Connect with Us

“Me Kristaqin ndanim bukën bashkë, Edit ka 30 vjet që nuk i flas”/ Dëshmia dhe foto e rrallë e Ramës si kauboj

Histori

“Me Kristaqin ndanim bukën bashkë, Edit ka 30 vjet që nuk i flas”/ Dëshmia dhe foto e rrallë e Ramës si kauboj

Publikuar

-

Ekskluzive / Memorie.al. sjell dëshminë e rrallë të skulptorit të njohur, Agim Rada, në emisionin e njohur RREFIM në Tv Scan, lidhur me miqësinë e hershme me mikun dhe kolegun e tij, Kristaq Rama, për të cilin flet me simpati dhe e kundërta për të birin, Edin, që dikur e mbante afër… “Asgjë nuk i dua, vetëm të në lejë të punojmë të qetë”, shprehet skulptori rebel për kryeministrin aktual që dikur e kishte idhull Radën dhe në librin e tij “Refleksione”, ka shkruar gjatë për të….?!

Para pak kohësh në emisionin e njohur RREFIM në Tv Scan me president znj. Elvana Hana, emision që ka për autor gazetarin Dashnor Kaloçi dhe moderatore Albana Shehu Qirjako, ka qenë i ftuar skulptori i njohur, Agim Rada, i cili është dhe autori i bustit të Mit’hat Frashërit që u vendos në kodrat e liqenit të Tiranës me ceremoni zyrtare dhe që pati një reagim të ashpër nga segmente të majta, etj. Veç të tjerash në rrëfimin e tij në Tv Scan, zoti Rada ka bërë dhe një histori të shkurtër të historisë së tij familjare dhe personale, duke u ndalur edhe në raportet dhe marrëdhëniet që ai ka pasur me mikun e kolegun e tij, skulptorin Kritaq Rama, si dhe të birin e tij, Edin, i cili në vitet ’80-të e ka pasur si idhull Radën dhe në librin e tij “Refleksione” ka shkruar gjatë dhe për të. Por kjo gjë nuk e ka mikluar aspak Radën, i cili në këtë emision pasi ka treguar rreth miqësisë që ai ka pasur me Edin deri në vitin 1990, është shprehur se që nga ajo kohë e deri më sot, pra plot 30 vjet me rradhë ai nuk e ka takuar fare dhe as nuk ka pirë qoftë dhe një kafe me kryeministrin e sotëm. Për më shumë rreth kësaj, por dhe ngjarje e histori të tjera nga jeta e tij, na njeh intervista që po publikojmë në këtë shkrim e realizuar nga moderatorja, Albana Shehu.

Albana Shehu: Zoti Rada, ju jeni një artist dhe një skulptor i vjetër me një karrierë të gjatë pune mbi 45-vjeçare dhe veprat tuaja janë të shpërndara dhe të vendosura jo vetëm në qytetin e Tiranës, por dhe në qytete të tjera në të gjithë Shqipërinë. Por ajo që ju bëri edhe më të njohur, ishte kjo vepër, ky bust, i Mit’hat Frashërit, të cilin regjia po na e paraqet dhe po e shikojmë këtu në monitor…

Ju falenderoj që e nisët me këtë punë timen dhe u bë shumë mirë, pasi ishte një eveniment shumë i rëndësishëm ky që ndodhi me ardhjen në Shqipëri të eshtrave të patriotit të madh Mithat Frashëri, e gjithashtu vendosjen e bustit të tij në kodrat e liqenit përkrah vëllezërve Frashëri.

Kjo është një punë e duarve tuaja dhe është bërë në një kohë rekord të themi…dhe është derdhur në bronx një punë e tillë ku çdo detaj duket që është punuar me një dashuri…

Po…në përgjithësi arti ka një sekret po themi apo një specifikë të veçantë, pasi nëse ti mendon që të krijosh një objekt, një punë të bukur, në mos pastë dashuri ndërmjet teje dhe asaj që do krijosh, ajo gjithmonë do dali një gjë fallco, e sipërfaqëshme, një gjë që nuk thotë gjë. Unë kurrë në jetën time nuk kam bërë gjëra që nuk më pëlqejnë dhe që unë nuk do të dua t’i bëj. Nuk kam bërë as në rininë time kur atëhere ishte i detyruar të bëje kështu figura politike, unë jam shmangur që t’i jepja hapësirë shpirtit dhe lirisë time që unë të bëja dhe krijoja atë që dua.

Do ndalemi përsëri tek kjo vepër e juaja, por po kthehemi pak në kohë në historinë e jetës suaj. Ju keni lindur në Tiranë…

Po, unë kam lindur në Tiranë në vitin 1953 në një shtëpi të vjetër, shtëpi qerpiçi që im atë e bëri vetë pasi doli nga burgu, duke përdorur copa llamarinash, teneqe, tjegulla, ç’të gjente, me shumë vështirësi për të na strehuar ne të vegjlit aty nën atë strehë.

Ju jeni rritur me një fëmijëri shumë problematike, pasi prindërit tuaj kanë hequr një kalvar që ne duhet ta tregojmë…Ja po shikojmë këtë fotografi ku janë dy prindërit tuaj, një zotëri dhe një zonjë mjaft të pashëm të cileve ua dallohet fisnikëria brenda tyre…

Kjo është e vërtetë, pra fëmijëria ime e vështirë, por unë nuk jam nga ata njerëz që sot të marr flamurin dhe të them se jam i persekutuar…! Por me që ishim te pyetja juaj për prindërit, desha të theksoj se pikërisht kjo lloj rrace, u luftuan nga fshatarët të zbritur nga mali. Unë e kam thënë diku se njerzit e bukur, komunizmi i urrente. Unë mbaj mënd në fëmijrinë time dhe më pas se vajzat më të bukura të Tiranës, anatemoheshin dhe përfliteshin deri duke u quajtur prostituta, vetëm e vetëm pse ishin të bukura. Po kështu edhe meshkujt quheshin vagabond, rrugaçë, gangster, etj etj. Dhe kjo pse laheshin, visheshin bukur, parfumoheshin etj., etj., dhe kjo shkonte kundër ideollogjisë së atij sistemi dhe konsiderohej krim. Por para kësaj, kjo gjë ndodhi me inteligjencën kombëtare, me klerin kombëtar, me të gjithë intelektualët që kishin mbaruar shkollat në Perëndim, që për mendimin tim kanë qenë vetëdija kombëtare. Të gjithë këta u burgosën apo përfunduan internimeve. Në rast se nuk do ndodhte kjo, pra në rasr se nuk do burgoseshin këta dhe do të dëgjohej mendimi i tyre apo i këtij personaliteti që po shohim këtu në ekran, pra Mithat Frashërit, nuk do ishte Shqipëria kështu si është dhe siç mbeti pas Luftës, por do ishte një vënd shumë i zhvilluar.

Kthehemi përsëri tek fëmijria juaj dhe vështirësitë e asaj kohe për shkak të burgosjes së babajt tuaj.

Po, babaj im u burgos me pa të drejtë. Ai ishte antikomunist dhe si i tillë u dënua. Vetëm në Shqipëri ndodhnin dënime dhe burgosje të tilla ku një ndër mijra ishte dhe babai im. Pas burgosjes së babajt, mamanë time e internuan në Berat, pastaj nga Berati në Tepelënë, e kështu me rradhë si mijra e mijra familje shqiptare. Me që jemi në këtë pikë, pra te internimet, te Tepelena që po bëhet zhurmë e madhe këto ditë, përfitoj nga rasti të ndalem pak. Unë kam dëgjuar këta historianët, kështu u thonë se unë nuk mund t’i quajt historian ata. Se historia nuk mund të quhet profesion, pasi ajo është më shumë kulturë. Dhe ne nuk kemi nevojë për profesionin e këtyre dy tre kokrrave që të na mësojnë ne, duke na shtrembëruar realitetin. Pasi ka ardhur koha që nëse unë dua të di për Pirron e Epirit apo Jul Çezarin, i kam të gjitha mundësitë që ta mësoj se kush kanë qenë ata. Por këta më duket se jo pa qëllim, deformojnë historinë, deformojnë emra etj etj. Nuk e di a më lejohet këtë në këtë emision që të përmënd emra…

LEXO EDHE:  Asfalti elektoral, fytyra e vërtetë e fitores së çjerre të Edi Ramës!

Po patjetër, nuk kemi asnjë problem…

Po, se shof atë Paskal Milon, shof një Pëllumb Xhufin, ç’janë ca, një Gjeçov quhet, që janë jashtë kohës dhe pa dinjitet. Pasi të shkelësh mbi dhimbjet e të tjerëve dhe të tallesh dhe të përqeshësh ata që u vranë dhe u masakruan për hiç gjë e ta quash Tepelenën, “Kamp pushimi”, kjo minimum nuk është normale. Nuk ja dua të keqen njeriu, por ta kishin provuar prindërit e këtyre që përmënda më lart, ta kishin provuar baltën e Myzeqesë dhe gërxhet e Tepelenës, t’u vdisnin fëmijët në breg të lumit, ta kishin provuar ata, dhe pastaj të flisnin…?! Ata të mos na trumbetojnë vetëm ato të mira që na paska sjëllë ai regjim dhe për këtë që thashë të mos thonë asnjë fjalë.

Po nëna juaj, pse ishte në ato kampe…?

