Connect with Us

Demokracia po sulmohet/ A do të luftojë sërish Evropa për ta mbrojtur?

Blog

Demokracia po sulmohet/ A do të luftojë sërish Evropa për ta mbrojtur?

Publikuar

-

Nga Noah Barkin “Foreign Policy”

* Në fillim të muajit gusht, teksa po shtoheshin spekulimet se ushtria kineze po përgatitet të shtypë me dhunë protestat pro-demokracisë në Hong Kong, presidenti amerikan Donald Trump u pyet nëse ishte i shqetësuar për situatën atje. “Hong Kongu, është një pjesë e Kinës. Ata duhet të merren vetë me zgjidhjen e situatës atje”- u tha ai gazetarëve nga kopshti i Shtëpisë së Bardhë.

Ky qëndrim i Trump, habiti shumë politikanë në kryeqytetet evropiane, që po ndiqnin me vëmendje ngjarjet në Hong Kong. Udhëheqësi i supozuar i botës së lirë, i dha Pekinit jo vetëm “dritën jeshile” për të bërë atë që do, por me atë qasje, ai shtoi presionin ndaj Bashkimit Evropian dhe vendeve të saj anëtare të saj, për t’u pozicionuar qartë mbi këtë çështje.

Evropa e ndjeu se duhej të denonconte shkeljet e të drejtave të njeriut, dhe të pozocionohej në krah të demokracisë. E megjithatë, BE-së iu deshën gati dy javë, që të dilte me një deklaratë të shkurtër mbi situatën. Dhe larg një deklarate të fortë denoncuese, Brukseli i nxiste që të dy palët të tregoheshin të përmbajtura.

Për protestuesit, ky qëndrim i BE-së ishte si një dush i ftohtë. Traktatet themeltare të unionit, e rendisin promovimin dhe mbrojtjen e demokracisë, si brenda Evropës ashtu edhe përtej kufijve të saj, si një nga misionet kryesore. Shtatë vjet më parë, BE fitoi çmimin Nobel pikërisht për përparimin e paqes, demokracisë dhe të drejtave të njeriut brenda unionit.

Para ardhjes së Trump në Shtëpinë e Bardhë, BE mund të qëndronte qetësisht në rradhën e dytë, e sigurt se Uashingtoni nuk do të ngurronte të mbështeste i pari lëvizjet demokratike nëpër botë, dhe të përdorte fuqinë e ashpër që nevojitej, për të mbështetur kërkesat e tyre.

Në fakt, SHBA-ja financon ende programet e ndihmës pro-demokracisë. Dhe disa anëtarë të administratës Trump dhe Kongresit, po vazhdojnë të flasin në favor të demokracisë. Por sot, me protestat e ashpra në Hong Kong, si dhe në vende autokratike si Algjeria dhe Egjipti, dhe me forcat antidemokratike që po shumohen në të gjithë botën, BE-ja po përballet me një presion më të madh për të folur me zë të lartë për vlerat demokratike liberale, që pretendon se i ka të shenjta. Nëse këtë nuk e bën Evropa, atëherë kush?

“Ajo që ne kemi parë në Evropë gjatë dekadës së kaluar, është një forcim i konsiderueshëm i retorikës mbi demokracinë”- thotë Roza Balfur, anëtare e “German Marshall Fund”, një think-tank i njohur evropian. “Në nivelet më të larta politike, ndaj kësaj qasje ka shumë kujdes. Kërkohet që BE-ja të flasë me zë të lartë. Por kjo nuk po ndodh”- thekson ajo.

Dhe mos harroni se 30 vjet më parë, situata ishte shumë ndryshe. Rënia e Murit të Berlinit, dhe shembja pasuese e Bashkimit Sovjetik, ndezën një lloj vrulli demokratik në mbarë kontinentin, duke i hapur rrugën një epokë të re të zgjerimit të BE-së. Pastaj në vitin 2008, shpërtheu kriza financiare globale.

