LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Tetor 1940-Kur Llazar Fundo dhe Isuf Luzaj, themelonin Partinë Social Demokrate në internim/ Komunistët një ditë të na vënë edhe pushkën

24 Shtator 2019, 10:19, Aktualitet CNA

Sot i paraqita Fundos statutin dhe programin e Partisë Socialdemokrate, për të cilën më patën ngarkuar. Në mes të pak vërejtjeve që bëri ky mbi projekt statutin tim, që nuk duhej të fillonte me drejtësi shoqërore e pastaj liri politike, porse binomi duhej të fillonte me liri politike e drejtësi shoqërore.

– Sikur ta dijë Stalin mustaqemadhi, -i thashë,- se sa shumë je larguar nga marksizmi, do të të hante të gjallë. Ki mendjen nga djelmët e Stalos.

Ai nënqeshi e komentoi:
– Edhe në qoftë se një ditë do të dal në gjyq me bolshevikët stalinianë, sigurisht që gjykatës nuk do të jetë Stalini.
– Ata të quajnë heretik i komunizmit ortodoks.

– Heretik është një fjalë shumë gjenerike, -tha Fundua,- sepse i aplikohet kujtdoqoftë të gabuarit, qoftë edhe të drejtit, mjafton që njëri të ketë fuqinë e tjetri jo.

– Do të thuash, -i thashë, -që në mes të heretikut e të martirit s?ka ndryshim natyre, por shkalle, apo më mirë jo ndryshim shkaku, por efekti, jo ndryshim ndarjeje, por konkluzioni, d.m.th. varet emri heretik ose martir sipas ndjekësve që u vijnë pas nëpër shekuj. Kështu, Sokrati heretik i paganizmit, Krishti ? heretik i politeizmit, Muhameti ? heretik i kristianizmit e si ky Luteri, Kalvini, Bruno e Galilei, Savonarola ? heretikë të dogmës, por mos harro që bota e mënçur dhe e qytetëruar njërit i dha helmin, tjetrit kryqin; njërit zjarrin mbi stivën e druve, tjetrit litarin në grykë; Dantes çatdhesimin e përbuzjen. Mor i gjorë, do të të presin mishtë me gërshërë djelmët e Stalos.

Qeshi me tallje e shtoi:
– Sa gjatë mendon ti; duhen shekuj që të ndodhin këto. Sidoqoftë, me u trëmb para rrezikut kur asht punë e atdheut nuk asht e dejë për një burrë shqyptar, -thotë Dan Aga, se Dan Aga s?e din që edhe gjermani e frëngu janë burra të fortë, edhe pse s?janë SHKARANE, -tha duke bërtitur fort si me tallje.

Prej bisedimit në bisedim, duke shkuar nëpër gojë disa nga problemet e shumta të vendit tonë, u ndalëm në dilemën e Partisë Komuniste në Ballkan e për konsekuencë në Shqipëri.

– Sikur ta dija, -më tha, -sot e njëzet vjet më parë se ç?konsekuenca të tmerrshme do të rridhnin në Shqipëri prej influencës sllave në ndarjen e rrymave politike e konturetizmin e partive komuniste, do të kisha preferuar më mirë të prisja gjuhë e duar më përpara sesa të punoja për marksizëm e terror, porse ku të dijë i shkreti njeri nëse bën mirë a keq kur vepron në mirëbesim.

– Mos u dëshpëro, -i thashë,- sepse në vendin tonë ish i nevojshëm një ndriçim doktrinar i rinisë, sepse na kemi nevojë për një parti komuniste paqësore, që të rrijë më të mëngjërtë për të ekuilibruar partinë e fortë konservatore të bejlerëve, agallarëve, tregëtarëve të mëdhenj, kapitalistëve, që do të qëndrojë më të djathtë e në mes, në qendër, një parti socialdemokrate republikane.

– Shumë optimizëm, -tha,- e në politikë optimizmi është i rrezikshëm.

– Jam optimist këtu në ishull, -iu përgjigja, -por në vëndin tim shoh e bëj. Dhe në lidhje me sa u tha më lart, -i thashë: -U bë shumë keq që nuk u zgjodh Zef Mala anëtar i komitetit tonë qendror. Unë e njoh mirë, sepse e kam pasur për pesë vjet rresht shok klase, shumë herë shok banke e gjithnjë shok shumë të ngushtë. Është kryeneç,ambicioz, egoist, porse dhe inteligjent e kjo është e keqja. Ka diç një magazi kulture normale e më e keqja është që ushtron një influencë të fortë mbi rininë e këtushme e diku, diku edhe mbi rininë shkodrane e tiranase ku ka jetuar. Mund të ndodhë që, i fyer në prezhituozitetin (sedrën) e tij, ky kryeneç e krenar të formojë partinë komuniste shqiptare këtu në Ventotene. Ka më se njiqind djelmosha që na i rrëmben menjëherë me ndihmën e kulturës e të prestigjit komunist italian Ferraçini, Scoçimarro etj.