Nëna ime, faji i vetëm i nënës sime që provoi ato kampe të tmerrshme, ishte se bashkëshorti i saj ishte në burg, kaq. Gjë e cila ishte me urdhër nga fqinjët, pra që të pastrohej Shqipëria nga kjo lloj rrace duke i burgosur dhe internuar ata në mënyrë që të mos egzistonte më vetëdije kombëtare. Ai pushtet nuk i donte këta zotnilerët që thashë më lart dhe që kishin mbaruar shkollat në Perëndim, ai pushtet donte ata që zbritën nga malet të palarë, zhul dhe të paditur. E ka përcaktuar bukur Dritëro Agolli te “Krevati Perëndorit’, ku ai partizani me opinga me baltë u shtri në krevatin e Perandorit dhe tha: “Tani jam unë Perandor, pushteti është i imi”. Dhe ashtu qe, pushteti iu dha atyre. Babai im përftoi nga një amnisti e përgjithshme dhe nga dhjetë vjet që u dënua, bëri katër vjet burg politik dhe doli.

A i keni marrë dëmshbërblimet e burgut siç është ligji prej kohësh…?

Apsolutisht jo, asgjë nuk kemi marrë. Shiko, nëna ime është gjallë jeton ende në moshën 97 vjeçare dhe ajo në bazë të ligjit është përfituese e parë, por nuk kemi marrë siç të thashë asgjë. I thonë jo po duhet kjo, jo po duhet ajo, jo ta shikojmë, etj etj.

Të kthehmi tek fëmijria juaj, kur dhe si ju lindi dëshira për të vizatuar?

Kjo gjë ka ndodhur kur unë kam qenë fare i vogël dhe për fat të mirë e kishim shtëpinë ngjitur me Stabilimentin “Mihal Duri” ku kanë qenë barakat e skulptorëve dhe piktorëve. Dhe unë isha i detyruar që të kaloja aty disa herë në ditë dhe teksa i shikoja që ata pikturonin, shkoja dhe unë në shtëpi dhe mundohesha të bëja të nëjtën gjë, por më vinte turp që t’ua tregoja atyre se çfarë dija të bëja. Aty ishte Sali Shijaku, Perikli Çuli, Myrteza Fushekati, Harrilla Dhimo, i ndjeri që kam një respekt të veçantë, pasi prej atij më ndryshoi edhe jeta mua, e shumë të tjerë që më donin dhe më afronin mua pasi si duket shikonin tek unë një fëmijë që premtonte apo e donte atë profesion.

A ju afronin ata, ju futeshit në studiot e tyre?

Po, patjetër, më donin dhe më afronin dhe entuziasmoheshin kur shikonin ndonjë vizatim timin apo kur bëja ndonjë skulpturë të vogël me baltë. Dhe më thonin shpesh që të vijoja të vizatoja që të shkoja në shkollë në Lice. Dhe më ndihmoi fati vërtet. Kam pasur një mësuese të shkelqyer, Vangjeli Çomorra, bashkëshortja e shkrimtarit të njohur, Spiro Çomorra. Zysh Vangjelia ka qenë e 8-vjeçares, kurse mësuese të klasës së parë kam pasur Gjinovefa Qirjako, e shkëlqyer, asaj ja dedikoj që shënjoi jetën dhe profesionin tim. (Ajo ishte gruaja e Sotir Qirjakos, një mësues fizikant dhe shahist i madh).

Pra ajo ishte e para që vuri re tek ju talentin për të vizatuar…?

Po ajo, zysh Gjonovefa pasi e pa që unë kisha një farë talenti për të vizatuar, na thoshte para klasës: “Gimi nuk do të na e thotë mësimin e Këndimit me gojë para klasës, por do të na e parqesi me vizatime”. Dhe unë me ato lapsat me ngjyra që m’i jepte po kjo zyshë, i vizatoja dhe ajo kënaqej e më nxirrte para klasës duke më lavdëruar. Dhe unë kisha kënaqsi të madhe.

Po në shkollë si shkuat, kur dihej biografia juaj…?!

Shiko, ne kemi pas një fat që në lagjen tonë kemi pasur të gjithë vëndali dhe asnjë të ardhur. Shkonim shumë mirë me njëri tjetrin të gjitha familjet. Edhe kryetar Fronti kemi pasur një burrë shumë të mirë, një zotni. Vladimir Shanto quhej, ishte vëllai i Vasil Shantos. Dhe prej atij e kam shkollën unë. I tha babai: Si do ta t’ja bëjmë për Gimin? “Mos u mërzit”, i tha ai babës, “do ta rregullojmë se s’bën”. Dhe vërtet, unë shkova e konkurovë në Lice dhe dola shumë mirë. Por kur do filloj shkollën, më ikën dy vëllezër përnjeherë ushtarë. Mendo, ata ishin krah pune atëhere dhe në këto kushte unë u detyrova q ëtë kthehesha natën në shkollë dhe ditën të punoja për me ndihmu familjen dhe veten. Kam bërë punë të ndryshme nga më të rëndat, punë skllavi…

Dhe ishit vetëm 14-15 vjeç…?

Po vetëm 14-15 vjeç dhe kam bërë punë që të gjithë ata që më njofin, pra që i kam pas nëpër punra të ndryshme, e dinë që unë them të vërtetën. Kam punuar në Përpunim Druri, ngarkoja dërrasa, mblidhja tallashin, e kishim afër atë. Pastaj shkova në fabrikë të Tullave te Treshi, në Kamëz, atje shtyja vagona me tulla. Një punë shumë e vështirë, unë isha kalama dhe çizmet më rrinin sipër gjurit. Ato ishin çizme llastiku dhe mbusheshin me ujë dhe me baltë dhe ta kalbnin këmbën, pra ishte më mirë të rrije zbathur se me këmbë në çizmet me ujë. Kisha dhe një pallto ushtarake të vjetër që e kishte pas baba dhe atë vishja dhe e mbërtheja mirë. Kur shkoja ishte mirë se kishte autobus, por kur vija nuk kishte dhe isha i detyruar të kthehesha në këmbë në shtëpi dhe rrugës nga që më dilnin qen përpara, mbaja gjithmonë me vete nga një dru që t’i trembja të mos më hanin./ Memorie.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Histori

Dëshmia e rrallë e kolonelit/ Enveri ka gisht në vrasjen e Vojos dhe spiunoi Koci Xoxen te italianët

Publikuar

-

Nga

Publikohen kujtimet e panjohura të kolonel Hamit Keçit, ish-shok kursi me Mehmet Shehun në shkollën ushtarake në Itali dhe më pas në akademinë ushtarake të Moskës. Memorie.al shkruan se ai në periudhën e Luftës, ishte një nga drejtuesit kryesorë të njësiteve guerile të Tiranës së bashku me Beqir Ballukun, dhe për atë kontribut, iu besua detyra e Komandantit të Brigadës së XXII-të Sulmuese, pas Luftës ajo e Shefit të Zbulimit pranë Shtabit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes ku dhe përfundoi në burg pas një konflikti me Enver Hoxhën. Dëshmitë e Keçit për implikimin e Enverit në vrasjet e bujshme të komunistëve në Tiranë, nga tre Heronjtë e Kodrës së Kuqe me në krye Vojo Kushin, te pesë komunistët nga Fieri me në krye Ferit Xhajkun, si dhe Koci Xoxen, të cilit Enveri i sugjeroi të ndërtinte një barakë, ku dhe e arrestuan italianët…?!

Një nga ata persona që pas viteve ’90-të kanë hedhur hije dyshimi dhe kanë bërë akuza të drejtpërdrejta ndaj Enver Hoxhës, duke e bërë atë përgjegjës kryesor në vrasjen e disa prej komunistëve kryesorë gjatë periudhës së Luftës në vitet 1939-1944, ka qenë edhe koloneli në pension Hamit Keçi, një nga komunistët e parë në Tiranë dhe më pas komandant i Brigadës së 22-të dhe i Korpusit të Parë të Tiranës. Pas mbarimit të Luftës, ai përfundoi Akademinë Ushtarake në Bashkimin Sovjetik dhe shërbeu në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes, duke mbajtur funksionin e drejtorit të Zbulimit. Në vitin 1949, ai u arrestua teksa tentonte të hynte me forcë në vilën e Enver Hoxhës, ku donte të sqaronte disa konflikte që i kishin lindur me kuadrot kryesorë të Shtabit të Përgjithshëm. Pas kësaj ai u dënua me 15 vite burg, pasi Enver Hoxha kujtoi se ai kishte shkuar për ta vrarë. Pas dënimit të Hamitit, të njëjtin fat pësuan edhe dy vëllezërit e tij, Isufi (nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës) dhe Maliqi, si dhe burri i motrës së tyre, ministri i Transporteve, kolonel Njazi Islami, i cili u vra nga Sigurimi i Shtetit, duke e shpallur si vetëvrasje. Pas viteve ’90-të, Hamit Keçi filloi të shkruajë kujtimet e tij për periudhën e Luftës, ku ndër të tjera e akuzonte Enver Hoxhën si përgjegjësin kryesor për disa nga vrasjet e bujshme që u bënë në atë kohë në Tiranë. Disa prej atyre ngjarjeve koloneli në pension Hamit Keçi na i ka dëshmuar publikisht pak kohë para se të ndërronte jetë, ndërsa në shkrimin e mëposhtëm, ekskluzivisht për Memorie.al po botojmë disa ngjarje të tjera nga kujtimet e tij të lëna në dorëshkrim.

