Connect with Us

Përballja e Kosovës me të kthyerit nga IS në Siri

Kosova & Rajoni

Përballja e Kosovës me të kthyerit nga IS në Siri

Publikuar

-

Në veri të Sirisë kanë mbetur me mijëra ish-luftëtarë të IS nga vendet e huaja. Gati asnjë vend nuk do t’i pranojë ata. Kosova ka vepruar ndryshe: Ajo në prill ka pranuar 110 shtetas të vet.

Mensur Hoti ndez cigaret një pas një. Në një kafene në Prishtinë, drejtori i Departamentit për Siguri Publike në Kosovë shpejgon se si është zhvilluar operacioni sekret, i natës mes 19 dhe 20 prillit. Hoti ishte përgjegjës për operacionin i fluturimit çarter në Prishtinë. Në bord – 110 shtetas të Kosovës të kthyer nga kalifati terrorist i Shtetit Islamik (IS), të cilët kanë jetuar kohët e fundit në kampet kurde në veri të Sirisë. Për operacionin e kthimit nuk kanë qenë të informuar madje as familjarët e personave të kthyer.

Kthimi natën nga Siria

Hoti thotë se për shkak të përgatitjeve intensive të operacionit me netë të tëra nuk ka fjetur. Kosova nuk ka raporte me kurdët dhe forcat kryengritëse demokratike të Sirisë (SDF), të cilat e kontrollojnë një pjesë të madhe në veri të Sirisë. SHBA ishte ajo, e cila ka mundësuar aksionin e kthimit. Amerikanët janë aleatë të kurdëve dhe në veri të Sirisë kanë trupat e tyre. Kjo ka mundësuar edhe organizimin e aksionit të kthimit.

Kosovo Porträt Mensur Hot (DW/M. von Hein)

Aeroporti i Prishtinës ka qenë i bllokuar në kohën e kthimit të 32 grave, 74 fëmijëve dhe katër burrave në këtë natë të prillit. Gratë dhe fëmijët janë transportuar me autobusë nga aeroporti drejt Prishtinës. Burrat janë dërguar në burgun e sigurisë së lartë në Podujevë. Kontrollet dhe ndihmat e para mjekësore dhe psikologjike janë ofruar në kampin e Vranidollit. “Ata kanë qenë në një gjendje të keqe, në të gjitha aspektet”, njoffton Hoti. Ata kanë qenë të uritur dhe kanë jetuar në kushte, ku nuk ka masa të duhura higjienike.

Ky burrë i të 40-tave, me flokë të shkurtra, nuk ka kurfarë iluzioni. Hoti e di se pjesa më e vështirë e operacionit të kthimit është përpara shtetit më të ri në Evropë: “Paramendojeni vetëm ideologjinë me të cilën janë ushqyer ata. Rintegrimi i tyre do të jetë një proces shumë sfidues.”

Kalifati në kokë

Kjo shihet menjëherë në takimin ne Vlorën. Ajo është kthyer me këtë grup, para gjashtë muajve. Vlora nuk është emri i saj i vërtetë, por ajo ka frikë të flasë hapur (emri i vërtetë i njohur për Redaksinë!). Vlora sikur edhe të gjitha të rikthyerat e tjera vëzhgohet tërë kohën. Ajo është në burgun shtëpiak dhe mund të dalë vetëm në oborrin e familjes, në një fshat të vogël në brendësi të Kosovës. Vlora rri ulur nën hijen e arrës së madhe. Pulat dëgjohen nëpër oborr, macet shëtisin vërdallë. Pak më poshtë fusha me luledielli. Skenat duken idilike, por dritaret e thyera të shtëpisë së keqe dëshmojnë se familja jeton në një varfëri të skajshme.

IS-Rückkehrerin Vlora (DW)

Gratë e tjera të familjes janë të veshura me fustane me ngjyra të ndryshme. Vlora jo. Asaj i shihen vetëm sytë, përmes një prerje të vogël në nikab. Pjesa tjetër e kësaj gruaje 22 vjeçare është tërësisht e mbuluar me veshje të zeza. Gjatë gjithë kohës ajo, dukshëm e shqetësuar, shtrëngon duart.

