Connect with Us

Sa gjatë mund të jetojnë njerëzit?

Blog

Sa gjatë mund të jetojnë njerëzit?

Publikuar

-

Nga Anthony Medford, James W Vaupel & Kaare Christensen

* Njerëzit sot po jetojnë më gjatë. Ndërsa ka pasur ngritje të dukshme, jetëgjatësia në përgjithësi është rritur vazhdimisht për shumë vite. Ajo është dyfishuar në 2 shekujt e fundit. Kjo rritje, është diktuar kryesisht nga reduktimi i vdekshmërisë foshnjore.

Por që nga vitet 1950, faktori kryesor nxitës ka qenë reduktimi i vdekshmërisë tek moshat më të vjetra. Për shembull, në Suedi, ku të dhënat kombëtare të popullsisë janë mbledhur që nga mesi i shekullit XVI, dhe janë të një cilësie shumë të lartë, jetëgjatësia maksimale ka qenë në rritje, për thuajse 150 vitet e fundit.

Rritja e jetëgjatësisë, është vërejtur edhe në shumë vende të tjera, përfshirë Evropën Perëndimore, Amerikën e Veriut dhe Japoninë. Kjo ka sjellë një rritje të shpejtë të numrit të njerëzve shumë të moshuar – ata që jetojnë deri në 100, 110 vjeç apo më shumë.

Mbi 100-vjeçari i parë i verifikuar (110 vjeç e sipër) ishte Gert Adrians-Bumgard, që vdiq në vitin 1899 në moshën 110 vjeç e 4 muaj. Që nga ajo kohë, rekordi i tij është thyer nga të tjerë. Gruaja e parë e verifikuar mbi 100-vjeçare, Margaret Ana Niv, vdiq në vitin 1903 në moshën 110 vjeçe e 10 muaj, dhe e mbajti këtë rekord për gati 23 vjet.

Delina Filkins vdiq në vitin 1928 kur ishte 113 vjeçe e 7 muaj. Ajo e mbajti këtë rekord për pak më shumë se 52 vjet. Rekordmenia aktuale, sa i përket jetëgjatësisë është francezja Zhan Kalment, që vdiq më 4 gusht 1997, në moshën 122 vjeçe e 5 muaj. Pavarësisht nga rritja gati eksponenciale e numrit të mbi 100-vjeçarëve që nga fillimi i viteve 1970, rekordi i saj mbetet i qëndrueshëm, por ajo nuk ka gjasa që ta mbajë atë për një kohë të gjatë.

T`i mbijetosh të 100-ave

Megjithëse këto prirje të jetëgjatësisë janë shumë të përhapura, ato nuk janë të mirëqena. Përmirësimet e fundit në vdekshmërinë e njerëzve në Danimarkë, pas një periudhe stanjacioni, kanë çuar në dyshimin se jetëgjatësia e mbi 100-vjeçarëve mund të rritet më tej. Kjo është mjaft e ndryshme nga ajo që është vërejtur kohët e fundit në Suedi, ku ka pasur disa ngadalësime në moshat më të larta.

Ne kemi studiuar 16.931 mbi 100-vjeçarë (10.955 suedezë dhe 5.976 danezë) të lindur ndërmjet viteve 1870 dhe 1904 në Danimarkë dhe Suedi, vende fqinje me lidhje të ngushta kulturore dhe historike, për të parë nëse dyshimet tona janë të sakta.

Edhe pse Suedia ka në përgjithësi norma më të ulëta të vdekshmërisë sesa Danimarka në shumicën e grupmoshave, nuk ka pasur prova për një rritje të jetëgjatësisë në Suedi gjatë viteve të fundit. Sidoqoftë, në Danimarkë tek shumë më të moshuarit u vu re se vdisnin në moshat më të vjetra, dhe mosha në të cilën mbijetonin vetëm 6 për qind e 100-vjeçarëve, u rrit vazhdimisht gjatë periudhës së studimit.

LEXO EDHE:  Studimi i BERZH/ Krimi, korrupsioni dhe infrastruktura e dobët ulin të ardhurat në Shqipëri

Danimarka dhe Suedia janë të ngjashme në shumë mënyra, por prirjet e jetëgjatësisë janë shumë të ndryshme. Pabarazia, mund të vijë për disa shkaqe, të cilat nuk janë të lehta për t’u shmangur plotësisht. Por ne kemi disa ide.