Erdhën paketat financiare të shpëtimit, që e përçanë eurozonën, zhgënjimi me kryengritjet e Pranverës Arabe, aneksimi i Krimesë nga Rusia, kriza e refugjatëve në Evropë dhe votimi i Britanisë për të dalë nga BE. Rrugës Evropa pësoi një degradim të demokracisë, sidomos në Hungari dhe Poloni, teksa nisi të ketë probleme me populizmin e djathtë.

LEXO EDHE:  Beteja e Tik Tok me Donald Trump/ Kina për mbylljen e aplikacionit

Me vendin kandidat më të madh, Turqinë, që po i largohet Perëndimit nën udhëheqjen autoritare të Rexhep Tajip Erdoganit, zgjerimi i BE-së u la në harresë. Sipas “Freedom House”, liritë janë qenë në tërheqje në mbarë botën që nga viti 2005, nga demokracitë e vjetra si Shtetet e Bashkuara, deri tek regjimet si Kina dhe Rusia.

Një studim i prillit 2019 nga Qendra Kërkimore Pew, solli një lajm po aq shqetësues:në 27 vende, mbi 51 për qind e të anketuarve, janë të pakënaqur me mënyrën se si po funksiononte demokracia në vendin e tyre. Në këto kushte, a është realiste të presësh që një Evropë, e dobësuar dhe e përçarë nga një dekadë krizë, ta frenojë këtë “baticë” në rritje?

Ndoshta jo. Por një studim i fundit nga think-tanku “Carnegie Europe”, argumenton se unioni mund dhe duhet që të bëjë shumë më tepër. Vitin që vjen, vendet anëtare të BE-së, pritet të zbulojnë një plan të përditësuar veprimi për të mbështetur demokracinë, e cila mund të jetë një mundësi që Evropa të rikthehet në njërën prej vlerave themelore të saj.

Suedia ka shpallur këtë vit fushatën e saj për “nxitjen e demokracisë”. Hollandezët po ushtrojnë presion që BE të miratojë një ligj të ngjashëm me Aktin Manjicki në SHBA, që do të vendoste sanksione ndaj individëve, të cilat janë fajtorë për abuzimet me të drejtat e njeriut.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Mas, ka promovuar idenë e një “aleance për multilateralizmin”. Dhe qeveria gjermane, ra dakord muajin e kaluar, për të zgjatur një embargo armësh ndaj Arabisë Saudite, të vendosur pas vrasjes së gazetarit Xhamal Kashoxhi.

Por duke synuar interesa ekonomike dhe strategjike më të gjera, udhëheqësit evropianë kanë mbrojtur shpesh “bastet” e tyre, kur është fjala fjalë për demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

Në maj të këtij viti, qeveritë evropiane, përfshirë ato të Gjermanisë dhe Francës, mbështetën rikthimin e Rusisë si anëtare më të drejtë vote në Këshillin e Evropës, organizata kryesore e të drejtave të njeriut në kontinent, megjithë mbështetjen e vazhdueshme që u jep Moska separatistëve në Ukrainën Lindore.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe konservatorët e tjerë, kanë preferuar të mbajnë në gjirin e tyre ‘djalin e keq’ të BE-së Viktor Orban, në vend se ta ndëshkojnë atë për sulmet ndaj mediave, pakicave dhe sundimit të ligjit në Hungari. Muajin e kaluar, Merkel vizitoi për 2 ditë Kinën, pa përmendur në asnjë rast arrestimin nga Pekini të më shumë se 1 milionë myslimanëve në rajonin perëndimor, Xinjiang.

Hedhër Grejb, drejtore e Institutit Evropian për Politika Evropiane në Fondacionin e Shoqërisë së Hapur me seli në Bruksel, thotë se brenda BE-së ekzistojnë 2 shkolla sa i përket mënyrës së promovimit të demokracisë, në një epokë të udhëheqësve të dorës së fortë si Trump, Vladimir Putin dhe Xi Jinping.

