Connect with Us

Raiffeisen Bank dhe Posta Shqiptare nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit për depozitime cash pranë sporteleve të zyrave postare

Ekonomi

Raiffeisen Bank dhe Posta Shqiptare nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit për depozitime cash pranë sporteleve të zyrave postare

Publikuar

-

Raiffeisen Bank ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Postën Shqiptare për shërbimin më të ri që do të ofrojë, për të gjithë klientët e saj, atë të depozitimit cash pranë sporteleve të zyrave postare.

Marrëveshja e bashkëpunimit u nënshkrua nga Drejtori i  Përgjithshëm i Raiffeisen Bank, z. Christian Canacaris dhe Administratori i Postës Shqiptare, z. Laert Duraj.

Nëpërmjet kësaj marrëveshje, Raiffeisen Bank i ofron klientëve të saj mundësinë për të kryer transaksione për depozitime cash në llogari të klientëve të bankës apo në llogaritë e personave të tretë (individë dhe biznese të vogla), në zonat e pa mbuluara nga rrjeti i degëve/agjencive.

Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshje Drejtori i  Përgjithshëm I Raiffeisen Bank Z. Christian Canacaris u shpreh: “Jam shumë i lumtur që pas një pune gati 1 vjeçare nga të dy ekipet, me një dedikim shumë të madh, jemi në gjendje të fillojmë punën në 9 qytete pilot pranë degëve të postës. Dhe për koincidence është edhe 15 vjetori i bankës Raiffeisen dhe kjo më bën akoma edhe me të lumtur që të firmosim këtë marrëveshje së bashku. Do të doja të theksoja se kjo marrëveshje midis dy institucioneve është vetëm fillimi i një bashkëpunimi të gjatë midis Raiffeisen Bank dhe Postes Shqiptare. Edhe njëherë dua të falënderoj të dy ekipet, atë të Raiffeisen dhe të Postës për bashkëpunimin e tyre, që e bënë të mundur finalizimin e këtij momenti”.

Në fjalën e tij Administratori i Postës Shqiptare z. Laert Duraj u shpreh: “Kjo marrëveshje midis Postës Shqiptare dhe Raiffeisen Bank, në thelb ka kryerjen e shërbimeve të depozitimeve cash në sportelet e Postës Shqiptare, për llogari të Raiffeisen Bank, në 9 qytete që banka nuk ka degë të saja. Jam i bindur që ky është hapi i parë i një rrugëtimi të gjatë që Posta Shqiptare dhe Raiffeisen Bank do të kryejnë së bashku, për të ofruar një sërë shërbimesh për qytetarët, duke përfshirë të gjithë gamën e shërbimeve financiare që do të mundemi të ofrojmë. Jam shumë i lumtur që me Raiffeisen Bank po firmosim brenda një kohe të shkurtër marrëveshjen e dytë të bashkëpunimit, e cila për Postën Shqiptare përfaqëson një sfidë të kaluar me sukses, pas muajve të gjatë përgatitje të stafit. Posta Shqiptare tregoi që i përmbush të gjitha standardet e Raiffeisen Bank dhe sot konkretizuam këtë marrëveshje shumë të rëndësishme bashkëpunimi për të dyja palët”.

LEXO EDHE:  Gjuha shqipe/ Ligji hyn në fuqi së bashku me marrëveshjen për emrin

Faza e parë e bashkëpunimit do të aplikohet në 9 zyra postare, në qytetet Memaliaj, Këlcyrë, Poliçan, Fushë-Arrëz, Shëngjin, Rrogozhinë, Maliq, Belsh dhe Delvinë./ CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekonomi

Buxhetit i mungojnë 180 milionë euro nga taksat në 2019-n/ Mosrealizim historik i planit

Publikuar

-

Nga

2019-a u mbyll me të ardhura totale prej 460.3 miliardë lekësh, ose 3.7 miliardë eurosh. Në krahasim me një vit më parë, të ardhurat u rritën me 2.4%. Nëse marrim në konsideratë inflacionin (1.4% mesatarja e 2019-s) dhe rritjen ekonomike (2.7% e pritshme), atëhere rritja reale e të ardhurave është negative, prej -1.7%.