“Zbulimi i depos së armëve”

Një ndër akuzat e para të Hamit Keçit ndaj Enver Hoxhës është ajo që thotë se Enveri ka treguar tek italianët vendndodhjen e depos sekrete të armëve, e cila ishte në bodrumin e shtëpisë së Shyqëri Këllezit, njërit prej anëtarëve të Grupit Komunist të të Rinjve të Tiranës. Sipas Keçit, Enveri e bëri atë për të implikuar dhe fshehur kontributin e punën e atij grupi në dobi të Luftës, krerët e të cilit, Anastas Lulën dhe Sadik Premten, ai i shihte si rivalë kryesorë për kreun e PKSH-së. Lidhur me ngjarjen e zbulimit të depos nga ana e italianëve, midis të tjerash, në kujtimet e tij, Hamit Keçi ka shkruar: “Aty nga viti 1940 Anastas Lulo dhe Sadik Premtja ndërtuan një dhomë në oborrin e shtëpisë së Shyqëri Këllezit. Poshtë dhomës ata ndërtuan një bodrum të fshehtë, me qëllim që të fusnin aty armët që do të grumbullonin për çetat partizane që do të formoheshin në rrethin e Tiranës. Armët u sollën në Tiranë pjesë-pjesë gjatë periudhës kur zhvillohej lufta italo-greke dhe transporti i tyre bëhej nga shokët e Vlorës me në krye Fejzo Gjomemën.

Kështu, aty në atë bodrum të ndërtuar posaçërisht për këtë qëllim, u strehuan gjithsej: 6 mitraloza të lehtë tip “Breda”, 24 pushkë, 17 revolverë dhe dy arka me bomba dore. Për këtë depo armësh nuk është folur asnjëherë nga Enver Hoxha në kujtimet e tij, sepse Enveri asnjëherë nuk e ka pranuar që Anastasi dhe Sadik Premtja të kenë qenë për luftë kundër okupatorit. Në kohën kur ato armë ndodheshin të fshehura aty, në shtëpinë e Shyqëri Këllezit, erdhi dhe u strehua Miladin Popoviçi, të cilin e liroi nga kampi i Peqinit, Mustafa Gjinishi. Në kujtimet e veta në librin e tij “Kur lindi Partia”, në mes të tjerash Enveri shkruan: ‘Miladinin e vendosëm në një bazë të sigurtë’. Por ai nuk thotë se në atë bazë, e cila ishte shtëpia e Shyqëri Këllezit, ndodhej edhe depoja e armëve. Po kështu, Enveri nuk e tregon edhe faktin se në atë bazë Miladinin e solli Anastas Lulo, i cili bashkëpunoi me Gjinishin për sjelljen e tij në Tiranë. Shumë të paktë ishin ata që kishin dijeni atëherë për atë bazë, dhe unë e dija nga goja e Anastasit, i cili më kishte porositur disa herë që t’i kontrolloja ato armë a ishin vendosur dhe ambalazhuar mirë, me qëllim që të mos ndryshkeshin nga lagështia. Ky veprim u ndërpre nga vendosja në atë dhomë e Miladinit. I pyetur para tre vjetësh për fatin e asaj depoje armësh, Shyqëri Këllezi ka dëshmuar se aty kishte shkuar tre herë policia për kontroll dhe vetëm herën e tretë ata kishin mundur që të gjenin hyrjen sekrete të depos. Nuk ka asnjë dyshim se këtë depo ia dorëzoi armikut vetëm Enver Hoxha”.

Keçi: “Enveri tregoi Ferit Xhajkon”

Një nga akuzat e dyshimet e tjera që Hamit Keçi ka hedhur në kujtimet e tij për Enver Hoxhën, është edhe ajo ku thuhet se Enveri ka treguar tek italianët për Ferit Xhajkon e shokët e tij, të cilët u arrestuan në vitin 1942 në dalje të qytetit të Fierit. Lidhur me këtë ngjarje, në mes të tjerash Keçi ka shkruar: “Pasi kishte spiunuar Koçi Xoxen tek italianët, Enveri bëri të njëjtën gjë, duke futur në burg Sinan Gjonin (Rrumbullakun), i cili në atë kohë ishte sekretar organizativ i Qarkorit Komunist të Vlorës. Në 12 prill të vitit 1942, Sinani erdhi në Tiranë si ilegal për të marrë pjesë në mbledhjen e aktivit të PKSH-së, së bashku me Hysni Kapon, i cili ishte sekretar politik i Qarkorit të Vlorës. Në mbarim të mbledhjes, Miladin Popoviçi e lavdëroi Sinanin për punën e mirë dhe plot aktivitet që kishte bërë Qarkori i Vlorës, i cili në atë kohë kishte organizuar aksionin e hapjes së depove të grurit duke ia shpërndarë popullit, si dhe hedhjen në erë të depove të municionit të italianëve në Rradhimë. Pas mbledhjes, Enveri e ndau Sinanin nga Hysniu, dhe për atë gjë në kujtimet e tij ai shprehet: ‘Hysniun e mbajtëm për disa punë në Tiranë, kurse Sinanin e nisëm për në Vlorë të shoqëruar me tre ilegalë’. Por e vërteta qëndron ndryshe, nuk ishin tre, por pesë ilegalë: Hamdi Mëzezi, Ferit Xhajko, Nikolla Tupe, Spiro Dhima e Niko Arapi. Në kujtimet e tij, Enver Hoxha e vazhdon gënjeshtrën, duke thënë: ‘Hamdiun, Feritin, Nikollën e Sinanin i arrestuan në Fier, Sinanin e internuan në Itali, kurse tre shoqëruesit, pasi i torturojnë i varën’. Me atë dëshmi Enveri kërkon të njollosë Sinan Gjonin, për të cilin thotë se e internuan në Itali, kurse tre shoqëruesit i varën.

Në fakt, e vërteta është kështu: pesë ilegalët dhe Sinani, me një makinë pesëvendëshe, u nisën për në Vlorë. Në të dalë të Fierit, te postblloku, policia ndalon veturën dhe një polic i detyron të zbresin nga makina. Gjatë kontrollit, në xhepin e pasmë të pantallonave ai i gjeti një komunikatë Ferit Xhajkos. Pas kësaj policia kontrolloi gjithë veturën, ku gjeti edhe pesë revolverë të fshehur në motorin e saj. Pas gjetjes së armëve, ata i arrestojnë menjeherë dhe i nisin për në Fier, ku pasi i torturojnë, i marrin që andej dhe i sjellin në Tiranë. Edhe në Tiranë ata u torturuan nga kuestura, por nuk treguan asgjë. Nisur nga kjo gjë, ata i nxjerrin në gjyq dhe i dënojnë të pestë me vdekje, kurse shoferin me 15 vjet burg. Pasi i dënuan, ata i sollën në burgun e vjetër ku ndodhesha dhe unë në atë kohë. Një ditë aty erdhën nga Gjykata Ushtarake duke i pyetur përsëri një nga një, se ku po shkonin atë ditë që ishin arrestuar e ç’qëllime kishin. Ata u premtuan se po të tregonin, do t’u falej jeta, por ata nuk e hapën gojën. Mbas tre ditësh, Feritin, Nikollën e Hamdiun i varën, kurse Sinanit, Spiros e Nikos ua falën jetën. Të tre ata që u falën, më pas u bashkuan me ne dhe Sinani, që unë e njihja prej kohësh kur vinte në shtëpinë time përpara formimit të Partisë, më tregoi të vërtetën se si kishte ndodhur arrestimi i tyre. Pak ditë më vonë, Sinanin e morën dhe e internuan në ishullin San-Stefano në Itali, nga ku ai u kthye në vitin 1944. Në fillimin e vitit 1945, Sinanin e arrestuan dhe e burgosën, e pa e nxjerrë fare në gjyq, e marrin një natë dhe e pushkatojnë. As sot nuk dihet se ku ndodhen eshtrat e tij. Kjo ngjarje m’u kujtua kur kam lexuar librin e Enverit “Kur lindi Partia”, dhe që nga ajo kohë, duke e ditur të gjithë ngjarjen, unë kam krijuar bindjen e plotë se ata u tradhtuan nga Enver Hoxha.

LEXO EDHE:  Asfalti elektoral, fytyra e vërtetë e fitores së çjerre të Edi Ramës!