Sistemet shëndetësore

Së pari, ka nivele të ndryshme të shëndetit në mesin e dy popullatave të moshuara. Studimet e fundit, kanë treguar përmirësime në shëndetin e matur nga Aktivitetet e Përditshme të Jetesës (APJ) – detyrat themelore të nevojshme për pasjen e një jete të pavarur, si larja apo të veshurit – tek grupet femra të 100-vjeçareve në Danimarkë. Ndërkohë, në Suedi, prirje të tilla për të moshuarit kanë qenë më pak optimiste.

Një studim zbuloi se nuk kishte përmirësim në APJ, me një përkeqësim të lëvizshmërisë, të njohurive dhe testeve të performancës. Dallimi në të dyja sistemet e kujdesit shëndetësor, sidomos kohët e fundit, mund të orientonte në njëfarë mënyre drejt shpjegimit të ndryshimit. Shpenzimet për shërbimet publike u zvogëluan në Suedi në fillim të viteve 1990, për shkak të një sërë krizash ekonomike.

U prek edhe kujdesi shëndetësor për të moshuarit. Për shembull, në kujdesin ndaj pacientëve të moshuar, ka pasur një zhvendosje nga spitalet tek azilet e pleqve, dhe një reduktim të numrit të shtretërve në azile. Shkurtimet e shpenzimeve, i kanë lënë më të rrezikuar disa njerëz të moshuar, veçanërisht ata që u përkasin grupimeve më të ulëta socio-ekonomike.

Përveç kësaj, të dyja vendet kanë ndjekur rrugë paksa të ndryshme për kujdesin ndaj të moshuarve: Suedia ka prirje të ndihmojë më të moshuarit, ndërsa Danimarka ka një qasje pak më të gjerë. Disa studime sugjerojnë, se qasja e Suedisë ka rezultuar në disa pacientë që kërkojnë kujdes dhe të mos e marrin atë, me pak segmente të popullatës së moshuar që mbështeten më shumë tek kujdesi familjar, që mund të jetë i një cilësie më të ulët.

Studimi ynë krahasues, sugjeron disa gjëra interesante edhe për kombet e tjera, veçanërisht aty ku ka ekonomi në zhvillim. Këto rezultate tregojnë, se mund të jetë e mundur të zgjatet më tej jetëgjatësia e njeriut, nëse mund të ketë përmirësimet në sistemin shëndesor për moshat shumë më të thyera, dhe nëse është gjerësisht i disponueshëm një kujdesi i një cilësia të lartë ndaj të moshuarve. Në fakt, nëse është vërtet kështu, atëherë revolucioni i jetëgjatësisë njerëzore do të vazhdojë për njëfarë kohe.

“The Conversation” – Bota.al

KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Foto-Si është të jetosh në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar?

Publikuar

-

Nga

Gjashtë shkencëtarë dhe inxhinierë të hapësirës, që jetojnë dhe punojnë në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar, po udhëtojnë me një shpejtësi prej 8 km në sekondë, duke u rrotulluar rreth  Tokës një herë në 92 minuta.

Me sa dimë, ata duhet të jetojnë mesatarisht 6 muajm duke jetuar dhe punuar me një ekuipazh shumëkombësh. Po çfarë është Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar? Dhe si është të jetosh dhe të punosh 400 km mbi Tokë? Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar, është një laborator orbital hapësinor, i ndërtuar falë bashkëpunimit disa-dekadësh të disa vendeve.

Ai peshon 360 tonë, dhe është më i madh se sa një shtëpi me 5 dhoma gjumi, por shumë më e gjatë dhe më e ngushtë. Ai ka hapësirë ​​të mjaftueshme për 6 dhoma gjumi, një palestër, një dritare ku mund të shihet në një kënd 360 ​​gradë, dhe së fundmi është zona ku kryhet një gamë e gjerë eksperimentesh shkencore.

“Ne kemi pasur një prani të vazhdueshme njerëzore në stacionin hapësinor prej 19 vjetësh”- thotë zëdhënësja e NASA-s, Stefani Shierholc. “Ka pasur një bashkëpunim fantastik ndërkombëtar midis kombeve”- shton ajo. Ndërtimi i Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar nisi në nëntorin e vitit 1998, nëpërmes një partneriteti midis Kanadasë, Evropës, Japonisë, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Pjesë të stacionit u dërguan në hapësirë ​​në 42 fluturime të posaçme, duke përdorur 37 anije hapësinore amerikane dhe 5 ruse. Pajisja e fundit e madhe e dërguar në stacionin hapësinor – Spektrometri magnetik Alfa, që është montuar për të ndihmuar në eksperimentet e fizikës së thërmijave- u dërgua në majin e 2011-ës.