Pesë vite të tëra ka jetur Vlora në kalifatin terrorist të Shtetit Islamik. Para të tjerëve ajo rri tërë kohën e mbuluar me nikab. Feja edhe më tej luan një rol shumë të rëndësishëm në jetën e saj, thotë Vlora, përderisa fëmija vrapon nëpër oborr, me çizme tepër të mëdha.

Vlora dhe burrat e saj

Babai i fëmijës nuk do ta takojë më kurrë fëmijën e tij. Ai është vrarë në Siri. “Pak kohë para vrasjes kemi qenë bashkë. Unë kam shkuar te do shoqe, ndërsa ai ka dalë jashtë shtëpisë dhe është vrarë në rrugë.” Ai ishte vetëm njëri nga tre burrat e Vlorës. Në radhët e milicëve terroristë është vrarë edhe kosovari, me të cilin Vlora ka shkuar në radhët e IS në Siri, si 17-vjeçare. Asokohe Vlora dhe i dashuri i saj e kanë gënjyer babanë se po shkojnë për pushime në Turqi. Në fakt kanë shkuar në Siri. Burri i saj i tretë mbahet ende nga autoritetet kurde në një kamp në veri të Sirisë. Edhe ai është me origjinë nga Ballkani, por jo nga Kosova. Vlora nuk do të flasë për të.

Në kohën e kthimit në prill të këtij viti, fëmija i saj ishte shumë i dobtë me shëndet. Nuk mund të ngrihej fare në këmbë. Muajt e fundit të jetës së tyre në kampin Al Hol, në rajonet kurde në veri të Sirisë, kanë qenë për Vlorën dhe fëmijën tepër të rënda. Por edhe më e rëndë ka qenë koha e fazës përfundimtare të IS, në rajonin e xhihadistëve në fshatin Baghouz, në kufirin siriano-irakian. Vlora dhe fëmija i saj shpesh nuk kanë pasur për të ngrënë. Kohë pas kohe janë ushqyer me grurë, me pak misër nga fushat e afërta, ka pasur ndonjëherë pak oriz, e shpesh janë ushqyer edhe me bullgur edhe  – bar.

Mes pendimit dhe ideologjisë

Kosovo, Pristina (Getty Images/S. Gallup)

Vlora ndërkohë e sheh shkuarjen e saj në radhët e IS në Siri si një gabim të madh. Por ajo nuk ka mirëkuptim për akuzat e autoriteteve kosovare dhe mbajtjen e saj nën masa arresti shtëpiak. “Unë kam qenë vetëm në shtëpi, nuk kam bërë asgjë”, justifikohet. “Nuk kemi pasur qëllim të keq, vetëm kemi shkuar pas burrave tanë.” Ky është një argument, të cilin gratë e pjesëtarëve të IS e përdorin shumë shpesh.

Vlora pohon se nuk ka parë vrasjet dhe tmerret e bëra nga pjesëtarët e IS. Thotë se ka parë vetëm shkatërrime të mëdha, si pasojë e luftës dhe granatimeve. Ajo e sheh veten si “viktimë” dhe shpreson se do të lirohet nga akuzat e autoriteteve të Kosovës për pjesëmarrje në një organizatë terorriste. Vlora thotë se do të donte të integrohej në shoqërinë kosovare, por me shpresë se “shoqëria do ta pranojë ashtu siç është – me nikab.”

Babai i Vlorës është ende tepër i dëshpëruar dhe shqetësuar me gjithçka që kanë ndodhur. Për kthimin e Vlorës ka marrë vesh pasi ajo ka zbritur në aeroportin e Kosovës. Më parë nuk ka ditur asgjë. Pas fjalëve të para për tmerret e përjetuara, prindi ngulfatet nga lotët. Shkuarjen e Vlorës në Siri e sheh si një “gabim skandaloz”. Vlora jeton plot gjashtë muaj në shtëpinë e tij, por ajo ende është nën përshtypjet e fuqishme të ideologjisë së përjetuar në Siri. “Ajo është ende tepër e mbyllur”, thotë babai për DW. Ai çdo ditë përpiqet ta bindë të bijën t’i hedhë tej veshjet me të zeza, të cilat nuk janë traditë e besimtarëve myslimanë në Kosovë. “Për mua është e çuditshme që Vlora falet kaq shumë gjatë ditës, e para shkuarjes nuk ka ditur as shahadet të bëjë.” Babai shpreson se Vlora një ditë do të dalë ndër shoqe, e veshur si të gjitha femrat tjera, pa mbulesë me nikab.