LEXO EDHE:  Qeveria Rama, më keq se ajo e Adil Çarçanit

“Enveri i tha Koçit të ndërtonte një barakë dhe aty e arrestuan”
Në kujtimet e tij, Hamit Keçi ka shkruar edhe për mënyrën se si Enver Hoxha erdhi në krye të Partisë Komuniste, duke zënë vendin e Sekretarit të Komitetit Qendror, funksion i cili, sipas Keçit, në mbledhjen e 8 nëntorit 1941 i ishte ngarkuar Koçi Xoxes. Lidhur me manovrat që përdori Enveri për të ardhur në krye të Partisë, midis të tjerash Keçi ka shkruar: “Në fundin e muajit tetor 1941, në shtëpinë e Bije Vokshit u bë një mbledhje nën drejtimin e Dushanit, me qëllim që të sheshoheshin divergjencat ne mes të grupeve komuniste. Kjo mbledhje përfundoi pa sukses. Në mbledhjen e 8 nëntorit, Anastas Lulo dhe Sadik Premtja shkuan aty, duke kujtuar se ajo do të ishte vazhdim i asaj mbledhjeje dhe do të diskutonin përsëri për të sqaruar divergjencat e më pas të binin dakord për formimin e Partisë Komuniste. Në mbledhjen e 8 nëntorit, Anastasi dhe Sadiku u ndodhën përpara një kurthi të përgatitur që më parë. Të mbetur vetëm, Anastasi dhe Sadiku pranuan që më parë të formohej Partia, dhe pastaj të diskutohej për të sheshuar divergjencat që kishin grupet në mes tyre. Kështu, Partia u formua edhe me votat e tyre, ndërsa diskutimet vazhduan edhe për disa ditë të tjera. Akuza kryesore që i bëhej Grupit të të Rinjve, ishte se nuk pranuan direktivat e Kominternit, ndërsa Grupi i Korçës i kishte përqafuar dhe i kishte vënë në jetë. Këto ishin pallavra të kota. Në mbledhjen e 8 nëntorit, Koçit i është thënë se ishte zgjedhur Sekretar i Komitetit Qendror provizor dhe për arsye të konspiracionit të thellë, votimet aty ishin bërë pa emra, por vetëm me të dhënat e biografive. Kjo gjë nuk iu tha anëtarëve të Komitetit Qendror. Gjatë mbledhjes së aktivit të Partisë që u zhvillua nga data 12 deri më 14 prill 1942, në të cilën nuk merrte pjesë Koçi Xoxe pasi ishte në burg, pranë Miladinit qëndronte Enver Hoxha. Të gjithë pjesëmarrësit e asaj mbledhjeje që vinin nga rrethet, duke parë Enverin pranë Miladinit, e konsideruan atë si Sekretar të Komitetit Qendror të Partisë. Po si kishte ndodhur arrestimi i Koçit? Në atë kohë Enveri e këshilloi Koçin që të ndërtonte një barakë ku të ushtronte zanatin e tij si teneqexhi, në mënyrë që të zhdukte çdo dyshim nga policia dhe spiunët. Kur Koçi po e përfundonte barakën me ndihmën e Andon Deçkës, befasisht aty vijnë dy policë dhe e arrestojnë së bashku me Andonin. Pasi i arrestuan, ata të dy i dërguan direkt në burgun e vjetër të Tiranës. Në këtë mënyrë Enveri e hapi rrugën për të zënë vendin e Sekretarit të Komitetit Qendror provizor”.

Dëshmia e Keçit: Enveri i implikuar në vrasjen e Vojo Kushit

Një ndër akuzat e shumta të Hamit Keçit për Enver Hoxhën është edhe ajo për vrasjen e Vojo Kushit, Xhoxhi Martinit e Sadik Stavalecit, të cilët njihen ndryshe edhe si tre heronjtë e Kodrës së Kuqe. Lidhur me këtë, në kujtimet e tij Keçi ka shkruar: “Në tetorin e vitit 1942, pasi Sadik Stavaleci ishte kthyer nga sanatoriumi i Barit në Itali, Enveri e caktoi që të shkonte në Kosovë. Në mëngjesin e 7 tetorit ai u gjet i rrethuar në shtëpinë e Haxhi Farkës. Në mbrëmjen e 6 tetorit, në atë shtëpi ka shkuar edhe Enver Hoxha, gjë të cilën mua ma ka treguar vëllai im, Maliqi (Keçi), që kishte shkuar aty atë natë për të parë Xhoxhi Martinin, me të cilin kishte shumë shoqëri. Xhoxhi qëndronte në atë shtëpi pasi ishte plagosur në këmbë, gjatë një përpjekjeje me armë që kishin bërë me policinë Isuf Keçi, Mërkur Çela dhe Xhoxhi, në shtëpinë e Isuf Radës. Në mbrëmjen e 6 tetorit, një orë para se të mbyllej qarkullimi, në shtëpinë e Haxhi Farkës vjen Enver Hoxha dhe përzë prej aty Maliqin e një person tjetër të quajtur Muharrem Llanaj, i cili kishte ardhur aty nga çeta e Matit, ku ishte caktuar si i deleguar i KQ të PKSH-së. Enveri i përzuri ata të dy, duke u thënë se nuk duhej të strehoheshin shumë komunistë në një bazë, se mund të diktoheshin nga italianët, ashtu siç kishte ndodhur pesë muaj më parë me Qemal Stafën. Pasi i përzuri ata të dy nga ajo bazë, aty mbetën vetëm Vojo Kushi, Sadik Stavaleci dhe Xhoxhi Martini, të cilët ishin anëtarë të Grupit të të Rinjve të Tiranës.

Pak minuta pas largimit të Enverit, Muharrem Llanaj u kthye përsëri aty në atë bazë, pasi ai nuk kishte se ku të shkonte. Siç dihet, ajo bazë u rrethua nga italianët dhe të katër shokët që ndodheshin aty, luftuan kundër tyre me armë në dorë. Siç dihet, Vojo, Xhoxhi dhe Sadiku luftuan deri në pikën e fundit të gjakut në një luftë të pabarabartë, duke u bërë simbol heroizmi për brezat që do vijnë. Kurse Muharremi u kap i gjallë dhe u burgos nga italianët në burgun e Tiranës, ku ai u prezantua jo me emrin e tij, por me një emër të rremë. (Më pas Muharremi doli nga burgu dhe pas çlirimit ai ka qëndruar në internim në fshatrat e Lushnjës deri në 1991, duke mos u përmendur asnjëherë si pjesëmarrës i betejës së Kodrës së Kuqe). Nuk ka asnjë dyshim se në rrethimin e shtëpisë së Haxhi Farkës ka qenë dora tradhtare e Enver Hoxhës, i cili synonte eleminimin e Sadik Stavalecit, pasi e shihte atë si një pretendent të mundshëm për vendin e Sekretarit të PKSH-së. Në këtë post Enveri u zgjodh në Konferencën e Parë të PKSH-së që u mbajt në Labinot nga data 17 deri më 22 mars 1943, ku u zgjodh dhe Komiteti Qendror definitiv, me Enverin Sekretar të Përgjithshëm. Është marrë vesh se në mbarim të punimeve të asaj mbledhjeje, nën kryesinë e Enver Hoxhës është mbajtur një mbledhje tjetër sekrete, ku janë dënuar me vdekje të gjithë anëtarët kryesorë të Grupit të të Rinjve. Zbatimi i atij vendimi filloi shumë shpejt mbas kësaj mbledhjeje. I pari u ekzekutua Anastas Lula dhe pas tij me radhë Neki Ymer Hoxha, Xhemil Çakërri, Sadik Premtja (u plagos dhe u arratis nga Shqipëria), Pali Terova, Sinan Gjoni, Fejzo Gjomema etj.”/Memorie.al

LEXO TE PLOTE

Histori

Dëshmia e rrallë/ Si i shtypëm dhe i copëtuam me granata dy djemtë në qendër të Shkodrës, kush e dha urdhërin

Publikuar

-

Nga

Publikohet historia e panjohur e ndodhur në qytetin e Shkodrës më 23 janar të vitit 1983, kur dy të rinj, Fatmir Gusha dhe Sali Breshni, pasi kishin rrëmbyer tre armë automatike “Kallashnikov”, dhe disa karikatorë, në një nga repartet që ndodhej në fshatin Shtoj, u nisën drejt qytetit tek Dega Ushtarake, ku pasi u diktuan dhe u konfliktuan me një oficer, filluan të qëllonin në ajër në shenjë presioni.
Memorie.al shkruan se largimi i tyre, për të shkuar tek Dega e Brendshme, u pikas nga forcat e policisë dhe u detyruan të qëndronin tek një rrugicë pas Instituti Pedagogjik, “Luigj Gurakuqi”, ku hynë dhe u ngujuan tek shtëpia e familjes Hysej, ku u rrethuan nga forca të shumta të Policisë së Shkodrës dhe Divizonit Ushtarak, si dhe Forcave Speciale (Reparti 326) të ardhura nga Tirana.

E gjitha ngjarja, sipas dëshmisë së rrallë të ish-Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të qytetit të Shkodrës, Përparim Xhoxhaj, publikohet për herë të parë nga Memorie.al, pasi që nga mbrëmja e 23 janarit 1983 e deri më sot, gjithçka ka mbetur në heshtje duke e mbuluar me mister atë ngjarje që tronditi jo vetëm qytetin e Shkodrës, por edhe udhëheqjen e lartë në Tiranë, pasi Ramiz Alia dërgoi urgjent në Shkodër ministrin e Punëve të Brendëshme, Hekuran Isai, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Kasem Kaçi dhe gjithë natën që u mbajtën të rrethuar dhe deri në mëngjes, kur dhe u eliminuan fizikisht, duke i shembur shtëpinë me një tank dhe duke i qëlluar me granata, Ramizi ishte në kontakte me ta, duke dhënë urdhra, mendime dhe sugjerime.

Kush ishte Fatmir Gusha që në qytetin e Shkodrës njihej edhe me nofkën, “Caf Susta”, dhe Sali Breshni, çfarë problemesh kishin ata dhe familjet e tyre me regjimin komunist në fuqi dhe cili ishte qëllimi i tyre pas marrjes së armëve në repart dhe përse ata nuk pranuan të dorëzohehsin edhe pasi forcat e policisë dhe personalisht, Drejtori i Përgjithshëm Kasem Kaçi, dërgoi djalin 13 vjeçar të Fatmirit, që e mësonin oficerët e Dëgës, i bënte thirrje të jatit, që të dozohej…?!

Dëshmitë e Përparim Xhoxhaj, dhe familjes Gusha, Mit’hati, (vëllai i Fatmirit), Bardhit djalit të Fatmirit, që u morr peng nga policia për “negociata”, me të atin, si dhe disa shokëve të “Caf Sustës”, me rrëfimet e tyre për herë të parë hedhin dritë mbi këtë ngjarje, për 37 vite eshtrat e tyre nuk janë gjetur ende edhe pse familjarët s’kanë reshtur së kërkuari?!