Ky laborator shkencor, punon falë energjisë së prodhuar nga një sërë panelesh diellore me sipërfaqe 1 hektarë, të cilat e bëjnë atë një nga objektet më të ndritshme në qiell. Ju mund ta shihni me sy të lirë Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar. Ai duket si një avion me lëvizje shumë të shpejtë në qiell.

Rruga e tij orbitale, mund të shihet nga mbi 90 përqind e popullsisë në botë. Madje NASA publikon rregullisht një orar, se kur stacioni është i dukshëm në qytetin juaj. Po cilat janë sfidat kryesore të të jetuarit në hapësirë? Së pari është mikrograviteti, çka do të thotë se anëtarët e ekuipazhit kanë shumë pengesa në aktivitetet e jetës së tyre të përditshme si ngrënia, gjumi dhe shëtitja jashtë shtëpisë.

Stacioni hapësinor nuk ka frigorifer. Ndaj çdo ushqim duhet të ruhet me kujdes, dhe shpesh futet në qese me vakum. Disa ushqime kanë forma të veçanta, siç janë makaronat që kërkojnë vetëm shtimin e ujit, apo vezët e shkuqura. Edhe kripa dhe piperi, gjenden në formë të lëngshme, pasi përndryshe grimcat e tyre do të fluturonin nëpër stacion.

LEXO EDHE:  Studimi zbulon/ Nëse muzika ju rrënqeth mishin atëherë ju keni një tru të veçantë

LEXO EDHE:  Studimi/ Fëmija i dytë është më problematik se i pari

Në kohën e darkës, anëtarët e ekuipazhit e fiksojnë tabakanë ku gjendet ushqimet e tyre në mur.

Ndërkohë në mungesë të dusheve dhe lavamanëve normalë, astronautët dhe kozmonautët përdorin sapun dhe shampo të ngurtë. Edhe pse graviteti zero duket në pamje të parë argëtues, jo gjithçka është pozitive. Anëtarët e ekuipazhit, duhet të stërvihen më shumë se 2 orë në ditë për të parandaluar atrofizimin e muskujve, dhe reduktimin e masës kockore, si pasojë e jetesës në mikrogravitet.

Për shkak se astronautët nuk janë të detyruar të përdorin muskujt e tyre të poshtëm të trupit për të ecur ose qëndruar në hapësirë, muskujt e shpinës dhe ato të këmbëve nisin ta humbin forcën nëse nuk ushtrohen rregullisht. Shierholc deklaroi për CNN, se studimi i kushteve fizike të astronautëve në hapësirë, ka ndihmuar shumë në hulumtimet mjekësore mbi sëmundjen e osteoporozës.

Ndërkohë, fluturimi në hapësirë ​​dobëson sistemin imunitar të njeriut, dhe shëndetin e tij  kardiovaskular. Në Tokë, zemrat e njerëzve rrahin më fort për të luftuar gravitetin, dhe për të qarkulluar gjakun në të gjithë trupin. Por në hapësirë, gjaku dhe uji lëvizin vetëm në pjesën e sipërme të trupit. Kjo bën që fytyrat e astronautëve të jenë shpesh të fryra.

Astronautët hasin jo pak vështirësi për të fjetur. Ata përjetojnë 16 lindje lindje dhe perëndime të diellit çdo ditë, dhe duhet të qëndrojnë brenda kapsulave të tyre të gjumit, për të kompensuar mungesën e gravitetit. Sipas NASA-s, astronautët duhet të flenë 8 orë gjumë në ditë. Por disa prej tyre raportojnë vështirësi, për shkak të eksitimit ose sëmundjes së lëvizjes.

Jo vetëm kaq, por të jetuarit në hapësirë, madje mund të ndryshojnë tiparet fizike të astronautëve. Astronauti Skot Keli u rrit me 3 cm pasi kaloi gati 1 vit në hapësirë, ​​dhe pësoi ndryshime gjenetike, ndoshta për shkak të ekspozimit të gjatë ndaj rrezatimit, duke e dëmtuar ADN-në e tij.