“E para është t’i përdorni institucionet për të promovuar në mënyrë aktive demokracinë, dhe të shpresoni ta kaloni këtë periudhë sfiduese. E dyta është ajo që rekomandon tërheqjen, dhe mos të folurit shumë për demokracinë. Ka ardhur koha që Evropa të vendosë, se cilën rrugë dëshiron të ndjekë”- thekson ajo. Me tërheqjen e SHBA-së nga një rol aktiv nën presidentin Trump, lëvizjet demokratike kanë dëshpërimisht shumë nevojë që dikush të zërë vendin e saj./ Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

“Bandat” zëvendësojnë rregullat në rendin e ri global

Publikuar

-

Nga

Nga Philip Stephens, “Financial Times”

Epoka e internacionalizmit liberal i ka hapur rrugën rikthimin e rivalitetit të madh për pushtet. Faktet e ndërvarësisë globale janë të njëjta -shihni përçmimin për kufijtë shtetërorë të treguar nga Covid-19 dhe ndryshimin e klimës. Por rishpërndarja e fuqisë globale, e ka ndryshuar “motin” gjeopolitik.

Pafuqia kombëtare është duke u provuar të jetë një frenues i dobët në ngritjen e nacionalizmit. Tani për tani, bota qëndron në pozitën interesante të “tokës së askujt” – ende e lidhur me institucionet e njohura shumëpalëshe, por me fuqitë e mëdha që po përplasen në një betejë rreth kontureve të peizazhit të ri gjeopolitik. Fuqitë jo aq të mëdha do të përballen me një presion në rritje për të marrë anë.

A do të jenë me SHBA-në apo me Kinën? Historianët do të shkruajnë kalimthi se ky ishte një moment vërtetë i çuditshëm që zgjodhi një fuqi mesatare si Britania,për t’u larguar nga Bashkimi Evropian. Një Kinë e guximshme në rritje, dhe një Rusi e zemëruar në rënie, nuk janë të gatshme në thelb që të pranojnë një rend global, të cilin ata e akuzojnë se është llogaritur që të përjetësojë hegjemoninë perëndimore.

Xi Jinping dëshiron ta vendosë Kinën në qendër të skenës globale. Rusia e Vladimir Putin dëshiron të rikthejë sferën e ndikimit në hapësirën ish-sovjetike. Efekti i përgjithshëm është zëvendësimi nga “bandat rivale”i rregullave shumëpalëshe.

Disa kombe do të ulen në gardhin përbri; të tjerët do të përpiqen të mbajnë një marrëdhënie të privilegjuar ekonomike me Kinën, ndërsa do të mbeten ende të fshehur pas mburojës së sigurisë së Uashingtonit. Shumë prej tyre e kanë bërë tashmë zgjedhjen e tyre.

Këto kohë është në mode të thuash se autokratët kryesojnë ngado. Dhe është e vërtetë që mungesa e opozitës së brendshme do të thotë që Xi i Kinës dhe Putin i Rusisë mund të veprojnë me një farë mosndëshkimi relativ. Por kur është fjala tek bandat, prioriteti qëndron tek Perëndimi.

Joe Biden ka një karrierë të gjatë politike. Ai e vlerëson rendin e vjetër. Dhe ka shumë arsye të forta për këtë. Periudha midis viteve 1945-2000, solli një rreshtim pothuajse të përsosur midis interesave kombëtare egoiste të Amerikës dhe udhëheqjes së saj ndërkombëtare.

Kjo ishte para se Kina të anëtarësohej në Organizatën Botërore të Tregtisë, para se SHBA-ja në hynte në luftë në Lindjen e Mesme, dhe para se sistemi global financiar të shembej mbi arkitektët e tij perëndimorë. Paraqitjet e Biden gjatë një jave të samiteve ndërkombëtare, duke përfshirë edhe një takim kokë më kokë me Putin në Gjenevë, kishin një synim të vetëm:të bënin bashkë bandën e vjetër për konfrontimin e afërt me Kinën.