Në krahasim me planin, buxheti është minus me 26.3 miliardë lekë,  nga të cilat 6.3 miliardë lekë nga ndihmat dhe 22 miliardë lekë, ose rreth 180 milionë euro nga të ardhurat e planifikuara tatimore. Sipas të dhënave historike, të përpunuara nga Monitor, ky është niveli më i lartë i mosrealizimit të planit të të ardhurave tatimore, të paktën që nga viti 2009, kur raportohen të dhënat faktike dhe të planit. (shih grafikun).  Mosrealizimi vjen si rrjedhojë e rritjes së ulët të të ardhurave, por dhe planifikimit optimist që bëhet gjithnjë në fillim të vitit. Të dhënat historike tregojnë se vetëm në 2013-n plani është tejkaluar (ndonëse ai ishte caktuar shumë i ulët pasi të ardhurat reale ishin me rënie), në vitet e tjera, të ardhurat tatimore kanë qenë gjithnjë më të ulëta se plani.

TVSH-ja, zëri që sjell më shumë të ardhura në buxhet, kishte dhe mosrealizimin më të madh të planit, me -19 miliardë lekë. Të ardhurta nga TVSH shënuan dhe një rënie vjetore me 7.7% në raport me faktin e një viti më parë. Financat kanë sqaruar se kjo tendencë ka ardhur për shkak të përjashtimit nga TVSH të nënkontraktorëve të TAP, uljes së çmimeve të disa produkteve të importit, mbylljes së lojërave të fatit, zerimi i TVSH-së për produktet bujqësore. Në total, TVSH solli 144 miliardë lekë në buxhet, ose rreth 32% të totalit të buxhetit.

Të ardhurat nga tatim fitimi dhe ato personale ishin me tejkalim plani dhe rritje përkatësish 6.2% dhe 26% në raport me faktin e 2018-s. Rritja e lartë e tatimit të të ardhurave personale u ndikua dhe nga ulja e tatimit për dividendin nga 15 në 8% me efekt prapaveprues që nxiti bizneset të shpërndanin fitimet e mbartura.

LEXO EDHE:  Deputeti i PD e pranon hapur/Pakti Rama-Basha na shkaktoi dëmin më të madh

LEXO EDHE:  Gjuha shqipe/ Ligji hyn në fuqi së bashku me marrëveshjen për emrin

Të ardhurat nga akciz u rritën me 3.6%, ato nga pushteti vendor me 5.7%. Taksa mbi pasurinë ishte në të njëjtat nivele të një viti më parë dhe 1.7 miliardë lekë më pak se plani, teksa zbatimi i formulës së re të taksimit të pronës nuk u vu në zbatim për shkak të vështirësive me identifikimin e vlerës së pasurive.

Sigurimet shoqërore u rritën me 6%, në linjë me planin e fillim vitit.

Të ardhurat jo tatimore u rritën me 15% të ndikuara nga performanca e mirë e institucioneve buxhetore.

Dhjetori, ndikimi nga tërmeti dhe parashikimi jo realist për 2020

Në dhjetor u mblodhën 39 miliardë lekë në total, pak a shumë në të njëjtin nivel me mesataren vjetore, por ecuri u nxit nga ndihmat dhe mbështetja buxhetore pas tërmetit që arritën në rreth 4 miliardë lekë.

Të ardhurat tatimore në dhjetor ishin 31 miliardë lekë, duke qenë shumë poshtë mesatares prej gati 36 miliardë lekësh të 11 muajve të mëparshëm dhe planit prej 42 miliardë lekësh të parashikuar në fillim të vitit.

Për vitin 2020, parashikimi në buxhet mbetet për një nivel të ardhurash tatimore prej gati 500 miliardë lekësh, ose rreth 40 miliardë lekë më shumë se fakti i 2019-s, që praktikisht duket i paarritshëm, duke pasur parasysh që në 2019-n, një vit normal pa goditjen e tërmetit, të ardhurat ishin vetëm 11 miliardë lekë më pak se një vit më parë.