Ekuipazhi më i fundit – pjesë e Ekspeditës 61 – përfshin astronautë dhe kozmonautë nga SHBA-ja, Rusia dhe Italia. Ata do të punojnë në stacion nga tetori i këtij viti, deri në shkurtin e vitit 2020.

Sipas NASA-s, ekuipazhi i Ekspeditës 61 është duke zhvilluar studime mbi materien e errët, mbrojtjen e organeve jetike nga rrezatimi, dhe mbi eksplorimin e ardhshëm të Hënës dhe Marsit. Ekuipazhi do të kryejë në total 250 investigime shkencore në një varg fushash, përfshirë biologjinë, shkencën e tokës dhe zhvillimin e teknologjisë. NASA vlerëson se deri tani në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar, janë kryer më shumë se 2.500 eksperimente./ “CNN”-Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Po vjen Titanik II/ Ç’duhet të dini mbi anijen që po ndërtohet nga manjati australian Klajv Palmer

Publikuar

-

Nga

Titaniku e nisi udhëtimin e tij të parë dhe të fundit më 10 prill 1912, nga porti i Sauthemptonit në Angli. Pesë netë më vonë, ai u përplas me një ajsberg, dhe u mbyt në ujërat e acarta të Atlantikut të Veriut, duke shkaktuar vdekjen e më shumë se 1.500 njerëzve.

Në vitin 2012, kompania e ngjashme me atë të dikurshme “Blue Star Line”, e drejtuar nga miliarderi autralian Klajv Palmer, njoftoi nisjen e ndërtimit të Titankut II, një kopje e të parit, por më modern dhe më i sigurtë. Palmer tha se udhëtimi i parë i Titanik II, do të niset nga Dubai në në Emiratet e Bashkuara Arabe. Prej aty në Sauthempton, dhe destinacioni i fundit do të jetë sërish Nju Jorku.

Titanik II do të kalojë sërish pranë vendit, ku Titanik I u përplas fatalisht me ajsbergun. Kompania thotë se do të marrë të gjitha masat e mundshme, për të garantuar sigurinë e gjithë pasagjerëve. Kështu masa e parë, do të jetë pajisja e anijes me barka të mjaftueshme shpëtimi, jo vetëm për 2700 pasagjerët, por edhe për ekuipazhin.

Titaniku dikur kishte vetëm 16 barka druri, që strehuan gjithsej 1178 njerëz, vetëm një e treta e kapacitetit të anijes. Titaniku origjinal, ishte shumë luksoz për kohën e tij. Nëse Titanik II, ruan të njëjtin nivel çmimesh, udhëtimi në të do të jetë mjaft i kushtueshëm.

Biletat e klasit të tretë, mund të jenë 350-900 dollarë secila. Ndërsa kabina më luksoze e klasit të parë, mund të kushtojë rreth 100.000 dollarë. “Blue Star Line”, thotë se po harxhon rreth 500 milionë $ për ndërtimin e anijes së re. Në vitin 1912, Titaniku kushtoi 7.5 milionë $, ose 180 milionë $ me kursin e sotëm.

Pra duket se ky trans-oqeanik, do të jetë shumë më tepër luksoz. Titanik II, do të ndërtohet gati identik si pari. Ai do të mbajë deri në 2.400 pasagjerë, nga 2.240 pasagjerët që ndodheshin në Titanikun e dikurshëm. Titanik II do të ketë hapësirë për 900 anëtarë të ekuipazhit, dhe 835 kabina.

Ai do jetë 269 metra i gjatë dhe 53 metra i lartë. Planet e projektimit, përfshijnë gjithashtu kopje të restoranteve, dhe dhomave të ngrënies së Titanikut origjinal. Ndërkohë do të riprodhohet edhe Kafeja e famshme Pariziane. Ai do të ketë një pishinë më përmasa olimpike, ndonëse mund të konsiderohet e vogël, duke pasur parasysh numrin e pasagjerëve.