Trajtimi mendor

LEXO EDHE:  Hyrje-daljet në Shqipëri/ INSTAT nxjerr shifrat, shënohet rritje e udhëtimeve nga Kosova e Zvicra

Valbona Tafilaj e njeh Vlorën dhe të gjitha të kthyerat e tjera nga Siria. Me ekipin e saj prej 20 psikiatërve dhe psikologëve, ajo shoqëron fëmijët dhe gratë e kthyera në rrugën e tyre për riintegrim në shoqërinë kosovare. Të gjithë kanë qenë të traumatizuar”, thotë psikologja. “Ata kanë ardhur nga rajonet e luftës, kanë parë dhe përjetuar krime të tmerrshme dhe bombardime.”

Detyra e saj parësore është që të fitojë mirëbesimin e të kthyerve. Një herë në muaj ajo e viziton secilën prej tyre në shtëpi. Punon edhe me anëtarët e familjes dhe fqinjtë, për të lehtësuar procesin e riintegrimit në shoqëri. Por trajtimet psikologjike dhe psikiatrike bëhen kryesisht në spital, për shkak të kushteve dhe ambientit, thotë Tafilaj.

Kosovo Porträt Valbona Tafilaj (DW/M. von Hein)

Psikologja është krenare me punën e bërë me gratë dhe fëmijët. Ata të moshës gjashtë vjet e më shumë janë përgatitur edhe për fillimin e shkollës. Para dërgimit në shkollë janë bërë edhe teste për të shikuar pjekurinë dhe gatishmërinë e tyre për këtë fazë të jetës. Në pyetjen tonë nëse gratë e kthyera janë të rrezikshme për shoqërinë, Valbona Tafilaj nuk do të përgjigjet. Kjo është pjesë e obligimit të mjekut për heshtje.

Ndjekësi i terroristëve

A është Kosova e rrezikuar nga terroristët? Dhe nëse po, sa është e rrezikuar? Me këto çështje preokupohet çdo ditë Fatos Makolli, Koordinatori i Kosovës për luftë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Vendi i vogël ballkanik nuk ka as dy milionë banorë. Por Kosova është një prej vendeve prej nga mesatarisht kanë shkuar më së shumti luftëtarë në radhët e organizatës terroriste IS – mbi 400.

Sa për krahasim: Nga Gjermania, me mbi 82 milionë banorë, në radhët e IS kanë shkuar rreth 1050 xhihadistë.

Gjermania, Anglia apo Franca po vazhdojnë me refuzimin e kthimit të një numri të madh të shtetasve të tyre që kanë luftuar në radhët e IS në Siri dhe Irak. Vetëm për fëmijë ka ndonjëherë përjashtime. Në zyrën e tij në katin e tetë të godinës qeveritare, Fatos Makolli shpjegon pse vendi i tij i vogël ka nisur një rrugë tjetër. Nga tetori i vitit 2018 kur është parë qartë se kalifatit të vetëshpallur po i vjen fundi, jemi marrë në mënyrë intensive me problemin e rikthimit të shtetasve tanë që kanë luftuar në radhët e IS. Në Prishtinë është menduar se ish-xhihadistët nuk do të mbahen përjetësisht në kampet e kurdëve dhe se ata mund të kthehen dhe të fshihen në Kosovë.

Kosovo Porträt Fatos Makolli (DW/M. von Hein)

“Ndaj kemi vendosur që t’i kthejmë, t’i kemi nën kontroll”, pohon Makolli. “Ne jemi të vetëdijshëm për rrezikun. Por në këtë mënyrë mund t’i kontrollojmë ata. Ne i njohim këta njerëz dhe ata që kanë bërë krime do të nxirren para drejtësisë. Ne po bëjmë më të mirën e mundshme për riintegrimin e tyre.” Kosova ka përvoja me të kthyerit nga IS, sepse prej vitit 2014 janë kthyer dhe arrestuar në këtë vend rreth 150 ish-luftëtarë të IS. Mbi 80 prej tyre janë denuar pjesërisht me dënime të rënda.

