonë individuale, luan një rol në përcaktimin e rrezikut për të zhvilluar ose jo sëmundje të zemrës.

Kolesteroli me lipoproteinë me densitet të ulët (LDL) – i quajtur si kolesterol “i keq” – transportohet nga mëlçia në arteriet dhe indet e trupit. Studiuesit thonë se kjo mund të sjellë ndërtimin e kolesterolit në enët e gjakut, dhe të rrisë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare .

Por studiuesit nuk e kanë lidhur përfundimisht konsumin e kolesterolit, me një rrezik të shtuar të sëmundjeve kardiovaskulare . Për rrjedhojë, ekspertët në SHBA dhe Britaninë e Madhe, nuk kanë më një kufizim të nivelit kolesterolit. Sot theksi vihet më shumë në kufizimin e konsumit të yndyrnave të ngopura që konsumojmë, dhe që mund të shtojnë rrezikun e shfaqjes së sëmundjeve kardiovaskulare.

Ndërkohë, vezët janë ushqimi i vetëm që përmban shumë kolesterol, por pak yndyrna të ngopura. “Ndërsa kolesteroli në vezë është shumë më i madh, sesa tek mishi dhe produktet e tjera shtazore, yndyra e ngopur e rrit sasinë e kolesterolit në gjak. Kjo është dëshmuar nga shumë studime për shumë vite”-thotë Maria Fernandez, profesore e shkencave ushqyese në Universitetin e Konektikatit në SHBA, studimit i fundit i të cilës nuk zbuloi asnjë lidhje midis konsumit së vezëve, dhe një rreziku të shtuar të sëmundjeve kardiovaskulare.

LEXO EDHE:  A ka një orë të duhur se kur duhet ngrënë?

LEXO EDHE:  “Numri magjik” i Danbar/ Ja pse një njeri mund të ketë realisht vetëm 150 miq të afërt

Diskutimi mbi efektet shëndetësore të vezëve, ka ndryshuar pjesërisht pasi trupat tanë mund ta kompensojnë kolesterolin që konsumojmë. “Për shumicën e njerëzve, kolesteroli dietik mund të mos jetë problem”- thotë Elizabet Xhonson, profesore e asociuar e shkencave ushqyese në Universitetin Tafts në Boston, SHBA.

Pas një rishqyrtimi të 40 studimeve të mëhershme në vitin 2015, Xhonson dhe një ekip studiuesish, nuk mundën të gjenin asnjë provë përfundimtare mbi marrëdhëniet midis kolesterolit dietik dhe sëmundjeve të zemrës. Dhe kur është fjala për vezët, kolesteroli mund të përbëjë edhe më pak rrezik për shëndetin tonë.

“Kolesteroli është më i dëmshëm kur oksidohet në arteriet tona, por oksidimi nuk ndodh me kolesterolin që gjendet tek veza”- thotë Bleso. Ndërkohë kolesteroli me lipoproteinë me densitet të lartë (HDL) udhëton në mëlçi, ku shpërbëhet dhe del nga trupi. HDL mendohet se ka një efekt mbrojtës kundër sëmundjeve kardiovaskulare, duke parandaluar ndërtimin e kolesterolit në gjak.

“Njerëzit duhet të shqetësohen për kolesterolin që qarkullon në gjakun e tyre, pasi është ai që çon në sëmundje të zemrës”- thekson Fernandez. Ajo që ka rëndësi, është raporti mes HDL dhe LDL në trupin tonë, pasi një HDL e ngritur kundërvepron ndaj efekteve negative të LDL.

Por studimi i fundit i bërë publik në fillim të këtij viti, e sfidoi konsensusin e viteve të fundit, se vezët nuk i shkaktojnë asnjë dëm shëndetin tonë. Studiuesit shqyrtuan të dhënat e 30.000 të rriturve për 17 vjet me radhë, dhe zbuluan se çdo gjysmë veze shtesë në ditë, lidhej dukshëm me një rrezik më të lartë të sëmundjeve të zemrës dhe vdekjes së parakohshme.

“Ne zbuluam se për ata që merrnin më shumë kolesterol përtej normës 300 mg në ditë, pavarësisht ushqimit të konsumuar, kishin një rrezik të shtuar prej 17 përqind për t’u prekur nga sëmundjet kardiovaskulare, dhe një rrezik 18 për qind më të lartë të vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet”- thotë Norina Alen, një nga autoret e studimit, profesore në Universitetin Northuestern në Ilinois, SHBA.