Në vlerë absolute të ardhurat tatimore u rritën me vetëm 7 miliardë lekë në 2019-n, më e ulëta që nga 2015-a (shih grafikun). Për 2020-n parashikohet që të ardhurat tatimore të rriten me 39 miliardë lekë në raport me 2019-n, një parashikim jo realist duke pasur parasysh ekonominë e dobësuar nga tërmeti. Një rritje e tillë është konstatuar vetëm në 2014-n, periudhë që u shoqërua me një rritje të ndjeshme taksash për biznesin e madh!

Në momentin që të ardhurat nuk realizohen, qeveria është e detyruar të shkurtojë shpenzimet e planifikuara, në mënyrë që të ruajë parametrat e deficitit,  ku ato që preken janë investimet kapitale./ Monitor

 

 

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

Bizneseve të Tiranës u rriten me 15-64% tarifat e pastrimit/ U ndikuan dhe nga koncesioni i inceneratorit

Publikuar

-

Nga

Bizneseve të mëdha e të vogla të Tiranës u kanë dalë në sistem tarifat e reja të pastrimit, të cilat kanë qenë në rritje në raport me vitet e mëparshme. Sipas faturave, që disa subjekte kanë dërguar pranë redaksisë së Monitor, për disa kategori biznesi, tarifa vjetore e pastrimit është 85,100 lekë, nga 74 mijë lekë që ishte në vitet e mëparshme (shiko faturën në fund), me një rritje prej 15%, për disa kategori të tjera (biznesi i vogël me xhiro nga 2-8 mln lekë) rritja është nga 10 mijë në 11,500 lekë, po me rritje 15%.

Rritja është më e lartë në përqindje për bizneset e vogla, me xhiro nga 0-2 mln lekë në vit. Për këtë kategori, tarifa është rritur me rreth 64%, nga 3,500 lekë në 5,750 lekë. Vetëm për disa kategori si shërbimet e fotokopjimit, sallonet e bukurisë, agjencitë valutore, transport etj, tarifa e pastrimit është 4 mijë lekë.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Taksave Bashkiake në Tiranë thanë se paketa e re ka pasur ulje për bizneset e vogla në lidhje me taksën e përkohshme të infrastrukturës Arsimore dhe rritje në disa raste në tarifën e pastrimit.

Për subjektet e vogla, është ulur taksa e infrastrukturës arsimore, nga 3,500 në 2,500 lekë, por rritja e tarifës së pastrimit është më e lartë, duke bërë që në total për këto dy taksa, bizneset të paguajnë 1,250 lekë më shumë.

Këto tarifa të reja bazohen në vendimin 158 të Këshillit Bashkiak, të marrë në datën 26.12.2019 (shiko në fund tabelën e plotë të tarifave).

Rritja, ndonëse më e lehtë është dhe për familjarët, nga 5,000 lekë në vit që paguanin më parë në 5,750 lekë, ose 15% më shumë.

Për zonat administrative Dajt, Farkë, Kashar, rritja është me 300 lekë (nga 2,000 në 2,300 lekë), ose 15% dhe për njësitë e Berzhitë, Baldushk,  Petrelë, Vaqarr, Pezë, Ndroq, Krabë, Shëngjergj, Zall-Herr, Zall-Bastar, tarifa e pastrimit nga 1,000 lekë bëhet 1,150 lekë.