LEXO EDHE:  A do të sjellë COVID-19, shembjen e regjimit komunist në Kinë?

LEXO EDHE:  “Shqipëria, vend me rrezik nga COVID-19”/ Ambasada: Për të hyrë në Gjermani duhet...

Rusia përbën një shqetësim serioz. Kina paraqet një kërcënim sistematik. Këtu miqtë e Amerikës janë aseti i saj më i rëndësishëm. Streset dhe tensionet në aleancën transatlantike nuk do të zhduken. Francezët do t’i shohin gjithmonë me dyshim qëllimet e amerikanëve. Angela Merkel refuzon që të lejojë që angazhimi i saj ndaj rregullave demokratike liberale, të pengojë interesat ekonomike të Gjermanisë. Dhe evropianët kanë “bandën” e tyre. BE-së mund t’i mungojë një prani gjeostrategjike, por ajo është atje në majë me SHBA-në dhe Kinën në përcaktimin e normave ekonomike globale.

Për të gjitha arsyet e lartpërmendura, ndjekja agresive nga ana e Xi e interesave të Kinës, e ka bërë më të lehtë detyrën e Joe Biden. Rëndësia e arritjes së një marrëveshje për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes BE-SHBA mbi subvencionet ndaj kompanive “Boeing” dhe “Airbus”qëndron në njohjen e faktit se kërcënimi i vërtetë për të dy kompanitë do të vijë së shpejti nga Kina.

Emmanuel Macron është Golist si çdo president francez. Ai është gjithashtu po aq i zellshëm sa çdo udhëheqës evropian,që sigurohet që kamerat televizive të kapin sjelljen e tij të afërt me presidentin e SHBA-së. Merkel është në muajt e fundit në detyrë.

Kur presidenti amerikan ta presë atë në Shtëpinë e Bardhë muajin e ardhshëm,ai do të urojë që pasardhësi i saj të përputhë retorikën me veprimet konkrete. Me pak fjalë evropianët kanë nisur të përballen me realitete strategjike të pakëndshme.

Jo aq shpejt sa parashikonin disa në Uashington, por gjithsesi mjaftueshëm që Biden të pretendojë se koha e shpenzuar në Evropë ishte një javë e frytshme. Këtu vendi i çuditshëm është Britania e Madhe. Si mikpritës i samitit të G7-ës në Gjirin Karbis, Boris Johnson mund të ketë shpresuar që të vendosë në qendër të ngjarjeve Britaninë pas Brexit. Në vend të kësaj përpjekja e tij për të hequr dorë nga marrëveshja tregtare e Irlandës së Veriut, mbi të cilën ai ra dakord me BE-në, e la atë të izoluar midis kolegëve të tij.

Irritimi i Macron me anglezin dinak bëri bujë në media, por Biden nuk ishte më pak i ftohtë në bisedat e tij me Johnson. Ndoshta ai ia bëri të qartë së nuk mund ta paraqitë veten si një kampion i rendit të bazuar në rregulla, teksa nga ana tjetër shkel një traktat që sapo kishte nënshkruar me aleatët.

Siç do t’ju thonë diplomatët evropianë dhe amerikanë, Johnson nuk besohet nga askush. Nëse nuk ndryshon kjo gjë, “Britania Globale” e promovuar prej tij do të duket shumë më tepër “Britania e Vetmuar”. /bota.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Kush janë njerëzit me kujtesën më të fortë në botë

Publikuar

-

Nga

Është e vështirë të thuash nëse kujtesa fotografike ekziston vërtet. Deri më tani, vetëm një test i vërtet është realizuar ndonjëherë për të provuar se ka individë të caktuar, që mund të mbajnë mend një sasi shumë të madhe informacioni dhe ta kujtojnë atë fjalë për fjalë edhe vite më vonë. Ja cilët janë disa prej tyre.