Faktori arab

Rreth 95 % e kosovarëve i përkasin fesë islame. Tradicionalisht ata praktikojnë një islam liberal, por shumë prej tyre janë sekularë. Pas luftës së Kosovës në vitin 1999 është shtuar në Kosovë influenca e disa vendeve konservatore. Makolli thotë se përgjegjësinë më të madhe për këtë e mbajnë vende si Arabia Saudite dhe shtetet e tjera të Gjirit. Ka ekzistuar një qëllim shumë i qartë i “ringjalljes së fesë islame në Kosovë” dhe për “politizimin e kësaj feje përmes disa imamëve”. Organizatat arabe të ndihmave kanë punuar shumë në veçanti me fëmijë dhe të rinj, thotë ai.

Nga mesi i vitit 2000 është paraqitur edhe ideologjia e vahabistëve dhe salafistëve. “Papritur janë paraqitur probleme edhe brenda familjeve. Ka pasur fëmijë dhe të rinj që nuk donin të flisnin me femra dhe refuzonin të merrnin pjesë në festat familjare. Ata kritikonin prindërit, me fjalët se nuk janë myslimanë të vërtetë. ”

Papunësia e lartë, mungesa e perspektivës dhe korrupsioni i përhapur kur të rinjtë nuk shohin perspektivë janë ndër problemet më të mëdha të Kosovës, që kanë ndikuar edhe në radikalizimin e njerëzve në këtë vend.

Kosovo IS Rückkehrer | Freitagsgebet in Pristina (DW/M. von Hein)

Kosova si shembull

Mensur Hoti shpjegon se jo të gjithë kosovarët janë të kënaqur me kthimin e ish-luftëtarëve të IS. “Por kjo ishte rruga e vetme për t’u përballur me këto probleme. Kushtetuta jonë parashikon që ne duhet të kujdesemi për qytetarët tanë – pavarësisht se ku gjenden ata.”

Gjermania është pozicionuar ndryshe. Ministria e Jashtme në Berlin thotë se ata nuk kanë raporte diplomatike me regjimin e Assadit apo kurdët në veri të Sirisë. Ndaj shtetasit gjermanë nuk mund të rikthehen. Ky nuk ka qenë problem për Kosovën, thotë Hoti në bisedë me DW. Kur ekziston vullneti politik, atëherë mund të zgjidhen edhe problemet logjistike.

Të këtij mendimi janë edhe Shtetet e Bashkuara, sepse pa ndihmën e SHBA ky aksion vështirë se do të mund të realizohej. Qeveria amerikane e presidentit Donald Trump insiston, që vendet evropiane të marrin shtetasit e tyre, për të lehtësuar përgjegjësinë e kurdëve. Në mesazhin e qeverisë amerikane në Prishtinë, pas aksionit sekret të 20 prillit, thuhet: “Kosova me këtë aksion ka dhënë një shembull shumë të rëndësishëm që duhet të ndjekin edhe shtetet e tjera anëtare të kolicionit të luftës kundër terrorizmit.”/ DW

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kosova & Rajoni

“Kapja e shtetit” përmes punësimeve familjare

Publikuar

-

Nga

“Kapja e shtetit" përmes punësimeve familjare

“Njeriut do t’ia këqyrim punën, nderin, përgatitjen, por jo mbiemrin. Nuk mund t’i mbushim ambasadat e as ministritë me kushërinj”, kishte thënë kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, para nisjes së mandatit të dytë si kryeministër.

Kurti kishte premtuar një kulturë të re të qeverisjes, që nuk do të kishte punësime partiake e familjare.

Këto premtime, sipas opozitës dhe shoqërisë civile, janë anashkaluar nga qeveria, që sipas tyre, në emër të çkapjes së shtetit, është duke bërë një kapje të re.

Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë në organizatën joqeveritare FOL, tha për Radion Evropa e Lirë se punësimet partiake dhe familjare e kanë përcjellë Kosovën ndër vite.

“Kemi pasur jo vetëm familjarë, por ka edhe militantë të shumtë që janë duke u akomoduar në pozita të ndryshme, e që tërë këto procedura, fatkeqësisht po mbahen të fshehta”, tha ajo.