– Ç?rrezik sheh ti në këtë eveniment?

– Pas mendimit tim, rreziku është shumë më i madh, sesa duket sot në aparencën e tij të rreme e fillore (fillestare). Djelmoshat e rinj janë të dënuar të gjithë me një ose dy vjet, që kështu ata brenda disa muajsh mund të lirohen e të kthehen në Shqipëri. Brënda kësaj kohe që ata rrinë këtu, futur në stazh e disiplinë komuniste, përgatiten fare mirë si propagandistë komunistë. Kur të kthehen në Shqipëri, këta të rinj, në kontakt me rininë shqiptare, që i pret si heronjtë triumfatorë të misterit, të burgut, të martirizimit; këta janë më se njëqind komisarë politikë komunistë, që ushqyer si hudhra me vaj, me konceptet e paskrupullta të komunizmit shfrytëzojnë edhe atë çikëz popullaritet tonin, bashkë me ato të mistereve të kuq e, kur të kthehemi na, pas luftës në vendin tonë, do na bëjnë tradhtarë, heretikë të komunizmit, sepse është lehtë që këta të të paraqesin sot ty atje si antifashist, komunist shqiptar e kryetar i tyre; e si ty edhe të tjerë.

– Unë besoj që revolucionin shqiptar antiitalian do ta bëjnë fshatarët e malësorët e jo punëtorët e qyteteve, që do të jenë komunistë.

– Më fal, -i thashë, -porse pesëmbëdhjetë vjet që ke ndejtur jashtë Shqipërisë mund të të kenë zhdukur nga memoria strukturën e shoqërisë shqiptare. Këta të rinj që sheh ti këtu e ata që janë në qytete sot në Shqipëri, qofshin artizanalë, qofshin nëpunës të vegjël ose edhe sekretarë të fashove, të gjithë këta të rinj janë djemtë e fshatarëve e të malësorëve. Këta janë bij, nipër, kushërinj, farefis të agait, beut, pashait, bujkut, malësorit, efendiut, doktorit, bajraktarit, kryeplakut etj., etj., etj. Kur të kanalizohen këta nëpër nervat e dejet e trupit të shoqërisë shqiptare do udhëtojnë nëpër vena e aorta deri në zemër. Të ndjekur nga kuestura fashiste, mbasi që të kenë formuar Partinë Komuniste në të gjithë qytetet, këta do të dalin ilegalë në male, fshatra, fusha, korije, përronj, lugina, stane, deri në mezhdat më të largëtat e më të harruarat e ndonjë gërxhi të tharë. Duke mos qenë këta të njohur prej armikut, ka shumë mundësi që të mos bjenë në antenat e kthetrat e italianëve si neve që përkundrazi na njohin e na gjuajnë kudo e ngado.

Nesër, i tërë populli shqiptar do të organizohet prej këtyre komunistëve e s?ka asgjë të jashtëzakonshme që këta një ditë të na vënë edhe pushkën. Nuk them që të gjithë këtë revolucion do ta bëjnë këta njëqind djelmosha të Zef Malës, porse këta do të plotësojnë atë veprim që me kohë, sot e njëzet vjet më parë, kanë filluar Fundua, Halim Xhelua; pas tyre Shpuza, totallarët; pas tyre shkolla ushtarake mbretnore e Tiranës, Liceu i Korçës, Normalja e Elbasanit me profesorë e mësonjës-dhaskalë, duke filluar që nga Perikli Mborja, deri tek Enver Hoxha, dembeli që s?mori dot një vit në universitet.

Do të kisha vazhduar të flisja, por menjëherë më vanë sytë në sytë e tij, që ishin mbushur me lot të mëdhenj e tatëpjetë faqes së tunxhtë i binin duke u përpëlitur si shpesë të plagosura. Ishin lot të sinqertë.
Kur kuptoi që e pashë dhe e kuptova, u ul mbi shtratin tim, pështeti dy bërrylat mbi gjunjët e tij, pështeti ballin mbi dy pëllëmbat e duarve e humbi në mendim. E prita një copë herë se mos përmendej nga ëndërrimet, por kur e pashë aq shumë të avilitur, ika e e lashë me ndërgjegjen e tij. Bënte autogjykimin e prandaj mendova: përballë ndërgjegjes, përballë vdekjes, përballë Zotit, njeriu ndihet mirë kur është vetëm fill e vetëm fill e lashë kur i mbylla derën e kameronit e luta një nxënës të ruante që të mos e trazonte askush.

Ditari Perpjekjes

Isuf LUZAJ

Lajmet e fundit nga