Ishte mbrëmja e 23 janarit e vitit 1983, kur qetësinë në qytetin e Shkodrës, e prishën disa krisma armësh dhe sirenat e automjeteve të policisë të cilat drejtoheshin për nga qendra e qytetit, në zonën afër Institutit Pedagogjik “Luigj Gurakuqi”. Këto, shkaktuan një panik dhe frikë në të gjithë qytetin, ku thuhej se: “një bandë e armatosur kishte ardhur nga Jugosllavia, duke vajtur deri në qendër të qytetit pa u kuptuar nga njeri, aty ishin rrethuar nga forcat e policisë, ushtrisë dhe Forcat Speciale nga Tirana, që po luftonin kundra tyre dhe ata nuk dorzoheshin”?!

Të gjitha këto, si dhe versione nga më të ndryshmet lidhur me atë që po ndodhte atë mbrëmje të 23 janarit të vitit 1983 në qytetin e Shkodrës, do të vazhdonin të “bluheshin” paralel me atë që po ndodhte realisht aty pas Institutit Pedagogjik te shtëpia e Hysej-ve, e vërteta do të merrej vesh vetëm në mëngjesin e datës 24 janar, pak pasi armët kishin pushuar dhe sirenat e policisë nuk po dëgjoheshin më.

Atë mëngjes në të gjithë Shkodrën u hap lajmi se dy personat që ishin ngujura në shtëpinë e Hysej-ve kishin luftuar gjithë natën kundra forcave të policisë dhe atyre të ushtrisë që i mbanin të rrethuar, kishin qenë Fatmir Gusha, (i njohur ndryshe me nofkën Caf Susta) dhe Sali Breshni, një shok i tij. Pasi nuk pranuan të dorëzoheshin, u eliminuan fizikisht duke u qëlluar me granata dhe një tank i vogël i Divizionit të Shkodrës, ua prishi shtëpinë duke i zënë brenda ata. Lidhur me këtë ngjarje të ndodhur 37 vite më parë në qytetin e Shkodrës, e cila u mbajt e fshehtë nga regjimi komunist dhe nuk është bërë kurrë publike Memoria.al publikon pjesën e parë të intervistës me ish-Kryetrarin e Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, z. Përparim Xhoxhaj, të cilën ai na e ka dhënë para pak vitesh.

Zoti Xhoxhaj, si e kujtoni ngjarjen e 23 janarit të vitit 1983 dhe a i kishit njohur më parë dy të rinjtë shkodranë, Fatmir Gusha (i njohur ndryshe se Caf Susta) dhe Sali Breshnin?
Të ndjerin Fatmir Gusha apo siç është njohur ndryshe si Caf Susta, e kam njohur për herë të parë tre – katër ditë para asaj ngjarje ku ai mbeti i vrarë. Kurse atë tjetrin, shokun e tij, Sali Breshnin, nuk e njihja fare.

Konkretisht në ç’rrethana e njihnit, Fatmirin…?
Unë si Kryetar Dege, bëja pritje populli çdo të hënë, kur kishte persona që kishin ndonjë hall apo problem të ngutshëm, i takoja dhe i prisja në zyrë në çdo kohë. Një nga këto pritje jashtë ditës së zakonshme, ishte dhe ajo që i bëra Fatmirit dhe bashkëshortes së tij në zyrën time. Ata kërkuan takim dhe unë i prita. Në fakt, Cafi siç e thërrisnin për shkurt, ishte divorcuar nga bashkëshortja, gjë e cila ishte bërë false, me qëllim që ajo me fëmijët të mos vuante masën e dënimit me internim, që i ishte dhënë Cafit me vendim gjykate për problemet që ai kishte, dënim të cilin ai e vuante në fshatin Hajmel të Shkodrës.

Konkretisht për çfarë ishte dënuar Cafi me internim?
Nuk e mbaj mënd mirë, pasi ai ishte dënuar disa herë për krime të hapura siç i quanim ne në terma profesionale, kurse në zhargonin popullor, quheshin si “krime ordinere”. Në mos gaboj, Fatmiri kishte kundërshtuar organet e policisë apo ishte konfrontuar fizikisht me ta duke mbrojtur një person tjetër, shok të tij ndoshta, të cilin donin ta arrestonin forcat e policisë pas një prishje rendi në një nga lokalet më të njohura të qytetit të Shkodrës. Nuk e kujtoj mire me detaje, por në thelb kjo ishte një nga ngjarjet që ishte bërë shkas për dënimin dhe internimin Fatmirit.

Si vijoi takimi juaj me Cafin dhe gruan e tij?
Cafi rrinte pak më prapa gruas së tij dhe e shikoja që dridhej i tëri, ishte jashtë mase i ngarkuar nga ana psikologjike dhe mllefi tij dallohej qartë, por nuk fliste fare. Unë mendova se ai; ishte i dehur, me një fjalë dukej i papërqendruar dhe pak si depresiv. Gruaja e tij, e cila ka qenë një grua shumë e mirë, më tha: “Shoku kryetar, nëse ka mundësi, burrit tim i ka mbetur edhe një vit për të vuajtur internimin, prandaj po mundët t’ja falni pjesën e mbetur dhe ai të kthehet në shtëpi, pasi kemi halle dhe tre fëmijë për të rritur”.

Si iu përgjigjët ju kërkesës së saj?
Unë i thashë se: sipas ligjeve në fuqi, nuk ishte në kompetencën time falja e dënimit, dhe menjëherë në prani të tyre u lidha direkt në telefon, me personin që mbulonte zbatimin e ligjishmërisë (Adil quhej, mbiemri nuk më kujtohet), i cili më tha se ajo mund të bëhej vetëm me vendim gjykate. Pas kësaj unë mora në telefon Kryetarin e Gjykatës së Shkodrës, Mërgim Dragushën dhe i thashë po të njëjtat fjalë. Mergimi më tha se do ta shikonte atë problem. Pas kësaj, gruaja e Cafit me tha që t’ja shtyja ca ditë lejen që i ishte dhënë (Cafit) për t’u larguar nga vendi i internimit, për arsye se ai kishte qënë në spital ku dhuronte gjak (merrte 3 mijë lekë të vjetra) dhe të rrinte pak ditë me fëmijët.

Po atë kërkesë të tyre, a ua plotësuat?
Unë u lidha përsëri në tel me personin që mbulonte ligjshmërinë (Adilin) dhe i thashë t’ja shtynte lejen. Ai më tha se kishte folur në telefon me mjekun S. A., dhe ai i kishte thënë që: Cafit i kishte dhënë letër shtrimi për në spitalin e Tiranës, dhe ai të lejohej të shkonte në Tiranë për t’u shtruar. Unë i thashë që t’i shtyhej leja nga vendi i internimit duke dalë unë garant me firmën time dhe pasi të kthehej nga spitali, Cafi të paraqitej tek ne në Degë. Pas kësaj, Cafi me gruan mbetën shumë të kënaqur dhe më falënderuan shumë të dy. Kështu u ndava me ta, në mos gaboj ka qenë ditë e enjte dhe pas tre ditësh, ndoshta e shtunë duke u gdhirë e diel, ndodhi ngjarja ku ai me shokun e tij, Sali Breshni mbetën të vrarë.

Si e kujton atë ngjarje?
Atë pasdite, nga ora 18 e 30 në mos gaboj, unë isha duke shkuar në zyrën time në Degën e Brëndëshme bashkë me Qemal Lamën, shefin e Hetuesisë së Republikës, i cili kishte ardhur nga Tirana të ndiqte një problem pune të linjës së tij. Sapo u futa në zyrë ra telefoni dhe e kapa unë menjëherë. Një zë burri shumë i tronditur (të cilin se mësova kurrë se kush ishte) më tha: “Ç’farë bëni ju të Degës, këtu po vriten njerëz”?! Ku, e pyeta unë?! “Këtu, pas Institutit”, më shpjegoi ai. Menjëherë unë dola në dritare dhe dëgjova të shtëna armësh automatike me breshëri të zgjatura.

LEXO EDHE:  Asfalti elektoral, fytyra e vërtetë e fitores së çjerre të Edi Ramës!

LEXO EDHE:  Paskal Milo: Rama reforma njësoj si në diktaturë/ Presion dhe terror psikologjik

Çfarë bëtë pas asaj që dëgjuat?
E lashë Qemalin në zyrë dhe zbrita poshtë, duke u nisur menjëherë tek vëndi i ngjarjes, ku para meje kishin mbërritur 6 a 7 policë, të cilët kishin vajtur aty me vetëiniciativë, pasi kishin dëgjuar të shtënat. Personat që qëllonin, ishin futur forcërisht në një shtëpi pas godinës së Fakultetit (Universitetit të sotëm) ku banonte familja Hysaj (i zoti i shtëpisë quhej Agim Hysaj) dhe nga dritaret e asaj shtëpie, qëllonin papushim.

Çfarë po ndodhte konkretisht aty dhe si komentohej ajo ngjarje në popullin e Shkodrës?
Përveç krismave dhe breshërive të armëve që dëgjoheshin dhe shikoheshin qartë, fillimisht asgjë nuk dihej më shumë dhe nisur nga kjo, ngjarja që po ndodhte komentohej dhe interpretohej nga mënyrat më të ndryshme. Por ajo që dominonte nga të gjitha versionet apo më saktë hamëndjet që qarkullonin në të gjithë qytetin, ishte ajo që: “Disa persona të armatosur të ardhur nga Jugosllavia, janë futur në një shtëpi dhe po luftojnë me forcat e policisë, të ushtrisë dhe ato vullnetare rezerviste, që i kanë rrethuar nga të katër anët”. Veç këtyre fjalëve dhe hamendjeve që qarkullonin, ngjarja bëhej më tragjike dhe paniku rritej, kur u mësua lajmi se kishin mbetur të vrarë dhe dy persona.