Opozita akuzon LVV-në për kapje të shtetit 

Sipas saj, me ndërrimin e pushteteve janë ndërruar edhe personat në pozita kyçe në institucione shtetërore, praktikë kjo që ishte kritikuar në masë të madhe edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila tashmë është në pushtet.

“Fatkeqësisht, të njëjtën strategji, ta quaj ashtu, të njëjtat veprime është duke i bërë aktualisht edhe Lëvizja Vetëvendosje. Kanë ardhur në pushtet pikërisht duke i kritikuar këto veprime që i kanë bërë qeveritë e kaluara. Është premtuar një çkapje e shtetit, mirëpo nuk është treguar se do të kapet prej tyre”, tha ajo.

Demolli-Nimani tha se sikur të kishte një proces të rekrutimit të mirëfilltë dhe në bazë të meritave, qoftë edhe vëllai i kryeministrit nëse e merr një pozitë, por që e ka kaluar një proces të mirëfilltë dhe meritor për atë pozitë, do të ishte e pranueshme.

Albana Rexha nga Demokraci Plus (D+), tha për Radion Evropa e Lirë se çdo vendim që e lejon dikën pa kompetencë të jetë pjesë e një institucioni, e cenon integritetin e vetë institucionit, por edhe të qeverisë që është në pushtet si dhe e dobëson zhvillimin e demokracisë në vend.

Sipas saj, shoqëria civile dhe gazetarët duhet të bëjnë dallime për emërime politike, siç janë ato në kabinete dhe në organizma të ndryshëm këshillëdhënës, me punësimet klasike në shërbim civil dhe në borde të ndërmarrjeve të ndryshme.

“Çkapja e shtetit nuk duhet të orientohet në këtë formë, vetëm me zëvendësimin e këtyre bordeve, andaj po mendoj që ne si shoqëri civile duhet me qenë shumë të zëshëm”, tha ajo.

“Nëse punësimi është i bazuar plotësisht vetëm në afërsi politike apo lidhje familjare, paraqet pengesë shumë të madhe për zhvillimin e vendit, e sidomos kur të gjitha këto, jo merita, afërsia politike dhe lidhja familjare shoqërohen edhe me njerëz jokompetentë për atë detyrë për të cilën e kanë marrë”, shtoi Rexha.

PDK: Kapja e shtetit me “praktikantë”

LEXO EDHE:  ISIS në Kajro: Këtë herë rradha e Romës dhe Jeruzalemit

LEXO EDHE:  Daçiç akuzon ne OKB: Kosova vandalizoi monumentet serbe

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, tha për Radion Evropa e Lirë se Lëvizja Vetëvendosje ka shkelur të gjitha parimet me të cilat i ka fituar zgjedhjet.

“Është një situatë vërtetë e rëndë dhe delikate, në dëm të institucioneve të pavarura dhe të asaj që është quajtur çkapje e shtetit, kur në parim tani po kemi një kapje të re me njerëz krejtësisht të papërgatitur, fillestar në punë dhe me lidhje tipike familjare”, tha deputeti Shala.

Sipas tij, vendimet e marra nga qeveria për këto punësime, duhet të anulohen.

“Shumë nga ata që kanë qenë në procese rekrutimi, do të apelojnë përmes linjave gjyqësore dhe unë besoj që do të kemi shumë padi në drejtim të institucioneve të vendit për shkak të shkeljeve ligjore që po bëhen, dhe në këtë relacion dëmi do të jetë edhe ekonomik në raport me buxhetin e shtetit”, tha Shala.

Në programin qeverisës 2021-2025, thuhet se “do të zhvillohet një sistem kredibil dhe transparent të ngritjes së kapaciteteve në shërbimin civil, që siguron rekrutimet dhe avancimet të bazuara në meritokraci dhe që ofron mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët”.

Kush ia pa hairin Qeverisë Kurti 2?

Me të marrë udhëheqjen e qeverisë, emri i parë që u raportua si i punësuar nga pushteti aktual, ishte i xhaxhait të kryetarit të kuvendit, Glauk Konjufca, Rabit Konjufca.

Ky i fundit, që ishte edhe kandidat për kryetar të Lipjanit, u emërua këshilltar politik në Ministrinë e Mbrojtjes.

Këshilltar politik u emërua edhe vëllai i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, Sami Uka. Ai u emërua këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Nipi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Gëzim Tosuni, u emërua këshilltar në Këshillin Shtetëror të Cilësisë.

Mbesa e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Koka, Fadile Dyla u emëruar si u.d. sekretare në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

Së fundi, Suljota Aliu, motra e ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliut, është punësuar në Këshillin Drejtues të Odës së Farmacistëve të Kosovës, që është në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.

Nga pushteti kanë përfituar edhe familjarë të deputetëve të Listës Guxo, që janë pjesë e koalicionit qeverisës. Në Ministrinë e Shëndetësisë, u punësua djali i axhës së deputetit, Haxhi Avdyli, Emrush Avdyli.

Të martën më 27 korrik, në Bordin Qendror për Shkollim Specialistik është emëruar Driton Vela, ish-kandidat i LVV-së për deputet, i cili është vëllai i Blerim Velës, këshilltar i presidentes, Vjosa Osmani.

Akuzave të opozitës dhe shoqërisë civile si dhe pyetjeve të Radios Evropa e Lirë, nuk u janë përgjigjur zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje.

As pas dy ditë pritjeje, zyra për media e partisë në pushtet, nuk ka kthyer përgjigje lidhur me punësimet që kanë ndodhur që nga marrja e pushtetit më 22 mars të këtij viti./rel

LEXO TE PLOTE

Kosova & Rajoni

Video/ Situatë alarmante nga zjarret në Greqi, banorët refuzojnë të evakuohen

Publikuar

-

Nga

Video/ Situatë alarmante nga zjarret në Greqi, shkrumbohen rajone të tëra, banorët refuzojnë të evakuohen

Situata me zjarret në Greqi, duket të jetë tejet e rënduar, ndikuar dhe nga erërat e forta që favorizojnë përhapjen e flakëve.

Glafkos, Patra, Koukouli, Achaia, Kretë, Athinë, Halkidiki janë disa nga rajonet më të prekura.

Zona e Souli është evakuuar, ndërsa flakët kanë arribanorettur në shtëpitë e para.

Perimetri në lartësinë e Glafkos u mbyll, ndërsa kataliza e romëve në Riganokampos po evakuohet.

Në Souli, sipas “patrastimes.gr”, banorët refuzojnë të lënë shtëpitë e tyre pavarësisht thirrjeve të policies.

LEXO EDHE:  Pse do Shteti Islamik një Evropë antiislame?

LEXO EDHE:  Pse do Shteti Islamik një Evropë antiislame?

Një urdhër për evakuimin preventiv të komunitetit të Drosia në Achaia u dha nga Brigada e Zjarrfikësve pak para orës 13:00 të mesditës, në mënyrë që banorët të mos rrezikohen.

Në të njëjtën kohë, forcat zjarrfikëse tokësore dhe ajrore që veprojnë në zonë janë forcuar./CNA.al

 

LEXO TE PLOTE

Kosova & Rajoni

Aksidenti i rëndë në Kroaci/ Ministri Sveçla: Të mbijetuarit pritet të kthehen sot në Kosovë

Publikuar

-

Nga

Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njfoftuar se të mbijetuarit e aksidentit në Kroaci do të kthehen në Kosovë ditën e martë pas orës 22:00.

Sipas ministrit Sveçla ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se në mbrëmje pritet që në Kosovë të kthehen edhe trupat e viktimave, por për të cilët ende nuk ka një orar specifik pasi ende priten rezultatet e autopsisë.

LEXO EDHE:  Gratë e guximshme/ Filmuan brenda fortesës së ISIS (VIDEO)

Kujtojmë se aksidenti ndodhi të dielën e shkuar, pasi autobusi me targa të Kosovës po udhëtonte në linjën Franfurt-Prishtinë.

LEXO EDHE:  Kosova bisedime me Bankën Botërore për vaksinën anti-covid

Në autobus kanë qenë 67 udhëtarë , ku 10 prej tyr ehumbën jetën , ndër ta edhe njëri prej shoferëve./ CNA.al

LEXO TE PLOTE