LEXO EDHE:  Gjuha shqipe/ Ligji hyn në fuqi së bashku me marrëveshjen për emrin

LEXO EDHE:  Si e priti LSI marrëveshjen Rama-Basha?!/Vjen reagimi i parë

Rritja nga inceneratori

Në relacionin e Programit Buxhetor Afatmesëm, 2020-2022 të Bashkisë Tiranë argumentohet nevoja për rritjen e tarifave, me rritjen e kostos së shërbimit të lidhur edhe me zbatimin e kontratës koncesionare të inceneratorit. “Në bazë të analizës së kostos së shërbimit të pastrimit dhe përpunimit te mbetjeve është evidentuar një diferencë e theksuar mes kostos së shërbimit dhe të ardhurave të arkëtuara për mbulimin e tij. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht për shkak të hyrjes në fuqi të kontratës së inceneratorit në vitin 2018 , në bazë të PPP të realizuar nga Qeveria Shqiptare dhe që po zbatohet nga Bashkitë e qarkut të Tiranës.

Gjithashtu një rritje e konsiderueshme vërehet edhe në koston operative vjetore të Bashkisë Tiranë për menaxhimin e këtij shërbimi. Për sa më sipër është vlerësuar e nevojshme rishikimi i nivelit të tarifës për të gjitha kategoritë, në mënyrë që të lehtësohet mbulimi i kostove të cilat janë në rritje cdo vit, pa arritur mbulimin total të saj, dhe në mënyrë të tillë që të mos ketë një rritje të theksuar në barrën fiskale të kategorive duke synuar një shpërndarje të drejtë të kësaj barre në përputhje me impaktin që secila prej këtyre kategorive mbart”, thuhet në relacionin e bashkisë.

Për vitin 2020, bashkia Tiranë pret që të mbledhë gati 2.2 miliardë lekë nga tarifa e pastrimit, me një rritje prej 17% në krahasim me një vit më parë, e argumentuar në relacion kryesisht me rritjen e tarifave./ Monitor

Link i tarifave të vjetra  https://www.tirana.al/uploads/2019/5/20190516094900_vendim-nr59-sistemi-i-taksave-dhe-tarifave-vendore.pdf

Link i tarifave të reja (VKB 158)  https://www.tirana.al/kategoria-e-publikimit/2019

Tarifat e reja të pastrimit

 

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

1.15 miliard euro për rindërtim/ Malaj: Kreditë e buta janë borxh që i shtohen ekonomisë shqiptare

Publikuar

-

Nga

Gjatë konferencës së donatorëve të zhvilluar dje në Bruksel, Shqipëria arriti të grumbullojë 1 miliarde e 150 milionë euro për rindërtimin.

Ekspertët kanë kërkuar transparencë për fondet e përfituara në Konferencën e Donatorëve.
Ish ministri i FInancave, Arben Malaj, theksoi se kreditë e buta janë borxh që i shtohen ekonomisë shqiptare. Sipas tij, qeveria duhet që të bëjë publike të gjitha efektet e kredive dhe impaktin që ato mund të kenë në nivelin e borxhit.

“Kushtet e kredisë duhen specifikuar. Qeveria në një peruidhë sa më të afërt duhet të tregojë sa dha çdo vend, sa ishte grant nga secili vend, dhe sa ishte kredi, me çfarë termash është kredia. Qeverisë gjithashtu do i duhet punë e madhe për të bërë përputhjen se ku donatorët kanë preferuar ti japin donacionet e tyre, edhe kjo punë kërkon kohën e saj”, tha Malaj për Abc News.

Edhe eksperti i ekonomisë Adrian Civici shprehet se kreditë e buta nga institucionet financiare dhe nga vendet europiane do të shlyhen nga xhepat e qytetarëve shqiptarë.

LEXO EDHE:  Rama dhe Basha gati për zgjidhje në tavolinë/ Zbulohen detajet e marrëveshjes

LEXO EDHE:  Deputeti i PD e pranon hapur/Pakti Rama-Basha na shkaktoi dëmin më të madh

“Përfshirja e këtyre kredive të buta si pjesë e borxhit duhet të bëhet me vendim parlamenti për tavanin e borxhit. Direkt apo indirekt këto kredi janë borxh publik sepse pavarësisht kohëzgjatjes dhe normave të interesit të ulta pjesa tjetër e menaxhimit nga pikëpamja financiare është ngjashëm me borxhin e shtetit”, thotë Civici.

LEXO TE PLOTE