Por ky studim, ishte i natyrës vëzhguese, duke mos dhënë indikacione për shkakun dhe efektin. Për më tepër, ai u mbështet në një grup të vetëm të dhënash të vetë-raportuara. Në një kohë që dietat tona ushqimore, mund të ndryshojnë me kalimin e kohës. Gjithsesi, shumica e studimeve sugjerojnë se vezët janë të mira për shëndetin e zemrës./ BBC-Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Si SHBA-ja dhe Irani, mund të bashkëpunojnë mbi “prioritetet e tyre të përbashkëta”

Publikuar

-

Nga

Nga Gary Sick “Responsible Statecraft”

* Afër fundit të fjalës së tij, pas sulmit iranian me raketa mbi bazat amerikane në Irak, presidenti Donald Trump tha:”ISIS-i është një armik natyral i Iranit. Shkatërrimi i ISIS është pozitiv për Iranin, dhe ne duhet të punojmë bashkë mbi këtë dhe prioritete të tjera të përbashkëta”.

Pse vlen të përmendet kjo? Së pari, është e vërtetë. Por, më e rëndësishmja, ky fakt i thjeshtë nuk ishte pranuar kurrë në dijeninë time nga asnjë prej anëtarëve të vjetër të administratës Trump. Ka një prirje për ta shpërfillur këtë deklaratë, si një shprehje sa për larë gojën, në fund të një fjalimi të karakterizuar nga ashpërsia tipike Trumpiane.

Por konteksti kërcënues dhe vetë-shërbyes, i jep asaj edhe më shumë rëndësi. Në politikën ndërkombëtare, mesazhet më interesante dhe potencialisht më pozitive, prezantohen shpesh të mbështjella me helm dhe vrer. Të paktën, kjo deklaratë e saktë dhe faktike, dhe ftesa e hapur për bashkëpunim, i mbijetoi atij që duhet të ketë qenë një proces i frikshëm i shkrimit të fjalimit presidencial atë mëngjes.

Presidenti ose dikush pranë tij, kanë menduar se ia vlen t’i thuhet kjo një audience ndërkombëtare. Pra, le të supozojmë se presidenti Trump e ka seriozisht atë që tha. Natyrisht, ekziston një ironi, të shohësh bashkë Iranin dhe SHBA-në në luftë kundër ISIS-it.

Por është e vërtetë që Irani nxitoi të organizojë një lloj mbrojtje rajonale, kur ISIS nisi të zgjerohet nga baza e tij në Raka të Sirisë 5 vjet më parë. Shtetet e Bashkuara iu bashkuan luftës kundër ISIS-it, duke organizuar një koalicion ndërkombëtar efektiv, që ia doli të zvogëlojë ndjeshëm forcën e Kalifatit deri në fund të vitit 2018, duke vrarë edhe liderin e tij në tetorin e 2019-ës.

Irani vazhdoi të luftojë ISIS-in në të njëjtën periudhë, por koordinimi me koalicionin amerikan ishte i tërthortë, dhe i pavënë re nga shumica e mediave ndërkombëtare. Pjesa realisht e rëndësishme e fjalës së Trump, erdhi pas përmendjes së ISIS:”Ne duhet të punojmë bashkës për këtë dhe prioritetet e tjera të përbashkëta”.

Nëse keni ndjekur marrëdhëniet SHBA-Iran gjatë administratës Trump, do t’iu falet nëse nuk do ta dini që Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë ndonjë interes (prioritet) të përbashkët. Por në fakt është kështu, dhe ja cilat janë ato:

Afganistani

Menjëherë pas sulmeve të 11 Shtatorit, Irani i ofroi shërbimet e tij SHBA-së për të mposhtur talebanët, dhe për të krijuar një qeveri të re të ligjshme në Kabul. Ndërhyrja e Teheranit, ishte jetike për atë proces. Irani vazhdon të ndajë objektivat themelore të SHBA -së në Afganistan dhe mbështet qeverinë e Kabulit po aq sa edhe Uashingtoni. Ndikimi i Iranit në Afganistan, mbetet shumë i fortë. E pse të mos konsultohen?

LEXO EDHE:  Kush janë Masonët, dhe a dallojnë ata nga Iluminati?

LEXO EDHE:  Kush ishte spiuni sovjetik, që vodhi sekretet e bombës atomike amerikane

Jemeni

Arabia Saudite ndërhyri në luftën civile jemenase në vitin 2015, me një koalicion forcash arabe. Irani ka trajnuar dhe mbështetur për fraksionin jemenas Ansarallah (Huthi), në përpjekje për të dëmtuar rivalin e tyre saudit. Gjatë 5 viteve të fundit, lufta në Jemen është shndërruar në katastrofën më të madhe humanitare në botë, duke bërë që Kongresi Amerikan të kundërshtojë shitjet e armëve amerikane për luftëtarët në front. Irani ka shfaqur gatishmëri për të marrë pjesë në një proces paqeje. Një nismë serioze e SHBA-së për të ndërmjetësuar një zgjidhje direkte ose përmes OKB, do të ishte në interesin  të gjitha palëve. Pse të mos provohet?

