LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Stoku i dosjeve dhe Vettingu bllokojnë Gjykatën e Lartë

21 Shtator 2019, 08:59, Vetingu CNA
Stoku i dosjeve dhe Vettingu bllokojnë Gjykatën e Lartë

Qendra Studimore INFOÇIP publikoi të shtunën një studim mbi Gjykatën e Lartë para dhe pas Reformës në Drejtësi mbi transparencën dhe llogaridhënien e drejtësisë shqiptare.

Sipas studimit, Gjykata e Lartë dha 7 herë më pak vendime në vitin 2018, vetëm 217 vendime, nga 1500 që dha në 2015-ën, kur reforma nuk kishte nisur ende. Në 2019 u morën vetëm 12 vendime deri në 30 prill.

Gjyqtari i fundit u shkarkua nga vetingu në korrik 2019, dhe ky ishte kryetari Xhezair Zaganjori.

?Organet e reja gjyqësore ende nuk kanë marrë një vendim se sa duhet të jetë numri i gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, kundrejt 19 anëtarë, që ishin deri dje. Gjykata e Lartë duhet plotësuar me trupë të shtuar gjyqësore urgjentisht. Rekurseve që presin të shqyrtohen i janë shtuar rreth 2 vjet vonesa, këtë herë jo për pasojë të eficencës problematike të Gjykatës së Lartë, por si pasojë e Reformës në Drejtësi dhe mos-plotësimit të vakancave? – thuhet në studim.

Në Gjykatën e Lartë presin shqyrtimin gjyqësor rreth 30 mijë dosje (28 mijë e 863 deri në fund të vitit 2018), ndaj për ta përballuar këtë mbingarkesë për 10 vjet duhen marë 3 mijë vendime në vit, ose 10 vendime në ditë, pa pranuar rekurse të reja gjatë kësaj dekade.

?INFOÇIP vlerëson që nëse Gjykata e Lartë do të plotësohej me trupë të re gjyqësore prej 19 anëtarësh dhe kolegjet të nisnin punën rregullisht, për të marrë vendim për rekurset që presin, do të duheshin rreth 20 vjet, nëse e përllogarisim eficiencën me mesataren e vitit 2015, më e mira e 5 viteve të fundit? – tha Gerti Shella, drejtues i kësaj qendre studimore.

Nëse stoku i dosjeve duhej shmangur brenda një viti, pa pranuar rekurse të reja, do të duhej që të jepeshin 107 vendime përfundimtare çdo ditë pune, secili kolegj do të duhej të merte 36 vendime në një ditë të vetme pune.

?Për të përballuar volume të tilla, Gjykata e Lartë do të duhej të kishte një trupë gjyqësore me të paktën e dyfishin e anëtarëve dhe trefishin e ndihmësave ligjorë. Nëse Gjykata e Lartëë do të ketë të njëjtën trupë gjyqësore siç ka patur, pra me 19 anëtarë, me nga dy këshilltarë secili, ajo është e destinuar të zvarrisë shqyrtimin gjyqësor pashmangshmërisht për shkak të backlog-ut që trashëgon. Një nga premisat e Reformës në Drejtësi, që ishte eleminimi i zvarritjes së proçeseve gjyqësore, rrezikon të mbetet objektiv i parealizueshëm në Gjykatën e Lartë? – thuhet në studimin e INFOÇIP.

Sipas vëzhgimeve të vazhdueshme, në 5 vitet e fundit Gjykata e Lartë dha 4054 vendime përfundimtare. Në vitin 2019, për shkak të largimit të trupës gjyqësore si pasojë e vetingut, Kolegji Administrativ arriti të jepte vetëm 12 vendime deri më 30 prill 2019. Kolegji Penal dhe ai Civil vendimet e tyre të fundit i dhanë në 30 Qershor 2018.

Për periudhën 2015-2019, Gjykata e Lartë ka dhënë mesatarisht rreth 1 mijë vendime në vit. Viti 2015 ka të dhënat më të larta, me 1 mijë 462 vendime nga kjo gjykatë.