Kush ishin ata dhe në ç’rrethana kishin mbetur të vrarë?!
Njëri ishte një i moshuar, Sul Dashi quhej, për të cilin u tha se u vra nga të shtënat qorre para derës së shtëpisë së tij dhe një djalë i vogël, 13 vjeç, i cili vdiq pak kohë më pas në spital nga plaga e plumbit.

Kur e mësuat ju se ata që ishin të rrethuar aty dhe qëllonin, ishin Fatmir Gusha dhe Sali Breshni?
Aty e mësuam në vendngjarje, pasi Cafi me Saliun, përpara se të hynin aty, kishin hyrë në një shtëpi tjetër më përpara, më saktë të shtëpia e Kolec Thanit, (vëllait të aktores së njohur, Tinka Kurtit), ku kishte pasur një darkë familjare dhe kishte edhe persona të tjerë të ftuar. Pasi kishin qëndruar pak tek shtëpia e Kolec Thanit, ata ishin larguar andej dhe kishin dalë në rrugë, nga frika e përballjes me policinë, ishin detyruar të futeshin tek shtëpia e Hysajve.

Dihej nga ana juaj se sa persona ishin?
Fillimisht ne e dinim se janë tre persona në atë shtëpi, pasi nga reparti ushtarak ku ata kishin marrë armët, na u raportua se mungonin tre armë “kallashnikov” dhe 37 karikatorë me fishekë.

Ku i kishin marrë armët Cafi me Saliun në cilin repart ushtarak dhe si u mësua nga policia?
Armët ata i kishin marrë në një repart të Zbulimit, që ndodhej në fshatin Shtoj të Shkodrës, ku kohë më parë kishte kryer disa muaj shërbimin ushtarak, Sali Breshni, I cili nuk e kishte mbaruar ende shërbimin ushtarak, pasi ishte dënuar për ikje pa leje. Ai duke e njohur mirë atë repart, kishte mundur të futej aty bashkë me Cafin, pikërisht atë pasdite kur oficeri roje kishte ikur në shtëpi, nënoficeri ishte larguar dhe pas tyre pothuaj të gjithë ushtarët ishin larguar. Dhe duke përfituar nga kjo situatë Cafi me Saliun kishin marrë tre armë kallashnikov dhe 37 karikatorë me fishekë, të cilat i kishin futur në këllëf jasteku të ushtarëve.

Po pasi arritën të merrnin armët dhe karikatorët me fishekë, nga kanë lëvizur ata?
Pas kësaj, krejt të qetë ata kanë ardhur në drejtim të qytetit të Shkodrës deri tek Dega Ushtarake, ku dhe janë kuptuar se kanë qenë të armatosur dhe filluan të qëllojnë me breshëri në ajër. (Këto gjëra ne i mësuam më vonë, në analizat që bëmë në Degë).

Si u kuptuan ata, pra kush i konstatoi se ishin të armatosur?
I pari që i ka parë ata të dy të armatosur, ka qenë gruaja e një oficeri, të cilët banonin tek pallati përpara Degës Ushtarake.

Konkretisht si…?
Ata të dy, (burrë e grua), ishin nisur të shkonin në një vizitë familjare dhe gruaja ndërsa po priste para pallatit të shoqin të zbriste, ngjiti shkallët e trembur duke i thënë se aty poshtë ishin dy persona të armatosur. Oficeri i tha të shoqes se duhet të ishin të Degës Ushtarake, por ajo i tha se nuk dukeshin të tillë, pasi ishin të çoroditur.

Si kishte vepruar oficeri pas asaj?
Ndërkaq oficeri doli në dritaren e shtëpisë dhe u foli atyre: “Ore,… ça jeni ju, dhe ç’kërkoni aty?!” Ata e ofenduan apo e kërcënuan oficerin, duke i thënë të futej brënda, ndryshe do ta vrisnin dhe aty për aty kanë qëlluar me armë në ajër me breshëri. Pra, këtu janë kuptuar ata fillimisht, apo më saktë këtu kanë nisur ata të qëllonin në ajër, këtë ata e kanë bërë gjatë gjithë rrugës deri tek shtëpia e Hysajve, prapa Institutit, rrugë e cila është diku tek 600-700 metra.

Kthehemi tek ngjarja që po ndodhte, pra tek shtëpia ku ata ishin të rrethuar, a u vu në dijeni Tirana për çfarë po ndodhte aty dhe si vijoi ngjarja?
Patjetër, punë minutash u bë lajmërimi në Tiranën dhe unë si kryetar i Degës që drejtoja operacionin për kapjen e tyre, kam komunikuar disa herë në telefon si me Ramiz Aline, ashtu dhe me Ministrin e Brendshëm, Hekuran Isain, i cili u nis menjëherë nga Tirana dhe erdhi e u vendos të Shtëpia e Pritjes në Velipojë.

Ç’farë ju thoshin ata dhe përse Hekuran Isai qëndroi në Velipojë dhe nuk erdhi aty në vend-ngjarje?
Ramizi që në atë kohë ishte Kryetar i Kuvendit Popullor, pyeste rreth ngjarjes dhe po ashtu edhe Hekurani, por udhëzime nuk mund të jepnin, se gjithçka varej nga situatat që ndodhin aty. Pse qëndroi Hekurani në Velipojë, këtë nuk mund ta them me saktësi, pasi ashtu e ka menduar ai, por aty në vendngjarje erdhi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Kasem Kaçi, i cili qëndroi bashkë me mua gjatë gjithë natës dhe deri në mëngjes duke drejtuar operacionin. Pra si të thuash, nga detyra që kishte Kasemi, ishte ai që më komandonte edhe mua.

A ishte normale në një ngjarje të tillë, kur ishte alarmuar udhëheqja e lartë, si p.sh. Ramiz Alia siç thatë dhe ju që komunikonit me të, Ministri i Punëve të Brendshme të qëndronte në Velipojë…?! Apo kishte frikë të vinte aty nga që thuhej se kishin ardhur nga Jugosllavia…?!
Të jemi të sinqertë, normale nuk mund ta quajmë atë gjë, por unë po ju tregoj dinamikën e ngjarjes se si ka ndodhur, se po të hymë në analiza, si dhe pse u veprua ashtu, apo kështu, ndodhi, nuk mbarojmë kurrë bisedën…?!

Kthehemi tek ngjarja. Thatë se Drejtori i Policisë së Shtetit, Kasem Kaçi, ishte ai që drejtonte Operacionin dhe jo ju?! Apo ana ligjore, pra a ishte e përcaktuar kjo se kush duhet të drejtonte operacionin në një ngjarje të tillë?
Nuk mund t’u them me saktësi këta se çfarë parashikonte ligji dhe rregulloret tona, por unë isha vartës i tij, pra i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe normalisht duhet të zbatoja urdhrat dhe porositë e tij, aq më shumë kur thashë se ai lidhej e merrte urdhra nga ministri Hekuran Isai dhe Ramiz Alia në Tiranë.

Po forca të tjera përveç atyre të policisë që kishit ju në Degën e Brëndëshme, dhe kuadro të tjerë të lartë, a ju erdhën në ndihmë apo përforcim?
Po, erdhën disa persona nga Tirana që shoqëronin Kasem Kaçin, dhe përveç tyre, aty erdhën edhe forcat special efektivë të Repartit 326, apo siç njiheshin ndryshe si sampistët, pasi ai repart ishte krijuar për të tilla ngjarje, edhe pse ato ishin të rralla, për të mos thënë fare. Para se të vinin ato forca speciale nga Tirana, pas alarmit që u dha për të gjithë rrethin e Shkodrës, aty erdhën dhe disa forca ushtarake dhe vullnetare (rezerviste) të Divizionit të Shkodrës, të cilat ishin nën komandën e Komandantit (Llukan Garo) dhe Komisarit (Dedë Gjergji), të atij Divizioni, të cilët rrinin në zyrën time në Degën e Brëndëshme.

Sa ishte numri i atyre forcave dhe kush i komandonte?
Nuk e di as sot sa ishte numri i atyre forcave pasi ajo gjë përbënte sekret ushtarak dhe as guxonte njeri të pyeste pasi arrestohesh menjëherë, kushdo të ishe. Ndërsa të gjitha ato forca, në çdo veprim që bëhej aty, ishin nën komandën time, pasi unë drejtoja operacionin direkt në vendngjarje dhe nga Dega e Brëndëshme, duke bërë ecejake (Degë – vëndngjarje) me dhjetra herë. Ndërsa unë siç ju thashë, komandohesha dhe veproja nën urdhrat e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Kasem Kaçit, i cili realisht drejtonte operacionin./Memorie.al

LEXO TE PLOTE

Histori

Tentoi vetëvrasjen, por e varrosën të gjallë/ Historia tragjike e kolonelit të diplomuar në Torino

Publikuar

-

Nga

Publikohet për herë të parë historia e panjohur e Sulejman Vuçiternës nga fisi që e ka prejardhjen nga Verbovsi i Drenicës së Veriut. Memorie.al shkruan se ai në moshën 18-vjeçare, kishte nën komandën e tij mbi 400 burra të armatosur dhe me cilësinë e komandantit të komitës, Sulejmani së bashku me Bajram Currin e Hasan Prishtinën, nënshkruan peticionin për rishikimin e kufijve që ishin vendosur në 1913-ën dhe ribashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, gjë e cila solli dhe dënimin e tij me vdekje qeveria serbe e Pashiqit.