LEXO EDHE:  Mbajtja e një qeni, zvogëlon rrezikun e vdekjes tek personat me probleme në zemër

LEXO EDHE:  Mbajtja e një qeni, zvogëlon rrezikun e vdekjes tek personat me probleme në zemër

Dhe sigurisht, jo të gjitha pasagjerët e të gjitha klasave, do të jenë në gjendje të hyjnë në pishinë. Aty do të ketë edhe një palestër të madhe, njëlloj si në Titanikun e famshëm. Dizenjimi i brendshëm i Titanik II, synon të jetë sa më i ngjashëm me anijen origjinale.

Edhe pse veshja me dërrasa druri, do të duhet të zëvendësohet me rimeso, për shkak të rregullave aktuale të mbrojtjes nga zjarri. Ndryshe nga origjinali, Titanik II po ndërtohet në Kinë, edhe pse ky vend nuk ka shumë përvojë në ndërtimin e anijeve të mëdha të pasagjerëve.

Nga ana tjetër, Titanik II, do të ketë një avantazh, që pasagjerët e të parit nuk mund ta ëndërronin:ajrin e kondicionuar. Por vetëm kaq. Në anije nuk do të ketë televizion apo internet, për të ruajtur romancën e dikurshme. Për ata që kanë nevojë që të dërgojnë apo marrin mesazhe, do të ketë një dhomë të posaçme që do quhet “Marconi”

Klajv Palmer është padyshim një “miliarder eksentrik”. Ai është i njohur për projektet e mëdha dhe të guximshme. E tillë është përpjekja, për të rikrijuar një park gjigant dinozaurësh, të ngjashëm me atë të filmit “Jurassic Park”.  Në kohën e shpalljes së projektit për Titanik II, Palmer vendosi të hyjë në politikën australiane.

Ai ka pretenduar më herët, se ka qenë në shënjestër të një komploti nga presidenti ameikan Barak Obama, CIA, Fondacioni Rokfeler dhe Greenpeace. Projekti i Titanik II, është pritur edhe me kritika. Ka nga ata, që e cilësojnë si një “tallje me kujtimin e atyre që vdiqën”.

Projekti është përballur me shumë vështirësi. Kur u shpall në fillim në 100-vjetorin e tragjedisë së Titanik, Palmer tha se anija e re do ishte gati në vitin 2016. Por në vitin 2013, në media pati raportime se Palmer kishte vështirësi financiare Pas disa shtyrjeve, në shtator 2018, kompania “Blue Star Line” njoftoi se projekti kishte nisur, dhe se data e pritshme e inagurimit të anijes do jetë viti 2022./ Historycollection-Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Xhonson, Klinton, Nikson dhe tani Trump/ Historia e presidentëve që iu nënshtruan “impeachment”-it

Publikuar

-

Nga

Mbetet për t’u vendosur, nëse presidenti amerikan Donald Trump do t’i nështrohet procedurave të shkarkimit (impeachment), por duket se gjërat po shkojnë në atë drejtim. Ky do të ishte rasti i katërt në historinë e SHBA-së. Po cili është historiku i impeachment-it, deri më sot?

Rasti i presidentit Endrju Xhonson (1868)

Xhonson mori drejtimin e presidencës, pas vrasjes së Abraham Linkolnit, vetëm 42 ditë pasi kishte marrë detyrën si zv/president. Procedura e shkarkimit nisi më 24 shkurt 1868. Lufta Civile kishte vrarë më shumë se 600 mijë njerëz. Udhëheqësit politikë në jug, ishin kundër dhënies së të drejtave për zezakët.

Xhonson, një demokrat nga Tenesi, urdhëroi që shtetet jugore të ratifikonin Amendamentin 13-të, që anulonte skllavërinë. Republikanët radikalë vendosën veton në të dyja dy dhomat e parlamentit. Ata miratuan një ligj, që e kufizonte presidentin nga e drejta e largimit të disa zyrtarëve nga detyra pa miratimin e Senatit.

Xhonson e sfidoi ligjin, duke e shkarkuar nga detyra Sekretarin e tij të Luftës, Edvin Stenton, i vetmi anëtar i kabinetit kundër politikës së tij të “Rindërtimit”. Kongresi nisi atëherë procedurat e shkarkimit të tij. Më 5 mars, nisi zyrtarisht gjyqi në Senat kundër Xhonsonit. Por më 16 maj 1868, përpjekja për të shkatkuar presidentin dështoi me vetëm me një votë me tepër kundër në Senat.