?Gjykata e Lartë është ankuar shpesh lidhur me ngarkesën që përballon, por nga ana tjetër, vetë ajo ka pranuar më shumë rekurse se sa ka patur mundësi të gjykojë. Raporti i përllogaritur nga ky studim është 2/1 (pra 2 pranime për 1 shqyrtim të përfunduara). Ky tregues e ngarkon me përgjegjësi vet Gjykatën e Lartë, tashmë të shpërbërë, pasi konsiderohet si shkaku kryesor i vonesave të theksuara në dhënien e drejtësisë prej saj? – tha zoti Shella i INFOÇIP.

Procesi i vetingut ekspozoi para publikut probleme serioze të integritetit të trupës gjyqësore të kësaj gjykate, thuhet në studim.

Vlerësohet si rasti më flagrant ai i gjyqtarit Admir Thanza, i cili u fshehu autoriteve shqiptare faktin se një gjykata italiane e kishte dënuar në vitin 1999 me vendim të formës së prerë (me 40 ditë burg dhe 100 mijë lireta gjobë). Dënimi i tij penal në Itali u zbulua nga përfaqësuesit e ONM-së. Gjykata e Tiranës e shpalli fajtor atë dhe e dënoi më 31 mars 2018 me 9 muaj burg, të konvertuar në 18 muaj shërbim prove.

Një tjetër anëtare e Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, u përfshi në marrje ryshfeti për një vendim pronësor. Ky skandal gjithashtu goditi rëndë reputacionin e Gjykatës së Lartë, e cila e shpalli fajtor të pandehurën Majlinda Andrea për veprën penale të ?korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë.

?Prania e personave të tillë në trupën gjyqësore të Gjykatës së Lartë përbën padyshim një skandal me përmasa dramatike. Rrethana të tilla kanë legjitimuar plotësisht vetimin e ashpër të gjithë trupës gjyqësore, që përfundoi në korrik 2019 me largimit e kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Besimi tek Gjykata e Lartë ka marrë goditje të rëndë? – vlerësoi INFOÇIP.

Qendra INFOÇIP thotë se mosplotësimi i vendeve vakant në Gjykatën e Lartë, është një e metë e reformës në drejtësi.

?Pamundësia e organeve të reja gjyqësore, por edhe e institucioneve të larta vendimarrëse për të menaxhuar krizën e thellë që ekspozoi procesi i vetingut në Gjykatën e Lartë është tregues që nuk flet në favor të një planifikimi të kujdesshëm?. Ligjvënësit shqiptarë duhet të kishin parashikuar ?planin e kontigjencës? për një situatë të tillë të paprecedentë. Organet e reja gjyqësore duhet të marrin në dorë situatën pa vonesa dhe pa justifikime të mëtejshme, duke nxjerrë si fillim vendimin për organikën. Zbrazja e Gjykatës së Lartë nga trupa gjyqësore ka prodhuar një moment të vështirë jo vetëm sa i takon palëve që kanë depozituar rekurse, por edhe për gjithë sistemin gjyqësor në tërësi, i cili tashmë nuk orientohet dot përmes praktikës së unifikuar. Gjykata e Lartë, tashmë e zbrazur, ka paralizuar vendimmarrjen për trupën e Gjykatës Kushtetuese? – thotë zoti Shella.

Gjykata e Lartë ka trashëguar stokun më të lartë se çdo gjykatë analoge në Europë, me mbi 30 mijë dosje. Shumica dërrmuese e tyre janë rekurse administrative, ku palë e paditur janë institucionet shtetërore.

Rreth 60% e këtyre rekurseve kanë të bëjnë me sigurimet shoqërore, pensionet e ushtarakëve dhe pushime nga puna. Gjykata e Lartë ka dhënë vendime të ndërmjetme për pezullim ekzekutimi të vendimit të apelit, ku shteti ka qenë palë humbëse.

?Kjo konsiderohet një praktikë negative, madje antikushtetuese, që ka mohuar drejtësinë për qytetarët që kanë fituar në Apel. Për më tepër, ajo rrezikon të rrisë në përmasa domethënëse kostot që mund t?i faturohen taksapaguesve shqiptarë në një kohë të dytë sa i takon dëmshpërblimeve nëse rekurset fitohen nga individët kur Gjykata e Lartë të rifillojë punën sërish? – vlerëson INFOÇIP në studimin e publikuar sot./ VOA

Lajmet e fundit nga