Veprimet ushtarake dhe politike

Presidenti Trump, ka deklaruar vazhdimisht se dëshiron të zvogëlojë praninë ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme. Irani ka ngacmuar vazhdimisht forcat amerikane në rajon. Ekzistojnë disa rrugë të mundshme, përmes të cilave mund të zvogëlohen rreziqet e përshkallëzimit ushtarak, në dobi të të gjithëve.

Ndoshta duhet filluar me ndërtimin e një linjë telefonike të veçantë mes udhëheqjes së 2 vendeve, dhe/ose një marrëveshje për shmangien e incidenteve në det, siç ndodhi dikur me Bashkimin Sovjetik gjatë kulmit të Luftës së Ftohtë.

SHBA dhe BRSS negociuan krijimin e OSBE-së, që rezultoi një forum i gjerë dhe efektiv për diskutimin e çështjeve me interes dhe shqetësim të ndërsjellë. Lindja e Mesme, ka nevojë për një forum të tillë. Ndërkohë, është e mundur të hulumtohen fushat me interes të mundshëm të ndërsjellë në lidhje me naftën, ndërhyrjen e jashtme në Irak, dhe pikat e tjera të rajonit që SHBA-ja i kanë identifikuar si çështje shqetësuese.

Disa ditë më parë, Departamenti Amerikan i Shtetit, i ka udhëzuar diplomatët amerikanë të kufizojnë kontaktet me 5 grupet disidente, që Irani pretendon se janë përdorur për të promovuar destabilizimin politik të Iranit. Edhe pse kjo duket si një fije shkrepse e ndezur në mesin e një stuhie të madhe, ky njoftim ka të ngjarë të lexohet në Iran si një zhvillim pozitiv.

Këto deklarata që vijnë nga administrata Trump, sugjerojnë se ekziston të paktën njëfarë gatishmërie për të marrë në konsideratë edhe impulse pozitive, për të shoqëruar fushatën e saj të “presionit maksimal”. Ky është një ndryshim i rëndësishëm, që s’duhet të lejohet të kalojë pa u vënë re. Do ta mësojmë se sa serioze mund të jetë kjo nismë, kur dhe nëse fjalët do të përkthehen në veprime konkrete./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Largimi i Princit Harry nga familja/ Pse monarkia britanike nuk do jetë më si më parë

Publikuar

-

Nga

Nga Johanna Ross, “American Herald Tribune”

* Kur Mbretëresha mbajti fjalimin e saj vjetor më rastin e Krishtlindjeve, ajo përmendi “rrugën plot me pengesa”, që kishte kaluar ajo dhe familja e saj gjatë vitit të kaluar. Sigurisht, ajo po i referohej një prej skandaleve më të rënda, që kanë goditur ndonjëherë familjen mbretërore: atë të marrëdhënies së Princit Endrju me pedofilin amerikan Xhefri Epshtein, dhe përpjekjen e tij të gabuar për ta fshehur këtë fakt.

Në intervistën mediatike më të dëmshme për familjen mbretërore, qëkur Princesha Diana zbuloi gjithçka në lidhje me marrëdhënien e saj problematike me princin Çarls në vitet 1990, Princi Endrju dha një intervistë për BBC vitin e kaluar, e cila vulosi edhe fatin e tij: ai s’do të luajë më kurrë të njëjtin rol aktiv në jetën publike.

Por Mbretëresha dukej se nuk ishte shumë e përgatitur ndaj njoftimit se Herri dhe Megan, Duka dhe Dukesha e Sussex, do të ndërprisnin lidhjet e tyre me familjen Mbretërore, dhe do të largohen nga Britania, për t’u bërë financiarisht të pavarur. Mediat raportuan se Mbretëresha nuk ishte në dijeni as të deklaratës së tyre, që u bë publike të mërkurën nga zyra e shtypit e Dukës dhe Dukeshës.

