Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetim pasuror ndaj Sokol Xhurës, në biznesin e të cilit u gjet dhe u sekuestrua një arsenal armësh. Njësia e inteligjencës financiare po gjurmon origjinën e parave dhe të aktiviteteve të biznesit që ky shtetas ka në Shqipëri. Kështu, krahas procedimit penal në SPAK, ndaj Xhurës po kryhen edhe verifikime për sa i përket pasurisë së tij.
Në sitën e Prokurorisë se Posaçme janë vendosur llogaritë e tij bankare, ku institucioni i akuzës ka dërguar shkresa në çdo bankë të nivelit të dytë për të verifikuar llogaritë që ky shtetas mund të ketë. Gjithashtu, shkresa janë dërguar edhe në Zyrat e Hipotekave për të verifikuar pasuritë e paluajtshme të tij.
Ndërkaq verifikim pasurie do të bëhet edhe ndaj të afërmve të Xhurës, i cili sipas SPAK, ishte personi që drejtonte trafikun e armëve në kryeqytet si dhe pronar i magazinës ku u gjetën ato. Hetimet e Prokurorisë po kryhen duke u bazuar tek ligji “Antimafia”, i cili parashikon sekuestrimin e çdo aseti të vënë nga veprimtari kriminale, qoftë brenda apo edhe jashtë vendit.
LEXO EDHE: ZBARDHET SKEMA/ Si u godit policia në Elbasan me makinë të blinduar
Tashmë, pritet që hetuesit të zbardhin pasurinë e Xhurës dhe të dalin në një përfundim nëse ato janë përfituar nga veprimtaria e paligjshme, e më pas do vendoset nëse do sekuestrohen apo jo.
Rreth dy javë më parë SPAK dhe Policia e Tiranës zbuluan një bazë armatimesh të grupit që kryen vrasje me pagesë që operonin në kryeqytet, por me lidhje në të gjithë Shqipërinë.
Bazuar në procedimin penal ndaj Gjergj Cukalit dhe vëllezërve Jamaku, ku vëllezërit janë bërë bashkëpunëtorë të drejtësisë, është arritur të zbulohet vendi ku fshiheshin armët.
Vendstrehimi sipas ishte krijuar brenda ish-ndërmarrjes artistike “Migjeni” në Tiranë objekt në përdorim e pronësi të familjes Xhura./euronews