Impeachment-i ndaj presidentit Riçard Nikson (1973-1974)

Presidenti e cilësoi një “gjueti shtrigash” seancat dëgjimore të Senatit mbi skanalin e Uotergejtit. Procedurat për shkarkim, buruan nga ndërhyrja klandestine e njerëzve të presidentit mbrëmjen e 17 qershorit 1972 në selinë e Komitetit Demokratik Kombëtar, në kompleksin e zyrave Uotergejt në Uashington.

Administrata e Niksonit ndëmorri çdo lëvizje, që të parandalonte çdo lloj bashkëpunimi me Kongresin, duke shkaktuar një krizë kushtetutuese. Por më vonë, u zbulua se Nikson kishte regjistruar në fshehtësi bisedat private në Zyrën Ovale. Dhe disa prej tyre tregonin hapur se ishte Nikson, ai që ishte përpjekur të përdorte pushtetin e tij presidencial për të ndaluar hetimin e FBI-së mbi Uotergejt.

Më 24 korrik 1974, Gjykata e Lartë, e detyroi Niksonin të dorëzojë kasetat e përgjimeve. Ishte e qartë që Niksoni, do t’i nënshtrohej së shpejti impeachment-it. Ndaj mbrëmjen e 8 gushtit 1974, presidenti njoftoi publikun amerikan, se do të jepte dorëheqjen të nesërmen. Kongresi miratoi 3 nene të fajësimit për pengim të drejtësisë, shpërdorim pushteti dhe shpërfillje ndaj Kongresit. Por dorëheqja e Niksonit, i tha fund kësaj procedure.

LEXO EDHE:  Studimi i BERZH/ Krimi, korrupsioni dhe infrastruktura e dobët ulin të ardhurat në Shqipëri

LEXO EDHE:  Studimi i BERZH/ Krimi, korrupsioni dhe infrastruktura e dobët ulin të ardhurat në Shqipëri

Impeachment-i presidentit Bill Klinton (1998-1999)

Bill Klinton, nuk u fajësua një lidhjen jashtëmartesore me Monika Levinskin, por përse gënjeu në lidhje me këtë çështje. Presidenca e Klinton gati mori fund, kur Kongresi i kontrolluar nga republikanët, miratoi 2 nene të fajësimit. Hetimet u ndalen tek një kompani e pasurive të patundshme “Ëhiteëater”, ku çifti Klinton kishte investuar në vitet 1970-1980.

Por ai u zgjerua për të përfshirë pretendimet për ngacmime seksuale nga presidenti në dëm të ish-nëpunëses së qeverisë në Arkansas, Paula Xhons. Por në fund Senati që gjithashtu kontrollohej nga republikanët, votoi kundër fajësimit, dhe garantoi vazhdimin e qëndrimit të Klintonit në detyrë. Në dhjetor 1999, një vit pas impeachment-it të Klintonit, dy të tretat e publikut amerikan mendonte se gjyqet e kësaj procedure, ishin të dëmshme për vendin.

Impeachment-i presidentit Donald Trump (2019)

Kundërshtarët e Trump, kanë bërë thirrje për fajësimin e tij, që nga dita e parë e presidencës së tij. Por hetimi aktual, ka lidhje me një kallëzim anonim, që pretendon se Trump i kishte kërkuar presidentit të Ukrainës të hetojë ish-zëvendëspresidentin Xho Bajden, një kundërshtar i tij i mundshëm në presidencialet e vitit 2020.

Kërkesa u bë gjatë një telefonate të zhvilluar më 25 korrik, kur Trump po mbante pezull një ndihmë ushtarake në vlerë 400 milionë për Ukrainën. Transkriptimi i telefonatës, tregoi se  Trump i kërkoi Zelenskit një “favor”. Më pas Trump i kërkoi publikisht Kinës, të hetojë veprimtarinë e djalit të Bajden në atë vend.

Shtëpia e Bardhë ka deklaruar publikisht, se nuk do të bashkëpunojë për procedurat e fajësimit, dhe u ka kërkuar zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të qeverisë, të mos dëshmojnë në 3 komitetet e Kongresit që po hetojnë skandalin Trump-Ukrainë. Mbetet të shihet nëse Kongresi, do të votojë pro shkarkimit të Trump. Dhe nëse ndodh, a do të bjerë dakord Senati? Ka të ngjarë jo, duke pasur parasysh besnikërinë e shumicës së republikanëve të Senatit ndaj presidentit Trump./Allthatsinteresting.com –Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE