LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Andi Bushati/ Propozimet e opozitës, një çarje e re me ndërkombëtarët?

2 Tetor 2019, 17:51, Opinione CNA
Nga Andi Bushati/ Propozimet e opozitës, një çarje e re me

Presionit ndërkombëtar për tu bërë pjesë e miratimit të reformës zgjedhore, Lulëzim Basha i është përgjigjur me një seri kushtesh, parimisht tejet të drejta, por praktikisht të parealizueshme. Në platformën e paraqitur sot nga opozita renditeshin një sërë pikash, të cilat Edi Rama, jo vetëm nuk do, por as nuk ka mundësi ti realizojë. Nëse do ti vihej një titull draftit që publikuar, ai mund të qe: ?Nuk ka reformë, me Ramën kryeministër?.

Ashtu sikurse Lapsi.al e ka shpjeguar (lexo poshtë) aty nuk gjenden vetëm kushte formale si psh: mosralizimi i kësaj reforme nga një parlament i dalë nga vota e vjedhur, mosmiratimi i saj në kuvend, por me referendum etj.

Aty, e frymëzuar nga raporti i fundit i OSBE-ODHIR-it, që vizatonte një shtet të kapur nga një parti dhe një njeri i vetëm, opozita kërkonte, as më pak e as më shumë, përmbysjen e kësaj piramide. Ajo me të drejtë thekson se është qesharake të duash të bësh një reformë të re pa dhënë shembullin e dënimit të atyre që kanë grabitur zgjedhjet, pa depolitizuar administratën e kapur nga rilindasit, pa e bërë këtë me një KQZ, kamikaze e kështu me radhë.

Po le të shqyrtojmë sa për ilustrim vetëm njërin nga kushtet. Që të sigurohet drejtësi për hajdutët e votave duhet që në krye të prokurorisë të mos jenë profile të ngjashme me Arta Markun e Donika Prelën. Duhet që gjykatës të mos jenë ata që i tremben një vettingu selektiv. Duhet të shkojnë pas hekurave njerëz shumë të afërt me Ramën dhe që kanë vepruar për llogari të tij. Duhet riparë, pra, gjithçka është ngritur deri më tani në institucionin e akuzës dhe mënyra si është devijuar reforma në drejtësi në sajë të trysnisë politike.

A është e mundur kjo?

A janë të aftë, a kanë nerva, besim, vullnet dhe shpresë, ata ndërkombëtarë që po e yshtin PD-në dhe aleatët të miratojnë reformën zgjedhore, ti hyjnë gjithë këtij qilizmi të shtetit të kapur shqiptar?

Askush nuk mund të vërë këtu një bast pozitiv. Opinioni i përgjithshëm është se ata duan një zgjidhje sa për sy e faqe, një reformë zgjedhore të përmirësuar, për ti thënë OSBE, bundestagut, Palmerit se një nga kërkesat u realizua. Ata, as nuk e ëndërrojnë, as nuk e bëjnë dot, një shkallmim të strukturës kriminale që ka kapur pushtetin, pa të cilën reforma zgjedhore do të rrezultonte një shaka pa kripë. Ata nuk kanë as aq fuqi dhe as aq vullnet sa të zhbëjnë gjithçka Edi Rama ka ndërtuar në gjashtë vite dhe ç?ka trashëguar nga më parë.

Pikërishtë këtu qëndron kontradikta e tyre me platformën që PD propozoi sot: Opozita, në letër, kërkon një transformim të madh, ndërkombëtarët, në praktikë, një arrnim të vogël.

Në këtë kuptim, kushtet e sotme të PD dhe aleatëve, sado logjike dhe parimore qofshin, rrezikojnë të hapin një konflikt të ri me diplomatët burokratë dhe ambasadorët e Tiranës. Sepse në thelb ato lexohen si një ?Jo? ndaj kërkesës formale për tu ulur në tryezën e reformës. Dhe ky rrefuzim i butë, ky pranim për tu ulur në tryezë me kushte të pamundura, riskon të thellojë hendekun mes tyre.

Nuk do të ishte çudi, që pas kësaj të kërkohej rruga më e lehtë. Rama ta bënte reformën me opozitën e re, ta miratonte atë në parlement me bekim ndërkombëtar, Bundestagut ti thuhej: kushti u përmbush e të gjithë të shpërndaheshin të lumtur dhe të kënaqur. Opozita do të linte edhe njëherë imazhin e humbses. Para saj do të shtrohej dilema e madhe nëse mund të marë pjesë në zgjedhjet e ardhshme në kornizën e një reforme nga e cila e kanë përjashtuar.

Por, me sa duket me rrugën që kanë zgjedhur, Basha as aleatët e tij nuk kanë zgjidhje tjetër. Ata edhe njëherë po e vënë veten mes dilemës, të bëhen fasadë, apo ta lënë të keqen të precipitojë në fund. Versionin e parë e kanë të testuar, i dyti ende mbetet mister./Lapsi.al

Lajmet e fundit nga