Nikola Tesla

Vetë shkencëtari i njohur pretendonte se nuk e kishte problem të mësonte përmendësh libra të tërë. Por ai shihte ndërkohë drita të forta dhe verbuese që ndonjëherë shoqëroheshin me halucinacione. Në momente të tilla Tesla mund të vizualizonte në mendje shpikjet e tij në detaje mbresëlënëse që para se të fillonte t’i realizonte në praktikë.

Tedi Ruzvelt

Presidenti amerikan i fillim-shekullit të XX-të,mund të recitonte përmendësh faqe të tëra gazetash. Ai ishte gjithashtu një lexues shumë i shpejtë, dhe raportohet se lexonte deri në 2-3 libra në ditë.

Kim Pik

Ai ishte “Njeriu i shiut” në jetën reale; personi qëa ktori Dastin Hofman përshkruan në filmin e famshëm të vitit 1988 që fitoi Çmimin Oskar. Pik që vdiq në vitin 2009, kishte memorizuar çdo fjalë të çdo libri që ai kishte lexuar ndonjëherë, pra rreth 9000 në total.

Atij i duheshin vetëm 12 sekonda për të lexuar 1 faqe libri, dhe secili nga sytë mund të lexonte një faqe në mënyrë të pavarur. Ekspertët thonë se historia e Kim tregon se të gjithë ne kemi potencial të konsiderueshëm të fshehur intelektual.

Xherri Lukas

 

Xherri Lukas ishte një basketbollist i jashtëzakonshëm, karriera e të cilit zgjati nga vitit 1962 deri në vitin 1974. Në vitin 1996, ai u cilësua si një nga 50 lojtarët më të mëdhenj në historinë e NBA-së. Lukas ka shkruar dhjetëra libra mbi kujtesën, dhe ka zhvilluar vetë një sistem të ruajtjes së kujtesës. Ai udhëton nëpër SHBA duke dhënë leksione mbi këtë temë.

LEXO EDHE:  Beteja e Tik Tok me Donald Trump/ Kina për mbylljen e aplikacionit

LEXO EDHE:  A do të sjellë COVID-19, shembjen e regjimit komunist në Kinë?

Guilermo Del Toro

Regjisori i njohur meksikan, i nominuar për shumë Oskar, (Pan’s Labyrinth, Hellboy, Pacific Rim) thuhet se ka një memorie fotografike. Ndoshta kjo është arsyeja pse filmat e tij janë kaq shumë interesantë në aspektin vizual.

Ferdinand Markos

Ish-presidenti autokratik i Filipineve thuhej se kishte një kujtesë fotografike, e cila e ndihmonte shumë kur katalogonte mijëra palë këpucë që kishte gruaja së tij, Imelda Markos.

Sergei Rahmaninof

Kompozitori i famshëm rus mund të ketë pasur një lloj kujtese fotografike, që e ndihmoi atë të memorizonte me shpejtësi të habitshme fletët me kompozime. Kjo gjë ndihmohej nga veshi i tij i jashtëzakonshëm për muzikë. Kompozitori rus Alekandër Siloti do t’i jepte atij vepra të komplikuara dhe shumë sfiduese për t’i mësuar, dhe Rahmaninof do t’i memorizonte ato plotësisht brenda 1 ose 2 ditëve.

Elizabeta

Nuk bëhet fjalë për Mbretëreshën e Anglisë, por për një studente të Universitetit të Harvardit, që gjatë viteve 1970 iu nënshtrua një serie provash që bindën madje edhe më skeptikët se ekzistonte vërtet kujtesa fotografike.

Ajo u studiua nga shkencëtari Çarls Stromejer, që i publikoi rezultatet e gjetjeve të tij në revistën “Nature”, dhe që më vonë u martua me Elizabetën. Por në dekadat që pasuan shumë ekspertë kanë vënë në dyshim rezultatet e studimit të Stromejer./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Vladimir Putin, vrasësi i historisë

Publikuar

-

Nga

Nga Cesare Martinetti “Huffington Post Italia”

Vladimir Luzhgin, një mekanik i thjeshtë makinash në Perm, ishte një nga të dënuarit e parë në vitin 2014 për shkak se ndau në internet një artikull ku ndër të tjera thuhej se “komunistët kishin bashkëpunuar në mënyrë aktive me Gjermaninë naziste për ta ndarë Evropën, përmes paktit Molotov-Ribbentrop”.

Në vitin 2015 Evgeni Xhugashvili, nipi i Stalinit, denoncoi historianin Dejvid Feldman, që përmendi në një emision televiziv Masakrën e Katinit, mijëra të burgosur polakë të pushkatuar nga policia sovjetike në vitin 1940.

Një krim i mohuar për vite me radhë, i pranuar më vonë nga Gorbaçovi, dhe që tani po kontestohesh sërish. Pllakata në përkujtim të viktimave, e vendosur në Tver, u hoq vitin e kaluar me urdhër të prokurorit lokal.

Historiani Aleksandër Gurianov, që është përgjegjës i programit “polak” të OJQ-së “Memorial”, ka deklaruar se është vazhdimisht viktimë e kërcënimeve dhe denoncimeve. Në vitin 2018 autoritetet e Magadan, kryeqyteti i Kolimas (në arkipelagu Gulag, 10 mijë km në lindje të Moskës), nisën një procedurë penale kundër Igor Dorogi, një pensionist 62-vjeçar, i akuzuar për rikujtimin në rrjetet sociale të autorëve të krimeve të së kaluarës duke i quajtur ata “xhelatë, plaçkitës dhe gjakpirës”.

Në vitin 2019 Aleksei Volkov, koordinator i zyrës së Volgogradit të opozitarit rus Aleksei Navalni, u dënua për postimin në rrjet të fotove të monumenteve kushtuar heronjve sovjetikë me fytyrat e pikturuara me ngjyrë të gjelbër. Dhe kështu mund të vazhdohet gjatë pasi rastet janë të pafundme.

Mikro-histori të rrëfyera në gazetat e përditshme ruse, dhe që tregojnë më mirë se çfarë do të thotë beteja politike rreth kujtesës së një populli. Këshilli i Evropës publikoi disa ditë më parë një raport prej 80 faqesh të Federatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut (FIDH), rezultati i 1 viti pune në terren nga historianë, aktivistë politikë dhe të shoqërisë civile, dhe gazetarë, të përfshirë në transmetimin e atyre që po i bën vetes Rusia e Vladimir Putinit. Raporti mban titullin “Krimet kundër Historisë”, një shprehje e huazuar nga eseja e historianit belg Anton De Baets botuar në vitin 2018.

Dhe me “krim” nënkuptojmë atë formë të veçantë të sulmit ndaj të drejtave të njeriut, e cila përmes censurës, dezinformimit, rishikimit të historisë synon të fitojë një avantazh politik, siç është konsolidimi i një regjimi, ndërtimi i një narrative funksionale për pushtetin.

Por sigurisht që historia nuk është një entitet abstrakt. Ajo ecën mbi këmbët e grave dhe burrave, pra të krimeve që kryhen edhe kundër atyre që merren me historinë, përmes kufizimeve në qasjen e tyre në arkiva, përmes denoncimeve, shpifjeve që pasohen nga procese gjyqësore, nga dënimet e vogla apo të mëdha,të cilat kontribuojnë në një atmosferë frikësimi.

Dhe në disa raste të përndjekjes së vërtetë. Midis viteve 2014- 2019, mbi 9.000 njerëz u dënuan në Rusi me gjoba apo burgim deri në 15 ditë për shkelje të ligjit të kujtesës. Natyrisht,çdo rast përfshin konfiskimin e kompjuterëve personalë, telefonave celularë, instrumenteve elektronike, pra sekuestrimin e kujtesës private dhe lidhjeve me pjesën tjetër të botës.

LEXO EDHE:  “Shqipëria, vend me rrezik nga COVID-19”/ Ambasada: Për të hyrë në Gjermani duhet...
LEXO EDHE:  Studimi/ Hakmarrja u fal njerëzve më shumë kënaqësi sesa falja

Që nga viti 2020 kjo praktikë policore dhe gjyqësore, e mbështetur tashmë nga ligje të ndryshme, është legjitimuar nga mbishkrimi solemn në Kushtetutë, ku tani lexohet se Federata aktuale Ruse është “pasardhëse”e Bashkimit Sovjetik, pra “mbron të vërtetën historike dhe nuk lejon të minimizohet heroizmi popullor në mbrojtjen e atdheut”.

Qeveria ruse thotë se ka detyrimin të “kultivojë patriotizëmin tek të rinjtë”. Momenti themeltar nuk është më Revolucioni i Tetorit (që festohet jo shumë më17 nëntor) por fitorja në Luftën e Dytë Botërore (Lufta e Madhe Patriotike), ndërsa të gjitha mizoritë e së kaluarës minimizohen dhe madje justifikohen.

“Ka një politikë agresive të kujtesës” – akuzon FIDH – “e cila nuk lë asnjë hapësirë ​​për pikëpamje alternative dhe që shënjestron çdo historian të pavarur, studiues apo gazetar që merret me kujtesën historike”.Kështu,në vitin 2020 blogeri nga Kaliningradi Nikolai Gorelov, u padit për artikuj e botuar në vitin 2014 mbi krimet e kryera nga Ushtria e Kuqe ndaj popullatës civile.

Polina Danileviç, gazetare në Smolensk, u dënua për publikimin e fotos së shtëpisë së saj gjatë pushtimit nazist. Një shitës librash u denoncua, pasi kishte nxjerrë në shitje një ese historike me titullin “Soldati della Wermacht” (Ushtarët e Vermahtit),me imazhin e svastikës në kopertinë.

Shumë historianë e kanë paguar tashmë nga një çmim për këtë klimë terrori që nga viti

2014, kur komisioni ministror për arkivat, zgjati edhe me 30 vite të tjera mos-botimin e dokumenteve të periudhës 1917-1991. Pra, deri në vitin 2044 sekretet e CEKA, NKVD dhe KGB do të mbesin të tilla.

E gjithë kjo përbën një “krim kundër historisë”, viktimë e së cilës është e gjithë shoqëria ruse dhe bashkësia ndërkombëtare. Kështu përfundon raporti i FIDH, që këshillon historianët dhe gjykatësit“të jenë vigjilentë”, në mënyrë që kujtesa historike të mos jetë propagandë.

Por kjo është një betejë që nuk ka të bëjë vetëm me Rusinë. Pikërisht këto ditë, në Francë është ribotuar libri “Vitet e luftës” i Vasilj Grossman, i pastruar nga faqet “patriotike” dhe pro-staliniste të një shkrimtari që me librin “Jeta dhe fati” u shndërrua në një ikonë dhe simbol të letërsisë anti-staliniste.

Paradoksi është se nëse në Moskë është rikthyer censura, autocensura nuk ka vdekur kurrë në Francë. Avokati i ri Grigori Vaipan (i diplomuar në Shën Petersburg, dhe që ka studiuar për drejtësi në Universitetin e Harvardit), një nga autorët e raportit mbi “krimin”ndaj historisë në Rusinë e sotme, tha për të përditshmen franceze “Le Monde”:

“Unë kam lindur në vitin 1990, dhe jam pjesë e brezit të parë post-sovjetik, dhe fatkeqësisht unë jam dëshmitar i rikthimit të shtypjes. Unë besoj se vendi ynë nuk ka të ardhme nëse nuk përballet me sinqeritet me të kaluarën e tij totalitare”./CNA.al

LEXO TE PLOTE