Ardhja e Sulejmanit në Shqipëri pas një burse të dhënë nga Hasan Prishtina për nxënësit kosovarë dhe shkollimi në Normalen e Elbasanit dhe më pas në Akademinë Ushtarake të Torinos në Itali, nga ku u kthye në atdhe duke shërbyer në qytetet e Kavajës, Korçës Shkodrës e Beratit, fillimisht në sektorin e Prapavijës së Ushtrisë Mbretërore, e më pas si Komandant i Shkollës së Plotësimit të Oficerëve të Monarkisë Shqiptare.

Dorëheqja e Sulejman Vuçiternës pas agresionit fashist të 7 prillit të ’39-ës dhe kthimi në Kosovë ku ai bashkohet me Komitetin e Mbrojtjes së Kosovës dhe emërimi i tij si Komandant i Komandës së Mbrojtjes së Kufijvë Veri-lindorë të Shqipërisë, ku zhvilloi disa luftime të ashpra kundra forcave çetnike të Drazha Mihajlloviçit, në Kolashin, Novi-Pazar, Mal të Zi etj. Kthimi i Sulejmanit në Shqipëri në vjeshtën e ’44-ës dhe arrestimi i tij nga komunistët më 14 nëntor të atij viti, ku të lidhur me zinxhir, disa partizanë e dërguan në fshatin Shupal, rrëzë malit të Dajtit ku mbaheshin të izoluar shumë nga ish-funksionarët e lartë të qeverive shqiptare që nga koha e Ismail Qemalit.

Dënimi i Sulejmanit në Gjyqin Special me 30 vjet burg, ku edhe pse aty erdhi si dëshmitare dhe e mbrojti e ëma e Heroit të Popullit, Xhezmi Delli, duke deklaruar se ai ishte patriot dhe i kishte shpëtuar disa herë jetën të birit, vendimi i gjyqit u la në fuqi dhe ai u dërgua për të vuajtur dënimin në Kampin e Vloçishit, ku nga tmerret tentoi vetëvrasjen, duke prerë gishtat e këmbës me bel dhe komandanti i Kampit, Tasi Marko, nuk e lejoi ta dërgonin në spital, por e la të vdiste dhe atë e varrosnin ende pa i dalë shpirti…?!

Ka qenë mesi i muajit nëntor të vitit 1944, kur forcat partizane që ishin dislokuar në periferi të kryeqytetit, rrëzë malit të Dajtit dhe kontrollonin pothuaj gjithë pjesën lindore të qytetit të Tiranës, prisnin nga ora në orë largimin e forcave gjermane që tërhiqeshin nga Rruga e Elbasanit për në drejtim të Shkodrës, për të hyrë si triumfatorë në kryeqytetin e çliruar. Ndonëse lufta akoma nuk kishte mbaruar, komunistët kishin filluar larjen e hesapeve dhe skuadra speciale partizanësh sipas listave që kishin marrë nga shtabi qendror i tyre që ishte akoma në zonën e Priskës, shkonin lagje më lagje e shtëpi për shtëpi për të bërë arrestimet apo eliminimet e atyre që ata i konsideronin si “armiq e kriminelë të popullit”. Në mesnatën e 14 nëntorit, skuadrat speciale të partizanëve arritën të arrestonin dhe kolonel Sulejman Vuçiternën që ndodhej në shtëpinë e tij (sot ambasada greke), diku afër lagjes periferike të kryeqytetit te “Zogu i Zi”. Po kush ishte Kolonel Vuçiterna, cila ishte e kaluara e tij dhe përse ishte futur ai në “listat e zeza” të komunistëve për t’u arrestuar prej tyre?

Kush ishte Sulejman Vuçiterna?

Ai lindi më 11 shtator të vitit 1898 në qytetin e Vuçiternës në Kosovë. Sulejmani rrjedh nga dera e Kastratëve të Verbovsit të Drenicës së Veriut, ku i pari i atij fisi, Mulla Ali Kastrati (Shkoza) ishte shpërngulur nga Bushati i Shkodrës nga ku është dhe origjina e herëshme e familjes tij, e u vendos fillimisht në Malësinë e Gjakovës, aty rreth vitit 1609. Familja Vuçiterna që mbajti për mbiemër emrin e vendlindjes së të parëve të sajë, njihet në të gjithë atë krahinë, si një nga familjet më patriote që ka marrë pjesë në të gjitha luftrat kundër pushtueseve të huaj që kanë shkelur Kosovën. Babai i Sulejmanit, Mulla Bajram Kastrati, ishte klerik mysliman dhe së bashku me dy djemtë e tij, Isufin e Rexhepin, ishin tepër të njohur si prijës të Drenicës dhe për veprimtarinë e tyre në dobi të çështjes kombëtare, gjithmonë ndiqeshin për tu arrestuar nga pushtuesit turq. Sulejmani, pasi u shkollua në vendlindjen e tij Vuçiternë, i ndërpreu mësimet e në moshën 16 vjeçare mori armët e u bashkua me komitët në atë që njihet si “Lëvizja kaçake kosovare”. Për aftësitë e tija të jashtëzakonshme si organizator e drejtues, në vitin 1916 kur nuk ishte më shumë se 18 vjeç u caktua si komandant i çetës së Verbovcës dhe kishte nën komandën e tij mbi 400 burra të armatosur. Pasi ishte formuar mbretëria serbo-kroato-sllovene, aty nga viti 1919, forcat e xhandarmërisë serbe shkuan në fshatin Verbovcë dhe rrethuan shtëpinë e tij për ta arrestuar. Por ato nuk ia arritën dot qëllimit, sepse Sulejmani duke luftuar brenda në kullë, arriti që ta çante rrethimin dhe u largua. Në shenjë hakmarrje, forcat e xhandarmërisë serbe ia dogjën kullën dhe groposën të gjallë vëllanë e tij, Isufin, që ishte klerik mysliman. Pas kësaj ngjarje, Sulejmani u bë tepër i njohur në krye të çetës së Verbovcës nga që ishte shumë i ri në moshë dhe aty rreth vitit 1922, me cilësinë e komandantit të komitës, së bashku me dy deputetët e parlamentit shqiptar, Bajram Currin e Hasan Prishtinën, nënshkruan peticionin për rishikimin e kufijve që ishin vendosur në 1913-ën dhe ribashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, gjë e cila solli dhe dënimin e tij me vdekje nga qeveria serbe e Pashiqit.

Diplomohet në Akademinë e Torinos

Pas dënimit me vdekje që ju dha nga serbët, i shtyrë dhe nga familja, duke mos pasur rrugëzgjidhje tjetër, Sulejmani vendos që të vijë në Shqipëri. Pasi la të gjithë njerzit e afërt dhe familjen në Kosovë, aty nga fundi i vitit 1922 së bashku me disa pjestarë të çetës tij, niset për në drejtim të kufirit malazezo-shqiptar, pasi kaloi me not nga liqeni i Shkodrës. Menjëherë pasi erdhi në Shqipëri, ai vazhdoi shkollën që e kishte ndërprerë në vendlindjen e tij, kur ishte 16 vjeç. Pas kësaj, duke përfituar nga një bursë shtetërore prej kontigjentit të nxënësve kosovarë që paguheshin nga fondet e mbledhura prej Hasan Prishtinës, ai u regjistrua në Normalen e Elbasanit të cilën e mbaroi aty nga viti 1929. Mbas mbarimit të shkollës Normale të Elbasanit, Sulejmani u vendos në Tiranë përkohësisht ku dhe krijoj familje duke u martuar me Faika Spatharën (me të cilën pati katër djem e një vajzë), që ishte vajza e ushtarakut të njohur të karrierës (nga Skrapari) kolonel Mustafa Spathara. Në atë kohë Sulejmani përfitoi një bursë shtetërore dhe shkoi në Itali në Akademinë Ushtarake të Torinos të cilën e mbaroi me rezultate të lartë në vitin 1933, duke u diplomuar në armën e Këmbësorisë. Mbas diplomimit ai u kthye në Shqipëri dhe emërohet në Komandën e Përgjithshme të Ushtrisë Kombëtare, në sektorin e Prapavijës. Në këtë sektor, Sulejmani punoi për më pak se një vit dhe më pas fitoi të drejtën e një specializimi një vjeçar për në Gratz të Austrisë, po për degën e Prapavijës, të cilin e mbaroi në qershorin i vitit 1935. Mbas kthimit nga specializimi ai emërohet në repartet e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, në qytetet e Kavajës, Korçës Shkodrës e Beratit. Punon për disa kohë në këto qytete, nga ana e Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë, ai u propozua për të shkuar si pedagog në Shkollën Mbretërore të Plotësimit të Oficerëve në Tiranë ku punoi për disa kohë si pedagog në këtë shkollë, ai propozohet nga Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Shqiptare, gjeneral Xhemal Araniti, për t’u emëruar si komandant i Shkollës së Oficerëve, gjë të cilën Mbreti Zog e dekretoi menjëherë. Në këtë detyrë ai shërbeu deri në prillin e vitit 1939, kur Italia kreu agresionin fashist ndaj Shqipërisë.

Pas 7 prillit 1939, largohet në Kosovë

LEXO EDHE:  Asfalti elektoral, fytyra e vërtetë e fitores së çjerre të Edi Ramës!

LEXO EDHE:  Samiti i Ballkanit, Rama takon Vuçiç/ Brenda 3 muajsh tjetër takim mes politikanëve dhe biznesmenëve të dy vendeve, përfshihet edhe Kosova

Mbas 7 prillit të vitit 1939, Sulejman Vuçiterna nuk pranoi të shërbente më në Ushtrinë Kombëtare dhe pasi dha dorëheqjen nga detyra, u kthye në jetën civile. Duke mos pasur asnjë mjet jetese për të mbajtur familjen, pasi ajo jetonte vetëm me rrogën që ai merrte si oficer, u largua për në vendlindjen e tij në Kosovë, të cilën e kishte lënë që nga viti 1922, ku dhe kishte të gjithë të afërmit e familjen. Në vitin 1941, duke parë situatën e krijuar dhe pas kërkesës së vazhdueshme të parisë nacionaliste të Kosovës, Sulejmani mobilizohet përsëri në radhët e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare. Krahas detyrës ushtarake, ai bashkohet dhe me Komitetin e Mbrojtjes së Kosovës. Po në atë vit, Sulejmani u emërua si Komandant i Komandës së Mbrojtjes së Kufijvë Veri-lindorë të Shqipërisë, që fillonin nga Mali i Zi me Serbinë, e deri në Llap, afër kufirit me Bullgarinë. Këtë detyrë të rëndësishme e mjaft të vështirë Sulejmani e kreu nga vjeshta e vitit 1941 e deri në vjeshtën e vitit 1944, kur u kthye në Tiranë. Gjatë atyre tre viteve të qëndrimit në Kosovë në krye të forcave që komandonte, së bashku dhe me vullnetarët që i kishte rekrutuar vetë, zhvilloi disa luftime të ashpra kundra forcave çetnike të Drazha Mihajlloviçit, përpjekje të cilat u bënë kryesisht në Kolashin, Novi-Pazar, Mal të Zi etj. Po kështu aty nga fillimi i muajit mars të vitit 1943, në krye të forcave ushtarake e vullnetare që komandonte, nënkolonel Vuçiterna zhvilloi përsëri luftime të rrepta kundra forcave serbo-malazeze-çetniko-komuniste, të cilat u shtrinë në zonën e Tushiqit, Çukovskit, Previjes, Rezallës, Okllacit, e deri në zonën e Rashkut. Në këto luftime të ashpra që zgjatën nga data 4 deri më 26 mars, forcave që komandoheshin nga Sulejmani u erdhi në ndihmë dhe një batalion artilerie i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, i cili në përbërje të tij kishte dhe dy oficerë italianë me gradat e kapitenit, që quheshin Rudi e Sada. Nga këto luftime forcat e komanduara nga Sulejmani dolën me humbje të vogla, kurse ato serbo-malazeze patën humbje të konsiderueshme. Për këtë rezultate që arriti në fushën e Luftës, nënkolonel Vuçiternës ju akordua grada e kolonelit nga Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Kombëtare.

Me parinë nacionaliste të Kosovës

Gjatë viteve të qëndrimit në Kosovë, Sulejmani mori pjesë aktive dhe u bë një nga mbështetësit kryesorë i Lëvizjes Nacional-Demokrate Shqiptare, ose siç njihet ndryshe “Balli Kombëtar i Kosovës”, që udhëhiqej nga profesorët Ymer Berisha dhe Luan Gashi, si dhe Bedri Pejani, Bedri Gjinaj, Rexhep Mitrovica, Mehmet Gradica etj. Sulejmani së bashku me Mehdi Elezin e Hajredin Spahiun, mbanin lidhje të vazhdueshme me Shërbimin Informativ Anglez (Intelixhent Servis), për realizimin e marrëveshjes së bërë nga Lëvizja Nacional-Demokrate Shqiptare me atë shërbim informative, për ndihmën që qeveria britanike do t` ju jepte forcave nacionaliste të Kosovës, në luftën kundra pushtueseve italianë. Sulejmani, përveçse një ushtarak i talentuar i karrierës, ishte dhe një intelektual i formuar me prirje perëndimore, i cili zotëronte mjaft mirë dhe disa gjuhë të huaja, si: turqisht, serbo-kroatisht, italisht, gjermanisht dhe anglisht. Ai së bashku me një grup intelektualësh kosovarë që kishin mbaruar universitetet e Perëndimit, bënin një propagandë aktive shumë të madhe në popull, për lidhjet e bashkëpunimin që kishin me aleatët anglo-amerikanë, e ndihmën që ata po jepnin për të fituar luftën kundra boshtit fashist: Romë-Berlin-Tokio. Nga fillimi i vjeshtës së vitit 1944, Vuçiterna si ushtarak profesionist i karrierës, ju përgjigj urdhrave të eprorëve të tij, për ta lënë Kosovën dhe u rikthye përsëri në Tiranë, ku kishte lënë dhe familjen që nga viti 1939.

Rikthehet në Tiranë e arrestohet

Pasi la Kosovën, Sulejmani erdhi e u vendos në Tiranë pranë familjes tij në shtëpinë që e kishte ndërtuar vetë (aty ku sot është ambasada greke) që nga fillimi i viteve ‘30-të. Ai as që e kishte menduar kurrë atë çka do i ndodhte më vonë pas ardhjes në shtëpinë e tij (arrestimin), sepse gjatë gjithë karrierës së tij ushtarake, kishte punuar dhe luftuar vetëm për Shqipërinë dhe për atë gjë, ishte dënuar me vdekje nga forcat çetnike – komuniste (serbo- malazeze), gjatë kohës që kishte luftuar kundër Drazha Mihajlloviçit në Kosovë. Kështu ai duke e ndjerë vetën krejt të pastër për atë që kishte bërë gjatë gjithë jetës tij, u kthye në shtëpinë e tij në Tiranë tepër i vetëdijshëm. Por llogaritë e kolonel Vuçiternës duket se nuk “kuadronin” aspak me ato të komunistëve që kishin ardhur në pushtet dhe mezi prisnin për të larë hesapet me ata që i konsideronin si “kundërshtarë politik apo armiq të popullit”. Kështu pak ditë pas ardhjes tij në Tiranë, akoma pa u çmallur mirë me familjen, aty nga mesnata e 14 nëntorit të 1944-ës, kur gjermanët ende nuk ishin larguar nga kryeqyteti, në shtëpinë e tij u paraqit një skuadër speciale partizanësh e cila e arrestoi duke i`u thënë familjes: “Sa për një sqarim në komandë.” Pas kësaj skuadra speciale e partizanëve e bashkoi me disa “kolegë” të tjerë, dhe ashtu të lidhur me zinxhirë tre nga tre, në këmbë i nisi për në Shupal, rrëzë malit të Dajtit, ku disa baraka të vjetra tip kazeramsh ushtrie që ruheshin nga partizanë të armatosur, shërbenin si burg. Në ato kazerma ku mbaheshin të arrestuar edhe dhjetra persona të tjerë (shumica ish funksionarë të lartë të qeverive shqiptare që nga koha e Ismail Qemalit), si ministra, deputetë, prefektë, ushtarakë madhorë etj, Sulejmani qëndroi deri në datën 21 nëntor, kur po ashtu të lidhur tre nga tre i nisën përsëri në këmbë për në Tiranë, duke i “sistemuar” tek burgu i vjetër (sot “Mine Peza”).

Në gjyqin Special, 30 vjet burg

Në Burgun e Vjetër të Tiranës, për katër muaj, kolonel Sulejman Vuçiterna iu nënshtrua torturave ç’njerzore deri sa doli në Gjygjin Special, i cili u hap në fillimin e muajit mars 1945. Senacës gjygjësore për Sulejmanin u zhvillua në datën 29 mars, ku pati disa replika të ndërsjellta në mes tij dhe Prokurorit Bedri Spahiu. Në atë gjygjë avokat i Sulejmanit u caktua Spiro Stringa, i cili me profesionalizëm të lartë bëri të pamundurën për ta lehtësuar klientin e tij, duke gjetur si dëshmitarë për ta mbrojtur atë, disa persona, si: Hajri Jegenin, Gjon Llambushin e Fehmi Poshin. Po kështu një mbrojtje të madhe i bëri Sulejmanit, Habibe Delli, (nëna e Xhezmi Dellit, komunist “Hero i Popullit”), e cila ishte fqinje me familjen Vuçiterna. Ajo shkoi vetë dhe deklaroi në sallën e gjygjit (pa e thërritur njeri), duke u shprehur: “Sulejmanin e njoh si njeri të ndershëm dhe shumë korrekt, pasi e kam komshi. Duke qenë oficer i lartë, në një rast e di që ai i ka shërbyer Lëvizjes. Kur Xhezmiut i ishte përgatitur pusia, ai i shpëtoi rrethimit, falë informacionit të zotit Sulejman, si dhe dërgimit të atij municioni qoftë dhe të vogël që ai kishte me vete. Ai ishte simpatizant i Lëvizjes Nacionalçlirimtare, por vetë nuk doli në mal të luftonte, se ishte me një veshkë. Përse ky njeri duhet të jetë në bankën e të akuzuarëve si kriminelë?” Pas kësaj, Gjygji Special, e dënoi Sulejmanin me 30 vite burg e punë të detyruar së bashku me Sokrat Dodbibën, Et`hem Carën, Anton Kozmaçin, Sami Kokën, Mihal Zallarin, Ndoc Naraçin e Lazër Radin. Sulejmani nuk “pati fatin” t`a plotësonte dot dënimin e dhënë, sepse vdiq më 15 tetor të vitit 1945 në kampin e Vloçishtit, në kënetën e Maliqit ku vuante dënimin, duke prerë vetë gishtat e këmbës me bel. Sipas disa dëshmive nga bashkëvuajtës të tij në atë burg, Komandanti i Kampit, Tasi Marko, nuk pranoi kërkesën e mjekut Hysenbegasi, për ta dërguar Sulejmanin në spitalin e Korçës, por e varrosën ashtu gjysëm të gjallë, pa i dalë akoma shpirti në një gropë buzë kallamishteve të kënetës së Maliqit, për të mos u gjetur kurrë eshtrat e tija./Memorie.al

LEXO TE PLOTE