Në njoftimin për mediat, shprehej dëshira e Herrit dhe Megan për të pasur “hapësirë” për jetën familjare, dhe prezantoheshin në detaje planet për të ndarë kohën e tyre mes Britanisë dhe SHBA, vendlindjes së Meghan. Buckingham Palace, reagoi shpejt dhe ashpër 90 minuta më vonë, duke u përpjekur të zbehë natyrën shpërthyese të këtij lajmi, dhe theksuar se ishte “një çështje e ndërlikuar, që do të kërkojë kohë për t’u analizuar”.

Pra qartazi, nuk përshëndeste vendimin e nipit të familjes mbretëtore. Në fakt, ka pasur boll sinjale që tregonin se raporti mes Harrit dhe familjes ishte thyer. Mosshfaqja e Herrit dhe Meganit në fotot familjare me Mbretëreshën ditën e Krishtëlindjes fliste shumë.

Ashtu si dhe vendimi i Dukës dhe Dukeshës për të kaluar Krishtlindjet jo në pallat, por me nënën e Meganit në Kanada. Pastaj ishte fotoja që paraqiste 4 brezat e familjes: Mbretëresha, Princi Charles, Princi Uilliam dhe djali i tij Xhorxh, e cila raportohet se e mërziti shumë Herrin dhe Meganin, për shkak se ishin përjashtuar nga ajo.

Por do të ishte naive të thuhet se vendimi i tyre, për t‘u shkëputur nga familja, ishte një rrufe në qiell të pastër. Le të jemi të sinqertë: Herri ka qenë gjithmonë një rebel, ashtu si nëna e tij dikur. Nga fotografimi i veshur si nazist në një festë kur ishte adoleshent, deri tek fotot nudo brenda një dhome hoteli në Las Vegas, ai i ka shkaktuar familjes mbretërore “pjesën e tij” të telasheve.

LEXO EDHE:  A janë njerëzit qënie racionale?

LEXO EDHE:  Siguria në transport e vlerave monetare/ Banka e Shqipërisë miratoi rregulloren e re pak para vjedhjes në Rinas

Ai nuk u pajtua kurrë me rregullat e familjes mbretërore. Dhe martesa e tij me Megan Markëll, ishte në vetvete testimi i kufijve të tolerancës së Mbretëreshës. Që Princi Herri të martohej me një vajzë me ngjyrë të klasës punëtore nga Los Anxhelosi, do të kishte qenë e paimagjinueshme vetëm disa vjet më parë.

Dhe do të ishte absurde, nëse ndokush do të mendonte se Madhëria e saj dhe Princi Filip, do ta shihnin me simpati këtë lidhje. Ajo nuk do të pranohej kurrë plotësisht në familjen mbretërore. Ajo nuk do të ishte asnjëherë “një prej tyre”. Por nga ana tjetër, as vetë Megan nuk e dëshiron këtë gjë.

Ajo e ka shijuar për disa kohë jetën mbretërore, dhe nuk është jeta që ajo parashikon për familjen e saj të re. Padia që ajo dhe Herri ngritën vitin e kaluar ndaj gazetës “Daily Mail”, për trillimin e “historive të pavërteta”, tregon shkallën në të cilën ata janë duke marrë nën kontroll jetën e tyre. Por është e rëndësishme, që ky veprim të shihet edhe në kontekstin më të gjerë të presioneve mbi monarkinë. Një incident tjetër vitin e kaluar, tregoi se shumë njerëz e konsiderojnë familjen mbretërore një institucion të vjetëruar.

Pezullimi i parlamentit nga Boris Xhonson, akt për të cilin ai duhej të merrte lejen e Mbretëreshës, por që përfundimisht u gjykua si i paligjshëm nga gjykatat, tregoi se sa i pakuptimtë është tashmë roli i Madhërisë së saj. Sepse, nëse edhe vetë Mbretëresha është në mëshirën e prapaskenës së një kryeministri hileqar, atëherë cila është vlera e një kryetari të tillë të shtetit?

Pozicioni i saj është thjesht simbolik, dhe nuk përbën asgjë më shumë sesa një anakronizëm. Gjithnjë e më shumë, njerëzit po pyesin nëse ia vlen që për familjen mbretërore të paguhen miliona paund nga paratë e taksapaguesve, edhe për shkak se kjo shumë është rritur nga viti në vit.

Kësisoj kjo ngjarje, mund të jetë fillimi i një zbehjes së rolit të monarkisë britanike. Dhe Mbretëria e Bashkuar nuk do të ishte rasti i vetëm. Mbreti i Suedisë deklaroi vitin e kaluar, se do të largonte nga shtëpia mbretërore 5 nga nipërit dhe mbesat e tij. Dhe ky veprim ka kuptim: mbijetesa e monarkisë si një institucion, mund të varet pikërisht nga kjo gjë…/ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE